Pse nuk e pushtoi Aleksandri i Madh Ilirinë?

Harta e zotërimeve të Aleksandrit të Madh.

Kur sheh hartën e perandorisë që krijoi Aleksandri, e cila shtrihet nga Ballkani deri në Indi, është e pamundur mos të bjerë një gjë në sy: Aleksandri nuk bëri asnjëherë përpjekje për ta nënshtruar Ilirinë, apo edhe Ballkanin verior në përgjithësi. Pse?

Iliria ishte mu në kufi me mbretërinë e tij, kishte një mot shumë më të butë se sa lindja e mesme, Persia apo Egjipti, dhe ndryshe nga këto nuk kishte asnjë shkretëtirë. Përkundrazi, fushat e Ilirisë e Dakisë ishin shumë më pjellore se sa fushat e vendeve të tjera. Pse të mos i nënshtronte Aleksandri këto territore e t'i shfrytëzonte? Në fund të fundit ai i kishte të gjitha mundësitë.

Më poshtë do përpiqem të jap një arsyetim, por jo me qëllimin për t'i dhënë vulën e të vërtetës absolute se sa më shumë për të bërë një filozofim "për qejf", si të thuash, një "ushtrim" për mendjen, por gjithmonë duke u bazuar në fakte të njohura historike. Kur flas për ilirët, këtu përfshihen edhe dardanët, dakët, etj.

Mendimi im është se nënshtrimi i Ilirisë nuk ka qene fare si opsion në tavolinë, ndoshta për disa arsye praktike: 

Arsyeja e parë mund të ketë qenë fakti që ilirët duhet të kenë qenë shumë më të përfshirë në politikën e brendshme të Maqedonisë se ç'na tregojnë kronikanët e lashtë, e për këtë arsye ata me shumë gjasa duhet të kenë pasur një ndikim mjaft të madh në çështjet politiko-ushtarake të Maqedonisë. Këtë argument e mbështesin disa fakte. Në kohën e lashtë, mes epirotëve, maqedonasve dhe ilirëve funksiononin krushqitë dhe ndikimet e ndërsjella politike. P.sh. e ëma e Aleksandrit, Olimpia, ishte mbesa e mbretit Aribas të Epirit dhe ish martuar me Filipin e Maqedonisë nëpërmjet një martese diplomatike me qëllim përmirësimin e marrëdhënieve mes dy mbretërive. Ndërsa vetë Pirro i Epirit u soll në pushtet nga mbreti Glaukias i Taulantëve, kur ky pushtoi Epirin. Pirron e kish shpënë i ati tek Glaukias që mos t'ia vrisnin ende foshnje. Kur u vu mbret Pirro ishte vetëm 11 vjeç dhe për këtë arsye Epirin e administronin gardianët e tij. Në moshën 17 vjeçare Pirro ishte i ftuar në dasmën e Glaukias.

Arsyeja e dytë mund të ketë qenë fakti që një pjesë e mirë e ushtrisë së Aleksandrit përbëhej nga ilirë. Me gjithë ato konflikte e luftëra që zhvilloheshin vit pas viti dhe armiqësi të vazhdueshme me qytet-shtetet greke, pushtimi i territoreve jashtë mbretërisë pa një burim të vazhdueshëm të forcave të freskëta luftarake do të ishte i pamundur. Ky burim ishte pikërisht Iliria (e ndoshta e dhe Dakia) dhe këto forca ishin pikërisht ilirët. Për këtë ekzistojnë dy të dhëna historike, në të cilat përmendet fakti që kur Aleksandri kapërceu në Azi në vitin 334 p.e.s, ushtria e tij kishte edhe ushtarë ilirë. Ndërsa në vitin 327 p.e.s ushtrisë së tij i erdhën si përforcim rreth 3000 forca ilire.  Do ishte krejt e palogjikshme që Aleksandri të priste bindjen dhe besnikërinë e ushtrisë së vet duke u zhvatur tokën dhe shtëpitë ndoshta një pjese të konsiderueshme të saj.

Arsyeja e tretë mund të ketë qenë fakti që edhe nëse Aleksandri do ta kishte nënshtruar e pushtuar Ilirinë, ai nuk do të përfitonte asgjë prej këtij veprimi. Për vetë mënyrën e organizimit të tyre shoqëror fisnor ilirët nuk do t'i nënshtroheshin kurrë atij. Ilirët nuk i nënshtroheshin askujt. As vetes së tyre. Do duhej të vinin Romakët disa shekuj më vonë që ta nënshtronin Ilirinë me shfarosje thuajse totale, ndoshta për shkak se ushtria e tyre vinte e gjitha nga gadishulli italik dhe nuk kishte nevojë për mbështetjen e Ilirëve.

Ndryshe nga Greqia, Persia dhe Egjipti, popullsia e të cilave ishte kryesisht civile e skllave, dhe që përveç revoltës së rastit, pas pushtimit mund të mbahej e nënshtruar e mund të mjelej me lehtësi, ilirët paraqesnin një sfidë të një shkalle krejt tjetër. Pushtimi i Persisë ishte rezultat i një fushate të vetme luftarake, madje e një beteje vendimtare. Sapo Dariusi dhe ushtria e tij u thyen, e gjithë perandoria u shkërmoq. Pushtimi i Greqisë ishte gjithashtu një ngjarje e vetme. Me tu thyer ushtritë greke, qytet-shtetet ishin praktikisht të pashpresa.

Ky nuk ishte rasti i ilirëve. Ndryshe nga të tjerët në rajon, ilirët ishin një popullsi gjithnjë nën armë dhe në gjendje konflikti permanent. Për më tepër, ilirët nuk kishin as ushtri mercenare me pagesë, e cila do të pushonte së luftuari sapo të thyhej dhe as një apo disa kryeqytete, të cilat do të mund të pushtoheshin fizikisht. Përkundrazi, e gjithë popullsia ilire ishte një ushtri e përhershme, me kohë të plotë, e rreshqitshme, pa formë e pa kokë dhe e shpërndarë në mijëra vendbanime të vogla në të gjithë territorin ilir.

(Këtu mund të marrim si shembull edhe Epirin dhe Spartën, dy mbretëri ushtarake, të cilat mbetën gjithashtu jashtë sundimit Maqedon.)

Pra, nëse Aleksandri do hiqte qafe një udhëheqës ilir, tre të tjerë do zinin vendin e të parit. Ai mund t'i mposhtte edhe këta, por ky veprim do të rezultonte në krijimin e një lukunie ushtrish të vogla me bazë fisnore, të cilat do të krijonin një gjendje të vazhdueshme revolte dhe kaosi ku do të bastisej gradualisht jo vetëm mbretëria por edhe shëndeti mendor i Aleksandrit. Ilirët nuk kishin se ç'të humbnin. Ata nuk kishin as prona, as pallate, as toka, as skllevër, as pasuri. Ata ishin mjeshtrat e kçk-së.

Në mënyrë që Aleksandri t'i mbante ilirët në rresht për një e të nxirrte përfitime nga territori i tyre, ai do duhej të shfaroste të gjithë popullsinë autoktone dhe ta zëvendësonte atë me persë, semitë, egjyptianë ose skllevër grekë, gjë që për arsyet e mësipërme nuk mund ta bënte.

Arsyeja e katërt mund të jetë një kombinim i gjithë sa thamë më sipër. Të merreshe me ilirët ishte njësoj si të përpiqesh të mbash ujin me duar. Mund ta bësh në sasi fare të vogla, por edhe atëherë uji do ta gjejë rrugën e kullimit.

Prandaj, si përfundim mund të them se Aleksandri i kishte të gjitha mundësitë që ta nënshtronte Ilirinë por nuk do mund t'i nënshtronte kurrë ilirët.

----

Tani të flasim sipas shkencës.

Arsyeja e vërtetë pse Aleksandri i Madh nuk e pushtoi Ilirinë është tjetër dhe nuk ka të bëjë shumë me natyrën e ilirëve apo të dakëve. Mund të duket e çuditshme për shumë kënd por qëllimi kryesor i Aleksandrit të Madh të Maqedonisë në fakt nuk ishte zgjerimi i mbretërisë së tij me territore të reja të çfarëdoshme pasi në atë periudhë kjo nuk ishte diçka shumë e dëshirueshme. Në lashtësi kishte shumë pak njerëz dhe toka, lumenj e pyje kishte me bollëk për të gjithë. Vëmendja e Aleksandrit ishte përqendruar diku tjetër, në një territor shumë të veçantë e të përcaktuar shumë qartë. Ky territor ishte gjysmëhëna pjellore.

Të gjitha qytetërimet e lashta kanë pasur si gur themeli të zhvillimit të tyre dy veçori: bujqësinë dhe rendin skllavopronar. Kjo është arsyeja pse të gjitha qytetërimet e lashta janë zhvilluar pranë rrjedhave të lumenjve. Tokat e mëdha bujqësore kishin nevojë për shumë krahë pune, që të punonin pa pushim dhe mundësisht pa u paguar. Këta krahë pune mund të ishin vetëm skllevërit. Skllevërit mund të punonin gjithë ditën, gjatë gjithë javës, muajit dhe vitit, nuk gëzonin të drejta, nuk largoheshin dot nga vendi i punës dhe ishin në shërbim absolut të skllavopronarit. Të gjitha këto ishin veçori që nuk mund t'i gjeje tek popullsia lokale e lirë. Në këtë mënyrë puna e skllevërve në sipërfaqe të mëdha tokash krijonte ekonomi të tepricës. Domethënë ata prodhonin shumë më tepër ushqime e mallra të tjera artizanati nga ç'ishte nevoja e tregut të zonës dhe me kosto të papërfillshme. Kjo i jepte mundësi skllvopronarit që të krijonte pasuri e për pasojë edhe shumë pushtet.

Qytetërimi i parë bujqësor e ka origjinën pikërisht në pllajat e Mesopotamisë, mes lumenjve Tigër dhe Eufrat. Aty e ka zanafillën edhe shfrytëzimi i punës së skllevërve. Mandej ky lloj qytetërimi u përhap edhe në Lindjen e Mesme dhe Egjipt, përgjatë luginës së lumit Nil. Të gjitha këto territore bashkë krijojnë atë që quhet gjysmëhëna pjellore, territore me aktivitet të dendur bujqësor, në të cilat ka lulëzuar rendit skllavopronar.

Edhe qytet-shtete greke lulëzuan në sajë të rendit skllavopronar. Aty, ashtu si në territoret e gjysmëhënës pjellore, ekonomia mori hov të jashtëzakonshëm falë punës së skllevërve që angazhoheshin në bujqësi. Kur Filipi, i ati i Aleksandrit i pushtoi ato, nuk i pushtoi për skulpturat e bukura, godinat me kolona dhe libraritë me poezi e filozofi por sepse atje prodhohej ekonomi e tepricës e për rrjedhojë shumë pasuri. Këtë plan vazhdoi edhe Aleksandri i Madh kur nisi fushatën e tij kundër perandorisë perse. Si atje, si në Egjipt ishte ngritur prej shekujsh dhe funksiononte me rendiment të plotë rendi skllavopronar dhe një ekonomi shumë e zhvilluar bujqësore. Nëse Aleksandri arrinte të fuste nën sundimin e tij këto territore, atëherë ai mund të bëhej sundimtar i gjithë ekonomisë së botës që njihnin helenët në atë periudhë. Dhe në fakt ashtu ndodhi.

Ndonëse shpesh Aleksandri na paraqitet si eksplorator dhe përhapës i zellshëm i qytetërimit helen, në të vërtetë ai nuk ndryshoi asgjë nga sistemi shoqëror i territoreve që pushtoi. Përveç ndonjë godine apo ndonjë qyteti me kolona tek-tuk, as Persia as Egjipti nuk kishin nevojë për qytetërimin grek sepse i kishin të gjitha. Shkrim e këndim po, matematikë e gjeometri po, astronomi e lundrim po, arkitekturë madhështore po, njerëz të ditur po. Edhe sistemin ekonomik e kishin identik. Aleksandri nuk kishte absolutisht asgjë se ç'tu mësonte atyre, që nuk e kishin mësuar më parë.

Gjysmëhëna pjellore ka marrë emrin për shkak të formës që ka në hartë.

Comments

Shkrimet më të lexuara të muajit

Pse u konvertuan shqiptarët në myslimanë?

Epoka e errët shqiptare

Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj?