Lufta kundër Kishës Katolike dhe klerit

Bastisja e një kishe në Francën post revolucionare, 1794

Pothuajse në çdo analizë që i bëhet luftës kundër fesë dhe persekutimit të klerit në Shqipëri autori nuk ngurron të na e përshkruajë atë si një fenomen të paprecedent në historinë e njerëzimit, konkretisht një pjellë unike të regjimit të diktaturës, sidomos nëse krahasojmë me botën perëndimore, ku liria e besimit është konsideruar këtë shekullin e fundit si e një e drejtë themelore. Por a është e vërtetë kjo tezë? A është e vërtetë që lufta kundër fesë dhe persekutimi të klerit fetar nuk ka ndjekur një shembull të mëparshëm të botës perëndimore, konkretisht asaj katolike, por është një krijesë e regjimit dhe diktatorit Enver Hoxha? Le t’i analizojmë pak ngjarjet historike se çfarë na thonë.

Vendet që do të merren në shqyrtim janë: Mbretëria e Bashkuar, Franca, Austro-Hungaria, Gjermania, Italia, Spanja, Portugalia, Meksika dhe Kolumbia. Por këto nuk janë të vetmet. Lista është më e gjatë.

Mbretëria e Bashkuar

Shenjat e para të persekutimit të institucioneve fetare dhe veçanërisht kishës dhe klerit katolik janë shfaqur në Mbretërinë e Bashkuar dhe Irlandë gjatë periudhës së Reformizmit Protestant në shekullin XVI, kohë kur Protestatizmi kish marrë përhapje të gjerë në Europën veriore, si një kryengritje ndaj autoritetit absolut të kishës katolike dhe papatit të Romës. Masat reformatore filluan të zbatoheshin në dekadat e para të shekullit XVI kur Mbreti Henri VIII kundërshtoi autoritetin e Papës dhe ndërtoi kishën e pavarur të Anglisë në vitin 1534, kryetari i suprem i së cilës nuk do të ishte më Papa por mbreti i Anglisë. Henri zbatoi gjithashtu disa reforma, ndër të cilat lejohej edhe martesa e klerikëve, mirëpo më vonë kjo reformë u hodh poshtë.

Dy vjet më vonë Henri VIII, me ndihmën e parlamentit, filloi një fushatë agresive 5 vjeçare kundër manastireve katolike në të gjithë mbretërinë. Gjatë kësaj periudhe shumë manastireve iu konfiskuan pronat dhe pasuritë e tyre u nxorën në ankand. Shumë manastire të tjera, konventa, urdhra e sekte në Angli, Uells dhe Irlandë u shkrinë. Deri në vitin 1540, të gjitha manastiret ishin mbyllur, disa abatë të rëndësishëm ishin varur ndërsa tokat e tyre ishin konfiskuar nga kurora mbretërore. Fushata e Henrit pati shumë viktima. Abatët, murgjit dhe priftërinjtë që e kundërshtuan atë u arrestuan dhe u akuzuan për tradhti dhe shumë prej tyre u ekzekutuan. Veçanërisht abatët e Glastonburit, Redingut dhe Kolçesterit u ekzekutuan në mënyrë brutale. Gjatë mbretërimit të Henrit VIII (1530s–1547) dhe pastaj Elisabetës I (1558–1603) u ekzekutuan për tradhti dhe nën kauzën e agjentit të Papatit rreth 200-300 klerikë katolikë.

Një ndër qindra manastiret e shkatërruara e abandonuara katolike në Mbretërinë e Bashkuar gjatë Reformizmit Protestant.

Franca

Në Francën e pas revolucionit, persekutimi i kishës katolike dhe klerit mori përmasa veçanërisht të dhunshme. Menjëherë pas revolucionit, çështja e pushtetit dhe pronave të kishës u bë politikë qendrore e qeverisë dhe parlamentit të ri francez. Kështu në 4 gusht 1789 parlamenti që sapo kishte dalë nga revolucioni mori vendimin për shfuqizimin e sistemit feudal dhe i hoqi kishës të drejtën e taksimit të popullsisë nëpërmjet të dhjetës. Pronat e kishës u deklaruan pronë e kombit, u konfiskuan dhe u nxorën në ankand publik.

Në korrik 1790, Asambleja Kombëtare Kushtetuese shfuqizoi të gjitha privilegjet e klerit. Klerikët do të bëheshin punonjës të shtetit dhe numri i tyre do të ulej. Gjithashtu atyre do tu kërkohej që të bënin deklaratë besnikërie ndaj sistemit të ri, përndryshe do të pushoheshin nga detyra, do të internoheshin ose do të ekzekutoheshin.

Në shtator 1792 Asambelja Legjislative legalizoi divorcin, në kundërshtim të plotë me doktrinën katolike.  Njëkohësisht shteti kaloi nën autoritetin e vet regjistrat e lindjeve, të vdekjeve dhe të martesave. 

Në Paris, brenda një periudhë 48 orëshe, duke filluar nga data 2 shtator 1792, ndërkohë që Asambleja Legjislative po kalonte në krizë, tre peshkopë dhe më shumë se 200 priftërinj u masakruan nga turma të acaruara. Shumë prej priftërinjve u gjenden të mbytur ne lumë mes një grupi të cilësuar si tradhtarë të revolucionit. Të tjerë priftërinj dhe murgesha u mbytën në Lion nën akuzën e separatizmit. Qindra të tjerë u burgosën në kushte çnjerëzore në portin e Roshefortit.

Ligje të tjera antikishë u miratuan nga Asambleja Legjislative dhe pasardhëset e saj Konventa Nacionale dhe të gjithë Këshillat e Departamenteve (regjionet) në të gjithë vendin. Shumë prej akteve të dekrishtërizimit në 1973 u motivuan me qëllim konfiskimin e rezervave të floririt dhe argjendit të Kishës Katolike, në mënyrë që të financohej lufta.

Në shtator 1793, këshilli regjional në krahinën Indre et Lua anulloi fjalën "dimanche" (fr. e dielë). Kalendari Gregorian, një instrument i dekretuar nga Papa Gregori XIII në 1582, u zëvendësua me kalendarin e Republikës Franceze, i cili shfuqizoi ditën e "shabatit" (të shtunën), ditët e shenjtorëve dhe çdo referencë tjetër ndaj kishës. Java 7 ditore u zëvendësua me javën 10 ditore. Për arsye praktike kalendari gregorian u rivendos në 1795.

Në Francë u mbajtën parada antiklerike. Kryepeshkopi i Parisit u detyrua të dorëhiqej dhe të zëvendësonte kësulën e klerikut me "kësulën e lirisë" së revolucionit. Të gjitha rrugët që kishin emra fetarë u zëvendësuan. Festat fetare u ndaluan dhe u zëvendësuan me festa pagane dhe jo fetare. Shumë kisha u shndërruan në "tempuj të arsyes", në të cilat u mbajtën shërbesa deiste (këndvështrimi racional i botës dhe i natyrës së perëndisë).

Andej nga viti 1795 pati një rikthim të disa lirive fetare, por rënia e kambanave, procesionet fetare dhe shfaqja e kryqit në publik ishin ende të ndaluara. Deri andej nga vitit 1799 vazhdonte ende burgosja dhe internimi i priftërinjve. Persekutimi i tyre u përkeqësua kur ushtria franceze kapi Romën në 1798, shpalli Republikën e re Romake dhe burgosi Papën Piu VI, i cili vdiq i burgosur në Francë. 

Pas marrjes së pushtetit nga Napoleoni në 1799, qeveria franceze hyri në bisedime me Papën Piu VII dhe nënshkroi marrëveshjen e quajtur Konkordata e vitit 1801, sipas së cilës kishës katolike iu rikthye statusi si fe zyrtare e shtetit francez deri në një farë mase por nën mbikqyrjen e plotë të administratës së Naopleonit. Konkordata e 1801 u shfuqiza në vitin 1905 kur shteti francez u shpall laik, d.m.th pa lidhje zyrtare me kishën.

Gjatë dekrishtërizimit të Francës përllogariten mes 20-40 000 viktima. Mijëra priftërinj u detyruan të dorëhiqen, prej tyre rreth 6000 u detyruan të martohen. Në fund të dhjetëvjeçarit rreth 30 000 priftërinj ishin larguar jashtë shtetit. Disa qindra u ekzekutuan. Shumica e famullive në Francë mbetën pa klerikë. Ata që nuk betoheshin para shtetit rrezikonin gijotinën ose internimet në Gajanan franceze. Deri në pashkët e 1794ës shumë pak kisha qëndruan funksionale. Shumica ishin mbyllur, shitur, shkatërruar ose shndërruar në godina me funksione të tjera.

Festivali i arsyes

Austro-Hungaria

Reformat antiklerikale në Perandorinë Austro-Hungareze u quajtën “reformat jozefiniste” dhe u zbatuan nga Perandori i Shenjtë Romak Franc Jozefi II duke filluar që nga viti 1780, pas vdekjes së të ëmës së tij, dhe zgjatën rreth dhjetë vjet, deri në vdekjen e tij. Një nga aspektet më të spikatura të jozefinizmit ishte shkrirja e një të tretës së manastireve në territorin e perandorisë dhe konfiskimi i pronave të kishës si dhe aprovimi i kushtetutës civile për klerin që vepronte brenda territorit të perandorisë. Tashmë shkollat fetare do të hynin nën juridiksionin e shtetit dhe famullitë do të riorganizoheshin nën mbikqyrjen shtetërore.

Perandori shpalli gjithashtu proklamatën e tolerancës fetare për protestantët dhe çifutët, si dhe kaloi lidhjen e martesave dhe zhvilimin e shërbimeve mortore në regjistrin civil. Së fundmi, Urdhëri i Jezuitëve u shpërbë me dekret shtetëror e bashkë me të edhe kontrolli që ky urdhër kish ushtruar mbi arsimin për një kohë shumë të gjatë.

Ndonëse reformat jozefiniste shkaktuan pakënaqësi si tek kleri ashtu edhe tek disa fisnikë, veçanërisht në Vendet e Ulëta dhe në Hungari, duket se akti më represiv që ndërmori perandori ishte kufizimi i lirisë së medias, konkretisht gazetat. Disa nga këto reforma u anulluan pas vdekjes së perandorit, nga vëllai i tij, i cili premtoi se do të ishte më i mirëkuptueshëm ndaj ndjenjave popullore.

Gjermania

Reformat antiklerike në Gjermani (atëherë Mbretëria Prusiane) u zhvilluan nën moton “Kulturkampf” (lufta kulturore) në periudhën 1871-1878, nën udhëheqjen e Kancelarit Oto Fon Bismark. Qëllimi i këtyre reformave ishte ndrydhja e pushtetit të Kishës Katolike dhe futja e saj nën autoritetin e shtetit. Kështu në korrik 1871 Bismarku shkriu zyrën e Kishës Katolike në Ministrinë e Kulturës së Prusisë. Në nëntor të po atij viti priftërinjve iu ndalua që të diskutonin çështje politike në altarin kishtar. Në mars të vitit 1872 të gjitha shkollat fetare katolike u bënë subjekte të kontrollit shtetëror (ato protestante nuk u prekën). Në qershor 1872, të gjithë mësuesit fetarë u përjashtuan nga shkollat shtetërore dhe, ashtu si në Austro-Hungari, Urdhri i Jezuitëve u shkri. Po atë vit marrëdhëniet diplomatike mes Papatit dhe Prusisë u ndërprenë. Në vitin 1873 u aprovuan ligje të cilat kalonin nën autoritetin absolut të shtetit të gjitha format e trajnimit fetar si dhe caktimin e klerikëve në ofiqe kishtare. Martesat dhe ceremonitë mortore u zhvendosën me detyrim nga regjistri kishtar në atë civil në të gjithë territorin e mbretërisë.

Pothuajse të gjithë peshkopët dhe klerikët katolikë i kundërshtuan reformat dhe për këtë arsye ata u përballën me gjyqe dhe burgosje. Deri në vitin 1878 vetëm tre nga tetë dioqezat e Prusisë udhëhiqeshin nga peshkopë. Nga 4600 famulli, 1125 ishin pa prift. Pothuajse 1800 priftërinj u burgosën ose u detyruan të largohen. Pothuajse gjysma e murgjve dhe murgeshave ishin larguar nga Prusia. Një e treta e manastireve dhe konventave ishin mbyllur. Në periudhën 1872-1878,  shumë gazeta katolike ishin konfiskuar. Kongregacionet dhe shoqatat katolike u shkrinë. Shumë nëpunës civilë u shkarkuan me akuzën se mbronin idetë “ultramontane” (përtej malit), që nënkuptonte se mbronin idetë katolike që vinin nga përtej Alpeve, në Vatikan. Shumë njerëz të zakonshëm u burgosën në përpjekje për të ndihmuar priftërinjtë që t’u shmangeshin ligjeve ndëshkuese. Reforma më e egër antiklerikale që u kalua nga shumica liberale u konsiderua ligji i syrgjynosjes (dëbimit) për klerikët.

Kisha katolike i luftoi reformat e Bismarkut në parlament dhe deri në vitin 1887 arriti që shumë prej tyre t’i shfuqizonte. Këto reforma nuk u erdhën për mirë as protestantëve pasi ato i jepnin dorë socialistëve dhe laikëve që t’i sulmonin të gjitha fetë njësoj. Megjithatë, kjo luftë e katolikëve u konsiderua si mësim për demokracinë.

Karikaturë ku tregohet Bismarku dhe Papa që luajnë shah. Poshtë në të majtë në kuti është shkruar "të internuar", ndërsa në fushën e shahut një gur i Bismarkut mban një flamur ku shkruhet "konfiskim i manastireve". Në anën tjetër në gurët e papës janë shkruar "encikliket" (qarkore) në të cilat dënohej Liberalizmi dhe liria e shtypit.

Italia

Në Itali fushata kundër pushtetit të Kishës Katolike filloi në vitin 1870, si rezultat i përmbysjes së Shteti Papal nga Mbretëria e Italisë dhe kapja e Romës nga ushtria mbretërore. Në tetor u mbajt një votim dhe në mënyrë plebishitare Shteti Papal u shpërbë në favor të bashkimit të tij me shtetin e ri italian. Papa e kundërshtoi ligjin e vitit 1871, i cili parashikonte që Papa të bëhej qytetar i Mbretërisë së Italisë dhe u vetë izolua në atë që quhet sot qyteti i Vatikanit deri në vitin 1929 kur Italia njohu zyrtarisht Shtetin e Vatikanit dhe pavarësinë e Selisë së Shenjtë.

Disa nga nismat anti klerikale në Itali janë heqja e statusit të Kishës Katolike si institucion shtetëror, heqja e privilegjeve politike dhe ekonomike të klerit katolik gjatë shekullit XIX, nënshtrimi i Kishës Katolike ndaj shtetit italian dhe pastaj ndarja përfundimtare e kishës nga shteti në vitin 1980.

Bersalierit shpartallojnë muret e "Porta Pias" gjatë luftimeve për kapjen e Romës.

Spanja

Në Spanjë lufta civile e viteve 1820-1823 u shoqërua edhe me fushata dhune kundër kishës dhe klerit katolik. Rasti i parë i dhunës kundër klerikëve ndodhi gjatë protestave në Katalonia ku 20 klerikë u masakruan nga pjesëtarë të lëvizjes liberale si hakmarrje kundrejt kishës e cila mori anën e mbështetësve “absolutistë” (pushtetit absolut të mbretit) të Ferdinantit VII.

Mandej në vitet 1835-1837, menjëherë pas luftës Karliste, kryeministri spanjoll Huan Alvarez Mendizabal, që drejtoi qeverinë e mbretëreshës Maria Christina, nënshkroi një sërë dekretesh, nëpërmjet të cilave të gjitha pronat e manastireve u konfiskuan dhe u shtetëzuan me qëllim për t’ia kaluar në përdorim shtresës së mesme dhe për të rritur ekonominë. Shteti refuzoi kompensimin e kishës për pronat e konfiskuara.

Në Spanjë periudha e luftës kundër klerit katolik mori emrin “deamortizimi”, për shkak se pronat bujqësore në pronësi të manastireve u konsideruan si pronë e vdekur, jo dobiprurëse. Deamortizimi filloi në vitin 1835 dhe përfundoi në vitin 1924. Gjatë kësaj periudhe, sipas studiuesit Antonio Montero, në Spanjë u masakruan 6832 anëtarë të klerit katolik, përfshi 13 peshkopë, 4172 priftërinj dioqezash dhe seminaristë, 2364 murgj dhe 283 murgesha. Statistikat janë edhe më të errëta në dioqeza të veçanta. Në Barbastro u masakruan 88% e klerikëve laikë (ata që nuk rrinë në manastire). Në Lerida u masakruan 44% e klerikëve laikë. Në Torotosa u masakruan 44% e klerikëve laikë. 40% në Kiudad Real dhe Ibitha, një e treta në Almeria, Kordoba, Haen, Madrid-Alkala, Tarragona, Valensia dhe Vik, si dhe rreth ¼ os ⅕ e klerit në Barselona. Si rezultat i deamortizimit shumë manastire të lashta, të cilat kishin qenë në përdorimin e urdhrave dhe konventave të ndryshme, u boshatisën e u shkatërruan. Një numër i vogël manastiresh iu rikthyen kishës në dekadat në vazhdim. Sot vetëm disa manastire kanë mbetur ende funksionale ndërsa shumë të tjera janë shkatërruar.

Spanja dekretoi zyrtarisht ndarjen e kishës nga shteti me anët të kushtetutës së vitit 1935.

Shkatërrimi dhe djegia e kishave në Spanjë 


Portugalia

Çështja e laicizmit të shtetit u ngrit në diskutim nga republikanët që në vitin 1871 në Konferencën e Kazinos. Republikanët e konsideronin Kishën Katolike si mbështetëse të monarkisë dhe kundërshtonin ndikimin e saj në shoqërinë portugeze. Laicizimi i Republikës ishte një nga veprimet kryesore që do të ndërmerreshin sipas axhendës politike të Partisë Republikane Portugeze dhe Frimasonëve. Monarkistët bënë një përpjekje politike për t’u marrë krahun republikanëve duke ndërmarrë vetë disa reforma antiklerike, si p.sh. marrja e masave të rrepta kufizuese për veprimtarinë e Jezuitëve një ditë para fillimit të revolucionit.

Menjëherë pas themelimit të Republikës në 8 tetor 1910, ministri i drejtësisë Afonso Kosta riktheu në fuqi ligjet kundër Urdhrit të Jezuitëve të Markezit të Pombalit (1759), sipas të cilave ndalohej prania e urdhrit në territorin e Portugalisë dhe ligjet e vitit 1834 të Hoakim Antonio de Agijarit, sipas të cilave ndaloheshin të gjitha konventat, manastiret, kolegjet, strehat dhe çdo banesë në zotërim të urdhrave fetarë. Pasuritë e tyre u konfiskuan nga shteti portugez dhe u shtetëzuan duke u bërë pjesë e Thesarit Kombëtar. Bërja e betimit fetar në Universitetin e Koimbrias dhe praktika të tjera me bazë fetare u ndaluan, regjistrimet e vitit të parë në Kolegjin Teologjik u pezulluan. Po ashtu edhe kurset e të drejtës kanonike (ligjet fetare). Festat fetare u kthyen në ditë pune, përveç të dielës, që u ruajt si ditë pushimi. Forcave të armatosura iu ndalua të merrnin pjesë në aktivitete solemne fetare. Marrëdhëniet familjare, martersat e divorcet kaluan nën jurdikisionin e kontratave civile.

Gjatë periudhës së laicizimit pati persekutime, dëbime dhe pushime nga puna të peshkopëve. Përveç njërit, të gjithë të tjerët u dëbuan nga dioqezat që drejtonin. Pasuria e klerikëve u konfiskua. Mbajtja e veladonit (veshjes së zezë priftërore) u ndalua. Të gjitha seminaret e vogla u mbyllën. Vetëm 5 më të mëdhatë u lejuan të vazhdojnë aktivitetin. Në vitin 1918 u lejuan vetëm dy seminare, por pronat e tyre nuk u kthyen. 31 urdhra fetarë, të shpërndarë në 164 banesa u dëbuan. Arsimi fetar u ndalua në të dy nivelet e shkollave.

Shteti portugez dekretoi përfundimisht ndarjen nga kisha në vitin 1911, një veprim që u pranua gjerësisht nga revolucionarët. Kisha u përpoq t’i kundërshtonte këto masa nëpërmjet propagandës por pa sukses. Afonso Kosta parashikoi zhdukjen e katolicizmit brenda tre gjeneratave.

Meksika

Lufta kundër klerit Katolik në Meksikë e ka origjinën me luftën e pavarësisë së Meksikës nga Perandoria Spanjolle (1810-1821) dhe planin për të konfiskuar pronat e Kishës Katolike. Fillimisht, Meksika u themelua si shtet besimtar, që do të thotë se kushtetuta e viti 1824 njihte fenë e krishterë katolike si fe zyrtare, se shteti i ri do të ishte përgjithmonë katolik, dhe se nuk do të lejonte asnjë fe tjetër në territorin meksikan.

Pas revolucionit të Ajutlas (1854-1855) pothuajse të gjithë figurat kryesore të qeverisë ishin frimasonë dhe antiklerikë të thekur. Kushtetuta e vitit 1857 shfuqizoi të drejtat e Kishës mbi pronën kishtare. Në vitet 1863-1867 ekzistoi Perandoria e Dytë Meksikane, e mbështetur nga Perandoria e Dytë Franceze. Mirëpo pas përmbysjes dhe vrasjes së perandorit Maksimiliani I, perandoria ra dhe në krye të shtetit erdhën një sërë qeverish antiklerike. Kushtetuta e vitit 1917 përmbante ligje të ngjashme me ato të Revolucionit Francez. Ajo nxori të jashtëligjshme arsimin fetar, vuri kontrollin e shtetit mbi punët e kishës, shtetëzoi pronat e kishës, nxori të jashtëligjshme të gjithë urdhrat fetarë dhe priftërinjtë e huaj, i dha shtetit fuqinë që të kufizonte apo të eliminonte krejt aktivitetin e priftërinjve në territorin e tyre, ua hoqi priftërinjve të drejtën e votës apo të mbajtjes së funksioneve në administratën shtetërore, ua ndaloi organizatave katolike që të merrnin pjesë në debatin për politikat e shtetit, ua ndaloi klerikëve që të mbanin veshje fetare apo të kryenin ceremoni fetare jashtë godinave të kishave, dhe ua hoqi të drejtën qytetarëve të ngrinin padi kundër këtyre masave.

Gjatë qeverisjes së Alvaro Obregonit (1920-1924), shumë kisha u konfiskuan dhe u kthyen në garazhe, muze apo me funksione të tjera. Shumë peshkopë u dëbuan ose u detyruan të fshihen. Pritërinjtë që bënin propagandë politike mund të dënoheshin me burgosje deri në pesë vjet. Obregoni ishte antiklerik i thekur. Për shkak të këtyre reformave në Meksikë plasi lufta mes ushtrisë federative dhe Kristerove, një rrymë pro katolike që mori jetë në shtetet qendrore dhe perëndimore. Lufta, që mori emërtimin “Kristiada”, zgjati nga viti 1926 deri në vitin 1929 dhe mori jetën e më shumë se 90 000 njerëzve; rreth 56 000 forca federale dhe rreth 30 000 forca Kristerosh. Shumë civilë dhe Kristero u vranë gjatë sulmeve anklerike, ndërsa Kristerot vranë mësues ateistë dhe njerëz që dyshoheshin se mbështesnin qeverinë. Kristerot gjithashtu hodhën në erë një tren pasagjerësh.

Mes viteve 1926-1934 të paktën 40 priftërinj u vranë. Nga 4500 pritërinj që kryenin shërbesat para rebelimit, mbetën vetëm 334 priftërinj të licensuar nga shteti në shërbim të 15 milionë njerëzve. Pjesa tjetër ose kishin mërguar, ose ishin dëbuar, ose ishin vrarë. Në vitin 1935, 17 shtete nuk kishin asnjë prift.

Persekutimi u përkeqësua edhe më shumë prej guvernatorit të Tabaskos, Tomas Garrido Canabal. Në vitin 1916 paraardhësi i tij e ndryshoi emrin e kryeqytetit të shtetit nga Vila e Bukur e Shën Huan Baptistit në Vila e Bukur (Villahermosa). Garrido krijoi disa organizata paramilitare komuniste të cilat kishin për detyrë terrorizimin e katolikëve, kryesisht të ashtuquajturit “Këmishat e kuqe”.

Ndonëse represioni ndaj kishën pësoi ulje, deri në vitin 1940 kisha katolike nuk kishte seli zyrtare, nuk kishte prona, shkolla, manastire e konventa, priftërinj të huaj, të drejtën e mbrojtjes në gjyq, etj. Priftërinjtë e kishin të ndaluar që të mbanin veshje kishtare, të festonin në publik dhe të merreshin me politikë. Veprimet armiqësore kundër kishës përfunduan zyrtarisht në vitet 1940-1946 nën qeverinë e Manuel Avila Kamaços, i cili premtoi që të mos zbatonte masat antiklerike në shkëmbim të përpjekjeve të kishës për të ruajtur paqen. Përjashtim bënin vetëm ndalimi i të drejtës së propagandës politike, të drejtës së votës dhe të drejtës së organizimit politik. Në vitin 1991 Presidenti Salina propozoi heqjen e të gjitha masave antiklerike, gjë që u votua në legjislaturën e vitit 1992.

Karikaturë propagandistike kundër priftërinjve.

Kolumbia

Në Kolumbi fushata legjislative antiklerike zgjati më sumë se tre dekada (1849-1884). Çështja vajti deri aty sa në vitin 1876 shpërtheu lufta civile mes Partisë Liberale dhe asaj Konservatore për çështjen e arsimit. Liberalët u përpoqën që të vendosnin me ligj futjen e arsimit publik nën kontrollin e shtetit ndërsa konservatorët mbronin idenë që arsimi duhej të qëndronte nën kontrollin e Kishës Katolike. Lufta konkludoi në 1877 me fitoren e liberalëve.

Në vitet 1930 Partia Liberale aprovoi disa ligje që i jepnin fund influencës së kishës në shkollat publike. Ata deklaronin se  kisha dhe intelektualët e saj të prapambetur ishin përgjegjës për mungesën e progresit spiritual e material të Kolombisë. Qeveritë kombëtare, regjionale e lokale që ishin nën kontrollin e liberalëve ndërprenë kontratat me komunitete fetare që drejtonin shkollat në godinat e shtetit dhe i zëvendësuan ato me shkolla laike. Ndonjëherë këto veprime shoqëroheshin me dhunë.

Mandej në shekullin XX fushata antiklerike mori përmasa të reja. Gjatë viteve 1948-1958 shpërtheu një konflikt tjetër mes Partisë Liberale dhe asaj Konservatore. Ky konflikt u quajt “La violencia” (dhuna) dhe gjatë kësaj periudhe militantë të Partisë Liberale sulmuan dhe bastisën kishat dhe manastiret në të gjithë vendin, si dhe vranë shumë priftërinj në kërkim të armëve, pasi ishte hapur fjala që kleri fshihte armë dhe municione. Pas vrasjes së kryetarit të Partisë Liberale u ngritën shumë teori konspirative, sipas të cilave udhëheqësit e konservatorë, priftërinjtë militantë, nazistët dhe falangistët ishin përfshirë në komplot për të marrë në dorë vendin dhe për të zhbërë rrugën drejtë progresit. Akuza për vrasjen e kryetarit u ngritën edhe kundër jezuitëve.

Përfundime

Në këtë listë janë renditur vetëm fushatat kundër Kishës Katolike, madje jo të gjitha. Këtë e kam bërë me qëllim që të mos e ngatërroj këtë shkrim me botën lindore ortodokse, sidomos atë ruse, e cila është anatemuar parë e mbrapsht dhe ka marrë vulën e antishqiptarizmit.

Siç mund të shohim edhe nga ngjarjet e mësipërme, fushata antiklerike, e veçanërisht kundër Kishës Katolike dhe pushtetit të saj, kishte filluar që në shekullin XVI në Mbretërinë e Bashkuar dhe, ku më shumë e ku më pak, u shtri në të gjithë Europën. Ashtu si edhe në Shqipëri, në shumë vende fushatat antiklerike u shoqëruan me konfiskimin e pronës, persekutimin e klerikëve, shkatërrimin e kishave e manastireve e madje edhe ndalim të ushtrimit të besimit. Nga ngjarjet e mësipërme është më se e qartë që fushata kundër fesë dhe klerit në Shqipëri, ndonëse e ashpër dhe në shumë aspekte kriminale, nuk ishte as diçka e re, as diçka e padëgjuar më parë. Shoqëri shumë më të mëdha e më të zhvilluara se ajo shqiptare kishin kaluar nëpër të njëjtin proces spastrimi. Duke se në të gjitha rastet rrymat liberale e progresiste kërkonin ndrydhjen e pushetit të jashtëzakonshëm shekullor të Kishës Katolike, konfiskimin e pronave të pafundme që ajo zotëronte në të gjitha vendet katolike dhe përmbysjen e sistemit të vjetër feudal që ajo mbështeste. Me sa duket elitat politike të këtyre vendeve e gjykuan se Kisha Katolike dhe doktrinat e saj përbënin një nga pengesat kryesore të zhvillimit dhe progresit në shoqëritë e tyre, e për këtë arsye ato morën masa të rrepta kundër saj.

Eventualisht, ashtu si edhe në vendet e tjera të sipërpërmendura, pas rreth 4 dekadash, edhe në Shqipëri lufta ndaj kishës përfundoi dhe institucionet fetare u rehabilituan, por tashmë pushteti dhe influenca e tyre dhe praktikave fetare në popull ka rënë dhe ato nuk përbëjnë më një pengesë për progresin e shoqërisë pasi shoqëria shqiptare është bërë tashmë gjerësisht laike dhe fenë e konsideron si pjesë të rrafshit shpirtëror, jo politik.

Pra, me pak fjalë, në Shqipëri nuk ka ndodhur asgjë e jashtëzakonshme dhe e paprecendentë. Thjeshtë është hedhur një hap i vështirë por i pashmangshëm drejt të ardhmes, në sinkron të plotë me pjesën tjetër të botës perëndimore. Kur në Shqipëri filloi lufta kundër institucioneve fetare, bota katolike kishte katër shekuj që kacafytej me Kishën. I vetmi dallim është që, ashtu si për çdo çështje tjetër shoqërore, politike e ekonomike, në Shqipëri zhvillimet vijnë gjithmonë me vonesë dhe ky fakt e bën çdo gjë të duket më dramatike e disi jashtë vafti. Kjo është e keqja e të qenit vend i vogël. Do presësh kur të të vijë radha.

Lista e të gjitha vendeve ish-katolike europiane ku Kisha Katolike dhe kleri janë persekutuar: Andorra, Austri, Belgjikë, Kroaci, Danimarkë, Angli, Finlandë, Francë, Gjermani, Hungari, Islandë, Irlandë, Itali, Lihtenshtajn, Lituani, Luksemburg, Maltë, Monako, Holandë, Norvegji, Poloni, Portugali, San Marino, Skoci, Spanjë, Suedi, Zvicër.

Comments

Shkrimet më të lexuara të muajit

Pse u konvertuan shqiptarët në myslimanë?

Epoka e errët shqiptare

Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj?