Këngët e Kreshnikëve dhe misteri i Jutbinës e Klladushës

Në hartë tregohet kufiri midis monarkisë Habsburge (vjollcë) perandorisë osmane (blu) dhe Republikës së Venedikut (e verdhë) pas traktatit të Karlovicit në 1699. Me shigjeta të gjelbërta janë shënuar Jutbina në Kroaci dhe Klladusha në Bosnje. Ndër të dyja Jutbina ndodhet në kufirin mes tre shteteve.

Cila është arsyeja që tek Këngët e Kreshnikëve përmenden toponime që sot ndodhen në Kroaci e në Bosnje si Jutbina, Klladusha, dy Kotorret, etj? Pse Jutbina paraqitet si qendra e aktivitetit të heronjve të eposit shqiptar?

Shpjegimi zyrtar, që na ka ardhur prej studiuesve shqiptarë e që ka shërbyer deri më sot si variant zyrtar që mësohet nëpër shkolla, ka qenë që në Këngët e Kreshnikëve përshkruhen ngjarje që kanë ndodhur këtu e 1400 vjet përpara, në kohën e valës së dytë të dyndjeve sllave në Ballkan në shekullin VII, në kohën kur ilirët, e për rrjedhojë arbrit, na paskëshin qenë banorë të këtyre krahinave dhe se armiku i përmendur aty janë sllavët. Më tej, po sipas kësaj hipoteze, hamendësohet që këta ilirët e Kroacisë janë zhvendosur nga Jutbina në malet e Shqipërisë së veriut për shkak të konflikteve me sllavët dhe i kanë sjellë këto këngë me vete. Po si pas këtij shpjegimi, gjatë rrugëtimit të arbërve drejt maleve të Shqipërisë, ata ua kanë huazuar Eposin edhe boshnjakëve, të cilët e bënë pjesë të eposit të vet. Ndonjë shpjegim tjetër i dhënë nga studiues jo shqiptar, pretendon se Eposi i Kreshnikëve ka ardhur në Shqipëri prej migrimit të popullsive Boshnjake drejt Shqipërisë dhe se disa prej fiseve shqiptare të veriut, sidomos ata më të gjatët, janë në fakt sllavë të ardhur nga Kroacia e Bosnja.

Unë nuk do t'i hyj analizës së këtyre shpjegimeve se qysh e tek, por do të paraqes një hipotezë tjetër, shumë më të thjeshtë e më realiste. E vërteta është që as nuk ka pasur arbër në Kroaci, as nuk kanë ardhur boshnjakët këtu dhe as nuk ka pasur ndonjë huazim të Eposit qoftë prej boshnjakëve, qoftë prej shqiptarëve. Edhe periudhat e hamendësuar kohore mbi 1000 vjet të transmetimit të këngëve në formë gojore janë krejt jo realiste.

E vërteta është se ngjarjet që përshkruhen tek Këngët e Kreshnikëve pasqyrojnë luftën midis Habsburgëve dhe perandorisë osmane në vitet 1683-1699, pra fundi i shekullit të XVII-të, nga e cila Habsburgët dolën fitimtarë. Lufta u pasua nga Traktati i Karlovicit (Karlowitz), prej të cilit perandoria osmane humbi krejt territoret në Europën qendrore dhe territore të tjera në Detin e Zi dhe Ballkan*, gjë që shkaktoi shumë pakënaqësi tek kasta ushtarake e perandorisë osmane. Këto ngjarje pastaj do të pasoheshin nga e ashtuquajtura "ngjarja e Edirnesë" në vitin 1703, në të cilën Jeniçerët shqiptarët do të bëheshin faktor kryesor dhe për të cilën kam folur në shkrimet e këtij blogu, për shkak të rëndësisë së saj në historinë e shqiptarëve.

*Legjenda e Gjergj Elez Alisë tregon se ai kishte marrë nëntë plagë në trup. Nuk është çudi që këto nëntë plagë të simbolizojnë territoret e humbura osmane si rezultat i Traktatit të Karlovicit, të cilat janë pak a shumë nëntë krahina që shtrihen nga Europa qendrore deri në Detin e Zi.

Jutbina (Udbina)*, qendra e të gjithë aktivitetit të kreshnikëve, ndodhet në krahinën e Likës në Kroaci, në kufi me Bosnjën perëndimore, ndërsa Klladusha ndodhet pak më lart, në skajin më verior të Bosnjës, në kufi me Kroacinë. Dy Kotorret ndodhen gjithashtu në Bosnje (Kotor Varosh dhe Kotori pranë Mrkonjiç Grad). Jutbina dhe Klladusha ishin krahina kufitare midis perandorisë osmane dhe mbretërisë së Habsurgëve dhe për këtë arsye aty kishte aktivitet të vazhdueshëm ushtarak, përplasje, incidente, inkursione, veprimtari agjenturiale, etj. Jo më kot edhe termi "kreshnik" vjen prej serbishtes (krajshnik) dhe do të thotë kufitar/roje kufiri.

*Në legjendën e Gjergj Elez Alisë armiku është Bajlozi që ka shkatërruar e djegur fshatrat në kufi. Në hartën e mësipërme do të vërejmë që Jutbina gjendet në kufirin mes tre shteteve, dhe aty kishte incidente e provokacione të vazhdueshme nga të gjitha palët.

Shqiptarët, jo arbrit, shërbenin si ushtarë mercenarë të perandorisë osmane në këto krahina, bashkë me ushtarë të etnive të tjera, dhe ishin jo vetëm dëshmitarë okularë të këtyre ngjarjeve por edhe pjesëmarrës në to. Ata i kthyen këto ngjarje në këngë dhe ua bashkëngjitën ato Eposit të Kreshnikëve. E njëjta gjë ka ndodhur edhe tek boshnjakët e të tjerët. Këngët e tyre flasin për të njëjtat ngjarje e për të njëjtat personazhe, sepse edhe ata i kanë përjetuar vetë ato. Kjo do të thotë se këto këngë kanë marrë formën e tyre që në frontin e luftës, gjatë kohës që zhvilloheshin konfliktet dhe kur shqiptarët janë kthyer në atdhe, i kanë marrë ato me vete.

Tek Këngët e Kreshnikëve ka shumë elementë që flasin pikërisht për përplasjet e osmanëve me perandoritë e krishtera*. Aty përmenden "shtatë krajlat" (mbretërit) që janë perandori i Rusisë, Austro-Hungarisë, Italisë, Britanisë, Francës, Gjermanisë e Vendikut; Bajlozi që ishte ambasadori venecian me titullin Bajlus; vende e qytete si Maxhari (Hungaria), Bodini (Budapesti), Toliri (Italia), Moskovi (Moska), Bagdadi, ose tipare gjeografike si Tuni (Danubi), etj, të gjithë këta tregues të qartë të periudhës që po diskutojmë.

*Në Eposin Boshnjak Gjergj Elez Alia (Gjerzelez Alija) portretizohet si një mysliman që lufton kundër të krishterëve.

Pra Eposi i Kreshnikëve nuk flet për ngjarje të lashtësisë, për konflikte mes ilirëve e sllavëve, por për ngjarje që datojnë nga shekulli i XVII-të e këtej, përfshi konfliktet me mbretërinë e re të Serbisë, ngjarje në të cilat shqiptarët kanë qenë pjesëmarrës si ushtarë mercenarë të perandorisë osmane ose në funksione të tjera.

Comments

  1. Meqë nuk shoh buton pëlqimi, po e shpreh pëlqimin me një koment.

    ReplyDelete

Shto një koment

Shkrimet më të lexuara të muajit

Epoka e errët shqiptare

Pse u konvertuan shqiptarët në myslimanë?

Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj?