Rreth blogut

Pse është Shqipëria e varfër? Pse është populli shqiptar i prapambetur sot? Pse kanë qenë kultura dhe identiteti shqiptar të përçmuara? Pse janë shqiptarët të shpërndarë e të përçarë? Pse nuk jemi ne në të njëjtën rrugë zhvillimi si bota e qytetëruar? Pse nuk jemi ne në gjendje të shfrytëzojmë pasuritë e vendit tonë dhe të gjithë potencialin ekonomik e njerëzor për të t'u bërë shtet i zhvilluar? Pse nuk jemi ne në gjendje të zhvillohemi ekonomikisht dhe kulturalisht? Pse?

Kush na e ka fajin? Kujt duhet t'ia drejtojmë gishtin? Kujt t'i kërkojmë llogari? Vetes tonë? Kulturës sonë? Fesë? Fatit? Historisë? Fqinjëve tanë? Europës? Perandorisë osmane? Komunizmit? Terrenit gjeografik? Zotit? Kujt?

Këto janë pyetje ekzistenciale që trazojnë mendjen dhe shpirtin e çdo shqiptari intelektual, çdo njeriu që shqetësohet për mirëqenien e vendit, familjes, fëmijëve të tij, çdo individi që kërkon një të ardhme më të mirë në vendlindjen e tij.

Ndonëse në pamje të parë duket sikur esetë e paraqitura në këtë blog qëndrojnë të pavarura nga njëra-tjetra, në të vërtetë ato përshkohen nga një bosht i vetëm ideor: zhvillimi i një shoqërie nuk mund të kuptohet si një dukuri e pavarur nga mjedisi dhe rrethanat politike e ekonomike në të cilat ekziston. Pra, ne nuk mund të kuptojmë historinë moderne të Shqipërisë dhe shqiptarisë në përgjithësi pa kuptuar më parë mjedisin politik e ekonomik rajonal e ndërkombëtar në të cilin kanë ekzistuar dhe ndikimin e jashtëzakonshëm që kanë pasur ato këto 130 vitet e fundit mbi zhvillimin e Shqipërisë dhe popullit shqiptar në tërësi.

Ky përfundim bie në kundërshtim me mendimin e vjetëruar që ka mbizotëruar deri më sot, sipas të cilit zhvillimi i Shqipërisë, ashtu si edhe i vendeve të tjera fqinje, ka qenë kryesisht një rrjedhojë e zhvillimeve historike të brendshme dhe vetëm pjesërisht e ndikimit nga jashtë. Unë kam argumentuar të kundërtën e këtij mendimi. Ndonëse popujt dhe shtetet e vogla mund të kenë njëfarë lirie veprimi në skenën e gjeopolitikës, d.m.th. mund të marrin vendime, mund të lidhin aleanca, mund t’u përshtaten situatave dhe ndonjëherë mund edhe të ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve, kjo liri është e kufizuar nga forca shumë më të mëdha. Janë fuqitë e mëdha, konfliktet rajonale, sistemet ekonomike dhe institucionet ndërkombëtare ato që diktojnë kushtet në të cilat popujt dhe shtetet e vogla mund të operojnë. Ne mund vetëm të përshtatemi, por nuk mund kurrsesi të ndryshojmë rregullat e lojës.

Nisur nga ky këndvështrim, gjurmët e para të Epokës së Errët Shqiptare i gjejmë te fushata disa shekullore e Rusisë për t’u zgjeruar përgjatë brigjeve të Detit të Zi dhe ndryshimet që pasuan në botën osmane si rrjedhojë e kësaj fushate. Me shpresën për të kapur ngushticën e Bosforit e mandej Detin Egje, Rusia bëri përpjekje të jashtëzakonshme për të dobësuar Perandorinë Osmane, duke zgjeruar influencën dhe ndikimin e saj në Ballkan e në Kaukaz. Për të arritur këtë objektiv, ajo vuri në përdorim të gjitha mjetet që kishte në dispozicion: diplomacinë, fuqinë ushtarake, rrjetet fetare, agjenturën, blerjen e udhëheqësve e komuniteteve fisnore, e madje edhe arsimimin e brezave të rinj me frymë independentiste, revolucionare, pro-ruse.

Por edhe fuqitë e tjera europiane nuk mbetën pas. Austro-Hungaria dhe Italia bënë gjithashtu përpjekje për të përhapur sa më shumë influencën e tyre në Ballkanin Osman, por në dallim nga Rusia, e cila kishte si fokus kryesor popullsinë e krishterë ortodokse, ato kishin në fokus popullsinë katolike, e cila ishte shumë më e pakët në numër se ajo ortodokse, sidomos nga këndej nga anët tona.

Për rrjedhojë, Ballkani u bë një fushë loje në të cilën fuqitë e mëdha mund të nxisnin, mbështesnin e manipulonin lëvizje politike lokale sipas interesave të tyre strategjike. Për shembull, dalja e Serbisë dhe Greqisë si faktorë në skenën gjeopolitike ballkanike duhet parë pikërisht si fryt i kësaj strategjie. Ndryshe nga ç’është thënë rëndom deri më sot dhe nga ç’propagandohet prej narrativave zyrtare nacionaliste, lëvizjet independentiste të këtyre rajoneve nuk ishin nisma të brendshme nacionalizmi. Ato nuk ishin shprehje e pastër e nevojës së një populli të shtypur fshatar për vetëvendosje. Përkundrazi, ato ishin manovra të grupeve të privilegjuara brenda Perandorisë Osmane, të intelektualëve e klerikëve të mbështetur financiarisht, apo edhe figurave të ndryshme elitare, që vepronin tërësisht në kuadrin e mbështetjes diplomatike, financiare e ushtarake të huaj.

Dëshmia më e qartë e këtij realiteti është fakti që menjëherë pas fitores së pavarësisë, këto shtete u bënë qendra agresive të ekspansionizmit imperialist, vegla të interesave të fuqive të mëdha dhe promotore të një identiteti militarist ideologjik etno-religjioz, që kishte si qëllim të shtypte çdo shenjë të diversitetit etnik e fetar në Ballkan. Këto qëllime madhore u mbështetën me narrativa historike që nxisnin konceptin e hakmarrjes kundër “shtypësit turk” dhe rikthimin e territoreve të lashta “të humbura”.

Veçanërisht domethënëse është fushata disa shekullore e shfarosjes dhe dëbimit të popullsive autoktone myslimane, të etiketuara padrejtësisht si turq, të cilën disa studiues e kanë quajtur me të drejtë Rekonkuista Ballkanike, për shkak se është një përsëritje mot a mot e Rekonkuistës Spanjolle dhe dëbimit të myslimanëve nga Gadishulli Iberik. Ndër viktimat kryesore të Rekonkuistës Ballkanike ishin padyshim edhe shqiptarët myslimanë, por më vonë edhe ata të krishterë. Në këto kushte, duke qenë të ndarë në tri fe të ndryshme, por të lidhur fort me njëri-tjetrin prej gjaku, gjuhe e zakoni, sfida kryesore e shqiptarëve nuk ishte thjesht aspekti logjistik i ndërtimit të një kombi, por lufta për mbijetesë: në radhë të parë për mbijetesën e identitetit etnik shqiptar dhe në radhë të dytë të trojeve ku ky identitet të mund të zhvillohej i lirë dhe jashtë rrezikut të shfarosjes apo asimilimit.

Viti 1878, viti i dëbimit të shqiptarëve nga rajoni i Toplicës (Nishit), shënon fillimin e Epokës së Errët Shqiptare. Që këtej e tutje, historia e shqiptarëve ka qenë ajo që thashë pak më sipër, një luftë e stërzgjatur për ruajtjen e tërësisë territoriale, pavarësisë politike dhe ruajtjen e identitetit etnik nga rreziku i zhdukjes. Lufta u zhvillua në disa fronte e me shumë mjete: qëndresa të armatosura, diplomaci, përpjekje për shtetformim, zhvillim kulturor, organizim politik dhe transformime rrënjësore shoqërore të brendshme, veçanërisht gjatë shekullit të XX-të. Por, ndërkohë që lojtarët dhe sistemet politike ndryshonin, problemi dhe sfida kryesore mbeti gjithmonë e njëjta: si mund të mbijetojë një komb i vogël, i copëtuar në një mjedis armiqësor që sundohet nga fuqi të mëdha gjakatare?

Në vazhdim të këtij mendimi, edhe periudha e diktaturës komuniste është shqyrtuar jo si një kapitull i izoluar, jashtë kontekstit historik, por si një fazë e luftës për pavarësi dhe mbrojtjes së territorit. Izolimi politiko-ekonomik i Shqipërisë u kushtoi shtrenjtë shqiptarëve, por njëkohësisht shërbeu edhe si një lloj zhgualli, që e mbajti vendin jashtë ndikimit të fuqive shoviniste fqinje dhe i dha kohë identitetit shqiptar të konsolidohej e fuqizohej si shtyllë e pavdekshme ideologjike e gjithë shqiptarëve, në pritje të shuarjes së imperializmit e shovinizmit territorial në Europë.

Për këtë arsye, fundi i Epokës së Errët Shqiptare nuk është rënia e regjimit të diktaturës, por lufta e Kosovës dhe Marrëveshja e Ohrit në vitin 2001. Ndonëse rreziqet më të mëdha ishin venitur, fantazmat e të shkuarës nuk ishin zhdukur ende. Luftërat në ish-Jugosllavi ishin etapa e fundit e rendit të vjetër ballkanik. Me Marrëveshjen e Ohrit, kapitullit të ekspansionit territorial në Ballkan iu vu kapaku nga fuqitë e mëdha të aleancës euro-atlantike. Për shqiptarët u hap një kapitull i ri, një epokë e re, ku sfida kryesore nuk është më mbijetesa, por zhvillimi i shoqërisë dhe rritja e prosperitetit.

Në thelb të tezës qendrore të paraqitur në këtë blog, pra të Epokës së Errët Shqiptare, qëndron mendimi se problemet madhore me të cilat përballet shoqëria jonë sot si: emigracioni, largimi i rinisë së arsimuar, krimi i organizuar, korrupsioni, institucionet e doëta, mungesa e zhvillimit ekonomik etj., nuk janë dështime të shoqërisë shqiptare, por pasoja të një rrugëtimi mjaft të gjatë historik. Nuk mund të presësh nga një shoqëri që ka shpenzuar gjenerata të tëra duke iu shmangur zhdukjes, duke iu përshtatur izolimit e duke i bërë ballë presionit të jashtëzakonshëm të huaj, që një ditë të bukur ta lërë gjithë bagazhin historik e social pas dhe të sillet njësoj si shoqëri të cilave nuk u është ndërprerë asnjëherë rruga e zhvillimit. Duhet kohë dhe përpjekje për të adoptuar zakone, sjellje e mentalitete të reja që i përshtaten fazës së lirisë dhe paqes.

E parë më në imtësi, teza e Epokës së Errët Shqiptare shqyrton e shtjellon kufijtë e lirisë së veprimit që gëzojnë popujt e vegjël dhe udhëheqësit e tyre politikë. Për shembull, zhvillimet e tregut na tregojnë se pavarësisht talentit dhe aftësive të mëdha individuale, njeriu mund të dështojë plotësisht nëse mjedisi përreth nuk ofron kushtet e nevojshme për të shkëlqyer në treg. Po ashtu, një popull i vogël mund të nxjerrë figura të shquara, ide të shkëlqyera dhe udhëheqës të vendosur, e prapëseprapë të mos jetë në gjendje të përcaktojë fatin e vet në arenën gjeostrategjike globale. Janë fuqitë e mëdha ato që kanë aftësinë jo vetëm të veprojnë, por edhe të caktojnë rregullat e lojës dhe fituesit e saj, pra kush merr dhe sa. Popujt e vegjël mund të kenë liri veprimi, por atë liri mund ta ushtrojnë vetëm në rrethana e kushte të vendosura nga tjetërkush.

Kjo nuk do të thotë se popujt e vegjël janë krejt të pafuqishëm apo që historia është në mënyrë absolute deterministe, pra e paracaktuar. Përkundrazi, popujt e vegjël kanë në dorë të bëjnë qëndresë, t’u përshtaten situatave, të shfrytëzojnë shtigjet sipas rastit, e madje ndonjëherë të ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve të rëndësishme historike. Por, siç thotë ajo shprehja popullore, “Sipas vendit dhe kuvendi”. Kjo do të thotë se çështja kryesore nuk është pyetja se “çfarë kërkon një popull dhe sa i aftë është për të arritur qëllimet e veta?”, por se cilat janë kufizimet e vendosura nga më të mëdhenjtë dhe cilat shtigje mund të ndjekë ai në mbrojtje të interesave të veta. Historia e shqiptarisë është një shembull krejt i qartë i raportit mes lirisë së veprimit dhe strukturës rrethanore: Sa aftësi dhe mundësi ka një popull i vogël të vendosë për fatet e veta kur mjedisi politik, ekonomik e social është tërësisht në duart e fuqive shumë më të mëdha? 

Nëpërmjet arsyetimeve e analizave të parashtruara në këtë blog jam përpjekur ta shtjelloj këtë pyetje nga disa pikëpamje: historia e imperializmit europian, nacionalizmi ballkanik, diktatura komuniste, migracioni, krimi i organizuar, zhvillimi ekonomik, integrimi europian etj. Shumica e eseve të këtij blogu vërtiten rreth pyetjes së parashtruar më sipër. Ato janë një përpjekje për të kuptuar shkaqet pse Shqiptaria është këtu ku është, pse ndoqi një rrugëtim zhvillimor kaq të ndryshëm nga vendet e tjera të Ballkanit dhe Europës, dhe çfarë parashtron e ardhmja tani që mjedisi më në fund ka filluar të ndryshojë.

Comments

Shkrimet më të lexuara të muajit

Epoka e errët shqiptare

Rrena, legjenda dhe pseudoshkencë