Pse nuk bashkëpunoi Balli Kombëtar me britanikët gjatë luftës së dytë botërore?



Sot diskutohet gjerësisht për luftën e dytë botërore dhe aleancat politike të asaj periudhe, dhe zakonisht janë komunistët ata që akuzohen se shkëputën lidhje me "perëndimin" dhe demokracitë evropiane (që në atë periudhë nuk ekzistonin), për shkak se u lidhën me sllavët, armiqtë kryesorë të shqiptarisë, dhe se e çuan Shqipërinë drejt lindjes komuniste e rrjedhimisht drejt diktaturës. Lidhja e komunistëve shqiptarë me komunistët jugosllavë gjatë luftës së dytë botërore është anatemuar parë e mbrapsht, është dënuar në të gjitha format dhe është konsideruar si mallkimi që solli në pushtet diktaturën komuniste.

Mirëpo a ishin komunistët të vetmit ata që nuk kishin besim tek "perëndimi"? Po Balli? Po Legaliteti? Si është e mundur që asnjëra nga forcat politike shqiptare nuk zgjodhi të bashkëpunonte me "perëndimin" dhe përfaqësuesin e tij në Shqipëri në atë periudhë, Britaninë e madhe?*

*Kur flas për bashkëpunim, e kam fjalën për aleancë të mirëfilltë politike e ushtarake si ajo që përfitoi Kosova në vitin 1999 me ndërhyrjen e Amerikës. Këtu nuk flas për furnizimet e kufizuara me armatime britanike dhe interesat afatshkurtra strategjike të forcave aleate.

Le të marrim si shembull Ballin. Organizata e Ballit Kombëtar është e njohur kryesisht për bashkëpunimin e saj me nazistët, dhe diskutimet kryesore për aktivitetin e saj politik vërtiten përgjithësisht rreth kësaj teme. Për këtë arsye ajo ka qenë subjekt i debateve e diskutimeve të shumta politike e akademike, duke u etiketuar herë si tradhtare e herë si viktimë e komunistëve. Megjithatë, pyetja kryesore që shtrohet në raport me Ballin është gjithmonë kjo: Pse bashkëpunoi Balli me nazistët? 

Për t’i dhënë përgjigje kësaj pyetjeje, unë dua t’i jap përgjigje një pyetjeje të kundërt, një pyetjeje që nuk e kam parë të shtjelluar asgjëkund deri më sot - Pse nuk bashkëpunoi Balli me britanikët? Nqs Balli ishte organizatë nacionaliste, pse nuk fituan ata mbështetjen e "perëndimit"? Pse nuk u zhvillua asnjëherë një frymë mirëbesimi mes tyre dhe britanikëve? Pse kjo forcë politike i injoroi komplet tentativat e britanikëve për të organizuar rezistencë të armatosur në krahinat ku dominonte? Pse oficerët britanikë u margjinalizuan dhe kërkesat e tyre politike e ushtarake nuk u respektuan pothuajse asnjëherë? Për shkak të ndonjë admirimi të krerëve të Ballit për nazizmin? Sepse ishin tradhtarë? Sepse mendonin që  gjermania hitleriane do të ndihmonte shqiptarinë më shumë sesa aleatët? Për pushtet? Prej mungesës së eksperiencës politike? Përgjigja e kësaj pyetjeje është komplekse dhe i ka rrënjët tek historia.

Në librin e tij me titull “Nëpër analet e diplomacisë angleze” historiani Arben Puto ka bërë një analizë të shkëlqyer të politikës britanike të luftës sy dytë botërore kundrejt Shqipërisë. Z Puto e fillon analizën e tij që nga momenti i pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste, të cilën Britania e pranoi pa asnjë kundërshtim, e deri në vitin 1942, kur “Foren Ofisi” justifikonte të drejtën e Greqisë për aneksimin e Vorio-epirit. Nëpërmjet dokumenteve arkivore Z. Puto vërteton se Anglia ishte kryekëput mbështetëse e flaktë e interesave imperialiste të Greqisë në Ballkan dhe se do të bënte ç’mos e ç’nuk që t’i mbronte ato.

Kështu, në prag të pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste në vitin 1939, Britania nuk bëri asnjë deklaratë për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe integritetin territorial të saj por deklaroi tinëzisht se nuk kishte asnjë interes në Shqipëri. Edhe Zogun, që menjëherë pas pushtimit u vendos në Londër e që ishte vetë mbreti i Shqipërisë së pavarur, e la mënjanë dhe a trajtoi thjesht si palë të interesuar që mund t’i hynte në punë për çdo eventualitet. Mandej, fill pas nisjes së luftë italo-greke vitin 1940, Britania  filloi menjëherë angazhimet ushtarake për organizimin e kryengritjeve shqiptare në prapavijën e forcave Italiane, me qëllim zbutjen e presionit në frontin grek. Në fillim zyrtarët e “Foren Ofisit” hynë në bisedime me Zogun për të organizuar një kryengritje në krahinën e Matit, mirëpo ky plan u refuzua kategorikisht nga pala greke. Pastaj britanikët hynë në bisedime me Gani Kryeziun dhe mbretërinë jugosllave, e cila në atë periudhë ishte e interesuar për aneksimin e Shqipërisë së veriut, me qëllim organizimin e një ndërhyrjeje ushtarake me forca shqiptare nga Kosova në drejtim të Shqipërisë. Mirëpo me të marrë vesh dimensionet mbarëkombëtare të kësaj kryengritjeje, pala greke sërish refuzoi në mënyrë kategorike dhe britanikët e lanë mënjanë edhe këtë plan. Maksimumi që grekët mund të toleronin në Shqipëri ishin çetat e vogla dhe aksionet lokale. Çdo lëvizje tjetër me përmasa kombëtare konsiderohej si cenim i drejtpërdrejtë i interesave greke në Vorio-epir.

Kur ushtria greke filloi të merrte epërsi operative ndaj ushtrisë italiane dhe filloi ta shtynte frontin brenda kufijve të Shqipërisë, Britania ia njohu asaj të drejtën për ti aneksuar territoret e pushtuara në Shqipëri dhe për këtë as nuk u konsultua e as nuk i mori leje askujt. Edhe kur Greqia u sulmua nga Gjermania dhe u thye në Maj të vitit 1941, Britania vazhdoi të mbështeste deklaratat e qeverisë greke në mërgim për të drejtën e saj për aneksimin e Vorio-epirit. Për këtë ajo angazhoi një nga historianët më në zë të kohës, Arnold Tojnbi, për të përpiluar një studim, i cili do të përdorej në konferencën e paqes së pas luftës. Në atë studim argumentohej se Shqipëria nuk mund të funksiononte si shtet i pavarur dhe se zgjidhjet e dëshiruara për Shqipërinë do të ishin: futja e Shqipërisë nën protektoratin e Italisë, futja e Shqipërisë në një federatë mes Greqisë dhe Jugosllavisë, ose thjesht ndarja e Shqipërisë me Jugosllavisë dhe Greqisë. Në secilin rast zëri dhe interesat e shqiptarëve nuk do të merreshin parasysh.

Kështu, në një mënyrë ose një tjetër, forcat politike shqiptare (si komunistët si ballistët, si legaliteti) ishin në dijeni të politikave pro greke dhe anti-shqiptare të Britanisë së Madhe. Ata, si kush e kush më vete, i kishin kërkuar britanikëve, nëpërmjet oficerëve të tyre në terren, që të bënin një deklaratë zyrtare për njohjen e pavarësisë dhe tërësisë territoriale të Shqipërisë, por Britania i ishte shmangur gjithnjë këtij angazhimi duke u përgjigjur gjithnjë në mënyrë të vakët se statusi i Shqipërisë do të vendosej pas lufte duke lënë kështu fare qartë të kuptohej se çështja do të mbetej e hapur për diskutim. Kjo ishte një gënjeshtër që forcat politike shqiptare nuk e blenë.

Ky fakt nuk është përmendur asnjëherë nga historiografia jonë në mënyrë kaq të drejtpërdrejtë, por unë personalisht nuk shoh arsye tjetër. Forcat politike shqiptare, me të mirat e të këqijat e tyre, nuk i zunë besë Britanisë dhe politikave të saja të dyfishta. Ajo nuk ishte aleate e Shqipërisë dhe nuk mbështeste aspiratat shqiptare për pavarësi. Asaj nuk i interesonte liria e shqiptarëve dhe as zhvillmi i Shqipërisë. Britania e madhe kërkonte vetëm një partner të përkohshëm ushtarak për sakfrica në fushën e betejës, të cilin do të mund ta shfrytëzonte më pas në funksion të politikave të saja pro greke. Prandaj dhe prezenca e saj në terren, me oficerë të shumtë të shpërndarë në të gjitha shtabet, nuk ngrohu veçanërisht asnjë nga palët politike shqiptare. Si komunistët, si Balli, si Legaliteti, e kuptonin shumë mirë se bashkëpunimi hapur me britanikët nuk do të sillte veç telashe për Shqipërinë e pas luftës. 

Vetë Ballistët, e sidomos Mit’hat Frashëri, i njihnin mirë fuqitë e mëdha, e veçanërisht britanikët, sepse ua kishin parë diplomacinë këtu e 25 vjet të shkuara, që gjatë luftës së parë botërore. Ndryshe nga komunistët, të cilët ishin pothuajse të gjithë të rinj, me ideale e me ndërgjegje të pastër, liderët e Ballit ishin më të vjetër në moshë e në eksperiencë. Fatkeqësisht për ta, energjia djaloshare e dikurshme ish tretur me kohë e ish zëvendësuar me eksperiencën e hidhur të 25 vjetëve të pavarësisë, gjatë së cilës Shqipëria kish kaluar trazira të panumërta dhe nuk ia kish parë asnjë herë bojën Paundit britanik, as në formë ndihme politike e as në formë investimi ekonomik. Ata ishin krejt të qartë e realistë për situatën. Madje deri diku pesimistë. Të mëdhenjtë do bënin ç’të donin. Nëse Britania ishte e vendosur ta hiqte Shqipërinë nga harta politike, pak kush mund ta ndalonte në arritjen e këtij qëllimi. Për këtë dhe arsye të tjera, e jo për faj të komunistëve, tashmë krerët e Ballit ishin kthyer në një kastë të lodhur konservatore, që si mjet mbijetese politike u kish mbetur vetëm oportunizmi, i cili i shpuri në mënyrë të pashmangshme drejt bashkëpunimit me nazistët.

Edhe komunistët ishin krejt të ndërgjegjshëm për politikat anti-shqiptare të Britanisë, por ndryshe nga Balli, ata kishin idealin e Bashkimit Sovjetik dhe revolucionit të tetorit, një ideal që në atë kohë përfaqësonte një botë krejt tjetër. Ai përfaqësonte zhdukjen e klasës feudale dhe shpresën për shoqërinë e re komuniste, pa klasa, pa pronarë, pa shfrytëzim, pa shtypje dhe pa diskriminim. Në qarqet komuniste qarkullonin bujshëm parimet e internacionalizmit, anti imperializmit kapitalist, paqes, vëllazërimit të popujve, parimi i vetëvendosjes, e shumë ideale të tjera, që rinia intelektuale shqiptare i kish ëndërruar aq shumë. 

Në këtë kontekst, përfaqësia më e afërt e kësaj ëndrre idealiste revolucionare sovjetike ishte partia komuniste e Jugosllavisë, e cila jo vetëm që kish marrë bekimin e Kominternit, por kish shpallur publikisht se ishte kryekëput kundër politikave shovinisto-imperialiste të mbretërisë së Jugosllavisë dhe se do të njihte parimin e vetëvendosjes së popujve. Ëndrra ishte fare pranë. Për komunistët shqiptarë kjo nënkuptonte fundin e makthit serbomadh, bashkimin me Kosovën, fqinjësinë e mirë dhe vëllazërimin e kooperimin internacionalist mes popujve. Sllavët nuk do të ishin më armiku numër një i shqiptarëve dhe fryma anti-shqiptare serbe do të merrte fund një herë e përgjithmonë.

Ishte fati i komunistëve shqiptarë që ishin ende të rinj e të pazhgënjyer, e deri diku edhe naivë, dhe që mund ti lejonin vetes luksin e ëndrrave idealiste, se në të kundërt, po të ishin njohur që më parë me mungesën absolute të moralit në gjeopolitikë, ndoshta do tu ishin "këputur krahët" dhe nuk do kishin qenë dhe aq të suksesshëm në realizmin e misionit të tyre.

Kjo pra është arsyeja pse asnjë nga forcat politike të luftës së dytë botërore nuk bashkëpunoi me britanikët. Sepse Britania nuk u bë asnjëherë mbrojtëse e interesave të Shqipërisë e shqiptarëve. Përkundrazi, ajo tregoi hapur se ishte në mbrojtje të interesave të Greqisë dhe politikave të saj imperialiste. Britania i kishte të gjitha mundësitë financiare e politike që të krijonte një klimë bashkëpunimi e kooperimi mes forcave politike në Shqipëri dhe të mbështeste një rezistencë të suksesshme antifashiste nga të dyja palët. Por ajo nuk punoi asnjëherë për të arritur këtë qëllim. Përkundrazi, ajo përdori çdo taktikë të mundshme për të futur përçarjen në politikën shqiptare, në mënyrë që ta kishte më të lehtë pas luftës zbatimin e politikave të saja imperialiste pro-greke.

Ky konkluzion nuk justifikon bashkëpunimin e krerëve ballistë me nazistët, pasi ajo vazhdon të mbetet një njollë e zezë në historinë e kësaj organizate, por ilustron idenë se si forcat politike shqiptare në të dyja kampet, për shkak të barrierave që "perëndimi" i vuri shqiptarisë, u detyruan të marrin vendime politike të padëshiruara e të lidhin aleanca të paqëndrueshme afatshkurtra, ndërkohë që po të kishte qenë e kundërta dhe Shqipëria të merrte ndihmën e sinqertë të aleatëve "perëndimorë" që në vitet e luftës, siç e mori Kosova në vitin 1999, atëherë i gjithë populli shqiptar do të kish shpenzuar 77 vitet e fundit duke ndërtuar ekonominë e tregut në funksion të prosperitetit të vendit dhe jo duke luftuar për mbijetesë.

Comments

Shkrimet më të lexuara të muajit

Pse u konvertuan shqiptarët në myslimanë?

Epoka e errët shqiptare

Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj?