Pse nuk ngrihen shqiptarët në protesta?
Koha e leximit: rreth 30 minuta
Kur u zhvillua protesta për Luizin, ishin të shumtë ata “intelektualë” e figura publike që, në vend që të reflektonin e të nxirrnin mësime nga ngjarja, nxituan të dilnin me deklarata të hidhura në Facebook, në të cilat shprehej haptazi përçmimi që ndjenin ndaj shoqërisë shqiptare në përgjithësi dhe evidentohej, shpesh me tone vulgare, paaftësia apo papjekuria e supozuar të shqiptarëve për tu ngritur në protesta politike për çështje që kanë ndikim në jetët e tyre si qytetarë të Shqipërisë, duke i krahasuar ata me protestuesit në Francë. Por konkluzionet e tyre ishin të nxituara, të nxjerra jashtë kontekstit dhe destruktive. Ato jo vetëm që nuk e ndërgjegjësojnë publikun që të ngrihet në protesta, por nxisin përhapjen e kulturës së vetëpërçmimit, që edhe kështu siç është, është kthyer në një epidemi për shoqërinë shqiptare.
Shqiptarët protestojnë. Ata protestojnë vazhdimisht. Por këtë protestë, në të shumtën e rasteve, e bëjnë në mënyra individuale, në heshtje, duke mos dhënë votën, me mospjesëmarrje në politikë, duke iu shmangur detyrimeve financiare që ata i konsiderojnë të padrejta apo duke u përpjekur që të shfrytëzojnë sistemin në favor të tyre, siç është për shembull emigracioni i paligjshëm. Pra protestojnë në ato mënyra që një individ ka në dorë. Natyrisht, protesta individuale nuk është formë shumë efektive e shprehjes së mendimit e vullnetit politik. Ajo e ka vrullin e shkurtër e për këtë arsye, në më të shumtën e rasteve transformohet në dorëzim dhe pranim të gjendjes, pa arritur ta ndryshojë atë.
Por ka një arsye shumë të fortë pse shqiptarët nuk protestojnë në grup, siç po bëjnë p.sh. Francezët, dhe në këtë shkrim unë do shtjelloj pikërisht këtë temë.
Unë, personalisht, nuk kam ndjekur asnjë seri të Big Brother. Asnjëherë. Nuk më tërheq fare. As Luizin nuk e njoh. Nuk e di se ç’thotë e ç’mendon dhe të them të drejtën nuk më intereson fare. Por disa dinamika arrij t’i kuptoj fare qartë. Nga reagimet e njerëzve që e ndjekin Big Brotherin çdo ditë arrij të kuptoj lidhjen që është krijuar mes tyre dhe personazhit në ekran, si dhe pasionin e madh të disave për t'u ngritur në protestë me qëllim mbështetjen publike të këtij personazhi. Kjo nuk është ndonjë gjë e jashtëzakonshme. Mbështetja për personazhet e ekranit si aktorët, këngëtarët, njerëzit me apo pa talent, etj, nuk është ndonjë gjë e re. Në fakt i gjithë koncepti i medias sociale sot është ndërtuar mbi bazën e “influencerit” (ndikuesit), njeriut që shpalos publikisht karakterin e tij dhe nëpërmjet mendimeve të veta fiton mbështetjen e njerëzve që e ndjekin me pasion.
Në këtë kontekst, ngritja e njerëzve në protestë për personazhin e tyre të preferuar është më se e kuptueshme. Publiku u lidh shpirtërisht me Luizin. E njohu atë nga afër. Përjetoi eksperiencat e tij. E ballafaqoi karakterin e tij me karakteret e personazheve të tjerë. Vrau mendjen për të njëjtat sfida dhe probleme me të cilat u përball ai. Mori pjesë në debatin publik dhe dëgjoi analizat e mendimet e ndryshme rreth tij. Rrahu mendimet me miqtë dhe të afërmit. Në fund u bashkua dhe gjeti fuqinë të shprehë mbështetjen e nëpërmjet aksionit. Pra, publiku e bëri kauzën e Luizit kauzë të vetën dhe në bazë të saj veproi.
Për mua gjithçka ka kuptim. Qarku është i plotë. A nuk është ky i njëjti proces që ndodh me personazhet e telefilmave, skuadrat sportive, apo konkurset televizive? Publiku njihet me subjektin dhe personazhet pjesëmarrëse, krijon lidhje shpirtërore me atë që mendon se e përfaqëson më mirë dhe reagon në mënyrë emocionale sa herë që ka fitore apo humbje. Veçanërisht skuadrat sportive jane shprehja me ekstreme e këtij koncepti, pasi në një loje sportive asgjë nuk vlerësohet më shumë se sa niveli i sinkronizimit të lojtarëve në funksion të fitores.
Aksioni politik e social funksionon ekzakt në të njëjtën mënyrë. Ai është një kurorëzim i një procesi mendor e shpirtëror, gjatë të cilit njerëzit njihen me kauzën politike e sociale, e përpunojnë atë, e kuptojnë, e përvetësojnë, e bëjnë të tyren dhe në fund fare hidhen në veprim për t’i dhënë asaj jetë. Ky proces shpirtëror e mendor mund të vihet re shumë mirë gjatë konflikteve të armatosura, me pjesëmarrjen në formë krejt vullnetare të njerëzve si p.sh. në Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare* (LANÇ) apo atë të Kosovës, ku pasqyrohet pikërisht aftësia e njerëzve për t’u sinkronizuar e për tu hedhur në aksion për kauza të përbashkëta madhore, të cilat përndryshe, nuk do të kishin marrë asnjëherë jetë**. Veçanërisht interesant është rasti i Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, e cila filloi si një përpjekje e disa grupeve të vogla për rezistencë antifashiste dhe mori përmasat e një lufte çlirimtare, falë sinkronizimit të aksionit të qëndresës së njerëzve të thjeshtë në Shqipëri me qëndresën e njerëzve në të gjithë botën.
* Luftën Antifashiste Nacional Çlirimtare e kam marrë për analizë për shkak se ishte një rezultati i një lëvizjeje që u ngrit tërësisht me forcat e anëtarëve të saj.
** I riu Vasil Laçi bëri një gjest shumë të guximshëm patriotik duke kryer atentat kundër Perandorit Viktor Emanueli i III, por duke qenë i vetëm e i papërgatitur, ai nuk nxiti ndonjë reagim të menjëhershëm popullor.
Pra, që njerëzit të ngrihen në protesta e aksione politike, duhet që ata më parë të sinkronizohen me njëri tjetrin mendërisht e shpirtërisht, njësoj si lojtarët e një skuadre sportive, të cilët trajnohen dhe bashkëveprojnë të gjithë me njëri-tjetrin për arritjen e një qëllim të vetëm, fitoren. Mirëpo në dallim nga skuadra sportive, objektivat e të cilës janë të qarta, të thjeshta e të pranuara botërisht, sinkronizimi i njerëzve me prejardhje nga sfera të ndryshme të jetës, moshave, interesave, kualifikimeve, eksperiencave e dëshirave të ndryshme, është një proces shumë më i ndërlikuar.
Fakti që të gjithë përballemi me të njëjtat probleme e të njëjtat sfida sociale e ekonomike nuk do të thotë se të gjithë i përjetojmë ato e reagojmë ndaj tyre në të njëjtën mënyrë. Edhe në një grup fare të vogël njerëzish mund të dallosh se si gjithsecili ka një mënyrë individuale të bërjes së punëve e të menaxhimit të situatave të vështira. Kush ka qenë në shkollë, apo në një grup pune e di që, pothuajse gjithmonë, në çdo grup do të gjesh të paktën katër a pesë personazhë tipikë: atë që e zë paniku, ai që bën rolin e udhëheqësit, ai që ka tendencën të bëjë kompromise e të bashkëpunojë me palën më të fortë, ai që i shmanget përgjegjësive, ai që përpiqet të arrijë rezultate nëpërmjet mashtrimit, apatiku e dembeli që i do gjërat qyl, ai që preferon një qasje teknike, ai që çdo gjë e merr me pasion, etj. Në fund të fundit secili ka interesin e tij personal dhe ky është një aspekt i shoqërisë demokratike që duhet pranuar e marrë si i mirëqenë. Edhe pse mund të mos jetë në interesin e tyre afatgjatë, njerëzit mund të marrin vendime afatshkurtra e të bëjnë zgjedhje krejt pragmatike dhe kjo është tërësisht e drejta e tyre. Jo rrallë herë ndodh që njerëzit më shumë prishin punë se sa ndreqin.
Prandaj, ashtu si me lojtarët e një skuadre, që pavarësisht karakterit e botëkuptimit të gjithsecilit, bëhet një punë e gjerë stërvitore e përgatitore deri sa të arrijnë sinkronizimin maksimal të aftësive të tyre profesionale, ashtu dhe me njerëzit e thjeshtë duhet bërë një punë e thellë përgatitore praktike e ideologjike me qëllim që të ata të sinkronizojnë energjinë e tyre drejt arritjes së një qëllimi të përbashkët përfundimtar, mbrojtjen e kauzës.
Ngritja dhe mbrojtja e një kauze
Mbrojtja e kauzave nuk mund të bëhet nga fillestarë e njerëz të papërgatitur. Jo sepse është e ndaluar, apo se ka ndonjë gjë të keqe, por sepse një kauzë e ngritur nga diletantët rrezikohet të mbytet pa dalë ende nga bregu. Jo rrallë herë kemi vënë re nisma e lëvizje të çfarëdo lloji, të cilat ose janë shuar fare, ose kanë mbetur në vend numëro, për shkak të mungesës së eksperiencës dhe përgatitjes profesionale të aktivistëve që i kanë dalë për zot, pavarësisht dëshirë së tyre të mirë për t'u zgjeruar. Prandaj, në këtë kuptim, përgatitja profesionale e aktivistëve është një nga problemet themelore të organizimit të çdo nisme apo lëvizjeje.
Gjatë luftës së dytë botërore, Fronti Nacional Çlirimtar i kushtonte rëndësi të madhe çështjes së përgatitjes morale e politike të partizanëve dhe simpatizantëve të luftës me qëllim sinkronizimin e punës së tyre në funksion të një qëllimi të vetëm dhe për këtë kishte ngritur organe të posaçme, detyra e të cilave ishte të sqaronte e të bindte njerëzit për legjitimitetin e kauzës së luftës dhe domosdoshmërinë e arritjes së qëllimit përfundimtar, çlirimin e plotë të vendit.
Për të vlerësuar nivelin e përgatitjes profesionale e intelektuale, çdo aktivist duhet të jetë në gjendje që t’i përgjigjet pyetjeve të mëposhtme. Kauza mund të jetë si shoqërore ashtu edhe politike. Në të dyja rastet pyetjet janë njësoj:
- Cila është kauza që mbroj?
- Pse kauza që mbroj unë është e drejtë dhe legjitime?
- Përse duhet të më mbështesë publiku në mbrojtjen e kauzës? Çfarë përfitojnë të tjerët?
- Cilët janë hapat që duhen ndërmarr në mbrojtje të kësaj kauze? Çfarë duhet të bëj unë?
Për kauza të ndryshme mund të ketë përgjigje të ndryshme. Më poshtë unë po tregoj një shembull se si do tu përgjigjesha unë këtyre pyetjeve nëse kauza ime do të ishte mbrojtja e mjedisit:
- Cila është kauza që mbroj? Kauza që mbroj është e ndalimi i ndotjes e mjedisit nga kompanitë që shfrytëzojnë burimet natyrore.
- Pse kauza që mbroj unë është e drejtë dhe legjitime? Kauza që mbroj është e drejtë sepse mbron interesat e qytetarëve shqiptarë, shtetit shqiptar, të ardhmen e brezave të rinj, mjedisin e përbashkët, florën dhe faunën e vendit tim. Ajo është legjitime sepse unë jam qytetar i këtij shteti dhe në bazë të kushtetutës kam të drejtë të dal në mbrojtje të mirëqenies time dhe vendit tim, dhe se ndotja e mjedisit është e jashtëligjshme dhe e pamoralshme.
- Pse duhet të fitoj mbështetjen e publikut? Çfarë përfitojnë të tjerët? Duke më mbështetur mua, të gjithë qytetarët shqiptarë mbrojnë pasurinë e tyre të përbashkët. Ata ruajnë natyrën dhe të ardhmen e fëmijëve të tyre.
