Peshku në det, shqiptarët në mal

Mozaik i krijuar me AI

Mungesa e një terminologjie të pasur autoktone shqipe për faunën e detit dhe termat e peshkimit i ka dhënë shkas edhe ngritjes së spekulimeve të shumta në lidhje me konsumin dhe recetat e pakta të peshkut tek shqiptarë, si shenjë dalluese e një injorance apo mungese sofistikimi të kulturës malësore në krahasim me kultura e popuj të tjerë më të zhvilluar. Ideja është që shqiptarët nuk na paskëshin ngrënë peshk sepse paskëshin qenë "malokë" injorantë të pasofistikuar që nuk e njihnin detin. Këto pretendime nuk janë thjeshtë diskutime kafenesh. Ato janë trajtuar edhe në studime të mirëfillta shkencore. 

Por cila është e vërteta? Çfarë thonë të dhënat historike? A është mungesa e konsumit të peshkut ndonjë shenjë e mungesës së ndonjë trashëgimie të sofistikuar kulturore? Cilat janë këto qytetërime që kanë konsumuar gjerësisht peshkun në kohërat e vjetra? Cili popull e ka traditë të lashtë?

Në Greqinë e lashtë peshku nuk figuron fare nëpër mozaikë e ilustrime pasi identifikohej me shtresat e varfra të popullsisë, për shkak të prestigjit të ulët të profesionit të peshkimit. Ai konsumohej kryesisht nëpër ishuj, sepse atje kuptohet që burimet ushqimore janë më të pakta dhe nevoja për të udhëtuar me anije është parësore.

Në Romën e lashtë peshku është diçka më i pranishëm, por jo aq sa të identifikohet me shtresat e larta apo me ndonjë finesë kulturore. Ai vazhdonte të ishte ushqim që konsumohej kryesisht nga të varfrit. Fakt është që sot kuzhina italiane, kuzhina më prestigjioze në botë, kuzhina e një gadishulli të rrethuar nga deti, përfaqësohet me prodhimet e brumit, djathit dhe mishit. Nuk është peshku ushqimi më i famshëm italian në botë por pica dhe makaronat.

Po ashtu edhe gjatë mesjetës, peshku konsiderohej si ushqim më pak prestigjioz se ushqimet e tjera dhe përdorej kryesisht si alternativë e mishit në ditët e agjërimit. Asnjë nga kuzhinat e vendeve kontinentale europiane nuk e ka peshkun si pjatë kryesore, përveç zonave bregdetare. Përkundrazi dominojnë patatja, lakra, salçiçet, etj, edhe në ishujt si Irlanda, Britania, etj. Është e famshme historia e zisë së bukës (patates) në Irlandë, si rezultat i të cilës vdiqën nga uria afro 2 milionë irlandezë edhe pse vendi është i rrethuar me det e oqean nga të katër anët.

Ashtu dhe në Shqipëri peshku është konsumuar nga komunitetet më pranë pellgjeve ujore, si p.sh. në Shkodër, në bregdet apo në Pogradec. Peshku nuk është konsideruar asnjëherë në historinë e njerëzimit si ushqim i lakmuar. Ky është një fenomen i shekullit të XX. Është një shije e re e kultivuar rishtas.

Pse duhet të konsumonin banorët e zonave të brendshme peshk kur peshku mezi të mbush barkun, në një kohë kur kishte lopë, dele e dhi plot dhe kur nuk kishte as mjete frigoriferike? Peshku prishet shpejt. Mishin e bën pastërma dhe mund ta konsumosh gjatë gjithë vitit. Me një dash ushqeheshin 10-15 vetë. Sa do ushqesh me peshk? A mund t'i nxirrje mikut peshk  për darkë? Në kohët e vjetra kjo ishte një fëlliqje totale. Një mungesë respekti për mikun.

Shqiptarët mund të kenë qenë më të varfër e të pasofistikuar në shumë drejtime, por jo budallenj. Kur lindte nevoja ata tregoheshin praktikë. Nëse peshku do të kish qenë në modë në botë, ajo modë do të kishte ardhur edhe në Shqipëri, siç ka ardhur këto dekadat e fundit kur restorantet e peshkut patën një lulëzim të gjithanshëm.

Comments

  1. arsyeja eshte sepse peshku duhet ngrene i fresket ndryshe prishet shume shpejt, sk anevoje te komplikohen gjerat, pastaj c'do te thote popull me i zhvilluar...?

    ReplyDelete

Shto një koment

Shkrimet më të lexuara të muajit

Pse u konvertuan shqiptarët në myslimanë?

Epoka e errët shqiptare

Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj?