Tkurrja dhe ekspansioni i shqiptarëve në Ballkan
![]() |
Deri më sot kemi dëgjuar lloj lloj teorish për lashtësinë e shqiptarëve, për autoktonizmin e tyre, veçanërisht në territoret e quajtura Epir e Dardani, si një shenjë a pamohueshme e të drejtës legjitime të shqiptarëve për të jetuar të lirë në ato treva. Këto pretendime u përgjigjen natyrisht propagandës absurde anti-shqiptare, e cila pretendon se shqiptarët kanë zbritur në këto troje vonë, me ndihmën e osmanëve dhe se për këtë arsye nuk kanë të drejta të legjitimuara prej lashtësisë.
Ithtarët e të dyja anëve vazhdojnë të luftojnë me njëri-tjetrin duke mbajtur si fener udhëzues pseudo-historinë nacionaliste ballkanike të shekujve të mëparshëm, e cila në një masë të madhe anashkalon tërësisht fakte dhe prova të shumta, të cilat janë thelbësore për të zbuluar të vërtetën.
Tani që këtyre idiotizmave nacionaliste të shekulli të XIX u ka ikur koha, më në fund analizat historike mund t’i bëjmë me mendje të kthjellët e në bazë të dhënave faktike që kanë dalë nga studimet historike dhe jo në bazë të ideologjive nacionaliste.
Cili është, pra, realiteti? A kanë zbritur shqiptarët nga malet si kërbaç i osmanëve? Apo kanë qenë autoktonë në këto troje që në kohët e lashta? As njëra, as tjetra. Faktet në terren tregojnë krejt tjetër histori. Shqiptarët vërtetë kanë zbritur nga malet drejtë vendbanimeve fushore, por jo si vegla të osmanëve dhe shumë përpara se ata të dukeshin në Ballkan.
Çfarë thonë faktet? Faktet thonë se për një periudhë disa qindra vjeçare, sllavët kanë qenë shumicë dërrmuese. Në Kosovë e në Maqedoni, po e po, por edhe në Shqipërinë jugore e në Greqinë veriore. Këta sllavë nuk ishin serbë por bullgaro-maqedonë, d.m.th sllavët e valës së parë të dyndjeve. Ky konkluzion del fare qartë nga analiza vendbanimeve sllave e shqiptare në të katërta vendet. Aty krijohet një ide fare e qartë e pranisë së sllavëve në trevat shqiptare. Në disa krahina vendbanimet sllave janë shumicë dërrmuese.
Para se këta sllavë të valës së parë të vinin në Ballkan, padyshim që Shqipëria dhe trojet përreth ishin të banuara nga ilirët, trakët e grekët, si ata që flisnin gjuhën e tyre (përfshi dhe arbrit, paraardhësit e shqiptarëve), ashtu dhe ata që flisnin latinishten* (paraardhësit e vllehëve), të cilët, sipas të dhënave, duhet të kenë banuar kryesisht në qendra urbane e fushore.
I përmend këtu latinisht folësit jo më kot, pasi janë një element tjetër që është injoruar pothuajse krejt nga historitë zyrtare nacionaliste të vendeve të Ballkanit. Në hartën e vendbanimeve janë të pranishme edhe një numër shumë i lartë vendbanimesh në gjuhën latine e italiane. Këto vendbanime janë të shpërndara në të gjithë territorin e Shqipërisë, Greqisë e madje kanë arritur të mbijetojnë edhe në Maqedoni, Kosovë, Serbi e më gjerë. Prania e këtyre emërtimeve në këto territore vërteton se ato kanë qenë të banuara nga latinisht folës dikur në lashtësi ose në mesjetë. Këta latinisht folës nuk kanë qenë domosdoshmërisht latinë por ilirë, trakë e grekë të latinizuar.
Pasi u katandisën në disa dhjetëra mijëra frymë, si rezultat i dyndjes së parë e të dytë sllave, shqiptarët filluan gradualisht një proces ekspansioni, në fillim në trevat brenda Shqipërisë veriore e qendrore, e më pas drejt Shqipërisë së jugut, Kosovës e Maqedonisë perëndimore. Ky ekspansion ishte një proces i domosdoshëm natyral, pasi me rritjen e popullsisë, terreni i thepisur malor nuk mund të ofronte më kushte të mjaftueshme për mbarështimin e popullsisë. Analiza e ngjarjeve historike na bëjnë të mendojmë se kjo lëvizje duhet të jetë bërë pjesërisht me ndihmën e autoriteteve të perandorisë bullgare, ndoshta për shkak të nevojës për të populluar territore të zbrazura nga popullsia sllave si rezultat i luftërave të shumta bullgaro-bizantine.
Prova më e sigurt e kësaj teze janë emërtimet sllave të përdorura nga shqiptarët, veçanërisht në Kosovë, të cilat dallojnë nga emërtimet e përdorura prej serbëve. Shpesh, atje ku shqiptarët përdorin variantin bullgar, serbët përdorin një variant më të ri serb, gjë që tregon se shqiptarët ishin zhvendosur në ato treva që në kohën e bullgarëve, para se atje të vinin serbët. Shiko shkrimin me titull "Emërtime të vendbanimeve në Shqipëri dhe kuptimet e tyre"
*Prezenca e bullgarëve në Kosovë vërtetohet jo vetëm nga toponimet bullgare por edhe nga fakti që dialekti i serbëve të Kosovës dhe Serbisë jug-lindore është shumë i afërt me maqedonishten e bullgarishten. Kjo tregon se kjo popullsi duhet të jenë bullgarë të serbizuar.
Kur Dukla u shpërbë për shkak të trazirave të brendshme, princi Vukan i
Rashkës, një principatë që ndodhej në veri-perëndim të Kosovës, filloi një
fushatë zgjerimi të kufijve të principatës së tij (që më von do të quhej
Principata e Madhërishme e Serbisë). Me kalimin e kohës princat Serbë i zgjeruan
kufijtë e principatës drejt Kosovës, Shqipërisë së veriut dhe Maqedonisë së
veriut, duke përfshirë në sundimin e tyre edhe qytetin e Shkupit. Duke qenë
subjekte të kësaj principate më të madhe, natyrisht që shqiptarët ishin të
lirë të zhvendoseshin më thellë drejtë Kosovës, Rashkës e Toplicës (Serbia
qendrore) sa herë paraqitej mundësia, veçanërisht pas luftrave, duke u bërë
kështu banorë permanentë të këtyre trevave.
Shkak i zgjerimit të
shqiptarëve në dëm të sllavëve kanë qenë edhe prezenca e fuqive të tjera
europiane, si p.sh. ajo e Anzhuinëve, të cilët gjithashtu shfrytëzuan alenacën
e shqiptarëve për të zgjeruar zotërimet e tyre në Ballkan.
Kur Stefan Dushani krijoi perandorinë serbe, ai asistoi më tej në ekspansionin e shqiptarëve në të gjitha drejtimet, veçanërisht drejt Shqipërisë së jugut e Greqisë, ndoshta duke i shfrytëzuar ata si ushtarë e aleatë dhe për t’i përdorur në të ardhmen si kundrapeshë ndaj perandorive bullgare e bizantine. Dokumentet tregojnë se në kohën e Tomash Preljuboviçit (trashëgimtar i Dushanit), sunduesit serb të Despotatit të Epirit me qendër në Janinë, shqiptarët ishin vendosur gjerësisht në territorin e Çamërisë. Ndërkohë që një pjesë e mirë e banorëve të mëparshëm sllavë qe zhdukur për arsye që sot ende nuk dihen.
Faktet tregojnë se nuk mund të ishin shqiptarët shkaktarët e zhdukjes së sllavëve në këto treva. Kjo vërtetohet nga fakti që si shqiptarët, si grekët, si vllehët, të treja palët i ruajtën toponimet sllave të pandryshuara, kudo që ata i ripopulluan. E ndërkohë që një asimilim i mundshëm i sllavëve prej një kulture perandorake greke mund edhe të justifikohet, asimilimi i sllavëve prej shqiptarëve e vllehëve, që ishin pakicë e që nuk kishin as gjuhë të shkruar, është i pajustifikuar nga këndvështrimi historik. Kështu që, për momentin, ky mbetet ende një mister.
Është interesant fakti që sllavët në Shqipërinë e jugut përmenden deri vonë, shumë vite pas vdekjes së Skënderbeut, në kronikën e Gjon Muzakës andej nga shekulli i XVI-të. Atje ai thotë se në krahinën e Oparit e më tej kishte popullsi sllave. Nga ky detaj kuptojmë edhe arsyen pse ndoshta Lidhja e Lezhës nuk pati shtrirje shumë të gjerë në Shqipërinë e jugut. Pasi atje nuk kishte një shumicë shqiptare.
Një ekspansion tjetër shqiptar u mundësua prej autoriteteve bizantine të Depostatit të Epirit kur fronin e mori dinastia bizantine e Paleologëve. Njësoj siç mund të kishin bërë më parë bullgarët e serbët, ata i ftuan shqiptarët që të popullonin territoret e shkretuara (padyshim për shkak të luftërave) të Tebës, Atikës, Eubesë e Korintit.
Me ardhjen e Osmanëve dhe tejkalimin e fazës së largimit të shqiptarëve drejt Italisë, ekspansioni shqiptar u kthye në normalitet, duke ndjekur dinamikat normale të lëvizjes së njerëzve. Por si rezultat i disa konflikteve mes serbëve dhe osmanëve, shumë serbë ortodoksë (e ndoshta edhe shqiptarë ortodoksë) u detyruan të largohen nga Kosova, duke u lënë kështu hapësirë shqiptarëve myslimanë për t’i populluar ato.
Dëbimi i myslimanëve nga Toplica në Serbinë qendrore në vitin 1878* nxiti dëbimin e ortodoksëve serbë (e ndoshta edhe shqiptarë) nga Kosova. Shqiptarët, çerkezët dhe sllavët myslimanë u zhvendosën në Kosovë, ndërsa serbët (e ndoshta edhe shqiptarët) ortodoksë u zhvendosën drejt Serbisë. Shumica e popullsisë së Kosovës u bë shqiptare myslimane dhe kjo situatë vazhdon deri në ditët e sotme paçka se shteti serb u përpoq shumë ta ndryshonte gjendjen me anë të politikave armiqësore e shoviniste. Madje, me ngjarjet e dekadave të fundit në Kosovë, numri i serbëve në Kosovë është tkurrur edhe më. Ky fenomen shoqërohet edhe me faktin që numri i shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut ka pasur rritje.
*Shiko shkrimin me titull "Skënderbeu - pasaporta europiane e shqiptarëve"
Përfundime
Popullsitë janë vazhdimisht në lëvizje, në tkurrje ose në ekspansion. Edhe pse shtetet moderne janë ndërtuar mbi bazën e kombit dhe kanë kufij të përcaktuar deri në metrin e fundit, ato nuk i kanë vënë dot fre këtij fenomeni natyral njerëzor mijëravjeçar. Ashtu ka ndodhur edhe me popullsitë e Ballkanit këto 2000 vjetët e fundit. Popullsitë e ndryshme kanë lëvizur e janë zhvendosur sipas rrethanave historike dhe nuk ka asnjë arsye pse të pretendohet një gjendje statike dhe e pandryshuar e popullsisë shqiptare edhe brenda trevave të veta historike.
Është plotësisht e vërtetë që shqiptarët kanë zbritur nga mali. Pas dyndjeve sllave, shqiptarëve iu desh një periudhë kohe që të rikuperonin numrat e të fillonin procesin gradual të zhvendosjes drejt trevave fqinje. Duke qenë subjekte të perandorive të ndryshme, ata mund të zhvendoseshin drejt terreneve pjellore fushore pa i penguar njeri, sidomos kur këto treva shkretoheshin si pasojë e luftërave. Ky proces ka qenë i vazhdueshëm dhe me aprovim të plotë nga autoritetet perandorake të radhës (në shumicën e rasteve).
Ishin perandoritë ato që kishin nevojë për ushtarë mercenarë e bujq dhe shqiptarët po i përgjigjeshin ofertës ashtu siç ndodhte në të gjithë botën. Në këtë formë janë krijuar komunitete shqiptarësh jo vetëm rreth e përqark Shqipërisë, por edhe më gjerë në Ballkan e Mesdhe. Ka komunitete shqiptarësh (disa tashmë të asimiluar) në Kroaci, Rumani, Bosnje, Bullgari, Ukrainë, Itali, Egjipt, Siri, Irak, Turqi, e shumë vende të tjera. Mos flasim për komunitetet shqiptare sot anë-e-kënd Europës dhe Amerikës.
Por natyrisht kjo zbritje nga mali nuk përputhet me atë narrativën mediokre antishqiptare të propagandës sllave, të cilën unë nuk dua as ta diskutoj këtu se është një idiotizëm me brirë.
Po ashtu, faktet dhe ngjarjet historike na tregojnë se ky debati mbi armiqësinë e përjetshme sllavo-shqiptare apo autoktoninë e pandryshuar dhe vazhdimësinë e pandërprerë të popujve që nga koha e lashtësisë është një debat shterp, i bazuar në ideologjitë e shekullit XIX* dhe jo në fakte konkrete. Le më pastaj ato tentativat qesharake për të gjetur princa, mbretër e aristokraci (fisnikëri) me origjinë shqiptare**, në një popull që ka qenë historikisht kryekëput me bazë fisnore.
*Shiko shkrimin me titull
"Kush e nisi debatin mbi prejardhjen iliro-pellazge të shqiptarëve?"
**Shiko shkrimin me titull
"Ideologjia iliro-pellazge, kopje e neo-helenizmit"
E vërteta në formë të përmbledhur është kjo: me ardhjen e sllavëve në Ballkan, ilirët pësuan një tkurrje të madhe. Pastaj, po me ndihmën e tyre e më pas të bizantinëve, arbrit filluan ekspansionin. Pastaj me ardhjen e osmanëve ndodhi një tkurrje tjetër e përkohshme dhe po ashtu, me ndihmën e tyre, pasoi një ekspansion i dytë. Pastaj, me përfshirjen e Europës së krishterë e veçanërisht Rusisë cariste në punët e perandorisë osmane dhe rritjen e nacionalizmit imperialist në Ballkan, shqiptarët pësuan sërish një tkurrje, e sot. për shkak të zhdukjes së imperializmit nacionalist, shqiptarët kanë hyrë në fazën e ekspansionit të tretë. Të shikojmë sa do zgjasë ky ekspansion dhe nëse do dalë ndonjë forcë madhore e radhës për ta penguar atë sërish.
Comments
Shto një koment