"Plani grek" i Ekaterinës së Madhërishme
![]() |
Shteti grek (me të kuqe) sipas "planit grek" të Ekaterinës së Madhërishme |
Në historiografitë zyrtare të shteteve ballkanike flitet shpesh për lëvizje patriotike dhe kryengritje popullore. Por nuk flitet asnjëherë për rrethanat gjeopolitike dhe konfliktet mes perandorive, veçanërisht ndikimin e këtyre konflikteve tek zhvillimet politike të brendshme brenda Perandorisë Osmane. Fushata e Rusisë cariste për sundimin e plotë të brigjeve të Detit të Zi dhe kapjen e portave hyrëse të tij, me qëllim daljen në detin Mesdhe, ka qenë një ndër konfliktet kryesore që i ka dhënë formë gjeopolitikës rajonale duke filluar që nga gjysma e dytë e shekullit XVII, deri në shpërbërjen e të dyja perandorive.
Në këtë shkrim kam bërë një përmbledhje të veprimtarisë ushtarake, diplomatike e politike të Perandorisë Ruse, personazheve të angazhuar dhe ngjarjeve historike, kryesisht në kuadër të të ashtuquajturit “Plani grek”, planin për krijimin e një shteti të pavarur grek nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Rusisë cariste, me udhëheqës Konstantinin, nipin e Ekaterinës. Plani grek u propozua nga Ekaterina e Madhërishme e Rusisë si zgjidhje për ndarjen e territoreve të Perandorisë Osmane në Ballkan midis Perandorisë Ruse dhe Perandorisë së Habsburgëve. Plani u përpunua nga Princi Grigori Patjomkin, udhëheqës ushtarak, shtetar, fisnik dhe dashnor i careshës Ekaterina. Ndonëse “Plani grek” u bë publik rreth viteve 1780, Rusia kishte kohë që punonte për zgjerimin e ndikimit të saj politik në Greqi e më gjerë në Ballkan.
Përplasja e parë mes Rusisë cariste dhe osmanëve ndodhi në vitet 1676-1681, kur Rusia sulmoi Hanatin e Krimesë, vasal i Perandorisë Osmane, me qëllim për t’u zgjeruar në drejtim të Ukrainës e mandej në bregun verior të Detit të Zi. Për të dobësuar Perandorinë Osmane nga brenda e për të shkaktuar sa më shumë trazira në Ballkan, Rusia cariste ndoqi gjerësisht politikën e nxitjes së kryngritjeve në mes komuniteteve të krishtera, veçanërisht atyre ortodokse, përhapjen e propagandës pro ruse nëpërmjet figurave të kishës ortodokse dhe financimit të shkollave greke e armene, me qëllim mbrujtjen e brezave të rinj me ndërgjegje antiosmane.
Nxitja e inkursioneve të armatosura në Ballkan
Hera e parë kur Rusia cariste nxiti kryengritje të komuniteteve të krishtera në Vllahi e Serbi ishte gjatë luftës Ruso-Turke (1735–1739). Kryengritja serbe filloi në vitin 1737, nën udhëheqjen e Patrikut Arsenije IV Jovanoviç, pas tërheqjes së ushtrisë Habsburge nga Serbia, dhe nën moton e bashkëpunimit me Perandorinë Ruse. Kryengritja u përhap në Beograd (në kufi me Habsburgët), Bosnje e Hercegovinë, Malin e Zi e deri në Kosovë e Malet e Sharrit. Në këtë kryengritje morën pjesë edhe fiset shqiptare të Kelmendit.
Në vitet 1759-1760 kryetarët e fiseve të krahinës së Himarës, e cila në atë kohë përfshinte të gjitha fshatrat e Kurveleshit, i dërguan Katerinës së Madhërishme të Rusisë tre letra, nëpërmjet të cilave shprehnin gatishmërinë e tyre si shqiptarë ortodoksë për të marrë pjesë në një kryengritje të përgjithshme kundër sundimit osman nëse Rusia vendoste të mbështeste një lëvizje çlirimtare në Greqi. Padyshim që këto letra ishin produkt i manovrave diplomatike të Perandorisë Ruse.
Në vitin 1767, me nxitjen e Rusisë cariste, himarjotët vunë nën rrethim Delvinën dhe Vlorën por u thyen nga pashallarët shqiptarë të krahinave kufitare.
Në vitin 1768 Russia sulmon hanatin e Krimesë, i cili në atë periudhë ishte shtet vasal i Perandorisë Osmane. Fillon lufta ruso-osmane e viteve 1768-1774.
Më 1769 me nxitjen e Rusisë shpërthen konflikti në qytetin autonom të Voskopojës. Voskopja thyhet, digjet e plaçkitet nga forcat mercenare të bejlerëve.
Në vitin 1770 shpërthen e ashtuquajtura kryengritja e Orllovit (për shkak se udhëhiqej drejtpërdrejt nga admirali rus Orllov në krye të flotës detare ruse) në krahinat fisnore greke të Manit në More dhe Sfakjës në Kretë. Kryengritja përhapet në të gjithë Morenë, por shtypet nga pashallarët në vitin 1771 me forca të shumta mercenare të sjella nga Shqipëria.
Më 1774, ushtria osmane thyhet dhe Porta deytoret të nënshkruajë me Rusinë Traktatin e Kyçyk Kainarxhasë, sipas të cilit: Hanati i Krimesë fitoi de jure pavarësinë por de facto hyri nën influencën ruse; Rusia merrte rolin e mbrojtësit zyrtar të popullsisë ortodokse në Perandorinë Osmane.
Angazhimi i figurave të kishës ortodokse
Gjatë kohës që zhvillohej kryengritja e Orllovit (1770) në More, në Shqipërinë e jugut, në pashallëkun e Beratit, ia behu Kozma Etoliani. I famshmi Shën Kozmai. Kozmai ishte pro rus i thekur. Atë e kish nisur me mision ierapostilik vetë patriku i Konstandinopojës Serafimi II, me qëllim që të hapte shkolla fetare, të bënte propagandë pro ruse dhe të pengonte konvertimet e popullsisë në Islam, dukuri që kish filluar të bëhej problem për Patrikanën. Kozmai hapi shumë shkolla fetare, ndërtoi e rindërtoi shumë kisha në Shqipëri, si dhe propagandoi me agresivitet braktisjen e gjuhës shqipe e arumune në favor të gjuhës greke, të cilën ai e konsideronte gjuhën e perëndisë. Kozmai deklaroi se fshatrat ku fliteshin gjuhët shqipe e arumune do t’i mallkonte, ndërsa për ata që do të betoheshin se nuk do t’i flisnin më ato gjuhë, Kozmai do t’i kërkonte zotit personalisht që t’u falte mëkatet. Kjo propagandë e Kozmait pati pjesërisht sukses. Në vitin 1779 Ahmet Kurt Pasha i Beratit e akuzoi Kozmain se bënte propagandë pro ruse dhe e dënoi si agjent rus. Kozmain e varën në fshatin Mujalli të Fierit, pranë manastirit të Kolkondasit. Në vitin 1961 Kozmain e shpallën shenjtor.
Serafimi II (patriku) ishte shqiptar nga Delvina dhe ithtar i zellshëm i perandorisë ruse. Në vitin 1759 Serafimi solli në Konstandinopojë Eugenios Voulgaris me detyrë që të drejtonte akademinë patriarkale, dhe ky, nën ndikimin e Serafimit, propagandoi afrimin mes Patrikanës së Kostandinopojës dhe perandorisë ruse. Për këtë arsye Serafimin e shkarkuan nga detyra në vitin 1760 dhe e zëvendësuan me Joaniciusin III, kryepeshkopin e Pejës. Pas kësaj Serafimi shkoi në Malin e Athosit, në manastirin e Shën Andreas. Në vitin 1841 shtëpia e Serafimit iu dha dy murgjve rusë, të cilët me sponsorizimin e Car Nikollës I u zgjerua më tej duke u kthyer në manastir rus. Në vitin 1769 (kur ndodhi lufta e Voskopojës), Serafimi nxiste popullsinë ortodokse që të rebelohej kundër turqve. Pas dështimit të kryengritjes së Orllovit (1770), në vitin 1776, me ftesën e Ekaterinës së Madhërishme, Serafimi shkoi në Ukrainë, ku edhe vdiq.
Eugenios Vulgaris ishte një klerik dhe dijetar grek nga Korfuzi. Në vitin 1742 Vulgaris zinte postin e drejtorit të shkollës Marucja në Janinë. Marucja financohej nga vëllezërit arumunë Maruçi. Nëpërmjet letrave, Vulgarisi i bënte thirrje Ekaterinës së Madhërishme të Rusisë që të "çlironte Greqinë nga zgjedha osmane". Në vitin 1763 Ekaterina e merr Vulgarisin në patronazh dhe e çon në Gjermani me meditje. Pas dështimit të kryengritjes së Orllovit (1770), në vitin 1771 Vulgarisi niset për në Petersburg me ftesë të careshës Ekaterina, ku dhe zë postin e bibliotekarit perandorak, të cilin e mban deri në vitin 1774 ( pasi Rusia fiton luftën me perandorinë osmane). Në vitin 1775 Vulgarisi caktohet në postin e kryepeshkopit të Sllavianskut (Nikopolit) dhe Kersonit në Ukrainë, në tokat që Rusia ia kishte marrë hanatit të Krimesë dhe osmanëve, e cila në atë periudhë u quajt Novorusia, dhe për të cilën sot Putini bën luftë. Për kuriozitet, Eugenios Vulgaris është i pari që ka shkruar historinë politike të Skënderbeut, pas Barletit. Vepra e tij është shkruar në greqisht dhe është botuar në Petersburg në vitin 1812, 6 vjet pas vdekjes së tij.
Hapja e shkollave greke
Në artikullin e Wikipedia's për Rilindjen Greke dhe në faqe të tjera ku flitet për këtë çështje nuk përmendet fare as Rusia, as gjeopolitika imperialiste e antiosmane e fuqive europiane dhe as histeria e përgjithshme filo helene e periudhës së iluminizmit. Përkundrazi ajo paraqitet si një nevojë e brendshme e popullit grek (Vetëm atij grek, ama. Jo edhe arvanitas, edhe arumun, edhe sllav) për t'u çliruar nga vargonjtë e zgjedhës osmane; si produkt i një bërthame intelektualësh me ndërgjegje të pjekur kombëtare; një trashëgimi e pandërprerë kulturore bizantine, e madje helene; e nxitur nga figura fetare me prirje perëndimore, e gjithfarëlloj gjërash të bukura për t'u admiruar e për tu pasur zili, sidomos nga ata shqiptarë që mendojnë se formimi i ndërgjegjes kombëtare shqiptare ishte i vonuar dhe tejet i vakët në krahasim me atë të popujve të tjerë në Ballkan. Një rëndësi e veçantë në këtë përshkrim u jepet, padyshim, shkollave greke të financuara nga "grekë" të pasur e të fuqishëm, qartësisht me ndërgjegje kombëtare shumë të lartë, në të cilat u mbrujt e formua ndërgjegjja dhe botëkuptimi perëndimor i brezave të rinj grekë, një botëkuptim që do të jepte frytet e veta në vitin 1821 kur shpërtheu lufta e pavarësisë së Greqisë, ose siç e quajnë në Greqi, "revolucioni grek".
Pa ta shohim një herë se ç'thonë faktet historike për këtë çështje.
Një ndër shkollat më të vjetra ku mësohej në greqisht ka qenë shkolla e quajtur Maruçja. Ajo u themelua në qytetin e Janinës në vitin 1742 nga vëllezërit arumunë Maruçi me origjinë nga Paramithia në Çamëri, të cilët u pasuruan duke bërë tregti me Venedikun e më pas me Rusinë. Në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit të 18-të Kristodhul Maruçi hapi zyrë në Shën Petersburg dhe në 1768 vëllai i tij Pano Maruçi u caktua përfaqësues diplomatik i Rusisë në Venedik e më pas mori titullin Markez nga perandoresha Austriake Maria Tereza dhe Kalorës i Urdhrit të Shën Anës nga caresha Katerina e Madhërishme. Drejtor i parë i shkollës Maruçja ishte askush tjetër veç Eugenios Vulgarisit.
Në vitin 1797 vëllezërve Maruçi u mbaruan fondet për shkak të rënies nga vafti të Venedikut, dhe vendin e tyre si bamirës e zunë vëllezërit Mantho dhe Zoi Kapllani, vlleh ose shqiptarë nga fshati Grameno*, në Janinë, të cilët u bënë jashtëzakonisht të pasur duke bërë tregti në Moldavi e Vllahi (Rumani), të cilat ishin asokohe nën kontrollin politik e ekonomik të Rusisë.
*Fshati i Mihal Gramenos.
Një shkollë tjetër që vepronte në Janinë njëkohësisht me Maruçen ishte shkolla Guma, e financuar nga Nikolla Guma (nga mbiemri dallohet që ishte shqiptar), një tregtar që ashtu si vëllezërit Maruçi dhe Kapllani, kishin vënë pasuri marramendëse duke bërë tregti në Moldavi e Vllahi dhe territore të tjera të Perandorisë Ruse. Drejtori i Shkollës guma ishte një farë Ballano Vasilopullo, dhe pas tij drejtor u bë i biri, Kozma Ballano. Nëse Ballano dhe Bollano kanë lidhje me njëri-tjetrin këtë nuk mund ta them por vlen për tu pasur parasysh.
Në vitin 1821 (kur shpërthen kryengritja në More) në Janinë themelohet shkolla Zosimja, në të cilën studiuan edhe shumë figura të Rilindjes Shqiptare, përfshi vëllezërit Frashëri, Ismail Qemali, Kostandin Kristoforidhi, etj. Shkolla u financua nga vëllezërit Zosima (po nga fshati Grameno), të cilët ashtu si edhe bashkatdhetarët e tyre u bënë shumë të pasur në.... ku tjetër veçse në Moldavi e Vllahi dhe në Nizhin të Ukrainës duke bere tregti me Rusinë. Vëllezërit Zosima dhanë shuma marramendëse për themelimin e shkollave, ndërtimin e bibliotekave publike dhe botimin e veprave në greqisht. Antarët e familjes Zosima u bënë anëtarë të Filiki Eterias (organizatës "patriotike" greke) të themeluar në Odesa të Ukrainës.
Një ndër figurat e shquara të Rilindjes Greke është Apostol Arsaçe, ose siç e njohin në Greqi Apostolos Arsakis, financuesi i shkollës me emrin Arsakio (Arsakeio), një degë e të cilës operon sot edhe në Tiranë. Apostol Arsaçe ishte arumun nga fshati Hotovë i Përmetit. Arsaçe u rrit e u shkollua në Vienë (Perandoria Austro-Hungareze) në shkollën greke atje. Një ndër mësuesit e tij ishte prifti Neofito Duka, me origjinë nga fshati arumun Sudena e Madhe në Malet e Pindit, Zagori. Arsaçe publikoi veprën me titull "Histori e përmbledhur e mjekësisë" në greqishten e lashtë. Në vitin 1814 shkoi në Bukuresht, Vllahi ku shërbeu si ministër i punëve të jashtme të Vllahisë dhe pas vrasjes së kryeminstrit, ai zuri postin për një kohë të shkurtër. Arsaçe dhuroi plot 600 000 dhrahmi floriri për shkollën e femrave në Athinë, e cila mori emrin Arsakio. Arsaçe hapi një shkollë edhe në fshatin e tij Hotovë.
Neofito Duka ishte një ndër ata neo-helenistët e fandaksur që përçmojnë identitetin e tyre etnik dhe adhurojnë identitetin ideologjik e fetar (Fredi Beleri, Olsi Jazexhi, Pirro Dhima). Duka e cilësoi gjuhën arumune si "të fëlliqur" dhe donte ta zhdukte nga territoret greke. Por nga ana tjetër deklaronte se arumunët e kishin ruajtur helenizmin më mirë se vetë grekët, për shkak të "dinamizmit" dhe "bujarisë" së tyre. Duka u arsimua në Janinë e Meçovë (qendra e arumunëve në Greqi) e pastaj në Bukuresht, në Vllahi (Rumani), deri sa pastaj vajti në Vienë. Në 1815 (kur krijohet Filiki Eteria), Duka i kërkon patrikut të Kostandionopojës Cirilit IV (mendohet të ketë qenë këshilltar i Filiki Eterias) që të përhapë gjuhën greke tek të gjithë komunitet ortodokse bullgare, arumune e shqiptare. Në vitin 1820 Duka bëhet antar i Filiki Eterias.
I fundit që do të përmend në këtë postim është Vangjel Zhapa, i njohur në Greqi me emrin Evangelos Zappas. Zhapa ishte me origjinë nga fshati Labovë e Kryqit ose Labova e Zhapës në Lunxhëri, i biri i arumunit Vasil Zhapa dhe shqiptares Sotira Meksi. Fillimisht Zhapa i pashkolluar u angazhua si mercenar në trupat e Ali Pashës. Pastaj ai iu bashkua Filiki Eterias gjatë luftës së pavarësisë. Gjatë kësaj kohe u bë mik i ngushtë i Marko Boçarit. Zhapa mori pjesë në shumë beteja. Në 1831 Zhapa emigroi në Vllahi, e cila asokohe vazhdonte të ishte nën kontrollin rus, dhe atje vuri pasuri të madhe me toka dhe bujqësi. Në vitet 1850 Zhapa konsiderohej si një ndër sipërmarësit më të pasur në Europën lindore. Vangjel Zhapa është financuesi i ringjalljes së lojrave olimpike moderne dhe i shkollës së Zhapajave në Athinë ku dhuroi 400 vëllime me letërsi të lashtë greke dhe latine. Zhapa financoi shumë shkolla greke e biblioteka në perandorinë osmane, disa prej tyre në Shqipëri: Labovë, Lekël, Nivan, Dhrovian, Filat, Delvinë e Përmet.
Në vitin 1860 Zhapa argumentoi se ndonëse shqipja nuk mund të bëhej gjuhë letrare, ajo nuk duhej braktisur dhe se gjuha shqipe në shkollën e financuar prej tij në Labovë duhet të përdorte gërmat greke. Zhapa financoi edhe hapjen e një gazete shqiptare në Rumani. Zhapa u varros fillimisht në Rumani. Pastaj eshtrat e tij u sollën në Labovë dhe u vendosën në oborrin e shkollës së financuar prej tij. Nuk e di si e qysh, por kam mendimin se kafka e tij pastaj duhet të jetë zhvarrosur nga ushtria greke dhe sot gjendet në pallatin olimpik me emrin Zapion.
Hapja e shkollave greke nuk ishte thjeshtë çështje për interesa politike, por kishte edhe një komponent të rëndësishëm ideologjik, parimet e iluminizmit dhe adhurimin e antikitetit greko-romak, nga ishte frymëzuar kjo rrymë. Iluminizmi kishte marrë një hov të jashtëzakonshëm në Europën katolike dhe do të hidhte themele edhe në Rusinë cariste. Parimet e iluminizmit i futi i pari në Rusinë cariste Pjetri i Madh (1682-1725), i cili braktisi Moskën për të ndërtuar një kryeqytet të ri tërësisht në stilin neoklasik, e që do të merrte emrin e tij, Petersburg. Madje Pjetri edhe titullin e ndërroi nga Car në Perandor, sipas stilit perëndimor romak. Po të njëjtin zell për antikitetin tregoi edhe Ekaterina e Madhërishme (1762-1796), e cila kur ia mori perandorisë osmane Krimenë (1783) dhe gjithë territorin e Zaporozhias (ku zhvillohet sot lufta në Ukrainë), ia la për detyrë princit Patjomkin që të themelonte plot 9 qytete të reja me emrat e qyteteve të lashta Helene: Odesa, Sevastopol, Simferopol, Melitopol, Nikopol, Mariupol, Kherson, etj.
Për Eketerinën dhe gjithë fisnikërinë ruse kapja Kostandinopojës dhe ringjallja e Greqisë nuk ishte vetëm një çështje interesash ekonomikë por edhe prestigji ideologjik e politik në arenën ndërkombëtare. Kapja e qytetit nga një fuqi e krishterë do të shënonte ringjalljen e perandorisë romake, Romës së tretë, burimit kryesor të lindjes së iluminizmit dhe djepit të “qytetërimit europian”.
Ana e djathtë e Detit të Zi
Për ta vënë rolin thelbësor të Rusisë në krijimin e shteti grek në një kontekst më të gjerë gjeostrategjik, duhet të shohim edhe veprimtarinë e saj politike në bregun e djathtë të Detit të Zi. E njëjta strategji që u shpalos me aq mjeshtëri në Ballkan gjeti zbatim edhe në Kaukaz e më gjerë, tek komunitetet e krishtera në ato territore të Perandorisë Osmane.
Kështu, krejt si në pasqyrë, do të shohim se edhe në mes komunitetit ortodoks armen dolën tregtarë të fuqishëm me mbështetje ruse, si për shembull Mëkërtiç Sanasarian, financuesi i Kolegjit Sanasarian (1881), familja Gubelkian, familja Hazarian, apo Hovhanes Lazarian, që hodhi para pa hesap për hapjen e shkollave publike në gjuhën armene dhe mbështetjen e politikave ruse në rajon.
Rasti i Lazarianit është shumë interesant për t’u shqyrtuar sepse hedh dritë edhe mbi disa aspekte të marrëdhënieve mes këtyre tregtarëve “bamirës e me zemër të madhe” dhe Ekaterinës së Madhërishme, që mungojnë tek biografitë e personazheve arumuno-greko-shqiptarë nga Ballkani. Hovhanes Lazarian ishte i biri i Agasarit, me origjinë nga Isfahani, kryeqyteti i atëhershëm i Perandorisë Perse. Agasari u bë guvernatori i lagjes së armenëve në Isfahan dhe gjatë luftës ruso-perse (1722-1723) ai filloi tregtinë me Rusinë. Më vonë Agasari me djemtë u zhvendos në Moskë dhe u bë furnizuesi ekskluziv i pëlhurave të mëndafshit në oborrin e perandoreshës Elisabeta Petrovna. Ai gjithashtu mori titullin Freiherr (baron) nga perandoresha e Maria Tereza e zotërimeve të Habsburgëve.
Hovhanesi e zhvendosi sipërmarrjen e tij nga Moska në Petersburg. Ai shërbeu si ndërmjetës mes kontit Grigori Orllov dhe Shafrasit, një tregtar milioner nga Persia, kur Grigori donte të blinte një diamant (nga më të mëdhenjtë në botë) për t’ia dhuruar perandoreshës Ekaterina e Madhërishme, për të rifituar vëmendjen e saj, pasi kjo e kish mënjanuar disi këtë, në favor të princit djaloshar Patjomkin, ideatorit të “Planit Grek”.
Grigori Orllov ishte vëllai i madh e Aleksei Orllov, iniciatorit dhe udhëheqësit të të famshmes “kreygritjes së Orllovit” në More (1770). Vetë Grigori ishte një ndër mbështetësit kryesor të ideologjisë Sllavofile (bashkimi i sllavëve nën sundimin rus) dhe nxitjes së rebelimit të komunitetit të krishterë në Perandorinë Osmane kundër pushtetit të Portës së Lartë.
Në vitin 1774 (viti kur u nënshkrua traktati i Kyçyk Kainarxhasë), Ekaterina e Madhërishme konsultohet me Lazarianin mbi politikat që duhet të ndiqte Rusia në lindje dhe ky përpilon një plan për ringjalljen e shtetit të Armenisë me Princin Patjomkin në krye, njësoj si “Plani grek”.
Pas traktatit të Jasit (pas lutës ruso-osmane 1778-1792), Lazarian asiston dhe mbikëqyr transferimin e mijëra armenëve drejt tokave të reja që Rusia sapo ia kishte marrë Perandorisë Osmane në hanatin e Krimesë në Ukrainën e sotshme (dikur Novorusia, sot Zaporozhia). Në të njëjtën periudhë kur transferohen edhe mijëra grekë, bullgarë, arumunë e shqiptarë.
Në 1815 Lazarian financoi hapjen e Institutit të Gjuhëve Orientale, një shkollë për studentët armenë, nga e cila dolën shumë intelektualë, diplomatë e administratorë në shërbim të perandorisë ruse.
Deri në vitin 1915 (viti i genocidit armen), në territoret e Perandorisë Osmane kishte rreth 1900 shkolla fetare e laike ku mësohej gjuha armene. Të gjitha këto institucione ishin të financuara nga kisha armene dhe nga donatorë privatë, të cilët padyshim kishin lidhje të drejtpërdrejta me Perandorinë Ruse, veçanërisht personat e përmendur më sipër.
Filiki Eteria
Duke pasur parasysh gjithë sa përmenda deri tani:
- interesin e drejtpërdrejte të Rusisë cariste për të kapur portat e Detit të Zi,
- nxitjen dhe financimin prej saj të kryengritjeve të armatosura në Ballkan,
- marrëdhëniet agjenturore me figura të rëndësishme të kishës ortodokse,
- financimin e shkollave neo-heleniste nëpërmjet tregtarëve të mbështetur prej saj dhe
- obsesionin e jashtëzakonshëm të elitave ruse me antikitetin greko-romak,
nuk duhet të na vijë aspak çudi që pas organizatës “patriotike greke” Filiki Eteria qëndronin pikërisht tentakulat e agjenturës ruse. Plot katër dekada pas kryengritjes së dështuar të Orllovit, në vitin 1814*, në qytetin e Odesës u themelua organizata "patriotike" neo-heleniste Filiki Eteria (shoqëria e miqve). Themeluesit e organizatës ishin Nikolla Kumbaro (Skufa) (nga mbiemri duket si shqiptar ose arumun), Emanuil Ksanthos (nga mbiemri duket si grek) dhe Aleksandar Çakallov (nga mbiemri duket si sllavo-maqedonas).
*Në vitin 1814 zhvillohet kryengritja e dytë serbe e mbështetur nga Rusia, që pasoi kryengritjen e parë 1803-1813 dhe i parapriu kryengritjes së tretë 1815-1817.
Nikolla Kumbaro ishte me origjinë nga një fshat pranë Artës, në Çamëri. Ai ka punuar si llogaritar, si farmacist (popullor, ma merr mendja) dhe, sipas Wikipedias, “kapelebërës”, që në fakt do të thotë se punonte qeleshe. Kumbaro lë Çamërinë dhe niset për në Rusi, për të bërë tregti dhe me shumë gjasa që tregtia i paskësh shkuar fjoll, sepse atje e kuptoi se sa të vuajtur na paskëshin qenë bashkatdhetarët e tij të krishterë në Perandorinë e Osmane.
Në Rusi Kumbaro takohet me Athanas Çakallovin dhe Emanuil Ksanthosin. Çakallovi ishte nga Janina, por që në moshë të re vajti me të atin në Rusi, i cili do ketë qenë pasunar i madh, sepse e shpuri të birin të studionte për fizikë në Paris. Atje, i biri i babës themeloi bashkë me grekun Grigorios Zalikis (Zalikolli), një tjetër personazh i lidhur me Rusinë, organizatën patriotike “Bujtina Greqishtfolëse”.
Zalikis, me origjinë nga Selaniku, punësohet si sekretar i ambasadorit të Perandorisë Osmane në Paris (Ogystë dë Shuazel Gufie) me rekomandim të potentatit të Vllahisë (asokohe nën ndikimin politik rus), Skarlat Kallmashulit. Bashkë me Çakallovin ai themelon Bujtinën Greqishtfolëse. Pas luftës së pavarësisë së Greqisë, Zilakis shkoi në Shën Petersburg, ku u takua me carin Aleksandri I, i cili i dha një ndihmë të madhe financiare.
Emanuil Ksanthosi ishte grek me origjinë nga ishulli Patmos, në detin Egje. Fillimisht ai emigroi si djalë i ri në Itali, ku u pranua si anëtar i Llozhës Masonike të Lefkadhës, pastaj vajti në Odesa të Ukrainës, ku u takua me Kumbaron dhe Çakallovin.
Kumbaro njihet edhe me Konstandin Radon, një tregtar i pasur shqiptar ose arumun nga fshati Cepelevë në Zagori të Greqisë që, natyrisht, punonte me Rusinë, pasi ky qe pranuar anëtar i organizatës Karbonari në Itali.
Të tre këta, Kumbaro, Çakallov dhe Ksanthos, bashkë me Radon, në vitin 1814 vendosin të themelojnë një organizatë “patriotike” e cila do të ndërmerrte një nga sipërmarrjet më fantastike e më të kushtueshme të shekulli XIX, “çlirimin” e Greqisë nga kthetrat e osmanëve. Dmth, nëse shkojmë sipas narrativës zyrtare neo-heleniste, të katër këta pëllumbat, pa pushtet, pa tarafe, pa fonde dhe pa kurrfarë lidhjeje me qeverinë ruse, krejt nga hiçi dhe të vetëm, vendosin të bëjnë atë që Rusia kishte gati një shekull që nuk po e bënte dot, me gjithë fuqinë e saj perandorake.
Në 7 vitet e ardhshme organizata u zgjerua me mbi 1000 anëtarë - tregtarë, klerikë, konsuj rusë, zyrtarë greko-osmanë nga Fanari i Stambollit, serbë revolucionarë, rumunë, madje edhe disa kryetarë fisesh arvanitase. Ndër figurat më të shquara mund të përmendim princin grek të principatave danubiane të Moldavisë dhe Vllahisë, Mikael Sucos (të emëruar nga rusët), dhe Karagjorgje Petroviçin, themeluesin e dinastisë mbretërore serbe të Karagjorgjeviçëve. Anëtarë të organizatës ishin edhe iniciatorët e veprimeve luftarake si Teodor Kollokotroni, Odiseas Andrucos, Dhimitris Plaputas, Papaflesas dhe peshkopi i mitropolisë Germanos i Patrasit.
Vetëm 7 vjet pas themelimit të Filiki Eterias, organizata "patriotike greke" ishte shndërruar në një organizatë ushtarake e financuar mirë e me aspirata të mëdha strategjike. Pas vdekjes për shkaqe natyrale të Nikolla Kumbaros (pseud. Skufas), drejtimin e Filiki Eterias e merr Aleksandros Ipsilantis, një grek fanariot*, të cilit Rusia i kish dhënë postin e Princit të Principatave Danubiane (Moldavi, Vllahi). Aleksandros Ipsilantis kish bërë karrierë si oficer në ushtrinë ruse gjatë luftës me Napoleonin. Ai vinte nga një familje me origjinë nga Trabzoni, në Detin e Zi. Babai i tij ishte njeri i kulturuar dhe në gjendje të mirë ekonomike, pasi kish punuar si dragoman (përkthyes, ndërmjetës, diplomat) i administratës osmane. Fillimisht posti i drejtuesit të organizatës iu ofrua Ioanis Kapodistriasit, një greku tjetër fanariot, që mbante postin e ministrit të jashtëm të Rusisë. Por Kapodistriasi refuzoi. Pas luftës ai u bë kryeministër i Greqisë.
*Fanariotët ishin familje të pasura të krishtera nga lagjja Fanar e Stambollit.
Përfundime
Nga sa u tha më sipër, është e pamundur mos të bien në sy disa çështje. E para, shumë nga të ashtuquajturat kryengritje popullore ishin në fakt fushata të mirëfillta inkursioniste të financuara nga Rusia e të organizuara nga komunitete autonome si fiset e krishtera shqiptare e greke, apo qyteti tregtar i Voskopojës, të cilët nuk kishin asnjë lloj varësie politike, ekonomike e shoqërore prej pashallarëve e bejlerëve myslimanë, kështu që nuk mund të thuhet se kryengritësit vuanin shtypjen e pushtetit osman. Përkundrazi, kur shpërtheu konflikti, Voskopja ishte një qendër e lulëzuar urbane që gëzonte mbrojtjen e drejtpërdrejtë të Sulltanit.
E dyta, duket se klerikët ortodoks, duke filluar me vetë patrikun e Kostandinopojës, nuk hasën në asnjë pengesë serioze gjatë misionit të tyre, jo vetëm për të ndërtuar e rindërtuar kisha e shkolla fetare, po as për të zhvilluar haptas propagandë antiosmane tek fshatarësia, për vite të tëra, madje dekada. Patrikana e Kostandinopojës kishte pushtet absolut mbi komunitetet e krishtera, ishte pronari më i madh i tokave në perandori dhe gëzonte gjithashtu mbrojtjen e drejtpërdrejtë të Sulltanit, shumë më përpara se këtë rol ta merrte Perandoria Ruse.
E treta, shohim një mori individësh të krishterë ortodoksë (shqiptarë, grekë, arumunë, armenë, etj) që janë të lirë të zhvillojnë tregti brenda dhe jashtë perandorisë (me mbështetjen e Rusisë) e të fitojnë pasuri marramendëse pa u ndjerë asnjëherë të rrezikuar nga pushteti osman, ndonëse krijojnë lidhje të ngushta me shtetin rus.
E katërta, siç shohim nga analiza e mësipërme, pas hapjes së shkollave greke e armene qëndronte Perandoria Ruse dhe plani i saj për krijimin e shtetit grek dhe armen dhe dominimin e Detit të Zi. Shkollat greke u hapën që në gjysmën e parë të shekullit XVIII dhe vazhduan veprimtarinë e tyre pavarësisht situatave të tensionuara politike mes dy perandorive dhe konflikteve të shumta të armatosura mes Portës dhe pashallarëve vendas.
Comments
Shto një koment