Si do ishte sot Zvicra sikur...
| Harta gjuhësore e Zvicrës |
Zvicra është një shtet i vogël malor në zemër të Europës, e rrethuar me fqinjë të mëdhenj e të fuqishëm si Gjermania, Franca, Italia dhe Austria. Zvicra nuk ka pothuajse fare burime natyrore, nuk ka dalje në det dhe popullsia e saj është e ndarë në katër grupe të ndryshme gjuhësore, të cilët kanë më shumë ngjashmëri me fqinjët përtej kufirit se sa me njëri-tjetrin. Sipas logjikës historike Zvicra nuk duhet të ekzistonte. Ajo duhej të ishte copëtuar e përpirë nga fqinjët e saj shekuj më parë. E megjithatë, jo vetëm që Zvicra ekziston, por është një nga shtetet më të pasura, më të qëndrueshme dhe më të çmuara të botës.
Po pse ekziston Zvicra si shtet? Zvicra ekziston dhe lulëzon për këto arsye:
Fqinjët e saj vendosën dikur në të shkuarën që u leverdiste të kishin një territor neutral mes tyre. Pas shumë shekujsh luftë, fuqitë e mëdha vendosën që për interesat e tyre të përbashkëta një Zvicër e pavarur ishte më mirë se një Zvicër e copëtuar.
Zvicra nuk iu nënshtrua asnjëherë fushatave të njëpasnjëshme e sistematike zhdukëse.
Zvicra është pushtuar disa herë e madje ka kaluar edhe luftë civile. Por nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e këtij shteti që fqinjët e saj të kenë bërë plane për ta zhdukur atë nga faqja e dheut.
Ekonomia vendase i ka pasur gjithnjë dyert e hapura te tregjet e fqinjëve të saj më të mëdhenj. Që nga mercenarët e shërbimet bankare e deri te çokollatat e orët e dorës, sipërmarrja vendase nuk ka hasur asnjëherë vështirësi në eksportin e produkteve dhe shërbimeve vendase. Paratë hynin brenda, nuk rridhnin jashtë.
Zvicra pati të gjithë kohën e duhur në dispozicion. Stabiliteti politik shekullor krijoi mundësinë që institucionet të piqeshin, mirëbesimi ndaj tyre të rritej dhe normat qytetare të forcoheshin.
Dallimet gjuhësore të popullsisë së Zvicrës nuk u shfrytëzuan asnjëherë si armë e mjete konfliktndjellëse nga politikat shoviniste. Asnjë nga fuqitë fqinje nuk nxiti armiqësi dhe urrejtje mes popullsive gjermanisht, frëngjisht, italisht e romanshfolëse me qëllim për të dobësuar federatën.
Tani le të përfytyrojmë të kundërtën. Le të përfytyrojmë sikur secili prej fqinjëve të saj të kishte bërë plane për zhdukjen e shtetit zviceran.
Ç'do të bëhej sikur Franca të mos ta kishte pranuar asnjëherë neutralitetin e Zvicrës, por të kishte vazhduar të pretendonte aneksimin e Gjenevës dhe gjithë kantoneve frëngjishtfolëse?
Ç'do të bëhej sikur Italia të mos kishte hequr dorë asnjëherë nga pretendimet për aneksimin e Tiçinos dhe të kishte propaganduar vazhdimisht kthimin e asaj krahine në “atdheun mëmë”?
Ç'do të bëhej sikur Gjermania (në fillim Prusia, pastaj Perandoria Gjermane, pastaj Gjermania Naziste dhe në fund Gjermania moderne) t’i kishte parë kantonet gjermanishtfolëse si territor të marrë peng? Apo sikur të njëjtat kërkesa t’i kishte ngritur Austria, kur ishte fuqi e madhe?
Ç'do të bëhej sikur për 100 e kusur vjet me radhë, çdo brez zviceranësh të rritej me mendimin fiks se fqinjët e tyre bënin vazhdimisht plane si e si t’i dëbonin e t’i hiqnin qafe një herë e mirë nga Ballkani? Sikur fëmijët zviceranë të mësonin historinë e vendit të tyre jo si histori të një pavarësie krenare, por si një përpjekje e vazhdueshme për mbijetesë?
Le të përfytyrojmë për një moment sikur fuqitë e mëdha të mbështesnin copëtimin e Zvicrës.
Ç'do të bëhej sikur Kongresi i Vjenës i vitit 1815, në vend që të garantonte neutralitetin e Zvicrës, të vendoste që Zvicra ishte një “krijesë artificiale” dhe që territori i saj do të kishte më shumë stabilitet nëse do të ndahej mes fqinjëve të saj të mëdhenj?
Ç'do të bëhej sikur Traktati i Versajës pas Luftës së Parë Botërore të përfshinte protokolle sekrete për çështjen zvicerane?
Ç'do të bëhej sikur në përpjekjen e saj për t'u anëtarësuar në institucione ndërkombëtare pas Luftës së Parë Botërore Zvicrës t’i thoshin: “Në fillim zgjidh konfliktet me fqinjët, merr aprovimin e tyre, vërtetoje që mund të jesh një fqinj i mirë, pastaj shohim e bëjmë?”
Le të përfytyrojmë për një moment sikur integrimi ekonomik i Zvicrës të pengohej me qëllim.
Ç'do të bëhej sikur eksporti i çokollatës dhe orëve të dorës të pengohej me tarifa e legjislacion ndëshkues? Sikur bankat e saj të mos lejoheshin të përfitonin nga sistemet ndërkombëtare financiare? Sikur punëtori zviceran që kërkonte punësim në Francë, Gjermani apo Itali të trajtohej si emigrant i jashtëligjshëm, të gjurmohej nga policia dhe të riatdhesohej?
Le të përfytyrojmë për një moment sikur larmia gjuhësore e popullsisë së saj të keqpërdorej.
Ç'do të bëhej sikur Franca të mbështeste lëvizje separatiste në Gjenevë dhe Vaud, me premtime për mirëqenie e prosperitet nëse ata do të shkëputeshin nga shumica “shtypëse” gjermanishtfolëse?
Ç'do të bëhej sikur Gjermania të financonte parti politike në Zyrih që kërkonin Anschluss (bashkim) me Gjermaninë?
Ç'do të bëhej sikur teksa zviceranët përpiqeshin të ndërtonin identitetin e tyre kombëtar, ata të akuzoheshin për “hegjemoni”, “asimilim”, apo “shovinizëm etnik”?
Le të përfytyrojmë për një moment sikur Zvicra të pushtohej në mënyrë periodike.
Ç'do të bëhej sikur çdo dhjetëvjeçar, njëri prej fqinjëve të Zvicrës të vendoste t’i jepte asaj një mësim duke i shkëputur copëza territori? Sikur këto fushata ushtarake të shoqëroheshin me masakra, dëbime dhe përpjekje për të ndryshuar përbërjen etnike të zonës së pushtuar?
Ç'do të bëhej sikur çështjet e integritetit territorial, identitetit kombëtar dhe të drejtës për të ekzistuar të shkaktonin traumë kolektive tek populli zviceran?
Atëherë me shumë gjasa Zvicra që do të kishim sot nuk do të ishte e njëjtë me atë që është. Përkundrazi ajo do të ishte:
E varfër, pa akses të lirë në tregje, pa të drejtën për të bërë tregti të lirë, pa mundësinë për të mbledhur kapital përgjatë brezave. Malet e saj të larta nuk do të ishin një nga destinacionet më të vizituara turistike, por thjesht pengesa gjeografike që vështirësojnë lëvizjen.
Politikisht e destabilizuar, vazhdimisht nën presionin e ndërhyrjeve politike nga jashtë, me lëvizje separatiste të financuara nga fqinjët e saj, nën rrezikun e vazhdueshëm të pushtimeve. Në këto kushte politika zvicerane do të ishte pre e një lufte të vazhdueshme e fraksioneve të ndryshme për pushtet, që nga njëra anë do të deklaronin se ishin mbrojtësit e vetëm të interesave të popullit, por nga ana tjetër do të ishin në shërbim të fuqive të huaja.
Pa institucione të zhvilluara. Si mund të ndërtosh një sistem gjyqësor të drejtë kur çdo gjyqtar mund të blihet? Si mund të ndërtosh një administratë publike profesionale kur shteti është vazhdimisht në gjendje kolapsi? Si mund të kesh besim tek institucionet shtetërore kur ato nuk të kanë dalë asnjëherë në mbrojtje?
E kapur nga krimi i organizuar. E vetmja lidhje me botën e jashtme do të ishte nëpërmjet kanaleve kriminale. Kontrabanda do të bëhej industri kombëtare. Zviceranët më të pamëshirshëm e më kodosha do të kapnin të gjitha burimet kryesore të mbijetesës. Ata do të sundonin nëpërmjet frikës, nga një popullsi që do të varej prej shërbimeve të tyre.
E sakatuar prej emigracionit. Të rinjtë me ambicie do të largoheshin. Ata do të kalonin kufijtë ilegalisht, do të punonin pa letra në Lion, Milano dhe Mynih, do t’u dërgonin familjeve në atdhe paratë e fituara, duke ëndërruar për ditën kur do të ktheheshin në vendlindje, edhe pse ajo nuk do të ekzistonte më përveçse në kujtimet e tyre.
E traumatizuar. Psiqika kombëtare do të vuante nga ajo që psikologët e quajnë “traumë komplekse”, një lloj traume që shkaktohet prej ndjesisë së të qenit në rrezik, në mënyrë të përsëritur e pa ndërprerje. Paranoja, fatalizmi, cinizmi dhe mosbesimi i thellë ndaj njëri-tjetrit.
Por ironia më e madhe do të ishte që në këto kushte imagjinare, fqinjët e Zvicrës, ata që do të kishin bërë çmos e çnuk për ta zhdukur atë, me përçmim do të thoshin: “Shihni zviceranët, ky popull klanor kriminal të cilit nuk mund t’i zihet besë. Ata nuk janë në gjendje të qeverisin veten e tyre. Ata nuk kanë respekt për ligjet. Institucionet e tyre janë të korruptuara. Rinia e tyre largohet në rastin më të parë. Qartazi, ata nuk janë gati t’u bashkohen komunitetit të kombeve të qytetëruara.”
Ata nuk do ta pranonin kurrë rolin e tyre në krijimin e “përbindëshit” që dënojnë. Që rrjeti kriminal zviceran do të ekzistonte për shkak të mbylljes së kufijve. Që destabiliteti politik zviceran do të ishte pasojë e drejtpërdrejtë e ndërhyrjes së tyre në politikat e brendshme dhe nxitjes së trazirave ndëretnike. Që varfëria zvicerane do të ishte nënprodukt i pengesave tregtare dhe sanksioneve. Ata thjesht do të tregonin me gisht dhe do të thoshin: “E shihni? Ne kishim të drejtë. Zvicra nuk meritonte të ekzistonte si shtet.”
Gjithë këto që përmenda më sipër nuk janë një situatë hipotetike, por historia e vërtetë e popullit shqiptar. Fqinjët janë Serbia, Mali i Zi, Greqia, Maqedonia, me bekimin e fuqive të mëdha si Rusia, Austro-Hungaria, Italia, Gjermania dhe gjithë Europa që deri dje bënte një sy qorr e një vesh shurdh.
Zvicra që përshkruam nuk është gjë tjetër veçse shqiptaria gjatë epokës së errët shqiptare. E megjithatë, pavarësisht pushtimeve, copëtimit, izolimit, varfërisë dhe traumës, shqiptaria rron. Gjuha mbijetoi, kultura rezistoi dhe populli i shpërndarë në të katër anët e globit prapëseprapë me krenari e quan veten shqiptar.
Zvicra e hipotetizuar prej meje do të ishte një tragjedi. Shqiptaria jo. Një popull i varfër, i traumatizuar, i izoluar, i sulmuar, i mohuar, i shfrytëzuar dhe i harruar, i cili nuk pranoi kurrë të zhdukej. Çështja nuk është nëse shqiptaria ka apo jo probleme. Çështja është si arriti të mbijetojë. Dhe përgjigja është fare e thjeshtë. Historia ka treguar se dëshira dhe aftësia e shqiptarit për të ekzistuar si shqiptar është shumë më e madhe dhe më e fortë se çdo perandori, çdo embargo dhe çdo fushatë shfarosjeje. Zvicra që përfytyrova unë do të ishte zhdukur. Shqiptaria jo. Ky është dallimi.
Comments
Shto një koment