Pallati 176 - edhe ngjyrat flasin

Ngjyrat më të përdorura në vitet 70

Përveç vlerave artistike të skenarit, regjisë dhe lojës së aktorëve, në komedinë "Pallati 176" shprehet edhe një formë tjetër arti për të cilën është folur pak ose aspak - skenografia dhe kostumografia, dy elementë të skenës, të cilat, pa u kuptuar, mund ta ngrenë ose ta ulin vlerën e veprës në mënyrë të ndjeshme.

Skenograf i shfaqjes ka qenë Kristo Cala, ndërsa emrin e kostumografit/es nuk kam arritur ta gjej. Nëse e dini, ju lutem lëreni në koment.

Në një vështrim të hollësishëm do të vëmë re që skenografi e kostumografi kanë punuar me mjeshtëri për zgjedhjen e skemës së ngjyrave dhe përdorimin e tyre në funksion të mesazhit të veprës e të harmonisë së përgjithshme vizuale të shfaqjes. (Në regjistrimin televiziv gjallëria e ngjyrave ka humbur disi, por në skenë ato do të jenë shfaqur me gjithë shkëlqimin e tyre.) Disa gjëra që bien në sy janë p.sh. fakti që dy apartamentet e Pallatit 176 kanë në thelb të njëjtën skemë ngjyrash (e kuqërremtë, gjelbër, gri) por të kombinuar në mënyrë të tillë që nëpërmjet tyre të kryen disa funksione: të bëhet dallimi i qartë mes njërës familje dhe tjetrës, e detyrimisht mes dy skenave, si dhe të jepet mesazhi që njëra familje është familje punëtorësh ndërsa tjetra, familje intelektualësh. 

Ndonëse ngjarjet zhvillohen në fund të viteve 80, skema e përzgjedhur e ngjyrave është në fakt tipike e viteve 70. Kjo tregon se si trendet e botës perëndimore vinin pak më me vonesë në Shqipëri dhe për shumë arsye qëndronin në modë më gjatë. Gjithashtu këtë kombinim ngjyrash e gjejmë të rikthyer edhe në shumë filma e seriale të dekadës së fundit, ku vihet re një përdorim i gjerë i këtij kombinimi në çdo rast kur ngjarjet zhvillohen në vitet 40-60.

Në apartamentin Bregu mbizotërojnë ngjyrat e ngrohta tradicionale, ngjyrat e klasës punëtore: e kuqërremtë, vishnje, mustardë, gri dhe e gjelbra e errët e karrigeve. Këto ngjyra bashkëshoqërohen me ngjyrat e veshjeve të personazheve: Jovani ka veshur këmishë me vija ngjyrë vishnje, kravatë me nuanca të të kuqërremtës (të ngjashme me përparësen e Marjetës) dhe jelek e pantallona bojë kafe. Rita ka veshur rroba xheketë gri me fund vishnje. Nën anën tjetër të skenës gjendet Marjeta e cila ka veshur bluzë ngjyrë mustardë, fund gri dhe përparëse me lule vishnje.

Në apartamentin Bregu dominojnë ngjyrat e ngrohta që simbolizojnë klasën punëtore. Xhaketa ngjyrë gri e Ritës krijon kontrast të qartë që na tregon se Rita është element i huaj në këtë ambient.

Ndërkohë që ngjyra e kuqërremtë është ngjyra e aksionit dhe që dominon më shumë në anën e majtë të apartamentit Bregu, ngjyra mustardë është përdorur nga artisët për të simbolizuar neutralitetin e Marjetës dhe qoshes së saj në anën e djathtë të skenës.

Në anën tjetër, në apartamentin e Perikliut dominon ngjyra e gjelbër që është më e ftohtë e që ilustron statusin e tyre prej intelektualësh. Kjo shoqërohet me po të njëjtën skemë ngjyrash, kolltukët ngjyrë të kuqërremtë e bojë kafe dhe dekorin ngjyrë gri në mur. Ngjyrat e apartamentit reflektohen tek ngjyrat e veshjeve të personazheve: Liria ka veshur fund të gjelbër dhe bluzë me nuanca të së gjelbrës. Ndërsa Perikliu ka veshur kostum ngjyrë gri dhe kravatë të kuqërremtë.

Në apartamentin e Perikliut dominojn ngjyra e gjelbër që simbolizon klasën intelektuale. Kjo skemë ngjyrash është e njëjtë me atë që është përdorur tek apartamenti Bregu por në të kundërt.

Skena e tretë është skena e zyrës së Sandrit dhe Irenës. Atje janë kombinuar ngjyra e kaltër me ngjyrën gri. Këto ngjyra simbolizojnë aspektin teknik të ambientit dhe bëjnë një ndarje të qartë mes zyrës dhe apartamenteve. Ngjyrat e zyrës reflektohen tek ngjyrat e veshjeve të personazheve: Sandri ka veshur kostum gri dhe këmishë me ngjyrë të kaltër, ndërsa Irena ka një fustan ngjyrë gri në blu. Këto ngjyra, natyrisht, simbolizojnë edhe brezin më të ri.

Në zyrën e Sandrit e të Irenës dominojnë ngjyrat e ftohta teknike. Ngjyra e kaltër moderne
bën kontrast me ngjyrat e mbyllura dhe mustardën e veshjes së Jovanit.

Tek zyra dhe tek apartamenti Bregu vihen re edhe nje kombinim ngjyrash që përputhet me njëra tjetrën: radioja ngjyrë blu me vishnje në bufe dhe ngjyra blu e fustanit te Irenës me dosjen vishnje që mban në dorë.

Të vetmit që janë të pavarur nga ngjyrat e skenave përkatëse janë Elsa me Fredin, të cilët qëndrojnë veçmas në skenar. Megjithatë, edhe këtu ngjyrat e përdorura kanë kuptimin e tyre. Ndërkohë që veshja e Fredit mbetet e pandryshuar, duke treguar kështu, në një farë stabiliteti gjatë gjithë shfaqjes, veshja e Elsës ndryshon sipas gjendjes së saj emocionale. Në fillim ajo paraqitet me të kuqe me pika të bardha e me jakë të hapur, për shkak se është e lumtur. Pastaj ajo ka veshur një pulovër ngjyrë blu të errët e me jakë të mbyllur, që simbolizon trishtimin. Ndërsa kur shkon tek zyra e Sandrit, ajo ka veshur sërish ngjyrë të kuqe të flaktë, por kësaj radhe është kombinuar me një xhaketë me linja formale, gjë që simbolizojnë gjendjen e saj të acaruar e zyrtare.

Ngjyrat e veshjes së Elsës dhe jaka e hapur tregojnë gjendjen e saj emocionale pozitive.

Ngjyra blu e errët e pulovrit të Elsës dhe jaka e mbyllur tregon
gjendjen e saj emocionale të trishtuar e të "mbytur".

Bluza e kuqe dhe xhaketa e bardhë me linja formale tregojnë gjendjen e acaruar të Elsës. Vini re se si dosja ngjyrë të kuqërremtë që ka në duar Irena krijon balancë me veshjen e kuqe të Elsës dhe ruan vazhdimësinë e skemës së zgjedhur.

Një detaj shumë interesant që ndoshta pak veta mund ta kenë vënë re është fakti që në një nga skenat në apartamentin bregu, Marjeta është duke punuar me shtiza një bluzë ngjyrë rozë, të cilën ajo pastaj në skenën e fundit e ka të veshur, gjë që simbolizon lajmin e gëzueshëm dhe zgjidhjen e konfliktit.

Marjeta duke punuar një veshje ngjyrë rozë me shtiza, simbol i një lajmi të mirë që do të vijë.

Në Skenën e fundit Marjeta e ka veshur bluzën bojë rozë,
pasi në këtë skenë ajo merr vesh lajmin e mirë.

Më poshtë po paraqes disa shembuj të kombinimit të ngjyrave të përdorura nga skenografi në ambientet e brendshme të viteve 70.

Kombinimi i ngjyrave në apartamentin e Perikiliut dhe Lirisë

Kombinimi i ngjyrave në apartamentin e Jovanit dhe Marjetës.

Kombinimi i ngjyrave në zyrën e Sandrit dhe Irenës

Comments

Shkrimet më të lexuara të muajit

Pse u konvertuan shqiptarët në myslimanë?

Epoka e errët shqiptare

Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj?