A ka gjak të huaj në venat e shqiptarëve?



A janë shqiptarët të përzierë me popujt fqinjë? Sa ndikim kanë pasur pushtuesit e huaj në trashëgiminë gjenetike të shqiptarëve? Po fqinjët? A ka gjak sllav, grek, turk, etj, në venat e shqiptarëve?

Ka shumë amatorë të historisë që mendojnë se, meqenëse trevat shqiptare kanë qenë të pushtuara nga perandori të ndryshme (romake, sllave, osmane, etj), atëherë popujt e këtyre perandorive medoemos që kanë lënë gjurmët e tyre gjenetike tek populli shqiptar. Në fakt, në pamje të parë duke si përfundim logjik. Pushtim baras me përshesh gjenetik. Por çfarë thotë shkenca? Si qëndron e vërteta?

Por para se të flas me gjuhën e shkencës do të flas njëherë me gjuhën e logjikës. A është vërtetë e vetëkuptueshme që pushtimet ushtarake shoqërohen automatikisht me përzierje gjenesh? A ndodhin këto gjëra në të vërtetë? Kur një perandori e huaj pushtonte një territor të caktuar, a shoqërohej ky pushtim me migrime masive të popullsisë? A martoheshin ushtarët pushtues me gratë vendase dhe a vendoseshin ata të gjithë me banim të përhershëm në territorin e pushtuar? Po popullsia e vendit pushtues a përzihej me popullsinë e vendit të pushtuar?

Jo. Jo detyrimisht. Dokumentacioni historik nuk e vërteton një gjë të tillë. Nëse do të ishte e vërtetë, atëherë, me gjithë ato pushtime që kanë ndodhur në historinë e njerëzimit, në botë nuk do të kishte një larmi të pafundme etnish dhe gjuhësh siç ka sot, pasi gjithë popujt do ishin shkrirë në një të vetëm.

Ka pasur raste kur komunitete të vogla janë shpërbërë e asimiluar nga shumica dërrmuese. Por integrimi masiv i popullsisë së pushtuesit me popullsinë vendase nuk dokumentohet asgjëkundi. Të vetmet elementë që përhapen gjerësisht mund të jenë feja dhe gjuha për shkak të fesë, si p.sh. në rastin e vendeve arabe, ose për shkak të tregtisë, si në rastin e vendeve latine në Europë.

Duke ndjekur këtë logjikë unë kam argumentuar se deri para murtajës së Justinianit në shekullin VI dhe dyndjeve sllave që pasuan, një pjesë e madhe e popullsisë së Ballkanit, sidomos ajo që jetonte në qendra urbane, do ketë qenë e latinizuar, d.m.th. me siguri do të ketë adoptuar latinishten si gjuhë të nënës për shkak se latinishtja ishte gjuha e tregtisë, politikës, shkencës dhe arteve. Madje nga dokumentacioni ne dimë që në Ballkan ka pasur edhe garnizone e koloni të vogla romake, njëra prej të cilave i ka dhënë emrin krahinës së Kolonjës (Colonia) në Shqipërinë e jugut.

Megjithatë, ato pak koloni e garnizone romake që njihen nuk ishin të mjaftueshme për të bërë një përshesh në pellgun gjenetik të ilirëve autoktonë. Fakt është që pas ngjarjeve të mëdha të shekujve VI-VII, d.m.th. rreth 8 shekuj pas sundimit romak, latinisht folësit u zhdukën pothuajse krejt dhe në plan të parë dolën shqipfolësit. Këta filluan të zgjerohen gradualisht duke ruajtur krejt gjuhën dhe mënyrën e tyre të jetesës, edhe atje ku u zhvendosën masivisht, në kontrast të plotë si me romakët e dikurshëm, ashtu edhe sllavët e grekët modernë.

Edhe nëse dikush do të aludonte për një prezencë të madhe të gjenit sllav tek shqiptarët për shkak të ekzistencës së perandorive bullgare e serbe, thjeshtë fakti që shqiptarët jetonin nën sistemin vetëqeverisës fisnor, një sistem diametralisht i kundërt me atë bullgar apo serb, shërben si provë e pakundërshtueshme që vërteton izolimin politiko shoqëror e rrjedhimisht edhe atë gjenetik të tyre, pasi asimilimet e popullsive ndodhin nga pakica drejt shumicës dhe jo e kundërta. Shumica serbe nuk kishte asnjë arsye që të adoptonte një sistem shoqëror të praktikuar nga një pakicë njerëzish që jetonte e izoluar në zona malore.

Për më tepër, ne e dimë nga dokumentacioni historik që shqiptarët nuk janë sunduar asnjëherë nga sllavët në mesjetë. Pushtimi bullgar e serb nuk solli masivitet sllavësh në territoret e banuara prej shqiptarëve asokohe. Shqiptarët i nënshtroheshin sunduesit sllav dhe i paguanin atij haraçet e zakonshme të kohës, por në tokën e tyre nuk e linin të hynte. Nëse shqiptarët modernë do të ishin përzierë gjerësisht me sllavët, atëherë ata medoemos do të kishin adoptuar jo vetëm sistemin politiko shoqëror por edhe gjuhën sllave si mjet kryesor komunikimi sepse mundësitë për të rritur mirëqenien ishin më të mëdha me gjuhën e shumicës.

Nga historia moderne ne e dimë shumë mirë që njerëzit e një grupi etnik kanë tendencën të rrinë pranë njërit tjetrit, të martohen brenda grupit dhe të ndihmojnë njëri tjetrin nëpërmjet aktiviteti tregtar. E ku mund të dallohet ky fenomen më qartë se sa tek Arvanitasit dhe Arbëreshët e Italisë, të cilët kanë ruajtur identitetin e tyre etnik të veçantë dhe gjuhën me fanatizëm deri në ditët tona edhe pse kane qenë të rrethuar nga një shumicë absolute e huaj. Ky fenomen ka qenë historikisht i pranishëm edhe gjatë ekzistencës së perandorisë osmane, si në qendra urbane ashtu edhe në fshat, ku lagjet e madje edhe varrezat ishin të ndara sipas fesë dhe përkatësisë etnike. P.sh. në Voskopojë, edhe pse popullsia ishte e gjitha ortodokse, lagjja e shqiptarëve ishte e veçuar nga lagjet e tjera të arumunëve. Madje ndarje në grupe të veçanta ka pasur edhe mes gegëve e toskëve, të cilët përgjithësisht kanë preferuar të rrinë të veçuar nga njërit tjetri.

Po edhe sikur të ishte ndryshe, ne e dimë nga dokumentacioni historik se në Shqipëri nuk ka pasur ndonjëherë komunitete turkomanësh të ardhur nga Anadolli. Nuk njihet asnjë rast i një imigrimi të tillë me shifra të mëdha i ndonjë popullsie turkomane drejt trevave shqiptare. Edhe pushteti, ashtu si në kohën e perandorive sllave, ka qenë i gjithi në duart e shqiptarëve dhe ushtarët që kanë luftuar në emër të perandorisë, ata që historiografia jonë i quan rëndom "turq", kanë qenë gjithashtu krejt shqiptarë. Edhe ushtarët e garnizoneve osmane të shekullit të fundi të perandorisë, si p.sh. ai i Shkupit e Janinës, përbëheshin kryesisht me shumicë shqiptare dhe një pakicë e huaj, e cila me të mbaruar shërbimin kthehej në trojet e veta.

Sidoqoftë, pavarësisht argumenteve të parashtruara më sipër, unë preferoj që fjalën e fundit ta thotë shkenca, dhe shkenca na tregon që shqiptarët janë rast unikal në të gjithë Europën pasi ata janë i vetmi grup etnik ku shumica dërrmuese e popullsisë ka trashëgimi gjenetike vetëm brenda për brenda grupit. Pra ata nuk kanë pothuajse asnjë ose shumë pak trashëgimi gjenetike nga popujt fqinj apo nga popuj të tjerë në Europë. Ky konkluzion shkencor ka dalë nga një studim me titull "Prejardhja e Trashëgimisë Gjenetike të Njerëzve në Europë" zhvilluar në Universitetin e Kalifornisë.*

*Ky studim i mirëfilltë shkencor nuk ka asnjë lidhje me projektin amator "Rrënjët" që merret me evidentimin e haplogrupeve të linjave atërore shqiptare.

Studimi i zhvilluar nga Piter Rallf dhe Graham Kup pranë Universitetit të Kalifornisë kishte si qëllim të zbulonte sa lidhje gjenetike kishin popujt europianë me njërit-tjetrin. D.m.th. për të kuptuar sa "kushërinj" të largët apo të afërt ishin. Nga studimi doli që të gjithë popujt europianë kanë, më shumë ose më pak, lidhje gjenetike me njëri-tjetrin nëpërmjet linjave të ndryshme trashëgimtare. Diku 100 linja, diku 1000 linja. Popujt fqinj natyrisht kanë edhe lidhjet më të shumta gjenetike me njëri-tjetrin.

Ajo çka bie në sy tek ky studim dhe që duket si anomali është fakti që trashëgimia gjenetike e shqiptarëve gjendet pothuajse ekskluzivisht brenda popullsisë shqiptare. Shqiptarët. As grekët, as italianët. Kjo trashëgimi daton nga linja më e lashtë që është rreth 1500 vjeçare, deri tek linja më e re që është rreth 500 vjeçare. Çfarë do të thotë kjo? Kjo to të thotë që të gjithë shqiptarët kanë lidhje gjenetike me njëri-tjetrin. Pra të gjithë jemi kushërinj. Kjo trashëgimi gjenetike i ka rrënjët në shekullin e VI, pas dyndjeve sllave dhe vazhdon deri në periudhën e pushtimit Osman. D.m.th., duke filluar nga 1500 vjet përpara e deri në ditët tona, shqiptarët janë martuar dhe kanë bërë fëmijë pothuajse vetëm mes veti dhe me askënd tjetër.

Duke u bazuar në këtë përfundim të pastër shkencor dhe në të dhëna të tjera të rëndësishme historike, toponimike e antropologjike të paraqitura në këtë blog dalim në përfundimin tjetër se të gjithë shqiptarët kanë prejardhje nga një grup i vogël iliro-arbëror shqipfolës që i mbijetuan katastrofave të shekujve VI e VII dhe se të gjithë ne e kemi prejardhjen prej tyre; gegë e toskë, arvanitas apo arbëreshë, që të gjithë ne vijmë nga një grup i vogël iliro-arbëror diku në Shqipërinë e veriut. Madje unë do guxoja të jepja edhe koordinata konkrete të origjinës së shqiptarëve modernë si p.sh. Dukagjini (Shoshi, Shala e Pulti), Nikaj-Mërturi, Luma, Arrëni, e Tropoja.

Sipas studimit në fjalë, më larg se 1500 vjet trashëgimia gjenetike e shqiptarëve fillon e shkrihet me atë të popujve të tjerë europianë. Duhet të kemi parasysh që trashëgimia gjenetike nuk tregon dallime në ADN, pasi të gjithë njerëzit kanë të njëjtën ADN.

Me pak fjalë, shqiptarët janë të vetmit në Europë që mund të thonë me plotë gojën se janë puro shqiptarë, me nonë e me babë, den baba den, pa hile, pa rrenë.

Të dhëna të tjera shumë interesante që dolën nga ky studim ishin fakti nga mostrat e marra në Greqi e Maqedoninë e veriut (sllavë), del që lidhjet më të shumta gjenetike janë me shqiptarët. Kjo besoj se është lehtësisht e kuptueshme për shkak të elementit shqiptar të asimiluar në secilin nga këta popuj Ndërsa italianët, si ata të jugut, ashtu dhe ata të veriut, kanë po aq lidhje gjenetike me njëri-tjetrin sa edhe me shqiptarët. Kjo besoj duhet të ketë të bëjë me qarkullimet e shumta në mijëvjeçarë të ilirëve drejt gadishullit italik.

Comments

Shkrimet më të lexuara të muajit

Pse u konvertuan shqiptarët në myslimanë?

Epoka e errët shqiptare

Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj?