Konservatorë dhe progresistë



Në përshkrimin e ngjarjeve dhe konflikteve në historinë e shqiptarisë nuk janë përdorur asnjëherë termat "konservatorë" dhe "progresistë". Nuk i gjen si koncepte as në librat e historisë, as në artikuj e ese, as në dokumentarë, as në diskutime e debatet televizive. Askund. Janë përdorur gjithëfarëlloj termash e etiketimesh për palët pjesëmarrëse në ngjarje, por asnjëherë këto të dyja. Sikur e drejta e përdorimit të tyre t'u përkiste vetëm zhvillimeve historike të një bote tjetër, përgjithësisht asaj perëndimore, ndërsa për zhvillimet historike në Ballkan, për një arsye që nuk dihet, përdorimi i tyre është sakrilegj.

P.sh., është folur për të majtët e të djathtët, për nacionalistë e komunistë, për zogistë e nolistë, për turkoshakë e për rilindas, por asnjëherë për konservatorë e progreisistë, sikur këta të mos ekzistonin.

Mirëpo ata kanë ekzistuar që ç'ke me të dhe emërtimi i tyre i saktë na ndihmon t'i vëmë ngjarjet historike në perspektivë e t'i kuptojmë gjërat më mirë. P.sh. pala konservatore është gjithnjë e interesuar të ruajë status-quo-në. D.m.th, ata nuk duan ndryshime rrënjësore në shoqëri por duan të ruajnë rendin social, politik e ekonomik që i mban në pushtet. E kundërta ndodh me progresistët, të cilët duan ndryshime e reforma të thella shoqërore me çdo kusht, veçanërisht shpërndarjen e pushtetit tek sa më shumë shtresa sociale.

E gjithë historia e Europës është e mbushur me konflikte midisi konservatorëve dhe progresistëve, nga të cilat progresistët kanë dalë kryesisht të fituar. P.sh., të gjitha revolucionet europiane, duke filluar që nga ai britanik i vitit 1688, ai amerikan i vitit 1775-1783, ai francez i vitit 1789 e deri tek ai shqiptar i vitit 1924, kanë ardhur të gjithë si rezultat i përplasjes mes palës konservatore që përpiqet të ruajë rendin e vjetër dhe palës progresiste që përpiqet të vendosë një rend të ri shoqëror, përgjithësisht në favor të shumicës. Kështu p.sh. gjatë luftës së dytë botërore, ballistët, zogistët e bajraktarët janë cilësuar rëndom si nacionalistë. Në fakt emërtimi i tyre i saktë duhet të jetë konservatorë, sepse ata kishin interes parësor ruajtjen e pushtetit të tyre ekonomik e politik mbi shumicën e popullsisë. E kundërta ndodhte me komunistët të cilët kërkonin përmbysjen e rendit të vjetër shoqëror dhe ngritjen e një rendi të ri, të bazuar mbi parimet e marksizmit e të komunizmit. Në këtë përplasje rrymash nacionalizmi nuk luajti pothuajse asnjë rol. Madje mund të themi se komunistët paraqiteshin shumë më tepër nacionalistë se "nacionalistët" sepse nuk bënë asnjë kompromis me forcat pushtuese por i luftuan ato deri në fund. Po kështu ndodhi më vonë me vetë regjimin e diktaturës, i cili lindi si një rrymë progresiste dhe vdiq si rrymë radikale konservatore, në kundërshti me rrymën progresiste që përfaqësonin studentët dhe shtresa të tjera të popullsisë.

Edhe në kohën e Zogut e të Nolit ekzistonin të dy rrymat. Esad Pasha, favoriti i tij Ahmet Zogu, bejlerët dhe bajraktarët e shumtë që i ndihmuan dhe i asistuan, përfaqësonin rrymën konservatore, pra atë të ruajtjes së pushtetit dhe të pasurisë së fituar që në kohën e perandorisë osmane. Në kundërshtim me këta ishin parlamentaristët si Noli me shokë, të cilët favorizonin reformat sociale e politike dhe demokratizimin e shoqërisë shqiptare. Prandaj dhe kur erdhi në pushtet, Zogu nuk ndërmori asnjë reformë rrënjësore që të rrezikonte pushtetin e shtresës së vjetër sepse edhe ai vetë i përkiste asaj. Gjatë kësaj periudhe rasti më ekstrem i konservatorizmit ishte Haxhi Qamili me shokë dhe tentative e tyre për ta rikthyer Shqipërinë nën perandorinë osmane dhe nën influencën e sheriatit.

E njëjta gjë vërehet edhe gjatë luftës për pavarësi. Nga njëra anë ishin konservatorët, të cilët e shihnin të ardhmen e tyre të sigurt vetëm si pjesë e perandorisë. Nga ana tjetër ishin Rilindasit me shokë, të cilët e kishin shumë të qartë ndryshimin e kohërave dhe rëndësinë e krijimit të shtetit të pavarur shqiptar.

Konflikti mes konservatorëve dhe progresistëve është permanent dhe i pranishëm në çdo vend dhe për çdo çështje që ka të bëjë me zhvillimin e një shoqërie. Sot ai shfaqet në mijëra forma nga më të ndryshmet. P.sh., në Amerikë, ndër të tjera po zhvillohet edhe lufta gjinore. Kohët e fundit në Kosovë kemi parë përplasjen mes fesë dhe ateizmit. Ndërsa në Shqipëri kjo luftë po zhvillohet brenda Partisë Demokratike, ku njëra palë kërkon të ruajë (konservojë) pushtetin e Berishës ndërsa tjetra është progresiste dhe kërkon shkëputjen nga figura e tij.

Termat "konservator" dhe "progresist" janë shumë të dobishme sepse na ndihmojnë t'i shohim gjëra me gjakftohtësi dhe paanshmëri. Kështu duke kuptuar pozitat e njërës dhe tjetrës palë në kontekstin social-historik dhe duke qenë të ndërgjegjshëm që ato janë fenomene krejt natyrale njerëzore që shfaqen kudo njësoj, nuk na del më nevoja t'i etiketojmë njerëzit si "tradhtarë", "të poshtër", "të shitur", "antishqiptarë", etj, por si palë me interesa të caktuara të cilat, në periudha të ndryshme kanë shërbyer si pengesa ose shtysë për arritjen e aspiratave të shoqërisë shqiptare.

Comments

Shkrimet më të lexuara të muajit

Pse u konvertuan shqiptarët në myslimanë?

Epoka e errët shqiptare

Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj?