Kur dhe pse ndodhi ndarja dialektore e gjuhës shqipe?

Shënim. Arsyetimi i mëposhtëm është bazuar tek të dhënat mbi zhvillimet historike dhe harta e emërtimeve të vendbanimeve në Shqipëri. Në këtë arsyetim nuk është bërë asnjë analizë e mirëfilltë gjuhësore.
Sot ekzistojnë disa teori që shpjegojnë ndarjen e gjuhës shqipe në dy dialekte, gege dhe toske. Njëra prej tyre, ajo më e rëndësishmja, përpiqet të vërtetojë se ndarja ka ndodhur përpara dyndjeve sllave duke arsyetuar se fenomeni i rotacizmit tek fonemat r/n, që është i pranishëm tek huazimet latine dhe helene, nuk shfaqet tek huazimet sllave. Unë mendoj që ky arsyetim nuk është i saktë pasi mungesa e rotacizmit tek huazimet sllave mund të shpjegohet shumë thjeshtë nëpërmjet zhvillimeve historike. Më poshtë unë do t'i shqyrtoj këto zhvillime historike dhe nëpërmjet arsyetimit do të dal në një përfundim logjik mbi periudhën dhe arsyen e ndarjes së gjuhës shqipe në dy dialekte kryesore. Hapi i parë që duhet hedhur për të shkuar drejt këtij përfundimi është të kuptuarit e natyrës së marrëdhënieve shqiptaro-latine dhe ndikimi që kanë pasur ato në prurjen e lartë të huazimeve latine në gjuhën shqipe.
Tek shkrimi me titull “Emërtime të vendbanimeve në Shqipëri dhe kuptimet e tyre”, pas një analize të toponimeve në Shqipëri dhe faktorëve të tjerë historikë, kam dalë në përfundimin se një pjesë e madhe e banorëve të Ballkanit si ilirët, trakët, dakët dhe grekët, gjatë sundimit romak adoptuan si gjuhë kryesore latinishten. Ata e braktisën gjuhën e tyre autoktone si mjet i përditshëm komunikimi dhe u latinizuan. Ky latinizim dallohet sot veçanërisht në Shqipërinë veriore, territor ku sllavët nuk kanë pasur mundësi të ndryshojnë fizionominë e toponimeve.
Këta latinisht folës autoktonë mund të kenë qenë një pakicë e madhe, por mund të kenë qenë edhe një një shumicë e vogël. Numri i madh i huazimeve latine në gjuhën shqipe mbështet idenë se latinisht folësit e Ballkanit duhet kanë qenë një shumicë e vogël, e përqendruar kryesisht në qendra ekonomike fushore. Ndërsa shqipfolësit duhet të kenë qenë një pakicë e madhe, e përqendruar kryesisht në zona malore. Ky konkluzion nuk përbën ndonjë çudi. Para se të binte nën sundimin romak, Iliria nuk është shquar asnjëherë për qendra urbane fushore, pasi ilirët nuk praktikonin as skllavërinë në bujqësi e as prodhimin me shumicë, aktivitete të cilat promovonin ndërtimin e qendrave të fortifikuara të tipit qytet-shtet. Përkundrazi, Ilirët jetonin përgjithësisht të shpërndarë në fise, në zonat kodrinore e malore, njësoj si shqiptarët, ku ishin të mbrojtur nga sulmet e ushtrive armike dhe bastisjet, të cilat ata vetë i praktikonin herë pas here kundër kolonive helene. Ishin romakët ata që i dhanë fund status quo-së duke sjellë në Iliri ekonominë skllavopronare, garnizonet permanente ushtarake, fortifikimet e shumta dhe qendrat ekonomike fushore, gjë që solli përdorimin e latinishtes si gjuhë kryesore në shumë qendra të banuara.
-- Premisa e parë është që në Iliri, një pjesë e madhe e popullsisë autoktone ka qenë e latinizuar. Ky latinizim ka ndikuar në numrin e lartë të huazimeve latine në gjuhën shqipe. --Më tej, në shkrimin me titull “Pse nuk e krijuan shqiptarët shtetin e tyre mesjetar?” kam shpjeguar se si një sërë ngjarjesh historike madhore, siç ishin: murtaja e Justinianit, dyndjet sllave dhe bastisjet avaro-sllave që pasuan për gjatë gjithë shekullit të VI-të, i dhanë fund dominimit të shumicës latinisht folëse në Ballkanin jugor dhe perëndimor, duke e katandisur ata në vetëm disa komunitete të vogla të shpërndara sa andej-këndej, të cilat sot njihen si vllehë apo arumunë. Zhdukja e latinisht folësve në territoret shqiptare bëri që lidhjet e drejtpërdrejta mes shqipes dhe latinishtes të shkëputeshin dhe huazimet latine t’i nënshtroheshin transformimeve gramatikore të gjuhës shqipe. Tashmë fjalët latine nuk kishte kush t’i mbante më në formën e tyre origjinale. Latinisht folësit ishin larg, përtej Adriatikut ose në tokat Vllahisë (Rumani).
E njëjta gjë ndodhi edhe me huazimet helene. Depërtimi i thellë i popullsive sllave në territorin e Epirit dhe zhdukja e pothuajse gjithë popullsive autoktone në këto troje do të bënte që shqip folësit dhe greqisht folësit të mos kishin lidhje të drejtpërdrejta me njëri-tjetrin për një periudhë rreth 500 vjeçare. Midis shqip folëseve dhe greqisht folësve qëndronte si një mur gjigand gjuhësor popullsia sllave, e cila fillonte në Toskëri dhe përfundonte në Thesali e Atikë. Edhe në këtë rast, ashtu si me huazimet latine, duke mos qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me gjuhën mëmë, huazimet greke do t’i nënshtroheshin transformimeve gramatikore të gjuhës shqipe dhe do të bëheshin subjekt i rotacizmit.
E njëjta gjë nuk mund të ndodhte me huazimet sllave, pasi që me ardhjen e tyre në shekullin e VI-të e.s. kontakti mes dy gjuhëve ka qenë i vazhdueshëm e i pandërprerë. Pra, huazimet sllave nuk mund të ndikoheshin nga fenomeni i rotacizmit sepse kur ka ndodhur ky fenomen sllavët kanë qenë vazhdimisht aty për t’i ruajtur ato në formën e tyre origjinale. Aq më shumë përforcohet ky argument kur vërejmë që në hartën e toponimeve, vendbanimet sllave me ato shqiptare nuk janë të ndara me thikë, por janë vende-vende të përziera, gjë që tregon një shkallë të lartë të bashkëveprimit të detyruar mes dy grupeve e rrjedhimisht të shkëmbimeve gjuhësore.
-- Premisa e dytë është që huazimet latine e helene i janë nënshtruar fenomenit të rotacizmit për shkak se me ardhjen e sllavëve kontakti i drejtpërdrejtë mes tyre dhe shqipes u ndërpre. Ndërsa kontakti mes shqipes dhe sllavishtes ka qenë i vazhdueshëm. --Tani që i sqaruam të gjitha këto, mund t’i hymë analizës për të shpjeguar se kur dhe pse ka ndodhur ndarja mes dialekteve gege e toske. Të dhënat historike, të cilat përputhen me hartën e toponimeve, na tregojnë se pas dyndjeve sllave, shqipfolësit kanë qenë të përqendruar kryesisht në Shqipërinë e veriut e të mesme dhe vende-vende në Shqipërinë e jugut. Pra, shumica dërrmuese e shqiptarëve kanë qenë mbi lumin Shkumbin dhe vetëm një pjesë fare e vogël mund të ketë qenë nën lumin Shkumbin. Mirëpo me hyrjen e shekullit të XI-të, vihet re një ekspansion gradual por i vendosur i Shqiptarëve drejt Shqipërisë së jugut e të lindjes, Greqisë, e mandej Maqedonisë e Serbisë.
Për herë të parë pas dyndjeve sllave në shekullin e VI-të e.s., shqiptarët përmenden me koordinata ekzakte në vitin 1078, si subjekte të Dukës së Durrësit në kuadër të një kryengritjeje të shqiptarëve dhe bullgarëve kundër Qarkut të Durrësit. Dua të theksoj këtu praninë e bullgarëve në këtë kryengritje në rrethinat e Durrësit, të cilët figurojnë si popullsi e Shqipërisë. Shqiptarët do të përmenden sërish në vitin 1204, kur Principata e Arbrit fitoi përkohësisht pavarësinë, dhe pastaj në vitin 1272 kur formohet Mbretëria e Shqipërisë. Hartat përkatëse të këtyre dy shteteve mbështesin argumentin që shqiptarët kanë qenë përqendruar kryesisht mbi lumin Shkumbin.
![]() |
Principata e Arbrit |
Harta e Mbretërisë së Shqipërsië ilustron shumë qartë rrugëtimin e shqiptarëve drejtë jugut nga drejtimi i bregut, drejt Çamërsië. Prania e emërtimeve sllave përgjatë bregut është disi më e rrallë se sa në brendësi të vendit.
![]() |
Kur u formua Mbretëria e Shqipërisë në vitin 1272 duke se shqiptarët kishin filluar tashmë rrugëtimin drejt jugut. |
![]() |
Despotatet e Gjin Bue Shpatës dhe Pjetër Loshës |
Mirëpo, ndërkohë që shqiptarët ishin zhvendosur masivisht drejt Greqisë, ata nuk kishin depërtuar ende në jug-lindje të Shqipërisë dhe Toskëria vazhdonte të ishte e banuar nga një shumicë sllave. Në vitin 1377 përmenden sulmet e fisit shqiptar Mallakasioi (Mallakastriotët) kundër Janinës, e cila në atë periudhë ishte nën sundimin e princit italian Carlo I Tocco. Nëse i referohemi hartës së toponimeve, e duke marrë parasysh këtë të dhënë historike, mund të teorizojmë që Mallakastra mund të ketë qenë e vetmja krahinë e Shqipërisë së jugut e banuar gjerësisht me shqiptarë. Ndryshe nga krahinat e tjera të Shqipërisë së jugut, aty vërehet një përqendrim i madh vendbanimesh me emërtime sipas familjeve, gjë që për mendimin tim tregon një lashtësi të vendbanimit, edhe pse emri i familjes vetë mund të jetë i shekujve të fundit.
Në kronikat e Janinës të familjes Tocco, kundërshtarët shqiptarë të Çamërisë paraqiten si fise dhe jo si familje perandorake e princërore, siç ishin sundimtarët e tjerë bizantinë e sllavë. Pra princat shqiptarë ishin princa fisnorë dhe për shkak të këtij organizimi shoqëror mund të lidhnin aleanca lokale vetëm me njëri-tjetrin. Këtë konkluzion e përforcon më tej edhe Lidhja e Lezhës, e cila ishte një lidhje sui generis në Ballkan, ku princat Shqiptarë lidhën një aleancë mes të barabartësh, me një komandant ushtarak, por pa një figurë udhëheqëse mbretërore. Nëse shikojmë hartën e kësaj lidhjeje, do të vëmë re se edhe ajo, ashtu si entitetet e tjera shqiptare, shtrihet përgjithësisht në Shqipërinë qendrore e veriore dhe në Mallakastër, atje ku ishin përhapur fiset shqiptare. Dhe fakti që nuk u shtri deri në Çamëri tregon se mes tyre dhe princave shqiptarë në Çamëri ekzistonte një hendek i pakapërcyeshëm. Ky hendek ishin popullsitë sllave.
![]() |
Lidhja e Lezhës në shtrirjen e saj maksimale |
Një informacion të fundit e tejet të sigurtë për praninë e popullsive sllave në Toskëri na e jep Gjon Muzaka në kronikën e tij të vitit 1515. Atje ai tregon për zotërimet e Muzakajve rreth e pëqark luginës së poshtme të lumit Devoll (në zonën e Elbasanit). Ai përmend shumë vendbanime sllave, por kur na njofton për kufirin jugor të zotërimeve të familjes së tij ai thotë se përtej fshatrave Marjan, Gjonbabas, Gurrëmujas, etj, të krahinës së Oparit banorët janë të gjithë sllavë. Vetë emërtimi Opar është sllav dhe do të thotë “mjegull”. Pra edhe pse në vitin 1515 shqiptarët ishin zgjeruar mjaft, Toskëria vazhdonte të mbetej një territori i banuar me sllavë.
-- Premisa e tretë është që shqiptarët kanë qenë të përqendruar kryesisht mbi rrjedhën e lumit Shkumbin. --Për arritjen e këtij përfundimi na ndihmon edhe vetë dokumentacioni gjuhësor. Nga një analizë e thjeshtë e veprës letrare të Pjetër Bogdanit me titull “Çeta e profetëve”, i cili ishte geg dhe e ka zhvilluar veprimtarinë e tij në krahinat më veriore të shqiptarisë, botuar në vitin 1685, do të vëmë re se gjuha e përdorur prej tij nuk është as dialekti geg, as dialekti tosk, por një dialekt i ndërmjetëm, i cili përmban tipare të të dy dialekteve. Nga një analizë e thjeshtë sipërfaqësore e 47 fjalëve të shkëputura nga vepra e Bogdanit dhe lidhja e tyre (e supozuar) me secilin dialekt dhe gjuhën moderne standarde, por edhe nga analiza gramatikore e tekstit, kuptohet qartë që deri në vitin 1685, kur ka shkruar veprën Bogdani, dialekti geg nuk i kishte marrë ende format e shumta që ka sot, dhe ka qenë shumë më i përafërt me toskërishten.
![]() |
Transformimi i fjalëve shqipe sipas dialekteve dhe infleunca e tyre në gjuhën moderne/letrare. Bazuar në shqipen e Pjetër Bogdanit tek vepra “Çeta e profetëve”, botuar më 1685. |
Kjo lidhje mes gjuhës së Bogdanit dhe këtyre dy dialekteve nuk është pa arsye. Së pari, nëse vërejmë hartën e toponimeve, krahina e Dukagjinit, ashtu si krahina e Mallakastrës, është krahina me përqendrimin më të madh të vendbanimeve shqiptare bazuar në mbiemra personalë dhe nuk është çudi që shumica e shqiptarëve ta kenë prejardhjen prej kësaj krahine, ashtu siç e kanë sot shumë nga fiset e Tropojës, Pukës, Kosovës, e madje edhe të Arvanitasve në Greqi.
Së dyti, siç arsyetuam më sipër, Çamëria ka qenë krahina e parë në Epir drejt së cilës kanë emigruar masivisht shqiptarët e Gegërisë, përveç ndoshta Mallakastrës. Gjithashtu, dialektet çame e arvanite (Arbëreshe) janë të vetmet dialekte të shqipes që kanë ruajtur ende elementët më arkaikë të saj, si p.sh. grupet bashkëtingëllore kl dhe gl.
-- Premisa e katërt është që deri andej nga fundi i shekullit të 17-të, gegërishtja e Bogdanit ishte ende shumë më e përafërt me toskërishten çame e arvanitase se sa ajo që kemi sot. --Kjo tregon se ndryshime të mëdha dialektore, përveç atyre që ekzistonin, kanë ndodhur edhe gjatë shekujve 18-të dhe 19-të, periudhë e cila, për koincidencë, përkon me periudhën e konvertimit masiv të shqiptarëve në Islam. Shiko shkrimin me titull “Pse u konvertuan shqiptarët në myslimanë?”
Nëse i bashkojmë të katër premisat në një arsyetim të vetëm, atëherë mund të dalim në përfundimet e mëposhtme:
- Pjesa më e madhe, ose një pjesë e madhe e popullsisë autoktone të Ballkanit ka qenë e latinizuar. Kjo tezë shpjegon numrin e lartë të huazimeve latine në gjuhën shqipe dhe të toponimeve latine në Ballkan.
- Huazimet latine e helene i janë nënshtruar fenomenit të rotacizmit për shkak se me ardhjen e sllavëve kontakti i drejtpërdrejtë mes tyre dhe shqipes u ndërpre. Ndërsa kontakti mes shqipes dhe sllavishtes ka qenë i vazhdueshëm.
- Andej nga shekulli i XI-të shqiptarët filluan një ekspansion gradual por agresiv drejt territoreve në jug të lumit Shkumbin. Mirëpo më parë populluan Çamërinë e Greqinë qendrore se sa Shqipërinë jugore.
- Ky hendek mes dy popullsive shqiptare zgjati disa qindra vjet dhe mund të ketë qenë shkaku i ndarjes së dialekteve në Gegë e Toskë.
- Zhvillimi i dialekteve ka vazhduar deri vonë, në shekullin e XX-të, kur filluan të vulosen përpjekjet për krijimin e një gjuhe letrare.
Comments
Shto një koment