- Cilët janë hapat që duhen ndërmarr në mbrojtje të kësaj kauze? Çfarë duhet të bëj unë? Hapat që duhet të ndërmarr për mbrojtjen e kauzës time janë hetimi i gjendjes aktuale, zbërthimi i kornizës ligjore, promovimi i kauzës dhe aksioni politik.
Tre pyetjet e para mund të jenë relativisht të thjeshta për t’u përgjigjur sepse ato kanë të bëjnë më shumë me anën teorike se sa atë praktike. Pika e katërt është ajo ku shumica e aktivistëve hasin me pengesat më të mëdha sepse ka të bëjë me veprimet konkrete që duhen ndërmarrë për organizimin e një fushate dhe varen përgjithësisht nga eksperienca individuale e gjithsecilit. Shumë aktivistë, sidomos të rinjtë, kanë energjinë dhe entuziazmin e moshës por jo dijet dhe eksperiencën. Ata frymëzohen nga pamjet vizuale që shohin në media, të cilat paraqesin protesta e grumbullime njerëzish, deri diku zbavitëse, dhe mendojnë se po shprehën dëshirën për pjesëmarrje apo po treguan entuziazëm aktiv, atëherë automatikisht do të sinkronizohen në një mendim dhe gjërat do bëhen vetë. Pastaj, kur vjen puna për të organizuar një fushatë reale në mbrojtje të një kauze dhe fillojnë njëra pas tjetrës sfidat, vështirësitë dhe mosmarrëveshjet, shumica e tyre zhgënjehen, humbasin entuziazmin dhe braktisin kauzën.
Prandaj, për këtë arsye po bëj një shtjellim të shkurtër të pikës katër dhe qasjes konkrete që duhet të ketë aktivisti për mbrojtjen e suksesshme të një kauze.
Njohja e thellë e subjektit të kauzës dhe problematikave për shkak të të cilave ka lindur
Hapi i parë drejtë aksionit shoqëror e politik për mbrojtjen e një kauze është njohja me themel e subjektit të kauzës dhe problematikave që kanë shkaktuar lindjen e saj. Ashtu si mjeku, që për të nxjerrë diagnozën e për të përcaktuar kurën e saktë duhet të njihet me gjendjen shëndetësore të pacientit dhe të gjitha simptomat e sëmundjes, ashtu edhe aktivisti duhet të ketë njohuri të thella për fushën apo sektorin në të cilin vepron, në mënyrë që të kuptojë të gjitha problematikat, të mësojë se ç’pengesa do të hasë dhe me cilët kundërshtarë do të përballet, në mënyrë që të ndërtojë një strategji të qartë e plan të saktë veprimi.
Fjala vjen, nëse kauza që mbrojmë është mjedisi, atëherë si ta kuptojmë dëmin mjedisor nëse ai nuk duket me sy të lirë? Nga ta marrim vesh që minatorëve nuk po u respektohen të drejtat e punës nëse nuk i njohim rreziqet e shumta që hasin ata në profesionin e tyre? Shpesh, edhe ato kauza që mund të duken krejt të thjeshta e të qarta në sipërfaqe, kanë nga mbrapa një mori aspektesh teknike e ligjore, të cilat mund të bëhen në çdo moment pengesë për mbrojtjen e tyre. P.sh., jo rrallë herë, personat që pengojnë mbarëvajtjen e një procesi fshihen pas detajeve thellësisht teknike që nuk kuptohen nga njerëzit e thjeshtë, pas praktikave të mangëta institucionale apo edhe pas indiferencës e padijes së njerëzve. Nuk është e rrallë të dëgjosh shprehjen “nuk e bëjmë dot këtë sepse nuk na e lejon ligji”.
Duke u njohur mirë me subjektin e kauzës aktivisti mund ta zbërthejë atë në komponentë e saj përbërës, të përvetësojë të gjithë mekanizmat e funksionimit dhe prej saj të ndërtojë një strategji në funksion të qëllimeve të do të arrijë. Jo vetëm kaq, por duke u njohur mirë me subjektin e kauzës, aktivisti mund t’ia shpjegojë e t’ia promovojë atë publikut të gjerë, në mënyrë të përmbledhur e me fjalë të thjeshta, në mënyrë që të bëjë për vete sa më shumë simpatizantë.
Shpesh herë kauzat më të rëndësishme vdesin që në djep pikërisht për shkak të mos promovimit të tyre. Prandaj dhe, kur shikojmë në lajme që kompanitë private u bllokojnë lumenjtë fshatrave, njëra pas tjetrës, duke i lënë ata pa ujë, për ta devijuar atë drejt HEC-eve të tyre, në protestat e fshatarëve nuk duken më shumë se 20-30 burra të papërgatitur. Ata ngrihen në protesta spontane por nuk arrijnë të tërheqin dot vëmendjen e publikut të gjerë dhe kauza e tyre vdes shpejt.
Në një situatë të tillë u gjenden banorët që u bënë viktima të shpronësimeve të qeverisë e Bashkive në rrethe të ndryshme të vendit, të cilët të paktë e të shpërndarë siç ishin, nuk patën mundësinë të organizohen në një grup me interesa të përbashkëta e të flisnin me një zë. Ata mbetën ashtu, grupe të vogla njerëzish të ndrydhur brenda kuadrit të kamerës së lajmeve, pa tërhequr vëmendjen e publikut të gjerë dhe pa fituar simpatinë e tyre. Mirëpo ndërkohë që ata përballen me vendime që u shkatërrojnë jetën dhe të ardhmen e familjes së tyre, të vetmen mbështetje që marrin janë deklaratat gjithë mllef të Facebookut, të tipit “ky vend s’bëhet!”.
Mungesa e informacionit u dallua edhe gjatë aksionit për mbrojtjen e lumit të Vjosës nga vendosja e digave të hidrocentraleve. Edhe pse fatmirësisht për momentin ndërtimi i HEC-eve në këtë lum u ndalua, publiku i gjerë nuk e kuptoi asnjëherë rëndësinë e këtij vendimi, dhe kur agjencitë përkatëse do fillojnë, eventualisht, të gjejnë mekanizmat për të anashkaluar pengesat ligjore e për të dhënë leje për ndërtimin e HEC-eve, sidomos nën pretekstin e investimit strategjik, siç ka dhënë leje për ndërtim HEC-esh në parqet kombëtare të Valbonës, Shebenikut, etj, apo siç po bëjnë me tkurrjen e territoreve të parqeve kombëtare me qëllim shfrytëzimin e terrenit për ndërtime turistike, askush nga publiku i i gjerë nuk do të protestojë. Pa ndërgjegjësimin e publikut, pengesa ligjore për ndërtimin e HEC-eve në Vjosë nuk bëri asgjë tjetër veçse rriti tarifën korruptive që kompania e radhës do duhet të paguajë tek institucionet përkatëse.
Çështja e lumit të Vjosës vazhdon edhe sot e kësaj dite të mbetet një mister për shumicën e njerëzve, pasi aktivistët që dolën nëpër fushata nuk i shpjeguan asnjëherë problematikat që shkaktohen nga ndërtimi i digave në lum. Deri më sot njerëzit e thjeshtë dinë që hidrocentralet prodhojnë energjinë dhe Shqipëria ka shumë nevojë për energji. Madje Shqipëria ka një kaskadë të madhe me tre hidrocentrale gjigandë, njëra pas tjetrës, dhe për këtë askush nuk është ankuar ndonjëherë apo të ketë dalë me një listë kritikash për ndërtimin dhe funksionimin e këtyre veprave. Kështu që gjithë ajo fushatë për të ruajtur “egërsinë” e Vjosës kundrejt perspektivës për të prodhuar energji bie krejt në kundërshtim me gjithë arsyetimin publik të pranuar deri më sot.
Duke e njohur subjektin e kauzës në themel, aktivisti mund të ballafaqohet me argumentet e kundërshtarëve dhe madje të mbizotërojë debatin duke formuluar argumenta bindëse për publikun. I tillë ishte rasti i anëtarëve të celulave komuniste në njësitë partizane, të cilët kishin për detyrë që të ishin më të përgatitur se kundërshtarët e tyre politikë, në mënyrë që kur të ballafaqoheshin me ta në mbledhje e kuvende nëpër fshatra, të ofronin argumenta bindëse duke treguar kompetencë dhe autoritet. Në këtë mënyrë ata garantonin mbështetjen e popullsisë civile për kauzën e luftës pa kompromis.
Nëse subjekti i kauzës është dëmtimi i mjedisit, atëherë aktivisti duhet të mësojë gjithçka që mundet rreth mjedisit dhe pasojave të drejtpërdrejta që ka dëmtimi i tij tek flora e fauna, shoqëria, ekonomia, dhe e ardhmja e vendit. Nëse subjekti është shkelja e të drejtave të një komuniteti, atëherë aktivisti duhet të dijë gjithçka rreth të drejtave të njeriut, historikun e çështjes në fjalë, fizionominë e komunitetit të cilit po i shkelen të drejtat dhe pasojat që shkelja e të drejtave ka mbi këtë komunitet dhe shoqërinë në përgjithësi. Në rastet kur problematikat janë më të gjera dhe përfshijnë shumë grupe interesi e shumë aspekte të shoqërisë, d.m.th. janë problematika politike, atëherë aktivisti duhet të mësojë gjithçka rreth këtyre grupeve e të gjejë elementin që i bashkon, në mënyrë që t’i sjellë këto grupe më pranë njëri tjetrit, në funksion të një qëllimi të përbashkët.
Njohja dhe analiza e problematikave mund të bëhet duke lexuar analiza e studime mbi subjektin e kauzës, duke folur me palët e dëmtuara apo të interesuara, dhe veçanërisht nga bisedat me specialistët dhe ekspertët e fushës. Në fakt takimet me ekspertët janë tepër të rëndësishme pasi ata mund të ndihmojnë në ngritjen e shpejtë të një plani veprimi, në vendosjen e kauzës në kontekstin e duhur tekniko-ligjor, të tregojnë aspekte njerëzore e sekrete që nuk gjenden nëpër studime, të nxjerrin konkluzione nga eksperienca të ngjashme, etj.
Njohja e kornizës ligjore dhe institucioneve përgjegjëse
Njohja e kornizës ligjore mbi të cilën do të bazohet kauza është një domosdoshmëri e çdo projekti. Aktivisti duhet të mësojë se cilat ligje janë përgjegjëse për qeverisjen e sektorit në të cilin është ngritur kauza, të drejtat dhe detyrimet e palëve (shtetit, publikut, biznesit privat, etj.) përgjegjësitë specifike të institucioneve dhe agjencive të shtetit, mangësitë e ligjit dhe hapësira ligjore në kuadër të të cilit do të zhvillohet aksioni shoqëror ose politik.
P.sh. në rastin kur bëhet fjalë për lejet e shfrytëzimit të burimeve natyrore, aktivisti duhet të dijë se cilat janë të drejtat dhe detyrimet e shfrytëzuesit, cilët janë mekanizmat ligjorë të mbrojtjes së burimeve natyrore, cilat janë detyrimet dhe përgjegjësitë e institucioneve shtetërore dhe cilët janë hapat që mund të ndërmerren për zgjidhjen e problematikave të ndryshme.
P.sh. nga analiza e imët e legjislacionit për shfrytëzimin e minierave në Bulqizë u vu re që edhe pse në lejet e dhënies për shfrytëzim të minierave përfshihet një taksë e mjedisit, të cilën duhet ta marrë Bashkia e qytetit, mekanizmat dhe procedurat e mangëta ligjorë kanë bërë që Bashkia mos të jetë në gjendje ta vjelë atë. Nga kjo taksë Bashkia e Bulqizës do të garantonte fonde të konsiderueshme për investime në qyet, në të mirë të qytetarëve dhe të rikuperimit të dëmit në mjedis, por për shkak të realitetit ligjor e administrativ nuk e bën dot.
Një rast tjetër është ai në Vlorë, gjatë ndërtimit të rrugës së quajtur “Transballkanike”. Shumë nga shtëpitë që u prishën për hapjen e rrugës i përkisnin komunitetit çam. Atyre u ishte dhënë tokë nga regjimi komunist për të ndërtuar shtëpitë e tyre në vitet 60 dhe ata i kishin ndërtuar këto shtëpi në vite, sipas mundësisë, duke hedhur aty djersën e disa dekadave punë, me shpresën që do t’ua trashëgonin ato fëmijëve të tyre. Mirëpo për shkak të korrupsionit që ka ekzistuar gjatë dekadave në zyrën e regjistrimit të pronave, shumë prej tyre nuk kishin pasur mundësi ta legalizonin truallin. Kur u bë plani i rrugës së re andej nga fillimi i viteve 2000, institucionet shtetërore kishin falsifikuar procesin e konsultimeve me komunitetin, duke marrë kinse aprovimin e banorëve për ndërtimin e rrugës. Para se të vinte në pushtet, Edi Rama premtoi se do të vinte në vend të gjitha parregullsitë e bëra gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike. Por kur erdhi puna për ndërtimin e rrugës në vitin 2016, Bashkia shfrytëzoi proceset e mangëta të realizuara gjatë qeverisje së PD dhe procesi vazhdoi normalisht, pa marrë në konsideratë problematikat e trashëguara ligjore, duke i lënë kështu qytetarët me gisht në gojë. Kur banorët dolën për të protestuar në rrugë, ata ishin shumë pak dhe pasqyrimi i aksionit të tyre nuk zgjati as një ditë në emisionet e lajmeve. Shumë njerëzve iu prishën shtëpitë dhe humbën investimin e një jete jo për faj të tyre dhe nga publiku i gjerë nuk pati asnjë reagim.
Ky fenomen ka ndodhur gjithandej nëpër Shqipëri dhe numri i njerëzve që janë prekur prej këtyre manovrave ligjore është i konsiderueshëm. Nëse këta njerëz do të ishin njohur që më parë me kornizën ligjore që qeveris pronat e tyre dhe të kishin marrë masa duke u lidhur me avokatë e aktivistë, ato do të mund të kishin marrë masa e të organizoheshin për t’i dalë problemit para shumë më herët.
Mbledhja e provave shkencore dhe analizat laboratorike. Dokumentimi i dëmit. Mbledhja e dëshmive
Mbrojtja e kauzave shoqërore e politike, shpesh herë kërkon ballafaqimin me agjencitë shtetërore, organet e hetuesisë dhe ato të drejtësisë. Kjo përballje mund të bëhet vetëm në nivel dokumentacioni, pasi institucionet shtetërore nuk i njohin argumentet politikë e emocionalë dhe mund të veprojnë vetëm në bazë të dokumenteve. Për këtë, mbledhja e provave shkencore dhe dokumentimi i dëmit apo çdo elementi që mund të ndihmojë në favor të kauzës është një proces i domosdoshëm. Kur dëmi është i dokumentuar me prova shkencore dhe dëshmi të shumta, hapësira për të manipuluar e për ta fshehur të vërtetën zvogëlohet ndjeshëm. Dokumentimi i saktë i dëmit dhe analizat laboratorike ndihmojnë gjithashtu procesin hetimor e gjyqësor që të nxjerrë më shpejtë e më lehtë shkaktarin e dëmit përpara forcës së ligjit.
Kështu, nëse bëhet fjalë për dëm mjedisor, si p.sh, ndotja e ujit, ajrit dhe tokës, apo shkatërrimi i pyjeve, atëherë duhen mbledhur prova dokumentare në terren (fotografi, ekspertiza, etj.) dhe të bëhen analiza në laboratorë të akredituar*. Nëse bëhet fjalë për shkeljen e të drejtave të një komuniteti njerëzish, atëherë duhet mbledhur prova dokumentare, si: dëshmitë me gojë apo me shkrim të njerëzve, dokumentet administrativë ose mjekësorë të lëshuar nga institucionet përkatëse, fotografitë, regjistrimet audio vizuale, etj.
*Laborator i akredituar quhet një laborator që ka marrë licencën dhe rezultatet e analizave të tij njihen zyrtarisht nga shteti.
Në çdo rast, mbledhja e provave materiale, dokumentare dhe dëshmive rrit besueshmërinë dhe legjitimitetin e aksionit politik e shoqëror në sytë e publikut dhe tregon që aktivisti i ka kryer më së miri detyrat e shtëpisë, është njeri serioz dhe e ka marrë seriozisht detyrën që i ka vënë vetes. Kjo e sjell kauzën më afër publikut.
Dokumentimi dhe publikimi i të gjitha veprimeve në kuadër të mbrojtje së kauzës dhe rezultatet e punës së aktivistit
Lufta për mbrojtjen e kauzave nuk ka asnjë vlerë nëse aktivisti nuk është në gjendje të fitojë mbështetjen dhe simpatinë e publikut, e që të arrihet kjo, si në rastin e Luizit të Big Brotherit, duhet që publiku të informohet në vazhdimësi me veprimet dhe rezultatet e punës së aktivistit, ta kuptojë atë, të lidhet me të shpirtërisht dhe ta mbështesë në rrugëtimin e tij. Në fakt kjo është pjesa më e rëndësishme e punës së aktivizmit, që lidhet drejtpërdrejt edhe me titullin e shkrimit. Dokumentimi dhe publikimi i veprimeve praktike e ligjore krijon besueshmëri, reflekton profesionalizëm, rrit autoritetin, e mban publikun të ndërgjegjësuar e të angazhuar mendërisht dhe i jep atij shtysën që të bëhet pjesë e aksionit shoqëror e politik.
Ka disa forma të dokumentimit e publikimit të rezultateve të punës. Këto janë: raportet e plota periodike të veprimtarisë së kryer në kuadër të mbrojtjes së kauzës, përmbledhjet e informacionit në formë infografikësh, artikujsh e postimesh në media sociale, lajmet dhe njoftimet, deklarata për shtyp, etj.
Në raporte dokumentohet me detaje e gjithë veprimtaria teknike, ligjore e politike e zhvilluar në kuadër të kauzës dhe këto i shërbejnë kryesisht njerëzve që janë të angazhuar drejtpërdrejt me këtë veprimtari dhe kanë detyra konkrete. P.sh. në rastin e OJQ-ve, raportet përgatiten për të gjitha palët e interesuara, veçanërisht donatorët, në mënyrë që lexuesi të jetë në dijeni, ose të analizojë në detaje punën dhe rezultatet e projektit. Në rastin e një lëvizjeje politike apo shoqërore, raportet u shërbejnë anëtarëve, administratës dhe aktivistëve të lëvizjes apo nismës, në mënyrë që këta të jenë në dijeni të veprimtarisë praktike e ligjore në të gjitha etapat kur të bëjnë analizën e punës.
Mirëpo raportet nuk mund të përpilohen nëse nuk ekziston dokumentacioni përkatës. Nismat e lëvizjet janë, në një farë mënyre, institucione shoqërore, e si të tilla, ato e fitojnë autoritetin dhe pushtetin e tyre prej aftësisë për të krijuar dhe menaxhuar dokumentacion të saktë, të detajuar e të gjithanshëm. Pa këtë dokumentacion aktiviteti i tyre harrohet, kauza zbehet, dhe përveç atyre që janë të angazhuar në mënyrë të drejtpërdrejtë, askush tjetër nuk mund të mësojë nga eksperienca e fituar. Prandaj, çdo aktivitet, çdo vendim dhe çdo komunikim formal duhet dokumentuar në mënyrë të rregullt e të detajuar.
Nga raportet e detajuara teknike nxirren përmbledhjet e shkurtra e koncize në formë artikujsh informative, infografikësh, postimesh në media sociale, përkufizimesh, etj. Këto janë format me anë të të cilave aktivisti komunikon me publikun e gjerë, e informon atë nëpërmjet tekstit të shkruar dhe imazheve të fuqishme për gjendjen aktuale, e edukon me informacion statistikor e konkluzione tekniko-shkencore dhe i hap horizonte të reja për tu njohur më thellë me kauzën. Pra, nëpërmjet këtij komunikimi, aktivisti fiton vëmendjen dhe admirimin e publikut, zhvillon ndërgjegjësimin e tij dhe hedh farën e bashkëpunimit mes tij dhe aktivistit, me perspektivën që në një të ardhmen të afërt, çdonjëri prej simpatizantëve të shndërrohet në një aktivist në mbrojtje të kauzës.
Gjatë luftës, Fronti Nacional Çlirimtar shfrytëzonte gjerësisht traktet për t’i komunikuar popullsisë së zonave të çliruara e të pushtuara veprimtarinë e saj politike e ushtarake. Traktet përgatiteshin nga njerëz të specializuar, të pajisur me teknikën e aftësitë përkatëse profesionale dhe në to bëhej një përmbledhje e të gjitha ngjarjeve kryesore, sidomos operacionet e njësive të armatosura partizane kundër ushtrisë pushtuese. Në këtë mënyrë FNÇ propagandonte aktivitetin e saj dhe mbante gjallë interesin e popullsisë civile edhe pse një pjesë e territorit ishte ende nën kontrollin e forcave pushtuese. Sot format e komunikimit janë të shumëllojshme, lehtësisht të përdorshme nga të gjithë dhe më e rëndësishmja, pa pagesë.
Vendosja e objektivave afatgjatë e afatshkurtër
Mbrojtja e një kauze është në vetvete një projekt dhe si në çdo projekt duhet të vendosen objektiva afatgjatë dhe objektiva afatshkurtër. Ndërkohë që objektivat afatgjatë shërbejnë si fanarë udhëzues për arritjen e qëllimit përfundimtar, objektivat afatshkurtër shërbejnë për realizimin e këtij qëllimi shkallë-shkallë. Kështu, për arritjen e çdo objektivi afatgjatë puna organizohet në etapa me objektiva afatshkurtër. Për arritjen e çdo objektivi afatshkurtër jepen detyra konkrete, lehtësisht të realizueshme. Dhe, për çdo detyrë të kryer me sukses bëhen analizat dhe nxirren mësimet për përmirësimin e metodikës së punës gjatë veprimtarisë në vazhdim.
Pa vendosjen e objektivave afatgjatë, nisma apo lëvizja për mbrojtjen e një kauze do të humbiste menjëherë fokusin, do të shpërndahej sa andej-këndej, pa një drejtim konkret dhe do të humbiste vrullin. Po si dallohen objektivat afatgjatë nga ata afatshkurtër? Objektiv afatgjatë është, për shembull, mbrojtja e të drejtave të punëtorëve në një sektor të caktuar të industrisë. Në Shqipëri ka plot sektorë ku punëtorët nuk arrijnë të përfitojnë të gjitha të përfitimet që u jep ligji e për këtë ata kanë nevojë për mbështetjen e aktivistëve dhe publikut. Një objektiv tjetër afatgjatë është ndalimi i shpërdorimit të pasurisë natyrore dhe rikthimi i tyre në gjendjen e mëparshme për shkak se abuzimi me burimet natyrore është një nga problemet kryesore me të cilët përballet Shqipëria sot. Edhe në këtë rast, janë aktivistët dhe publiku i gjerë ata që mund të bëjë ndryshimin e gjendjes.
Ndërsa objektiva afatshkurtër janë p.sh. krijimi i një harte në të cilën janë shënuar të gjitha kompanitë që shfrytëzojnë burimet natyrore dhe evindentimi i atyre kompanive që kanë dëmtuar mjedisi, ose evindentimi dhe njohja me të gjitha studimet që kanë bërë shoqatat e ndryshme jo qeveritare për çështjen e të drejtave të punëtorëve në Shqipëri. Objektiva afatshkurtër janë edhe p.sh. shkrepja e fotografive me qëllim dokumentimin e një dëmi mjedisor dhe katalogimi i tyre, apo edhe thjeshtë evidentimi i një neni të caktuar në filan ligj, i cili mund të shërbejë për fomulimin e një argumenti ligjor. Realizimi me sukses i çdo detyre e veprimi konkret është një objektiv afatshkurtër.
Duke vendosur e pastaj arritur objektivat afatshkurtër, pjesëmarrja në aksione shoqërore e politike bëhet më e thjeshtë edhe për simpatizantët dhe publikun e gjerë. P.sh. gjatë luftës së dytë botërore, objektivi afatgjatë që komunistët i vunë vetes së tyre ishte lufta pa kompromis kundër pushtuesit, deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë. Mirëpo ky nuk ishte një objektiv që mund të realizohej shpejt e shpejt, me një aksion të vetëm, edhe sikur qytetarët shqiptarë të dilnin të gjithë në protestë. Do duhej një punë e jashtëzakonshme dhe tre vjet sakrifica kolosale derisa të arrihej objektivi afatgjatë. Prandaj, për të mos rënë në pozitën e disfatës, komunistët i vunë vetes një mori objektivash afatshkurtër që mund të realizoheshin prej tyre çdo ditë nga pak, të cilët fillonin me detyrat e thjeshta si organizimi i rregullt i partisë, propaganda antifashiste në qytete, apo ngritja e njësiteve guerile, dhe vazhdonin duke vendosur lidhjet me çetën e Pezës, përpjekja për të tërhequr patriotët dhe organizimi i njësive partizane në fshat. Realizimi me sukses i të gjithë këtyre objektivave afatshkurtër çoi në organizimin e Frontit Antifashist Nacional Çlirimtar, rritjen e aksioneve të armatosura, transformimin e njësiteve guerile në çeta, çetave në batalione, batalioneve në brigada, divizione e korparmata, deri në çlirimin e plotë të Shqipërisë dhe përfundimin e luftës.
Zgjerimi i nismës me anëtarë të rinj
Shprehja e famshme popullore thotë, “Trimi i mirë, me shokë shumë”, që do të thotë se i vetëm, asnjeri nuk mund të mbrojë kauza e të promovojë ndryshime shoqërore. Prandaj është e domosdoshme që nisma për mbrojtjen e një kauze të ketë sa më shumë aktivistë. Rekrutimi i aktivistëve është një nga proceset më të rëndësishme të çdo nisme sepse prurja e anëtarëve të rinj krijon mundësinë e realizimit të detyrave më shpejt dhe me rendiment më të lartë, mundëson promovim më të gjerë të kauzës, krijon më shumë mundësi bashkëpunimi me aktorë të rëndësishëm dhe tërheq më shpejtë vëmendjen e publikut.
Për rekrutimin e anëtarëve të rinj në një nismë shoqërore e politike nevojiten tre gjëra: materiali cilësor rekrutues, organizimi i takimeve të drejtpërdrejta dhe komunikimi profesional, si dhe ndërtimi i një strukture të qartë e të mirë menduar organizative për aktivizimin e anëtarëve të rinj. Në këtë këndvështrim, rekrutimi i anëtarëve të rinj për mbrojtjen e një kauze nuk ka aspak ndryshim nga rekrutimi i njerëzve në çdo lloj aktiviteti tjetër.
Në momentin që një individ ka marrë vendimin për t’iu bashkuar një nisme, ai duhet të ndjejë se vendimi që ai ka marrë nuk do t’i shkaktojë zhgënjim dhe se investimi i kohës së tij do t’ia vlejë barra qiranë. Jo rrallë herë ka ndodhur që të rinj e të reja me potencial të lartë intelektual tu afrohen nismave të ndryshme shoqërore e politike vetëm për tu përballur pastaj me një mungesë profesionalizmi, indiferencë e madje edhe arrogancë. Sjellje të tilla janë vdekjeprurëse për çdo nismë dhe duhen shmangur me çdo kusht. Dëshira e njerëzve për të investuar kohën dhe mundin e tyre në funksion të një kauze është valuta e vetme me të cilën funksionojnë nismat politike e shoqërore dhe duhet konsideruar si pasuria më e çmueshme që mund të fitohet. Pa atë dëshirë njerëzore nuk ka aksion, nuk ka rezultate, nuk ka kauzë.
Kështu, nga ky këndvështrim, puna për rekrutimin e njerëzve fillon që me materialin rekrutues. Më sipër fola për dokumentimin e promovimin e kauzës dhe mbajtjen gjallë të interesit të publikut. Materiali rekrutues hyn në këtë kategori, por është i ndërtuar në mënyrë të tillë që t’ia bëjë simpatizantit më të lehtë anëtarësimin dhe angazhimin në veprimtari konkrete. Nëse simpatizanti është i sigurt për bindjet e tij në mbështetje të kauzës, materiali rekrutues duhet që t’ia përforcojë këtë bindje e ta shtyjë të veprojë. Kjo do të thotë se materiali rekrutues nuk duhet të ketë përmbajtje klishe dhe pa gjallëri, por duhet të japë një reklamë të shkurtër të jetës prej aktivisti që e pret simpatizantin si anëtar i lëvizjes apo nismës. Ashtu si përshkrimi i një oferte pune, materiali rekrutues duhet të rendisë detyrat, përgjegjësitë, llojin e angazhimit që pritet nga anëtari i ri dhe padyshim përfitimet që rrjedhin si rezultat i pjesëmarrjes, edhe sikur këto të jenë thjeshtë morale e emocionale, si p.sh. atmosfera e ngrohtë shoqërore e bashkëpunuese.
Nga ana tjetër, materiali rekrutues duhet t’i imponojë simpatizantit ndjesinë e rregullit e të disiplinës, në mënyrë që ky të përgatitet për një marrëdhënie të përgjegjshme e frytdhënëse “pa hyrë ende në derë”. Kështu në formularët e rekrutimit, përveç informacionit të përgjithshëm, anëtarit të ri mund t’i kërkohet që të rendisë specializimet, aftësitë profesionale, sektorin ku mund të kontribuojë dhe orët e angazhimit. Në bazë të kësaj të fundit mund të përcaktohet edhe statusi i tij, si p.sh.: simpatizant aktiv pa të drejtë vote, me një angazhim të përgjithshëm jo më shumë se 4 orë në javë; aktivist i pjesshëm me të drejtë gjysmë vote, me një angazhim të përgjithshëm nga 4-16 orë; si dhe anëtar me të drejta të plota me një angazhim të përgjithshëm më shumë se 16 orë. Në këtë mënyrë aktivizmi i njerëzve merr vlerë konkrete.
Në përgjithësi një nismë apo lëvizje duhet të ketë një strukturë të fuqishme organizative, në mënyrë që asnjë anëtar të mos ndjehet i humbur e i pavlerë. Askush nuk duhet ta quajë veten anëtar pa pasur një detyrë konkrete, pasi apatia është ngjitëse, sidomos tek të rinjtë pa eksperiencë. Një strukturë e shëndoshë organizative u jep anëtarëve mundësi që të gjejnë gjithsecili vendin e tij dhe të japin kontributin e tyre në atë sektor ku kanë mundësi e aftësi.
Organizimi i takimeve dhe mbledhjeve me anëtarët dhe simpatizantët
Kontakti i drejtpërdrejtë me njerëzit është jeta e çdo nisme e lëvizjeje shoqërore e politike. Asgjë nuk e zëvendëson komunikimin nga afër dhe krijimin e marrëdhënieve njerëzore. Në më të shumtën e rasteve nismat e lëvizjet shoqërore e politike fillojnë nga një grup miqsh, të cilët njihen mjaft mirë me njëri-tjetrin dhe vendosin të aktivizohen. Prandaj, çdo lëvizje apo nismë ka nevojë për zhvillimin e takimeve e mbledhjeve të shpeshta me anëtarët dhe simpatizantët e saj. Mbledhjet e takimet i japin gjallëri veprimtarisë aktiviste. Aty mund të bëhen ballafaqimet e mendimeve të ndryshme, të analizohen rezultatet e punëve të bëra, të diskutohen sukseset dhe dështimet, të sqarohen keqkuptimet, të shtjellohen arsyetimet, të zhvillohen kurse e fushata informimi për të gjithë aktivistët, etj.
Sërish unë do marr si shembull Ushtrinë Nacional Çlirimtare dhe aktivitetin e saj politik. Edhe pse partizanët ishin gjatë gjithë kohës në shoqëri të njërit-tjetrit dhe në vijën e parë të frontit, celulat e PKSH nëpër njësi organizonin vazhdimisht aktivitete të ndryshme shoqërore si konferenca, kurse trajnimi, mbledhje, aktive e kongrese, në të cilat diskutoheshin zhvillimet politike dhe ngjarjet më të fundit nga vendi dhe bota, ballafaqoheshin perspektivat, argumentoheshin pikëpamjet, por më e rëndësishmja, partizanët kishin mundësi që të bisedonin me njëri tjetrin si njerëz të zakonshëm në kohë pushimi e jo si luftëtarë. Konferenca e mitingje bëheshin edhe me popullsinë civile, e cila mbështeste ushtrinë partizane me rekrutë, logjistikë dhe baza, dhe pa ndihmën e së cilës nuk mund të zhvillohej lufta. Në këto aktivitete informohej popullsia për zhvillimet politike, për arritjet e UNÇSH, bëhej njohja e fshatarëve me njësitë partizane dhe propagandoheshin e sqaroheshin vendimet e marra nga organet drejtuese të FNÇ.
Roli udhëheqës
Nismat e lëvizjet shoqërore e politike duhet të kenë rol udhëheqës. Nuk po flas për pozicionin tipik të udhëheqësit si shefi, drejtori apo kryetari, pasi me “udhëheqje” nuk nënkuptohet marrja e vendimeve praktike, por kanalizimi i energjisë pozitive të anëtarëve dhe simpatizantëve drejt arritjes së qëllimit përfundimtar. Roli udhëheqës shprehet nëpërmjet vendosjes së objektivave realiste, nëpërmjet ngritjes së një strukture të shëndoshë demokratike organizative, ku çdo anëtar e simpatizant ka mundësi të shprehë mendimin dhe të japë kontributin e tij më të mirë; nëpërmjet zbatimit të parimit të kolegjialitetit, ku vendimet merren në grup dhe jo nga individë; dhe mbi të gjitha mbushjes së publikut të gjerë me shpresën se kauza dhe veprimtaria e anëtarëve të nismës apo lëvizjes reflekton plotësisht vlerat më të mira e më demokratike të shoqërisë.
Në këtë kontekst edhe udhëheqja e një nisme apo lëvizjeje moderne nuk duhet të jetë e tipit tradicional, me kryetar e kryesi, por e tipit kolegjial, me demokraci absolute, ku vendimet merren si rezultat i praktikave organizative. P.sh. në demokraci absolute anëtarët diskutojnë në mbledhje të organizuara sipas një programi të rregullt periodik për temat të paracaktuara sipas programit të përgjithshëm të mbrojtjes së kauzës dhe të gjitha vendimet merren nëpërmjet votës. Në këto mbledhje shpalosen të gjitha mendimet, dëgjohen të gjithë pjesëtarët dhe diskutohen të gjitha propozimet. Askujt nuk i mbyllet goja, askush nuk detyrohet të heshtë, askush nuk mund t'i imponohet të tjerëve.
Vetëm pasi të jenë realizuar me sukses të gjithë hapat e mësipërme mund të shkohet drejtë protestës me siguri të plotë. Në këtë pikë anëtarët, simpatizantët dhe publiku i gjerë janë të gjithë të sinkronizuar me njëri tjetrin, mbështesin me gjithë shpirt kauzën dhe kanë besim tek serioziteti dhe përkushtimi i njëri-tjetrit. Të gjithë e kanë objektivin të qartë, besojnë në të drejtën e tyre dhe të gjithë qytetarëve për një zgjidhje të shpejtë të problematikës dhe duan që zëri i tyre të dëgjohet. Për këtë ata dalin në rrugë dhe protestojnë.
Mirëpo duhet pasur kujdes. Kauzat e mëdha shoqërore e politike nuk mund të ngrihen me nxitim e në moment të fundit, kur s’mban më ujë pilafi, sepse në ato momente njerëzit janë të acaruar e në gjendje stresi. Marrja e vendimeve me gjakftohtësi kthehet në një sfidë madhore dhe nga paniku shumë prej pjesëmarrësve mund të bëjnë kompromise që dobësojnë fushatën për mbrojtjen e kauzës. Për më tepër, jo të gjitha kauzat japin rezultate të shpejta. Ndonjëherë duhet kohë që opinioni publik të piqet e kauza të kalojë nga ideja në aksion. Gjatë kësaj kohe të ndërmjetme është e rëndësishme që aktivistët të mos rrinë duarkryq e të mos humbasin fokusin, por të vazhdojnë punën e tyre të përditshme të realizimit të detyrave dhe arritjeve të objektivave afatshkurtër. Siç thotë edhe shprehja popullore: "Gurë, gurë, bëhet mur."
Për t'ju ardhur në ndihmë të gjithë atyre që kanë nevojë të organizojnë një fushatë në mbrojtje të kauzës së tyre, kam përgatitur dokumentin me titull "Fletë referencë për ngritjen dhe mbrojtjen e një kauze shoqërore ose politike". Ky dokument mund të shkarkohet e të përdoret si material ndihmës gjatë veprimtarisë suaj. Kliko këtu për të shkarkuar ose printuar dokumentin.
Comments
Shto një koment