Kuptimi i emërtimeve ilire

Fatkeqësisht, dy harta njësoj për fiset ilire nuk ka. Kjo është njëra prej tyre.

Koha e leximit: nën 20 minuta

Ka pasur shumë teori e shumë diskutime në lidhje me emërtimet e fiseve ilire, por asnjë deri më sot nuk ka mundur t'u gjejë emrave të tyre kuptimin e vërtetë. Autorë të ndryshëm kanë ofruar shpjegime të ndryshme por askush nuk është në gjendje të vërë dorën në zjarr për asnjërën prej tyre. Prandaj, nisur nga ato pak informacione që dihen për disa prej këtyre emërtimeve, kam arritur të ndërtoj një arsyetim, i cili na nxjerr në disa konkluzione të pa diskutuara më parë.

Shënim: Të gjitha arsyetimet e mëposhtme bazohen në informacionin që na kanë paraqitur historianët dhe gjuhëtarët. Këtu nuk ka asnjë zbulim të ndonjë fakti që nuk është pranuar si shkencor më parë.

Bindja ime është, natyrisht, që shqiptarët janë pasardhës të drejtëpërdrejtë të ilirëve dhe emërtimet ilire që nuk kanë fjalë tipike shqipe që i kemi edhe sot, më duken tepër të dyshimta, si të thuash, të huaja për vendin që përshkruajnë dhe veçanërisht për veshin e shqiptarit. Në gjithë atë konglomeratë emrash, të paktën njëri prej tyre duhet të ishte në shqipe të pastër e pa ekuivoke, gërmë për gërmë, një fjalë tipike shqipe që nuk mund të ngatërrohet me asnjë gjuhë tjetër. Por fatkeqësisht të tillë nuk kemi. Pavarësisht tentativave për tu dhënë këtyre emërtimeve shpjegime nëpërmjet gjuhës shqipe, si p.sh. Taluanti > dallëndyshe ose Dardani > dardhë, ose Parthini > bardhë, po të jemi krejt realist e gjakftohtë, është më se e qartë se nga aspekti gjuhësor nuk kanë asnjë lidhje me shqipen. P.sh. kombinimi i gërmave "au" në shqip nuk është autokton por latin. As fjala "parth" nuk mund të jetë "bardhë" për sa kohë ne e dimë që bardh korrespondon me "Bardilis", e kështu me radhë.

Prandaj, nisur nga arsyetimet e mësipërme, unë kam dalë në konkluzionin se emërtimet e fiseve ilire që njohim sot me shumë gjasa duhet të jenë ekzonime, d.m.th emërtime që janë përdorur nga helenët dhe romakët për të identifikuar ilirët. Ky nuk është ndonjë zbulim i rrallë pasi shembuj të tillë kemi plot. Janë Bylionët me qendër Bylisin, janë Enkelejët, me vendndodhje rrjedhën e lumit Drin në krahinën e Dibrës e Ohrit, janë dhe Helidonët me vendndodhje në rrjedhën e sipërme të lumit Drin. Të gjitha këto emërtime kanë kuptim në greqishten e lashtë.

Bylis (gr. voulis) do të thotë kuvend, parlament, vend ku mblidhen njerëzit e kuvendojnë. Ne e dimë që Bylisi (në krahinën e Mallakastrës) ishte qytet, ose ndryshe, qendra administrative e kolonisë helene, froni i kolonisë dhe Bylionët mund të kenë qenë banorët ilirë që jetonin rreth e përqark kolonisë helene.

Ngjitur me Bylionët, diku andej nga zona rrjedhës së poshtme të lumit Devoll, në krahinën e Shpatit, Sulovës e Çermenikës, etj, ndodheshin Parthinët. Është e lehtë që ta ngatërrosh fjalën Parthini me fjalën Parthinia, që në greqishten e lashtë i referohej Persisë e të ngresh pyetjen, “Ç’lidhje kanë persët me ilirët?”. Por ka edhe një fjalë tjetër në greqisht, ose më mirë një emër të pëvetshëm me të njëjtën rrënjë, Parthaon (Παρθάων), që ka ose mund të ketë prejardhjen prej fjalës pertho (πέρθω - shkatërrim, plaçkitje, bastisje) dhe që i jep kuptim të qartë emërtimit. Nga dokumentet helene e dimë shumë mirë që ilirët e kishin si praktikë normale bastisjen e kolonive helene dhe nuk është asnjë çudi që fisit ilir në veri të kolonisë së tyre, helenët t’u kenë vënë emërtimin sipas rëndësisë që kishin në jetën e tyre, “ata që na plaçkisin”. Thjeshtë, qartë dhe tepër realist për kohën.

Pak më sipër, gjendeshin Enkelejët. Edhe ky emërtim ka një kuptim fare të qartë në greqishten e lashtë. Fjala enkhelus (ἔγχελυς) do të thotë ngjalë (ose gjarpër). Duke qenë që Enkelejët, sipas disa hartave, ndodheshin përgjatë lumit Drin, atëherë nuk është çudi që me "ngjalë ose gjarpër" nënkuptohet rrjedha e lumit. Edhe sot e kësaj dite ne themi që lumi gjarpëron.

Akoma edhe më sipër përgjatë lumit Drin ndodheshin Helidonët. Edhe kjo fjalë ka një kuptim fare të qartë në greqishten e lashtë (χελιδών) dhe do të thotë "dallëndyshe". Ashtu si edhe në rastin e Enkelejve, fjala "dallëndyshe" mund të jetë përdorur për të përshkruar bashkimin e lumenjve Drin i Zi dhe Drin i Bardhë, në krahinën e Lumës, i cili të jep idenë e bishtit të dallëndyshes.

Nisur nga kjo e fundit, disa studiues kanë dalë në konkluzionin që edhe fjala Taulantii duhet të ketë kuptimin e “dallëndyshes”, meqë fjala Taulanti i afrohet diçka në morfologji kësaj fjale. Mirëpo mua më duket arsyetim i cekët e që i bie shkurt. Sipas gjuhëtarëve, fjala “dallëndyshe” është e përbërë nga dy fjalë “dallë” (bisht) dhe “dyshe” (dy, proto-shqip: duwo) dhe nuk ka arsyetim shkencor që mund të bëjë lidhjen midis këtyre dy fjalëve dhe emërtimit Taulanti sepse “dyshe” nuk figuron asgjëkund dhe nuk ka asnjë rast që një fjalë e vetme në historinë e gjuhëve që të transformohet në dy të veçanta. 

Përkundrazi, unë jam i mendimit që emërtimet e tjera të ilirëve, që nuk janë në greqishten e lashtë, ndjekin të njëjtin logjikë si ato të parat, atë të ekzonimit, pra të emërtimit të përdorur nga të huajt, por në këtë rast nga romakët. Natyrisht, dikush do thotë se emërtimet e ilirëve janë dëshmuar nga historianët e lashtë helenë që në shekujt VI-të e V-së p.e.s, të paktën 3 shekuj para ardhjes së romakëve në Ballkan. Vërtetë, por nga dokumentacioni i trashëguar dimë që dëshmitë e autorëve helenë na vijnë nëpërmjet autorëve romakë të disa shekujve më vonë, e jo direkt nga origjinali. Ky fakt më bën të dyshoj se ekziston mundësia që autorët romakë nuk u kanë qëndruar tërësisht besnik burimeve origjinale dhe kanë bërë përkthimin e kuptimit nga greqishtja e lashtë në latinisht, në mënyrë që të bëheshin më të kuptueshme për lexuesin latinisht folës. Të paktën për disa prej tyre.

Kështu, emërtimi Taulanti fillon e bëhet më i qartë nëse për shpjegimin e tij përdorim fjalën latine tabula (taula në dialektin friulian) që në latinisht do të thotë pllakë/sipërfaqe e rrafshët. Po të marrim parasysh faktin që Taulantët ndodheshin në zonën fushore perëndimore të Shqipërisë, pra nga Myzeqeja e deri në Shkodër, kuptimi i emërtimit Taulantii/Tabulantii bëhet fare i qartë: njerëzit e ultësirës. Pra Taulantët ishin banorët e zonave fushore. E nëse marrim parasysh edhe faktin tjetër, që kjo ultësirë është e vetmja përgjatë gjithë bregut lindor të detit Adriatik, atëherë emërtimi “Taulantii/Tabulanti - njerëzit e ultësirës” e merr tërësisht vulën e konkluzionit logjik.

Por nuk mbaron me kaq. Arsyetimi i mësipërm ndihmon dhe bashkëshoqërohet me emërtimin e një fisi tjetër ilir, atë të Ardianëve (Ardiaeii). Edhe ky emërtim, sipas të njëjtit arsyetim, e merr kuptimin nga latinishtja arduus, që do të thotë “lartësi”. Dhe në fakt, ndërkohë që Taulantët ndodheshin në ultësirën perëndimore dhe quheshin “njerëzit e ultësirës”, Ardianët ndodheshin më në veri, në zonat malore të Malit të Zi dhe quheshin “njerëzit e lartësive”. Malësorët. Ky konkluzion bëhet më i besueshëm nëse marrim parasysh faktin që termi latin Arduus ka mbijetuar në formën moderne Ardenicë (ose mali Ardenees në Francë) e ndoshta edhe në formën Lapardha (lapis arduus - gur i lartë).

Ky arsyetim vazhdon edhe me emërtime të tjera fisesh ilire si p.sh. Kavi (Cavii), që në latinisht vjen prej fjalës cavus - zgavër/gropë (konkavitet) dhe që mund të ketë kuptimin e njerëzve që jetojnë pranë liqenit të Shkodrës (ose diku aty pranë), i cili formohet prej një terreni konkav. Një emërtim të ngjashëm e kemi edhe në Kavajë (italisht Cavaglia), për të cilën unë mendoj se gjithashtu vjen prej fjalës latine cavus - vend i zgavërt (konkav) dhe nënkuptonte ish-kënetën e Bedenit.

Ose p.sh, Labeatët, që në latinisht mund të vijë prej fjalës “labia” - buzë dhe që mund të ketë kuptimin e “njerëzve që jetojnë në buzë”, ndoshta të detit ose të gadishullit. Emërtime të tjera me të njëjtën rrënjë janë Labëria, që është vend malor në buzë të Adriatikut dhe Labinoti, që është gjithashtu terren malor në buzë të lumit Shkumbin.

Në fund fare kemi emërtimin Dardani. Tundimi për ta shpjeguar Dardaninë me fjalën “dardhë” natyrisht është e madhe për këdo që ndihet patriot dhe i futet studimit të toponimeve, dhe në fakt mundësia që kjo të jetë e vërtetët nuk është zero. Mirëpo, emërtimi Dardhë ekziston në Shqipëri në disa vende dhe kudo ku ndodhet ai është trashëguar në trajtën e tij të shqipes moderne, ashtu siç paraqiten emërtimet Mollas, Arrni, Luma, Shkoza, etj, edhe pse mund të jenë mijëra vjeçare. Nuk ka në Shqipëri asnjë emërtim të quajtur Dardana apo Dardan, që kjo të intepretohej nga një i huaj si Dardania. Nëse ka ekzistuar fjala Dardhë, atëherë pse duhej dikush ta shkruante Dardania dhe jo Darda?

Kështu, nëse tezën e prejardhjes prej fjalës “dardhë” e lëmë për një moment mënjanë, shpjegimin e mundshëm të këtij emërtimi, sipas arsyetimit të deritanishëm, e gjejmë tek emri i përvetshëm helen Dardanos (Δάρδανος), një personazh i mitologjisë helene me origjinë trake. Arsyeja pse këta njerëz mund të jenë quajtur Dardani, kjo ndoshta mund të zbulohet pas një studimi të hollësishëm të mitologjisë. Por duke qenë se termin dardanos e gjemë kryesisht rreth e përqark ngushticës së Dardaneleve, atëherë nuk është çudi që aty të kenë jetuar ndonjë fis trak i ardhur prej andej. 

Prania e mundshme e trakëve në territorin në kufi me Shqipërinë njihet dhe pranohet nga historianët. Madje mund të shkojmë më tutje dhe të sugjerojmë praninë e vendbanimeve trake edhe më thellë në territorin e Shqipërisë së sotshme. Në zonën e Tiranës, në rrëzë të malit të Dajtit, kemi një fshat që quhet Priskë dhe që në pamje të parë ngjan shumë emrin e qytetit trak Priskupera. Në fushën e Korçës kemi një fshat tjetër që quhet Rrëmbec dhe që ngjan shumë me emërtimin e një qyteti trak Romboses. Ndërsa në krahinën e Dangëllisë kemi fshatin Odriçan që ngjan shumë me emërtimin trak Odrisian. Nëse këto kanë ndonjë lidhje me trakët, kjo mbetet për t’u vërtetuar. Për momentin është vetëm një vëzhgim.

Nga gjithë sa u tha më sipër, mund të guxojmë më tej dhe të përpiqemi të japim edhe shpjegimin e emërtimit Arbën/Arbër. Nëse ndjekim logjikën e emërtimeve latine për njerëzit që jetojnë në fushë, në mal ose pranë liqenit, atëherë mund të arsyetojmë se ekziston mundësia që edhe ky emërtim të ketë prejardhje prej fjalës latine “arbor”, që do të thotë “pemë” e që nënkupton njerëzit që jetojnë në pyll ose në zonat më të thella të pyllëzuara të territorit. Ndoshta emërtimi mund të ketë pasur formën "Arboreii/Arboresti/Arborenii".

Natyrisht ky arsyetim bie katërcipërisht në kundërshtim me arsyetimin tjetër e pranuar deri më sot që lidh fjalën Arbër me Alban. Por unë mendoj se emërtimi Alban është një korruptim i mëvonshëm romak i fjalës Arban dhe që vjen prej emërtimit Mons Albanus (kodrat Albani ose kodrat e bardha) që gjenden në periferi të Romës. Ngatërrimet që romakët i bënin toponimeve, e sidomos ato që lidhen me emërtimin Albania, nuk është ndonjë fenomen i padëgjuar. Në të njëjtën mënyrë romakët i vunë emrin edhe Albanisë së Kaukazit, emri origjinal i së cilës ishte në fakt Avgania dhe Albanisë së Skocisë, emri origjinal i së cilës ishte Albion.

Po ilirët? Si e quanin ata veten e tyre? Këtë nuk mund ta dimë me saktësi pasi sot shumica e emërtimeve të krahinave në Shqipëri janë latine, greke ose sllave, por me shumë gjasa ata kishin emërtimet e tyre, një pjesë e të cilave padyshim do të kenë pasur kuptime fare të qarta në shqip, siç i kanë dhe sot: Luma, Arrni. Ndoshta ilirët thërriteshin sipas familjeve ose emrave personalë, fenomen ky që është trashëguar deri vonë nga fiset shqiptare, duke mos kaluar asnjëherë në emra permanent për të gjithë krahinën ose për të gjithë fisin. Nga ana tjetër, toponimia e vendbanimeve me shumë gjasa që ka qenë po ajo që është edhe sot: Arras, Shkoza, Dardha, Mollas, etj dhe mund të kenë ndryshuar shumë pak me kalimin e mijëvjeçarëve.

Natyrisht, kjo tezë nuk e ka vulën përfundimtare shkencore edhe pse puna për formulimin e saj ka qenë tejet serioze. Në fund të fundit këto janë vetëm vëzhgime. Por mua nuk më kënaq ajo teza tjetër e cila thotë që ekziston një gjuhë dhe disa emërtime ilire, për të cilat duhet të kaptosh shtatë male e shtatë fusha që t’u gjesh lidhjen me shqipen. Nuk ka logjikë në kontekstin e zhvillimeve historike. Sot njohim aq shumë fise ilire dhe përveç ndoshta emërtimit Dardan, asnjëra nuk ka absolutisht asnjë lidhje me shqipen. Shqiptarët këtu rrotull kanë qenë gjithmonë dhe shqipja ka ndryshuar shumë pak, sidomos në zonat e izoluara malore. Ku janë emërtimet shqipe? Prandaj unë mendoj se më shumë logjikë ka që emërtimet ilire të kenë qenë ekzonime helene e romake se sa të një gjuhe, gjurmët e të cilës nuk i ndjekim dot nëpërmjet shqipes.

Comments

  1. Nuk po lexoj me se qenka lëmsh. Termi Greqi e lashtë u shpik nga ata që i interesonte të quheshin pasardhësit e helleneve. A ka Itali të lashtë? Ca kuptimi ka që emrat ilir të shpjegohen në greqisht. Ku është qëllimi i këtij shkrimi?

    ReplyDelete
    Replies
    1. Ku është qëllimi i këtij komenti nëse nuk e lexon shkrimin deri në fund?

      Delete

Shto një koment

Shkrimet më të lexuara të muajit

Pse u konvertuan shqiptarët në myslimanë?

Epoka e errët shqiptare

Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj?