Brezi i shpresës, apo i harresës?
Kanë kaluar 30 e kusur vjet nga koha kur emigrantët e parë u dyndën me dhjetëra mijëra drejt Europës me shpresën se do të ndërtonin një jetë më të mirë, e bashkë me ta mori krahë edhe ëndrra kombëtare se tash që nuk do të ekzistonin më barrierat e shumta të regjimit dhe varfërisë, do të rritej një brez i tërë intelektualësh të formuar e të përgatitur në liri, që do ta nxirrnin atdheun dhe gjithë popullin në selamet. Këta, duke mos qenë më të kufizuar nga gjithçka e ligë që kishte Shqipëria komuniste, më në fund do të kishin të gjithë hapësirën dhe mundësitë për t'u kthyer në fanarë të ndërgjegjes dhe mirëqenies kombëtare.
Sot fëmijët e atyre që emigruan janë rreth moshës 30-40 e më shumë vjeç. Shumë prej tyre kanë arritur individualisht gjëra shumë të mira e për këtë i përgëzojë me gjithë zemër. Por si brez intelektualësh të rritur e të arsimuar në liri e mirëqenie, që do të shpëtonte atdheun nga kthetrat e injorancës dhe obskurantizmit diktatorial të Hoxhës, ai nuk po duket gjëkundi. Ky brez emigrantësh nuk ka arritur të ndërmarrë absolutisht asnjë lloj nisme intelektuale pan-shqiptare, as këtu në atdhe, as atje në mërgim ku vajti për të "shpalosur flatrat". Asnjë veprimtari, asnjë forum, asnjë lëvizje, asnjë rrymë mendimi, asgjë prej gjëje.
Padyshim që ka individë apo grupe të vogla tek-tuk që përpiqen shumë dhe bëjnë gjëra të mira. Por këta janë të izoluar në veprimtarinë e tyre dhe funksionojnë gjerësisht, jo për faj të tyre, në nivel fillestarësh.
Edhe ata që nuk angazhohen nuk i gjykojmë, se fundja dashuria për atdheun dhe shqiptarinë në përgjithësi nuk është me detyrim dhe nuk mund t'i imponohet askujt. Gjithsecili bën atë që mendon se është më mirë për veten e vet dhe kjo është plotësisht e justifikuar. Megjithatë, fakt është që "brezi i shpresës" u kthye në "brezin e harresës" dhe indiferencës.
Do thotë dikush: "Atje në Shqipëri nuk na i hap dyert njeri dhe për këtë arsye nuk mund të kontribuojmë." Ta pret mendja! Nëse këtu njerëzit do t'i hapnin dyert njeri-tjetrit, atëherë nuk do kishte njeri arsye të largohej, apo jo? Do rrinin të gjithë në shtëpitë e tyre sepse Shqipëria do ofronte mundësi për të gjithë.
Por, nëse këtu nuk hap njeri dyert, e njëjta gjë nuk mund të thuhet për perëndimin, që vetë emigrantët nuk lënë rast pa na e lavdëruar. Nëse do bazoheshim tek perceptimi i përgjithshëm që ekziston për Europën perëndimore, do duhej që atje, minimalisht, të ishin formuar disa organizata të fuqishme shqiptare me veprimtari të gjerë e me ndikim real në të gjithë shqiptarinë. Por të tilla nuk ka. Ku janë? Pse nuk janë ngritur?
Realisht, kontributet më të mëdha intelektuale kanë ardhur nga shqiptarët që kanë qëndruar në atdhe. Këta individë kanë sakrifikuar shumë dhe, sipas mundësisë, i kanë dhënë një shtysë përpara mendimit intelektual. Këta kanë qenë promotorët e vërtetë të mendimit kritik shqiptar sepse këtu janë zhvilluar edhe debatet më të mëdha.
Pra, ndryshe nga ç'ndodhi në periudhën e Rilindjes, mund të themi me bindje se emigracioni i këtij 30 vjeçarit të fundit nuk i solli shqiptarisë ndonjë farë kontributi intelektual. Foleja e intelektualizmit shqiptar vazhdon të jetë një fenomen i brendshëm, që buron nga ata që jetojnë në atdhe. Brezi i emigrantëve nuk mund të konsiderohet kurrsesi një aset i kombit, por diçka e humbur.
Ky shkrim nuk ka për qëllim që t'i drejtojë gishtin njërit apo tjetrit, sepse nuk merr në gjykim individët. Kështu që askush nuk duhet të ndihet i sulmuar. Por edhe kundër emigrantëve në tërësi nuk është. Nuk është faji i tyre pse jeta i sjell gjërat ashtu si i sjell dhe pse unë, apo të tjerë si unë, mund të kemi pritshmëri që nuk përputhen me realitetin.
Ky shkrim ka për qëllim vetëm të analizojë një fenomen që buron nga një aspiratë ndoshta e gabuar dhe naive që shqiptarët patën dikur për të ardhmen e tyre në marrëdhënie me botën perëndimore e që sot i ka ardhur koha të shikohet edhe një herë me sy kritik.
Comments
Shto një koment