Plisi, fustanella dhe xhubleta - mite dhe të vërteta


A është qeleshja/plisi një veçori unike e kulturës shqiptare? A ishte fustanella veshje ilire? A është xhubleta 4000 vjeçare? Në këtë shkrim do të diskutohen e do të marrin përgjigje këto pyetje.

Kjo analizë u shkrua me konsultimin e Ing. Arjela Banushaj.

Qeleshja/plisi

Qeleshja është një kësulë e punuar me shajak - fibra leshi të ngjeshura fort me njëra-tjetrën, të cilat me ndihmën e ujit e të sapunit krijojnë një masë të njëtrajtshme që nuk shpërbëhet lehtë. Bërja e leshit shajak është një teknikë e lashtë e prodhimit të pëlhurave sa vetë njerëzimi. Ka shumë lloje kësulash e kapelesh të punuara me shajak, të vjetra e moderne, ndër to edhe të ashtuquajturat kapele republikë (fedora).

Disa kësula dhe kapele prej shajaku. Nga e majta në të djathtë: 1) Plisi, 2) kësula e malësorëve të Tirolit, 3) Kësula tiroleze e kthyer në kapele, 4) Feste osmane, 5) Kapele taxhike, 6) Kapele kaubojsash, 7) Fedora (republikë), 8) Kapelja tas e Çarli Çaplinit, 9) Kasketë moderne. 

Kësulat prej shajaku janë përdorur gjerësisht në të gjithë botën e në periudha të ndryshme kohore. Nga njerëzit e thjeshtë e deri tek mbretërit e perandorët. Edhe vetë shqiptarët kanë përdorur disa variante kësulash me shajak, që nga plisi, e deri tek qylafët. Shajaku ka veti që ta mbrojë kokën nga dielli i fortë, acari dhe shiu, pasi nuk e thith ujin me lehtësi. Në përgjithësi fibrat e leshit janë fibrat e cilësisë më të lartë.

Kapele të ndryshme historike prej shajaku: 1) Kapelja e Napoleonit, 2) Një prift katolit në Vatikan, 3) Kësulë ushtarake skoceze, 4) Kësulë mesjetare në formë vezake.

Nga pikturat e periudhës së Rilindjes italiane të shekullit XV-XVI kemi dëshmi të përdorimit të kësulave prej shajaku, madje disa prej tyre shumë të ngjashme me ato të përdorura nga shqiptarët. Këto janë të lyera me bojë të kuqe, njësoj si kësulat e përdorura gjerësisht nga shqiptarët gjatë periudhës së perandorisë osmane.

Kësula prej shajaku në pikturat e Rilindjes. Zakonisht këto kësula mbaheshin nga djemtë e rinj.

Për prodhimin e plisit përdoret teknika më e thjeshtë e punimit të shajakut, prandaj dhe ajo ka një formë të thjeshtë vezake. D.m.th. që kur fillon të punosh shajakun, forma vezake është forma më e thjeshtë që mund të realizohet. Kësula në formë vezake nuk është unike tek shqiptarët. Madje as vetë shqiptarët nuk kanë mbajtur ekskluzivisht vetëm plisa. Kështu që ideja se çdo kësulë, helmetë apo kapele në formë vezake që ilustrohet tek monumentet apo pikturat e lashta, lidhet drejtpërdrejtë me plisin shqiptar nuk ka baza shkencore. Kësulat prej shajaku kanë qenë gjithmonë pjesë e njerëzimit.

Shqiptarët kanë mbajtur kësula të formave dhe ngjyrave të ndryshme. 1) Plisi dhe qeleshja me tavan, 2) Qeleshe gjirokastrite, 3) Qeleshe labërie e zezë, 4) Kësula e kuqe me thekë, në modë gjatë shekullit të XIX.

Natyrisht, të gjitha këto nuk ia ulin vlerën plisit si objekt i trashëgimisë kulturore shqiptare. Ai sot është kthyer në një simbol të shqiptarisë, sidomos tek shqiptarët e Kosovës dhe kjo është diçka e bukur. Por plisi nuk është ndonjë dëshmi e drejtpërdrejtë e ndonjë veçantie kulturore apo ndonjë autoktonizmi ilir, e aq më pak pelasg. Dikur edhe sllavët, edhe gjithë njerëzimi kanë pas mbajtur kësula të tilla ose të ngjashme. Por me kalimin e kohës kanë hyrë në përdorim modele të reja që e kanë zëvendësuar plisin. Pisi fitoi statusin e simbolit të identitetit kombëtar në Kosovë për shkak të shtypjes politike serbe dhe kjo është e kuptueshme. Shqiptarët atje e përdorën plisin si simbol të shqiptarizmit dhe simbol të qëndresës kundër shtetit serb. Në Shqipëri ai nuk ka gëzuar asnjëherë një status të veçantë për shkak se në Shqipëri, ndryshe nga Kosova, ka pasur një larmi kësulash prej shajaku në përdorim në krahina të ndryshme dhe asnjëra prej tyre nuk mund të cilësohet si më autoktone, apo më shqiptare se tjetra.

Disa meshkuj asirë me qeleshe në kokë, si pjesë e kostumit të tyre popullor. Asirët jetojnë në Irak dhe Turqi. A mos vallë janë edhe këta pellazgë, si ne?

Fustanella

Fustanella ishte "uniforma" a bashibozukëve (mercenarëve) shqiptarë gjatë shekullit të XIX.

Emërtimi i fjalës fustanellë vjen nga fjala italiane fustagno (fustanjo), prej arabishtes fustan, që mendohet se e ka origjinën nga qyteti Al-Fustat. Kjo fjalë ka hyrë edhe në shqip, po ashtu në trajtën fustan. Nëse fjalës fustagno i shtojmë prapashtesën femërore italiane -ella, atëhere ajo bëhe fustanella (fustanela). Njësoj si Taranto (qyteti) > Tarantella (muzika), Pulche (pleshti) > Pulcinella (personazhi), ombre (hije) > ombrella (çadër), busta (zarf) > bustarella (rryshfet), etj.

Fustanella ka si tipar dallues punimin me kinde. Kindet janë pëlhura të prera në formë trapezoidale dhe të qepura me njëra tjetrën përgjatë brinjëve të gjata. Kur kindet qepen me njëra tjetrën në seri, ato mundësojnë formën tipike volumetrike të valëzuar të fustanellës.

Ilustrim që tregon prerjen dhe qepjen e kindeve (jo të fustanellës)

Teknika e punimit me kinde e ka origjinën andej nga shekulli XV-XVI, në periudhën e Rilindjes italiane (Rinascimento). Kjo është periudha kur vërehet një larmi e madhe veshjesh me kinde për meshkuj. Nga pikturat e kësaj periudhe ne mund të dallojmë që veshjet e këtij stili ishin shumë të përhapura dhe në to është i pranishëm jo vetëm elementi i fustanit me kinde, por edhe elementë të tjerë të kostumit të fustanellës, siç janë për shembull mëngët e hapura e të varura të jelekut, penevrekët, kësulat e kuqe prej shajaku, madje edhe elementë dekorativë si kordonët e lidhur tek  gjunjët. Përgjithësisht në këto piktura mund të dallojmë qartë siluetën e përgjithshme të kostumit me fustanellë dhe të evidentojmë origjinën e saj.

Veshje me kinde në pikturat e Rilindjes. Në pikturën e dytë paraqitet princi shqiptar Mërkur Bua me një veshje tipike të aristokracisë ialiane të vitit 1542. Këtu kindet fillojnë që në gjoks, ndërsa tek fustanella ato fillojnë në brez. Tek piktura e tretë dhe e katërt tregohen djem të rinj me kësula të kuqe e të bardha prej shajaku.

Fustanella është e ndryshme nga tunika që paraqitet shpesh nëpër ilustrimet e lashta. Tunika është një këmishë e gjatë dhe paksa e gjerë, e ngjashme me këmishën e natës, dhe kur lidhet në brez ajo formon valëzime që në pamje të parë, për syrin e pa trajnuar mund të ngjasojnë me valëzimet e fustanellës. Të gjithë njerëzit e lashtë, përfshi ilirët, mbanin tunika. Mirëpo, tunika dhe fustanella nuk kanë as të njëjtën strukturë, as të njëjtin funksion. Fustanella është veshje me një strukturë shumë më komplekse e më interesante. Përveç aspektit të thjeshtë funksional, ajo është edhe simbol i një statusi të caktuar. E njëjta situatë paraqitet edhe me elementë të tjerë të veshjeve të lashta ku paraqiten objekte të ndryshme si p.sh. përparëset me shirita lëkure të ushtarëve romakë, ilustrimet të Aleksandrit të Maqedonisë mbi kalë, apo skulptura e monumente të tjera. Të gjitha ato janë veshje që në pamje të parë duken si fustanella por nuk janë e njëjta gjë.

Veshja e paraqitur në të tre foto e mësipërme nuk është fustanella por tunika, një lloj këmishe e thjeshtë e gjatë. 1) Skultpura e Zotit Mars, 2) Dy shenjtorë romakë, 3) Dy luftëtarë helenë.


Skulpturë e famshme romake e shekullit II e.s. me titull "Daku", në të cilën ilustrohet një burrë nga fiset dake i kapur rob. Në veshjen e tij dallojmë tunikën, gjë që na tregon se në këtë periudhë të gjithë banorët e Ballkanit mbanin tunika. Nga kjo skulpturë mund të dallojmë edhe opingat prej lëkure.

Xhubleta

Emërtimi i fjalës xhubletë vjen nga fjala italiane giubba, prej arabishtes xhubā, që në shqip përkthehet veshje, jelek ose xhaketë e gjatë. Kjo fjalë ka hyrë edhe në shqip nëpërmjet osmanishtes dhe ka marrë trajtën xhybe, që është një element i veshjes popullore shqiptare ose asaj fetare islame. Në italisht sot guibba përdoret për xhaketat e gjata ushtarake. Nëse fjalës italiane giubba i shtojmë prapashtesën femërore -ella, atëhere ajo bëhet giubbella (xhubela), njësoj si fustanella. Nëse kësaj, pastaj, i shtojmë edhe prapashtesën zvogëluese -etta, atëherë ajo bëhet giubbelletta. Pra giubba > giubbella > giubelletta (xhubeleta). Fjala giubbelletta ka hyrë në shqip në trajtën xhubleta.

Xhubleta

Në formën e saj të sotshme xhubleta ndërtohet me dy lloj pëlhurash: një prej leshi të endur në tezgjah e pastaj të shajakosur, dhe një pëlhurë tjetër, shpesh herë prej kadifeje, dhe dekorohet me gajtanë me fill leshi. Pëlhura prej leshi të shajkosur është endur sipas një teknike fare të thjeshtë punimi me ind dhe bazë. 

Endja e pëlhurave në tezgjah. Warp është "indi" ndërsa "weft" është baza.

Ndërsa shajakosja bëhet në një si tip lavatriçeje të veçantë prej druri që quhet dërstilë dhe që punon me ndihmën e rrjedhës së ujit. Pëlhura hidhet në govatën prej druri bashkë me pëlhura të tjera prej leshi dhe lihet që të shajakoset nëpërmjet veprimit mekanik, duke u fërkuar me pëlhurat e tjera dhe muret e govatës. Tamam si një lavatriçe. Vetëm se efekti centrifugal nuk shkaktohet nga rrotullimi i govatës, por nga presioni i lartë i ujit, që bie nga lartë me presion të madh. Ky proces mekanik bën që fibrat e leshit të ndërthuren më mirë me njëra tjetrën, duke krijuar kështu një pushëzim. Njësoj si qeleshja. Pëlhura e shajakosur ka një strukturë më të qëndrueshme dhe është më e fortë e për këtë mund të ruajë më mirë format volumetrike.

Në të majtë tregohet dërstila. Në të djathtë tregohet pushëzimi që krijohet pas larjes së leshit në dërstilë.

Ndërsa kadifeja është shpikur në Kinë andej nga shekulli XIII-të dhe ka një përpunim mjaft kompleks. Rreth shekullit të XIII-të kadifeja kishte filluar të prodhohej edhe në manifaktura të specializuara në Europë, përfshi dhe në perandorinë osmane, megjithatë, në Shqipëri ajo mbeti një produkt importi.

Kadife

Për të arritur format vëllimore që i japin xhubletës pamjen karakteristike të këmbanës përdoret një teknikë e veçantë prerjeje dhe qepjeje. Së pari, pëlhura bazë prej leshi pritet në mënyrë të tillë, që kur të qepet, endja të jetë e pozicionuar me kënd 45 gradë. Sot në Shqipëri kjo teknikë quhet prerje veref dhe përdoret kur duhet që veshja të duket e fryrë, në formë kambaneje, veçanërisht tek fundet dhe fustanet.

Orientimi i endjes së pëlhurës me 45 gradë quhet veref.

Më pas priten shiritat që do të qepen mbi strukturën bazë, gjithashtu me kënd 45 gradë për të përforcuar më shumë efektin e fryrjes. Shiritat e prerë qepen duke u alternuar me gajtanë të endur me fill leshi nga lart poshtë: një brez me gajtanë, një brez me kadife kadifeje, duke krijuar kështu një sipërfaqe tipike dekorative me breza. Kështu, si rezultat i tensionet që fijet ushtrojnë mbi njëra tjetrën, arrihet forma tipike prej kambane e veshjes pa qenë nevoja për të ndërtuar struktura të tjera mbajtëse, siç kishin për shembull fustanet e aristokracisë perëndimore.

Gjatë periudhës së Rilindjes hynë në modë strukturat komplekse të rrobave dhe volumet e mëdha. Këto tipare vihen re sot edhe tek kostumet popullore.

Asnjë nga teknikat e përshkruara më sipër të prerjes dhe qepjes së veshjeve nuk rezulton të jetë përdorur në kohët e lashta. Nuk ekziston asnjë dëshmi, qoftë në formë vizuale apo të shkruar, që të na vërtetojë se njerëzit e lashtë mbanin veshje të qepura në këtë mënyrë. Periudha kur këto teknika filluan të hyjnë në përdorim të gjerë është mes shekujve XIV-të dhe XV-të, gjatë Rilindjes italiane. Kjo është periudha kur trendet e veshjeve morën një zhvillim të jashtëzakonshëm dhe kur vërehen teknika të larmishme e komplekse të ndërtimit të tyre.

Pretendimi se xhubleta është një veshje 4000 vjeçare është tërësisht jo shkencor dhe i pa mbështetur në asnjë studim serioz. Për herë të parë këtë ide e ka hedhur Nopça (Nopcsa), jo si përfundim shkencor, por si hamendje. Hamendësimin e Nopçës na e sejll etnografja shqiptare Andromaqi Gjergji në një shkrim etnografik të botuar në revistën "Kultura Popullore" të vitit 1980, me titull "Mbi origjinën dhe lashtësinë e disa elementëve të veshjeve popullore", faqe 65, botuar nga Akademia e Shkencave të RPSSH. Në atë shkrim rreth dy faqe i janë kushtuar xhubletës dhe aty nuk ka askund asnjë studim shkencor apo dëshmi konkrete për prejardhjen 4000 vjeçare të xhubletës. Zonja Gjergji as nuk e pretendon një gjë të tillë.

E vetmja gjë që thuhet në atë shkrim është hamendësimi i Nopçës mbi ngjashmëritë krejt sipërfaqësore të xhubletës me disa figura të gjetura në Kliçevaç të Serbisë. Madje Nopça as nuk thotë që këto janë e njëjta veshje, por aludon për një "paraardhëse" të mundshme, pra për një veshje tjetër që rrugës, me kalimin e shekujve mund të jetë kthyer në xhubletë. Zonja Gjergji na dëshmon gjithashtu se për ngjashmërinë e xhubletës me figurinat e Kliçevaçit ka mospajtueshmëri mes studiuesve të ndryshëm.

Kaq, një paragraf ku bëhet një hamendësim i thjeshtë, me idenë që kërkon studime të mëtejshme, të cilat nuk u bënë kurrë. Këtë paragraf me hamendsime e ka marrë grupi (diletant) shqiptar që bëri aplikimin për futjen e xhubletës në UNESCO dhe e kanë paraqitur si fakt të padiskutueshëm. Pastaj sharlatanët goropistë të pellazgologjisë e kthyen në legjendë dhe e kanë propaganduar si të vërtetë absolute. Si çdo gjë tjetër në Shqipëri, në mungesë të mendimit kritik dhe metodologjisë shkencore, qimja u bë tra dhe legjenda mori dhenë.

Shkrimi etnografik në të cilin Zonja Adromaqi Gjergji diskuton prejardhjen e Xhubletës.

Përfundime

Në përfundim mund të dalim në konkluzionin se xhubleta dhe fustanella nuk mund të jenë veshje të trashëguara këtu e 4000 vjet përpara, pasi në lashtësi njerëzit nuk mbanin veshje me struktura kaq të ndërlikuara. Gjithashtu është e rëndësishme të theksohet që, si çdo aspekt tjetër i kulturës së popujve, veshjet nuk zhvillohen asnjëherë në izolim të plotë nga fqinjët dhe pjesa tjetër e botës. Ajo çka e bën, p.sh. xhubletën unike e të veçantë nuk është lashtësia, por mënyra inovative e përdorimit të teknikave të njohura të prerjes dhe qepjes tek kjo veshje. Nuk gjen në asnjë vend të botës një veshje që të jetë si xhubleta. Një nga sfidat më të mëdha në ndërtimin e veshjeve është pikërisht krijimi i formave volumetrike pa pasur nevojën për struktura mbajtëse. Në këtë drejtim xhubleta është revolucionare.

Veshjet ndër shekuj, nga lashtësia deri në periudhën e Rilindjes italiane. Bie në sy që andej nga shekulli i XV (15) fillon përdorimi i elementëve që i gjejmë edhe tek kostumet popullore shqiptare.

Po ashtu dhe fustanella. Andej nga shekulli XVI, pas vdekjes së Skënderbeut, lidhja mes gadishullit italik dhe shqiptarëve filloi gradualisht të ndërpritej, e bashkë me të u ndërprenë edhe infleuncat e drejtpërdrejta kulturore. Ndërkohë që në gadishullin italik moda ndryshoi dhe u zëvendësua nga veshje të tjera, mes shqiptarëve ajo qëndroi si një element konservativ, pasqyrë e një trashëgimie europiane, e cila nuk mbeti e ngurtësuar në kohë por filloi një rrugëtim të vetin. Megjithatë, kjo influencë kulturore u rikthye sërish me futjen e dekorit barok e rokoko në perandorinë osmane, të cilat gjithashtu e kanë prejardhjen prej dekoreve të stilit arabesk. Sot, këtë influencë ne e shohim të shprehur tek qëndisjet me fije floriri në kostumet popullore, përfshi kostumin e fustanellës.

Xhybe e qëndisur me fije floriri me motive floreale sipas stilit barok osman

Qëndisja me fije floriri (ang. Goldwork) filloi të popullarizohej në Europë andej nga shekulli XVII. Pak më vonë stili Barok hyri edhe në perandorinë osmane. Shumë prej atyre dekoreve të bukura floreale të aplikuara në veshje, arkitekturë, interiore, armë, etj, janë pikërisht influencë baroke. Në Ballkan, e sidomos mes shqiptarëve, dekori i veshjeve sipas stilit barok mori një gjallëri të jashtëzakonshme dhe zgjati deri vonë. Aspekti më interesant i dekorit Barok mes shqiptarëve dhe të tjerëve është fakti që ky stil u bë popullor jo vetëm tek shtresat e larta por edhe tek njerëzit e thjeshtë, si në qytet, ashtu edhe në fshat.

Qëndisje me fije ari në kostume perëndimore të periudhës së barokut dhe të rokokosë. Bie në sy fakti që qëndisjet mbi kadife vishje, blu ose të gjelbër janë përdorur në perëndim përgjithësisht në uniforma ushtarake ceremoniale.

Gadishulli italik ka qenë historikisht një burim risish artistike me ndikim botëror. Gjatë Rilindjes italiane pati një shpërthim të jashtëzakonshëm të artit ilustrues, modës, arkitekturës, etj, të cilin ne e ndjejmë edhe sot e kësaj dite. Prej saj dolën shumë stile të tjera, sidomos arti dekorativ i barokut, rokokosë, etj. Shqipëria është fare pranë gadishullit italik, dhe pavarësisht faktit që ishte nën sundimin e drejtpërdrejtë të perandorive Ballkanike, nuk kish se si të mos thithte diçka nga prodhimtaria e jashtëzakonshme artistike matanë Adriatikut. Ky përfundim mbështet edhe nga fakti që para shekullit të XVI nuk kemi asnjë dëshmi të ndonjë shqiptari të veshur me kostume popullore si ato që kemi trashëguar deri në ditët tona, as plisa, as fustanella, as xhubleta. Në shumë piktura e ilustrime të viteve 1500 të mercenarëve shqiptarë të quajtur stradiotë (gr. stratiotiko - ushtar) nuk figuron asnjë plis dhe asnjë veshje e bardhë. Përkundrazi mercenarët shqiptarë mbajnë kapele shajaku në formë tubi të gjatë me strehë dhe kanë veshur rroba me ngjyra të errëta. Edhe piktura më të hershme të shqiptarëve tregojnë një veshje krejt ndryshe nga ato që kemi sot.

Mercenarë shqiptarë në ilustrime të viteve 1500.

Prandaj, pretendimi se shqiptarët kanë zhvilluar kulturën e tyre materiale në izolim të plotë nga pjesa tjetër e botës, e veçanërisht jashtë ndikimit të zhvillimeve në gadishullin italik, dhe paskan trashëguar veshje e kostume 4000 vjeçare të pandryshuara, është jo vetëm qesharake, por edhe e dëmshme për ne pasi jep indirekt mesazhin që shqiptarët paskan qenë një popull statik, i paaftë për të përfituar nga zhvillimet kulturore që kanë ndodhur përreth tyre, siç i ka bërë e gjithë bota, ndërkohë që është krejt e kundërta. E nëse, pastaj, duam të flasim për shqiptarët si një popull europian, këto janë dëshmitë më të spikatura që vërtetojnë europianizmin tonë, jo fantazitë pellazgjiste.

Comments

  1. Dakort, veshjet edhe gjuha ndryshon po ADN Jo, Ka akoma shumë popullat Plezge dhe Ilire në Shqipri. Ne gjem Identitetin ke këto gjera sepse historia jone është qëndisur në hitorin e Komshive (Xhitonve) dhe sna ka ngelur as gjë tjetër!

    ReplyDelete

Shto një koment

Shkrimet më të lexuara të muajit

Epoka e errët shqiptare

Pse u konvertuan shqiptarët në myslimanë?

Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj?