A fiton gjë Bashkimi Europian me pranimin e Shqipërisë?


Çfarë do të përfitonte Bashkimi Europian nga anëtarësimi i vendeve të vogla e të varfra si Shqipëria, veçanërisht në fushën e tregtisë dhe cila është rëndësia e integrimit ekonomik rajonal.

Kur mendojnë për Bashkimin Europian, shumica e njerëzve përfytyrojnë madhështinë e qendrave të mëdha metropolitane si Parisi apo Frankfurti, korporatat shumëkombëshe me kapitale qindra triliardëshe, apo arteriet kryesore tregtare që lidhin Europën e Veriut me atë të Jugut. Ndonëse pjesërisht i saktë, ky vështrim me kënd mjaft të gjerë nuk na lejon të dallojmë fijet e shumta nëpërmjet të cilave lidhet e zhvillohet ekonomia e Bashkimit Europian. Pas GDP-së së çdo shteti dhe volumeve marramendëse të shkëmbimit tregtar qëndron një rrjet i madh e i ndërlikuar prej dhjetëra mijëra sipërmarrjesh të vogla e të mesme, tregjesh lokale dhe fabrikash e prodhuesish bujqësorë, të cilët përbëjnë shtyllën kurrizore të tregtisë europiane. Ndonëse nuk i dëgjojmë të përmenden asnjëherë në diskutime të niveleve të larta gjeostrategjike, janë pikërisht ekonomitë e vogla lokale e rajonale ato që ushqejnë dhe i japin jetë konceptit të ekonomisë së bashkuar europiane.

Dallimi mes këtyre dy këndvështrimeve, atij me kënd të gjerë gjeostrategjik dhe atij me kënd të ngushtë krahinor, merr rëndësi të dorës së parë kur vjen fjala për zgjerimin e BE-së. Po ta vlerësonim situatën nga këndvështrimi i vlerës agregate, pra të fuqisë ekonomike që sjell çdo vend, pranimi në BE i vendeve të vogla si Shqipëria, në rastin më të mirë do të ishte diçka krejt e papërfillshme, ndërsa në rastin më të keq do të bëhej një barrë e bezdisur politike e financiare për institucionet e unionit. Skeptikët e zgjerimit të BE-së me anëtarë të rinj nga Ballkani argumentojnë vetëm duke folur për kostot financiare imediate si: shpërndarja e fondeve, rritja e barrës institucionale, sfidat dhe pengesat e shumta administrative që duhen zgjidhur, etj. Domosdo, e parë me syrin e shqiponjës, nga lart, ç’mund t’i ofrojë vallë GDP-ja e Shqipërisë një blloku ekonomik ku marrin pjesë vende si Gjermania, Franca apo edhe Holanda?

Por gabimi pikërisht këtu qëndron: në moskuptimin e rëndësisë që integrimi ekonomik rajonal ka mbi rritjen dhe zhvillimin ekonomik të të gjithë unionit. Rritja ekonomike e një shteti nuk është fryt ekskluziv, apo qoftë edhe parësor i agregateve të brendshme kombëtare. Ajo shfaqet kur ka shkëmbime ndërrajonale kufitare, kur zinxhirët e furnizimit dalin përtej kufijve shtetërorë, apo kur sipërmarrjet e vogla e të mesme gjejnë tregje të reja, që më parë ishin të fshehura pas pengesave rregullatore. Integrimi i Shqipërisë në BE nuk do të jetë thjesht shtimi i GDP-së së vendit në një fletë bilanci, por aktivizimi i lidhjeve të shumta ekonomike me rajonin dhe më gjerë: kompani greke që do të mund të furnizohen në Shqipëri pa pengesa tarifore, kompani serbe transporti që do të mund të shfrytëzojnë pa shpenzime ekstra portin e Durrësit, kompani shqiptare ndërtimi që do të mund të ofrojnë shërbimet në Itali pa TVSH, etj.

Këto fije ekonomike shumëfishohen përgjatë gjithë rajonit duke krijuar atë që ekonomistët e quajnë “efekti kaskadë”. Çdo nyje e re ekonomike që i shtohet rrjetit, rrit jo vetëm vlerën e vet, por edhe atë të të gjitha lidhjeve të tjera njëkohësisht. Rrugët tregtare nuk kanë pse të përfundojnë brenda kufirit shqiptar. Zinxhirët e prodhimit nuk kanë pse të jenë të fragmentuar prej kufijve me BE-në. Bizneset e vogla e të mesme nuk kanë pse ta kufizojnë më aktivitetin e tyre brenda tregut vendas, apo të mjaftohen me zinxhirin e furnizimit të brendshëm.

Integrimi i mëtejshëm rajonal sjell edhe shumë përfitime për krahinat ndërkufitare. Shembulli më i mirë për këtë është ndërtimi i rrugës që lidh Plavën e Gucinë me Podgoricën, por që kalon nëpërmjet territorit shqiptar. Kjo rrugë prej vetëm 40 km shkurton kohën e udhëtimit nga Plava e Gucia drejt Podgoricës me 1 orë e 20 minuta.

Këto pra, nuk janë thjesht diskutime teorike. E njëjta gjë është vënë re gjatë rasteve të mëparshme të zgjerimit të BE-së. Pranimi i Portugalisë dhe Spanjës, që dikur konsideroheshin ekonomi periferike, i dha një shtysë të re zhvillimit ekonomik në Europën Jugore. Integrimi i vendeve të Europës Qendrore e Lindore krijoi rrjete prodhimi e logjistike që përmirësuan konkurrueshmërinë në të gjithë kontinentin. Në çdo rast, përfitimet nuk ishin llogaritë e thjeshta të “përpara” dhe “pas-it” të agregatit të GDP-së, por ato mijëra lidhje të vogla lokale tregtare, të cilat me kalimin e kohës u thelluan dhe lulëzuan.

Thelbi i çështjes është ky: burimi i fuqisë ekonomike të Bashkimit Europian nuk vjen prej të qenit një klub ekskluziv shtetesh të fuqishme, por prej të qenit një ekosistem i dendur dhe i ndërlidhur ekonomik ku prosperiteti përhapet nëpërmjet mijëra fijeve të ndërlidhura me karakter lokal. Nga ky këndvështrim, pranimi i Shqipërisë në BE nuk është një diskutim mbi leverdinë apo mosleverdinë financiare që sjell apo jo ekonomia e saj në union. Pranimi i Shqipërisë është një diskutim mbi integrimin ekonomik të Europës Juglindore dhe potencialin e madh zhvillimor për dhjetëra mijëra sipërmarrje, punëtorë dhe komunitete në të gjithë rajonin, e për rrjedhojë edhe tek vetë BE-ja.

Argumentet pro zgjerimit marrin formë fare të qartë kur diskutimi zhvendoset nga elementët makro, si agregatet kombëtare, tek ato mikro, si rrjetëzimi ekonomik rajonal. Bashkimi Europian nuk përfiton prej mbledhjes aritmetike të GDP-ve të vendeve të vogla, por prej zgjerimit të rrjetit tregtar me hapësira të reja dhe integrimit të mëtejshëm të rajoneve periferike brenda BE-së. Çështja pra nuk është as madhësia dhe as fuqia ekonomike e Shqipërisë. Çështja është zgjerimi dhe fuqizimi i mëtejshëm i ekonomive rajonale, të cilat, bashkë me ekonomitë e shumë rajoneve të tjera, formojnë atë që kolektivisht quhet Bashkimi Europian.

Comments

Shkrimet më të lexuara të muajit

Rrena, legjenda dhe pseudoshkencë

Si zhvillohet korrupsioni me tenderat e mëdhenj?

Epoka e errët shqiptare