"Malet me blerim mbuluar", rrugëtimi i një melodie.
Një nga këngët partizane më të njohura të luftës së dytë botërore, kënga me titull "Malet me blerim mbuluar" ka një histori shumë më të vjetër se sa periudha e luftës. Fatkeqësisht autorin e tekstit të kësaj kënge nuk arrita ta gjej. Por melodia e saj është përshtatur nga një këngë revolucionare bullgare me titull "Danubi i bardhë i qetë po trazon" ose ndryshe "Marshi i Botevit".
Teksti i referohet një ngjarjeje gjatë luftës bullgare për pavarësi në vitin 1876. Në maj 1876, poeti revolucionar Hristo Botev bashkë me 205 forcat e tij zaptoi një avullore austriake pasagjerësh me emrin Radecki me qëllim për të kaluar Danubin nga Rumania në Bullgari dhe për t'iu bashkuar forcave të "kryengritjes antiosmane së prillit 1876". Pas krynegritjes qëndronte natyrisht Perandoria Ruse, e cila ndërhyri ushtarakisht dhe ndihmoi në krijimin e Bullgarisë së pavarur më 1878. Mirëpo, ndonëse autori i tekstit të këngës është bullgari Ivan Vazov dhe melodia është përpunuar nga vokalisti Ivan Karaxhov, melodia nuk është as bullgare. Ajo është përshtatur nga një këngë ruse me titull "Ninulla kozake" e shkruar nga shkrimtari i njohur rus Mihaill Lermontov në vitin 1838.
Tekstin e këngës Lermontovi e shkroi kur ishte internuar në Kaukaz. Ai ka thënë se kur ishte atje rastësisht dëgjoi një grua kozake në krahinën e Terekut, e cila i këndonte ninullë fëmijës. Në atë periudhë kozakët e Terekut mbronin kufijtë e Perandorisë Ruse kundër Çeçenëve. Me të dëgjuar ninullën Lermontovi e hodhi menjëherë në letër dhe pastaj e ktheu në këngë kur ishte në qytetin e Voronezhit, rrugës për në Shën Pjetërburg. Mirëpo ndonëse teksti i këngës është një ninullë, sipas Lermontovit, melodia e saj është bazuar në një këngë tjetër popullore kozake, tipike e stilit kaukazian, me titull "Mjaft më, ju topa bore", e cila flet për jetën dhe natyrën luftarake të popullit kozak.
Kozakët ishin një popull sllav rus por që jetonin në zonat kufitare jugore të Perandorisë Ruse, në Kaukaz dhe Ukrainën e sotshme, por në gjysmë autonomi dhe shpeh herë shërbenin si mercenarë për ushtrinë ruse. Kënga është e kënduar në stil polifonik, në mënyrë të ngjashme me këngët polifonike shqiptare.
Comments
Shto një koment