Eniteo - Peremtum - Exitum - Dies.


Po lexoja një ditë një shkrim ku bëhej një hulumtim mbi kuptimin emërtimeve të ditëve të javës në shqip dhe kjo më nxiti kureshtjen. Tre ditët e para janë krejt të qarta. Ato ndjekin renditjen standarde të panteonit të perëndive romake: e hëna - hëna (lunis dies), e martë - marsi (martis dies) dhe e mërkurë - mërkuri (mercuri dies). Supozohet që edhe emërtimi i të dielës është krejt i qartë pasi ka kuptimin e diellit por në shqip. (lat. Dies solis, ang. Sonday, gjer. Sontag, etj.) Ndërsa tre emërtimet e tjera, përkatësisht “e enjte”, “e premte” dhe “e shtunë”, nuk janë plotësisht të përcaktuara dhe për prejardhjen e tyre ka ende diskutime mes gjuhëtarëve e etimologëve.

 Për shembull për “të enjten” është spekuluar se mund të ketë prejardhje prej një perëndie ilire të quajtur Enji. Vladimir Arjolli (Oreli) e ka gjetur kuptimin tek protoshqipja “agni” (lat. Ignis), i  barasvlershëm me latinishten “iovis” (giove - giovedi). Ndre Mjeda thotë që mund të jetë nga Greqishtja e lashtë “ene” (mbrëmje). Çabej ka po këtë mendim e kështu me radhë. Për “të premten” Arjolli mendon se vjen nga fjala “premtoj”, kuptim që sipas tij lidhet me ritualet e krishtera, sidomos “shabati”. Gustav Majeri (Mayer) thotë që mund të ketë prejardhje prej fjalës shqip “mbrëmë” (dialekt prëmë), gjithnjë në lidhje me ritualet e krishtera. Ndërsa Jokli dhe Çabej mendojnë se ka lidhje me fjalën “i mbramë” (i fundit). Së fundmi për “të shtunën”, të gjithë bien pak a shumë dakord se mund ta ketë prejardhjen prej Saturnit.

Mua nuk më bind asnjë nga këto shpjegime dhe për këtë arsye po i lejoj vetes të bëj një arsyetim të ri mbi kuptimin e tyre. Unë në parim jam dakord që kuptimi i këtyre fjalëve mund të ketë lidhje me ritet fetare, ose pagane, ose të krishtera. Kjo ka kuptim në kuadrin historik. Megjithatë po mendoj, po sikur këto fjalë ta kenë prejardhjen prej latinishtes? Nëse ndjekim ligjësinë e transformimit të fjalëve të huaja, e specifikisht atyre latine në shqip, atëherë bie menjëherë në sy një lidhje e tyre me latinishten. E nëse, pastaj, kërkojmë në fjalorët e latinishtes për kandidate të mundshme, si për çudi na dalin këto fjalë: ante/eniteo, peremtum, exitum dhe dies.

  • Ante në shqip do të thotë “përballë” dhe një transformim i mundshëm i kësaj fjale do të ndiqte këtë rrugë: ante > ente > einte > enjte.
  • Eniteo (nga ex+niteo) do të thotë “shndrin/shkëlqen” dhe një transformim i mundshëm i kësaj fjale do të ndiqte këtë rrugë: eníteo > éniteo > eínteo > einte > enjte.
  • Peremtum (forma supin e perimo)  në shqip do të thotë “për të shuar/larguar/shkatërruar) dhe një transformim i mundshëm i kësaj fjale do të ndiqte këtë rrugë: peremtum > premtum > premt.
  • Exitum (forma supin e exeo) në shqip do të thotë “për të dalë/larguar” dhe një transfomim i mundshëm i kësaj fjale do të ndiqte këtë rrugë: eksitum > ksitum > kstum > kshtum > kshtun > shtun.
  • Dies në shqip do të thotë ditë dhe një transformim i mundshëm i kësaj fjale do të ndiqte këtë rrugë: dies > die + prapashtesa femërore -ella japin diella, njësoj si fustanella, tarantella, etj. 

Pra kemi një grup fjalësh shumë interesante që kanë kuptim kur radhiten njëra pas tjetrës, si të shkëputura ashtu edhe të vendosura në një fjali të vetme. Kështu, nëse për “të enjten” do të marrim për bazë fjalën ante, atëherë renditja e fjalëve do të ishte e tillë: 

“Ante peremtum exitum dies” (para, për të shuar/larguar, për të dalë, dita).

Në këtë rast kjo fjali do të kishte pak a shumë kuptimtin: “Para ditës së shuarjes/largimit, ose para shuarjes del dita (ndoshta e diellit)”, që mund t’i referohet ndonjë fenomeni kozmik, mitologjisë apo një ngjarjeje fetare. Ky është varianti që ka më pak gjasa të jetë i vërtetë, sipas mendimit tim.

Nëse për “të enjten” marrim për bazë fjalën eniteo, atëherë renditja e fjalëve do të ishte e tillë:

“Eniteo. Peremtum. Exitum. Dies (sol)” (shdrin/shkëlqen, për të shuar/larguar, për të dalë, dita.)

Në këtë rast fjalët kanë më shumë kuptim të ndara nëse me to nënkuptohet ndonjë fenomen kozmik/mitologjik gjatë të cilit kemi një shndritje, që pasohet nga një shuarje ose shkatërrim, që pasohet nga një dalje ose largim (nga skena), që pasohet nga ardhja e ditës (ndoshta e ditës së diellit).

Ka shumë fenomene kozmike, mitologji e rituale pagane e të krishtera që kanë në thelb të tyre ngritjen dhe rënien apo shkëlqimin dhe shuarjen e pastaj ikjen/largimin e objektit të adhurimit, por se si mund të lidhen këto me emërtimet e ditëve të javës, për momentin nuk di ta them.

Nëse këto fjalë do t'i vendosnim në një fjali çfarëdo, atëherë ato do të shkruheshin kështu: 

"Enite super peremtum exitum post dies obscuros." (Shndri mbi të shuarin /shkatërruarin që ka rënë pas ditëve të errëta).

Është pak e vështirë që ky shpjegim të merret si përfundimtar dhe i padiskutueshëm sepse si kombinim fjalësh nuk është se gjen shumë popullaritet në dokumentacionin historik latin. Por fakti që bëhet fjalë për pjesën e dytë të javës dhe përgatitjen e ardhjes së ditës së dielë, dmth, ditës së diellit, veçanërisht kur në lashtësi kjo konsiderohej fillimi i javës, atëherë mund të themi se shpjegimi ka një farë legjitimiteti dhe e fut atë në listën e kandidatëve të mundshëm.

Comments

Shkrimet më të lexuara të muajit

Pse u konvertuan shqiptarët në myslimanë?

Epoka e errët shqiptare

Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj?