Pse nuk e krijuan shqiptarët shtetin e tyre mesjetar?
Ilirët dhe Grekët
![]() |
Shën Sebastiani i lutet krishtit për jetën e një varrmihësi gjatë murtajës së Justinianit |
Në mesin e shekullit të 6-të, gjatë viteve 541-549, në perandorinë bizantine ra e ashtuquajtura murtaja e Justinianit, e cila shfarosi pothuajse një të tretën e popullsisë së perandorisë, ndër to edhe popullsitë ilire. Pa e marrë veten mirë nga murtaja, në vitin 545 filluan bastisjet valës së parë të sllavëve, të cilat u pasuan e u bashkë shoqëruan andej nga viti 568 me sulmet e avarëve turkomanë, të cilët ishin zhvendosur në Europë nga Azia qendrore. Lufta avaro-bizantine zgjati deri në vitin 626, plot 58 vjet. Gjatë pothuajse 6 dekadave sllavët dhe avarët depërtuan thellë në Ballkan e sidomos në Iliri, popullsinë e së cilës e shkretuan pothuajse krejt. Në dokumentin bizantin “Kronikat e Monemvasisë (587-805)" thuhet se sllavët e kthyen të gjithë Ballkanin në Skllavinia (d.m.th. i banuar ose nën kontrollin e sllavëve). Vetëm disa territore të brendshme të Shqipërisë kishin mbetur relativisht të pa prekura.
![]() |
E gjelbër e errët: territori ku u vendosën avarët. E gjelbër e çelët: territoret ku vepronin avarët. |
Një pjesë me ftesë e një pjesë pa ftesë, andej nga shekulli i 7-të pati një valë të dytë sllavëve në Ballkan (serbët dhe kroatët) të cilët, atë çfarë kish mbetur nga popullsia autoktone ilire e zhdukën pothuajse krejt. Arbrit ishin ndoshta i vetmi fis ilir (përveç arumunëve*) që kish arritur t’i mbijetonte asimilimit total dhe, të katandisur tashmë në disa dhjetëra mijëra individë e të organizuar në pak fise, gjatë shekujve në vazhdim do të kenë qenë tërhequr në zona të thella malore e në gjendje rikuperimi, d.m.th. në regjim shtrati; shumë të vegjël, e të pafuqishëm për të shkruar ndonjë paragraf në skenën e dramës ballkanike. Kjo është ndoshta dhe arsyeja pse gjatë kësaj periudhe arbrit nuk figurojnë në asnjë dokument të perandorisë bizantine dhe pse një pjesë e mirë e vendbanimeve në Shqipëri janë sllave. (shiko shkrimin me titull "Emërtime të vendbanimeve në Shqipëri dhe kuptimet e tyre")
*Unë kam mendimin që arumunët janë ilirë të latinizuar
Nga hera e fundit që përmenden ilirët në botimin me titull “Mrekullitë e Shenjtorit Dhimitër” në shekullin e 7-të e.s. e deri në herën e parë që përmenden arbrit si identitet etnik në burimet bizantine të shekullit 11-të (viti 1043) kaluan afro 400 vjet. Kjo periudhë kohore korrespondon fiks me dyndjen e sllavëve në Ballkan, rritjen dhe rënien e perandorisë së parë bullgare dhe me kohën që duhet t’u jetë dashur shqiptarëve që të shumohen, të zgjerohen e të shndërrohen gradualisht në faktor politik rajonal.
Një skenar i ngjashëm ndodhi edhe në Greqinë kontinentale. Sllavët depërtuan thellë në të gjithë territorin e Greqisë, deri poshtë në Peloponez, dhe filluan të dominojnë një pjesë të mirë të saj. Shumë zona të banuara ranë plotësisht në duart e sllavëve dhe u spastruan krejt nga banorët grekë autoktonë. Ashtu si Shqipëria (Iliria), edhe Greqia u detyrua të hyjë në regjim shtrati. Mirëpo ndryshe nga Iliria, Greqia e kaloi regjimin e shtratit me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë perandorake bizantine. Në dallim nga ilirët, që kishin marrë edhe goditjen kryesore të avarëve e sllavëve në veri, Greqisht folësit ishin të shpërndarë përtej Greqisë kontinentale ballkanike: në ishuj, në Azinë e Vogël, Italinë e jugut, Siçili, etj, dhe popullsitë e tyre mund të përdoreshin për të ripopulluar territoret e zaptuara nga sllavët. Tentativa e perandorëve bizantinë për ripopullimin e Greqisë kontinentale me greqisht folës e të krishterë të sjellë nga vendet e tjera, përfshi disa popullsi armene nga Kaukazi, zgjati plot 2 shekuj. Kjo është edhe periudha kur latinishtja zëvendësohet me greqishten si gjuhë zyrtare.
![]() |
Dyndjet sllave dhe bullgare turkomane |
Ndërkohë ata bënë ç‘ishte e mundur që të zhvendosnin sa më shumë popullsi sllave nga territore si Peloponezi, Atika, Thesalia, etj., duke i transferuar ata në Azinë e vogël e në territore kufitare ku mund të shërbenin si forca ushtarake. Këto masa ata i konsideronin të domosdoshme për të rivendosur autoritetin bizantin në territoret e perandorisë, sidomos në Greqi, që kish qenë edhe qendër e lashtë civilizimi dhe bastion i bizantinëve.
Toponime që tregojnë zhvendosjen e popullsive serbe në azinë e vogël dhe lindjen e mesme |
Pra, për shkak të këtyre ngjarjeve, shqiptarët do kenë qenë shumë të paktë në numër për të shkaktuar ndonjë trazirë nga ato që vlenin të përmendeshin në kronikat bizantine dhe me ardhjen e turkomanëve e sllavëve në Ballkan kronikanët kishin me se ç'të merreshin.
Po bullgarët, serbët, etj.?
Në mesjetë sllavët nuk kishin ndonjë dallim shumë të madh nga njëri tjetri. Edhe pse kishin emërtimet e tyre specifike, ata nuk e shihnin veten e tyre si të veçuar nga sllavët e tjerë të Ballkanit. Ata konsideroheshin pjesë përbërëse e grupimit të madh të popullsive sllave dhe emërtimet ishin më shumë një nocion klanor e territorial sesa një nocion i mirëfilltë etnik si ai që kemi sot.
Edhe sot e kësaj dite, gjuhët sllave të Ballkanit kanë ruajtur ngjashmëri të madhe me njëra tjetrën. Të gjitha bashkë ato formojnë atë që në anglisht quhet dialect continuum (vazhdimësi dialektesh). P.sh. bullgarishtja zyrtare dhe sllavo-maqedonishtja zyrtare janë si dy dialekte të gegërishtes, por në dy pika ekstreme, dhe serbët e jugut arrijnë të kuptohen mjaft mirë me sllavo-maqedonasit. Ndërsa gjuha e Serbëve të jugut me atë të Kroatëve të veriut është pothuajse identike. P.sh, që të heqim një paralele me shqipen, dallimi mes gegërishtes dhe toskërishtes është si dallimi mes Serbishtes dhe Sllovenishtes, e cila është zyrtarisht një gjuhë krejt tjetër.
![]() |
Gjuhët sllave të jugut formojnë një vazhdimësi dialektesh |
Në këtë kontekst, serbët, bullgarët (përfshi sllavo-maqedonasit e sotshëm), kroatët, etj, ishin një shumicë dërrmuese pak a shumë homogjenë që i rrethonte popullsitë shqiptare pothuajse nga të gjitha anët, edhe në jug. Prandaj kur flasim për sllavët e Ballkanit, duhet të kuptojmë se pavarësisht konflikteve për pushtet mes veti, ata i përkisnin një grupi popujsh me tipare shumë të ngjashme me njëri tjetrin e tejet të ndryshëm nga arbrit (shqiptarët) dhe grekët autoktonë.
Megjithatë, edhe pse sulmuan shumë qytete e pushtuan shumë territore, trazirat më të mëdha në Ballkan nuk i filluan sllavët por fiset turkomane, specifikisht bullgarët, kumanët dhe peçenegët. Ishin bullgarët turkomanë ata që u bënë strumbullarët e krijimit të perandorisë së ardhshme bullgare në vitin 670. Bullgarët kishin ardhur që nga Azia qendrore e ishin vendosur përgjatë bregut veri perëndimor të Detit të Zi, në Ukrainë, Moldavi dhe Rumani. Pastaj ata u zgjeruan drejt Trakisë (Bullgarisë së sotshme) dhe atje shfrytëzuan popullsinë vendase, tashmë me shumicë sllave, për të përhapur sundimin e tyre pothuajse në të gjithë Ballkanin, përfshi edhe territoret e Shqipërisë.
![]() |
Hanati bullgar turkoman në Ballkan para se të formohej perandoria e parë bullgare. |
Perandoria bizantine, në udhëheqjen e patrikanës së Kostandinopojës, kishte disa dekada që kishte filluar punën për konvertimin e sllavëve nga paganë në të krishterë, duke krijuar ndër të tjera edhe një alfabet sllav që ata të mund ta përdornin për të shpërndarë doktrinat fetare të krishtera*. Udhëheqësit turkomanë, duke e vlerësuar fuqinë e institucionit të kishës, e shfrytëzuan këtë sipërmarrje bizantine dhe në vitin 864 perandori bullgar Borisi I, pasi përqafoi krishterimin, filloi investimin për krijimin dhe shpërndarjen e liturgjisë kishtare sllave në territoret e perandorisë së tij, me qëllim krijimin e një patrikane bullgare të pavarur nga ajo e Kostandinopojës.
*Alfabetin sllav e porositi mbreti Ratislav i Moravisë në Evropën qendrore për të përhapur krishtërimin atje. Alfabeti u krijua nga misionarët bizantinë Cirili dhe vëllai i tij Metodi.
Sipërmarrja e parë bullgare turkomane për krijimin e një perandorie në Ballkan, e cila për afro 140 vjet përfshiu edhe territoret e Shqipërisë, zgjati deri në vitin 1018, plot 348 vjet dhe për më shumë se 3 shekuj e gjysmë kundërshtarin kryesor pati Kostandinopojën, pushteti dhe fuqia e së cilës dukej se nuk shteronte kurrë edhe pse ishte goditur për vdekje me dhjetëra herë.
|
Shtrirja maksimale e sundimit të perandorisë së parë bullgare gjatë shekujve IX-X. |
Një ndër shtetet e tjera ballkanike që u formua relativisht herët ishte Dukati i Kroacisë, i cili u themelua nga një udhëheqës me emrin Porga, mes viteve 610-640 i cili, sipas studiuesve, me shumë gjasa duhet të ketë pasur prejardhje nga një familje princërore avaro-turkomane. Për më shumë se 350 vjet Dukati i Kroacisë kishte ekzistuar si shtet vasal, herë i perandorisë bizantine e herë i perandorisë karoliniane. Në vitin 925 Dukati i Kroacisë u rrit në nivelin e mbretërisë së pavarur dhe qëndroi si e tillë edhe për 117 vjet të tjera. Mbretëria e Kroacisë përfshinte pak a shumë Kroacinë sotshme, një pjesë të madhe të Bosnjës dhe një pjesë të Serbisë së sotshme. Ashtu si edhe perandoria e parë bullgare, Dukati e më pas mbretëria e Kroacisë pati disa përplasje me perandorinë bizantine, e cila nuk u lodh asnjë herë në tentativat e saj për t’i rikthyer territoret Ballkanike në sundimin e vet.
![]() |
Dukati i Kroacisë me ngjyrë rozë. Perandoria bullgare me ngjyrë të gjelbër. Shek. i 9-të e.s. |
Ekzistenca, sukseset dhe jetëgjatësia e perandorisë së parë bullgare i kishin vënë të gjithë sllavët e Ballkanit në lëvizje për të kërkuar sa më shumë territore e pushtet. Një nga shtetet ballkanike që u krijua pas rënies së perandorisë së parë bullgare ishte Dukla (Dioklea), territori i së cilës gjatë ekzistencës së saj përfshiu Malin e Zi, një pjesë të Shqipërisë së veriut, një pjesë të Bosnjës jugore, një pjesë të madhe të Kosovës dhe Sanxhakun e sotshëm. Deri në vitin 1040 Dukla kishte qenë një principatë vasale e perandorisë bizantine, ndërsa shkëlqimin maksimal Dukla e pati mes viteve 1043-1080 nën udhëheqjen e Mihaillo Vojisllavljeviçt dhe djalit të tij Kostantin Bodinit kur ekzistoi si mbretëri e pavarur.
Është me interes fakti që shqiptarët përmenden për herë të parë në kronikat bizantine në lidhje me dy kryengritje, atë të vitit 1043, dy vjet pas krijimit të Duklës dhe atë të viti 1080, vitin kur princat e Duklës hynë në luftë civile.
Pas vdekjes së Bodinit, Dukla hyri në një periudhë trazirash e lufte civile mes kushërinjsh, një ndër të cilët ishte edhe princi i Rashkës, Vukani, i cili do të bëhej themeluesi i Principatës e më vonë Mbretërisë së Madhërishme të Serbisë.
![]() |
Dukla (Dioklea) në shtrirjen e saj maksimale |
Principata e Madhërishme Serbisë u themelua në vitin 1091 si rezultat i rënies së Duklës në luftë civile dhe qëndroi si e tillë për 128 vjet, deri në vitin 1219 kur u shndërrua në mbretëri të pavarur me mbretin Stefan Nemanjiç në krye, vajzën e të cilit e kish marrë për grua Dhimitër Progoni, zot i Principatës së Arbrit. Mbretërisë serbe do ti duheshin edhe 127 vjet të tjera dhe shumë luftëra e traktate paqeje derisa të vinte koha që Stefan Dushani ta kthente atë, për një periudhë të shkurtër 25 vjeçare, në perandori.
Mirëpo mbretëria serbe, ndryshe nga ajo bullgare turkomane, nuk u formua krejt si rezultat i fuqisë së saj të madhe ushtarake. Mbretërit serbë përfituan shumë nga fakti që Kostandinopoja sa vinte e më shumë po gjendej nën presione ushtarake nga të katër anët e domeneve të saj. Sidomos ndarja e perandorisë bizantine në disa copa pas pushtimit të Konstandinopojës prej latinëve dhe lufta civile në Despotatin e Epirit andej nga viti 1340 i dhanë dorë Stefan Dushanit që ta fuste të gjithë territorin e këtij të fundit nën sundimin e vet.
![]() |
Principata e Madhërishme e Serbisë nën Stefan Nemanjën |
Ekzaktësisht 169 vjet pas rënies së perandorisë së parë bullgare, të pakënaqur nga sundimi bizantin dhe duke përfituar nga pushtimi norman i territoreve bizantine në ballkan në vitin 1185, fisnikët e rajonit të Tarnovos në Bullgari, me në krye vëllezërit Teodor dhe Ivan Asenin, u hodhën në kryengritje kundër perandorisë bizantine. Burimet historike tregojnë se vëllezërit Aseni nuk ishin sllavë por vllehë, dmth latinisht folës (Rumunë). Ndërsa historianët gjykojnë se vëllezërit Aseni duhet të kenë qenë me origjinë turkomane, kumanë ose peçenegë, ose të miksuar, pasi Ivani (emri i pagëzimit) thërritej edhe Asen Belgun, që në gjuhët turkomane përkthehet “I shëndetshëm dhe i mençur”. Prejardhja turkomane e vëllezërve Aseni nuk përbën ndonjë çudi pasi turkomanët (kumanët) dalin prapë në skenë kur i bashkohen kryengritjes së vëllezërve Aseni në Tarnovo dhe Myzi (Bullgaria e veriut) dhe shërbejnë si forca kryesore goditëse e saj. Me kryengritjen e Tarnovos do të fillonte një valë e re luftërash bizantino-bullgare, të cilat do të krijonin kushtet për zhvillimin e ngjarjeve të rëndësishme gjetiu në Ballkan. Perandoria e dytë bullgare do të ekzistonte edhe 211 vjet të tjera, deri në vitin 1396 kur do të mposhtej nga turqit Osmanë.
Despotati i Epirit
Shtet me rëndësi për historinë mesjetare të shqiptarëve është Despotati i Epirit. Ashtu si Principata e Arbrit, territoret e Despotatit të Epirit u gjendën krejt rastësisht të pavarura, për shkak se Konstandinopoja u pushtua nga latinët e kryqëzatës së IV-ët dhe si rezultat humbi kontrollin mbi territoret e saj në Ballkan. Po të mos ishte për atë ngjarje të papritur në vitin 1204, ashtu si dhe Principata e Arbrit, Despotati i Epirit nuk do të kishte ekzistuar fare.
Për grekët, shqiptarët, arumunët, etj., shteti legjitim ishte perandoria bizantine me qendër Kostandinopojën. Ashtu kish qenë për më shumë se 870 vjet dhe nuk kishte pse të ndryshonte nëse ngjarjet madhore dhe kushtet rrethanore nuk e kërkonin një gjë të tillë. Ndryshe nga sllavët, shqiptarët, arumunët e grekët kishin jetuar nën perandorinë Romake për pothuajse 1400 vjet. Perandorët bizantinë (romakë) kishin edhe legjitimitetin institucional edhe atë fetar, dhe ky i fundit përfaqësohej nga institucionin më i fuqishëm fetar që kish njohur bota deri atëherë, patrikana e Kostandinopojës. Vetë Despotët e Epirit, ashtu si edhe perandorët e Kostandinopojës ishin nga familjet mbretërore bizantine, familje që kishin sunduar bizantin me dinasti dhjetëra-vjeçare.
![]() |
Territoret e perandorisë bizantine pas pushtimit të Kostandinopojës nga kryqëzata e IV-ët katolike në vitin 1204. Në të majtë, me të kuqe është shënuar territori i Despotatit të Epirit |
Pra despotati i sapokrijuar i Epirit nuk ishte një mbretëri “armike” dhe e huaj, siç mund të ishin në parim ato sllave. Ajo ishte pasardhëse legjitime e perandorisë romake (bizantine) me qendër në Kostandinopojë dhe sundimtarët e saj gëzonin plotësisht mbështetjen e perandorëve dhe patrikanës së Kostandinopojës, tashmë të zhvendosur në Nikea. Despotati i Epirit dhe Perandoria e Nikeas, të dyja bashkë do të përpiqeshin që të rimerrnin edhe një herë Kostandinopojën prej latinëve dhe të rivendosnin pushtetin e shpërbërë të perandorisë romake (bizantine).
Prandaj kur principata e arbrit, me vdekjen e Dhimitër Progonit, hyri nën sundimin e despotatit, kjo gjë ndodhi krejt natyrshëm e pa luftë. Gruaja e Progonit, duke qenë që ishte e bija e mbretit serb, shumë mirë mund të kishte vendosur që të martohej me një princ nga mbretëria e të atit dhe territoret e principatës së arbrit t’ia bashkëngjiste mbretërisë së Serbisë. Mirëpo kjo nuk ndodhi. Përkundrazi, ajo u martua me një arkond grek nga despotati i Epirit. Pse ndodhi kjo? Ndoshta sepse udhëheqësit dhe popullsia vendase e shikonin më të arsyeshme që të përfshiheshin në atë çka ndoshta e quanin autoritet legjitim perandorak se sa në një mbretëri sllave të huaj.
![]() |
Principata e Arbrit në maksimum e saj të zgjerimit territorial. |
Despotati i Epirit ekzistoi gjatë, e bashkë me të edhe shqiptarët. Por jo gjatë gjithë kohës. Pati periudha gjatë së cilave territoret shqiptare ranë në fillim në duart e mbretërisë normane të Siçilisë (dy Siçilive) dhe pastaj të mbretërisë Anzhuine të Siçilisë, dy mbretëri të fuqishme katolike, të dyja nga dinasti franko-gjermanike. Në vitin 1279, territoret shqiptare u rikthyen sërish nën sundimin bizantin.
Aty rreth viteve 1300 shënohen lëvizjet e para shqiptare drejt Livadhit, Atikës, Peloponezit, Eubesë, etj. Këto lëvizje u bënë me iniciativë të sundimtarëve bizantinë, ndoshta për shkak se Greqia ishte shkretuar nga luftërat e njëpasnjëshme të bizantinëve dhe ndoshta për të vazhduar ripopullimin e Greqisë me popullsi autoktone të krishtera jo sllave, një proces që kish filluar që në shekullin e tetë. Kjo zhvendosje tregon se tashmë shqiptarët kishin arritur një numër të konsiderueshëm popullsie, e cila mund të zgjerohej në territore të tjera jashtë bërthamës tradicionale shqiptare.
Në dokumentet e despotatit figuron një ngjarje me rëndësi thelbësore në të cilën përmenden shqiptarët, kësaj radhe edhe më aktivë. Në vitin 1337, perandori bizantin Androniku u III i Paleologëve vjen në Epirin e Veriut me një ushtri, e cila përbëhej pjesërisht nga 2000 turq të aleatit të tij Umurit të Ajdinëve “për të zmbrapsur sulmet e shqiptarëve ndaj perandorisë bizantine” dhe pasi të mbaronte punë me ta do kthehej nga Despotati. Kjo ngjarje është me rëndësi të veçantë pasi këtu përmenden për herë të parë shqiptarët si forcë goditëse e organizuar që tenton të veprojë jashtë territoreve të veta tradicionale. Që nga ky moment, shqiptarët do të përmenden më shpesh në dokumentet e kohës.
Si rezultat i luftës civile mes Jovanit V të Paleologëve dhe Jovanit të VI të Kantakuzenëve, dy familje perandorake bizantine, Despotatit i Epiri u dobësua mjaft dhe në vitin 1348 u fut në sundimin e Stefan Dushanit, themelues is perandorisë Serbe me kryeqytet Shkupin. Territoret shqiptare u futën në sundimin e perandorisë Serbe por jo me luftë. Kyçi i suksesit të fushatës së Stefan Dushanit ishte gjenerali Sirgjan Paleologu Filantropeno, një aristokrat bizantin me origjinë të përzierë greko-kumane (turkomane). Gjenerali gëzonte famë dhe respekt të madh në territoret e perandorisë dhe falë marrëveshjeve të tij, kështjellat që u rrethuan nga forcat e Dushanit u dorëzuan pa bërë luftë. Edhe vetë perandori i Despotatit, Nikifori i II Orsini Duka u la të që ishte sundimtar i Despotatit por si vasal i Stefanit.
![]() |
Perandoria serbe nën carin Stefan Dushan |
Perandoria serbe e pati jetën shumë të shkurtër. Vetëm 25 vjet. Në vitin 1356 Nikifori i II Orsini Duka (i familjes sundimtare Latine të Despotatit të Epirit), duke përfituar nga lufta civile bizantine dhe nga vdekja e Stefan Dushanit, rivendosi përkohësisht pavarësinë e Despotatit me qendrën në Selanik. Mirëpo tre vjet më vonë ai u përball me sulmet e fiseve shqiptare nën udhëheqjen e Gjin Bua Shpatës dhe Pjetër Loshës në betejën e Akelout ku dhe humbi jetën, ndërsa ushtria e tij, pjesërisht e përbërë nga turq osmanë, u shpërbë krejt. Pjetër Losha dhe Gjin Bua Shpata shfrytëzuan situatën dhe krijuan dy despotate të reja, atë të artës dhe Angjelokastros.
Me interes është fakti që në Kronikat e Janinës thuhet se principatat a Pjetër Loshës dhe Gjin Bue Shpatës ishin principata të krijuara prej fiseve shqiptare, gjë që tregon se shqiptarët, edhe pse ishin në gjendje të krijonin principata, vazhdonin të ruanin strukturën e tyre shoqërore fisnore. Pra, të dy këta liderë ishin kryetarë fisesh dhe jo princër me tituj të trashëguar. Gjithashtu në po këto kronika thuhet se me Shqiptarët ishte e vështirë të luftohej pasi kur nuk kishin epërsi në luftime, ata tërhiqeshin në vendbanimet e tyre malore, ku ishte e pamundur t'i mposhtje. Një ngjarje tjetër interesante që vërteton organizimin fisnor të shqiptarëve gjendet po në kronikat e Janinës ku përshkruhet një sulm plaçkitës në zonat rurale të principatës së Janinës prej fisit të Mallakasiove (Mallakastriotëve) nga Shqipëria, të cilët shkretuan e bastisën gjithë rrethinat e qytetit të Janinës.
![]() |
Principatat e Pjetër Loshës dhe Gjin Bua Shpatës. Vihet re largësia e këtyre dy principatave shqiptare nga territoret tradicionale shqiptare |
Pas kësaj ngjarjeje të rëndësishme fillon periudha e të ashtuquajturave principatave shqiptare (e cila zgjat deri në rënien e Shqipërisë nën sundimin osman) dhe që tash e tutje shqiptarët do të përmenden rregullisht nëpër dokumente e kronika. Natyrisht që zgjerimi i shqiptarëve do të ketë filluar padyshim disa shekuj më parë (përmendim revoltat e 1043-shit dhe 1080-tës, principatën e Arbrit dhe luftën e 1337-ës), por mesi i shekullit të 14-të është momenti kur ata përmenden në aksione jashtë territoreve të tyre tradicionale dhe ku ia arrijnë, në sajë të forcës së tyre goditëse, të krijojnë shtete të mirëfillta mesjetare.
Përmbledhje dhe konkluzione
Siç pamë edhe më sipër, në shekujt 6-të dhe 7-të p.e.s, të gjitha popullsitë autoktone të Ballkanit, përfshi ilirët, pësuan sulme e goditje të njëpasnjëshme, të cilat në shumë raste rezultuan në zhdukjen ose asimilimin total të tyre. Ata që patën mundësi të mbijetonin ishin arbrit (paraardhësit e shqiptarëve), arumunët (vllehët) një pjesë e popullsive greke dhe latinisht folësit e Rumanisë, të cilët do kenë qenë të shumtë në numër pasi shtriheshin deri në Moldavi. Të tjerët, trakët, dakët (ata që mund të kishin ruajtur gjuhën), shumica e ilirëve dhe grekëve kontinentalë, etj, u zhdukën krejt. Nga ata që arritën të mbijetonin në Ballkanin jugor, arbrit (dhe arumunët) do kenë qenë padyshim më të paktët në numër. E ndërkohë që popullsia e Greqisë u ripërtëri me popullsi greqishtfolëse të ardhura nga Azia e vogël dhe Italia e jugut, sipas planit të vendosur nga Perandorët Bizantinë në shekujt e 8-të dhe të 9-të, arbrit u detyruan që të tërhiqeshin në malet e Shqipërisë e të rimerrnin veten nëpërmjet dinamikave natyrale të rritjes së popullsisë, derisa të arrinin numrat e mjaftueshëm, si të thuash, “për të thënë fjalën e tyre” në librin e historisë mesjetare. Ky proces zgjati plot 400 ose 500 vjet dhe gjatë kësaj periudhe shqiptarët (arbrit) as mund të krijonin shtete dhe as mund ta kishin në plan një sipërmarrje të tillë. E vetmja gjë që mund të bënin shqiptarët gjatë kësaj periudhe ishte që t’i mbijetonin zhdukjes totale.
Sllavët ishin aq të shumtë në numër saqë depërtuan thellë në Ballkan (deri në Peloponez) dhe me ndihmën e avarëve, bullgarëve, kumanëve e peçenegëve turkomanë zaptuan jashtëzakonisht shumë territore të banuara nga popullsitë vendase. Ky ishte fati i të gjithë popullsive autoktone të Ballkanit, jo vetëm i shqiptarëve, dhe në këto kushte, ata nuk mund të bënin ndonjë gjë kushedi se çfarë.
Këtë tezë e vërteton edhe një studim i kohëve të fundit mbi “Prejardhjen e Trashëgimisë Gjenetike në Europë”. Studiuesit zbuluan se krejt ndryshe nga të gjithë popullsitë e Europës së sotshme, të cilat ndajnë trashëgimi gjenetike me popujt fqinj (d.m.th. kanë një numër të lartë paraardhësish të përbashkët), trashëgimia gjenetike e shqiptarëve e ka origjinën në mënyrë të theksuar brenda të njëjtit grup etnik. Askush tjetër, madje as grekët dhe as italianët nuk ndajnë të njëjtën trashëgimi gjenetike brenda popullsisë së tyre në atë nivel si shqiptarët.Çfarë është më interesante është fakti se kjo trashëgimi gjenetike daton nga 500 deri në 1500 vjet të shkuara, gjë që përputhet plotësisht me periudhën pak para dyndjeve sllave dhe pak para dyndjes osmane. Më tutje studimi arsyeton se ky tipar i jashtëzakonshëm i trashëgimisë gjenetike të shqiptarëve tregon se të gjithë shqiptarët që jetojnë sot në botë e kanë prejardhjen nga një grup i vogël fillestar arbëror (ose Ilir) diku nga shekulli i 6-7 dhe se nuk ka patur asnjëherë shkallë të lartë miksimesh gjenetike mes shqiptarëve dhe popullsive të tjera fqinje.
D.m.th, në 1500 vitet e fundit, ndryshe nga të gjithë popujt e Europës, përfshi italianët dhe grekët, shqiptarët e kanë prejardhjen pothuajse ekskluzivisht vetëm nga arbrit/ilirët.
Ky konkluzion i studimit përputhet tërësisht me konkluzionet e këtij shkrimi që arsyeton se në këtë periudhë paraardhësit e shqiptarëve pësuan disa goditje të rënda të njëpasnjëshme që ndikuan në shfarosjen e pjesës më të madhe të popullsisë ilire/arbërore dhe se ata që mbijetuan ishin vetëm pak fise, të cilat, më pas, gradualisht do të formonin etninë arbërore/shqiptare.
Comments
Shto një koment