Skënderbeu - pasaporta europiane e shqiptarëve

Koha e leximit: 24 minuta
Për shkrimin e kësaj analize mora shtysë nga debati publik mbi rëndësinë dhe domethënien e figurës së Skënderbeut për besimtarët myslimanë shqiptarë. Më poshtë do të analizoj rrethanat në të cilat u ringjall figura e Skëndebeut, funksioni që do të kryente dhe kujt do t’i shërbente.
Shekujt e XVIIItë - XXtë u bënë spektatorë të një prej fushatave më të egra e më të mëdha të spastrimit të popullsive në historinë e njerëzimit, atë të Rekonkuistas ballkanike. Ajo ishte një përsëritje e Rekonkuistës spanjolle, qëllimi i së cilës ishte shtrirja e kontrollit të mbretërive të krishtera në gadishullin iberik dhe dëbimi ose asimilimi i popullsive jo të krishtera (myslimanë dhe çifutë) nga territoret e tyre. Rekonkuista ballkanike filloi andej nga fundi i shekullit të XVII-të dhe arriti kulmin gjatë shekullit të XIX-të, gjatë së cilave në Ballkan u masakruan e u dëbuan mbi 3 milionë myslimanë, ndër ta edhe disa qindra mijëra shqiptarë.
Spastrimet me bazë fetare kishin qenë një temë e përsëritur e fushatave ekspansioniste të perandorive të krishtera, veçanërisht atyre katolike. Katolicizmi kish qenë në mënyrë absolute intolerant ndaj prezencës së çdo komuniteti jo të krishterë në territorin që sundonte dhe armiqësor e i ftohtë ndaj çdo komuniteti tjetër të krishterë që nuk varej drejtëpërdrejtë nga Vatikani. Gjatë Rekonkuistës spanjolle e më pas asaj siçiliane, forcat e krishtera nuk ishin mjaftuar vetëm me dëbimin e myslimanëve, por e kishin shtrirë persekutimin edhe ndaj çifutëve, të cilët për t’i shpëtuar shfarosjes dhe zhdukjes së identitetit të tyre u detyruan të zhvendosen në territoret ballkanike të perandorisë osmane. Prandaj dhe sot Europa katolike është kaq homogjene nga aspekti fetar.
Europës katolike i vinte nga pas Ortodoksizmi rus, i cili nuk kish lënë sebep pa shfrytëzuar për të nxjerrë në pah egërsinë dhe absolutizmin e vet antimysliman sa herë që dilte nevoja. Rusia cariste kishte kohë që zbatonte një fushatë sistematike të dëbimit të popullsive myslimane në territoret e pushtuara prej saj dhe zëvendësimit të tyre me popullsi ortodokse sllave, të cilat do t’i garantonin asaj një sundim plot bindje e nënshtrim ndaj pushtetit qendror të Moskës (ose Petersburgut).
Ndryshe nga perandoritë e krishtera, perandoria osmane funksiononte në bazë të parimeve krejt të tjera. Ajo jo vetëm që e pranonte diversitetin fetar por edhe e mbështeste atë nëpërmjet decentralizimit të pushtetit dhe autonomisë që u jepte komuniteteve për të vetëqeverisur punët e tyre të brendshme. Madje suksesi dhe fuqia e perandorisë osmane qëndronte pikërisht aty, tek vetëqeverisja. Në shkrimin me titull “A ishin osmanët antishqiptarë?” unë kam shtjelluar shkurtimisht prejardhjen selxhuke të osmanëve, trashëgiminë perso-bizantine të tyre dhe format e qeverisjes së perandorisë (deri në periudhën e Tanzimatit). Që në vitin 1453, kur Mehmeti mori Konstandinopojën, ai e njohu menjëherë autoritetin e Patrikanës mbi popullsinë e krishterë Ortodokse dhe lëshoi një ferman të veçantë ku sanksiononte me ligj marrjen nën mbrojtje personale të komunitetit të krishterë në perandorinë osmane, qofshin këta ortodoksë, qofshin katolikë. Jo vetëm kaq, por perandoria osmane nuk ndërhyri asnjëherë në punët e brendshme të shqiptarëve duke i lënë ata të lirë të praktikojnë në mënyrë të pandërprerë sistemin e tyre fisnor dhe ligjet e kanunit.
Për disa qindra vjet, komunitetet e ndryshme fetare jetuan në harmoni me njëra tjetrën (aq sa mund të jetohej në atë kohë), në një paqje, garant i së cilës ishte vetë sulltani. Madje, kësaj harmonie ju shtuan edhe komunitetet çifute të Spanjës e Siçilisë, të cilat i kishin ikur persekutimit të inkuizicionit katolik*. Mirëpo kjo harmoni nuk do të zgjaste shumë. Zgjerimi i perandorive europiane të krishtera në dëm të perandorisë osmane u shoqërua me fushata dhe tentativa të njëpasnjëshme për të nxitur urrejtjen ndërfetare e për të futur kaosin në shoqërinë shumë-fetare osmane.
*Çifutët e Ballkanit do të bëheshin sërish viktima të ideologjive shkatërrimtare të fuqive të krishtera gjatë luftës së dytë botëtore kur Nazistët e pushtuan atë dhe shfarosën disa dhjetëra mijëra prej tyre.
Ngjarja e parë e dëbimit dhe masakrës së myslimanëve shënohet në fund të shekullit të XVII-të, andej nga viti 1699, në Kroaci. Gjatë shekullit të XVI-të, një e katërta e popullsisë së Sllavonisë në Kroaci kish qenë myslimane dhe ish përqendruar kryesisht në qendra urbane. Kur osmanët humbën luftën me Habsburgët e Austrisë, afro 130,000 myslimanë nga Sllavonia u detyruan të lëshojnë vendbanimet e tyre në Kroaci dhe të shkojnë drejt Bosnjes dhe Hercegovinës që ishte ende nën osmanët. Pjesa dërrmuese e myslimanëve të Sllavonisë, Dalmacisë dhe Kroacisë (tashmë territore të perandorisë së Habsburgëve), ose u detyruan të largohen, ose u vranë, ose u skllavëruan. Myslimanëve që mbetën iu mohua e drejta e fesë dhe të gjitha privilegjet etno-fetare, gjë që inkurajoi një valë tjetër eksodi drejt Bosnjës dhe Hercegovinës. Autoritet perandorake austriake i shkatërruan pothuajse të gjitha godinat e periudhës osmane, për të mos lënë atje as edhe një shenjë të vetme të trashëgimisë së saj fetare e kulturore.
Midis viteve 1716 dhe 1739, Bosnja veriore bashkë me Serbinë e veriut ranë në duart e Habsburgëve. Gjatë kësaj periudhe perandori Çarlsi VI u ofroi dy mundësi myslimanëve të Bosnjës: ose të konvertoheshin në të krishterë dhe të ruanin pronat, ose të largoheshin drejt territoreve të perandorisë osmane. Në vitin 1739 territoret e pushtuara iu kthyen sërish osmanëve.
Sipas një një kënge të eposit malazez, në fillim të shekullit të XVIII-të, andej nga viti 1702* (1709 sipas historianëve), ortodoksët malazezë kryen një masakër ndaj popullsisë myslimane sllave e shqiptare. Kënga titullohet “Shfarosja e të konvertuave” dhe i dedikohet ngjarjeve të masakrës. Kjo ishte periudha kur Venediku nxiste dhe financonte kryengritje të të krishterëve në Malin e Zi dhe Shqipëri. Në kuadrin e kësaj kryengritjeje, sipas këngës, në prag të krishtlindjeve mitropoliti Danilo Sepçeviçi nga Njegushi (fshat në kufi me zotërimet venedikase) urdhëroi fiset ortodokse malazeze, që i kishte nën varësinë shpirtërore të tij, që t’i vrisnin të gjithë myslimanët që nuk pranonin të konvertoheshin, qofshin këta sllavë apo shqiptarë. Më tej kënga tregon që luftëtarë të fisit Martinoviçi shkuan për të masakruar të krishterët që ishin konvertuar në Islam dhe që nuk pranonin të konvertoheshin sërish. Sipas këngës, masakra u krye në vigjilje të krishtlindjeve (ditën e paqes), në qytetin e Cetinjes. U vranë me mijëra myslimanë, burra, gra e fëmijë. Në ditët në vazhdim shumë myslimanë u dëbuan nga vendbanimet e tyre përreth Cetinjes.**
* Nëse është e vërtetë, kjo ngjarje koinçidon me organizimin e Kuvendit të Arbrit një vit më vonë në 1703, gjatë së cilit u bisedua çështja e konvertimit të shqiptarëve në myslimanë dhe masat që duhej të merrte kisha për ta ndaluar atë proces.
** Për këtë ngjarje nuk ka dokumentacion dhe nuk e dimë kontekstin real në të cilën është zhvilluar. Disa historianë mendojnë se kjo ngjarje nuk ka ndodhur fare.
Kryengritja e Orllovit në vitin 1770 në More (Peloponez) dhe Kretë ishte kryengritja e parë e brendshme gjatë së cilës subjektet e krishterë të perandorisë kryen masakra të përgjakshme ndaj minoritetit mysliman në emër të luftës kundër pushtetit osman. Kjo kryengritje u financua nga caresha Ekaterina e Madhërishme në kuadër të planit të saj për ringjalljen e perandorisë bizantine, të ashtuquajturit “plani grek”, një entitet i krishterë i pastër, pa asnjë komunitet mysliman në territorin e vet. Dy anije luftarake ruse të udhëhequra nga Admirali Aleksei Orllov u shfaqën në shkurt në brigjet e Manit për të firnizuar ushtrinë mercenare me të holla e armatime. Menjëherë pas kësaj, të armatosur deri në grykë, mercenarët maniotë, kallamatianë e kretas iu turrën popullsisë civile myslimane në qendrat e banuara fushore dhe kryen masakra të tmerrshme, si në More ashtu edhe në Kretë*.
*Kryengritja e Orllovit nuk pati sukses dhe u shtyp nga forcat mercenare të rekrutuara në Shqipëri.
Kryengritja e parë serbe në sanxhakun e Smederevos në vitet 1804-1813, e nxitur fillimisht prej Habsburgëve dhe e mbështetur më vonë prej rusisë cariste, konkludoi në vitin 1807 me masakrimin e të gjithë meshkujve myslimanë të qytetit të Beogradit dhe pagëzimin me dhunë të fëmijëve dhe grave myslimane. Këta myslimanë nuk ishin turq të ardhur por serbë të cilët kishin përqafuar islamin. Objektivi përfundimtar i forcave kryengritëse ishte spastrimi i të gjithë myslimanëve prej territoreve që ishin nën sundimin e tyre. Gjatë gjithë periudhës së kryengritjes midis 15,000-20,000 myslimanë u larguan ose u dëbuan nga vendbanimet e tyre. Në vitin 1813, forcat osmane i thyen kryengritësit serbë dhe e rikthyen sanxhakun e Smederevos nën sundimin e perandorisë osmane. Kapja e beogradit prej osmanëve u shoqërua me eksodin masiv të serbëve ortodoksë kryengritës drejt territoreve të perandorisë së Habsburge në Vojvodinë.
Është me interes fakti që lideri kryesor i kryengritjes ishte Gjorgje Petroviç, i ashtuquajtur Karagjorgje, anëtar i Filiki Eterias (Shoqërisë së Miqve), organizatës “patriotike” greke, e cila of themelua në Odesa të Rusisë (me bekimin e autoriteteve ruse) dhe që ishte organizatore e luftës së pavarësisë së Greqisë në vitin 1821. Lexo shkrimin me titull “Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj?”.
Lufta për pavarësinë e Greqisë në vitet 1821-1828 ishte kryefjala e fushatës kafshërore antimyslimane të Rekonkuistës ballkanike. Vetëm gjatë javëve të para të kryengritjes u masakruan rreth 20 000 myslimanë grekë, shqiptarë, sllavë e turq dhe çifutë. Gjatë gjithë periudhës e luftës numërohen deri në 40,000 myslimanë të vrarë, nga të cilët rreth 8000 vetëm në qytetin e Tripolicës. Popullsia myslimane e Moresë, e më pas edhe godinat fetare, u zhdukën krejt, pa lënë asnjë gjurmë të ekzistencës së tyre të dikurshme. Ky motiv do të përsëritej e do të përshkallëzohej në të gjitha rastet ku pas konfliktit fshihej dora e Rusisë cariste ose e ndonjë fuqie tjetër të krishterë.
Kryengritja e bullgarëve në vitin 1876 gjithashtu u shoqërua me sulme ndaj popullsive myslimane. Shtypja e saj prej forcave osmane u bë shkak për hyrjen e Rusisë në luftë në vitin 1877, e cila pushtoi Dobruxhën dhe sërish sulmoi popullsitë myslimane atje. Perandoria osmane humbi luftën dhe si rezultat popullsitë myslimane me origjinë turkomane u dëbuan nga shtëpitë e tyre në mesin e dimrit. Nga 1.5 milionë myslimanë që kishte Bullgaria, rreth 200,000 vdiqën rrugëve ose arritën të largoheshin*.
*Gjatë viteve 1880-1911, plot 350,000 myslimanë janë larguar nga Bullgaria, ndër ta edhe disa mijëra shqiptarë.
Në vitin 1877 vala antimyslimane e Rekonkuistës ballkanike erdhi në kufijtë e shqiptarisë. Ofensiva dhe fitorja e ushtrisë serbe ndaj perandorisë osmane në zonën e Toplicës në Serbinë qendrore u shoqërua në vitin 1878 me masakra e spastrime të reja të popullsive myslimane. Rreth 100,000 myslimanë u dëbuan nga trojet e tyre, ndër ta gjysma ishin shqiptarë dhe pjesa tjetër sllavë, turq e çerkezë. Këta të fundit ishin dëbuar nga Rusia në kuadrin e një fushate gjigande masakrash e spastrimi në vitin 1864, pra rreth 23 vjet përpara, që konkludoi me dëbimin e më shumë se 1.5 milionë çerkezëve myslimanë nga trojet e tyre në kaukaz drejt perandorisë osmane*.
*Gjenerali rus Grigori Zass is përshkroi çerkezët si fëlliqësi çnjerëzore dhe e justifikoi vrasjen e tyre dhe përdorimin e tyre si kavie për eksperimente.
Fuqitë e krishtera europiane, sidmos Rusia cariste dhe veglat e tyre ballkanike, i ishin qepur myslimanëve të Ballkanit me "bukë në trastë" dhe nuk do të ndalnin derisa gadishulli të spastrohej krejt prej tyre. Në këtë kontekst, masakrimi, asimilimi e dëbimi i të gjithë myslimanëve shqiptarë nga trojet e veta mijëravjeçare ishte një projekt krejt i realizueshëm, me precedent të sukseshëm dhe i dëshirueshëm. Të gjithë i njohim narrativat dhe publikimet e shumta antishqiptare e antimyslimane të elitave politike dhe pseudo historianëve serbë e neo-heleniste, të cilat do tu paraprinin fushatave e një-pas-njëshme të spastrimit.
Megjithatë, ndryshe nga ç’është propaganduar lartë e poshtë nëpër historiografitë zyrtare të shteteve ballkanike e fatkeqësisht është reflektuar edhe në historiografinë shqiptare, shkaktar i këtyre masakrave nuk ishte populli i thjeshtë dhe “mëria” e supozuar e tyre ndaj shtypjes dhe keqtrajtimit të “turqve myslimanë”*. Ato nuk ishin shpërthime spontane të njerëzve të shtypur ndaj “zinxhirave të skllavërisë osmane”. Aspak. Ato ishin plane e projekte të farkëtuara nëpër lozhat e aristokracisë europiane, të financuara me paratë e tyre dhe të vëna në zbatim nga mercenarë vendas.
*Nuk duhet të ngatërrojmë myslimanët me pushtetarë të caktuar osmanë të cilët kishin abuzuar me postet e tyre.
Atdhetarët e rilindjes shqiptare e kishin fare të qartë se ç'po ndodhte. Ata, si të thuash, e kishin kapur lojën. Europa e krishterë, e sidomos Rusia, kishin qëllim kryesor kapjen e Stambollit dhe kontrollin e ngushticës së Dardaneleve, portës hyrëse e dalëse të Detit të Zi. Për këtë arsye ato duhet të zhduknin çdo lloj elementi që mund të bëhej pengesë për realizimin e këtij plani. Ky element nuk mund të ishin veçse popullsitë myslimane. Për këtë Rusia krijoi një ideologji* të tërë me bazë historinë dhe vuri në dispozicion të gjithë fuqinë e vet politike, financiare a ushtarake për zbatimin e saj. Ashtu si në rastin e Rekonkuistas spanjolle, kjo nënkuptonte dëbimin e të gjithë myslimanëve nga Ballkani dhe zhdukjen e çdo shenje tjetër që përfaqësonte fenë islame.
*Lexo shkrimin me titull “Neo-helenizmi dhe shqiptaria”.
Mos harrojmë që bëhet fjalë për shekullin e 19-të, kulmin e Romanticizmit europian, lëvizjes së fuqishme intelektuale e kulturore që glorifikonte të shkuarën, veçanërisht mesjetën, e që përfaqësohej nga figura aq shumë të njohura për publikun ballkanas si Lord Bajroni (Lord Byron), poet britanik, dhe Juxhin Delakrua (Eugene Delacroix), piktor francez. Romanticizmi kishte ithtarë e mbështetës në të gjitha rangjet e aristokracisë dhe elitave politike të krishtera, ndër ta edhe ato që i jepnin zërin politikave të shtetit të tyre.
Rekonkuista ballkanike dhe rikthimi i sundimit të krishtërimit në gadishull nuk ishte vetëm një sipërmarrje e thjeshtë politike. Ajo ishte në radhë të parë një projekt ideologjik me bazë historike e kulturore, një projekt që qëndronte në sinkron të plotë me idetë e nacionalizmit romantik dhe që propagandonte rikthimin e kohërave “të lavdishme” të mesjetës së krishterë (siç kishin bërë kryqëzatat dikur). Në arenën ballkanike kjo lavdi identifikohej me bëmat mbretërive e perandorive të krishtera, si ajo serbe, bullgare e bizantine, të cilat, në mendjet e romanticistëve europianë, përfaqësoheshin përkatësisht nga etnitë serbe, bullgare e greke të krishtera. Të gjithë të tjerët që nuk i përkisnin këtyre përkufizimeve nuk ishin veçse mish për top, një trup i huaj në atë çka duhet të ishte foleja e krishtërimit.
Elitat politike dhe pseudo intelektualët e krishterë, me njohuritë e tyre të cungëta për historinë a Ballkanit dhe indoktrinimin e plotë imperialist të kohës, nuk e bënin dot dallimin mes popullsive autoktone ballkanase të konvertuara në islam dhe “turqve” të supozuar të ardhur nga azia me ushtritë osmane. Ata nuk kishin pothuajse aspak njohuri për zhvillimet demografike e politike në Ballkan. Aq më pak dinin ata për historinë mijëravjeçare të shqiptarëve, të shkuarën e tyre të krishterë, përleshjet e tyre me osmanët disa shekuj më parë dhe gjuhën e tyre indo-europiane. Ata nuk dinin as që konvertimi masiv i shqiptarëve në islam nuk kishte as 100 vjet në atë kohë. Për ta të gjithë myslimanët ishin turq (myslimanë) të importuar dhe dëbimi i tyre nga Europa ishte një objektiv i shenjtë.
Aq më e komplikuar bëhej situata kur marrim pararsysh që shtetet fqinje imperialiste, për qëllimet e tyre ekspansioniste po propagandonin në forumet ndërkombëtare, me zë të lartë e pa kurrëfarë ndroje, se shqiptarët ishin të ardhur rishtas në Ballkan, se ishin të paqytetëruar e pa kulturë, se ishin të lindur për tu bërë kriminelë dhe se nuk meritonin dhe nuk ishin të aftë aspak për të krijuar një shtet të tyrin.
Në këtë kontekst, të gjendur përpara një force shkatërruese që nuk kishte të ndalur dhe për të shpëtuar popullin shqiptar me shumicë myslimane nga zhdukja totale, rilindasit shqiptarë (myslimanë e të krishterë bashkë) filluan të kërkojnë e të propagandojnë argumentet historike që do të nxirrnin në pah identitetin e humbur të krishterë të shqiptarëve dhe historinë “e lavdishme” të tyre në kohët para osmane. Kjo sipërmarrje kulturore, që në pamje të parë nuk ka asnjë lidhje me pushkët dhe topat e ushtrisë, ishte një taktikë e domosdoshme për ta hequr popullin shqiptar nga lista e zezë e popujve të padëshiruar e për t’i shpëtuar shfarosjes totale*. Shqiptarëve u nevojitej një leje qëndrimi, si të thuash, një pasaportë historike e cila do të argumentonte autoktonizmin e tyre në Ballkan dhe do të legjitimonte të drejtën e qëndrimit në trojet e të parëve në sytë e imperializmit të krishter europian. Kjo pasaportë ishte Skënderbeu.
*Në këtë kontekst duhet të kuptojmë edhe mbështetjen që Ismail Qemali (e të tjerë) do t’i jepte më vonë idesë për një shtet të bashkuar Greko-Shqiptar - nevoja për shpëtuar shqiptarët myslimanë nga zhdukja.
Interesant është fakti që botimi i parë për historinë e Skënderbeut doli në Moskë në vitin 1812 dhe u shkrua nga Eugjen Bullgari (Eleftherios Vulgares) në gjuhën greke (botimi u bë 6 vjet pas vdekjes së autorit). Eugjen Bullgari (me shumë gjasa arumun) ishte një klerik me origjinë nga Korfuzi por që zhvillonte aktivitetin e tij në Janinë si drejtor i shkollës Marucea (Maroutsea), emërtuar në nder të familjes Maruçi* që e financonte.
*Kuriozitet: Familja Maruçi (me shumë gjasa gjithashtu arumunë) ishte me origjinë nga Paramithia në Çamëri dhe bënin tregti me Venedikun. Në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit të 18-të Kristodhul Maruçi hapi zyrë në Shën Petersburg dhe në 1768 vëllai i tij Pano Maruçi u caktua përfaqësues diplomatik i Rusisë në Venedik e më pas mori titullin Markez nga perandoresha Austriake Maria Tereza dhe Kalorës i Urdhrit të Shën Anës nga caresha Katerina e Madhërishme.
Bullgari ishte figurë e shquar: autor i disa shkrimeve shkencore, arsimtar, matematicien, astronom, fizicist dhe filozof. Ai shkroi për një mori temash e subjektesh, ndër të cilat edhe lutje drejtuar careshës Katerina e II ku i bënte thirrje të “çlironte” Greqinë nga zgjedha osmane. Për shkak të një konflikti teorik me drejtuesit të Malit Athos, ai e la postin e drejtorit të shkollës në Janinë dhe u largua për në qytetin e Kersonit, në perandorinë Ruse (sot në Ukrainë) ku dhe pranoi patronazhin e careshës Katerina II dhe e kaloi pjesën e mbetur të karrierës së tij në Rusi. Në vitin 1771 ai mbërriti në Shën Petersburg dhe mes viteve 1772-1774 punoi si bibliotekar i oborrit mbretëror rus. Në 1775 ai u shugurua Kryepeshkop i Dioqezës së Sllavianskut dhe Kersonit. Dioqeza e re përfshinte guvernat e reja të Novorosisë (Rusia e re) dhe Azovit përgjatë detit të zi, të cilat kishin qenë pjesë të hanatit të Krimesë nën perandorinë osmane. Në këto territore, përveç Rusëve, Ukrainasve, Rumunëve u ftuan të shpërngulen edhe popullsi ortodokse greke, bullgare, serbe e shqiptare*.
*Fshatrat me shqiptarë që i njohim sot në Ukrainë janë shpërngulur atje pikërisht gjatë kësaj periudhe. Ata kishin shërbyer si mercenarë dhe mbështetës të politikave ruse në Ballkan.
E bëra këtë përshkrim të karrierës dhe lidhjeve të Bullgarit me Rusinë për të ilustruar se si pas veprimtarisë për ringjalljen e figurave të krishtera të mesjetës qëndronte dora e perandorive të krishtera dhe jo ndërgjegjja popullore e njerëzve të thjeshtë. Dhe në këtë kontekst vepra e Bullgarit për historinë e Skënderbeut, sipas të gjitha gjasave, nuk u bë për të promovuar identitetin etnik dhe bashkimin e popullit shqiptar por për të frymëzuar e për të nxitur urrejtjen e armiqësinë e shqiptarëve të krishterë ndaj atyre myslimanë me qëllim futjen e përçarjes. Fatmirësisht, nga historia që njohim na del se patriotët e shqiptarisë (përfshi ata me origjinë greke, arumune e serbe) të të dyja besimeve jo vetëm nuk e përqafuan këtë mesazh por e transformuan Skënderbeun në dekadat në vazhdim, duke i dhënë atij një funksion krejt të kundërt, atë të bashkimit kombëtar.
Për fat, vetë Skënderbeu kish pasur një histori sa komplekse, aq edhe interesante. Ai e kish filluar jetën si djalë i një princi të krishterë, pastaj ish rekrutuar nga osmanët si ushtar karriere, gjatë së cilës kish korrur shumë fitore, e pasi kishte dalë në “pension”, kish filluar një karrierë të dytë ushtarake si udhëheqës i rezistencës kundër osmanëve. Skënderbeu ishte figura ideale për të promovuar bashkimin tek shqiptarët dhe shkëputjen nga perandoria osmane. Ai ishte treguar pragmatist dhe kish vepruar në mënyrë strategjike duke i përdorur fuqitë e mëdha në funksion të interesave të veta (pa qenë nevoja që të ndryshonte diçka nga vetja*), një ideologji perfekt për mentalitetin dhe kulturën jo ideologjike e jo të indoktrinuar të shqiptarëve si popull.
*Nuk ka dokumente që vërteton konvertimin e Skënderbeut nga mysliman në katolik.
Rilindasit nuk propaganduan asnjëherë aspektin fetar të luftës së Skënderbeut, duke e injoruar pothuajse krejt aleancën e Skënderbeut me papën katolik dhe Venedikun, por u përqendruan tek mesazhi i rezistencës së më të dobëtit ndaj më të fuqishmit, madje duke i paraqitur fuqitë katolike shpesh herë si të pabesa e të rrezikshme për popullin arbëror. Ky imazh i Skënderbeut mund të përqafohej nga myslimanë e të krishterë bashkë, duke përcjellë mesazhin se në interes të mbijetesës, shqiptarët e kishin plotësisht të justifikuar braktisjen e perandorisë osmane dhe përqafimin e realitetit të ri që po zhvillohej në Ballkan, pa qenë nevoja që të hynin në konflikt fetar me njëri-tjetrin. Në këtë mënyrë figura e Skënderbeut shërbente edhe si dëshmi e autoktonizmit por edhe si faktor i brendshëm unifikues. Kjo, shoqëruar me filozofinë e bashkëjetesës fetare dhe parullën laike “Mos shikoni kisha e xhamia, se feja e shqiptarit është shqiptaria”, do të ishte thelbi i formimit të identiteti të kombit shqiptar, një identitet që nuk bazohej në ideologji e doktrina ekstreme por në parimet e harmonisë e bashkëjetesës etnike e fetare.
Natyrisht, ringjallja e figurës së Skënderbeut dhe propagandimi i tij nuk i pengoi dhe as i dha fund fushatave spastruese antimyslimane të fqinjëve imperialistë ballkanikë. Ato do të vazhdonin me këtë plan deri në fund të shekulli të 20-të, me spastrimin etnik të çamëve dhe tentativën për të dëbuar kosovarët nga trojet e tyre. Megjithatë, roli i Skënderbeut dhe elementëve të tjerë të narrativës unifikuese shqiptare e kishin bërë punën e tyre. Lidhja e Prizrenit ishte një projekt në thelb pan-shqiptar, pa dallim feje, krahine e ideje. Në përpjekjen e tyre për të çliruar territoret shqiptare, forcat e lidhjes nuk ndërmorën asnjë fushatë masakrash ndaj popullsive vendase të krishtera. Edhe pse më vonë u shtyp nga osmanët, ajo hodhi themelet e konceptit të bashkuar shqiptar ku nuk kishte hapësirë për urrejtje, masakra dhe spastrime ndërfetare. Europa e krishterë do të merrte mesazhin që shqiptarët e shikojnë veten e tyre si një komb të bashkuar dhe se nuk kanë ndërmend të vriten për çështje ideologjike. Një ndihmesë në këtë drejtim dhanë edhe disa studiues europianë, të cilët hapën debate shkencore e argumentuan autoktonizmin dhe lashtësinë e shqiptarëve në trojet e tyre. Pra, në një mënyrë ose një tjetër, zëri i shqiptarisë së bashkuar kishte arritur të dëgjohej, ndonëse i mbytur.
Kulmin e mesazhit unifikues figura e Skënderbeut e përfaqësoi gjatë luftës së pavarësisë në vitin 1912, kur nën shqiponjën dykrenare të familjes së tij shqiptarët e të gjitha feve shpallën njëzëri dëshirën për të jetuar të bashkuar në një shtet të vetëm. Për arritjen e këtij qëllimi kontribut dha edhe perandoria austro-hungareze, e cila investoi për promovimin dhe propagandimin e Skënderbeut në kuadrin e identitetit të unifikuar kombëtar, jo për dashurinë e sinqertë ndaj shqiptarëve se sa për interesat e saj gjeopolitike. Në kapërcyell të luftës së parë botërore zelli ideologjik antiislamik i Austro-Hungarisë kish dalë disi në plan të dytë, pasi interesat e saj po viheshin në rrezik nga interesat e shteteve të krishtera imperialiste ballkanike e për këtë arsye asaj i nevojitej një pikëmbështetje në gadishull, si të thuash një kundra-peshë për ruajtur balancat në rajon, sidomos në Adriatik. Kjo pikë mbështetje ishte Shqipëria.
Me kalimin e viteve pozita e figurës së Skënderbeut u forcua shumë. Ajo do të vazhdonte që të shërbente si bosht unifikues i shqiptarëve të të gjitha feve në kushtet e imperializmit tejet agresiv ortodoks ballkanik dhe një Europe që po shkonte gradualisht drejt luftës së parë botërore. Presioni i jashtëzakonshëm serb e neo-helenist kishte arritur të asimilonte një pjesë të konsiderueshme të shqiptarëve ortodoksë që ndodheshin nën sundimin e tyre. Madje ky asimilim (p.sh. arvanitasit) shpesh herë u shoqërua edhe me urrejtje ndaj shqiptarëve myslimanë. Ideologjia e re e bashkimit kombëtar me bazë diversitetin, e udhëhequr nga figura e Skënderbeut, i vuri fre asimilimit të shqiptarëve (dhe arumunëve) ortodoksë në Shqipëri e madje u përqafua edhe nga pjesëtarë të minoriteteve greke, bullgare e serbo-malazeze. Përpjekjet e fqinjëve imperialistë ortodoksë për të futur përçarjen dhe urrejtjen mes komuniteteve etnike e fetare në Shqipëri dështuan. Me krijimin e shtetit shqiptar, armiku kryesor nuk ishte më islami por identiteti etnik shqiptar, pavarësisht përkatësisë fetare.
Në vitin 1914, në kuadrin e një fushate keqtrajtimesh e represioni shovinist, mbretëria jugosllave filloi projektin për kolonizimin e Kosovës me kolonë serbë e malazezë. 55,000 hektarë tokë që u ishte zhvatur shqiptarëve me dhunë iu dhurua 5 mijë kolonëve malazezë. Nëpërmjet një dekreti, Serbia shpalli se do të dhuronte 9 hektarë për familje në tokat e “çliruara” në Kosovë e Maqedoni. Ndërsa Greqia shkoi një hap më tej. Përveç represionit të shqiptarëve myslimanë në Çamëri, ajo vuri në jetë projektin për krijimin e Republikës Autonome të Vorio Epirit, një projekt sipas të cilit mohohej tërësisht ekzistenca e myslimanëve dhe të krishterëve shqiptarë në jug të Shqipërisë dhe pranohej vetëm ekzistenca e minoriteti grek ortodoks, argument që do t’i hapte udhë spastrimit të Shqipërisë së jugut prej shqiptarëve myslimanë dhe asimilimit të shqiptarëve ortodoksë.
Lufta e parë botërore 1914-1918 solli ndryshime rrënjësore në fizionominë gjeopolitike të Europës. Në vitin 1917 revolucioni rus e përmbysi sistemin e vjetër duke i dhënë fund një herë e mirë Rusisë cariste dhe planeve të saja ballkanike. Ndërsa një vit më vonë, perandoria austro-hungareze u shpërbë. Me daljen nga skena të këtyre dy fuqive të krishtera në kufi me Ballkanin, plani për Rekonkuistën ballkanike pësoi një goditje të rëndësishme, por jo krejt fatale. Tashmë stafetën e spastrimit të Ballkanit prej myslimanëve e kishin marrë në dorë shtetet imperialiste ballkanike, të cilat edhe pse tejet agresive, nuk kishin të njëjtën forcë goditëse si fuqitë e mëdha. Në një farë mënyre ky ishte sihariq i mirë. Myslimanëve shqiptarë u ishte hequr një barrë e jashtëzakonshme. Edhe pse lufta për mbijetesë do të vazhdonte edhe për një shekull tjetër, të paktën ajo dë të ishte disi më e përballueshme. Spastrimi i shqiptarëve myslimanë nga trojet e veta mijëravjeçare tani do ishte një projekt shumë më i vështirë për tu realizuar.
Në kontekstin e këtij shkrimi dhe për të kuptuar më mirë konceptin e Rekonkuistës ballkanike të nxitur veçanërisht nga Rusia cariste, vlejnë për tu përmendur edhe ngjarjet në teatrin gjeopolitik përtej Detit të Zi, në anën tjetër të perandorisë osmane, në Kaukaz. Atje Rusia kish ndjekur të njëjtat politika ekspansioniste e spastruese si në Ballkan. Pasi kish zaptuar pjesën më të madhe të Kaukazit, Rusia e kish shtyrë kufirin osman në territoret historike të popullsive armene. Ashtu siç veproi edhe me të krishterët e Ballkanit, Rusia i përdori mercenarët e krishterë armenë si vegla për të goditur popullsinë civile myslimane. Disa qindra mijëra myslimanë civilë të të gjitha etnive u masakruan ose u dëbuan nga Kaukazi. Po përsëritej skenari ballkanik pikë për pikë. Mirëpo ndryshe nga Ballkani ku myslimanët ishin pakicë, në Anadoll myslimanët ishin shumicë dërrmuese. Kjo bëri që autoritet osmane të ndërmerrnin fushatën e zhvendosjes masive të popullsisë civile të krishterë, veprim ky që rezultoi me ngjarjet e tmerrshme të shfarosjes së 1 milionë armenëve në vitin 1915.
Me përfundimin e luftës së parë botërore rifilluan përpjekjet për të çuar përpara planin për spastrimin e myslimanëve. Mbretëria e Serbëve, Kroatëve dhe Sllovenëve (Jugosllavia) i kishte nënshkruar aktet ndërkombëtare të kohës që njihnin të drejtat e minoriteteve sipas traktatit të Sen Zhërmenit (Saint Germain), unifikuar më pas prej Ligës së Kombeve, por terrori dhe represioni ndaj shqiptarëve vazhdoi. Pas viti 1918 rreth 400 mijë shqiptarë u denacionalizuan. Shkollat shqip u mbyllën dhe në vend të tyre u hapën shkolla turqisht. 60% e shqiptarëve u lanë pa burim të ardhurash. Atyre iu refuzua shërbimi publik dhe institucionet fetare u politizuan. Në vitin 1919 dhe pastaj në vitin 1920 Serbia filloi procesin e kolonizimit në Mal të Zi, Kosovë dhe Maqedoni dhe dëbimit të popullsisë shqiptare. Në vitin 1920 Asambleja e Mbretërisë së Jugosllavisë miratoi Dekretin për Kolonizimin e Provincave të Jugut të Jugosllavisë. Këto ishin vetëm një e dhjeta e të gjitha veprimeve antishqiptare të autoriteteve jugosllave*.
*Midis viteve 1918 dhe 1945, rreth 100 mijë shqiptarë u larguan nga Kosova.
Serbia kish deklaruar me të madhe për më shumë se dy dekada se Kosova luante për të dhe për popullin serb një rol tejet të rëndësishëm pasi dikur na paskish qenë zemra e mbretërisë mesjetare serbe, e cila me ardhjen e osmanëve na paskësh qenë ripopulluar me shqiptarë të ardhur, diku nga përtej Ballkanit, ndoshta nga Kaukazi. Tani që Serbia e kish marrë Kosovën, shqiptarët myslimanë përbënin rrezikshmëri për sigurinë e shtetit e për këtë arsye ajo ishte e legjitimuar që t’i dëbonte ata. Kaq e thjeshtë ishte çështja. Me një dëftesë të thjeshtë historike dhe argumentin e sigurisë, popullsia shqiptare myslimane e kish humbur krejt të drejtën për të qëndruar në trojet e veta shekullore. Të gjitha argumentet e tjera (ligjore, njerëzore, kulturore e historike) nuk kishin asnjë vlerë.
Domosdo! Serbinë kishte kush e dëgjonte. Ajo nuk kakariste më kot. Edhe pse dy fuqitë kryesore të krishtera që qëndronin pas Rekonkuistës ballkanike tani nuk ekzistonin më, jehona e saj vazhdonte të kishte rezonancë tek fuqitë e tjera të Europës katolike e protestante. Përveç ndonjë konstatimi nëpër raporte shtetërore e ndonjë klithme të ndonjë intelektuali humanist, askush nga fuqitë e krishtera nuk ngriti zërin për t’i dhënë fund kësaj fushate makabre shfarosjeje. Argumentet historike e fetare të Serbisë ishin krejt të pranueshme. Kujtimi i atyre që kishin banuar e zotëruar Kosovën para 500 vjetëve, eshtrat e të cilëve ishin tretur e shkrumbuar me kohë, ishte shumë më i rëndësishëm e me vlerë se sa njerëzit e gjallë që jetonin në ato troje. Varri pa shenjë e pa nishan i një ortodoksi ishte i barabartë për nga vlera me jetët e disa mijëra myslimanëve të gjallë. Godinat “e shenjta” të kishave e manastireve kurrsesi nuk mund të ekzistonin përkrah xhamive e hamameve “të mallkuara”. Gjuha “e pastër” dhe “e lartë” serbe e kishte të pamundur të bashkëjetonte me gjuhën “e ulët” dhe “të shtrembër” shqipe. Shqiptarët zaptues myslimanë, të ardhur nga Azia me osmanët turq duhet të largoheshin një herë e mirë. Të gjitha këto ishin argumente legjitime për mendjet “ndritura” të elitave politike të krishtera. Ato nuk ia prishnin kujt gjumin.
Ndërsa Greqia, 3 vjet pas dështimit katastrofike të tentativës për të spastruar Turqinë perëndimore prej popullsive myslimane në luftën Greko-Turko të 1920-ës, propozoi dhe nënshkroi në vitin 1923 marrëveshjen e tmerrshme me Turqinë për shkëmbimin e popullsive me bazë fenë. Kështu nga Turqia u zhvendosën drejt Greqisë rreth 1 milionë të krishterë, ndërsa nga Greqia u zhvendosën drejt Turqisë rreth 600 mijë myslimanë (grekë, sllavë, turq), ndër ta edhe rreth 35 mijë shqiptarë. Në dokumentacionin zyrtar të shkëmbimit shqiptarët dhe të gjithë myslimanët e tjerë grekë, sllavë, etj, u quajtën me pa të drejtë “turq” dhe u degdisën për në tokë të huaj. Argumentet ishin po të njëjtat: e drejta për të populluar me të krishterë territore të dikurshme të supozuara heleno-bizantine dhe çështja e sigurisë së shtetit. Me një të rënë të lapsit, 1.6 milionë njerëzve që deri në atë periudhë kishin jetuar më së miri me njëri-tjetrin, iu mohua krejt e drejta e pronës dhe trashëgimisë. 1.6 milionë njerëz po paguanin dështimet e Athinës dhe pasigurinë gjeopolitike të krijuar prej politikave të saja shovinisto-imperialiste në kuadër të Rekonkuistës ballkanike. Ashtu si edhe në rastin e Jugosllavisë, marrëveshja nuk ngjalli asnjë kundërshtim nga fuqitë europiane. Madje ajo u mbështet me asistencë organizative nga Liga e Kombeve, në mënyrë që të mbroheshin interesat e të gjitha palëve të interesuara: Greqisë, Turqisë dhe padyshim fuqive europiane perëndimore.
Ky motiv vazhdoi të luhej edhe gjatë luftës në Qipro, ku forcat shoviniste të frymëzuara nga Athina futën farën e konfliktit dhe urrejtjes duke kryer masakra ndaj popullsisë myslimane në ishull, e madje deri në vigjilje të shekullit të 21 me luftën në Kosovë, ku shteti serb tentoi të shpopullonte krejt Kosovën nga shqiptarët. Plani për Rekonkuistën ballkanike vazhdoi të zbatohej me këmbëngulje nga qeveritë e njëpasnjëshme shoviniste serbe e greke derisa u mbyll përfundimisht në vitin 2001 me marrëveshjen e Ohrit, pas konfliktit në Maqedoninë e Veriut.
Megjithatë, pavarësisht presionit të jashtëzakonshëm politik, ekonomik e social, si dhe shtypjes nëpërmjet dhunës, popullsia shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë, e veçanërisht ajo myslimane, gjeti forcën dhe urtësinë për të ruajtur unitetin kombëtar dhe koherencën etnike. Këtë ajo e bëri pikërisht nën flamurin me shqiponjën dykrenare të Skënderbeut dhe figurës mitike të tij. Si në Mal të Zi, si në Kosovë, Maqedoni, Çamëri, madje edhe mes Arbëreshëve të Italisë, Egjiptit e Rumanisë e deri në Amerikë, patriotët e atdhetarët shqiptarë do të betoheshin për të njëjtin flamur, për të njëjtin identitet dhe për të njëjtin atdhe. Në dekadat në vazhdim, shqiptarët e të gjitha feve do të bashkoheshin më shumë se një herë nën këtë flamur dhe të udhëhequr nga figura e Skënderbeut ata do të punonin e luftonin për të liri e pavarësi në emër të shqiptarisë.
Tani i gjithë arsyetimi i mësipërm na sjell tek pyetja parimore që ngritëm në fillim: çfarë pozite duhet të mbajnë myslimanët shqiptarë ndaj Skënderbeut? A duhet ta injorojnë ata atë, a duhet ta denoncojnë në emër të islamit, apo duhet të mbyllin një sy e ta pranojnë atë pa bërë zë për hir të tolerancës?
Për mendimin tim myslimanët shqiptarë nuk duhet të ngatërrojnë Skënderbeun e vërtetë historik me figurën e Skënderbeut si hero kombëtar. Një mysliman i devotshëm që ndjek sot me pasion doktrinën Islame ka të drejtën që të mos ketë asnjëfarë simpatie për Skënderbeun historik (ai që ka zbuluar shkenca moderne) për shkak se veprimtaria e tij mund të bjerë në kundërshtim me doktrinën Islame. Në rregull. Këtu nuk ka asgjë të keqe. Gjithësecili është i lirë të ndjekë ideologjinë që i përshtatet më shumë botëkuptimit të vet.
Por nga ana tjetër, shqiptarët myslimanë duhet të kuptojnë edhe këtë, që figura e Skënderbeut, ajo e propaganduar prej rilindasve, nuk është figura me bazë fetare që njihet sot. Ajo nuk ishte një figurë që vriste myslimanë për hir të katolicizmit. Ajo ishte figura që simbolizonte rezistencën e një populli të vogël ndaj një force shkatërruese (siç ishte Rekonkuista ballkanike). Davidi kundër Goliatit. Varka e vogël në detin e stuhishëm të politikave armiqësore europiane. Skënderbeu u ringjall prej tyre me ndërgjegje të plotë se shqiptarisë, veçanërisht myslimanëve, do ti shërbente si pasaportë ideologjike dhe si bosht qendror rreth të cilit shqiptarët do të qëndronin të bashkuar për ti bërë ballë çmendurisë antimyslimane të fuqive të krishtera europiane. Falë mesazhit të bashkimit, sot shqiptarët e të gjitha feve kudo në botë identifikohen me flamurin e Skënderbeut dhe figurën e tij mitike. Falë largpamësisë së tyre, sot myslimanët shqiptarë kanë mundësinë t’i falen Allahut në trojet e tyre shekullore, si shqiptarë të lirë dhe jo si refugjatë pa atdhe.
Kjo është një trashëgimi unike në Europë. Një trashëgimi që në një farë mënyrë reflekton edhe botëkuptimin osman të bashkëjetesës në diversitet. Asnjë shtet tjetër europian nuk mund të flasë për një identitet kombëtar multi fetar e harmonioz siç mund të flasin Shqiptarët. Asnjë shtet nuk mund të kthejë kokën mbrapsht e të thotë me ndërgjegje të pastër se nuk ka masakruar, nuk ka dëbuar dhe nuk ka persekutuar asnjë minoritet me qëllim spastrimin etnik. Asnjë shtet europian që e konsideron veten demokratik e të qytetëruar nuk mund të fshehë njollën e zezë të luftës ndaj diversitetit në historinë e vet. Vetëm Shqipëria mund ta bëjë këtë. Vetëm Shqipëria mund të krenohet dhe të tregojë kuptimin e vërtetë të fjalëve harmoni dhe tolerancë, dhe figura rilindase e Skënderbeut e ilustron këtë më së miri.
Bravo!!!! Nje shtjellim logjik kaq i detajuar e me shtrirje kohore shekullore, ku evidentohen fakte historike per popuj e vende ballkanike, ku faktori shqiptar eshte masakruar e perndjekur si delja e zeze e Ballkanit, duke humbur e tjetersuar shume vlera, por qe mundi te mbijetoje edhe nga fenomeni Skenderbe. Ende nuk e kam perfunduar librin e Skenderbeut- Kryqtari i fundit, ku babai tuaj i shtjellon aq bukur e me skrupulozitet te admirueshem faktet historike, kronografike, prosopografike, ushtarake, diplomatike, kulturore e fetare, por verej se si bir i denje i tij, meritoni respektin tim, ndonese nuk jam e fushes se letrave per te qene vleresuese eksperte. Ju pergezoj per formimin tuaj e reagimet pozitive ndaj gjithckaje, qe lidhet me shqiptaret e shqiptarine. Flm, djale i mbare! Qofsh i bekuar me kete faqe interesante, ku njeriu gjen postime me vlere!
ReplyDelete