Shqipëria si pellgu me llucë

Një ditë isha duke parë një dokumentar me titull “Gostia e fundit e krokodilëve”. Tema rreth së cilës vërtitej dokumentari ishte mbijetesa e krokodilëve gjatë stinës së nxehtë të verës afrikane. Dokumentari përqendrohej tek një grup specifik krokodilësh që përpiqeshin t’i mbijetonin sezonit të thatësirës diku në një lum, të cilit, me të pushuar shirat, iu ndërpre rrjedha e ujit.
Sa kohë që lumi rridhte normalisht, atje kish vend për të gjitha kafshët, si për të pirë ujë, si për t’u larë, si për të marrë frymë; si për krokodilët, ashtu edhe për hipopotamët, elefantët, luanët, buajt, gazelat, babunët, zogjtë, e kështu me radhë. Lumi ishte jeta. Lumi u shërbente të gjithëve. Me përjashtim të ndonjë kullufitjeje të rastit prej ndonjë krokodili a ndonjë grabitqari tjetër, mund të themi se aty ekzistonte një harmoni e balancuar.
Por në momentin që rrjedha e lumit ndaloi dhe pellgjet filluan të tkurreshin, harmonia e dikurshme mes kafshëve shumë shpejt u kthye në një luftë të pamëshirshme për mbijetesë. Dalë ngadalë pellgjet me ujë filluan të kthehen në pellgje me llucë. Peshqit, që deri në atë moment kishin qenë me bollëk, filluan të zhduken. Shumë nga kafshët që ishin në tokë u larguan ose ngordhën. Nëse dikur krokodilët dhe hipopotamët, rezidentët permanent të ujit, kishin secili “lagjen” e vet, tashmë ata duhej të shtynin bërrylat me njëri-tjetrin, gjë që padyshim do sillte përleshje, dhunë dhe viktima. Shumë krokodilë ngordhën, kush nga uria e nga etja, e kush nga dielli i padurueshëm. Dalë ngadalë, pellgu i dikurshëm jetëdhënës u kthye në një shtrat vdekjeje.
Kur uji i pellgut u tha krejt, atje mbeti vetëm lluca, një llucë e trashë dhe mbytëse, që gjithsesi mbante pak lagështirë. Ajo llucë ishte i vetmi vend ku krokodilët dhe hipopotamët mund të mbijetonin. Për sa kohë do të zgjaste, ajo llucë mbeti i vetmi burim jete për ato kafshë.
Ngjarjet në dokumentar janë një analogji shumë e qartë e historisë moderne të Shqipërisë dhe gjendjes së saj ekonomike. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë dhe burimet natyrale e njerëzore për të ecur përpara, si nga aspekti ekonomik ashtu edhe nga aspekti social-kulturor, mirëpo ashtu si pellgu në dokumentar, prerja e burimeve jetësore dhe rrethimi i vendit nga shtete armiqësore imperialiste, ua prenë shtetit dhe shoqërisë shqiptare të gjitha mundësitë për tu zhvilluar e përparuar normalisht. Duke filluar nga viti 1878 e deri në vitin 1912, kur edhe u vendosën përfundimisht kufijtë, Shqipëria do të kthehej në një pellg, të cilit dalë ngadalë do t’i shteronte rrjedha e ujit e do t’i mbetej vetëm lluca.
Brenda shtetit të vogël shqiptar nuk mbetën as 1 milion njerëz, shumica e të cilëve banonin në zona rurale e në terrene të vështira ku prodhimi i çdo lloj ekonomie substanciale ishte krejt i pamundur. Infrastruktura ishte inekzistente. Njohuria tekniko-shkencore gjithashtu. Qendrat urbane si Korça, Shkodra e Gjirokastra, të cilat deri në atë periudhë kishin shërbyer si pika grumbullimi e tranziti për territore që dilnin jashtë kufijve të Shqipërisë, me vendosjen e kufijve në 1912, u kthyen në qendra periferike fundore. Nga ana tjetër, zona të tëra malore si Malësi e Madhe, Tropoja, Hasi, Kukësi, Puka, Dibra, Martaneshi, Golloborda, Kolonja, Përmeti, Dishnica, Dangëllia, etj., të cilat deri në ato momente komunikonin e shkëmbenin tregti me qendra urbane fushore, tashmë jashtë territorit të Shqipërisë, mbetën krejt të izoluara e për rrjedhojë u detyruan të hedhin sytë nga qendrat urbane brenda vendit, të cilat nuk ishin në gjendje që t’i mbështesin ato plotësisht me ekonomi.
Lidhjet e vjetra ekonomike jashtë Shqipëri ose u vështirësuan ose u prenë fare. Esnafet që dikur kishin punuar për furnizimin e qendrave urbane në të gjitha trevat shqiptare e më gjerë, papritur u detyruan të kufizohen vetëm në tregun vendas. Ajo pasuri që ishte mbledhur si rezultat i marrëdhënieve tregtare me territoret e tjera të perandorisë, filloi të avullonte. Forca ekonomike e shqiptarëve dalë ngadalë po mbytej. Konfliktet politike dhe përplasjet e brendshme sociale u bënë të pashmangshme. Grupet e interesit, që deri në atë moment kishin vepruar në territoret pa kufij të perandorisë osmane, tashmë duhet të kufizoheshin brenda 28,000 kilometrave katrorë.
Çdo konflikt i brendshëm madhor që ka kaluar Shqipëria këto 100 vitet fundit është produkt i drejtpërdrejtë i vendosjes së kufijve të 1912-ës, presionit të jashtëm politik, ekonomik e ushtarak nga fqinjët imperialistë dhe përplasjes së interesave mes palëve të ndryshme brenda shoqërisë shqiptare në një hapësire ekonomike tejet të tkurrur. Kështu, të tilla janë trazirat e periudhës së luftës së pavarësisë, kryengritja e Haxhi Qamilit, revolucioni i Fan Nolit dhe kundër revolucioni i Zogut, vetëshpallja e Zogut mbret, lufta Nacional Çlirimtare dhe konflikti mes Frontit Nacional Çlirimtar dhe Ballit Kombëtar e Legalitetit, diktatura komuniste, lidhja dhe shkëputja nga Jugosllavia, Bashkimi Sovjetik e Kina, izolimi politik e ekonomik ndërkombëtar i viteve 1979-1992, përmbysja e regjimit, eksodi masiv drejt Evropës, skemat piramidale të vitit 1997, tentativa për puç shteti në vitin 1998, e deri tek ngjarjet e vona të shekullit të 21. Në të gjitha këto ngjarje historike del qartë në pah izolimi i qëllimshëm ekonomik e kulturor i shqiptarëve, ndikimi i drejtpërdrejtë i vendimeve të marra nga fuqitë e mëdha në dëm të Shqipërisë, mungesa e aleatëve të sinqertë afatgjatë dhe presioni i jashtëzakonshëm politik e ushtarak me qëllim sabotimin e shtetit shqiptar.
Për gati një shekull, Shqipëria ka qenë e rrethuar nga fuqi imperialiste agresive, anti-shqiptare, të cilat jo vetëm që nuk kanë pasur asnjëherë asnjë dëshirë që të krijojnë marrëdhënie normale me të, por që kanë bërë çmos e çnuk që Shqipëria të binte në kolaps e të falimentonte, në mënyrë që të vërtetohej teoria se pa ndihmën e një fuqie të madhe (protektorati) shteti shqiptar nuk mund të funksiononte normalisht.Ngado që ta marrësh e sido që ta vështrosh, analiza të shpie vetëm në një konkluzion, vendosja e kufijve të 1912-ës dhe rrethimi i Shqipërisë me grabitqarë imperialistë ishte mallkimi i popullit shqiptar. Sado i begatë dhe i pasur me burime natyrore të jetë një shtet e sado potencial ekonomik që të ketë në letra, pa një ambient të shëndetshëm e paqësor rajonal, pa shkëmbime ekonomike e pa lëvizje të lirë të mallrave e të njerëzve, krijimi i kushteve të përshtatshme për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, politik e social kulturor është i pamundur. Luftërat, armiqësitë politike, mbyllja e kufijve, taksat doganore dhe mungesa e marrëveshjeve dypalëshe janë pengesat kryesore të rritjes së ekonomisë dhe shkaktarët e varfërimit të popullsisë.
Që ekonomia e një vendi kaq të vogël sa Shqipëria të bëhet konkurruese dhe e shëndetshme, si brenda ashtu edhe jashtë shtetit, ajo duhet të ushqehet së pari me ekonomi të jashtme nga ato vende ku ajo prodhohet me shumicë, si p.sh Evropa, Amerika, etj. sepse atje ka popullsi e tregje të mëdha që prodhojnë ekonomi të madhe. Kjo ekonomi duhet të vijë në formën e investimeve. Së dyti, biznesi dhe aktiviteti ekonomik vendas duhet të mbështeten në radhë të parë nga një treg i fuqishëm e i qëndrueshëm vendas, i cili garanton konsumin e lartë e të vazhdueshëm të mallrave, veçanërisht ato të prodhuara në vend. Së treti, vendi duhet të ofrojë mundësi dhe oportunitet për shfrytëzimin e burimeve natyrore e njerëzore vendase në funksion të tregut vendas e ndërkombëtar dhe të rritjes së kapaciteteve të eksportit. Pra Shqipëria duhet të importojë ekonomi, ta qarkullojë atë brenda vendit dhe pastaj ta eksportojë drejt vendeve të tjera. Tamam si një rrjedhë e vazhdueshme lumi.
Mirëpo pa kushtin e parë, atë të prurjes së vazhdueshme e të qëndrueshme të ekonomisë nga jashtë, nuk mund të plotësohen dy kushtet e tjera. Është provuar tashmë, se jo vetëm Shqipëria, por asnjë vend i botës nuk mund të vetë-gjenerojë ekonomi. Ekonomia e ardhur nga jashtë kufijve është ajo që vë në lëvizje ekonominë e brendshme, mundëson investimet, mbështet prodhimin, mundëson shërbimet, etj. Sepse pa investime në prodhimin dhe tregun vendas, nuk krijohen bizneset e fuqishme, nuk krijohen vendet e punës, nuk krijohet një ambient i shëndetshëm tregtar, nuk akumulohet dija tekniko-ekonomike, nuk formohen ekspertët dhe specialistët, e për rrjedhojë nuk ka kush të krijojë kushtet për shfrytëzimin e burimeve të brendshme natyrore e njerëzore, të cilat do të ishin në gjendje që të eksportonin ekonomi. Pra, pa prurje të jashtme nuk plotësohet qarku i plotë i riciklimit të ekonomisë.
Për ilustrim po jap një shembull shumë interesant të bashkëveprimit me komuniteteve nga kohët moderne. Kur Shqipëria rrëzoi regjimin e diktaturës dhe u hap me botën, shqiptarët që filluan të punonin me Italinë tregojnë se si zonat jugore të Pulias, sidomos qytetet përkarshi Shqipërisë, ishin tejet të varfra dhe pa asnjë perspektivë zhvillimi. Me fillimin e qarkullimit legal dhe ilegal të emigrantëve shqiptarë atje filloi të lulëzojë biznesi e tregtia. Në portet italiane filluan të hapen agjencitë e udhëtimit për tragetet e linjës. Nga ana tjetër, 200-300 taksi me shoferë puliezë prisnin çdo natë mbërritjen e mbi një mijë emigrantëve shqiptarë që vinin me gomone, të cilët paguanin 200-300 euro për person. Biznesi i naftës mori një zhvillim të paparë pasi me qindra anije shqiptare të peshkimit blinin në Brindisi 20-30 mijë litra naftë çdo vit për anije. Edhe tregtia e drogës bëri punën e vet. Dëshmitarët okularë tregojnë se si njerëzit filluan të rregullojnë shtëpitë, të vishen mirë, se si nga biçikletat kaluan në vetura të reja dhe se si filluan të shkojnë në kafene e restorante. Pra hapja e kufijve të Shqipërisë dhe qarkullimi i lartë i njerëzve solli zhvillim edhe për banorët e jugut të Pulias, të cilët ishin lënë krejt të izoluar në gadishullin e tyre të vogël.
Shqipëria është një vend shumë, shumë i vogël, me një treg dhe prodhimtari pothuajse qesharake dhe me një forcë punëtore tejet të pakualifikuar. Edhe pse Shqipëria ka burime të jashtëzakonshme natyrore dhe potencial njerëzor, ajo nuk mund ti shfrytëzojë ato, e për rrjedhojë, ashtu si tek pellgu në dokumentar, ekonomia shqiptare nuk është në gjendje që t’i mbajë të gjithë banorët e saj me bukë, duke bërë që shumë prej tyre të largohen drejt vendeve ku ka më shumë ekonomi dhe ofrohen më shumë mundësi punësimi. Laj-thaj, sado që dëgjojmë për miliona e miliard euro, në realitet sasia e parave që qarkullojnë në Shqipëri është shumë e kufizuar dhe gjithsecili, kush me miq, kush me talent, e kush me tarafllëqe mundohet që të akumulojë sa më shumë që të jetë e mundur nga kjo sasi. Mund të duket si a pabesueshme, por në të vërtetë, të gjitha palët, përfshi edhe bizneset e mëdha në Shqipëri, ata që quhen oligarkë, janë në të vërtetë të gjithë në një gjendje mbijetese e borxhi permanent dhe mund të fundosen e të falimentojnë në çdo moment.
Situata e pellgut me llucë nuk ndikon vetëm në ekonomi, por edhe në gjendjen sociale, kulturore e politike të vendit. Ashtu si krokodilët dhe hipopotamët në dokumentar, edhe në Shqipëri ngado që të kthehesh, e ngado që të rrotullohesh, do të gjendesh gjithmonë mes llucës. Të gjithë ata që kanë qëndruar në Shqipëri, kush më shumë e kush më pak, si biznesi, si qytetarët e thjeshtë, si forca punëtore, si intelektualët, si politikanët, janë të gjithë të zhytur në llucë dhe veprimet e tyre kushtëzohen tërësisht prej atyre pak mundësive që ofron ajo. Lluca do të kushtëzojë gjendjen psikologjike e shpirtërore, aftësinë e arsyetimit logjik, largpamësinë dhe vizionin, marrjen e vendimeve politike e ekonomike, e çdo gjë tjetër që lidhet me jetën e njeriut.
Kjo është arsyeja pse shoqëria shqiptare duket sikur është në një gjendje të vazhdueshme konflikti e tensioni, pse njerëzit janë gjithë kohës si të mllefosur e mosbesues, pse politika është kaq destruktive e konfliktuale, pse biznesi duket sikur kërkon të vjedhë pa pushim e për çdo gjë, pse ka kaq shumë korrupsion, pse sfera kulturore është katandisur në gjendje të mjerë dhe pse shteti është i mbushur me njerëz të paaftë e pa eksperiencë që nuk janë në gjendje t'i japin zgjidhje problematikave jetësore të vendit.
Më kotë mediat dhe njerëzit harxhojnë kohën duke drejtuar gishtin drejt figurave politike, oligarkëve, etj. Ata nuk kanë asgjë në dorë dhe realisht gjithsecili po përpiqet të mbijetojë. Ato janë të gjitha fenomene të pashmangshme të llucës e të izolimit politiko-ekonomik që na ka bërë Evropa. Nëse një qytetar i thjeshtë hedh akuza drejtë politikës dhe shpreh dëshirën për tu larguar nga vendi, të jeni të sigurt se të njëjtën gjë thonë edhe ministrat, deputetët, zyrtarët, e madje edhe vetë oligarkët, të cilët po t'i pyesësh do të të thonë se ky vend nuk bëhet dhe se janë të gatshëm të largohen një orë e më parë.
Për sa kohë Shqipëria dhe qytetarët shqiptarë do të mbahen të izoluar, pa të drejtën e punësimit të ligjshëm atje ku ai ofrohet me shumicë, dhe në një ambient konfliktual e mosbashkëpunes rajonal, mundësitë për ta kthyer Shqipërinë nga një pellg me llucë në një oaz të mirëqenies do të jenë tmerrësisht shumë të vogla. E këtë “çlirim” mund ta bëjë vetëm Evropa, ajo që u bë shkaktarja e kësaj gjendjeje në radhë të parë, ajo që i preu ujin lumit tonë të zhvillimit, ajo që caktoi arbitrarisht kufijtë e pengoi zhvillimin natyral të shoqërisë shqiptare, ajo që mbështeti fqinjët tanë imperialistë në dëm të shqiptarisë, ajo që e ktheu Shqipërinë në një pellg me llucë.
Comments
Shto një koment