Frank Lloyd Wright dhe banesa shqiptare

Frank Lloyd Wright (Frenk Lloid Rajt) ishte një ndër themeluesit e stilit arkitekturor të quajtur Shkolla e Lëndinës (prairie - fusha të gjera me bar), dhe u cilësua në vitin 1991 nga Instituti Amerikan i Arkitektëve si "arkitekti më i madh i të gjitha kohërave". Ai projektoi më se 1000 struktura, 532 nga të cilat nuk u realizuan asnjëherë. Wright projektoi struktura të cilat ishin në harmoni me natyrën njerëzore dhe ambientin në të cilin jeton, një filozofi, të cilën ai e quajti "arkitekturë organike".
Wright ishte një arkitekt vërtetë i mrekullueshëm. Origjinal, inovativ dhe pa dyshim gjenial. Unë si miliona njerëz të tjerë rreth e përqark globit, e shikoj me admirim të thellë repertorin e gjerë të projekteve të tija të shkëlqyera, veçanërisht shtëpitë, të cilat, përveç bukurisë së tyre ashiqare, për disa arsye zënë një vend të veçantë në zemrën time.
Megjithatë konceptet dhe stili i Wright-it nuk janë për mua unike apo pa ndonjë precedent. Të paktën ky është mendim im. Por, para se të dilja në konkluzione bombastike, u përpoqa të marrë më shumë informacion dhe të mësoj diçka më shumë për çka frymëzoi Wright-in në krijimin e stilit të "Prairie".
Ja se çfarë thotë Wikipedia për stilin "Prairie": "Shkolla Prairie, e cila u zhvillua në koncert me idealet dhe estetikën e lëvizjes Arts and Crafts (art dhe artizanat), e pati zanafillën andej nga fundi i shekullit të 19-të në Angli"... më pas, në paragrafin tjetër thuhet: "Shkolla Prairie ishte një përpjekje për të zhvilluar një stil arkitekturor Amerikano verior vendas që nuk kishte të përbashkëta me elementet e dizajnit dhe fjalorin estetik të stileve të arkitekturës klasike europiane"...
Pohimi i dytë është më se i vërtetë. Shtëpitë e Wright-it nuk kanë asnjë të përbashkët me arkitekturën klasike Europiane. Mirëpo, pjesa më e madhe e tyre nuk kanë as pamjen e arkitekturës popullore të Europës veriore, burimi kryesor i frymëzimit të lëvizjes "Arts and Crafts", nga i cili doli edhe shkolla "Prairie". Atëherë, lind pyetja, nga cili stil arkitekturor u influencua Wright? Një gjë është e sigurt - nuk ishte Europa perëndimore.
Disa thonë që Wright gjeti frymëzim tek arkitektura japoneze. Nuk e vë në dyshim që mund të ketë qenë ashtu. Në stilin e tij ka mjaft influencë japoneze. Vetëm se ajo dallohet kryesisht në dekorimin e ambienteve të brendshme. Pamja e jashtme e shtëpive të Wright-it ka shumë pak elementë që mund të cilësohen si japonezë. Kështu që, për mendimin tim, arkitektura japoneze nuk është burimi kryesor i frymëzimit të tij. Më poshtë do të shpjegoj pse.
![]() |
Në shtëpitë e Wright-it vihet re elementi i "kullës". |
Pjesa më e madhe e shëtpive të Wright-it kanë një tipar, të cilin unë e quaj "kulla", një bllok që duke sikur qëndron i veçaur nga pjesa tjetër e godinës. Pamjet e më sipërme tregojnë shembuj të "kullës". Unë e quaj "kulla" sepse ka ngjashmëri të madhe me kullat e banesës shqiptare. Shiko më poshtë.
![]() |
Banesa me një kullë në të majtë dhe me dy kulla në të djathtë. |
Ekzistojnë dy variante të banesës "kullë". Njëri variant është ai me një kullë dhe tjetri është varianti me dy kulla. Arsyeja pse ato quhen "kulla" është sepse pjesa më e madhe e godinës është ndërtuar me mure masive guri dhe pa dritare (si kështjellë), për mbrojtje kundër sulmeve të jashtme. Edhe pse këto struktura mund të arrijnë lartësi deri në 6 kate, godina mund të ketë vetëm 2 (foto poshtë djathtas) ose 3 të tilla (foto poshtë majtas), ndër të cilat vetëm 2 katet e sipërme janë të banueshme, dhe vetëm kati i sipër ka konstruksion të lehtë prej druri dhe dritare të mëdha. Njerëzit që jetojnë atje, jetojnë vërtetë në majë të kullave. Shiko më poshtë.
![]() |
Banesa të fortifikuara në formë kulle me dy ose tre kate. |
Kati i pari është shumë i lartë. Në variantet më të vjetra (foto lart majtas), kati i parë ka vetëm një dritare në pjesën e sipërme të tij, për dritë dhe ajrosje, dhe përdore vetëm si ambient magazinimi. Në variantet më të reja (foto lart djathtas) ka edhe dritare më të mëdha. Mungesa e dritareve ul shanset e një sulmi të suksesshëm ndaj strukturës dhe rrit shanset për mbijetesë të banorëve brenda godinës.
Kati i mesëm (foto lart majtas) nuk është asnjëherë aq i lartë sa katet poshtë dhe lartë. Zakonisht aty janë ambientet e banimit gjatë stinëve të ftohta për shkak se tavani i ulët dhe muret prej guri ndihmojnë me ruajtjen e temperaturës.
Kati i fundit është gjithashtu shumë i lartë, i ndriçuar mirë dhe i dekoruar. Ky kat shërbente për aktivitete të stinëve të ngrohta dhe për pritjen e miqve. Në disa variante, një pjesë e konsiderueshme e katit të sipërm është ndërtuar me konstruksion druri dhe nuk është i mbrojtur si pjesa tjetër e godinës. Pjesa ballore e kullës është zakonisht e dekoruar me dy komplete me nga tre dritare secila, të gjitha të pozicionuara afër njëra tjetrës. Në disa variante mund të ketë edhe 4 a më shumë dritare. Dritaret e poshtme janë shumë të larta, ndësa dritaret e sipërme nuk hapen, kanë xhama të ngjyrosur dhe shërbejnë vetëm për ndriçim shtesë. Ballkoni që ndodhet në anë të kullës quhet çardak. Ai shërben si korridor (për komunikimin mes ambienteve të brendshme), ambient pune dhe hapsirë relaksuese.
Konstruksioni i lehtë me dru kërkon gjithashtu çati me strehë të thellë për mbrojtje nga ujërat e shiut dhe dielli. Sipërfaqja e madhe e çatisë gjithashtu ndihmon në mbledhjen e ujit gjatë sezonit të reshjeve, veçanërisht në zonat ku nuk ka burime natyrore uji dhe terreni është shkëmbor. Streha e thellë e çatisë mbështetet në binarë druri të montuar në muret e gurit (Gjirokastër).
Nga një krahasim i thjeshtë i të dy godinave, del menjëherë në pah ngjashmëria e tiparit të "kullës". Natyrisht, që Wright-i është treguar shumë krijues dhe origjinal në dizenjot e tij, megjithatë ngjashmëria është e dukshme.
Në godinat e Wright-it, dritaret e poshtme të "kullës" janë më pak të dukshme dhe ndonjëherë fshihen pas mureve të trasha. Muret e godinës janë ndërtuar me tulla dhe japin ndjesinë e ndërtimit masiv si tip kështjelle. Dekori i katit të dytë e ndan atë qartësisht nga kati i parë, nëpërmjet linjave horizontale dekorative, nuk të jep ndjesinë e konstruksionit masiv dhe shpesh karakterizohet nga komplete me nga tre ose më shumë dritare prej druri të vendosura pranë njëra tjetrës. Çatia është pothuajse gjithmonë me katër kulme dhe me streha ekstremisht shumë të thella. Ndonjëherë, të pranishme janë edhe disa linja vertikale që duke si binarë prej druri që ngjasojnë me binarët mbajtës tek banesat gjirokastrite. Të gjitha këto tipare i gjejmë tek banesa tradicionale shqiptare. Shiko shembujt e mëposhtëm.
![]() |
Fasada e banesës së Wright-it ka fizionomi të ngjashme me banesën popullore shqiptare. |
Por, ndërkohë që të gjitha këto tipare kanë një funksion specifik tek banesa shqiptare, në shtëpinë e Wright-it ato janë thjeshtë dhe vetëm elementë dekorativë.
Ngjashmëritë mes dy stileve nuk mbarojnë aty. Në shumicën e koncepteve dekorative të Wright-it do të gjesh ekuivalentin shqiptar. Do të filloj me atë që duke më ashiqare, dritaret. Poshtë do të shikoni Sarajet e Toptanëve në Tiranë që ka të njëjtin konfiguracion dritaresh, strehë të thellë e madje edhe shtirjen e gjerë horizontale si tek godina e projektuar prej Wright-it. Sarajet janë ndërtuar në vitin 1837 nga mjeshtra dibranë. Godina e Wright-it është ndërtuar mes viteve 1904-1908.
![]() |
Paralele mes dy stileve gjehen në disa variante. |
Një tjetër shembull tregon se Wright-i ka përdorur të njëjtin koncept planimetrik e kompozicional si ndërtuesi i kësaj banese në Tetovë, Maqedoni. Plani është i gjerë dhe çatia e madhe, me katër kulme. Shiko më poshtë.
![]() |
Plani i gjerë me çati të madhe me katër kulme, tipike e banesës popullore shqiptare. |
Një shembull tjetër tregon jo vetëm vendosjen e dritareve, imitimin e binarëve vertikalë mbajtës dhe strehën e thellë, por edhe strukturën në formë ure në ball të godinës (Pejë). Shiko më poshtë.
![]() |
Paralele gjenden edhe në planimetri të veçanta. Mes dy dritareve vihen re elementë dekorative që u ngjasojnë binarëve mbajtës të banesave gjirokastrite. |
Një tjetër tipar që është i pranishëm tek të dy stilet arkitekturore është harku i hyrjes. Në strukturat e Wright-it, harku i hyrjes është i pranishëm vetëm tek disa projekte, ndërsa në arkitekturën shqiptare harqet janë shpesh elementi kryesor dekorativ i të gjithë fasadës. Për më tepër, në shembujt e mëposhtëm do të shihni përdorimin e gjerë të harqeve tek banesa shqiptare. Shiko krahasimin e mëposhtëm.
![]() |
Prania e harkut është një element thelbësor i banesës shqiptare e thjeshtë dekorativ tek Wright-i |
Edhe vetë planimetria e godinave të Wright-it gjen ekuivalentin tek banesa shqiptare. Shpesh, godinat e Wright-it janë projektuar në konfiguracion "L-je" ose "T-je", me volume të vendosura perpendikular me njëra tjetrën, si struktura të pavarura, një tipar që është kanonike tek banesa shqiptare. Për shkak të "kullës" dhe mënyrës se si është zhvilluar, banesa shqiptare është projektuar gjithmonë në formën e një "L-je" ose "U-je" të madhe, ku kulla/t dhe çardaku janë në plan të parë të godinës, ndërsa volumet e tjera ndodhen në plan të dytë. Disa variante më të vogla të banesa shqiptare pa çardak janë në formë "T-je", ku bishtin e "T-së" e formon qoshku në qendër të godinës.
![]() |
Duket se Wright-i i ka shumë për zemër volumet perpendikulare, ndërkohë që tek banesa shqiptare ato kanë një funksion të caktuar. |
Ndryshe nga godinat e Wright-it, banesa shqiptare janë të organizuara në volume të ndara sipas funksionit, pa korridore të brendshme. Për shkak se ishte struktura kryesore, e para që ndërtohej ishte kulla, e pastaj gjithë të tjerat. Kulla dhe çardaku ndodhen në plan të parë të godinës, për shkak se ato janë hapësirat qarkulluese ku lëvizin banorët për të kaluar nga njëri ambient në tjetrin, ku punojnë dhe ndërveprojnë me miqtë. Hapësirat e rezerveuara për pjesëtarët e familjes ndodhen në pjesën e pasme të godinës. Prandaj dhe tipari kryesor i banesës shqiptare, oda e miqve, ndodhet në pjesën më të dukshme të godinës dhe është nga aspekti kompozicional i veçuar nga pjesa tjetër e strukturës.
Për sa i përket pamjes së jashtme, konkluzioni im është se shumica e elementëve të godinave të Wright-it janë qartësisht të pranishme tek banesa shqiptare. Për mendimin tim, talenti i Wright-it qëndron në faktin që ai nuk bëri kopje të mërzitshme të këtyre koncepte dhe as nuk i përdori ato pa kriter. Në të kundërt, ai i zhvilloi këto koncepte më tutje duke ia adaptuar stilit të jetesës Amerikane, duke krijuar kështu një stil krejt të ri.
Nga ana tjetër, ambientet e brendshme të godinave të Wright-it shfaqin më pak tipare të dukshme të banesës shqiptare. Këtu influenca japoneze në dekor bëhet më e dukshme. Megjithatë, me eliminimin e konceptit të dekorit, edhe këtu mund të vihen re disa koncepte themelore të banesës shqiptare, të cilat edhe mund, edhe s'mund të jenë të tilla, në varësi të këndvështrimit.
Ashtu si tek oda e miqve në banesën shqiptare, dhoma e ndenjes te shtëpia e Wright-it është më e larta, ka më shumë hapësirë dhe është më e ndriçuar. Përveç kësaj, ashtu si tek banesa shqiptare, dhoma e ndenjes shpesh është dekoruar me një radhë të dytë dritaresh që nuk hapen, të cilat, ashtu si tek banesa shqiptare, i kanë xhamat me dekor me ngjyra. Në shumë nga shtëpitë e Wright-it oxhaku është elementi qendror i dhomës së ndenjes, një tipar që është gjithashtu i pranishëm tek banesa shqiptare. Po nëse oxhaku duhet konsideruar, apo jo, tipar i vlefshëm për krahasim në këtë studim është një çështje që ha diskutim.
![]() |
Paralele me dy stileve gjenden edhe në hapësirat e brendshme të banimit. |
Pjesë e këtij studimi janë edhe mobiljet e Wright-it pasi edhe atje gjejmë paralele me banesën shqiptare. Mobiljet më të famshme të Wright-it janë ato që kanë elementë që duket si gardh ose parmak prej druri. Në banesën shqiptare, ky "gardh" përdoret si parmak për tre lloj strukturash, shkallët, çardaku dhe qoshku në çardak. Më poshtë janë disa shembuj që tregojnë rëndësinë e parmakëve prej druri në çardak dhe qoshk, dhe thjeshtësinë dekorative të tyre.
![]() |
Paralele gjenden edhe tek elementët dekorativë të mobiljeve. |
Në fotot e mësipërme, duke qartë se si qoshku është pak më i ngritur se niveli i çardakut. Kjo sepse qoshku është një hapësirë relaksi, me dyshek, sixhade, mbulesa e jastëkë të butë. Unë nuk mund të them me siguri nëse mobiliet e Wright-it kanë ndonjë lidhje me parmakët e banesës shqiptare, por kur i shoh ato në tërësinë e dizenjove të tij, ato janë që më shkojnë në mendje.
Konkluzione
Unë nuk guxoj që të jap një konkluzion përfundimtar dhe të them se e di me siguri se ku e mori frymëzimin Wright-i. Me sa di unë, arkitektura popullore shqiptare nuk është se ka qenë ndonjëherë temë e nxehtë në qarqet ndërkombëtare të arkitekturës. Po të marrim parasysh periudhën në të cilën Wright-i projektonte godinat e tij, çështja komplikohet edhe më shumë. Për shekuj me radhë Shqipëria ka qenë një territor relativisht i mbyllur për perëndimorët, ose të paktën shumë i vështirë për tu vizituar dhe publikimet për arkitekturën shqiptare nuk është se kanë qenë prioritet i ndokujt. Të flasësh për kontaktet e Wright-it me arkitekturën shqiptare është pothuajse e pamundur.
Megjithatë, arkitektura popullore shqiptare nuk është e izoluar. Ajo ndan disa tipare me arkitekturën popullore të vendeve të tjera të Ballkanit dhe Perandorisë Osmane, veçanërisht në departamentin e dekorit. Në këtë kontekst, po të marrim parasysh faktin që lëvizja "Arts and Crafts" ishte investuar bindshëm në zbulimin e artit popullor europian, dhe duke qenë se para disa dekadash tema e Perandorisë Osmane (veçanërisht shqiptarët) kishte qenë një burim misteri dhe frymëzimi për shumë artistë orientalistë, nuk është çudi që disa prej tyre, përfshi Wright-in (ashtu si Bajroni në kohë të vet), mund të ketë rënë në kontakt me arkitekturën e Perandorisë Osmane, Greqisë (ku ka popullsi shqiptare) ose të ndonjë zone tjetër në Ballkan ku janë aplikuar të njëjtat koncepte. Që atje, ai mund të jetë endur tek arkitektura popullore shqiptare.
Dikush mund të argumentojë që Wright-i mund të ketë gjetur frymëzim në vende the qytete në Ballkan me shumë më tepër qarkullim se sa trojet shqiptare. Ndoshta. Por për mendimin tim, askund tjetër nuk gjenden tiparet arkitekturore të përmendura më sipër më me bollëk se sa në variantin shqiptar të arkitekturës popullore Ballkanase-osmane, dhe asgjëkund tjetër nuk gjen kaq shumë ngjashmëri mes dy stileve. Për mua është më se e qartë që stili "Prairie" i Frank Lloyd Wright është një homazh i arkitekturës popullore shqiptare.
Comments
Shto një koment