Sa bunkerë?
Në fillim, në vitet '90, qarkullonte fjala se numri i bunkerëve ishte rreth 75 mijë. Kjo ishte shifra që përmendej nga ndonjë ushtarak me gradë a ndonjë inxhinier që kishte punuar për ushtrinë. Kjo shifër nuk tregonte vetëm numrin e bunkerëve, por të të gjitha ndërtimeve me karakter ushtarak, përfshirë tunelet, depot e armëve, bunkerët e mbrojtjes civile, transhetë, etj.
Me kalimin e viteve numri i bunkerëve pësoi inflacion të jashtëzakonshëm dhe tashmë nuk flitej më për 75 mijë, por për 250 mijë. Kjo shifër e re nuk kishte më për qëllim të tregonte vetëm masivitetin e projektit, apo paranojën e regjimit, por duhet të theksonte barrën e madhe financiare të projektit për shtetin, kundrejt mungesës së mirëqenies së qytetarëve shqiptarë.
Vitet kalonin, unë rritesha dhe bashkë me mua rritej edhe numri i bunkerëve shqiptarë. Tashmë në media 250-shja ishte zëvendësuar me 500-shen. Sensacionalistët nga njëra anë dhe antikomunistët nga ana tjetër, siç duket gjithsekush zbulonte çdo ditë nga 10-15 bunkerë të rinj.
Kaluan më shumë vite. Interneti solli hapësira të reja komunikimi dhe 500-shja e humbi efektin tronditës. Nuk linte më të njëjtën përshtypje si dikur. Dëgjimtarët e përrallës së radhës nuk mbeteshin më gojë hapur. Nuk ngrinin vetullat dhe nuk tundnin kokën me habi. Kështu që lindi nevoja për shifra të reja, më mbresëlënëse. 500-shes iu shtuan edhe 250 të tjera, për të arritur kështu një total prej 750 mijë bunkerësh. “Tani po!” do jetë shprehur dikush me mendjen e vet. Kjo Po, që çudit! Shtatëqind e pesëdhjetë mijë. Të mbush gojën e të hap sytë.
Me përhapjen e gjerë të internetit u shtua edhe shkëmbimi i të dhënave historike me botën. Ndonjë gazetar i huaj, nga ata gjuetarët e "thrill-eve" të stisur, nuk ngurroi t'i jepte udhë të lirë fantazisë dhe të raportonte në median e tij përkatëse se regjimi komunist shqiptar nuk ishte kursyer aspak, por paskësh ndërtuar plot 1 milion bunkerë.
Se ku e kish gjetur gazetari këtë shifër, nuk dihet. Ndoshta uke rrëmuar nëpër arkiva, apo duke pirë kafe tek hotel Rogner? Pale ç’do ketë menduar ai! Fundja pse të mos e shkruante? Shifër zyrtare nuk kishte. Gjithsecili kishte nga një numër të vetin. Askush nuk nxori ndonjë dokumentacion zyrtar të ushtrisë. Ç'e keqe mund të vinte nga një stisje kaq e pafajshme? Asnjë.
Shifra 1 milion qarkulloi ca kohë nëpër blogje, gazeta e forume, sepse kishte vulën e "të jashtashtetshmëve", të autoritetit të padiskutueshëm, të vërtetueshmërisë pa dyshime. "Po e patën thënë ata, të jashtmit, doemos është e vërtetë". Sepse ata, edhe kur i marrin të dhënat nga ne, i dinë më mirë gjërat se ne. Se janë të huaj, dhe "nuk gënjejnë e nuk sajojnë".
Me thënë të drejtën, unë prisja që numri të rritej edhe më shumë. Kisha shpresë që në të ardhmen të kapte 1,5 milionëshin. Ku i dihej! Koha të fal. Sa më e madhe largësia kohore nga ngjarjet, aq më i lehtë bëhet trillimi. Se 1 milion, se 1 milion e gjysmë, nuk ndryshon ndonjë gjë e madhe.
Por, siç duket, ndërgjegjja popullore internetore nuk e pranoi plotësisht numrin 1 milion dhe vendosi unanimisht numrin 750 mijë si të pranueshëm nga të gjithë, e për rrjedhojë të saktë, paçka se nuk është mbështetur në asnjë të dhënë apo regjistër zyrtar, apo qoftë edhe në një arsyetim shkencor. Madje aq mirë zuri vend ky numër, saqë edhe Inteligjencën Artificiale (AI) po të pyesësh, këtë numër do të të japë si shifër përfundimtare.
Tani, më në fund ka ardhur koha që këto shifra t'i nxjerrim para gjyqit e t’i kalojmë në sitën e arsyetimit teknik. Pra, ta parashtrojmë si problem logjistik e t'i japim zgjidhje. Të bëjmë disa pyetje, të bëjmë ca llogari dhe të dalim në disa përfundime shkencore, në mënyrë që të nxjerrim shkencërisht numrin e saktë, ose të paktën, të përafërt shkencërisht, të numrit të bunkerëve që mund të ketë prodhuar e montuar shteti shqiptar gjatë periudhës 1972-1990.
Sa beton e sa hekur nevojitet për ndërtimin e 750 mijë bunkerëve? Sa bunkerë mund të jenë prodhuar e montuar në një vit? Sa njerëz mund të jenë angazhuar në prodhimin dhe montimin e tyre? Sa bunkerë për metër katror duhet të kishte në të gjithë Shqipërinë nëse i pranojmë këto shifra si të vërteta?
Si fillim, i kërkova ndihmë Inteligjencës Artificiale dhe ajo më parashtroi këto të dhëna: Për ndërtimin e 750,000 bunkerëve si ato të Shqipërisë do të nevojiteshin plot 170,000 tonë hekur, që është e barabartë me 17 Kulla Eiffel ose 2.7 aeroplanmbajtëse të klasit Nimitz; si dhe 4.5 milionë ton beton, që është e barabartë me 5.3 qiellgërvishtës të tipit Burj Khalifa, ose 10 stadiume nga ata më të mëdhenjtë.
Duke pasur parasysh prodhimin vjetor të Shqipërisë komuniste prej 1.1 milion ton çimento dhe rreth 200,000 tonë hekur, del që për prodhimin e bunkerëve, industria do të duhej të jepte çdo vit rreth 250,000 tonë çimento, ose 23% të prodhimit vjetor dhe 9,400 tonë armaturë hekuri, ose 4-5% të prodhimit vjetor.
Më tej, duke pasur parasysh që një bunker i vetëm kërkon mesatarisht 5-7 ditë për t'u prodhuar, del që rendimenti i prodhimit të ketë qenë 150-200 bunkerë në ditë, ose 4,500-6,000 në muaj, ose 54,000-72,000 bunkerë në vit, për 18 vjet rresht. Nga llogaritë del se për prodhimin e këtyre bunkerëve, pa marrë parasysh nxjerrjen e lëndës së parë, transportin e saj, etj., dhe duke marrë parasysh kushtet e punës gjerësisht manuale në Shqipërinë e socializmit, të jenë angazhuar mesatarisht 15,000-25,000 punëtorë në ditë vetëm për prodhimin.
Pastaj, duke llogaritur një mesatare prej 3 ditësh dhe 25 vetash për montimin e një bunkeri të vetëm, del që për montimin e 750,000 bunkerëve, gjatë 18 viteve, do të nevojiteshin mesatarisht 540-720 brigada që vepronin njëkohësisht, në të gjithë vendin, me një forcë punëtore prej 13,500-18,000 punëtorësh, të mbështetur nga 2,160-3,600 mjete transporti, vinça, ekskavatorë, mikserë llaçi, etj.
Dhe së fundmi, sipas llogarive, nëse i shpërndajmë 750,000 bunkerë në trajtë rrjete me distanca të barabarta e të rregullta nga njëri-tjetri, del që në të gjithë territorin e Shqipërisë duhet të kishte një bunker çdo 200 metra, në të gjitha drejtimet, në të gjitha terrenet: edhe në majat e maleve më të larta, edhe në liqene e rezervuarë, edhe në ara, fshatra e qytete. Absolutisht kudo.
Nëse nuk e keni kuptuar ende, këto shifra janë qesharake dhe të paimagjinueshme për një vend të vogël si Shqipëria dhe ekonominë e saj. Edhe për atë të kohës së diktaturës. Aq më qesharake bëhen ato nëse marrim parasysh faktin që në arsyetimin e mësipërm nuk është marrë parasysh montimi i bunkerëve në terren të thepisur e pa rrugë, apo ndërtimi i tuneleve, transheve, depove të armëve, e instalimeve të tjera ushtarake.
Prandaj, shifra prej 750+ mijë bunkerësh është tërësisht e trilluar dhe pa kurrfarë baze dokumentare e shkencore. E nxjerrë “nga bytha”, kur i thonë fjalës. Produkt i mllefeve personale politike, padijes shkencore, mitologjisë urbane, nevojës për sensacione dhe histerisë antikomuniste. Që Shqipëria të prodhonte 750+ mijë bunkerë brenda 18 vjetëve do duhej që shteti të linte çdo gjë dhe i gjithë populli, dhe e gjithë ekonomia të angazhohej vetëm në prodhimin dhe montimin e bunkerëve.
Më poshtë do të llogaris numrin e vërtetë të bunkerëve duke u bazuar në të dhëna faktuale teknike dhe dëshmi të njerëzve që kanë punuar për prodhimin dhe montimin e tyre. Pra do bej nje reverse engineering.
Le të marrim një rast konkret, në zonën e Vlorës. Në të gjithë zonën e bregut, nga Palasa në Sarandë (rreth 40 km gjatësi në vijë ajrore), për montimin e bunkerëve ka punuar një brigadë e vetme me 25 veta. Në atë periudhë Shqipëria importoi nja 10 kamionë të mëdhenj "Tatra" për transportin e bunkerëve, nga të cilët disa iu përkushtuan brigadës së zonës së bregut.
Për instalimin e një bunkeri, sipas dëshmisë së personave që kanë punuar atje, brigadës i nevojiteshin mesatarisht 3 ditë, nga përgatitja e terrenit deri tek derdhja e bazamentit dhe saldimet përfundimtare. Nëse llogarisim, në rastin më të mirë, që kjo brigadë ka punuar pa pushim për 300 ditë në vit*, me rendiment 100%, domethënë, pa vështirësi, pa vonesa, pa avari mekanike, etj., dalim në përfundimin që numri i përgjithshëm i bunkerëve të montuar në një vit nuk mund të kalonte shifrën 100 copë.
*Këto 65 ditë ia kemi faturuar kushteve atmosferike të pafavorshme (shira dhe temperatura të ulëta), orëve të kufizuara të dritës gjatë dimrit, vonesave në prodhim dhe burokracisë. Këtu përfshihen edhe pauzat administrative (zhvendosja e pajisjeve dhe e punëtorëve, survejimi dhe piketimi i pikave strategjike), defektet teknike, procedurat e lejeve, mungesat për arsye shëndetësore ose dëmtimet në detyrë, si dhe situata të tjera të paparashikuara.
Ky rendiment mund të ishte diçka më i lartë në terren fushor, për shembull në Myzeqe. Por në shpate shkëmbore të thepisura ku nuk kishte rrugë për automjete por vetëm shtigje për dhitë, materialet e ndërtimit (hekur, zhavorr, rërë, çimento) transportoheshin me kafshë, terrenit gërmohej me vegla dore dhe bunkeri ndërtohej në vend. Atje rendimenti ishte disa herë më i ulët.
Prandaj, duke u nisur nga këto të dhëna logjistike të vërteta, llogaritja e përgjithshme e bunkerëve bëhet si vijon: 5-6 brigada (në rastin më të mirë), me një rendiment prej 100-150 montimesh në vit (me mik), për 18 vjet japin 9,000-16,000 bunkerë në total. Këtu nuk kemi llogaritur faktin që rendimenti i prodhimit të bunkerëve u rrit gradualisht, me kalimin e viteve.
Ta zëmë se janë 16,000 bunkerë në total për të qenë brenda. Shqipëria kishte rreth 4 fabrika çimentoje. 16,000 bunkerë pjesëtuar për 4 fabrika jep një prodhim mesatar prej 4,000 bunkerësh për fabrikë në vit, për 18 vjet, ose 333 bunkerë në muaj, ose 11 bunkerë në ditë, duke punuar me tre turne.*
*Për të qenë akoma edhe më realistë, duhet të llogarisim në fakt 11 bunkerë në 3-4 ditë, të ndërtuar në mënyrë të pjesshme, pasi montimi dhe saldimet përfundimtare bëheshin në terren. Gjuthash duhet të marrim parasysh kohën e tharjes, që kërkon minimalisht edhe 3-5 ditë të tjera, që pjesët e bunkerit të ngarkohen me vinç në kamiona, me qëllim për t’u transportuar në pozicionin e montimit.
Pra shifra që i afrohet më shumë numrit të përgjithshëm të bunkerëve, në rastin më të mirë, duke u treguar jashtëzakonisht shumë bujar, është jo më shumë se 16,000 copë të shpërndarë në të gjithë Shqipërinë. Edhe pse ky numër është tejet optimist, është gjithsesi disa fish më afër numrit të vërtetë sesa numri 750+ mijë, i dalë nga fantazitë e mendjeve të ndritura të botës mediatike shqiptare. Po të marrim ritmin real të prodhimit dhe montimit në Shqipërinë e diktaturës, për prodhimin e 750+ mijë bunkerëve, Shqipërisë socialiste do t'i duheshin më shumë se 200 vjet.

Comments
Shto një koment