Neo-helenizmi dhe shqiptaria

Read the English version here
Koha e leximit: 20 minuta
Shënim: Ky shkrim trajton ideologjinë e neo-helenizmit, që është diçka krejt e ndryshme nga identiteti etnik grek. Ky shkrim nuk ka aspak qëllim të shënjestrojë popullin grek dhe identitetin e tij (i cili është po ashtu viktimë e ideologjisë neo-heleniste) apo ndonjë etni tjetër, por përpiqet të analizojë e të kuptojë efektet e ideologjisë neo-heleniste në Greqi, Shqipëri e më gjerë. Arsyeja pse ndonjë herë e kam përmendur origjinën etnike e individëve të ndryshëm është për të ilustruar natyrën multi-etnike të neo-helenizmit dhe jo për të sulmuar etninë e tyre.
Neo-helenizmi është ideologjia kryesore që qëndron pas formimit të shtetit modern të Greqisë, politikave ekspansioniste dhe grabitëse të këtij shteti gjatë shekujve 19-të dhe 20-të, narrativës zyrtare historike anti-shqiptare të tij dhe homogjenizimit të popullsisë multi etnike të Greqisë nëpërmjet identitetit të sajuar neo-helen. Në këtë shkrim do të shtjellohet neo-helenizmi në kontekstin historik rajonal greko-shqiptar.
Neo-helenizmi e ka zanafillën tek epoka e “iluminizmit evropian” dhe adhurimi i veprave kulturore, politike e shkencore të antikitetit klasik. Ky i fundit ishte një nga temat qendrore të shekujve 17-të dhe 18-të, periudhë gjatë së cilës pati një zhvillim shumë të madh intelektual të elitave shkencore, kulturore e politike evropiane. Vetë Iluminizmi i ka rrënjët tek rryma intelektuale e rilindjes humaniste të shekujve 14-të dhe 15-të, që kishte si qëllim ringjalljen e studimeve të antikitetit klasik. Qëllim i i rilindësve humanistë ishte rikuperimi i kulturës së Greqisë dhe Romës së lashtë nëpërmjet letërsisë dhe filozofisë, me qëllim ngjizjen e elitave sunduese evropiane me parimet e parashtruara në veprat e mendimtarëve të lashtë. Shpërthimi dhe adoptimi i parimeve të iluminizmit në të gjithë Evropën e krishterë të shek. 19-të u hapi udhë rrymave të tjera kulturore e politike si p.sh., liberalizmit dhe neoklasicizmit, por dhe supremacizmit, imperializmit e kolonializmit.
Neoklasicizmi ishte një rrymë kulturore në fushat e artit, letërsisë, teatrit, muzikës dhe arkitekturës, në qendër të së cilës qëndronte arti dhe kultura e periudhës së antikitetit klasik (Helen e Romak). Neoklasicizmi shpërtheu në të gjithë Evropën në përmasa të jashtëzakonshme, kudo dhe në të gjitha format. Breza të tërë krijuesish u edukuan dhe u frymëzuan me idealet e antikitetit klasik duke e kthyer atë në lëvizjen më të madhe kulturore që ka njohur ndonjëherë njerëzimi.
Neoklasicizmi dhe burimi i frymëzimit të tij, antikiteti klasik, u adhuruan, u romanticizuan dhe u glorifikuan deri në atë pikë sa u ngritën në piedestalet më të larta kulturore të qytetërimit perëndimor, ku qëndrojnë edhe sot e kësaj dite. Veprat neoklasike dhe imitimet e tyre janë sot me dhjetëra mijëra në të gjithë Evropën. Neoklasicizmin dhe parimet e tij i gjejmë në institucione publike, në institucione fetare, në muzeume e ekspozita, në shtëpi private e madje deri tek godinat që shërbejnë si salla dasmash këtu në Shqipëri.
Supremacizmi është tërësia e ideve dhe mendimeve që mbështesin konceptin e superioritetit të një grupi njerëzish ndaj grupeve të tjera, në bazë të racës, etnisë, besimit, klasës sociale, ideologjisë, kulturës, etj. Idetë supremaciste argumentojnë se jo të gjithë njerëzit janë të barabartë dhe se grupe të caktuara njerëzish kanë të drejtën të sundojnë të pacenuar mbi të gjitha grupet e tjera.
Koncepti i supremacizmit ka qenë gjithnjë pjesë integrale e qytetërimeve, në të gjitha kohërat, por në shekujt 18-të dhe 19-të ai mori përmasa krejt të reja, duke u kthyer në një filozofi politike të mirëfilltë, të mbështetur me botime e traktate shkencore, madje edhe me një varg të gjatë politikash shtetërore, të cilat kishin si qëllim justifikimin e imperializmit e kolonializmit që fuqitë Evropiane po zhvillonin fuqishëm në të katër anët e botës. Supremacizmi është shkaktari kryesor i ideologjive antisemitiste e naziste që shkaktuan Holokaustin. Në këtë shkrim do të shikojmë se si supremacizmi i shkaktoi dëme të jashtëzakonshme edhe popullit dhe identitetit etnik shqiptar.
Imperializmi është një ideologji që mbështet politikat ekspansioniste (zgjeruese) të sundimit dhe kontrollit të një shteti mbi territoret dhe popujt e shteteve të tjera nëpërmjet forcës ushtarake, fuqisë ekonomike dhe presionit politik. Termi imperializëm përdoret për të ilustruar ekspansionin ushtarak, ekonomik dhe politik të fuqive evropiane gjatë shekujve 19-të dhe 20-të.
Në këtë shkrim imperializmi merr një rëndësi të veçantë pasi ndryshe nga perandoritë e shekujve të mëparshëm, imperializmi i shekujve 19-të dhe 20-të është mbështetur gjerësisht nga ideologjia e supremacizmit, e cila i jepte elitave politike evropiane legjitimitetin (d.m.th. pretekstin) për të shtypur, shfrytëzuar e vjedhur komunitete që ata i konsideronin të pazhvilluara e të padenja për respektimin e dinjitetit njerëzor. Në kontekstin greko-shqiptar, me imperializëm nënkuptohet zgjerimi i shtetit neo-helenist në dëm të shqiptarisë dhe mbështetja që mori nga fuqitë e mëdha për të realizuar këtë objektiv.
Kolonializmi është një tërësi politikash dhe praktikash që mbështesin kontrollin politik e ekonomik të një pakice njerëzish të ardhur (kolonizatorë) mbi shumicën vendase që i përket një identiteti etno-kulturor tjetër. Zakonisht kolonizatorët u imponojnë shumicës vendase fenë, gjuhën, ekonominë e madje edhe zakonet kulturore. Megjithatë, objektivi i kolonizatorëve është mbrojtja ekskluzive e interesave të tyre ekonomike dhe për këtë qëllim ata janë të gatshëm të sakrifikojnë edhe të drejtat më thelbësore të shumicës vendase. Në këtë shkrim do të shikohen disa aspekte të kolonializmit në kontekstin e neo-helenizmit, marrëdhënieve greko-shqiptare dhe dëmit të madh që i ka shkaktuar popullsive shqiptare në Greqi.
Në kontekstin e historisë së Greqisë moderne dhe marrëdhënieve greko-shqiptare, në analizën time neo-helenizmi paraqitet si një martesë mes ideologjive të supremacizmit, imperializmit dhe kolonializmit, e mbuluar me vellon e bukur por të gënjeshtërt të neoklasicizmit.
Në artikullin me titull "Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj?" kam shtjelluar gjithë ngjarjet, rrethanat dhe faktorët e brendshëm e të jashtëm që shpunë drejt pavarësisë së Greqisë, veçanërisht influencën dhe ndikimin e jashtëzakonshme të helenizmit tek elitat politike të fuqive të mëdha. Siç mund të vihet re nga kronologjia e ngjarjeve të parashtruara atje, sipërmarrja e pavarësisë së Greqisë ishte fillimisht një pjellë e agjenturës ruse, që pastaj, për shkak të influencës së jashtëzakonshme të helenizmit në botën e krishterë, u kthye në një projekt pan-evropian. Ajo u karakterizua nga masakrat dhe spastrimet e qëllimshme të popullsisë myslimane, pavarësisht etnisë së tyre, dhe nga influenca politike, përfshirja me ndihma ekonomike dhe ndërhyrja ushtarake e jashtëzakonshme e fuqive të huaja.
Megali Idea
Shteti i ri helen i qëndroi gjithnjë besnike e idesë fillestare ruse, i ashtuquajturi “plani grek”, që propagandonte një shtet ekskluzivisht “helen” e të krishterë, pa diversitet etnik e fetar, që do të mbante lart idealet (e supozuara) të Greqisë së lashtë dhe asaj bizantine, dhe që do të përpiqej gjithnjë të rikthente të ashtuquajturën “epokë të artë” të helenizmit, ashtu siç e perceptonin elitat politike evropiane në atë periudhë. Kryeministri i Greqisë (me origjinë arumune) Ioani Koleti e pagëzoi këtë objektiv madhor ideologjik e politik imperialist andej nga viti 1844 me termin “Megali Idea”, që në shqip do të thotë “ideja e madhe”, dhe që nënkupton idenë e Greqisë së madhe.
Plani maksimalist i “Megali Idesë” ishte përfshirja në shtetin grek e të gjitha territoreve që mendohej se tradicionalisht na i paskëshin përkitur “helenëve”, përfshi të ashtuquajturin Epir i veriut. Elitat politike megali ideiste propagandonin argumentin e të drejtës historike për të sunduar mbi territore të huaja, një koncept ky që ishte përpunuar që më parë në lozhat elitiste dhe nëpër auditorët e universiteteve të fuqive të mëdha. Madje kësaj ideje iu kushtuan edhe këto vargje: “Vitet do të shkojnë, ato do të jenë sërish tonat”.
Për shumëkënd, ky koncept i tmerrshëm e çnjerëzor mund të duket sot si diçka krejt normale, për shkak se ky ka qenë realiteti politik global i dy shekujve të fundit, sidomos për popullin shqiptar, i cili është detyruar ti mbrojë trojet e veta me gjak, pikërisht duke u bazuar në mbrojtjen e së drejtës së vet historike. Por pakkush e di se e drejta historike për të sunduar mbi një territor të huaj është në fakt pjellë e ideologjive imperialiste e supremaciste evropiane.
Fjala vjen, si e zbuluan “mendjet e ndritura” të shekullit të 19-të se cili territor i përkiste kujt etnie 2000 e kusur vjet përpara, kur s’kishte as arkiva, as dokumentacion e asgjë tjetër por veç disa përshkrime të përgjithshme kronikanësh? Ku e zbuluan ata, fjala vjen, që Epiri na paskësh qenë një territor ekskluzivisht helen? Dhe mbi ç’ligje e procedura e përcaktuan ata se vetëm helenët na paskëshin pasur të drejta mbi atë territor? Më tej, mbi ç’parime u vendos që ngjashmëria e greqishtes moderne me greqishten e lashtë na qenka një lloj tapie që justifikon “rikthimin” e tokave pas mijëra vjetëve lëvizjesh demografike, dhe pse konceptet normale të trashëgimisë së pronës, që kishin funksionuar më së miri për më shumë se 2000 vjet, papritur e humbën krejt legjitimitetin e tyre? Pse duhej që kthimi në kohë të shkonte pikërisht tek helenët e lashtë? Çfarë e justifikon këtë kapërcim 2000 vjet në kohë? Pse popujt dhe perandoritë që erdhën më vonë nuk duhet të merreshin aspak parasysh?
Natyrisht, si këto pyetje mund të bëhen, njëra pas tjetrës, me dhjetëra, dhe asnjë përgjigje, sado e argumentuar që mund të tingëllojë në sipërfaqe, nuk do të kishte logjikë, pasi vetë koncepti i të drejtës historike për të sunduar është në vetvete një pretekst imperialist për të justifikuar grabitjen e territoreve të huaja.
Mirëpo “Megali idea” nuk mund të vihej në zbatim pa mbështetjen e një ideologjie të fuqishme militante, qëllimi i së cilës ishte kryerja e tre funksioneve kryesore: shpëlarjen e trurit të brezave të rinj (të çfarëdolloj etnie), në mënyrë që ata të harronin praktikisht çdo kujtim e çdo lidhje që ekzistonte me kulturën dhe identitetin e periudhës para themelimit të shtetit; adoptimin e një identiteti të ri të falsifikuar por të “lavdishëm” që do tu jepte atyre një objektiv madhor, për të cilin do të derdhnin gjak me dëshirën e tyre; dhe ngjizjen e urrejtjes e hakmarrjes ndaj të gjithë atyre, qofshin këta grekë etnikë apo jo, që nuk pranonin politikën megali ideiste të shtetit, fenë ortodokse dhe ideologjinë e tij ekspansioniste. Kjo ideologji ishte pikërisht neo-helenizmi.
Identiteti neo-helen
Neo-helenizmi është një ideologji supremaciste, ekskluziviste dhe absolutiste që mohon krejtësisht etninë, historinë dhe kulturën autoktone të popullsisë së Greqisë, sidomos atë të periudhës osmane, qoftë ajo greke, shqiptare, sllave apo arumune, dhe propagandon identitetin e ri neo-helen, një identitet i falsifikuar etnik e kulturor, i cili e identifikon kombësinë greke ekskluzivisht me bëmat historike të helenëve të lashtë dhe identitetin institucional e fetar të perandorisë bizantine.
Neo-helenizmi i atribuon popullsisë moderne të Greqisë, në mënyrë absolute dhe të padiskutueshme, çdo gjë që lidhet me madhështinë e Greqisë së lashtë dhe asaj bizantine, dhe mohon ose minimizon në maksimum çdo gjë që ka të bëjë me perandorinë osmane dhe diversitetin etnik e religjioz që ekzistonte gjatë sundimit të saj. Kështu sipas neo-helenizmit, të gjithë ata që donin ta quanin veten të denjë për të qenë qytetarë të Greqisë, duhej medoemos të adoptonin Ortodoksizmin, të flisnin vetëm greqisht dhe të mohonin çdo trashëgimi etnike, kulturore e fetare të mëparshme. Në të kundërt, shteti do t’i mbante ata nën vëzhgim të rreptë, do t’i persekutonte, e madje, kur të krijoheshin kushtet e përshtatshme edhe do t’i dëbonte.
Neo-helenistët e vunë popullin e thjeshtë, të pa arsimuar dhe të pa indoktrinuar të Greqisë, përpara një dileme filozofike, nga ato që ata as nëpër ëndrra nuk i kishin parë ndonjëherë. Ata duhet të zgjidhnin mes identitetit të tyre të thjeshtë etno-kulturor, me të cilin ishin identifikuar brez pas brezi, një identitet që përfaqësohej nga gjuha e trashëguar, prona, lidhjet familjare, doket e zakonet, këngët dhe vallet, kostumet dhe plaçkat, festat dhe vakitë, traditat, etj., dhe identitetit të ri neo-helenist, i cili prezantohej me skulptura e vepra arti, arkitekturë madhështore, filozofi, shkencë dhe art të kultivuar; që kishte fituar respektin dhe adhurimin e gjithë botës “së zhvilluar” evropiane, dhe që premtonte mbështetjen e pakufizuar politike e ekonomike të fuqive më të mëdha të botës.
Edhe majmun po të jesh, kaq e gjë e kupton. Prestigji i kulturës së kultivuar e bën njeriun e thjeshtë t’i duket vetja i veçantë, special dhe sikur ço ç’është. E kur kjo ndjesi shoqërohet edhe me gjithë madhështinë artistike të neoklasicizmit evropian të shekullit të 19-të, ai bëhet akoma dhe më tundues e imponues. Në këto kushte është e vështirë t’i rezistosh presionit kulturor. Edhe sot e kësaj dite ne admirojmë me zili kryeveprat arkitekturore dhe artistike të neoklasicizmit, të frymëzuara nga arkitektura e Greqisë së lashtë, dhe automatikisht na krijohet një përshtypje pozitive dhe ndjenjë respekti për ato kombe e qytetërime që arritën të krijojnë kryevepra të atilla. Aq i madh është ndikimi i neoklasicizmit në psikikën e shoqërisë moderne saqë edhe sallat e dasmave përfitojnë nga bukuria dhe madhështia e tij.
Lufta ndaj diversitetit etno-kulturor
Mirëpo Greqia kishte një problem madhor. Sa më shumë territore të reja përfshiheshin në shtetin grek aq më shumë shtohej numri i njerëzve që nuk i përkisni etnisë greke dhe besimit të krishterë, dhe aq më shumë shtohej numri i atyre që nuk e pranonin ose ishin kundër ideologjisë neo-heleniste, sidomos ndër shqiptarët myslimanë, tek të cilët autoriteti i kishës nuk funksiononte fare, dhe në thelb të kulturës të së cilëve qëndronin lidhjet fisnore dhe autonomia vetëqeverisëse. Prandaj, sipas logjikës shoviniste të shtetit të ri, pa zhdukjen e diversitetit etno-kulturor nuk mund të ruhej stabiliteti i shtetit (lexo diktatura), nuk mund të krijohej shoqëria “neo-helene” (lexo supremaciste), nuk mund të arrihej “Megali idea” (lexo objektivat imperialiste).
Për të arritur këtë qëllim, shteti dhe qeveritë neo-heleniste vunë në përdorim metoda e taktika të shumta homogjenizuese, - d.m.th. të bashkimit të popullit në një identitet të vetëm etnik, - duke filluar që nga mohimi i të drejtës për të folur gjuhën e nënës në publik, shkolla, institucione, etj, - veçanërisht në territore si Çamëria, - e deri tek shpronësimet, dëbimet dhe masakrat ndaj popullsisë myslimane, qofshin këta grekë, shqiptarë apo sllavë, me arsyetimin se këto popullsi përbënin rrezik për shtetin.
Me qëllim demonizimin e çdo aspekti etno-kulturor që ishte trashëguar prej periudhës së perandorisë osmane, autoritetet shtetërore neo-heleniste ndërtuan një narrativë të tërë shoviniste, luftarake e grabitqare, të bazuar mbi urrejtjen ndaj diversitetit etnik e fetar, demonizimin e myslimanëve dhe hakmarrjen ndaj atyre që akuzoheshin si “shtypës të lirisë”, konkretisht “turqit” dhe “shërbëtorët” e tyre në Ballkan, myslimanët, veçanërisht shqiptarët (atyre iu dha epiteti pexhorativ “turko-shqiptarë”). Të armatosur me ndjenjën e supremacisë etno-kulturore e fetare dhe me mbështetjen e plotë të fuqive të mëdha si Britania, etj, shteti neo-helenist bëri ç’mos e çnuk për t’i dëbuar myslimanët nga territori i vet, përfshi dhe ata me etni greke (këtyre të fundit iu dha epiteti pexhorativ “farë turke”).
Pas masakrave të tmerrshme të ushtrisë greke kundër myslimanëve në Turqi gjatë luftës greko-turke 1919-1922 dhe kundër-masakrave po aq të tmerrshme të ushtrisë turke ndaj grekëve e të krishterëve, në vitin 1923 Kryeministri i Greqisë Venizellos i propozoi Turqisë shkëmbimin e popullsive reciproke me bazë feje në mënyrë që mes dy shteteve të mos kishte më pretendime territoriale në të ardhmen, gjë që Turqia e pranoi. Rreth 1.6 milionë njerëz u dëbuan nga tokat dhe shtëpitë e tyre përgjithmonë për shkak të besimit fetar. Nga këta rreth 1 milionë ishin ortodoksë të të gjitha etnive, përfshi dhe disa dhjetëra mijëra shqiptarë të Turqisë evropiane, dhe rreth 600,000 ishin myslimanë po të të gjitha etnive, përfshi edhe 35,000 çamë.
Lufta greko-turke dhe shkëmbimi i popullsisë që pasoi ishte një nga ngjarjet më tragjike, më të tmerrshme, më kriminale, më shoviniste, më jo demokratike, më të paqytetëruara, më mesjetare, më raciste dhe më të liga që Evropa dhe njerëzimi mund të kenë parë ndonjëherë në kohët moderne. Një sulm i drejtpërdrejtë ndaj humanizmit e të drejtave të njeriut dhe një mospërfillje absolute për dinjitetin njerëzor. Një kthim pas një mijë vjet drejt epokës së errët. Një pjellë e denjë e “Rekonkuistas” spanjolle dhe politikave tipike evropiane të spastrimeve etnike. Një kryqëzatë kundër civilëve paqësorë, harmonisë ndër-etnike e ndër-fetare. Një luftë kundër qytetarisë. Pararendëse e Holokaustit.
Shkëmbimi i popullsisë pothuajse e vdiq fare diversitetin etnik e kulturor që kish bashkëjetuar për qindra vjet në territorin e ish perandorisë osmane, përgatiti terrenin për armiqësi dhe konflikt permanent, i privoi njerëzit nga të drejtat e tyre themelore, pronën dhe historinë, dhe e uli njerëzimin në një nivel të ri të ulët. Shkëmbimi i popullsisë është një njollë e errët gjigande e egërsisë primitive psuedo qytetare, veçanërisht në ndërgjegjen kombëtare të Greqisë, e cila ishte në radhë të parë përgjegjëse për nisjen e procesit.
Pjesa tjetër e popullsisë ortodokse jo greke (shqiptarë, sllavë, arumunë, etj.) që nuk u dëbua nga trojet e veta, iu nënshtrua procesit të homogjenizimit dhe asimilimit total, ose ndryshe - kolonizimit kulturor e fetar neo-helenist. Këtyre popullsive iu tha që identiteti i vjetër ishte inferior e i paqytetëruar, nuk u hynte më në punë dhe se nuk kishte pse të trashëgohej tek fëmijët; se gjuhën e nënës po të donin mund ta flisnin vetëm në shtëpitë e tyre; se identiteti etnik ishte thjeshtë një nocion kulturor, etj. Reformat e neo-helenizmit ishin të thella e të gjithanshme. Ato kishin si qëllim
- zhdukjen e kujtesës popullore nëpërmjet ndryshimit të emrave, të rrugëve e lagjeve me emërtime të Greqisë së lashtë,
- eliminimin e çdo shenje të diversitetit fetar duke prishur, duke tjetërsuar ose duke nxjerrë jashtë përdorimit me mijëra xhami e godina të tjera të trashëgimisë osmane,
- tjetërsimin e gjurmëve toponimike në Çamëri e gjetkë duke i zëvendësuar ato me emërtime të Greqisë së lashtë, të cilat kishin dalë jashtë përdorimit këtu e 2000 vjet përpara, si psh Epirus, Thesprotia, Makedonia, etj,
- dhe zëvendësimin e gjuhës greke të popullore të quajtur "demotiki" me një gjuhë tjetër të quajtur "katharevusa", e cila ishte spastruar krejt nga të gjitha huazimet e fituara natyrshëm ndër shekuj, përfshi dhe fjalët shqip, ishte pasuruar me fjalë të reja nga Greqishtja e lashtë dhe ishte transformuar rrënjësisht nga aspekti gramatikor, për t'iu afruar sa më shumë Greqishtes së lashtë, deri në moskuptim nga qytetarët e thjeshtë.
Prandaj sot në Greqi, nuk është e rrallë të dëgjosh shqiptarë, sllavë ose arumunë që flasin gjuhët e tyre përkatëse, ose që e dinë që në shtëpitë e tyre flitej dikur gjuha nga prindërit apo gjyshërit e tyre, por kur i pyet për etninë e tyre ata të përgjigjen se, “prindërit ose gjyshërit e mi kanë qenë shqiptarë/sllavë/arumunë, por ne jemi grekë”. Pra ata vetë-identifikohen si grekë, a thua se identiteti etnik është një koncept ideologjik që mund të ndryshohet sipas kohës dhe modës.
Në fakt, vetë-identifikimi etnik është një nga shtyllat kryesore të identiteti neo-helenist. Ky koncept dominon gjerësisht edhe sot mënyrën se si shoqëria greke e percepton etninë. Ndërkohë që në Shqipëri etnia (qoftë shqiptare, greke, arumune apo sllave) është e lidhur ngushtë me origjinën e prindërve dhe kulturën e traditat e tyre dhe nuk ndryshon në varësi të ideologjisë, mendimeve personale, bindjeve politike, statusit social, nënshtetësisë, gjendjes ekonomike, fesë, nivelit kulturor, etj., në Greqi etnia është një koncept tërësisht ideologjik, i cili varet sipas fesë, bindjeve politike dhe besnikërisë ndaj shtetit neo-helenist. Kjo është edhe arsyeja pse në Greqi kemi vënë re gjerësisht fenomenin e asimilimit të shqiptarëve dhe “greqizimin” e tyre. Kjo është gjithashtu arsyeja pse disa ultra nacionalistë grekë hedhin parulla ndaj emigrantëve shqiptarë si “Nuk keni për tu bërë kurrë grekë!”. Sepse në fakt sipas neo-helenizmit, grek bëhesh, nuk lind.
“Megali idea” dominoi politikën e jashtme të Greqisë deri në shekullin 20-të. Ajo pushoi së qeni politikë zyrtare e shtetit Grek në vitin 1923, me shkëmbimin e popullsisë mes Greqisë dhe Turqisë, por vazhdoi të jetë politikë gjysmë e fshehur deri në fund të viteve 90, dhe vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite pikë frymëzimi për të gjitha politikat e jashtme të këtij shteti me fqinjët. Gjatë gjithë kësaj periudhe, përveç këtyre 30 viteve të fundit, “Megali Idea” ka pasur bekimin e plotë të fuqive evropiane, sidomos asaj britanike dhe është zbatuar në koordinim të plotë me këto fuqi:
- Në luftën e parë ballkanike, Greqia mori Çamërinë dhe territore të tjera shqiptare me mbështetjen e Britanisë.
- Në luftën e parë botërore Greqia bëri tentativa për të krijuar me dhunë Republikën Epirit të Veriut dhe kreu masakra ndaj popullsisë shqiptare me mbështetjen e Britanisë.
- Ne përfundim të luftës së parë botërore fuqitë e mëdha nënshkruan marrëveshjen e fshehtë të Londrës, sipas së cilës Epiri i Veriut i jepej Greqisë.
- Në luftën e dytë botërore, po të mos ishte për Gjermaninë naziste, Greqia kishte për të bërë realitet aneksimin e Epirit të Veriut, pasi Britania ia njohu territoret e pushtuara gjatë luftës italo-greke.
- Në vitin 1945 Napolon Zerva dhe forcat e tij kriminale dëbuan 50,000 civilë çamë nga tokat dhe shtëpitë e tyre, të cilët Greqia nuk i lejoi të kthehen më me justifikimin se të gjithë ishin bashkëpunëtorë të nazizmit. Britania nuk tha asnjë fjalë kundër kësaj padrejtësie historike.
- Në 1946 Britania e madhe shkaktoi incidentin e Korfuzit me anijet e ankoruar në portet greke.
- Në vitin 1949, ushtria greke, me mbështetjen e aviacionit britanik dhe financime amerikane tentoi të pushtonte jugun e Shqipërisë, por u thye nga forcat tona, në ngjarjen e ashtuquajtur “provokacionet e gushtit”.
- Deri në vitin 1956, Greqia, në bashkëpunim me britanikët dhe amerikanët organizuan grupe të shumta me diversantë dhe agjentë për të krijuar kaos dhe destabilitet që mund të justifikonin një ndërhyrje të ushtrisë greke në Shqipëri.
Neo-helenizmi në shekullin e 20-të.
Edhe pas rënies së komunizmit, shqiptarët, si në Shqipëri, si në Greqi vazhduan të ndjejnë efektin e drejtpërdrejtë të neo-helenizmit dhe presionin e jashtëzakonshëm politik e ekonomik të tij. Me ardhjen e tyre si emigrantë në Greqi dhe me sfidat e reja ekonomike e sociale, efektet e indoktrinimit 200 vjeçar neo-helenist anti-shqiptar filluan të dalin në sipërfaqe. Fenomene të cilat në Shqipëri as që ishin dëgjuar e parë ndonjëherë, papritur u bënë realiteti i ditës dhe kyçi i mbijetesës në një tokë të huaj e jomiqësore. Përveç varfërisë, pa-përgatitjes për tu përballur me kapitalizmin dhe mungesës së dijeve profesionale, emigrantët shqiptarë u përballën për herë të parë edhe me dilemën e identitetit etnik dhe fesë. Një çështje që për ta kish qenë vetëm një temë e librave të historisë dhe propagandës së “vjetëruar” komuniste, papritmas u bë tema e ditës.
Tashmë ndërhyrja e drejtpërdrejtë e shtetit as që ishte e nevojshme. Vetë shoqëria greke, ca me ndërgjegje e ca pa ndërgjegje, zbatoi në mënyrë të përpiktë të gjitha parimet asimiluese të doktrinës neo-heleniste, të cilat dashje-pa-dashje i kish bërë pjesë të kulturës së vet. Me mijëra shqiptarë, djem e vajza të reja, njerëz të thjeshtë e pa ndonjë ndërgjegje të theksuar qytetare, politike e nacionaliste, që bënin një jetë fare të thjeshtë, jashtë ndikimit fetar e politik, papritur u gjendën para një vale sulmesh ideologjike e sociale, të cilat kërkonin sakrifikimin e identitetit të tyre jo ideologjik shqiptar dhe zëvendësimin e tij me identitetin ideologjik neo-helenist. Në këmbim të punës, mirëqenies dhe prosperitetit ata duhet të ndryshonin fenë dhe emrin, të adoptonin bindje të reja dhe shpesh herë të mohonin gjuhën e nënës. Pra, e thënë me fjalë të tjera, ata duhet t'i shiteshin neo-helenizmit për bukën e gojës.
Neo-helenizmi dhe minoriteti grek në Shqipëri
Në mjaft raste propaganda neo-heleniste krijoi kushtet edhe për radikalizëm etno-religjioz. Disa shqiptarë, kryesisht minoritarë grekë, shkuan deri atje sa të bëheshin anti-shqiptarë të thekur. I tillë është rasti Kacifas dhe individëve të tjerë që qarqet ultranacionaliste greke i përdorin për qëllimet e tyre politike.
Në fakt minoriteti grek në Shqipëri është shfrytëzuar dhe keqpërdorur nga shteti dhe elitat neo-heleniste në Greqi për të arritur qëllimet e tyre gjeopolitike në rajon. Duke mbajtur pozitë armiqësore ndaj Shqipërisë e duke e izoluar atë politikisht e ekonomikisht, neo-helenizmi e ka dënuar me vuajtje e fukarallëk edhe minoritetin grek në Shqipëri, pasi në vend që ta shfrytëzonte si urë lidhëse e mirëkuptimi mes dy shteteve, e ka përdorur si mish për top për fetishet megalomane të megali ideistëve neo-helenistë (qofshin këta me origjinë greke, arvanitase, arumune apo sllave).
Me politikat e saja shoviniste e ekspansioniste, Greqia ka vënë disa herë në rrezik mirëqenien dhe legjitimitetin e këtij minoriteti në trojet e veta shekullore duke u përpjekur ta përdorë atë si antagonist ndaj etnisë shqiptare, me qëllim ndezjen e fitilave të urrejtjes ndëretnike e përsëritjen e skenarëve të 1821-shit. Fatmirësisht Greqia ka dështuar gjithmonë në këtë drejtim pasi as shqiptarët e as minoriteti grek (përveç disa elementëve të caktuar) nuk u bënë asnjë herë pre e këtyre planeve konflikt ndjellëse e urrejtje nxitëse.
Konkluzione
Përveç gjithë problemeve dhe konflikteve të shumta gjeopolitike që ka krijuar në rajon, neo-helenizmi i ka shkaktuar një dëm të jashtëzakonshëm edhe shqiptarëve e shqiptarisë në përgjithësi.
- Së pari ai është përgjegjës për prishjen e ekuilibrit mijëra vjeçar të bashkëjetesës në harmoni mes shqiptarëve, grekëve dhe etnive të tjera në rajon, një ekuilibër që nuk u prish nga asnjë perandori nga ato që sunduan në Ballkan, përfshi dhe atë osmane.
- Së dyti, ai ka prishur lidhjet natyrale mes arvanitasve dhe pjesës tjetër të shqiptarëve, një lidhje që sot natyrshëm duhet të shërbente si urë lidhëse e miqësie me dy popujve. Në fakt neo-helenizmi i ka bërë arvanitasit proponentët më të mëdhenj të anti-shqiptarizmit në Greqi.
- Së treti, ka ndërprerë zhvillimin dhe zgjerimin natyral të etnisë shqiptare në Ballkan, duke e asimiluar shqiptarët, duke i luftuar ata e duke tkurrur territorin në të cilin mund të zhvillojnë të lirë identitetin e tyre.
- Së katërti, ka qenë një ndër shkaktarët e drejtpërdrejtë të epokës së errët shqiptare, një periudhë rreth 130 vjeçare gjatë së cilës etnia shqiptare, identiteti kulturor, gjuha dhe vetë populli shqiptar kanë qenë nën një sulm të qëllimtë e të vazhdueshëm ushtarak, politik e social-kulturor, me qëllimin e vetëm që të pengohen të krijojnë një shtet kombëtar me një identitet të bashkuar dhe që të mos arrijnë kohezionin e nevojshëm social e stabilitetin ekonomik që do ti jepte shoqërisë tonë mundësinë e krijimit të kushteve të përshtatshme për zhvillim dhe prosperitet afatgjatë.
Edhe pse shqiptarët dhe grekët janë dy popuj që kanë tipare të ngjashme social kulturore, ideologjia neo-heleniste propagandon me forcë ata elementë kulturorë që shkaktojnë diskriminim e ndasi, dhe minimizon e mohon ata elementë kulturorë që bashkojnë dhe harmonizojnë popujt. Për afro 130 vjet, neo-helenizmi ka shpifur e sajuar gjithfarëlloj të pa vërtetash në adresë të shqiptarëve, duke i quajtur ata si të shitur, tradhtarë, armiq e të pa qytetëruar. Nga njëra anë është përpjekur të ulë e të poshtërojë kulturën dhe identitetin etnik shqiptar, mundësisht deri në mohimin e tij, ndërsa nga ana tjetër i ka thurur lavde dhe i ka dhuruar me pa të drejtë identitetit neo-helen të gjitha bëmat e qytetërimit të lashtë helen.
Çfarë mund të mendojë një shqiptar i thjeshtë dhe si mund të përballet ai me faktin që kultura dhe identiteti i tij etnik injorohet nga e gjithë bota e qytetëruar, ndërkohë që fqinjit të tij jugor i atribuohet “themelim i qytetërimit evropian”? Si mund të jetë ndjerë një shqiptar i thjeshtë në një vend, i cili e vret dhe e masakron e pastaj e shtyp dhe e përçmon pa i hyrë gjemb në këmbë? Është e pamundur që t’i bësh ballë një presioni të atillë, sidomos kur je i varfër dhe i pa arsimuar. Natyrisht që shumë prej tyre u thyen e u dorëzuan, duke preferuar që të harrojnë rrënjët e tyre për hir të një jete më të qetë e pa probleme.
Prej neo-helenizmit kanë vuajtur shumë edhe grekët, si brenda Greqisë ashtu edhe jashtë saj, pasi zbatimi i politikave agresive imperialiste neo-heleniste ka kërkuar gjithnjë sakrifica të mëdha, sakrifica që kanë sjellë mjerim dhe vdekje tek populli grek. Ai është vrarë, prerë e masakruar në të gjitha format, vetëm e vetëm që elitat neo-heleniste të arrinin qëllimet e tyre imperialiste.*
*Lexo shkrimin me titull "Grekët, viktimat e para të neo-helenizmit".
Mirëpo neo-helenizmi nuk është i vërtetë. Ai nuk është një identitet etno-kulturor natyral pasi nuk bazohet në historinë, trashëgiminë, gjuhën, kulturën dhe zakonet e popullit. Ideologjia neo-heleniste është një sajesë e elitave politike evropiane dhe është mbajtur gjallë me mbështetjen e drejtpërdrejtë ekonomike, politike e ushtarake të tyre. Sot neo-helenizmi është një nga pengesat kryesore të mirëkuptimit e bashkëpunimit mes Greqisë dhe Shqipërisë, shkaktari kryesor i tensionit që ekziston mes dy popujve. Prandaj, unë mendoj se për të rivendosur edhe një herë ekuilibrin natyral në rajon e për të rivendosur në rrjedhën e vet natyrore marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe grekëve, shoqëria greke duhet ta braktisë ideologjinë neo-heleniste një herë e përgjithmonë, të ringjallë parimet e diversitetit etno-kulturor dhe të flakë tutje të gjitha politikat e jashtme dhe të brendshme të frymëzuara nga “Megali idea”. Vetëm në këtë mënyrë mund të bëhet pajtimi mes dy kombeve. Vetëm kështu mund të rivendosen marrëdhëniet vëllazërore mes tyre.
Lexo gjithashtu shkrimet me titull "Plani grek i Ekaterinës së Madhërishme", "Kush e nisi debatin politik mbi origjinën e shqiptarëve" dhe "Ideologjia neo-pellazge, kopje e neo-helenizmit".
Flm për këto të dhëna të errëta të historisë Shqiptare….
ReplyDeleteThe Greek government should do more than denounces the neo-Hellenism ideology. Should return the right of properties for the CAM community, freedom of the Albanian language practise and education in all the institution of the Greek governments and public education system. Should stop immediately the request of the right of expansion in the IONIAN see. Should declare that the state of war against Albania it is finished. Should stop the propaganda of Vorio Epirin.
ReplyDelete