Pse nuk ka pasur asnjëherë një qytetërim ilir?

Interpretim artistik i skllavërisë në qytet-shtetet helene.

Një nga pyetjet që mundon studiuesit e historisë së ilirëve në përgjithësi dhe të shqiptarëve në veçanti ka qenë kjo: "Pse nuk ka një qytetërim ilir? Pse nuk ndërtuan ilirët asnjëherë një "qytetërim" siç bënë helenët apo romakët edhe pse ishin fare pranë tyre? Pse ne shqiptarët nuk mund të flasim sot me krenari për "qytetërimin ilir"? A mos ishin ilirët të prapambetur? A mos ishin ata të paaftë për të ndërtuar qytetërime me teknologji, arkitekturë, art, kulturë, etj?

Arsyeja është fare e thjeshtë dhe krejt banale. Skllavëria. Ose më saktë, rendi skllavopronar.

Të ashtuquajturat qytetërime kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë produkte të shfrytëzimit të shumicës nga një pakicë e fuqishme elitare. Në kohërat e lashta ky shfrytëzim shprehej në format më ekstreme. Po të studiojmë zhvillimin e qytetërimeve të ndryshme anembanë globit, do të vëmë re se në themel të tyre qëndron gjithnjë shfrytëzimi i punës së papaguar të skllevërve*, që nga koha e shumerëve të lashtë në luginën e Tigrit dhe Eufratit, tek egjiptianët, akadët, asirët, babilonasit, persët, izraelitët, helenët, indianët, romakët, inkat, aztekët, nazkat, majat, nubianët, venecianët, gjenovezët e deri tek skllavëria europiane e periudhës së imperializmit e cila u mbështet edhe me ideologji e politika shtetërore. Skllavëria ka qenë guri i themelit të çdo "qytetërimi" të njohur në historinë e njerëzimit.

*Skllavërinë e praktikonin edhe arabët islamikë e osmanët por jo në atë shkallë sa prej tyre të varej e gjithë ekonomia.

E njëjta gjë ishte edhe në Greqinë e lashtë. Shoqëria helene lulëzoi në sajë të rendit skllavopronar dhe shfrytëzimit të punës së skllevërve. Në dokumentarë e publikime historike dëgjojmë shumë për demokracinë helene, për filozofinë, për artin, për sportet e për shumë gjëra të tjera të bukura, por shumë pak për skllavërinë helene. Demokracia ishte e prekshme vetëm nga një pakicë që kishte prona, para dhe pushtet, ndërkohë që shumicën e popullsisë e përbënin skllevërit dhe fshatarët e zanatçinjtë me pak ose aspak të drejta, të cilët ishin tërësisht në shërbim të të pasurve. Madje në rastin e Spartës shoqëria kishte vetëm dy kategori qytetarësh dhe shumicën e përbënin skllevërit.

Me punën e skllevërve mund të punoheshin sipërfaqe të mëdha tokash dhe të merreshin teprica të prodhimit bujqësor, që janë baza e pasurisë, ose mund të ndërtoheshin vepra madhore inxhinierike si rrugë, godina e tempuj, ose mund të prodhoheshin mallra konsumi me shumicë, pa u shqetësuar asnjëherë për problemin e pagave, ditëve pushim dhe të drejtave të punëtoreve. Pra skllvërit ishin krah pune pa pagesë, njësoj si kafshët 

Shoqëria ilire nuk e praktikonte skllavërinë. Nuk e bëri asnjëherë pjesë të identitetit të vet.* Nuk mund t'i mblidhte kush ilirët e t'i vinte të punonin pa pagesë tokat e njërit apo të tjetrit që ky të pasurohej e pastaj t'i shtypte. Por edhe vetë Iliria nuk kishte qytet-shtete si ato të helenëve apo të të tjerëve. Iliria nuk kishte as qytete të mirëfillta me sheshe, shatërvanë e godina publike. Qytete ilirie ishin thjeshtë kështjella të banuara dhe kaq. Ashtu si shqiptarët, ilirët jetonin në fise të mëdha, ku secili ishte zot i vetes dhe familjes së vet, i pronës së vet dhe anëtar me të drejta të plota i komunitetit fisnor. Ilirët e punonin vetë tokën e tyre, ndërtonin vetë shtëpitë e tyre dhe jetonin të lirë në territoret e tyre.

*Ilirët kapnin skllevër dhe i shkëmbenin ose ua shisnin ata helenëve, por ata vetë nuk e praktikonin skllavërinë.

Edhe kur mblidheshin për luftë, ata mblidheshin në bazë të vullnetarizmit dhe secili shkonte për hesap të vet, jo i detyruar nga një princ apo mbreti. Kështu ishin të gjithë popujt fisnorë të Ballkanit. Kujtojmë për shembull Spartakun një gladiator trak, që organizoi kryengritjen më të madhe të skllevërve në Romë (nga shumë të tilla).

Nuk mund të ketë bollëk dhe vepra madhështore me forca vullnetare. Që dikush të bëhet i fuqishëm ekonomikisht dhe të hedhë para pa hesap, dikush tjetër duhet medoemos të vuajë varfërinë dhe shtypjen. Nuk ka asnjë qytetërim apo perandori që të jetë ngritur mbi bazat e përkushtimit individual, inteligjencës së lartë apo dashurisë për punën. Kush do i ndërtojë qytetet, tempujt, libraritë, banjat e skulpturat nëse të duhet të nxjerrësh vetë bukën e gojës? Askush. Është e lehtë të fantazosh e të filozofosh kur punon dikush tjetër për ty. Motorët e zhvillimit kanë qenë gjithmonë grabitja e burimeve natyrore dhe shfrytëzimi i punës së skllevërve.

Me sa duket ilirët, ashtu si edhe arbrit për shekuj me radhë, zgjodhën që të ruajnë sistemin e tyre fisnor edhe pse jetonin bash mu në mes të qytetërimeve. Kjo ishte zgjedhja e tyre. Për arsye që ne sot nuk mund t'i dimë, ata paskëshin qenë konservatorë të fandaksur. Ata preferuan të jetonin të varfër por të lirë dhe bashkë me njëri tjetrin. Edhe kur emigruan jashtë territoreve tradicionale arbërore. Fakti që ky sistem jetese mbijetoi i paprekur deri në ditët tona do të thotë se zgjedhja e tyre ishte një zgjedhje e ndërgjegjshme dhe e vullnetshme dhe se të ashtuquajturat "qytetërime" nuk ofruan asnjëherë asnjë gjë me interes për shpirtin e lirë e të pavarur të ilirëve, e për këtë ilirët e pa asimiluar nuk i morën asnjëherë si shembull zhvillimi.

Comments

Shkrimet më të lexuara të muajit

Pse u konvertuan shqiptarët në myslimanë?

Epoka e errët shqiptare

Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj?