Greqishtja dhe shqipja - a mund të maten me njëra-tjetrën?

Tabelë dy gjuhëshe në çakonishte dhe greqishten moderne në zonën e Spartës.

Nëse do t'i vinim të dyja gjuhët përballë njëra tjetrës dhe të bënim një vlerësim historik sipas kontributit të secilës në kulturën botërore, do të ishte e pamundur të mos binte në sy pesha e madhe historike e greqishtes kundrejt asaj pothuajse inekzistente të shqipes. Ndërkohë që greqishtja figuron si gjuhë e shkruar këtu e pothuajse 3000 vjet përpara, historia e gjuhës së shkruar shqipe është ende në fazën foshnjore të saj. Jo vetëm kaq por ndërkohë që greqishtja ka qenë mjeti kryesor i formimit të mendimit politik, filozofik, artistit e shkencor europian për shekuj me radhë, ata që e kanë përdorur gjuhën shqipe si mjet të zhvillimit të mendimit konkret e abstrakt, me përjashtim të ndonjërit, janë ende shumë të paktë dhe pa ndonjë ndikim të madh në arenën globale.

Edhe në aspektin teknik greqishtja tregon dukshëm epërsi. Fondi i saj gjuhësor është i jashtëzakonshëm. Ka aq shumë fjalë origjinale saqë ato përdoren si material referene për studimin e pothuajse të gjitha gjuhëve të tjera europiane, të lashta e moderne. Krejt e kundërta ndodh me shqipen, fondi gjuhësor i së cilës (pothuajse gjysma) është e mbushur me fjalë të huazuara, ndër to edhe shumë fjalë greke të periudhave të ndryshme.

Në këto kushte, matja e shqipes me greqishten është shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur. Madhështia imponuese e greqishtes ka "thyer" psikologjikisht edhe gjuhëtarët e historianët më të zotë që ka bota, le më njerëzit e thjeshtë. Që të hahesh kokë më kokë me greqishten duhet që praktikisht të braktisësh arsyen dhe mendimin kritik për të kaluar në anën e delirit dhe fantazive konspirative, sepse vetëm atje ligjet e natyrës dhe shoqërisë njerëzore mund të përkulen sipas dëshirës dhe të manipulohen për të dalë në konkluzione pseudoshkencore.

Këtë realitet e ka përdorur me shumë ligësi pseudoshkenca neo-heleniste, e cila është përpjekur historikisht të poshtërojë shqiptarët dhe identitetin e tyre etnik duke zhvlerësuar shqipen nëpërmjet autoritetit të padiskutueshëm të gjuhës greke. Duke nënvlerësuar shqipen e duke e cilësuar atë si primitive e të pazhvilluar, pseudoshkenca neo-heleniste ka arritur që t'u imponohet shumë shqiptarëve në tentativat e saj për t'i asimiluar në identitetin ideologjik etno-religjoz neo-helenist.

Por lind pyetja: a qëndron kjo si premisë në radhë të parë? A është teknikisht e saktë përpjekja për t'i vënë të dyja gjuhët në një kandar? A i përkasin ato të njëjtës kategori, siç i përkasin të njëjtës kategori, p.sh. dy boksierë që ndeshen në ring? A do të ishte e drejtë, pra, t'i vendosnim këto dy gjuhë përballë njëra-tjetrës? Jo. Nuk do ishte aspak e drejtë. Greqishtja dhe shqipja nuk i përkasin të njëjtës kategorie. Edhe pse të dyja janë gjuhë të dy popujve fqinjë, ato kanë një zhvillim historik krejt të ndryshëm nga njëra tjetra dhe më poshtë unë do shpjegoj pse.

Cili është dallimi mes greqishtes dhe shqipes?

Greqishtja moderne që njohim sot nuk është një gjuhë popullore (gr. dimotiko) me zhvillim natyral të pavarur dhe e trashëguar brez pas brezi si gjithë gjuhët e tjera natyrale, por një gjuhë institucionale e trashëguar dhe e përpunuar për shekuj me radhë nga institucionet fetare e shtetërore. Greqishtja moderne është pasardhëse e greqishtes Koine të perandorisë bizantine dhe të folmes së Atikës së lashtë, zonës së qytet-shtetit të Athinës. Një gjuhë e konservuar nga institucionet shtetërore e fetare nëpërmjet letërsisë, ritualeve, dokumenteve zyrtare, etj.

Ashtu si latinishtja, greqishtja është mbajtur nën "mbikqyrje" të vazhdueshme institucionale dhe është ringjallur nëpërmjet mënyrave të ndryshme, duke filluar që nga transferimi i popullsive të tëra greqishtfolëse drejtë Greqisë së sotshme kontinentale, shkrimi i doktrinave fetare, rifutjes në përdorim me dekret perandorak, e deri tek rifutja e elementëve të greqishtes së vjetër nëpërmjet reformës gjuhësore, siç ndodhi me Katarevusan dhe standardin e ri të greqishtes, nga e cila janë hequr e zëvendësuar shumë huazime shqipe, sllave, latine e osmane.

P.sh. pas bastisjeve avaro-sllave në shekullin VI-VII e.s dhe pothuajse zhdukjes së të gjithë latinisht folësve në Ballkanin jugor e perëndimor, perandori bizantin e ndërroi gjuhën zyrtare të perandorisë nga latinishtja në greqisht duke u mbështetur më shumë tek greqisht folësit e Azisë së Vogël, ishujve dhe greqisht folësve të gadishullit italik. Pastaj, gjatë shekujve VIII-IX, perandorët bizantinë ndërmorën një fushatë masive për zhvendosjen e popullsive sllave nga Greqia kontinentale drejt Anadollit dhe importimin e greqisht folësve nga ishujt, Azia e Vogël, Trebizondi dhe Siçilia, në Greqinë ballkanike. 

Pastaj, në shekullin XX shteti grek ndërmori disa fushata për rivendosjen e sundimit absolut të greqishtes në Greqi, si politike, nëpërmjet shkëmbimit të popullsive myslimane e ortodokse me Turiqnë, ashtu edhe gjuhësore, nëpërmjet eksperimentimit me të ashtuquajturën Katharevousa, një variant i Greqishtes moderne i bazuar tek greqishtja e lashtë, spastrimit të greqishtes nga huazimet e gjuhëve fqinje dhe asimilimit me dhunë të elementit etnik jo grek.

Pra greqishtja që kemi sot është, si të thuash, një gjuhë e ruajtur "në frigorifer" dhe ka shumë pak zhvillim natyral, sepse sa herë që fillon të marrë rrugën e saj të zhvillimit natyral, një autoritet institucional X e merr dhe e fut sërish në kallëpin e saj të vjetër. (sfida më e re për greqishten moderne janë huazimet nga anglishtja). Përveç latinishtes, asnjë gjuhë tjetër në Europë nuk mund të krahasohet me greqishten për nga historia e saj institucionale. As vetë gjuhët romanike (gjuhët italike, frankofone, iberike, etj.) Këto janë dy raste krejt të veçanta në historinë e Europës e madje të botës.

Gjuhët natyrale, nga ana tjetër, kanë një cikël jetësor krejt të ndryshëm. Ato bashkëveprojnë me gjuhët fqinje, pësojnë ndryshime dhe transformime rrënjësore, shkëmbejnë elementë gjuhësorë, degëzohen në dialekte të shumta, e kështu me radhë. Nuk pa pasur asnjëherë një "gardian" politik e ideologjik që të jetë kujdesur për ruajtjen e gjuhëve natyrale në formën e tyre të pandryshuar. Prandaj dhe, po të krahasosh shqipen (apo çdo gjuhë tjetër natyrale) me greqishten moderne, e para ka shumë më tepër dialekte e variacion në të folur se e dyta.

Në shumë raste, gjuhët natyrale janë folur nga një numër aq i vogël njerëzish sa që shkrimi i tyre nuk është shoqëruar asnjëherë me përfitim financiar. Pra nuk ka pasur mjaftueshëm interes ekonomik që të investohet në ngritjen dhe mirëmbajtjen e një sistemi shkrimi. Shqipja është një rast i tillë. Duke qenë që folësit e saj kanë qenë gjithmonë të pakët dhe jeta e tyre ka qenë gjithmonë e kufizuar brenda sistemit fisnor, nuk janë krijuar asnjëherë kushtet për të ngritur një sistem të tërë shkrimi e komunikimi pasi këtë rol e ka luajtur më së miri greqishtja dhe pastaj latinishtja. Por kjo është e vërtetë edhe për shumë gjuhë romanike, dokumentet e të cilave vazhduan për një kohë të gjatë të shkruheshin në latinisht edhe pse shumica e popullsisë romanike latinishten nuk e kuptonte fare.

Në këtë kontekst, duhet të kuptojmë se gjuha shqipe nuk mund dhe nuk duhet të krahasohet me gjuhën moderne greke, një gjuhë e mbajtur në ulluk nga institucionet shtetërore e fetare ndër shekuj, por me gjuhën çakone (Tsakonian), një gjuhë tjetër greke, e cila, njësoj si shqipja, nuk është shkruar asnjëherë në shekujt e mëparshëm dhe po njësoj si shqipja, ka pasur mundësinë të zhvillohet në mënyrë krejt natyrale, pa u prekur asnjëherë nga ndikimi institucional.

Çakonishtja mendohet se është pasardhëse e greqishtes dorike (Doric) dhe flitet në Sparta. Greqishtja moderne dhe çakonishtja janë të dyja gjuhë greke por në thelb të pakuptueshme me njëra tjerën. Problematikat e zbulimit të historisë së çakonishtes janë të ngjashme me problematikat e zbulimit të gjuhës shqipe thjeshtë për faktin se nuk kanë dëshmi të shkruara në lashtësi. Madje duke qenë që për cçakonishten nuk ekziston asnjë dokument i shkruar, disa studiues kanë filluar të hedhin dyshime mbi teorinë e ekzistencës e dorëve (Dorians) si popullsi reale, duke e interpretuar atë si thjeshtë koncept letrar. Çakonishtja sot ka shumë fjalët të huazuara, shumica e tyre prej greqishtes moderne dhe fondin gjuhësor origjinal e ka shumë të vogël. Por një folës i zakonshëm i greqishtes moderne nuk e kupton çakonishten, as të folur, as të shkruar, përveç se disa fjalë të huazuara tek-tuk nga greqishtja moderne. Shumë interesant është fakti që e folura çakonishte ngjason shumë nga tingulli dhe shqiptimi i germave me të folurën e shqipes së arvanitasve. Unë nuk e di nga vjen kjo, por ndoshta ka të bëjë me prezencën e gjerë të arvanistave në Peloponez dhe influencën e shqipes tek çakonishtja.

Në përfundim dua të shtoj se studimi i gjuhëve nuk bazohet vetëm tek dokumentet e shkruara. Mënyra se si gjuhët bashkëveprojnë e ndryshojnë na jep gjithashtu një informacion shumë të vyer mbi origjinën dhe ciklin e tyre jetësor. Gjuhët "e ngrira" institucionale si greqishtja dhe latinishtja, e madje edhe sllavishtja e vjetër kishtare apo turqishtja osmane kanë një gjë të mirë sepse shërbejnë si shembuj krahasimi dhe analize për studimin e gjuhëve të tjera që nuk janë shkruar në lashtësi, dhe nga këto shembuj krahasimi gjuhëtarët nxjerrin të dhëna mbi historinë e gjuhëve natyrale, përfshi dhe shqipen.

Comments

  1. Lexoni librin e Peter Mackridge pers a i perket greqishtes dhe do e kuptoni se si eshte zhvilluar greqishtja moderne ose demotike qe greket flasin sot. Ne 1821 greqishtja qe flitej ne greqi nuk kishte te bente fare me greqishten e vjeter as me pak sa italishtja ose frnegjishtja kane te bejne me latinishten dhe philhellenet qe kishin studiuar greqishten e vjeter ne evrope nuk kuptonin asgje kur erdhen ne greqi. Fjalori i Bocarit ka rreth 1500 fjale qe tregon se sa te zhvilluara ishin gjuhet ne ate kohe. Ne fakt per te komunikuar duhen rreth 300 fjale ne cdo gjuhe. Historia se si greket u munduan te mesojne greqishten e vjeter ne shkolla qe nuk e kuptonte asnjeri deri sa e braktisen ne 1976 eshte nje nga me qesharaket ne bote, njelloj sikur egjipti te filloje te detyroje popullsine te flasi gjuhen e faraoneve dhe te shkruaj ne hieroglife. Greket e pasuran gjuhen e varfer demotike me fjale nga greqishtja e vjeter por nuk arriten ta flasin ate asnjehere, po te shtosh te njetat fjale nga greqishtja e vjeter tek gjuha e jevgjive edhe gjuha e tyre transformohet dhe behet greke e vjeter. Ndersa nga ana gramatike gjuha shqipe eshte me e afert me greqishten e vjeter sesa demotike qe nuk ka gjini dative fare. Nje projekt artifical complet, ashtu si dhe gjuha hebraike qe flitet sot ne Israel.

    ReplyDelete

Shto një koment

Shkrimet më të lexuara të muajit

Pse u konvertuan shqiptarët në myslimanë?

Epoka e errët shqiptare

Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj?