Rrena, legjenda dhe pseudoshkencë
Një ditë tek po shëtisja nëpër rrugët e Tiranës, tek tezgat që shesin libra të përdorur gjeta librin e Elena Kocaqit me titull “Shqipja çelësi i gjuhëve indoevropiane" (botim i vitit 2008) dhe e bleva. U bëra kureshtar. Thashë t'i hedh një sy. Mos ka ndonjë temë interesante për ta diskutuar. Ç’të shoh? Katastrofë! Shumë më keq nga ç’prisja. Një paçavure që përpos gabimeve të shumta gramatikore dhe stilit tejet mediokër të të shkruarit, nuk ka absolutisht asgjë shkencore. Një sajesë, nga fillimi deri në fund. Një pjellë e fantazisë së shfrenuar neo-pellazgjiste të autores, sidomos po të marrim parasysh faktin që e shet veten si historiane me diplomë e me medalje të artë.
Nga ta filloj? Nga fakti që autorja ka përfshirë si argumente historike teoritë e racës së bardhë, të cilat kanë shërbyer si themele të ideologjisë naziste të Hitlerit dhe supremacizmit imperialist europian? Apo nga fakti që ka paraqitur si të vërteta teori pseudoshkencore të diskredituara ndërkombëtarisht si për shembull teoria e gjuhëve jafetike, hazare, etj.? Apo që s’ka as edhe një arsyetim shkencor për deklarata që na i servir si të mirëqena?
Po shprehem në këtë mënyrë jo pa qëllim. Jo për gjë, por ajo nuk la akademik e studies shqiptar pa telendisur lartë e poshtë, nëpër ekranët e televizorëve. E mori vesh i madh e i vogël, çdo shqiptar anekënd botës, që akademikët e poshtër “sllavo-komunistë” na paskëshin bërë gjëmën e madhe duke na fshehur historinë e vërtetë të atdheut e duke na servirur në vend të saj “tezat antishqiptare greko-serbe”. Shkoi puna deri aty sa që nga fama e fituar prej denigrimit të akdemikëve, nën vellon e një nacionalizmit fals, zonja pretendoi të zinte edhe postin e presidentit të republikës.
Por ky libër qenka me të vërtetë puna e një sharlatani. Faqet e tij janë plot e përplot me rrena dhe legjenda. Ato mbizotërojnë në çdo faqe, paragraf, e pothuajse çdo fjali. Vetë fjalitë nuk kanë koherencë dhe mendimet e hedhura aty këtu pa strukturë nuk lidhen me njëra tjetrën. I gjithë boshti ideologjik i librit është i mbështetur mbi fantazi, e si për t’i dhënë pak legjitimitet akademik kësaj fantazie, Kocaqi ka shkëputur nga dijet shkencore disa gjysmë të vërteta mbi gjuhët, si për shembull teoria mbi origjinën indoevropiane të popujve, dhe i ka ndërthurur ato me teori e legjenda pseudoshkencore, për të ngritur e mbështetur një teori të tërë konspiracioniste me në qendër shqiptarët. Tamam sipas metodologjisë së sharlatanëve të famshëm kudo në botë.
Kjo në pjesën e parë e librit. Pjesa tjetër e librit, praktikisht 90% e tij, është e mbushur me shembuj fjalësh e intepretime kinse etimologjike, nëpërmjet të cilave Kocaqi “zbulon” edhe një herë nga fillimi lidhjen e gjuhëve indoevropiane (dmth zbulon rrotën), por së prapthi, dmth e kap kalin nga bishti, dhe përpiqet të na mbushë mendjen që babai, gjyshi, kushërinjtë, e madje edhe komshinjtë, rrjedhin të gjithë nga foshnja e sapolindur.
Më poshtë po shtjelloj me imtësi të gjitha sharlatanizmat që mund të gjehen në faqet e librit.
Rrena e parë që Kocaqi e ka shkruar që në fjalinë e parë të faqes së parë të librit është kjo: “Gjuha shqipe, - thotë autorja, - është konsideruar nga studiuesit seriozë si gjuha më e vjetër indoevropiane”.
Cilët na qenkan këta studiues "seriozë" që mendojnë se gjuha shqipe na qenka gjuha më e vjetër indoevropiane? Kocaqi nuk i përmend dhe as që i ka përdorur si referenca në libër, por me shumë gjasa që duhet të jete fjala për Robert D'Angely, Mario Malinei, Mathieu Aref (Arif Mati), Aristidh Kola (historian amator), ca “studiues” shqiptarë dhe ndoshta ndonjë nga ata studiuesit gjermanë e austriakë të albanologjisë së shekullit XIX. Padyshim në këtë listë fut edhe veten e vet. Dmth sipas Kocaqit këta janë studiuesit seriozë. Gjithë të tjerët, që janë me dhjetëra dhe ekspertë në fushën e gjuhësisë si për shembull Hahn, Meyer, Jokl, Çabej, Ajeti, Demiraj, Camaj, Hamp, Orel, Mann, Omari, Topalli, e deri tek Elsie dhe shumë e shumë të tjerë, të gjithë këta qenkan jo seriozë edhe pse janë shumicë dërrmuese. Mos flasim, pastaj, për listën e pafundme të studiuesve të gjuhëve indoevropiane e jo indoevropiane, të cilëve as u ka shkuar ndonjëherë ndërmend të identifikojnë ndonjë gjuhë të veçantë si gjuhën më të vjetër, përfshi greqishten, latinishten dhe hebraishten, apo sanskritishten e persishten, apo atë shumere, hitite e egjiptiane, apo edhe atë kineze e tamile të cilat kanë traditë shkrimi mijëra vjeçare, në disa raste të pandërprerë.
Për të mos lënë ndonjë shteg për dyshime, e pyeta ChatGPT nëse ka sot ndonjë gjuhë që mund të konsiderohet si gjuha më e vjetër dhe mu përgjigj se asnjë gjuhë e vetme nuk mund të konsiderohet si gjuha më e vjetër, pasi të gjitha gjuhët janë ne zhvillim dhe kanë ndryshuar ndër mijëvjeçarë. Kështu që, nëse do flasim për konceptin e vjetërsisë, atëherë do duhet të flasim për gjuhët që kanë lënë dokumentacion të shkruar dhe aty shqipja s'është kurrkund sepse nuk ekziston asnjë tekst i shkruar në shqip më herët se shekulli XV.
Dmth, Kocaqi e nis qëllimisht arsyetimin që në fillim me një premisë të shtrembër, sepse asnjë nga ato teoritë që mbështet mendimin se shqipja është gjuha më e vjetër indoevropiane, apo që është mëma e greqishtes së lashtë, nuk konsiderohen sot nga komuniteti ndërkombëtar gjuhësor e historik si teori serioze. Përkundrazi, ato përshkruhen si teori "fringe", dmth teori "periferike" të cilat nuk i merr njeri për bazë e nuk i hyjnë në punë askujt, sepse janë të paplota, të pambështetura në dokumentacion historik dhe të paarsyetuara nëpërmjet metodologjisë shkencore. Prandaj, Kocaqit i duhet të hedhë në mendjen e lexuesit të painformuar farën e dyshimit - duke pretenduar se të gjithë ata studiues që nuk mbështein teoritë periferike nuk janë seriozë - dhe të mosbesimit ndaj shkencës konvencionale, gjithnjë në kuadër të një konspiracioni global kundër gjuhës shqipe.
![]() |
Gjuha më e vjetër indoevropiane e shkruar është gjuha hitite. Kur hititët shkruanin gjuhën e tyre 1600 vjet para erës së re, ilirët ende nuk kishin mbërritur në brigjet e Adriatikut. |
Rrenë: "...nuk është bërë asnjë herë një studim krahasues i shqipes me gjuhët indoevropiane, për të nxjerrë vendin që ka shqipja në mes këtyre gjuhëve..."
S'është e vërtetë. Autorë shqiptarë e të huaj kanë bërë studime krahasues nga më të ndryshmet dhe kanë nxjerrë botime me vlera të mirëfillta shkencore në këtë fushë: Franz Bopp, Gustav Meyer, Holger Pedersen, Norbert Jokl, Georg von Hahn, Eqrem Çabej, August Schleicher, Eric P. Hamp, Carlo Tagliavini, Vladimir Orel, Martin Huld, Shaban Demiraj, Wilhelm Meyer-Lübke, Anila Omari, Kolec Topalli, Robert Elsie. Secili sipas profilit të vet specifik, ata kanë dhënë ndihmesën e tyre të vyer për formimin e një panorame sa më të gjerë të gjuhës shqipe në raport me gjithë gjuhët e tjera indoevropiane. Madje Çabejin, Hahnin dhe Meyerin ajo i ka prëdorur si referenca, e u ka shkëputur edhe citate. Për shembull dikush mund të ketë pasur si fokus gjuhën shqipe, dikush gjuhët latine, dikush sllavishten apo greqishten, e dikush tjetër raportin e njërës apo të tjetrës me gjuhën shqipe. Vetëm Eqrem Çabej ka katër botime me titull "Studime etimologjike në fushë të shqipes" dhe një botim me titull "Hyrje në studimin krahasues të gjuhëve indoevropiane". Mos flasim, pastaj, për autorët e tjerë, veçanërisht Arjolli (Orel), i cili i ka kushtuar etimologjisë shqipe një pjesë të mirë të jetës së tij.
Gjuhët indoevropiane nuk janë ca gjuhë misterioze të fshehura nëpër kasaforta. Greqishtja e re dhe e vjetër, serbishtja, bullgarishtja, sllavishtja e vjetër, italishtja, gjuhët romance dhe latinishtja, gjermanishtja, të gjitha këto janë gjuhë indoevropiane. Kur bën studime etimologjike të gjuhës shqipe, bën automatikisht edhe studimin krahasues të shqipes në raport me gjuhët e tjera indoevropiane. Sepse këto janë të lidhura bashkë e të pandara nga njëra tjetra. Në krahasim me paçavuren e Kocaqit që kam në dorë (apo edhe atyre të Dalipajt), të cilën e ka mbushur me deklarata pompoze të paargumentuara shkencërisht dhe me krahasime e shpjegime sipërfaqësore si i ka dashur qejfi asaj, punimet e Çabejit janë kryekëput teknike shkencore, me analiza të shumta krahasuese të rrënjëve të fjalëve, grupfjalëve, parashtesave e prapashtesave, tingujve të veçantë, zanoreve e bashkëtingëlloreve, të morfologjisë së fjalës, të fonetikës, sintaksës, semantikës, e shumë aspekteve të tjera të gjuhësisë që një lexues i thjeshtë nuk di nga t’i kapi e nga t’i lërë. Pra, është një punë ekspertësh. Një zbërthim i plotë i fjalëve dhe komponentëve të tyre.
Atëherë lind pyetja. Kur ka një volum kaq të madh punimesh e studimesh gjuhësore të nivelit akademik të shqipes, pse hiqet kjo sikur ka bërë revolucion në studimin e shqipes? Sepse për t'i dhënë vlera vetes, ose duhet të bësh një punë më të mirë se paraardhësit, me qëllim që të ngrihesh më lartë, ose duhet t'i denigrosh paraardhësit, me qëllim që të rrëzohen ata e të bien më poshtë se ty. Kjo e dyta është më e thjeshtë, sepse nuk ka nevojë për shumë mend e përgatitje profesionale. Eksperienca ka treguar që po të bësh si çafkë nëpër ekrane, qoftë edhe me dy njohuri rudimentare në një fushë të caktuar, vëmendjen dhe mbështetjen e ke të garantuar. Mjafton të kapësh telat emocional të turmës. Kocaqi, natyrisht, di për kë shkruan. Ithtarët kocaqianë që kujtojnë se lëvrojnë dije shkencore duke lexuar përralla me pellazgë, as që kanë parë ndonjëherë një studim të mirëfilltë gjuhësor me sy. Por edhe nëse u ka rënë rasti, më shumë se një paragraf nuk e shtyjnë dot, se nuk kuptojnë asgjë prej gjëje. Domosdo.
![]() |
Një ndër botimet e Eqrem Çabejit për etimologjinë e shqipes. |
Pseudoshkencë: "Duke parë sistemin e shqipes që është një sistem rrokore...", dmth fjalë njërrokëshe.
Me termin "rrokore" Kocaqi do të thotë që shqipja na qenka gjuhë silabike dhe këtë pohim ajo e ilustron më poshtë me një listë të gjatë fjalësh të shkurtra që përbëhen vetëm nga një rrokje, treçereku i të cilave janë huazime, si për shembull fjala kal. Së pari Kocaqi nuk e di që gjuhët silabike, ose "sistemet rrokore", siç e quan ajo, nuk janë gjuhët që kanë numër të madh fjalësh njërrokëshe, por gjuhët, fjalët e të cilave përbëhen vetëm nga rrokje, si për shembull japonishtja, kinezçja e ca gjuhë të tjera aziatike, çeroki (indianët e Amerikës) dhe shkrimi Linear B i lënë nga qytetërimi Mikenas në Greqinë e epokës së bronxit. Për shembull në gjuhën kineze e japoneze, çdo fjalë rrënjë (morfeme) është vetëm një rrokje dhe disa fjalë-rrokje bashkë krijojnë një fjalë më komplekse, sepse në këto gjuhë nuk ka germa individuale, siç kemi ne në Europë. Për shembull, në kinezçe, Shqipërisë i thonë Ā'ěrbāníyà, fjalë që përbehet nga fjalët njërrokëshe:
- - Ā - përdoret si prefiks ose si fjala "teze",
- -ěr - ka kuptimet "ti", "kështu" ose "ajo" (gjë),
- -bā - ka kuptimet "kapesh pas", "shpreson" dhe "trajtoj",
- -ní - ka kuptimin "murgeshë",
- -yà - ka kuptimet "Azi", "inferior" (për koincidencë) dhe "nën".
Duke qenë që kinezçja nuk ka germa për çdo tingull dhe Albania nuk është fjalë kineze, asaj i duhet të kombinojë disa fjalë njërrokëshe nga fjalori i saj që i përafrohen për nga tingulli fjalës Albania, në mënyrë që të shprehë emrin e vendit.
Fjalët e shkurtra që ka renditur Kocaqi në libër, nuk janë tregues i një gjuhe silabike, por thjeshtë fjalë ose morfema (rrënjë fjalësh) njërrokëshe, një dukuri kjo më se e zakonshme tek shumica e gjuhëve në botë. Jo vetëm kaq, por ajo deklaron me pompozitet: "Shqipja mund të jetë e vetmja gjuhë në botë, që pjesa më e madhe e rrokjeve me dy ose tre gërma (850 të tilla) kanë kuptim, gjë që nuk evidentohet tek ndonjë gjuhë tjetër". Ky tipar që na paska zbuluar Kocaqi, jo vetëm që nuk ka kurrëfarë domethënieje të veçantë nga aspekti i lashtësisë, por as nuk është i vërtetë. Nga një komunikim i shpejtë me ChatGPT zbulojmë se anglishtja mund të ketë rreth 4000-5000 fjalë monosilabike, ose njërrokëshe me tre-katër germa: run, cat, sun, hand, eat, etj.
Ndonëse Kocaqi ka të drejtë kur thotë që me fjalët njërrokshe të shqipes mund të krijohen një pafundësi fjalësh të tjera, gjë që është e vërtetë dhe e realizuar tashmë tek disa gjuhë të tjera, ajo ia fut roma për toma kur thotë: "Fjalët rrokore janë bëlbëzimet e para të njeriut dhe si të tilla ato janë më të vjetrat". E para, fjalët njërrokshe të gjuhës shqipe (përfshi huazimet) nuk kanë qenë domosdoshmërisht gjithmonë njërrokëshe, por janë bërë të tilla, dmth janë ngrënë e shkurtuar me kalimin e shekujve e mijëvjeçarëve. Madje po të shohim sfondin historik të zhvillimit të gjuhës shqipe, ndryshe nga ç'pretendojnë disa gego-radikalë anti-tosko-standard, shkurtimi dhe ngrënia më e madhe e fjalëve ka ndodhur në dialektet gege këto 300-400 vitet e fundit. E kush tjetër mund të na e vërtetojë këtë më mirë se sa vetë Pjetër Bogdani, lindur e rritur në Kosovë (geg safi), i cili në veprën e tij të vitit 1685 ka shkruar anshtë dhe jo a e o, gietunë (si Shkodra) dhe jo gjet (si malësia apo Kruja e Elbasani), giegunë dhe jo gjegj, zgiedhunë dhe jo zgjedh, rrëzonj dhe jo rrzoj, etj.
Po ashtu edhe fjalët e tjera që kanë ndryshuar në lashtësi. Fjala e sotshme ve (vezë), nuk ka qenë gjithmonë njërrokëshe. Ajo e ka prejardhjen nga fjala proto-indoevropiane *h₂ōwyóm, që në latinisht ka ardhur si oVIum, italisht si uoVO dhe shqip si ve. Pra fjala është shkurtuar rrugës dhe nuk tregon ndonjë lashtësi apo origjinalitet të gegërishtes kundrejt toskërishtes apo gjuhëve të tjera indoevropiane.
E gjithë premisa që shqipja na qenkërka gjuha më e vjetër për shkak të numrit të lartë të fjalëve njërrokëshe është një gënjeshtër me bisht, një sajesë jo shkencore dhe mjeti kryesor i sharlatanëve të historisë dhe gjuhës për të mashtruar publikun e painformuar. Në shkrimin tim me titull "Sharlatanë të të gjitha kohërave, bashkohuni!" kam shpjeguar se mendimi që fjalët e shkurtra tregojnë vjetërsi nuk është dukuri shqiptare, apo e kohëve të fundit, por daton që në shekullin XVI me gjuhëtarin holandez Johanes Bekanus Goropius, i cili, ashtu si sharlatanët shqiptarë, pretendonte që dialekti i krahinës së tij të Brabantit duhet të ishte gjuha më e lashtë sepse kishte fjalë më të shkurtra se greqishtja e latinishtja. Linguistët ia vunë shkelmin teorive të Goropiusit që sa doli botimi i parë i veprës së tij, ndonëse studimet gjuhësore serioze në atë kohë ishin ende në embrion. Goropiusit nuk i dha kush mikrofonin në dorë që ta përdorte si platformë për të sulmuar punën shekullore të botës akademike, t'iu hakërrehej specialistëve të gjuhës live në TV apo t'u thoshte moderatorëve që duhet të ndërrojnë emrat e t'i bëjnë shqip.
Pseudoshkencë: "... fjalët e shqipes së sotme gjenden në gjuhët më të vjetra, që sot janë të vdekura."
Ndërsa në fjalinë pasuese thotë "...fjalë bazë që kanë formuar sistemin indoevropian gjenden sot tek shqipja." Këto dy fjali tregojnë dy gjëra krejt të ndryshme. Në njërën fjali Kocaqi i atribuon shqipes statusin e PIE (sikur shqipja është gjuha mëmë), në tjetrin Kocaqi thotë që shqipja, ashtu si edhe gjuhët e tjera, ka trashëguar sot fjalë nga fondi gjuhësor i PIE (dmth është bijë e mëmës PIE). Ne si lexues, ose duhet të marrim për bazë pohimin e parë, që fjalët e shqipes gjenden tek gjuhët e vdekura, ose duhet të marrim për bazë pohimin e dytë, që fjalët e proto-indoevropianishtes (PIE) gjenden tek të gjitha gjuhët e familjes indoevropiane. Dmth, ose është pema e varur në mollë ose është molla e varur në pemë. Shkencërisht pohimi i dytë është i saktë. Shqipja, ashtu si edhe gjitha gjuhët e tjera të familjes indoevropiane, ka trashëguar fjalë të përbashkëta nga lashtësia. Kjo është e kuptueshme dhe e vërtetuar nga studimet e etimologjisë krahasuese, si dhe nga dokumentacioni i shumtë historik.
Në shkrimin tim me titull "Sharlatanë të të gjitha kohërave, bashkohuni!" kam dhënë një shembull të thjeshtë se si fjalët e PIE janë trashëguar në forma të ndryshme në gjuhë të ndryshme. Marrim për shembull konceptin e "nënës". Në PIE, sipas etimologëve, koncepti i nënës është shprehur në formën mehter, e cila në gjuhë të ndryshme indoevropiane është trashëguar në këto forma:
- italisht - madre
- greqisht - mitera
- anglisht - mother
- sllavisht - mat (materi)
- gjermanisht - mutter
- shqip - motër (ka ndryshuar kuptim)
- keltisht - mathair
- persisht - mâdar
- sanskritisht - matr
- hindu - ma
- Etj.
Siç mund të shihet, fjala nënë është trashëguar tek të gjitha gjuhët e radhitura këtu, përfshi gjuhën shqipe. Këto nuk janë fjalë shqipe të huazuara nga të tjerët. Këto janë të gjitha stërmbesa, trashëgimtare të fjalës PIE mehter.
Nuk ka as edhe një të dhënë apo dëshmi të vetme që të na bëjë të mendojmë se fjalët e shqipes gjenden tek gjuhët e vdekura. Apo që shqipja të ketë pasur ndonjëherë ndonjë ndikim tek këto gjuhë. Në 5000 vjet material të dokumentuar historik dhe në disa miliona dokumente të shkruara në lashtësi, përfshi 500 mijë tableta kuneiforme të shumerëve, babilonasve dhe asirëve, nuk gjendet as edhe një tregues i vetëm që të na bëjë qoftë edhe të dyshojmë për një ndikim të tillë. Përkundrazi, me dhjetëra, ndoshta qindra studiues të rinj e të vjetër të gjuhëve indoevropiane që i kanë hulumtuar me rigorozitet të gjitha materialet dokumentare të shkruara, kanë dalë në përfundimin e pranuar gjerësisht që të gjitha gjuhët e familjes indoevropiane, përfshi gjuhën shqipe, kanë një origjinë të përbashkët. Gjuha shqipe nuk është as më shumë e as më pak, veçse një pjesëtare e kësaj familjeje dhe bijë e PIE, me rrugëtimin dhe historikun e vet individual.
![]() |
Pema e gjuhëve të familjes indoevropiane tregon se si të gjitha gjuhët sot kanë të njëjtën prejardhje. |
Pseudoshkencë (katër në një): "Greqishtja mund të quhet gjuhë indoevropiane nga elementët e shqipes, apo pellazge që ka brenda vetes..."
dhe po aty vazhdon: "...pasi fjalët e leksikut të saj janë në pjesën më të madhe të përpunuara...", po aty, "...pra është gjuhë kulture, dhe jo një gjuhë e popullit..." dhe "...është tepër abstrakte në krahasim me gjuhët e tjera." Brenda një fjalie të vetme ka katër rrena.
Së pari, gjuha greke ka 2800 vjet histori të dokumentuar në dhjetëra mijëra shkrime të zhanreve nga më të ndryshmet. Gjuha pellazge nuk ka asnjë dokument të shkruar dhe askush nuk e di se si mund të ketë qenë. Ndërsa gjuha shqipe është shkruar për herë të parë rreth 600 vjet përpara që do të thotë se shqipen e lashtë ne mund vetëm të hamendësojmë me anë të metodave shkencore, të cilat si për koincidencë mbështeten tek studimi i shkrimeve greke e latine. Gjuhën greke e kanë studiuar me mijëra gjuhëtarë e historianë profesionistë, këtu e shekuj përpara. Madje nga studimi i gjuhës greke ka përfituar edhe gjuha shqipe sepse albanologët e parë si Hahni e të tjerë, që filluan hulumtimet mbi shqipen, ishin filhelenistë që po studionin gjuhën greke. Ata e zbuluan gjuhën shqipe krejt rastësisht, gjatë vizitave të tyre në Greqi, dhe u dashuruan pas saj duke nisur kështu studimet albanologjike.
E thënë shkurt, nuk ekziston asnjë tezë gjuhësore që të vërë në dyshim trashëgiminë indoevropiane të greqishtes. Aq më tepër që të ketë hedhur mendimin, përveç pretendimeve pseudoshkencore të Aristidh Kolës apo të Spiro Kondës, të cilat Kocaqi i ka marrë për bazë, se kjo trashëgimi vjen për shkak të ndonjë huazimi nga shqipja apo nga pellazgjishtja që as nuk e di njeri se qysh e tek ka qenë. Absolutisht asnjë. Edhe ato pretendimet që deklarojnë se mund të kuptojnë greqishten e lashtë apo atë homeriane prej shqipes janë rrena me bisht. Greqishtja standarde ka disa fjalë shqipe të trashëguara nga mesjeta dhe periudha osmane, ndërsa në krahina të ndryshme, atje ku grekët kanë jetuar pranë shqiptarëve, popullsia lokale ka huazuar fjalë të ndryshme të shqipes ndër shekuj. Të gjitha këto bëhen a s'bëhen 100 fjalë të marra së bashku. Ato janë të identifikuara dhe të përcaktuara qartë në kohë. Kocaqi e ka shkëputur këtë fakt nga konteksti dhe është përpjekur të na shesë sapunin për djathë, duke krijuar përralla.
("...pasi fjalët e leksikut të saj janë në pjesën më të madhe të përpunuara...")
Se çfarë është ky "përpunim", Kocaqi na e shpjegon më tutje kur thotë: "Gjuha latine dhe gjuha greke ishin gjuhë që lindën nga përpunimi që ju bënin fjalëve njerëzit e ditur, përpunim që vazhdon edhe sot nga gjuhëtarët, për të shprehur realitete të reja. Fjalët u përpunuan nga nevoja që kishin njerëzit e ditur për të përcaktuar një koncept abstrakt, apo një fenomen të ri..." Dmth me konceptin "përpunim", ngaqë nuk di si ta shprehë në shqip dhe as nuk e ka të qartë si mendim, Kocaqi nënkupton shprehjen e koncepteve abstrakte nëpërmjet gjuhës së thjeshtë duke krijuar fjalë të përbëra, që në anglisht quhen "compound words". Shembulli i një fjale të përbërë është fjala filosofia, e cila përbëhet nga fjalët filo (dashuri) dhe sofia (mençuri) ose dashamendës. Një fjalë tjetër e përbërë është fjala hippopotamus, që përbëhet nga fjalët hipo (kalë) dhe potamos (lumë), ose lumkalës. Këto janë fjalë të reja të krijuara nga shkencëtarët europianë të kohëve moderne, por greqishtja ka edhe shumë fjalë të lashta të përbëra, si për shembull heliotropion (luledielli), që përbëhet nga fjalët helios (dielli) dhe trepo (rrotullim, kthim) ose kthediellas.
Ky nuk është ndonjë fenomen që tregon artificialitet të gjuhës, por një aftësi të fjalëve që tregojnë sende e veprime të thjeshta për t’u bashkuar e për të krijuar fjalë që shprehin koncepte të ndërlikuara, diçka e pranishme në shumicën e gjuhëve. Greqishtja ka shumë të tilla sepse ka një histori shumë të gjatë të shkrimit dhe të lëvrimit të koncepteve abstrakte. Dijetarët e lashtë helenë shkruanin për koncepte filozofike shekuj para se të lindte Krishti. Edhe në shqip njerëzit e ditur janë detyruar këto dy shekujt e fundit të krijojnë fjalë të përbëra të reja për të shprehur koncepte abstrakte, si për shembull fjalët marrë-dhënie, sipër-marrje, bashkë-veprim, mirë-kuptim, etj. A mos do të thotë kjo që shqipja po bëhet gjuhë e "përpunuar" e kësisoj po humbet karakterin indoevropian!? A e humbën gjë origjinën e tyre shqiptare e indoevropiane fjalët marrë e dhënie duke u bërë pjesë e një fjale të përbërë?
Asnjë nga fjalët përbërëse të greqishtes nuk vjen nga shqipja. As filo, as sofia, as hippo*, as potamos, as helios e as trepo nuk kanë prejardhjen prej shqipes, por janë fjalë të thjeshta greke me prejardhje proto-indoevropiane. Edhe në këtë rast duket qartë që Kocaqi flet për gjëra që nuk i kupton dhe për të cilat ka njohuri krejt sipërfaqësore e mediokre. Fjalët e përpunuara të greqishtes janë të përbëra nga fjalë të thjeshta greke me prejardhje proto-indoevropiane, jo shqipe. Por ajo nuk i di këto dhe gënjen lexuesin e painformuar.
* Ndonëse në dukje fjala hippo ngjan me fjalën shqip hip, ato në fakt kanë prejardhje të ndryshme. Fjala shqipe vjen prej rrënjës proto-indoevropiane skewb, që do të thotë shtyhem përpara.
("...pra është gjuhë kulture, dhe jo një gjuhë e popullit, është tepër abstrakte në krahasim me gjuhët e tjera.")
Çfarë do të thotë gjuhë kulture dhe gjuhë popullore? Çfarë dallimi kanë këto nga njëra-tjetra? A mos vallë gjuhët e kulturës janë gjuhë artificiale të sajuara nga hiçi? Vetëm greqishtja apo latinishtja janë gjuhë kulture? Po gjuhët e tjera?
Edhe shqipja ka gjuhë kulture. Gjuha letrare, ose siç quhet ndryshe, gjuha standarde, gjuha në të cilën është shkruar ky shkrim, është gjuhë e kulturës. Është gjuha të cilën shqiptarët e përdorin sot jo vetëm për komunikim zyrtar, por edhe për të lëvruar dije e njohuri në fushat e shkencës, artit e të mendimit politik e filozofik. Kjo gjuhë është mjaft e ndryshme nga dialektet e shqipes, pasi jo vetëm që është pasuruar me fjalë të shumta që populli i thjeshtë nuk i ka përdorur asnjëherë, por ka pësuar dhe vazhdon të pësojë ndryshime të herëpashershme gramatikore.
Megjithatë, askush nga ne nuk ka asnjë dyshim për faktin që gjuha letrare dhe dialektet e shumta që flet populli janë në fakt e njëjta gjuhë, gjuha shqipe, sepse gjuha letrare është formuar nga gjuha e popullit. Ashtu ka ndodhur edhe me greqishten. Gjuha e kulturës ka marrë formë nga gjuha e popullit. I vetmi dallim është fakti që ajo çka po kalon shqipja këtë shekullin e fundit, greqishtja e ka kaluar për 2500 vjet rresht. Nuk ekziston asnjë dëshmi që të na bëjë të mendojmë që njerëzit e lashtë të kenë krijuar ndonjë gjuhë artificiale apostafat për të lëvruar dijet e shkencës apo të fesë, një gjuhë të veçuar nga gjuha popullore.
Megjithatë, deklarata e Kocaqit e ka një gjysmë të vërtete. Në shkrimin me titull "Greqishtja dhe shqipja - a mund të maten me njëra-tjetrën?", unë kam shpjeguar se si, për shkak të zhvillimeve historike, veçanërisht duke u nisur nga shekulli VI e.s., greqishtja e sotshme nuk është gjuhë natyrale, por gjuhë institucionale, dmth një gjuhë e mbikëqyrur dhe e mirëmbajtur në shekuj nga institucionet e ndryshme fetare e shtetërore. Ndërsa gjuhët si shqipja janë gjuhë natyrale, për shkak se kanë marrë një zhvillim natyral, të papenguar nga norma e standarde institucionale. Prandaj dhe greqishtja e sotshme ka shumë pak diversitet dialektesh në krahasim me shqipen.
Por kjo nuk do të thotë aspak që greqishtja nuk është gjuhë e popullit. Greqishtfolësit i janë përshtatur kohërave dhe, me kalimin e shekujve, kanë adoptuar një formë të greqishtes kundrejt një forme tjetër. Ndryshe nga ç’dinë shumica, sot nuk kemi një gjuhë greke, por dy të tilla. Gjuha çakone, që flitet sot në krahinën e Spartës, është gjithashtu një gjuhë greke, e cila, ndonëse zyrtarisht quhet dialekt, teknikisht zë një degë më vete në trungun gjuhësor të greqishtes. Gjuha çakone flitet nga shumë pak njerëz dhe është drejt zhdukjes. Gjuha e sotshme greke, me prejardhje nga mesjeta, ka arritur të dominojë falë mbështetjes institucionale, ndërkohë që çakonishtja ka mbetur kryekëput një gjuhë natyrale, njësoj si shqipja.
E njëjta gjë do të ndodhë edhe me shqipen. Një ditë, gjuha letrare do të dominojë dhe dialektet e shumta do të humbasin, sepse shumica do të përdorë atë gjuhë me të cilën do të merret vesh më lehtë në një hapësirë më të madhe gjeografike. Është një proces i pashmangshëm e krejt natyral. Gjuhët e shkruara e të mirëmbajtura nga institucionet quhen gjuhë të kultivuara, sepse ruhen e mbikëqyren njësoj siç kultivohen kulturat bujqësore. Është e vetëkuptueshme që gjuhët e kultivuara do të kenë edhe shumë fjalë që shprehin koncepte abstrakte, siç shpjegova në postimin e shkuar. Edhe shqipja ka sot plot të tilla.
Por kjo nuk do të thotë që këto gjuhë janë abstrakte. Përkundrazi, ato janë shumë konkrete, sepse janë përdorur për mijëra vjet si gjuhë administrative, për të menaxhuar punët e shtetit e të popullit. Fakti që shumica e njerëzve mund të mos kuptojnë shumë nga termat abstraktë të gjuhës nuk do të thotë që ekzistojnë dy gjuhë të ndryshme. Gjuha është po ajo, veç gjithsecili zotëron aq fjalor sa i nevojitet për punën e përditshme. Natyrisht, njerëzit e ditur zotërojnë fjalor më të gjerë sesa njerëzit me pak të ditur.
![]() |
Tabelë dy gjuhëshe në çakonishte dhe greqishten moderne në zonën e Spartës |
Legjendë: Prejardhja jafetike
Pasi na ka shujt mirë e mirë në rrena, Kocaqi na premton një analizë shkencore modeste por serioze që, si të thuash, do na hapë sytë për të parë më në fund dritën e tunelit, në të cilën na paskësh humbur shqipja. Në të vërtetë, si budallai që fshihet pas gishtit, ajo nuk vonon të na kujtojë se rrenat dhe keqinterpretimet janë boshti qendror i të gjithë "veprës" së saj.
Sharlatanët kudo në botë ndjekin taktika të ngjashme për të tërhequr sa më shumë vëmendje e për të fituar sa më shumë besueshmëri. Ata përpiqen ta mbysin lexuesin me një mori deklaratash madhështore për të krijuar përshtypjen sikur i kanë menduar gjërat thellë dhe sikur kanë bagazh të madh intelektual. Nën gjuhën shkencore kjo quhet argumentum ad verbum, ose "arsyetim me llafe pa peshë". Mirëpo deklaratat mbeten thjeshtë deklarata, sepse nuk shoqërohen asnjëherë me dokumentacion e analiza të mirëfillta shkencore. Rrjedhimisht, një lexues i zakonshëm, që nuk i ka hyrë me themeli studimeve historike e që ia ka besuar Kocaqit rolin e "mësuesit", thagmoset nga tërë këto “zbulime” të reja që "antishqiptarët e liq sllavo-komunistë" ia paskëshin mbajtur të fshehura gjithë këto shekuj. Domosdo! Nga ta dijë Nukja i shkretë që të gjitha "faktet" e sjella nga autorja janë ose rrena të pastra, ose gjysmë të vërteta, të manipuluara sipas axhendës së saj? Tek e fundit, ajo deklaron që, përveç se juriste, është edhe historiane me diplomë me medalje të artë; pedagoge e historisë pranë një universiteti, njohëse e shumë gjuhëve, autore e disa librave, etj. Kaq do mjaftonte për shumicën e lexuesve që t'i jepnin budalliqeve të saja leje kalimi.
Duke qenë se rrena apo keqinterpretime të tilla ka shumë, unë do përqendrohem vetëm tek një fjali: "Mendoj, - thotë Kocaqi, - se për afërsitë midis këtyre gjuhëve do të ishte korrekt termi Arian, pasi këto gjuhë janë gjuhë të racës së bardhë, ose gjuhë Japetike, sipas Biblës." Në një fjali të vetme ka këputur tre budallallëqe, njëra-pas-tjetrës. Më poshtë do flas për teoritë tërësisht antishkencore racës së bardhë. Aq më pak shkencor është emërtimi "gjuhë jafetike", ose Japetike. Si termi ariane, si termi jafetike, janë emërtime të vjetëruara e të skartuara nga komuniteti shkencor për gjuhët indeoevropiane. Hipoteza jafetike i përket mesjetës, një periudhë kur njohuritë për gjuhët indoevropiane ishin ende rudimentare, dhe kur shumë studiues, të mbrujtur edhe me ndjenja misticizmi e romanticizmi, shpresonin të gjenin ndonjë lidhje trashëgimie mes popujve katolikë të Europës dhe popullit izraelit të Biblës. Disa shembuj të kësaj dukurie i kam cekur tek shkrimi me titull "Sharlatanë të të gjitha kohërave, bashkohuni!". Në fakt jafetitët nuk kanë fare lidhje me popujt indoevropianë, pasi jafetitët, sipas Biblës, janë trashëgimtarët e Jafetit, një nga tre djemtë e Noeut të arkës, personazhit të Dhiatës së Vjetër. Pra, nëse jafetitët kanë qenë popull i vërtetë, ata kanë qenë padyshim popull semit, paraardhës të hebrenjve e arabëve, jo indoevropianë.
Etnografët e krishterë të mesjetës mendonin që njerëzimi ishte i ndarë në tre grupime madhore, pasardhës të djemve të Noeut të Biblës: semitët e Azisë, hamitët e Afrikës dhe jafetikët e Europës. Ndërsa për historianët islamikë, jafetikët ishin paraardhës të fiseve të Jaxhuxhit dhe Maxhuxhit (xhuxh-maxhuxhi), e ndonjëherë të turkomanëve, hazarëve apo edhe sllavëve. Sot, kjo hipotezë konsiderohet tërësisht e pavlefshme dhe e dalë boje.
Gjithashtu, në Bibël nuk përmendet asnjë grup etnik i ndonjë "race të bardhë", aq më tepër me status sundimtari. Në Bibël flitet për hebrenj, egjiptianë, kanaanitë, babilonas, etiopianë (kushitë), etj. Por jo për "kombe të bardhë".
![]() |
Harta TO e vitit 1472 që tregon tre kontinentet e njohura (Azi, Afrikë, Europë) dhe popujt e tyre sipas hipotezës mesjetare të trashëgimtarëve të Semit, Jafetit dhe Hamit. |
Legjendë: Popujt e racës së bardhë
Një nga marrëzitë më të mëdha të ligjëratës pseudoshkencore të Kocaqit, të cilës do t’i hyjmë paksa më në thellësi, është përdorimi i konceptit të “racës së bardhë” për të argumentuar lidhjen e shqiptarëve me popujt e tjerë indoeuropianë, veçanërsht ata të Azisë. Këtë koncept Kocaqi e përmend plot 17 herë në libër por me pohime të shkurtra sa një fjali, dhe nuk mundohet asnjëherë ta shtjellojë e të na tregojë burimet se ku është bazuar. Të vetmen referencë që jep për këtë çështje është libri i vet "Roli pellazgo-ilir në formimin e kombeve dhe gjuhëve evropiane", i cili me shumë gjasa do jetë tumllas me mufka si këto. Ja se ç’thotë autorja për racën e bardhë:
- "Duke parë se të gjitha kombet e racës së bardhë në kronikat, apo librat që flasin për prejardhjen e tyre, dëshmojnë për një origjinë pellazgo-ilire."
- "Duke punuar për librat (Albanët dhe Roli pellazgo-ilir...) vura re se të gjitha kombet e racës së bardhë kishin origjinë pellazgo-ilire. Pra që kjo popullsi ka shërbyer si baza ku janë formuar kombet e bardha."
- "Mendoj se për afërsitë midis këtyre gjuhëve do të ishte korrekt termi Arian, pasi këto gjuhë janë të racës së bardhë..."
- "Me një fjalë do të ishte tepër korrekt koncepti arian, por në kuptimin i bardhë, ashtu siç është fjala Alban, Arban dhe Arian... ...Personalisht do të pëlqeja termin Japetik, arian apo albanë, që ka kuptimin e gjuhëve të racës së bardhë."
- "...për lehtësi kuptimi do përdor termin indoevropian, megjithëse nuk është korrekt, sepse kemi të bëjmë me një gjuhë të racës së bardhë, që ka mbetur tek gjuhët Aziatike".
- "Në shkrimet e tyre (sanksrite) ata e kanë quajtur veten arias, pra të bardhë (indianët)."
- "Gjuha e tyre (tokariane) quhet ndryshe Indo-skite, pasi popullsia e bardhë e Azisë në pjesën më të madhe të saj ka rrjedhur nga Skithët që e quanin veten e tyre Alban, sepse ishin të bardhë dhe që në Azi janë quajtur Arian, pasi alban dhe arian janë sinonime të së njëjtës fjalë..."
- "Gjuha shqipe është gjuha Japetike, ose gjuha e popullsisë së racës së bardhë".
- "Japeti sipas Dhiatës së Vjetër është babai i racës së bardhë... ...dhe Japetin nga kanë rrjedhur Evropianët, apo raca e bardhë që ka pasur një shtirje të gjerë edhe në Azinë Qëndrore gjatë epokës së bronxit."
- "Do t'i referohemi të dhënave historike që tregojnë se gjuha e shqiptarëve, që rrjedh nga gjuha e ilirëve, ka qenë gjuha nga lindën gjuhët e racës së bardhë"
- "Skithët në kronikën e tyre e quajnë veten Albanë (medemek të bardhë E.E.SH.)..."
- "Siç na njofton Ptolemeu, Diodor Siçiliani, Herodoti, India ka qenë populluar në veri të saj nga racë e bardhë që quhej Indo-Skite, pasi ata rridhnin nga Skithës Alban të Detit të Zi."
- “Shtrirja e fiseve Pellazgo-Ilire shkon deri në Azinë qendore, ku ka banuar një popullsi me flok të verdha dhe të kuqe,..."
- "Deri këtu kemi folur për "bazën etnike" nga ku e ka origjinën e gjithë raca e bardhë..."
- "Shkojmë në Azi në ato vende që gjenden fjalë të përbashkëta me gjuhët e racës së bardhë."
- "I vetmi element i huaj në racën e bardhë janë Bullgarët turko-avar që u sllavizuan, dhe Serbët me një pjesë të Kroatëve..."
- "Madje shqiptarët cilësohen si i vetmi komb i bardhë që nuk ka ndonjë kronikë emigrimi nga ndonjë vend ashtu siç ekzistojnë për të gjitha kombet e bardha kronika emigrimi nga raca pellazgo-ilire.
Kocaqi nuk mundohet asnjëherë t'i japë lexuesit qoftë edhe një paragraf sqarim se çfarë është kjo racë e bardhë, cili është përkufizimi shkencor i saj dhe çfarë rëndësie ka kjo për lidhjen gjuhësore indoevropiane. Absolutisht asgjë. Prandaj, Meqë Kocaqi nuk jep sqarime, po e bëj unë në vend të saj. Së pari, nuk ekziston asnjë kronikë dhe asnjë shkrim i lashtësisë që flet për "kombe të racës së bardhë". Madje koncepti i "racës" së kujtdo ngjyre në lashtësi nuk ekzistonte fare. Në shkrime të lashta mund të jetë përmendur tek-tuk ngjyra e lëkurës si tipar fizik, përkrah ngjyrës së flokëve, gjatësisë, etj, siç ishte fjala për popujt e Europës veriore, por jo për një grup etnik të bardhë me ndonjë farë influence kulturore, aq më tepër "sundues", siç thotë më tutje Kocaqi.
Së dyti, koncepti i "racës së bardhë" u shpik dhe u përhap në Europën dhe Amerikën e shekujve XVII-XIX, në kuadër të teorive pseudoshkencore raciale, sipas së cilave tiparet fizike të njeriut përcaktonin shkallën e superioritetit apo inferioritetit biologjik mes grupeve etnike. Këto teori u përdorën për të justifikuar veprimtarinë imperialiste, racizmin, kolonializmin dhe eugjenikën, sipas së cilës njerëzit e përkryer biologjikisht, dmth ata të racës së bardhë ariane, kishin të drejtë të sundonin mbi të gjithë racat e tjera, e t'i trajtonin këta si tufa dhensh, t'i shfrytëzonin e t'i masakronin sipas dëshirës. Teoritë e racës së bardhë ariane dhe eugjenika u përqafuan fort nga Hitleri dhe janë shkaku kryesor, jo vetëm i masakrës së luftë së dytë botërore, por boshti ideologjik që shkaktoi Holokaustin - shfarosjen masive të hebrenjve dhe popullsive të tjera në Europë, të quajtura si popullsi inferiore nga nazistet. Pikërisht këtë teori pseudo-historiania (dhe jo vetëm ajo) e përdor si gur themeli për të argumentuar origjinat mitike të gjuhës shqipe dhe ndikimin e hamendësuar të saj mbi të gjitha gjuhët e familjes indo-evropiane.
![]() |
Racizmi shkencor përpiqet të justifikojë superioritetin e "racës së bardhë" kundrejt racave të tjera për shkak të tipareve fizike, kryesisht ngjyrës së lëkurës. |
Në thelbin e pallavrare pseudoshkencore kocaqiane nuk qëndron vetëm çështja e gjuhës si një çështje thellësisht teknike shkencore, por edhe një mesazh disi i fshehur por i fuqishëm radikal ultranacionalist shovinist që ka si qëllim të mbrujë mbështetësit e saj me ndjenja agresive superioriteti dhe urrejtjeje ndaj grupeve të tjera etnike dhe padyshim gjithë kundërshtarëve të saj.* Ajo e ka bërë tashmë shumë të qartë në të gjithë narrativën e saj për më shumë se një dekadë, por edhe në libër, paçka se nuk del haptas. Gjithë inatin Kocaqi e ka me grekët dhe prestigjin e gjuhës greke, të cilët janë cilësuar nga bota perëndimore, jo vetëm si trashëgimtarë legjitimë të drejtpërdrejtë të qytetërimit helen por edhe si djepi i qytetërimit europian.
Lexo shkrimin me titull "Ideologjia neo-pellazge, kopje e neo-helenizmit".
Arsyeja pse Kocaqi i mëshon kaq shumë konceptit të "racës së bardhë" është sepse grekët e sotshëm në përgjithësi janë ezmerë. Dmth ngjyra e lëkurës së tyre është përgjithësisht më e errët se ajo e shqiptarëve (dhe e arvanitëve e vllehëve) dhe këtë tipar fizik ajo e përdor si provë për të argumentuar një lloj supremacie e autoktonie (dmth origjinaliteti) të supozuar të shqiptarëve kundrejt etnisë greke, të cilën ajo e konsideron ose të ardhur (ezmerët) ose me origjinë shqiptare (të bardhët), duke e mohuar etninë e vërtetë greke deri në inekzistencë. Ky argument mbështetet në një argument të vjetër të ngritur fillimisht nga Jakob Falmerajeri, i cili deklaroi në shekullin XIX se grekët e lashtë nuk ekzistonin më por ishin asimiliuar nga shqiptarët, sllavët dhe vllehët.
Është pikërisht ky argument që vë në lëvizje daullet e veshëve të frustruar e të mllefosur të shqiptarëve. Duke e asociuar shqipen me "racën e bardhë" nga njëra anë, e duke shpërfillur në mënyrë absolute gjuhën greke nga ana tjetër, Kocaqi i jep njeriut të thjeshtë e të painformuar një bosht të fortë ideologjik, me anë të të cilit mund të ndihet krenar, e madje superior, kundrejt gjithë botës që e shtypi dhe e masakroi për një shekull të tërë, veçanërisht fqinjit jugor, i cili, në delirin nacionalist të dy shekujve të fundit, i ka shkaktuar dëme të mëdha edhe shqiptarëve. Pra, në thelb, i gjithë boshti ideologjik i Kocaqit e ka zanafillën tek përçmimi që Kocaqi ka për grekët.
![]() |
Radikalizimi nacionalist fetar i shoqërisë greke u ka shkaktuar dëme e trauma të shumta edhe shqiptarëve. |
Përfundime
Është më së e qartë tashmë që jo vetëm libri që kam marrë për analizë, por e gjithë ligjërata kocaqiane është bazuar kryekëput në rrena, pseudoshkencë, sharlatanizëm të pastër dhe nacionalizëm të verbër e pa bereqet. Fatkeqësisht janë të shumtë ata që pasi kanë gëlltitur farmakun e këtij patriotizmit dordolec, dhe të mbytur në delirin e madhështisë, nuk kanë lënë rast pa shfryrë e turfulluar vulgaritete nga më të kobshmet, jo vetëm në adresë të historianëve e gjuhëtarëve shqiptarë, por edhe kundër minoriteteve, veçanërisht atij grek. Ndërkohë vetë minoriteti grek, apo çdo minoritet tjetër në Shqipëri, nuk i ka bërë shqiptarëve asnjëherë asgjë të keqe. Përveç ndonjë "mercenari" tek-tuk të paguar nga qarqe shoviniste greke apo disa fukarenjve në shpirt e në mendim, komuniteti minoritar, jo vetëm që ka jetuar me fqinjët shqiptarë në paqe e mirëkuptim të plotë, por në shumë raste ka dhënë edhe një kontribut të çmuar në të gjitha fushat e jetës së shoqërisë shqiptare.
Po as vetë patriotët shqiptarë dhe shqiptarët në përgjithësi nuk e kanë parë ndonjëherë të arsyeshme apo të nevojshme që të nisin fushata urrejtjeje me bazë etnike, as në kohët më të vështira të shqiptarësisë, kur identiteti shqiptar ishte në rrezik të zhdukej. Nuk kemi dëgjuar asnjëherë nga asnjë figurë të shquar atdhetare të flasë me përçmim apo që të mohojë gjuhët e fqinjve. A mos janë këta karagjozët e shekullit XXI më patriotë se vëllezërit Frashëri, Fan Noli, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi, Bajram Curri, Hasan Prishtina, Ismail Qemali, Hasan Tahsini, Pashko Vasa, Kostandin Kristoforidhi, e shumë të tjerë? Në cilën nga veprat e Samiut e të Naimit nënçmohen e mohohen kombet e tjerë? Në cilën poezi të ndonjë rilindasi shprehet atdhedashuria duke mohuar gjuhët e tjera? Në cilin rresht të veprës "Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet?" ka lënë autori amanet që të sulmohen minoritetet? Janë këta karagjozët e pas pilafit më të mirë se sa të gjithë ata që punuan për konsolidimin e identitetit shqiptar e që dhanë jetën për liri e pavarësi? Prandaj i solli Dhaskal Tod’hri shkronjat prej tunxhi deri në Shqipëri, që me to të shkruhet triumfi i injorancës?
![]() |
Shkolla Zosimea në Janinë ku mësuan e u edukuan shumë nga figurat themelore të Rilindjes e patriotizmit shqiptar, përfshi Sami Frashërin, Ismail Qemalin dhe Kostandin Kristiforidhin. |
Shumë nga figurat më të spikatura të rilindjes e pavarësisë së Shqipërisë - Sami Frashëri, Ismail Qemali, Kostandin Kristoforidhi, etj, - u edukuan në shkolla greke dhe, ndonëse në kohërat më të vështira dhe me kokën në torbë ia dedikuan jetën e tyre shqiptarësisë, kurrë nuk u shkoi në mendje të mohonin popullin grek dhe gjuhën e tij siç ka bërë Kocaqi me shokë.
Analizë e etimologjive pseudoshkencore të Kocaqit
Pasi e ka shkepur lexuesin në rrena e legjenda historike mbi praninë e shqiptarëve dhe ndikimin e gjuhës shqipe në të katër cepat e globit, kapitullin e dytë Kocaqi e ka mbushur me shembuj e krahasime të shtrembëra e të pavërteta me qëllim që ta nxjerrë shqipen sikur, medemek, kjo ka trashëgiminë më të pasur të rrënjëve proto-indoevropiane (PIE), të cilat për Kocaqin nuk janë më shumë se 25 fjalë, gjë që është gënjeshtër sepse nga një kërkim i shpejtë mbi rrënjët PIE del që numri i tyre varion nga 700-1200 të identifikuar deri tani, ndërsa shumë të tjera janë propozuar dhe pritet që të vërtetohen ose të hidhen poshtë.
Kocaqi përpiqet të argumentojë se gjuha shqipe i ka të gjitha format e rrënjëve bazë, siç i quan ajo, e për këtë arsye ajo meriton statusin e gjuhës kyç për zbërthimin e të gjitha gjuhëve PIE. Marrim konkretisht disa shembuj dhe shikojmë ç'na thotë Kocaqi dhe ç'na thonë gjuhëtarët profesionistë:
Autorja shkruan: "Folja jam e zgjedhuar në gjuhën shqipe (jam, je, është, a, ast, o, jemi jeni janë), gjendet në të gjitha gjuhët IE e për këtë arsye, - sipas saj, - mbi bazën e vetës së parë të foljes në gjuhën shqipe është formuar e gjithë folja:
- Sq - jam, am, em
- Ang - am
- Arm - em
- Got - im
- Av - ahmi
- Gr - imme
- Fr. vjetër - em
- Ir - am
Veta e dytë je e fjalës jam gjendet në gjuhët sllave por me kuptimin është (jasm, jesmi, jesmu, jesam). Pra, - sipas Kocaqit, - gjuhët sllave foljen është e formojnë duke u bazuar tek folja jam e shqipes në vetën e dytë numri njëjës je..."
Mirëpo etimologët profesionistë na thonë diçka krejt tjetër e tërësisht të arsyeshme. Folja jam rrjedh nga rrënja PIE hesmi që do të thotë të jesh, të ekzistosh, dhe është trashëguar në disa gjuhë IE. Ndërkohë fjala serbe je e ka prejardhjen nga fjala sllave jest, që e ka prejardhjen nga rrënja PIE hesti, e cila në shqip bën është dhe ka trashëgimtare pothuajse në të gjitha gjuhët IE. Pra dy rrënjë të ndryshme të PIE kanë dhënë foljet jam (hesmi) në shqip dhe je (hesti) në serbisht. Por edhe vetë rrënja hesmi (jam) rrjedh nga rrënja hesti (është).
Shiko këtu trashëgimtaret e fjalës hesti tek gjuhët sllave.
Të tilla keqinterpretime dhe shtrembërime Kocaqi ka bërë në të gjithë shembujt e fjalëve që ka analizuar dhe këto nuk janë pak por me qindra. Ajo është përpjekur që të gjitha rrënjët PIE të na i shesë si rrënjë të shqipes pa asnjë argument shkencor, të cilat ajo kujton se i gjen në të gjitha gjuhët e tjera, ndërkohë që e vërteta është krejt e kundërta. Shqipja, ashtu si motrat e saj, ka trashëguar në fjalorin e saj rrënjët e PIE. Ja dhe një shembull tjetër:
Autorja thotë: "Fjala shqipe jeta apo protoshqipe eta gjendet në gjuhët latine. Nga fjala egzistoj, ndodhem, gjendem, jetoj, ka dalë dhe fjala jeta apo eta. Gjuhët latine nuk e kanë formën je, që tregon qenien në gjuhën shqipe, por e kanë pasur kur është formuar leksiku i tyre…, ...Stare (të qendrosh) ka origjinë tek folja essere, pra është. Kjo folje pjesore bën stato. Në shqip është folja në vetën e tretë njëjës asta (???) ku a ka rënë dhe bën sta (???). ... Stato vjen nga status - shtat... Në latinisht fjala shtet shprehet me fjalën është, gjendet në greqisht me fjalën kratos, që ka kuptimin e mbajtjes së pushtetit dhe që janë fjalë të fondit të gjuhës shqipe:
- Shqip - asta, sta, krat (??? nuk ekzistojnë)
- Lat - state nga e ka marrë e gjithë Evropa
- Gr - kratos nga krat që e përdor e gjithë bota.
- Sansk - kratu fuqi sunduese..."
Pastaj analizon një tufë me fjalë të tjera si stan, stage, stagnant, stay, egziste, destinare, institute, historia, interest, etj. Sipas Kocaqit të gjitha këto rrjedhin nga fjala shtat që rrjedh nga fjala jeta.
Ndërkohë që shpjegimi i etimologëve profesionitë është shumë i thjeshtë. Një pjesë e mirë e këtyre fjalëve e kanë një të përbashkët - rrënjën PIE steh që do të thotë qëndroj. Nga kjo rrënjë kanë rrjedhur një mori fjalësh në të gjitha gjuhët indoevropiane. Fjalët stato, stare, stage, stay, stan, etj, e kanë pikërisht prejardhjen nga rrënja PIE steh. Edhe shqipja ka një numër fjalësh që rrjedhin prej kësaj rrënje: shtoj, stër-, shtyllë, shtat, etj. Asnjë nga këto fjalë nuk ka lidhje me fjalën jeta në shqip. Sipas etimologëve, fjala jetë mund të ketë prejardhje nga PIE, nga fjala greke eteos (e vërtetë), ose nga fjala latine aetas (moshë), por nuk është fort e qartë. Ka një arsyetim të tërë për këtë çështje.
Shiko këtu trashëgimtaret e fjalës steh tek të gjitha gjuhët indoeuropiane.
Ndër fjalët e shumta që Kocaqi u ka nxjerrë ujin e zi, ka radhitur edhe fjalën rusisht krepostnoi - bujkrob (крепостной), që sipas saj e ka prejardhjen nga fjala kre* e shqipes. Kështu, me një zbërthim tipik dalipian, fjalën ruse krepostnoi ajo e ndan në kre, post dhe noj, që sipas saj do të thotë krye, poshtë dhe ndonjë, duke nënkuptuar bujkrobin që mban gjithë ditën kryet poshtë pasi i duhej të punonte tokën. Kryevepër!!! Fantazi e pastër.
*E ka fjalën për "krye", se "kre" nuk ekziston.
Krepostnoi (lexohet krjepastnoj) është një term mesjetar dhe vjen nga fjala krepost (kala/kështjellë/fortifikim) dhe prapashtesa noi, që nënkupton përkatësi, si mal+sor ose fusha+rak. Krepostnoi do të thotë i kalasë dhe nënkupton një person që është në shërbim të "oborrit princëror", do të thonim ne në shqip. Vetë fjala krepost rrjedh nga fjala krepk, që në rusisht do të thotë i fortë.
Ndërsa fjala shqipe krye rrjedh nga rrënja PIE krohsnom (< kerh), njësoj si fjala latine cranium (kafkë) ose fjala e greqishtes së lashtë kranion (kafkë).
Comments
Shto një koment