Çfarë është politika dhe çfarë duhet të presim prej saj?
Në mentalitetin shqiptar ekziston një konfuzion në lidhje me kuptimin e termit politikë dhe politikan. Shumë njerëz nuk janë në gjendje të bëjnë dallimin mes politikës konstruktive dhe asaj destruktive, mes politikanit të aftë dhe atij të paaftë. Prandaj, më poshtë do përpiqem të jap një shpjegim të thjeshtuar të këtyre koncepteve.
Natyrisht, për disa njerëz këto që thuhen më poshtë mund të duken ashiqare. Megjithatë, ata do të çuditeshin po të dinin se sa e paqartë është për njerëzit e thjeshtë lidhja që kanë të tilla koncepte me jetën e tyre të përditshme dhe se sa lehtë mund të kuptohen ato.
Çfarë është politika?
Të ndryshme janë përkufizimet dhe po aq të ndryshme janë interpretimet. Në Wikipedia thuhet: Politika është praktika dhe teoria e ndikimit mbi njerëzit e tjerë në nivel qytetari ose individual. Ose e thënë më ngushtë, kontroll i organizuar mbi një komunitet njerëzish. Sipas www.thefreedictionary.com politika është arti dhe shkenca e qeverisjes së një entiteti politik, si p.sh. një shteti, dhe administrimi e menaxhimi i punëve të brendshme e të jashtme të tij. Një përkufizim akoma më i thjeshtë po tek thefreedictionary.com e përcakton politikën si “gjithë metodat dhe taktikat e përdorura për menaxhimin e një shteti ose qeverie. Ndërsa përkufizimi i qytetarit të thjeshtë shqiptar do të ishte kështu: politika është kurvë, d.m.th politika është shitja e të gjitha vlerave morale për përfitime personale ose një grupi të caktuar njerëzish.
Të gjitha përkufizimet e mësipërme janë të vërteta, por asnjëra prej tyre nuk prek thelbin e konceptit “politikë”. Si shumë fjalë të tjera shkencore, edhe fjala politikë vjen nga greqishtja e lashtë. Përkthimi i saj fjalë për fjalë është - politikos, që do të thotë marrëdhënia me qytetarët. Megjithatë, edhe pse i afrohet shumë, as përkthimi nga origjinali nuk na shpie tek thelbi i çështjes.
Epo, çfarë është atëherë politika?
E thënë thjeshtë, politika nuk është gjë tjetër veçse tërësia e aktiviteteve që përcaktojnë marrëdhëniet mes dy apo më shumë qytetarëve, mes qytetarëve dhe shtetit, mes institucioneve, apo edhe mes shteteve. Pra, në thelb politika është arti i rregullimit të marrëdhënieve mes dy palëve. Nuk ka rëndësi nëse palët janë qytetarë, institucione, shtete apo edhe biznese private. Rëndësi ka që kur palët hyjnë në një marrëdhënie me njëra tjetrën, ato duhet të jenë të afta të ruajnë vazhdimësinë dhe suksesin e kësaj marrëdhënieje. Për këtë ato bëjnë ato veprime që mendojnë se do të jenë më dobiprurëse për marrëdhënien.
Por çfarë do të thotë të hysh në një marrëdhënie?
Në gjuhën shqipe shpjegimi është fare intuitiv, marrëdhënie, marrje dhe dhënie. Unë përfitoj diçka nga ty dhe ti përfiton diçka nga unë. Të dy palët përfitojnë nga një marrëdhënie e përbashkët. Marrëdhëniet kanë lindur bashkë me njerëzimin. Ato kanë ardhur si nevojë biologjike e tij për t’i bërë ballë vështirësive të jetës dhe grabitqarëve duke u organizuar në komunitete. Ekzistenca e këtyre komuniteteve garantonte ushqimin dhe mbrojtjen e anëtarëve në rast rreziku. Për këtë arsye, të gjithë anëtarët e komuniteti punonin për një qëllim të përbashkët, mbijetesën dhe vazhdimësinë e species së tyre. Pra, njerëzit e parë hynë në marrëdhënie me njëri tjetrin për përfitime të përbashkëta.
Është e vërtetë se që nga koha e komuniteteve të para primitive shoqëria njerëzore ka ndryshuar shumë, por thelbi i marrëdhënieve mes njerëzve ka mbetur po i njëjti. Edhe sot njerëzit hyjnë në marrëdhënie për të nxjerrë përfitime. Që nga marrëdhëniet e thjeshta me pjesëtarët e familjes e deri tek ato më të ndërlikuarat në ambientet e punës, njerëzit gjatë gjithë kohës bëjnë politikë. Politika është pjesë integrale e pashmangshme e çdo marrëdhënieje. Që një marrëdhënie të jetë e suksesshme ajo duhet të kalojë nëpërmjet tre etapave: komunikimit, evidentimit të objektivave të përbashkëta dhe bashkëveprimit. N.q.s. palët nuk gjejnë gjuhën e përbashkët në një nga këto etapa, atëherë marrëdhënia rezulton e dështuar.
Marrëdhëniet janë dy llojesh, konstruktive (dobiprurëse) dhe destruktive (rrënuese). Marrëdhënie konstruktive quhet atëherë kur palët përfitojnë në mënyrë të barabartë. Gjithsecili merr atë që do dhe objektivat e përbashkëta quhen të arritura. Në këtë rast mund të quhet që është bërë politikë dobiprurëse. Marrëdhënie destruktive quhet atëherë kur njëra palë përfiton më shumë se tjetra, kur njëra palë përfiton ndërsa tjetra jo ose kur asnjëra nga palët nuk përfiton asgjë. Në këtë rast mund të thuhet që është bërë politikë rrënuese.
Me pak fjalë, politika nuk është diçka e huaj për jetën e përditshme, përkundrazi ajo është pjesë e pandarë e saj. Politika është thelbi i shoqërisë njerëzore, i vetë njerëzimit. Politika nuk është vetëm për politikanët, ajo është pjesë e natyrës njerëzore, Prandaj, kur disa njerëz thonë se nuk merren me politikë, ata nuk bëjnë gjë tjetër veçse abstenojnë nga e drejta e tyre për të kërkuar përfitimin që u takon nga marrëdhënia me shtetin.
Tani, që t’i kthehemi pyetjes së mësipërme,se çfarë duhet të presim nga politika, duhet që të shtrojmë këto pyetje:
- Kush po përfiton nga marrëdhënia mes shtetit dhe qytetarit?
- A përfitojnë të gjitha palët në mënyrë të barabartë?
- A është duke përfituar njëra palë më shumë se të tjerat?
- Apo asnjëra nga palët nuk po përfiton asgjë?
P.sh. a përfitojnë nga politikat e shtetit si qytetarët, si sipërmarrja, si shteti, të gjithë sipas pjesës që u takon? Apo përfitojnë vetëm një grusht i vogël njerëzish dhe qytetari, sipërmarrja e shteti rrënohen Nëse përgjigjet e mësipërme rezultojnë negative, atëherë kjo do të thotë se marrëdhënia mes palëve nuk është rregulluar ashtu siç duhet (politika), e për rrjedhojë marrëdhënia mes shtetit e qytetarit është bërë destruktive.
Ndërsa, për të përcaktuar nëse një politikan (forcë politike) është i aftë apo jo, e për rrjedhojë vlen të mbështetet apo jo, duhen shtruar këto pyetje:
- A është në gjendje ky person të krijojë marrëdhënie konstruktive mes palëve?
- A është në gjendje ky person ose grup personash të krijojnë marrëdhënie konstruktive (dobiprurëse) mes qytetarit dhe institucioneve të shtetit?
- A është në gjendje ky person ose grup personash që të komunikojnë, evidentojnë dhe të bashkëveprojnë me palët e interesuara për të arritur objektivat e përbashkëta?
P.sh. a është në gjendje një drejtuesi i një institucioni të krijojë marrëdhënie korrekte, të drejta dhe dobiprurëse mes institucionit dhe qytetarit, mes institucionit dhe sipërmarrjes, dhe mes institucionit që përfaqëson dhe një institucioni tjetër, apo institucioni që ai përfaqëson injoron dhe keqtrajton qytetarët dhe sipërmarrjen dhe funksionon vetëm si vegël e interesave të veta apo e një grupi të vogël njerëzish?
Gjithashtu, a është në gjendje një x politikan ose forcë politike të komunikojë me qytetarin në mënyrë demokratike, të evidentojë interesat e përbashkëta dhe të bashkëveprojë me të në mënyrë dobiprurëse, apo zgjedh që të mashtrojë, fyejë, shantazhojë, të bëjë sikur interesohet dhe pastaj ta injorojë totalisht Nëse përgjigjet e mësipërme rezultojnë negative, atëherë kjo do të thotë se politikani (forca politike) është i paaftë, se marrëdhëniet që ndërton ai nuk sjellin dobi për të gjitha palët në mënyrë të barabartë dhe se interesat e tij (saj) nuk përputhen me ato të qytetarëve.
Comments
Shto një koment