Ky nuk është studim i mirëfilltë linguistik shkencor dhe nuk duhet marrë si
i tillë. Ky punim shërben vetëm si pikënisje për kërkime të mëtejshme.
Harta interaktive e toponimeve në Shqipëri dhe në vendet përreth (në punim e
sipër).
Çfarë konkluzionesh mund të nxjerrim nga harta e mësipërme?
Latinishtfolësit e Ballkanit
Në hartë (e papërfunduar) vihet re një prani e madhe e emërtimeve latine të
përhapura në të gjithë Shqipërinë. Grumbullime veçanërisht të shumta ka në
zonën e Tiranës, Matit, Kurbinit, Gjirokastrës, Kurveleshit dhe Sarandës.
Emërtime latine ka edhe në Greqi dhe në vendet sllave të Ballkanit. Mirëpo në
këto vende ato janë më të pakta në numër për shkak se në të shumtën e rasteve
sllavët kanë vënë emërtimet e tyre, ndërsa në Greqi ato janë ndërruar me emërtime greke për qëllime politike, gjë që na pengon të shohim sot një pamje të qartë të situatës në
terren. Prandaj, Shqipëria paraqitet si vendi më i përshtatshëm për të
analizuar gjendjen e të gjithë Ballkanit.
Nga historia dimë që shumë nga qytetet e lashta të Ballkanit kishin emërtime latine.
Pra, dokumentacioni tregon se kasta më e lartë qytetarëve romakë flisnin
latinisht. Gjithashtu, nga historia dimë që pas dyndjeve sllave në Ballkan në
shekujt VI-të e VII-të, në Greqinë kontinentale u importuan greqishtfolës nga
ishujt e egjeut, Anadolli, Trepizonti, Armenia dhe Siçilia. Dimë gjithashtu se
po në këtë periudhë gjuha zyrtare e perandorisë bizantine ndryshoi nga
latinisht në greqisht. Pra, mund të mendojmë se gjuha ndryshoi për shkak të
ndryshimeve të popullsisë.
Nuk mund të rri pa përmendur edhe personazhet e shumta historikë si princa e
kalorës, nga perandoria bizantine, tek ajo bullgare, serbe, tek mbretëria e
Kroacisë dhe tek Depostatit i Epirit, të cilët në dokumentacion figurojnë si
vlleh (latinishtfolës).
Prania e numrit të lartë të emërtimeve latine, prania e komunitetit arumun
(latinisht folësit) në Ballkanin e jugut, ekzistenca e popullsive
latinishtfolëse në Ballkanin e veriut (Rumani e Moldavi), numri i lartë i
huazimeve latine në gjuhën shqipe, si dhe njohuritë që kemi për ngjarjet
historike, na bëjnë të mendojmë se para dyndjeve sllave latinishtfolësit e Ballkanit do kenë qenë ose shumicë e vogël, ose një pakicë domethënëse. Këta
latinishtfolës nuk kanë qenë detyrimisht latinë të ardhur nga Italia (edhe të tillë ka pasur) por vetë
ilirët, trakët, dakët e grekët.
Ky konkluzion është krejt i logjikshëm nëse marrim parasysh që latinishtja
zëvendësoi komplet gjuhët europiane të gadishullit iberik e Galisë (Franca) e
më gjerë, si keltishten, ashtu edhe gjuhët gotike të popujve gjermanikë që
erdhën më vonë. Nëse latinishtja arriti të mbizotëronte në njërën anë të perandorisë, atëherë
cila ishte arsyeja që të mos mbizotëronte edhe anën tjetër? Po të mos ishte për
dyndjet sllave dhe inkursionet avare, me shumë gjasa që shumica (ose gjysma) e
popullsisë së Ballkanit sot do të fliste latinisht.
Në këtë kontekst, nuk është çudi që shqipfolësit, edhe në periudhën e
lashtësisë të kenë qenë një pakicë që jetonte në trevat e veta malore, disi e
izoluar për shkak të sistemit të vet shoqëror fisnor. Toponimet shqipe në
Shqipëri e mbështesin një tezë të tillë. Shpërndarja e tyre në hartë në raport
me emërtimet latine tregon se shqiptarët nuk kanë qenë dominantë në të gjithë
territorin e Shqipërisë dhe se grumbullimet kryesore ndodhen në zona të thella
malore.
Një indikacion mbi dominimin e mundshëm të latinishtes në Ballkan na e jep
edhe Lidhja Ballkanike Gjuhësore (Balkan Shprachbund). Sidomos boshti Shqipëri
- Maqedoni - Bullgari lindore - Rumani, gjatë së cilit vërehen tiparet më të
shumta gjuhësore të ngjashme. Nga ky këndvështrim, latinishtja vulgare e
ballkanit, e ndikuar më parë nga gjuhët autoktone, mund të ketë shërbyer si
mjeti kryesor me anë të të cilit janë krjiuar tiparet e ngjashme mes këtyre
gjuhëve, të cilat janë transferuar pastaj nga popullsitë e asimiluara tek shqipja dhe gjuhët sllave.
Me zhvillimin e ngjarjeve në shekujt që pasuan, latinishtfolësit në Ballkanin
jugor e perëndimor u zhdukën pothuajse krejt dhe sot ata ekzistojnë vetëm në
Shqipëri, Greqi e Maqedoni si pakica gjuhësore me emrin Arumunë ose Vllehë.
Sllavët
Në hartë vihet re gjithashtu prania e madhe e emërtimeve sllave në Shqipëri e
Greqi. Emërtimet sllave mbizotërojnë Shqipërinë e jugut, ultësirën lindore,
ultësirën veriperëndimore dhe ultësirat verilindore. Emërtime sllave të
shpërndara ka edhe në brendësi të Shqipërisë. Ndërsa në Greqi* ato dukshëm
dominojnë të gjithë Greqinë veriore (edhe pse në hartë nuk janë vendosur ende)
dhe ka grumbullime edhe në pjesë të tjera të vendit.
*Duke qenë se Greqia këto dy shekujt e fundit ka zëvendësuar shumë nga
emërtimet e fshatrave e qyteteve, është e vështirë të krijosh një pamje të
qartë të situatës në terren.
Nga historia dimë që sllavët pushtuan pjesën më të madhe të Shqipërisë e
Greqisë dhe u vendosën në territoret e dikurshme të ilirëve dhe grekëve.
Emërtimet sllave në hartë e vërtetojnë këtë. Ngjarjet historike dhe
dokumentacionet e shumta, sidomos ato të historisë së perandorisë bullgare,
gjithashtu e vërtetojnë këtë tezë. Në fakt, në Shqipërinë veri-lindore, jugore
dhe në Greqinë veriore, emërtimet sllave janë katërcipërisht bullgare. Ndërsa
emërtimet serbe i gjejmë në ultësirën veriperëndimore të Shqipërisë.
Gjithashtu dimë se i gjithë territori midis Janinës dhe Delvinës është quajtur
deri andej nga shekulli XVI Vagenetia, për shkak të fisit sllav të quajtur
Bajneta (Bayouneta)*.
*Mbiemri Bajneta është i pranishëm edhe sot e kësaj dite në Greqi.
Nga kjo situatë mund të dalim në disa konkluzione. E para është që për një
periudhë disa shekullore kontakti midis shqiptarëve (arbërorëve) dhe grekëve
ka qenë tejet i kufizuar, pasi në mes tyre kanë shërbyer si barrierë sllavët.
E dyta është që shqiptarët janë zgjeruar gradualisht drejt jugut*.
Dokumentacioni historik e mbështet situatën e paraqitur në hartë. P.sh. në
kronikat e Janinës përmenden shqiptarët e Mallakastrës. Por nga ana tjetër
edhe grekët e arumunët janë zhvendosur në vendbanimet sllave. Si në Shqipëri,
ashtu edhe në Greqi, gjejmë vendbanime me emërtime qartësisht sllave të
banuara nga shqiptarë, arumunë dhe grekë dhe asnjë sllav i vetëm. P.sh. në
Kurvelesh, Gjirokastër, Zagori, Pogon, Dropull, Sarandë, etj, gjejmë një mori
emërtimesh latine e sllave por shumë pak shqipe e greke. Edhe kur gjenden, ato
janë zakonisht të vonshme. Edhe vetë krahinat kanë emërtime latine. E njëjta
gjendje paraqitet edhe në Greqi.
*Faktet më bëjnë të mendoj se shumica e toskëve e kanë prejardhjen nga Gegëria.
Nga sa më sipër mund të dalim në konkluzionin që një pjesë e mirë e territorit
të Epirit ka qenë për një kohë e dominuar nga sllavët dhe shqiptarët me grekët
kanë ardhur atje më vonë. Ata janë zhvendosur në këto vendbanime pa ua
ndryshuar emrin sllav atyre. Ky konkluzion që vërtetohet nga shumë drejtime i
jep fund një herë e mirë debatit se cila etni është më e lashtë në Epir. E
vërteta është as njëra, as tjetra. Të dyja, madje në disa raste të treja
popullsitë moderne janë të ardhura pas sllavëve.
Ndërsa në Kosovë vërehen disa fenomene të tjerë shumë të rëndësishme për
studimin e historisë së shqiptarëve. Në shumë raste kur emërtimi i
vendbanimit është në gjuhën sllave, shqiptarët dhe serbët përdorin variante
të ndryshme të së njëjtës fjalë. Kështu shqiptarët përdorin variantin më të
lashtë të bullgarishtes së vjetër, ndërsa serbët përdorin variantin e ri të
fjalës në serbisht. P.sh. emërtimi Suharekë (suha reka - lum i thatë) që
përdorin shqiptarët (në bullgarishten e vjetër) është më i lashtë se
varianti Suva Reka që përdorin serbët në serbishten moderne. Po ashtu edhe për
emërtimin Suhodoll (suho dol - fushë e thatë) që përdorin shqiptarët është
varianti i bullgarishtes së vjetër, ndërsa serbët përdorin variantin e ri
serbisht Suvi Do. Emërtim tjetër është edhe Dobërdoll (fushë e mirë) vs
Dobri Do, Strellc (стрелац-shigjetar) vs Streoc, etj.
Një tjetër mënyrë se si dallohen emërtimet e përdorura nga shqiptarët
përkundrejt atyre të përdorura nga serbët është prapashtesa -vac dhe
-vec/-evc/-ovc/-ec/-oc. Ndërkohë që serbët përdorin pëgjithësisht
prapashtesën serbe -vac, shqiptarët përdorin prapashtesën bullgare -vec, ose
-evc/-ovc ose variantet e shqiptarizuara të saj -ec/-oc. Kështu, varianti
serb Orahovac, në shqip bëhet Rahovec, Brestovac - Brestovc, Drenovac vs
Drenoc, etj.
Ky dallim midis shqiptimit që i bëjnë emërtimit shqiptarët dhe shqiptimit që
i bëjnë emërtimit serbët, i mbështetur edhe nga dokumentacioni historik, më
bën të mendoj se shqiptarët janë më të hershëm në ato vendbanime se sa
serbët, të paktën që nga koha e perandorisë bullgare. Kjo vjetërsi
llogaritet me të paktën 200-300 vjet.
Ka raste kur serbët gjithashtu përdorin prapashtesën bullgare dhe kjo ndodh
kryesisht në Kosovën lindore, ndërsa shqiptarët përdorin prapashtesën serbe
dhe kjo ndodh kryesisht në Kosovën perëndimore. Fakti që serbishtja e
Serbisë juglindore është e përafërt me bullgarishten tregon se këto popullsi
mund të kenë qenë dikur bullgare por janë serbizuar me përhapjen e mbretërive
serbe.
Gjithashtu, mendoj se prapashtesa -ovo, nuk është prapashtesë serbe por
bullgare. Po të vërejmë hartën e Ballkanit me kujdes do të vëmë re se
vendbanimet me prapashtesën -ovo gjenden kryekëput në territoret e banuara
nga sllavo-maqedonasit dhe bullgarët, ose në territore të cilat kanë qenë
nën sundimin e bullgarëve në Shqipëri, Kosovë e Serbi. Është interesante
fakti se më shumë vendbanime me prapashtesën -ovo (-ovë në shqip) ka në
Shqipëri e Kosovë se sa në Serbi, Mal të Zi, Kroaci e Bosnje bashkë ku
dominon prapashtesa -evo. Pra, sipas këtij arsyetimi, emërtimi Kosovë
(Kosovo) në fakt nuk është serb por bullgar.
Grekët në Shqipëri
Nga studimi i emërtimeve greke në Shqipëri mund të vëmë re faktin që përveç
atyre që i përkasin periudhës helenistike, pra kolonive helene, të tjerat
janë gjerësisht emërtime më të reja, të vëna gjatë periudhës bizantine e
këtej. Emërtimet greke nuk kufizohen vetëm në jug. Ato shkojnë deri në
Kosovë e Serbi. Ashtu siç ka pasur zgjerim të popullsive shiqptare, ashtu ka
pasur edhe zgjerim e migrime të grekëve nëpër të gjithë Ballkanin.
Konkluzione
Sipas hartës së vendbanimeve dhe dokumentacionit historik është krejt e qartë
që shqiptarët, arumunët (latinisht folësit), sllavët dhe grekët të kenë jetuar
të përzierë në territoret shqiptare për një periudhë nga dy deri në katër
shekullore, por gradualisht, me rritjen e popullsisë shqiptare dhe me
ekspansionin e tyre (relativisht agresiv) në të gjitha drejtimet në mesjetë,
si dhe si rezultat i konflikteve të shumta mes perandorisë bullgare dhe asaj
bizantine, popullsitë sllave janë larguar nga vendbanimet e tyre në Shqipëri
duke ua "kthyer" kështu vendin edhe një herë fiseve shqiptare, arumunëve dhe
grekëve
Dhe në fakt, ky fenomen nuk është diçka e paimagjinueshme. Për arsye të
ndryshme historike, politike, fetare e kulturore (të cilat nuk do t'i
paragjykojmë këtu), ky fenomen është përsëritur edhe në Kosovë (e treva të
tjera) ku sllavët dhe shqiptarët kanë qenë pjesë e një procesi zgjerimi e
tkurrjeje demografike të vazhdueshme, në favor të njërës apo tjetrës palë, dhe nga e
cili duke se shqiptarët, për shkak të rezistencës së tyre pragmatiste, dolën
më në fund të "fituar".
Më poshtë kam paraqitur listën e toponimeve jo shqipe të vendbanimeve në
Shqipëri dhe shpjegimin e tyre në gjuhët përkatëse:
- lat - latinisht,
- lat v - latinishte vulgare
- gr v - greqishte e vjetër,
- gr biz - greqishte bizantine,
- sllav v - sllavishte e vjetër (bullgarisht)*,
- osm - osmanishte
*Shpeh herë, kur them "sllavishte e vjetër" nënkuptoj bullgarishten e vjetër
ose fjalë të valës së parë të sllavëve në shekullin e VI-të, që erdhi para
valës së dytë serbo-kroate në shekullin e VII-të. Në Shqipëri, vërejmë se
shumica dërrmuese i përkasin valës së parë sllave, d.m.th. janë në
bullgarishten e vjetër, dhe jo në serbisht.
(lista rifreskohet vazhdimisht me emërtime të reja).
Foto e mëposhtme ilustrojnë kuptimet e mundshme të disa emërtimeve specifike.
Comments
Shto një koment