Shqiptarët dhe përpjekjet e Portës së Lartë për të centralizuar pushtetin
![]() |
Pashallëqet shqiptare në vitet 1790-1795 |
Hyrje
Në narrativën shqiptare zyrtare (po edhe të vendeve të tjera fqinje), për arsye që ne sot duhet t’i mirëkuptojmë e t’i konsiderojmë si diçka e të shkuarës, kryengritjet e shqiptarëve gjatë periudhës osmane, sidomos ato të shekujve XVIII-XIX, trajtohen gjerësisht si pjesë e një përpjekjeje shekullore popullore për liri e pavarësi. Nga librat e historisë, filmat, dokumentarët e intervistat me historianët të krijohet përshtypja sikur shqiptarët ishin në një gjendje permanente lufte me osmanët dhe në zemrat e tyre nuk kishte veç urrejtje dhe përçmim për "pushtuesin turk”. Ndërkohë që e vërteta është krejt e kundërt. Shumica dërrmuese e kryengritjeve shqiptare nuk kanë asnjë lidhje me “turqit” dhe një sundim të supozuar “turk” por me përpjekjet e Portës së Lartë për të centralizuar pushtetin në perandori, pra për t'ua hequr privilegjet e pushtetin shqiptarëve (dhe të tjerëve) e për të zbatuar reforma centralizuese modernizuese.
Duhet të kemi parasysh që kur themi reforma modernizuese, nuk nënkuptojmë që sulltanin e brente meraku për popullin dhe shqetësimet e tij, ndërkohë që shqiptarët na paskëshin qenë pengesë kundër progresit. Jo. Këtu ideja është që Porta e Lartë kërkonte me ngulm zbatimin e reformave për përqendrimin e pushtetit në Stamboll e, rrjedhimisht, të taksave, në mënyrë që të konkuronte me perandoritë e tjera europiane dhe të rriste fuqinë goditëse në fushëbetejë. Mirëpo që ta bënte këtë, duhej më parë t'i nënshtronte të gjitha territoret e perandorisë duke vendosur autoritetin e saj të drejtpërdrejtë.
Kjo aspiratë e sulltanëve u bë veçanërisht e vështirë me rritjen e pushtetit të pashallëqeve, sidomos atyre shqiptare, dhe jeniçerëve, andej nga gjysma e dytë e shekullit XVIII. Ndryshe nga ç'thuhet rëndom lartë e poshtë, pushteti në Perandorinë Osmane nuk ishte në duart e Portës por ishte i shpërndarë gjerësisht mes sunduesve lokalë, pashallarëve, kadilerëve (gjyqtarëve), bejlerëve, jeniçerëve, bajraktarëve, ajanëve (si bajraktarët por të krishterë), fiseve, esnafeve, kishës, etj. Të gjithë këta (përveç fiseve) gëzonin autoritet absolut mbi popullsinë që mbanin nën kontroll dhe nxirrnin fitime të mëdha nga taksimi i tokës dhe tregtia, një pjesë të cilave pastaj i paguhej Portës si taksë. Në thelb asnjëri prej këtyre grupimeve nuk e dëshironte centralizimin e pushtetit dhe ndryshimin e status-quo-së. Të gjithë kërkonin të ruanin privilegjet e tyre dhe mos ndryshimin e rendit social-ekonomik.*
*Në shkrimin me titull "A ishin osmanët antishqiptarë?", kam shpjeguar në vija të përgjithshme se si ishte i organizuar pushteti në Perandorinë Osmane
Pashallëqet funksiononin si shtete autonome, gati-gati të pavarura dhe prania e autoritetit qendror nuk ndihej pothuajse fare. Kush nuk kishte dalë ndonjëherë nga krahina e vet, nuk kishte parë ndoshta asnjëherë as turq, as zyrtarë osmanë, as ushtri osmane, asgjë tjetër që mund të të kujtonte sundimin e Stambollit. Në ndonjë rast, si p.sh në atë të Sanxhakut të Smederevos (Beogradit) pushtetin e kishin jeniçerë batakçinj. Nën pashain qëndronin bejlerët, të cilët ishin kryekëput vendalinj dhe sundonin mbi popullsinë rurale. Bajraktarët ishin familje fisnore që kishin të drejtën e përfaqësisë së fisit pranë autoritetit osman. Ndonëse këta filluan të merrnin një farë fuqie, përgjithësisht fiset vepronin sipas sistemit vetëqeverisës që impononte kanuni. Në zonat urbane, në tregjet e qyteteve dhe qytezave, ligjin e bënin esnafet (bashkimi i zanatçinjve). Mbi popullsinë e krishterë sundonin ajanët, familje të fuqishme të krishtera të ngjashme me bajraktarët, dhe kisha, e cila kishte të drejtën e mbledhjes së taksave në formën e të dhjetës dhe mbikqyrjes së shumë punëve që kishin të bënin me jetën e përditshme, që nga pagëzimi, martesa, e deri tek ritualet e vdekjes.
Mirëpo kjo formë organizimi e pushtetit në perandori ishte pengesë e madhe për
Portën sepse kur vinte puna për t'u përballur me ushtritë e fuqive të tjera në
fushëbetejë, sidomos ato ruse e austro-hungareze, ushtritë osmane nuk kishin
as unitet, as koherencë strategjike, e ndërkohë që ushtritë e krishtera po
modernizoheshin e po fuqizoheshin në të gjitha drejtimet, ushtritë osmane
kishin mbetur në nivel feudal mesjetar.
Më poshtë do të rreshtoj të gjitha ngjarjet në rend kronologjik (1703-1839) që lidhen me përpjekjen e Portës së Lartë për të centralizuar pushtetin në Stamboll dhe rolin e shqiptarëve në këto ngjarje.
Zbehja e pushteti të Sulltanit
Dikur Sulltani vihej vetë në krye të ushtrisë osmane dhe çdo fushatë ushtarake drejtohej personalisht prej tij, kudo që të ishte fronti. Kjo praktikë filloi të zbehej andej nga shekulli XVII kur sulltan Mehmeti IV ia kaloi pushtetin ekzekutiv kryevezirit. Gjatë periudhës së Qypryllinjve, kjo praktikë u zbeh edhe më tej. Sulltanët qëndronin në sfond, në Stamboll, ndërkohë që fushatat ushtarake dhe punët e qeverisë drejtoheshin nga mëkëmbësit e tij. Në fakt një nga betejat më të mëdha në historinë e perandorisë, rrethimin e dytë të Vienës, nuk e udhëhiqte sulltani por kryeveziri Kara Mustafa Pasha, një turk nga Merzifoni i pranuar në gjirin e familjes së Qyprillinjve.
Sulltan Mustafai II u përpoq që ta rikthente praktikën e udhëheqjes së fushatave ushtarake nga fronti. Duke filluar që nga viti 1695 ai udhëhoqi disa beteja të suksesshme ku i mundi ushtritë e Habsburgëve, të cilat asokohe kishin mbërritur deri në Nish, dhe i detyroi ato të tërhiqeshin matanë Danubit. Por për shkak të nënshkrimit të traktatit të Karlovicit më 1699 dhe për pasojë humbjes së Hungarisë, kësaj praktike i erdhi fundi një herë e përgjithmonë në vitin 1703 kur jeniçerët u ngritën në revoltë për të përmbysur Mustafain II duke e zëvendësuar atë me Ahmetin III. Me këtë veprim ata ia hoqën sulltanit pushtetin absolut dhe i hapën udhë decentralizimit të qeverisjes së perandorisë duke e nxjerrë Divanin (qeverinë) jashtë oborrit perandorak dhe larg autoritetit të drejtpërdrejtë të sulltanit. Kjo bëri që në skenën politike perandorake të formoheshin grupime të ndryshme interesi të cilat, kush e kush, do të përpiqeshin të shtrinin ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë në qeveri me qëllim ruajtjen e privilegjeve dhe autonomisë së tyre nga përpjekjet e sulltanit për të rimarrë pushtetin.
Halil Patrona
Një tjetër goditje të rëndë figura e sulltanit do ta pësonte 27 vjet më vonë, saktësisht më 1730, nga 12,000 jeniçerë (shqiptarë) të udhëhequr nga shqiptari Halil Patrona, të cilët e akuzonin sulltan Ahmetin III dhe shpurën e tij për shpërdorim fondesh dhe shpenzime luksoze në kurriz të perandorisë. Revolta e jeniçerëve shqiptarë u mbështet nga qytetarët e Stambollit dhe ushtria, të cilët e hodhën Ahmetin nga froni për ta zëvendësuar me nipin e tij Mahmutin I.
![]() |
Shqiptari Halil Patrona |
Andej nga vitet 1760, si rezultat i këtyre zhvillimeve dhe decentralizimit të pushtetit në perandori, ndër të tjera kishin marrë formë edhe pashallëqet shqiptare, të cilat shumë shpejt do të bëheshin sfida kryesore për centralizimin e pushteti në Ballkan.
Decentralizimi i pushtetit nxori në pah dobësi shumë të mëdha dhe pengesa serioze për ruajtjen e zotërimeve në të katër anët e perandorisë, sidomos në konfliktet me rusët dhe austro-hungarezët. Austro-Hungaria i kishte zhvatur osmanëve Hungarinë dhe Kroacinë më 1699. Ndërsa perandoria ruse i ishte qepur Perandorisë Osmane me bukë në trastë për t'ia zhvatur territoret në të dy anët e Detit të Zi. Ajo nuk linte rast pa shkaktuar trazira, që ta dobësonte Perandorinë Osmane nga brenda sa më shumë, dhe decentralizimi i pushtetit i jepte dorë asaj.
Fiset autonome
Rusia shfrytëzoi gjerësisht fiset autonome shqiptare e greke për të krijuar trazira dhe konflikte që do të tërhiqnin larg kufirit sa më shumë burime logjistike, financiare e forca ushtarake osmane. Krahinat fisnore autonome shqiptare, greke e malazeze ishin zakonisht burimi kryesor i mercenarëve të shumtë që përdornin pashallarët për sipërmarrjet e tyre luftarake. Njëkohësisht ato ishin edhe burimi kryesor i brigandëve që lëshonin fushata bastisjesh nëpër krahinat përreth dhe që cenonin sigurinë e rrugëve të komunikimit në territoret e pashallëqeve, sidomos në zonën e Epirit. Shtypja e këtyre fiseve dhe kërcënimit të brigandëve do të bëhej objekti kryesor i karrierës politike të Ali Pashës.
Më 1759-1760 kryetarët e fiseve të krahinës së Himarës, e cila në atë kohë përfshinte të gjitha fshatrat e Kurveleshit, i dërguan Katerinës së Madhërishme të Rusisë tre letra, nëpërmjet të cilave shprehnin gatishmërinë e tyre si shqiptarë ortodoksë për të marrë pjesë në një kryengritje të përgjithshme kundër sundimit osman nëse Rusia vendoste të mbështeste një lëvizje çlirimtare në Greqi. Ndërsa në vitin 1767 himarjotët vunë nën rrethim Delvinën dhe Vlorën por u thyen nga pashallarët shqiptarë të krahinave kufitare. Një vit më vonë nisi lufta ruso-osmane 1768-1774.
Djegia e Voskopojës dhe Kryengritja e Orllovit
Më 1769 rusët hapën një vatër konflikti në qytetin autonom të Voskopojës ndërsa një vit më vonë (1770), ata nisën një tjetër kryengritje në jug të Moresë dhe në Kretë me ndihmën e fiseve autonome greke të Manit dhe Sfakias, e cila mori emrin Kryengritja e Orllovit, për shkak të admiralit rus Aleksei Orllov që drejtonte anijet ruse me furnizime për kryengritësit. Kryengritja e Orllovit kishte si motiv kryesor shfarosjen e popullsive myslimane, gjë që do të përsëritej sërish gjatë kryengritjes së 1821-shit. Fiset maniate dhe sfakiane u lëshuan kundër krahinave fushore dhe përveç bastisjeve kryen edhe shumë masakra kundër myslimanëve. Aq të dhënë ishin maniatët pas plaçkës dhe gjakut saqë edhe Orllovit i la përshtypje shumë negative.
Masakrat e myslimanëve u pasuan menjëherë nga masakra hakmarrëse kundër të krishterëve në vende të tjera të perandorisë. Në të dyja rastet pashallarët shqiptarë dhe të tjerë i shtypën të dyja kryengritjet me egërsi dhe plani rus për të krijuar një shtet të pavarur “grek” u shty me katër dekada. Voskopoja u rrethua, u plaçkit dhe u dogj. Shumë banorë të Voskopojës, sidomos vllehët që ishin edhe shumicë, u detyruan të largohen në krahina të tjera të perandorisë. Sot vllehët e Tiranës, të Korçës, të Krushovës në Maqedoninë e Veriut e, sipas një teze, edhe banorët e Shishtavecit janë nga Voskopoja.
Ndërsa në More u nisën mijëra mercenarë nga Shqipëria, të cilët pasi shtypën kryengritjen filluan të bastisin një mori krahinash, si për hakmarrje kundër masakrave ndaj myslimanëve, ashtu edhe për të kompensuar mungesën e pagesave që u detyroheshin pashallarët sipas kontratave. P.sh. qyteti i Patrasit u shkatërrua krejt. Një pjesë e këtyre mercenarëve qëndroi dhe u vendos në Greqi përgjithnjë. Në historinë zyrtare greke kjo quhet “alvanokratia” (pushteti shqiptar) dhe do të zgjaste deri në 1774 kur u nënshkrua traktati i Kainarxhasë, sipas të cilit shumica e mercenarëve shqiptarë u detyruan të tërhiqen.
![]() |
Kryengritja e Orllovit |
Voskopoja, Mani dhe Kreta nuk ishin të vetmet vatra konflikti që hapi Rusia. Më 1771 fiset shqiptare ortodokse të Sulit u furnizuan me armë dhe municione ruse nga ato të Orllovit me qëllim për të shkaktuar trazira në krahinat përreth, ndërsa më 1772 ata përballuan me sukses një ekspeditë prej 5000 forcash mercenare shqiptare të Sulejman Pashës.
Traktati i Kyçyk Kainarxhasë dhe suljotët
Më 1774, pas përfundimit të luftës ruso-osmane (1768-1774) dhe humbjes së Krimesë, Porta nënshkroi me Rusinë Traktatin e Kyçyk Kainarxhasë, sipas të cilit, ndër të tjera Rusia merrte rolin e mbrojtësit zyrtar të popullsisë ortodokse në Perandorinë Osmane. Ky status do t’i shërbente Rusisë për të nxitur e organizuar më shumë trazira e kryengritje, të cilat do të ndihmonin në shpërbërjen e mëtejshme të pushtetit të Portës në Ballkan. Një rast i tillë ishte ai i krahinës së Sulit, një krahinë autonome e banuar nga fise ortodokse shqiptare, të cilat duke shfrytëzuar kushtet e traktatit të Kyçyk Kainarxhasë për ortodoksët, zhvillonin herë pas here fushata bastisjesh në krahinat përreth ku jetonin myslimanë e të krishterë nën sundimin e pashallarëve e bejlerëve. Me nxitjen e rusëve suljotët mblodhën një ushtri prej 2200 burrash me qëllim për t’u ngritur në revoltë kundër Ali Pashë Tepelenës. Aliu iu përgjigj kërcënimit duke ngritur një ushtri prej 3000 burrash me ndihmën e familjes Çapari nga Paramithia në Çamëri, por nuk arriti t’i shtypë suljotët, të cilët, pas kësaj, bashkë me fiset e Zagorisë në Greqi u lëshuan në një fushatë bastisjesh në krahinën e Akarnanisë.
Më 1775 suljotët përballuan me sukses një ekspeditë tjetër ushtarake të organizuar nga Ahmet Kurt Pasha i Beratit. Më 1779 ky i fundit vari në litar Kozma Etolianin (Shën Kozmai) në Manastirin e Kolkondasit, pranë fshatit Mojalli të Fierit, me akuzën se kish qenë agjent i rusëve dhe se kishte pasur lidhje me kryengritjen e Orllovit në More. Kozmai kishte ardhur në Shqipëri me mision nga Patriku i Stambollit Serafimi III me origjinë nga Delvina për të penguar shqiptarët që të konvertoheshin në Islam, një fenomen që ishte përhapur shumë në atë periudhë.
Më 1785 suljotët përballuan me sukses një ekspeditë ushtarake të organizuar nga Beqir Pasha. Më 1789 udhëheqësit suljotë Jorgo e Dhimitër Boçari, Llambro Xhavella, Nikollë dhe Kristo Zerva, Llambro Kuçonika, Kristo Fotomara dhe Dhemo Dhrako bënë një marrëveshje me të dërguarin grek të francezëve Luicis Sotiris për të luftuar kundër myslimanëve të Thesalisë me një ushtri prej 2200 burrash. Më 1792 suljotët përballuan me sukses një ekspeditë tjetër ushtarake prej 11,000 vetash të organizuar nga Ali Pasha.
Nënshtrimi i Himarës
Pak muaj para se të niste ekspeditën e tij në Egjipt kundër Perandorisë Osmane, Napoleoni i erdhi në ndihmë Ali Pashës, në mënyrë që ky të siguronte pozitën e tij si Pasha dhe të bëhej rival i Portës në Ballkan. Më 1797 Ali Pasha organizoi një fushatë kundër krahinës së Himarës bregdetare për shkak se kjo krahinë, ashtu si edhe Suli, bashkëpunonin vazhdimisht me rusët dhe të tjerët për të krijuar trazira. Me ndihmën e gjeneralit Antuan Xhentili dhe anijet e flotës franceze, forcat shqiptare të Aliut zbarkuan në gjirin e Lukovës dhe u ranë frocave himariote në shpinë nga të dyja anët. 6000 civilë u masakruan ndërsa shumë të tjerë u shpunë si argatë në fermat e Aliut në Trikallë. Një vit më vonë Himara kish rënë përfundimisht. Vitin tjetër, më 1 qershor 1798 Napoleoni nisi ekspeditën e tij ushtarake në Egjipt.
![]() |
Himara 1848 |
Në këtë periudhë, pra në qershor të vitit 1798 Ali Pasha ishte në Vidin bashkë me forca të tjera osmane në ekspeditë kundër forcave të Pashait të Vidinit (në kufi mes Bullgarisë, Serbisë dhe Rumanisë), Osman Pazvantollit (Pazvantoğlu), një ish-mercenari boshnjak të bërë pasha, i cili gjithashtu i qe futur punës për të shkëputur një copë nga territoret e Perandorisë Osmane*. Ky veprim i Aliut nuk u pëlqeu francezëve sepse shpresonin që ky të ngrinte krye kundër Portës, jo t'i shkonte në ndihmë asaj. Por ndonëse ishte larg, i biri i çon lajm se francezët po bënin komplot me suliotët për të organizuar një kryengritje kundër tij. Me lejen e sulltanit Aliu niset për në Janinë ku ngre një ushtri prej rreth 20 000 burrash si përgjigje ndaj kërcënimit francez. Me anë të dredhive ai arriti të kapë Igumenicën dhe Butrintin e më pas edhe Prevezën, e cila mbrohej nga një garnizon francez, suljotë, banorë të ishujve dhe qytetarë të tjerë pro-francezë. Ndihmesë për kapjen e Prevezës u bë ish armiku i Aliut, sulioti Jorgo Boçari, i cili u hapi forcave të tij një shteg kalimi në këmbim të parave. Beteja u zhvillua më 12 tetor 1798. Forcat e Aliut, të cilat përbëheshin prej shqiptarësh myslimanë, suljotësh ortodoksë dhe grekë, nën drejtimin e djalit të tij Muhtarit vërshuan mbi vijat e dobëta të mbrojtjes franceze dhe i shpartalluan ato. Për mbytjen e rezistencës së Prevezës me kundër propagandë ndikoi edhe Ignati, Mitropoliti i Artës, një bashkëpunëtor i Aliut.
* Edhe në konfliktet mes Portës dhe Pazvantollit figurojnë garnizone me mercenarë shqiptarë, por kësaj radhe si të punësuar nga princi i Principatës Danubiane Mikael Suco.
Me kapjen e porteve të detit Jon, Aliu hodhi sytë edhe nga ishujt e dodekanezit, por planet e tij shumë shpejt do të prisheshin prej ndërhyrjes së flotës Ruso-osmane e cila dëboi francezët dhe krijoi në vitin 1800 Republikën Shtatë-ishullore, e cila do të bëhej de jure vasale e Portës por de facto do të mbahej nën pushtimin e flotës ruse.
![]() |
Përleshjet e ushtrisë franceze me ushtrinë e Ali Pashës |
Nënshtrimi i suljotëve
Në prill 1802, më në fund, suljotëve që mbaheshin të rrethuar nga forcat e Ali Pashës u erdhi një sasi e kufizuar furnizimi ushqimesh, armësh e municionesh nga një korvetë franceze që qëndronte në gjirin e Pargës. Ata u dërguan letra Perandorisë Ruse, Republikës Shtatë-ishullore dhe Francës për ndihma të tjera, por pa sukses. Nga ana e tyre as britanikët nuk po ndiheshin sepse kishin interes të ndihmonin osmanët që t’i dëbonin forcat e Napoleonit nga Egjipti. Kështu që kësaj radhe suliotët u lanë në mëshirë të forcave të Aliut. Më 1803 Aliu nisi fushatën për nënshtrimin e krahinës. Për shkak të gjendjes së përgjithshme të rënduar dy kryetarë fisesh u tërhoqën nga mbrojtja e Sulit ndërsa të tjerët (rreth 2000 forca) luftuan deri sa u detyruan të dorëzohen e të largohen nga Suli një herë e përgjithmonë në drejtim të Pargës dhe Korfuzit. Suli gjithashtu kishte rënë përfundimisht.
Shumë suliotë shkuan në Korfuz ku u rekrutuan nga rusët për tu përfshirë në të ashtuquajturin “legjioni grek”, një regjiment me trupa të çrregullta të përbërë me refugjatë nga Shqipëria e Greqia. Pjesë e këtij regjimenti ishin edhe himarjotë, maniatë dhe brigandë e armatollë shqiptarë e grekë nga krahina të tjera. Komandanti i këtij regjimenti ishte Emanuil Papadhopulos, një grek në shërbim të ushtrisë ruse. Një pamflet i këtij regjimenti titullohej kështu: “Shpjegime për legjionin epiroto-suliot dhe himarioto-peloponesian në shërbim të lartmadhërisë së tij perandorake Aleksandrit I…”
![]() |
Suljotë në ndjekje të armikut |
Kryengritja në Sanxhakun e Smederevos
Ndërkohë më 1804 në sanxhakun e Smederevos (Beograd), me mbështetjen e Austrohungarezëve plasi kryengritja e ajanëve serbë kundër një grupi jeniçerësh të quajtur Dahije (dajat) që kishin zaptuar pushtetin me dhunë në kundërshtim me vullnetin e sulltanit. Në ndihmë të kryengritësve sulltani dërgoi pashain e Bosnjës, Beqir Pashën, dhe të dy forcat arritën t’i dëbonin jeniçerët nga Smederevo. Mirëpo në 1805 në skenë hynë sërish rusët dhe shumë shpejt kryengritja u shndërrua në lëvizje separatiste. Për të shtypur këtë kryengritje të dytë, kundër Serbëve, ndër të tjerë, u nisën edhe Ibrahim Pashë Bushati i Shkodrës, Veli Pasha, i biri i Ali Tepelenës, Hurshid Pasha i Moresë dhe Osman Pashë Gradashçeviqi i Bosnjës. Konflikti u mbyll përfundimisht në vitin 1815, ku me ndihmën e Rusisë u krijua Principata Autonome e Serbisë, zyrtarisht një entitet autonom nën vasalitetin e Portës së Lartë por nën ndikimin e drejtpërdrejtë të Perandorisë Ruse. Kjo kish qenë një taktikë e vjetër e politikës ruse. Ajo nxiste konfliktet e brendshme në zonat kufitare dhe pastaj ushtronte presion në fronte të tjera për t’i aneksuar ato ose për t’i futur në sferën e vetë të influencës.
Mehmet Aliu
Disfata e ekspeditës së Napoleonit në Egjipt më 1801 krijoi vakum pushteti. Tani që francezët nuk ishin më pjesë e ekuacionit dhe Egjipti iu kthye Perandorisë Osmane me ndihmën e britanikëve, pushteti u bë mollë sherri mes tre subjekteve të Portës: mamlukëve, një kaste ushtarake bejlerësh e përbërë prej skllevërve të cilët kishin sunduar Egjiptin për shekuj me radhë, ushtrisë osmane të sulltanit dhe forcave mercenare shqiptare nën komandën e Tahir Pashës, të cilat ishin vënë në shërbim të Portës. Nga kjo përleshje trepalëshe duket se mercenarët shqiptarë dolën të fituar, vetëm se tashmë jo nën komandën e Tahir Pashës, pasi ky u vra, por në komandën e Mehmet Aliut, në atë kohë një komandant regjimenti.
Si rezultat i një numri shkëmbimi aleancash dhe shumë përplasjeve të armatosura mes palëve, përfshi një pusi të Mehmet Aliut kundër mamlukëve në Kairo dhe shkëmbimit të artilerisë mes këtij dhe Hurshid Pashës në kalanë e Kairos, fati i solli punët në mënyrë të tillë që qytetarët e Kairos preferuan si udhëheqës të tyre shqiptarin Mehmet Ali dhe jo të emëruarin e sulltanit, gjeorgjianin Hurshid Mehmet Pasha, i cili kishte fituar nam të keq si shtypës dhe taksidar i egër. Për shkak të kësaj mbështetjeje popullore, më 1805 Sulltani u detyrua të dërgojë një ferman perandorak ku i jepte Mehmet Aliut titullin e valiut (guvernatorit) të Egjiptit dhe i kërkonte Hurshidit të lironte kalanë e Kairos.
Tani që Mehmet Aliu kish marrë pushtetin në duart e veta, ai do t’i futej punës për të ngritur “sulltanatin” e tij personal. Nëpërmjet një sërë fushatave të suksesshme ushtarake ai eliminoi krejt kërcënimin mamluk më 1811, nënshtroi një herë e mirë fisin e vahabistëve sauditë në gadishullin arabik më 1818 dhe pushtoi Sudanin më 1820. Shumë shpejt ai do të bëhej kërcënimi më i madh i sulltanit dhe Portës së Lartë.
![]() |
Mercenarët shqiptarë të Mehmet Aliut me rekrutë egjiptianë |
Përpjekjet e Portës për centralizim të pushtetit
Përpjekjet e para serioze për të modernizuar ushtrinë perandorake me qëllim përdorimin e saj si mjet për centralizimin e pushtetit në perandori u bënë nga sulltan Selimi III më 1789, kur ky filloi të bënte plane për organizimin e një ushtrie të re me shërbim të detyrueshëm. Kjo ushtri do të merrte emrin Nizam-I Cedid (rregulli i ri) dhe do të funksiononte si ushtritë e vendeve të krishtera. Lajmi i formimit të kësaj ushtrie të re nuk i pëlqeu askujt, sidomos jeniçerëve, që kishin mbajtur historikisht statusin e trupës elitare. Ata e shprehën hapur mosaprovimin e kësaj nisme deri atje sa që të refuzonin të luftonin përkrah njësive të reja.
Siç mund të kuptohet nga ngjarjet e deritanishme, në perandori kishte shumë grupe konservatore interesi që nuk dëshironin kurrsesi të ndryshonin statusin e tyre dhe pushtetin që ky status u sillte. Të tillë ishin pashallarët dhe gjithë klasa sunduese myslimane e perandorisë, jeniçerët, të cilët gëzonin statusin e trupës elitare, ajanët (familjet e krishtera) dhe patrikana, të cilët kishin pushtet mbi subjektet e krishtera, esnafet që kishin në dorë tregjet dhe prodhimin artizanal, etj. Asnjëri prej këtyre nuk dëshironte një rend të ri në perandori sepse ky rrezikonte heqjen e privilegjeve të vjetra. Dhe më e rëndësishmja, secili prej këtyre kishte ushtrinë e vet.
Mirëpo as Selimi, as aleatët e tij nuk ishin ndonjë grupim idealist vizionar e largpamës. Ata ishin gjithsesi produkt i shoqërisë e politikës së prapambetur osmane dhe në fund të fundit secili kërkonte më shumë pushtet për vete në një perandori ku ky ishte i shpërndarë në shumë grupime, secili me tarafet dhe axhendat e veta. Kështu që për të ngritur fonde për organizim e ushtrisë së re të modernizuar sulltani nuk gjente dot zgjidhje tjetër veç rritjes së taksave dhe konfiskimit të pasurive, veprim ky që shkaktoi edhe më shumë pakënaqësi e mos aprovim ndaj tij. Në vitin 1806 një revoltë e udhëhequr sërish nga jeniçerët por e mbështetur nga të gjitha palët, i dha fund sundimit të Selimit III. Pasardhësi i tij Mustafai IV premtoi se nuk do të ndërhynte në rendin e privilegjeve që gëzonin secila palë. Më 1807 Selimin III e vranë në pallatin e tij. Ushtria e re u shpërbë po atë vit. Ajo kishte zgjatur vetëm 18 vjet.
![]() |
Sulltan Selimi duke pritur figura të rëndësishme të perandorisë |
Ndonëse Sulltan Mustafai IV u premtoi jeniçerëve dhe gjithë grupeve të tjera të interesit se nuk do të ndryshonte privilegjet e tyre në emër të përqendrimit të pushtetit në Stamboll, konfliktet e shumta të brendshme e të jashtme po e gërryenin Perandorinë Osmane si uji i detit që gërryen një kështjellë prej rëre, dhe për zgjidhjen e këtij problemi duheshin marrë masa drastike. Ai vet nuk zgjati shumë në postin e sulltanit, vetëm një vit. Kështu që detyrën për shpënien përpara të reformave centralizuese e mori përsipër Sulltan Mahmuti II, i cili erdhi në fron më 1808 dhe nisi një fushatë agresive për nënshtrimin e pashallëqeve dhe përqendrimin e pushtetit në Stamboll.
Fundi i Ali Pashës
Në moshën 81 vjeçare Ali Pasha kishte arritur kulmin e pushtetit të tij. Ai e kishte zgjeruar e fuqizuar pashallëkun e Janinës duke e bërë atë pashallëkun më të madh në Ballkan. Aliu kishte kohë që flirtonte me idenë e mëvehtësisë, por nuk kishte pasur asnjëherë kurajë t’i shkonte këtij plani deri në fund me vendosmëri siç do të bënte Mehmet Aliu matanë Mesdheut. Ndonëse ishte ngatërrestar i madh dhe armik i pothuajse të gjithëve, manovrat politike prej makiaveli, aftësitë e tij luftarake dhe zotësia për të vendosur rregull i kishin shërbyer interesave të Portës mjaft mirë duke ia shpëtuar atij lëkurën mëse një herë. Madje ai kishte hequr qafe edhe kërcënimin himariot, edhe atë suliot, edhe atë voskopojar e atë francez në brigjet e Jonit.
Miërpo ndryshe nga Mehmet Aliu i Egjiptit, i cili kishte ardhur në pushtet me kërkesën e qytetarëve, Aliu mund ta mbante pushtetin vetëm me marifete politike dhe fuqinë e parasë, të cilën e merrte rregullisht nëpërmjet mënyrave të ndryshme, përfshi hajdutërinë, plaçkitjen, gjobvënies për mbrojtje dhe mbledhjes së taksave, edhe jashtë territorit të pashallëkut të vet. Për këtë arsye Aliu ndiqte gjerësisht politikën e rryshfeteve dhe vendosjes së njerëzve të tij në pozita pushteti.
Ishin pikërisht këto taktika që do t’ia bënin një ditë gropën “luanit” të Janinës. Ai e kishte zgjeruar pashallëkun e Janinës aq shumë saqë në Stamboll në vitin 1819 e akuzuan se po përpiqej t’i merrte pushtetin sulltanit në Rumeli (në territorin Ballkanik të perandorisë). Kryeveziri e akuzoi gjithashtu se kishte urdhëruar vrasjen e Gasko Beut në Stamboll, një kundërshtari të tij politik. Mahmuti II shfrytëzoi këtë rast për t’i dhënë fund zgjerimit të pushtetit të Aliut dhe kërkoi dorëheqjen e tij, gjë që Aliu padayshim do ta refuzonte. Për këtë Porta nisi kundër Aliut një ushtri prej 20 000 vetësh të udhëhequr nga Hurshid Mehmet Pasha i Moresë, i njëjti Hurshid (gjeorgjiani) që ishte përplasur me Mehmet Aliun në Kairo për sundimin e Egjiptit më 1805. Kundër këtij Aliu ngriti menjëherë një ushtri prej 40 000 vetësh, por duke qenë që kjo ushtri ishte krysisht ushtri plaçkitëse, me të hyrë forcat e Hurshidit në kufirin e pashallëkut, shumica e ushtrisë së Aliut u shpërnda si vaji në lakra, përfshi djemtë e tij, Omer Vrioni dhe Aleks Nuço, të cilët mbërritën në Janinë pa pengesa dhe e rrethuan atë.
Më dhjetor 1820 Ali Pasha lidhi aleancë antiosmane me ish armiqtë e tij të betuar suliotët. Ai u premtoi atyre se mund të ktheheshin në trojet e tyre në Sul në shkëmbim të një force luftarake suliote prej 3000 burrash. Në fillim koalicioni pati sukses dhe shumica e territorit kontrollohej prej tyre. Por me të filluar kgyengritja në More, mercenarët braktisën luftën. Nevoja për të shtypur kryengritjen e re kishte rritur kërkesën për mercenarë dhe çmimin e shërbimeve të tyre. Në mars 1821 Hurshid Pasha rrethoi Janinën. Pas rreth dy vjet luftimesh dhe braktisjes së tij nga shumica e ushtrisë, burimet financiare të Aliut po shteronin. Në janar 1822 Aliu, tashmë i shoqëruar nga truproja besnike prej 70 vetash u vra me dredhi nga një delegacion i udhëhequr nga Mehmet Pashë Qosja. Kufomës iu pre koka dhe u çua në Stamboll për të shfaqur para publikut në oborrin e sulltanit. Me këtë manovër Sulltan Mahmuti II i dha fund pashallëkut të Janinës dhe një ndër pengesave kryesore në rrugën drejt centralizimit të pushtetit në Perandori.
![]() |
Pashallëku i Janinës më 1820 |
Lufta e Pavarësisë së Greqisë
Pa përfunduar mirë fushata kundër Aliut, në More më 1821 plasi kryengritja. Rusët kishin arritur të shfrytëzonin me mjeshtëri trazirat e pafundme në Pernadorinë Osmane për të organizuar një lëvizje separatiste me bazë në Odesa dhe pastaj në Stamboll, e cila do të shërbente si agjensi e intersave perandorake ruse në Perandorinë Osmane. Kjo agjenci e kishte emrin Filiki Eteria (shoqëria e miqve).*
*Për një analizë të detajuar të luftës së pavarësisë së Greqisë lexo shkrimin me titull “Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj?"
Për shtypjen e kësaj kryengritjeje u angazhuan pashallarët e zonave kufitare, sepse forcat kryesore të ushtrisë perandorake ndodheshin në kufi me Persinë dhe Rusinë. Ndër ta ishin shqiptarët Omer Vrioni, ish aleat i Ali Pashës dhe zëvendësues i tij, Mustafa Pashë Bushatlliu, pashai i Shkodrës, Kara Ali Pasha, i dyti në komandën e flotës osmane dhe Mahmut Pashë Dramaliu, pashai i Larisës. Me rëndësi për këtë shkrim janë edhe Hurshid Pasha (gjeorgjian), pashai i Moresë, që nënshtroi Ali Pashë Tepelenën dhe Reshit Mehmet Pasha (grek i lindur në Gjeorgji), pashai i Qytahisë, që do të bëhet më vonë një nga personazhet kryesore.
Ndryshe nga kryengritja e Orllovit më 1770 e cila u shtyp relativisht shpejt, kjo e vitit 1821 ishte shumë më e përgatitur dhe më e organizuar. Kësaj radhe çdo nisje luftimesh paraprihej nga një ose dy anije me armatime dhe municion të shumtë, të mjaftueshëm për rrethime afatgjata. Deri andej nga viti 1824 kryengritja jo vetëm që nuk ishte shtypur por ishte zgjeruar deri në Greqinë qendrore. Ndonëse pashallarët kishin rekrutuar dhjetëra mijëra mercenarë shqiptarë nga të gjitha trevat, ata nuk po shtypnin dot atë.
![]() |
Beteja e Allamanës gjatë kryengritjes në More 1821 |
Mercenarët shqiptarë - bashibozukët
Përgjatë gjithë periudhës së luftës u rekrutuan plot 40 000 mercenarë shqiptarë nga të gjitha trevat, të cilët punësoheshin me kontrata 3, 6 dhe 9 mujore. Këta quheshin ndryshe Bashibozukë ose “kokëkrisurit” për shkak të taktikave me rrezikshmëri të lartë që përdornin për të kapur fortifikimet. Sot termi Bashibozuk është sinonim i një krimineli ordiner që lufton pa rregulla e pa disiplinë, që të përdhunon, të vret e të plaçkit pa kurrfarë ndërgjegjeje. Mirëpo dokumentacioni historik na tregon se Bashibozukët shqiptarë ishin në të vërtetë ushtarë mercenarë me gjithë kuptimin e fjalës. Premisa ishte shumë e thjeshtë. Pushtetari i radhës kishte nevojë për shërbime ushtarake dhe për këto shërbime ofronte x pagesë për x muaj. Mercenari ofronte eksperiencën dhe aftësitë e tij si njeri i armëve kundrejt shpërblimit. Mes dy palëve lidhej një kontratë e rregullt e firmosur tek gjykatësi (kadiu) dhe fondi i shpërblimit mbulohej nga arka e pushtetarit ose e shtetit osman. Kontrata ishte zakonisht 3 dhe 6 mujore, e në raste të rralla, si në atë të luftës në Greqi, edhe 9 mujore. Si rregull, pasi përfundonte kontrata mercenarët ktheheshin në shtëpitë e tyre dhe ky rregull nuk thyej për asnjë arsye. Kishte, s'kishte luftë, ditën që mbaronte kontrata mercenari ngrinte plaçkat dhe kthehej në shtëpinë e tij bashkë me shpërblimin e vendosur në kontratë.
Mercenarët shqiptarë ishin zakonisht shumë të disiplinuar dhe profesionistë të pavarur. Ata i siguronin të gjitha vetë, që nga plaçkat e trupit dhe armët, deri tek kali, çadrat, ushqimet, e çdo gjë tjetër. Edhe komandantin ata e donin të ishte njëri prej tyre, një bashkatdhetar i sprovuar në luftë, që ata mund ta respektonin.* Në këto kushte, me gjithë këto shpenzime e përgjegjësi financiare, si dhe nën rrezikun e vazhdueshëm të humbjes së jetës, me "kokë në trastë" kur i thonë, ajo pagesa në fund të javës ishte e vetmja fije që i mbante ata të lidhur pas luftës dhe pushtetarit. Ato ishin para që do t'i shkonin familjes dhe me të cilat do të ushqeheshin fëmijët, nënat, vëllezërit e motrat, edhe në rast se mercenari vritej, pasi mes tyre ekzistonte marrëveshja që paratë dhe plaçka e gjithsecilit do t'i shpiheshin familjes të plota.
*Për kuriozitet, mercenarët gegë dhe toskë vepronin secili me sojin e vet, pa u ngatërruar asnjëherë me njëri-tjetrin
Duke qenë kryesisht antarë fisesh autonome, mercenarët shqiptarë nuk ushqenin asnjë lloj besnikërie ndaj pushtetarit osman, qoftë ky beu, kadiu, pashai, veziri apo edhe vetë sulltani. Aq më pak ndjenin ata ndonjë afinitet me pushtetin osman për shkak të fesë, edhe kur ishin myslimanë. Rëndësi kishte vetëm kontrata dhe besnikëria i jepej tërësisht kushteve kontraktuale.
Kur shpërblimi jepej rregullisht, rendimenti i mercenarëve shqiptarë ishte për t’u pasur zili. Në fakt, në të gjitha betejat ku nuk kishte problem me pagesat, ata kanë dalë fitimtarë dhe kanë ecur përpara me një ritëm marramendës duke vënë nën kontroll fshat pas fshati, qytet pas qyteti, krahinë pas krahine. Kur kushtet e kontratës nuk respektoheshin dhe shpërblimet nuk paguheshin rregullisht, mercernarët shqiptarë nuk ndjenin asnjë lloj detyrimi që ta shpinin misionin e tyre deri në fund dhe shpesh herë kanë bërë veprime në dëm të perandorisë, që nga braktisja e pozicioneve të zëna, tek marrëveshjet me kundërshtarin dhe dorëzimin e kështjellave e qyteteve, plaçkitja e fshatrave përreth me qëllim kompensimin e pagës së munguar, e deri tek marrja peng e pashait, deri sa ky të shlyente detyrimet. Madje një herë një pasha është detyruar të shesë peliçen e shtrenjtë të luftës (një veshje simbolike e quajtur pelise) që të shlyente detyrimet.
Është interesant fakti se problematika e vonesës së shpërblimit për mercenarët shqiptarë shfaqet kudo si problemi kryesor dhe kyçi i fitores ose humbjes së betejës kudo ku këta vepronin, që nga lufta kundër Rusisë në Krime e deri tek ngjarjet në Egjipt.
Dokumentacioni historik na tregon se, as pashallarët e as Porta nuk kishin fondet e mjaftueshme për të mbajtur gjallë një fuhatë aq të gjatë e aq të komplikuar ushtarake me mercenarë. Mundësia për të shlyer detyrimet nuk përputhej me nevojën për rekrutë të rinj. Në këtë mënyrë, shpesh herë ndodhi që ushtritë mercenare më tepër u bënë pengesë se sa ndihmë. Në disa raste ata kanë dorëzuar kështjella, kanë braktisur frontin, kanë plaçkitur fshatra, etj. Madje në rastin Tripolicës, garnizoni shqiptar ra në ujdi me Kollokotronin për të braktisur pozicionet kundrejt pagesës, duke e lënë kështu popullsinë civile në dorë të shpatës hakmarrëse të forcave kryengritëse, të cilët ishin po ashtu shumica shqiptarë.
![]() |
Mercenari shqiptar - bashibozuk (kokëkrisuri) |
Fundi i jeniçerëve
Në 1826, kur fundi i luftës në Greqi ishte ende i paqartë, Sulltan Mahmuti II gjeti rastin e përshtatshëm për të vepruar kundër jeniçerëve, që prej dekadash dominoheshin nga shqiptarët. Dikur jeniçerët kishin qenë ajka e ushtrisë osmane, ushtarët më të besuar të sulltanit, të parë që hidheshin në luftë, të parë që jepnin jetën për perandorinë. Ndërsa tashmë ata ishin kthyer në një institucion konservator apatik ku dominonte interesi personal, nepotizmi dhe rryshfeti, një forcë luftarake me rendiment të ulët sepse nuk pranonte asnjë reformë progresive dhe që, nga mbrojtës fanatikë të sulltanit ishin kthyer në rrezikun kryesor për përmbysjen e tij. Për më tepër institucioni i jeniçerëve ishte bërë një barrë e rëndë për buxhetin e Portës për shkak se në listëpagesa figuronin shumë më tepër antarë se ç’kishte luftëtarë të aftë për luftë, përfshi pleq e djem të papjekur.
Sulltan Mahmuti II nxori një ferman ku shpallte se do të krijonte ushtrinë e re Nizam--i Çedid sipas modelit të vendeve të krishtera, në vazhdim të reformës së nisur nga Selimi III. Siç pritej jeniçerët u nisën drejt pallatit të Sulltanit për ta hedhur edhe atë sërish nga froni, ashtu siç kishin bërë në vitin 1703, 1730, 1806 dhe 1808. Por kësaj radhe jeniçerët nuk patën sukses. Me ndihmën e spahinjve e pastaj edhe të njësive të tjera të ushtrisë sulltani i goditi ata ashpër nëpër rrugët e qytetit dhe në fund goditi edhe barrakat e tyre me artileri, të cilat morën flakë. Si pasojë e kësaj përplasjeje rreth 4000 jeniçerë humbën jetën, shumë u internuan dhe shumë të tjerë u ekzekutuan duke u prerë kokat, të cilat u shfaqën në kullën e famshme të Selanikut të quajtur “kulla e gjakut”. Trupës së jeniçerëve i kishte ardhur fundi një herë e përgjithmonë e bashkë me të edhe sektit të Bektashinjve si sekt zyrtar i tyre. Me këtë akt Sulltani hoqi qafe pengesën e dytë që i vinte prej elementit konservator shqiptar. Ky ishte vetëm fillimi.
Ibrahim Pasha në More
Më 1826 flota e Ibrahim Pashës ia behu në More. Ushtria egjiptiane e Ibrahimit i shkaktoi dëme të mëdha kryengritësve, të cilët në këtë periudhë kishin filluar kacafytjet me njëri-tjetrin për pushtet. Në koordinim edhe me forcat e Omer Vrionit, Reshit Mehmet Pashës e të tjerëve në veri, ata filluan të kapnin qytete e krahinat njëra pas tjetrës. Mirëpo ky plan nuk mund të çohej deri në fund për shkak të ndërhyjes së fuqive të mëdha. Më 1827 flota luftaraka e Ibrahimit u shkatërrua në betejën e Navarinos. Në gusht 1828 një ushtri prej 15 000 trupash franceze zbarkoi në More dhe Ibrahimi u detyrua të tërhiqet drejt Kretës.*
*Për një analizë të detajuar të luftës së pavarësisë së Greqisë lexo shkrimin me titull “Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj?"
![]() |
Ibrahim Pasha sulmon Misolongjin |
Bejlerët shqiptarë të jugut
Ndërkohë që Greqia po shkonte drejt pavarësisë, shqiptarët ishin vënë në lëvizje. Eliminimi i Ali Pashës i kishte hapur udhë ringritjes së pushtetit të bejlerëve, të ciët ndiheshin të kërcënuar nga përpjekjet e Portës për reforma centralizuese. Në vitin 1828, kur në More po zbarkonin forcat franceze, në Berat u mblodh një kuvend i madh i udhëhequr nga Ismail bej Vlora (gjyshi i Ismail Qemalit), Zylyftar Poda dhe Shahin bej Delvina ku u kundërshtuan publikisht reformat e Sulltan Mahmutit II.
Porta u alarmua. Jo vetëm për faktin që kjo lëvizje e konservatorëve shqiptarë pengonte planet e saj për centralizimin e pushtetit, por mund të kthehej edhe në një rrezik të drejtpërdrejtë për sulltanin, siç do të vërtetonte më vonë përplasja me Mehmet Aliun e Egjiptit. Nëse ata 40 000 mercenarët shqiptarë që u angazhuan në Greqi një ditë të bukur niseshin drejt Stambollit, kush do t'i ndalonte? Kush kishte këllqe? Ndoshta vetë bejlerët mund të mos kishin takat për një fushatë të asaj shkalle, por një fuqi e huaj po. Cilado perandori e krishterë,ose një koalicion forcash potencialisht mund të mblidhte fonde të mjaftueshme për t'i hedhur të gjithë shqiptarët në luftë kundër portës dhe t'i jepte fund perandorisë osmane një herë e përgjithmonë pa sakrifikuar jetën qoftë edhe të një ushtari të vetëm nga të vetët.
Një muaj pas kuvendit të Beratit, Ismail bej Vlora vritet në Janinë nga njerëz të Reshit Mehmet Pashës. Kjo ngjarje shkaktoi revoltë në Shqipërinë e jugut. Në janinë, Zagori, Konicë e Meçovë popullsia kërkoi largimin e funksionarëve osmanë. Si pasojë e këtyre ngjarjeve sulltani u detyrua të bëjë një lëvizje strategjike. Ai e tërhoqi Reshit Pashën në Stamboll dhe e bëri kryevezir.
Lufta Ruso-Osmane
Duke shfrytëzuar trazirat në Greqi dhe njëkohësisht për t’u ardhur kryengritësve në ndihmë, më 1828 Rusia i shpalli luftë Perandorisë Osmane në kufjtë veriorë të saj. Për të përballuar presionin osman Sulltan Mahmuti II i kërkoi ndihmë Mustafa Pashë Bushatit të Shkodrës që të bashkonte forcat me ushtrinë perandorake në frontin kundër rusëve. Në shkëmbim të ndihmës, Mustafai i kërkoi sulltanit që t’i jepte më shumë territore, kërkesë që sulltani e pranoi. Tashmë përveç sanxhakut të Beratit që ish bërë pjesë e pashallëkut të Shkodrës që më 1820 pas rënies së Ali Tepelenës, dhe Sanxhakut të Elbasanit e të Ohrit, Pashallëku i Shkodrës u zgjerua me territore të tjera.
Më 1829 lufta Ruso-Osmane përfundoi me nënshkrimin e traktatit të Adrianopolit, ku ndër të tjera i jepej autonomia Principatës së Serbisë dhe u premtua se do t’i jepej autonomia edhe Greqisë. Më 25 mars 1830 tre fuqitë europiane, Britania, Franca dhe Rusia e shpallën Greqinë shtet të pavarur.*
*Për një analizë të detajuar të luftës së pavarësisë së Greqisë lexo shkrimin me titull “Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj?"
Masakra e Manastirit
Porta sapo kishte humbur zemrën e Mesdheut lindor. Pikën nga kontrollohej hyrja dhe dalja në katër detra, e rrjedhimisht në katër vatra gjeostrategjike. Këtë pikë e kishin tashmë në dorë të krishterët. Sulltani deklaroi se do ta rimerrte Morenë, ashtu siç ia mori Venedikut në 1715, por në të vërtetë situata ishte "Bir, Selman i nënës! Kë të qajë nëna më parë!". Nga të katër anët perandoria ishte e mbytur në konflikte.
Në gusht të vitit 1830, vetëm 4 muaj pas shpalljes së pavarësisë së Greqisë, Reshit Mehmet Pasha, tashmë kryevezir i Perandorisë Osmane, niset për një ekspeditë ushtarake kundër bejlerëve shqiptarë që ishin ngritur kundër reformave të Sulltan Mahmutit II në 1828. Sapo morën vesh për mbërritjen e Reshitit, bejlerët u organizuan për luftë. Mirëpo Reshiti u tregua dinak. Ai nuk i sulmoi bejlerët, por u vendos në Janinë dhe që aty u ngriti kurth. Ai i ftoi ata në një pritje madhështore në qytetin e Manastirit (Bitola) kinse për t'i shpërblyer për besnikërinë e tyre ndaj Portës, veprim që bejlerët mezi e prisnin sepse do të konsolidonte pushtetin e tyre një herë e mirë. Reshiti mblodhi plot 500 bejlerë e agallarë nga të gjitha trevat e jugut, i futi në një stadium me pretekstin se do të sodisnin një paradë ushtarake për nder të tyre dhe ashtu siç ishin, të veshur e të ngjeshur me rroba ceremoniale, i pushkatoi të gjithë. Një masakër totale. Kjo ishte një përsëritje fije për pe e skemës që kishte përdorur Mehmet Aliu i Egjiptit për të nënshtruar Mamlukët 19 vjet përpara. Ashtu si Reshiti, edhe Aliu i ftoi Mamlukët në Kairo kinse për respekt dhe aty u ngriti pusi. 480 bejlerë Mamlukë (dhe ndihmësit e tyre) u masakruan nga forcat mercenare shqiptare në kalanë e Kairos.
Me një veprim dinak sulltani kishte shfarosur gjithë klasën e vjetër konservartore të pushtetit në trevat shqiptare të jugut duke i hapur kështu udhë dobësimit dhe shkatërrimit të pashallëkut të Shkodrës.
Fundi i Bushatllinjve
Pashallëku i Shkodrës kish qenë një krijesë kryekëput e Bushatllinjve dhe qëndroi nën sundimin e tyre deri në fund. Më 1757 Mehmet Pashë Bushati nga fshati Bushat i Shkodrës, njësoj si Ali Tepelena dhe Mehmet Aliu, ia kish marrë Portës titullin e Pashait me forcë dhe dinakëri, në sajë të aftësive të tija politike e organizative. Gjatë luftës Habsburgo-Osmane ai lidhi aleancë me Habsburgët për të krijuar një front antiosman. Për këtë Habsburgët e furnizuan me armë e para dhe Mehmeti përballoi me sukses një sulm osman. Mirëpo me të ndryshuar situata në favor të osmanëve, Mehmeti braktisi aleancën me Habsburgët në shkëmbim të titullit të Pashait të Shkodrës. Që atëherë në krye të pashallëkut të Shkodrës kishin qenë vetëm Bushatllinjtë.
Ndër pashallarët më ambiciozë të dinastisë së Bushatllinjve ishte Kara Mahmud Pasha (1778-1796), i cili kishte bërë disa herë përpjekje për t’u zgjeruar në drejtim të Shqipërisë së jugut dhe Malit të Zi duke hyrë në konflikt të armatosur si me Ahmet Kurt Pashën e Beratit, ashtu edhe me fiset autonome malazeze. Për shkak të ambicies së tij ai hyri dy herë në konflikt të armatosur edhe me Portën e Lartë.
Edhe Mustafai kishte arritur të zgjeronte mjaft kufijtë e Pashallëkut, por në 1830, menjëherë pas masakrës së Mananistirit, ky u vu në shënjestër të Sulltan Mahmutit II dhe reformave të tij centralizuese. Ashtu si edhe pashallarët e tjerë, Mustafai nuk ishte aspak dakord me reformat që rrezikonin pushtetin e tij, e për këtë ai filloi të krijonte aleance kundër Portës. Mustafai mbajti marrëdhënie miqësore me princin serb Millosh Obrenoviqin, me kapedanin boshnjak Husein Gradashçeviqin dhe Mehmet Aliun e Egjiptit. Edhe kur vajti në maj 1828 për të zënë vendin e tij në frontin Ruso-Osman ai iu shmang përleshjeve të armatosura.
Për këto arsye më 1831 Mustafa Bushatit i erdhi një ferman nga sulltani ku i kërkohej të lëshonte postin e mytesarifit të Shkodrës. Mustafait nuk i pëlqeu kjo gjë dhe si përgjigje organizoi një aleancë me pashallarët fqinjë në Kosovë e Shqipëri, dhe njëkohësisht ftoi edhe serbët të luftonin në këmbim të Nishit. Atëherë Porta u detyrua t’i ulte kërkesat dhe i kërkoi Mustafait që t’i lëshonte kryevezirit Reshit Mehmet Pasha sanxhaqet e Dibrës, Ohrit, Elbasanit dhe Targovishtes, si dhe të pranonte në kalanë e Shkodrës një garnizon ushtarak perandorak. Mustafai edhe këtë kërkesë e refuzoi dhe andej nga marsi i viti 1831 bashkë me aleatët e tij nisën forcat kundër ushtrisë së rregullt të Reshitit. Në fillim ata patën sukses dhe madje kapën edhe Sofien (sot kryeqyteti i Bullgarisë), por në fillim të majit u thyen nga forcat e Reshitit në Shkup dhe u detyruan të tërhiqen. Mustafai u kthye në Shkodër dhe u mbyll brenda në kala. Pas gjashtë muajve rrethim nga ushtria e Reshitit më në fund Mustafai u dorëzua. Me kërkesë të Princit Meternik të Austro-Hungarisë Mustafait ju fal jeta dhe u dërgua në Stamboll. Mustafai shërbeu më vonë sërish si funksionar në poste të ndryshme në Perandorinë Osmane.
Po atë vit që nënshtroi Mustafa Pashë Bushatlliun, Reshit Pasha u nis drejt Travnikut për të nënshtruar kapedan Husein Gradashçeviqin e Bosnjës. Huseini iu kundërpërgjigj duke nisur një ushtri prej 52 000 luftëtarësh në drejtim të Prishtinës dhe e mundi Reshit Pashën pranë Shtimës. Në nëntor Reshiti priti në Shkup një delegacion boshnjak ku u premtoi se do të insistonte pranë Sulltanit që ai të pranonte kërkesat e Huseinit. Mirëpo në dhjetor Reshiti goditi me top forcat e Huseinit pranë Novi Pazarit dhe i shpartalloi ata. Ky ishte fillimi i një fushate agresive që do të përfundonte me rënien e Elajetit të Bosnjës dhe gjithë krahut konservator në Ballkanin perëndimor.
Reshit Mehmet Pasha nuk do të qendronte gjatë në Bosnje sepse do duhej që të përballej me një tjetër shqiptar, vetëm se kësaj radhe jo në Ballkan por në anën tjetër të perandorisë, në fushat e Anadollit. Ky ishte i Ibrahim Pasha, i biri i Mehmet Aliut të Egjiptit.
![]() |
Pashallëku i Shkodrës 1815-1821 |
Mehmeti Aliu në portat e Stambollit
Sulltan Mahmuti II i kish premtuar Mehmet Aliut Kretën, Qipron dhe Morenë si shpërblim për shtypjen e kryengritjes në Greqi. Por duke qenë që në Greqi ndërhynë fuqitë e mëdha, këto mbetën jashtë sundimit të Mehmetit. Për këtë arsye dhe pretekste të tjera, Mehemti i kërkoi Portës që t'i kalonte këtij territoret e Sirisë. Por kërkesat e Mehmetit ranë në vesh të shurdhët, gjë që e shtyu këtë të fillonte përgatitjet për t'i marrë këto territore me luftë. Përgatitjet nuk zgjatën shumë pasi ushtra egjiptiane e Mehmetit kishte kohë që angazhohej në fushata të njëpasnjëshme dhe kësisoj kishte fituar një eksperiencë të madhe organizative e luftarake. Pas një fushate të shpejtë disa mujore që filloi në Akra, ushtria e Mehmetit, nën komandën e djalit të tij Ibrahimit, shpartalloi forcat e pashallarëve sirianë dhe mbërriti në Alepo, në afërsi të Turqisë së sotme.
Sulltani i alarmuar nga gjendja dërgoi menjëherë Reshit Mehmet Pashën në krye të një ushtrie prej 80 000 burrash. Ushtritë e dy pashallarëve u takuan më në fun pranë qytetit të Konias në dhjetor 1832, në kërthizën e Turqisë së sotme dhe atje ushtria egjiptiane e Ibrahimit e shpartalloi ushtrinë osmane të Reshitit me një fitore spektakolare. 792 egjiptianë të vrarë kundrejt 3000 forcave osmane (ku përfshiheshin padyshim edhe shqiptarë). Më në fund doli një shqiptar që t'ia vinte Reshitit të dyja këmbët në një këpucë me gjithë kuptimin e fjalës sepse Reshiti u kap rob nga forcat e Ibrahimit gjatë kohës që përpiqej të organizonte krahët e shpartalluar në mjegull. Tashmë mes Konias dhe Stambollit rruga ishte fushë e hapur. Porta nuk kishte asnjë ushtri rezervë që t'i bënte ballë ushtrisë së Ibrahimit. Objektivi i radhës ishte padyshim Stambolli, por duke qenë se ishte mesi i stinës së dimrit, Ibrahimi e shtyu fushatën për në pranverë. Ky mund të kish qenë praktikisht fundi i dinastisë së Osmanëve.
Sulltani e shfrytëzoi këtë armëpushim të shkurtër për të bërë një marëveshje me rusët, të cilët nisën menjëherë një ushtri për t'i dalë në ballë forcave të Ibrahimit. Kjo taktikë rezultoi e suksesshme sepse ushtria Ibrahimit hasi në vështirësi të mëdha. Ndërkohë Britania dhe Franca i drueheshin influencës ruse në lindjen e mesme dhe për këtë ato i bënë presion Mehmetit që të bënte marrëveshje me Sulltanin. Marrëveshja u nënshkrua. Forcat e Ibrahimi u tërhoqën drejt Sirisë dhe Ibrahimi u shpall guvernator i përgjithshëmi Sirisë, gjithnjë nën vasalitetin nominal osman. Gjithashtu nën sundimin e Mehmetit hynë edhe Kreta e Hixhazi.
![]() |
Fushatat e Mehmet Aliut |
Kryengritjet antireformatore shqiptare
Me shpartallimin e pashallëqeve dhe bejlerëve Sulltan Mahmuti II pandehu se i dha fund rezistencës antireformatore në territoret shqiptare, por duket se nuk i kishte bërë llogaritë mirë. Gjatë periudhës 1833-1839 shqiptarët zhvilluan disa kryengritje të njëpasnjëshme, të cilat vërtiteshin të gjitha rreth një qëllimi të vetëm - kundërshtinë ndaj reformave centralizuese të Portës dhe ruajtjes së privilegjeve.
Kështu në prill 1833 4000 shqiptarë të armatosur nga Shkodra dhe rrethinat u futën në qytetin e Shkodrës, zaptuan tregun e qytetit dhe kërkuan heqjen e taksave, rikthimin e privilegjeve dhe zëvendësimin e mëkëmbësit të sulltanit, Namik Pashën, me një shqiptar. Për këtë kryengritësit dërguan edhe një delegacion në Stamboll për të biseduar drejtpërdrejt me sulltanin. Pas një periudhe tre mujore përplasjesh të armatosura mes kryengritësve dhe forcave të Namikut, më në fund qeveria pranoi kërkesat e kryengritësve.
Në korrik të po atij viti, nën udhëheqjen e Balil Neshos, banorët e zonës së Tepelenës u ngritën në revoltë kundër sanxhakbeut Emin Pasha, të birit të Reshit Mehmet Pashës që ishte përgjegjës për masakrën e Manastirit. Kryengritja u përhap edhe në zonën e Gjirokastrës dhe Delvinës. Forcat kryengritëse i thyen forcat e Emin Pashës në afërsi të fshatit Luzat. Pas këtij suksesi kryengritja u shtri edhe në Vlorë, Berat e Skrapar nën udhëheqjen e Tafil Buzit, Zenel Gjolekës dhe Çelo Picarit. Në Berat kryengritësit rrethuan kalanë. Porta e largoi Emin Pashën nga detyra e sanxhakbeut por kjo nuk e ndihmoi situatën pasi kryengritja u përhap edhe më shumë. Në shtator kalaja e Beratit ra. Atëherë Porta u detyrua të pranojë kërkesat e kryengritësve dhe i zëvendësoi mëkëmbësit e sulltanit në Vlorë, Berat, Tepelenë, Përmet e Gjirokastër me shqiptarë. Gjithashtu shpalli edhe amnisti për kryengritësit.
Sado që Porta kishte bërë lëshime, Sulltan Mahmuti II ishte i vendosur t’i shpinte reformat centralizuese përpara dhe kjo nënkuptonte shtrirjen e tyre edhe në territoret shqiptare. Kjo bëri që në 1834 të njëjtat krahina të ngriheshin sërish në revoltë, kësaj radhe nën komandën e Tafil Buzit. Brenda një kohe të shkurtë ushtria kryengritëse arriti në 10 000 burra. Edhe kësaj here kryengritësit zunë qytetin e Beratit dhe ngritën një komitet, i cili i kërkoi zyrtarisht sanxhakbeut të Vlorës që t’u njihte autonominë. Pas dy muajsh rrethim kalaja e Beratit u dorëzua.
Në janar 1835 komiteti i kryengritjes firmosi një marrëveshje, sipas të cilës Porta premtonte të plotësonte kërkesat e tyre dhe si shkëmbim kryengritësit duhet të çarmatoseshin. Por, ashtu siç pritej, shumë shpejt mëkëmbësi i sulltanit i shkeli kushtet e marrëveshjes e për pasojë kryengritësit u ngritën sërish në revoltë, kësaj radhe duke marshuar drejt Janinës. Atje Tafil Buzi u bëri thirrje gjithë shqiptarëve që t’i bashkoheshin revoltës kundër pushtetit osman. Ai i dërgoi gjithashtu fjalë Mehmet Aliut të Egjiptit për bashkëpunim. E alarmuar Porta dërgoi forca të shumta drejt Shqipërisë për të shtypur kryengritësit, të cilët u detyrun të tërhiqen. Në maj Tafil Buzi u kthe në fshatin e tij.
Po në maj 1835 një kryengritje tjetër shpërtheu në Myzeqe, nën kommandën e Alush bej Frakullës. Mirëpo kjo nuk zgjati shumë për shkak se udhëheqësit e saj ranë në ujdi me mëkëmbësin e sulltanit.
Ndërkohë që situata në jug të Shqipërisë po qetësohej, Hafiz Pasha, sanxhakbeu i ri i Shkodrës, vazhdoi me zbatimin e reformave të Sulltan Mahmutit II duke rritur taksën e doganës dhe duke vendosur taksa të reja “të jashtëzakonshme”. Kësaj radhe në revoltë u ngrit esnafi i Shkodrës me në krye Hamza Kazazin. Kryengritësit i kërkuan Hafiz Pashës rivendosjen e privilegjeve të vjetra për esnafet, por kur Hafizi e refuzoi kërkesën e kryengritësve ata filluan sulmet kundër postrojave të garnizonit osman, i cili u detyrua të mbyllet në kala. Kryengritjes së esnafit të Shkodrës iu bashkuan fillimisht edhe qytetet e Pejës dhe Gjakovës, e më vonë edhe Ulqini me Mirditën, edhe për faktin që Porta kishte filluar rekrutimin e detyruar të banorëve për ushtrinë e re.
Në pamundësi për t’i bërë ballë kryengritësve me garnizone lokale, Porta dërgoi valiun e Rumelisë por në maj 1835 ushtria e tij u shpartallua në fushëbetejë. Atëherë sulltani dërgoi si përforcim një ushtri të re prej 30 000 burrash nën komandën e sekretarit të tij Vasaf Efendiut. Ndërkohë valiu kishte filluar negociatat me kryengritësit. Ai u paraqit një ferman të rremë, në të cilin Porta pranonte kushtet e tyre. Një pjesë e kryengritësve e besuan fermanin dhe filluan të kthehen në shtëpitë e tyre, ndërsa pjesa tjetër nën komandën e Haxhi Idrizit vazhdoi rezistencën.
Në shtator 1835 ushtria perandorake e përforcuar i sulmoi kryengritësish në afërsi të Lezhës dhe arriti të çante rrugën për në Shkodër. Në pamundësi për të rezistuar gjatë kryengritësit u tërhoqën në male. Për të qetësuar situatën, sulltani e zëvendësoi Hafiz Pashën dhe anulloi rekrutimet në krahinat kryengritëse.
Në verë të viti 1836 në Vlorë shpërtheu një kryengritje e re, sërish nën udhëheqjen e Tafil Buzit por pa shumë sukses. Në 1837 shpërtheu një kryengritje tjetër në Myzeqe, sërish nën udhëheqjen e Alush bey Frakullës. Kryengritësit mundën forcat perandorake në afërsi të Beratit, por në betejën e dytë në afërsi të Frakullës u thyen nga një forcë kundërshtare më e madhe. Alush bej Frakulla dhe udhëheqës të tjerë u kapën dhe u dënuan me punë të detyruar në Stamboll.
Në gusht 1839 në Berat shpërtheu një tjetër kryengritje. Banorët e Beratit sulmuan forcat perandorake dhe rrethuan kalanë. Krynegritja u përhap edhe në Sanxhakun e Vlorës. Kryengritësit i bënë peticion Sulltan Abdylmexhidit I që ky të vendoste zyrtarë shqiptarë në administratë dhe të vendoste Ismail Pashën, të birin e Ali Pashë Tepelenës si sanxhakbej. Në shtator të po atij viti kryengritësit kapën sërish kalanë e Beratit dhe Porta u detyrua që ta shtynte përkohësisht zbatimin e reformave në Shqipëri.
Lufta e dytë egjiptiano-osmane
Pasi e ndjente që Mehmet Aliu nuk ishte i kënaqur me rezultatet e arritura, Sulltan Mahmuti II bëri përpjekje për t’i dalë të keqes përpara duke i ofruar Mehmetit sundim të trashëgueshëm mbi Egjiptin dhe Arabinë, d.m.th. sundim që mund t’ia trashëgonte fëmijëve të tij, në këmbim të tërheqjes së forcave të tij nga Siria dhe Kreta si dhe dorëheqjen nga dëshira për pavarësi të plotë. Këtë propozim Mehmeti e refuzoi sepse e dinte që sulltani nuk e dëbonte dot as nga Siria, as nga Kreta.
Në maj 1838, Mehmet Aliu njoftoi Britaninë dhe Francën se kishte plan të shpallte pavarësinë nga Perandoria Osmane. Mirëpo ky veprim binte në kundërshtim me dëshirën e këtyre fuqive për të ruajtur status quo-në brenda perandorisë. Në rrafshin politik ndërkombëtar fuqitë europiane, veçanërisht Rusia, aktivizuan kanalet e tyre diplomatike me qëllim shmangien e konfliktit të armatosur, ndërsa në rrafshin e brendshëm, të dy palët po përgatiteshin për luftë. Ibrahimi kishte një forcë të madhe në Siri. Ndërsa në Stamboll Hafiz Pasha, ish-sanxhakbeu i Shkodrës, i dha garanci sulltanit se mund ta mundte ushtrinë egjiptiane.
Në qershor 1839 forcat e Ibrahimit sulmuan dhe shkatërruan ushtrinë e Hafizit në Nezib, afër qytetit të Urfas dhe idem si 7 vjetë më parë, rruga drejt Stambollit mbeti sërish e hapur. Menjëherë pas betejës Sulltan Mahmuti II vdiq nga tuberkulozi dhe fronin e trashëgoi i biri 16 vjeçar Abdylmexhidi. Në këtë moment Mehmeti me Ibrahimin po debatonin se cila ishte rruga më e mirë për të ndjekur. Ibrahimi donte të pushtonte Stambollin dhe të kërkonte fronin Osman, ndërsa Mehmeti ishte i mendimit që të kërkonte territore të tjera si kompensim dhe të siguronte autonomi politike për veten dhe familjen e tij. Një goditje tjetër e rëndë për Portën ishte dezertimi i flotës perandorake drejt Aleksandrisë në Egjipt në qershor 1840.
Francezëve u interesonte aleanca me Mehmet Aliun sepse kishin interesat e tyre në territoret e pushtuara algjeriane, dhe për këtë arsye i ofruan Mehmetit ndihmë për flotën e tij të re. Kjo manovër nuk u erdhi aspak për shtat fuqive të tjera europiane, të cilat lidhën aleancë në favor të Abdylmexhidit I. Në korrik 1840 Britania, Prusia, Austro-Hungaria dhe Rusia firmosën Konventën e Londrës dhe i ofruan Mehmet Aliut kontroll permanent mbi Egjiptin, Sudanin dhe elajetin e Akrës me kusht që këto territore të qëndronin nën sundimin nominal të Perandorisë Osmane. Nëse Mehmeti nuk pranonte të tërhiqte forcat e tij brenda dhjetë ditësh, ai do të humbiste ofertën për territoret në Sirinë e jugut. Nëse e vononte përgjigjen më shumë se 20 ditë, ai do të humbiste çdo gjë që i ishte ofruar. Aleanca e re vendosi që të vinte në dispozicion çdo mjet të nevojshëm për të detyruar Mehmetin të bindej, por ai shpresonte shumë tek ndihma e francezëve.
Qeveria franceze nisi një flotë luftarake në Detin Mesdhe me qëllim bashkimin e forcave me flotën dezertore perandorake. Në shtator 1840 fuqitë e alenacës filluan veprimet luftarake në Mesdhe. Flotat britanike dhe austro-hungareze rrethuan Aleksandrinë ku ndodhej flota dezertore dhe pastaj lundruan drejt Sidonit dhe Beirutit. Në shtator 1840 forcat e përbashkëta sulmuan Akrën. Për shkak të bombardimit garnizoni i Mehmetit u largua nga kalaja dhe atje hynë forcat austro-hungareze.
Duke qenë që pas nënshkrimit të Konventës së Londrës Franca mbeti politikisht e izoluar dhe rrezikonte të hyntë në luftë të hapur me Britaninë, ajo ndërroi aleancë dhe u vu në rresht kundër Mehmet Aliut në tetor 1840. Pas humbjes së Akrës Mehmeti pranoi kushtet e Konventës në nëntor 1840. Ai hoqi dorë nga Kreta dhe Hixhazi dhe pranoi që të ulte madhësinë e flotës dhe të ushtrisë në 18,000 burra. Në shkëmbim ai fitoi të drejtën e trashëgimisë së sundimit mbi Egjiptin dhe Sudanin, një titull i padëgjuar ndonjëher më parë për një mëkëmbës të Portës së Lartë. Porta lëshoi një ferman perandorak ku i njihte të drejtën e sundimit të përjetshëm dhe të trashëgueshëm. Mehmeti tërhoqi forcat e tij nga Kreta, Adanaja, Siria dhe Hixhazi, si dhe ktheu mbrapsht flotën dezertore.
![]() |
Mehmet Aliu gjatë negociatave me përfaqësuesit britanikë |
Tanzimati
Pas shumë luftrash e konfliktesh, sidomos me kundërshtarët shqiptarë në Ballkan, dhe rrezikut të përmbysjes së dinastisë së Osmanëve nga Mehmet Aliu i Egjiptit, më në fund, më 1839 Porta e Lartë arriti të nisë reformën e përgjithshme për centralizimin e pushtetit dhe modernizimin e qeverisjes, të quajtur ndryshe Reforma e Tanzimatit. Ndonëse Sulltan Mahmuti II punoi shumë për të dhe bëri përgatitje për zbatimin e saj, ai nuk ia pa asnjëherë “hajrin” punës së vet. Kështu që zbatimi i reformës së Tanzimatit i mbeti në dorë të birit Abdylmexhidit I të cilën e shpuri përpara me po të njëjtin zell si i ati. Tashmë Perandoria Osmane dhe të gjithë banorët e saj do të hynin drejt një epoke të re modernizimi. Përveç se në Shqipëri, ku për shkak të kryengritjeve të vazhdueshme reformat u zbatuan më me vonesë.
Përfundime
Shumëkush që ende vazhdon të mbështetet tek narrativat historike nacionaliste mund të konfuzohet nga ngjarjet që parashtrohen në këtë analizë për shkak se këtu nuk figurojnë asgjëkund binomet “i mirë/i keq”, “mik/armik”, “patriot/tradhtar”, “liri e pavarësi/shtypje e skllavëri”, e asnjë nga ato konceptet e tjera si "populli" apo "atdheu" me të cilat jemi mësuar të gjykojmë ngjarjet historike deri më sot. Në këto ngjarje evidentohet vetëm realiteti i kohës, një realitet i nxitur nga veprimet thellësisht pragmatike, të cilat justifikoheshin vetëm me pushtet e para dhe asgjë tjetër. Në periudhën kur zhvillohen këto ngjarje nuk ekzistonte as koncepti i lirisë e pavarësisë, as nacionalizmi e atdhedashuria, as demokracia, e asnjë koncept tjetër që vë të drejtat e individit apo popullit mbi ato të sunduesit.
Përkundrazi, nga gjithë ngjarjet e parashtruara mund të kuptohet fare lehtë që shqiptarët nuk e dëshironin kurrësesi ndryshimin e status-quo-së. Ata nuk donin të lëshonin pushtetin, autonominë dhe privilegjet që gëzonin brenda Perandorisë Osmane. E ndërkohë që myslimanët kërkonin të ruanin privilegjet, të krishterët nuk i kursenin aspak shërbimet e tyre luftarake për fuqitë europiane duke shkatuar herë pas here trazira e revolta në shkëmbim të shpërblimeve financiare.
Ndër dhjetëra mijëra shqiptarë nën armë si mercenarë me pagesë e të angazhuar pothuajse çdo vit në luftime në të katër anët e perandorisë, është shumë e vështirë të gjesh të shtypurit e të vuajturit e zgjedhës osmane. Ku ishin ata që po kalbeshin nën zinxhirët e skllavërisë? Ku ishin ata që mezi po prisnin të çliroheshin nga pushtuesi i mallkuar? Asgjëkund. Sepse nuk kanë ekzistuar kurrë. Të paktën jo në trajtën që na paraqiten nga historia zyrtare. Sepse "hordhitë turke” dhe "çallmat e Anadollit" janë terma të narrativës etnocentriste, kristianocentriste e eurocentriste të imponuar nga europa e krishterë dhe ideologjitë imperialiste, anti islamike të shekujve XIX-XX të cilat sunduan gjerësisht botëkuptimin politik të saj.
Comments
Shto një koment