Grekët, viktimat e para të neo-helenizmit

Masakra e Kiosit. Një e katërta e popullsisë së krishterë prej 120,000 vetësh u masakrua
nga forcat osmane më 1821. Shumica e tyre grekë.

Shumëkujt mund t'i duke çudi, por vuajtësi më i madh i politikave shoviniste të elitave neo-heleniste të Athinës është vetë populli grek, si ata të fesë myslimane, ashtu dhe ata të fesë ortodokse. 

Me dhjetëra mijëra myslimanë grekë të Peloponezit, Greqisë qendrore dhe Kretës janë masakruar nga mercenarët në emër të "revolucionit" të 1821shit dhe po aq grekë të krishterë janë masakruar si rezultat i fushatave hakmarrëse prej forcave osmane në Azinë e Vogël e nëpër ishuj. Në fillim myslimanët e Akaias, Kalavritës, Monemvasisë, Tripolicës, etj, e mandej të krishterët e Kiosit, Samosit, Izmirit, Qipros, Samotrakës, etj. Shumica e këtyre ishin padyshim grekë, nga të dyja palët, edhe pse historiografia greke i quan grekët myslimanë rëndom "turq". 

Grekët e Turqisë vuajtën sërish pasojat e politikave neo-heleniste gjakatare të Athinës në vitet 1919-1922, kur u përballën me valën hakmarrëse të forcave turke, të cilat kërkonin shpagim për masakrat e tmerrshme që ushtria greke kishte kryer ndaj myslimanëve në Turqi. Prej këtij konfliktit të tmerrshëm vuajtën mbi 15,000 qytetarë myslimanë dhe mbi 260,000 qytetarë të krishterë të Turqisë nga të cilët, pjesa më e madhe ishte padyshim greqishtfolëse.

Në vitin 1923 Athina propozoi shkëmbimin e popullsisë me bazë feje. 600 mijë grekë myslimanë të quajtur "farë turke" u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe u degdisën në dhe të huaj. Po ashtu, afro 1 milionë grekë të tjerë ortodoksë u dëbuan nga shtëpitë e tyre në Turqi dhe u degdisën gjithashtu në dhe të huaj.

         Myslimanët grekë nisen si bagëtitë me anije për në dhe të huaj.

Edhe viktimat e terrorit antigrek të bashkëpunëtorëve shqiptarë të Nazizmit në Çamëri ishin rezultat i politikave shtypëse e shoviniste antishqiptare të Athinës. Duke e persekutuar popullsinë shqiptare për dekada të tëra, qeveritë greke krijuan kushtet për një urrejtje të ndërsjellë etnike, e cila shpërtheu egërsisht me pushtimin e Greqisë nga ushtria fashiste. Kjo urrejtje që disa shqiptarë treguan ndaj civilëve grekë ishte diçka që në Shqipëri as që mund të mendohej  sepse qeveritë shqiptare nuk krijuan asnjëherë kushtet e nevojshme për urrejtje ndëretnike.

Mandej, në vitin 1955 politikat ekspansioniste të Athinës kundrejt Qipros u bënë sërish shkaktare të pogromit antigrek të Stambollit, prej të cilës u vranë disa grekë, u bastisën dyqanet dhe u dogjën shtëpitë, gjë që shkaktoi eksod masiv të qytetarëve grekë nga Stambolli. Politikat shoviniste të Athinës do të bëheshin sërish shkaktar për masakra të ndërsjella mes grekëve e turqve në vitin 1974, kur Turqia u detyrua të ndërhynte ushtarakisht në Qipro.

Mos flasim pastaj për numrin e jashtëzakonshëm të ushtarëve grekë që kanë lënë kockat në dhe të huaj për hir të politikave ekspansioniste megali-ideiste të Athinës, rasti u fundit ai i provokacioneve të gushtit 1949 ku rreth 500 ushtarë grekë lanë kockat në kufirin me Shqipërinë.

Së fundmi, elitat politike neo-heleniste të Athinës kanë vënë në rrezik edhe legjitimitetin e minoritetit grek në Shqipëri, pasi në vend që të krijonin ura bashkëpunimi e vëllazërie mes dy popujve, ata e kanë shfrytëzuar e keqpërdorur atë për fetishet e tyre megali-ideiste. Duke zhvilluar politika agresive ndaj Shqipërisë dhe pavarësisë së saj e duke u përpjekur të aktivizojnë minoritetin grek në veprime antagoniste e konfliktuale si ndaj shtetit ashtu edhe ndaj popullsisë shqiptare, ata e kanë dënuar minoritetin me varfëri, izolim dhe konflikte të njëpasnjëshme. Ata janë përpjekur dhe përpiqen vazhdimisht të nxisin urrejtjen ndërfetare dhe të shfrytëzojnë çdo rast për të krijuar dasi e armiqësi mes dy etnive. 

Sot pothuajse i gjithë minoriteti grek, lulja e rinisë, është në Greqi. Fshatrat e atdheut të tyre janë boshatisur. Athina dhe langonjtë e saj bëjnë sikur shqetësohen për të, por faktikisht nuk kanë bërë asgjë për prosperitetin e atij komuniteti. Kanë kërkuar varreza, kanë ngritur kisha, kanë dërguar autobusë me protestues e votues të paguar, kanë nisur kriminelë të armatosur, kanë shpalosur flamuj shovinistë, u kanë ngritur kriminelëve përmendore, kanë bërë presion të drejtpërdrejt politik por nuk kanë bërë asnjë investim për zhvillimin e ekonomisë, strehimit, arsimit e shëndetësisë, nuk kanë propozuar asnjë politikë dypalëshe për zhvillimin e rajonit, nuk kanë nisur asnjë program që të promovojë paqen dhe vëllazërimin dhe çdo vit e përdorin kufirin për t'ua nxirë jetën minoritarëve dhe shqiptarëve bashkë.

Jo rastësisht minoriteti grek në Shqipëri kohët e fundit është vënë sërish në qendër të një sulmi mediatik nga disa pseudo-historianë që kanë jetuar në Greqi dhe lukunia e njerëzve të acaruar por naivë që i ndjek nga pas. Ky është një reflektim i politikave të vazhdueshme neo-heleniste antishqiptare të shtetit grek, i cili është reflektuar në mentalitetin e përgjithshëm shqiptarofobik të shoqërisë greke dhe që pasqyrohet në aktivitetin agjenturial në Shqipëri të disa individëve me origjinë nga minoriteti. Nxitësit e këtyre konflikteve nuk kanë asnjë interes për mbrojtjen e interesave të etnisë greke në Shqipëri. Atyre u intereson vetëm territori dhe minoritetin e përdorin për politikat a tyre shoviniste.

Për një shtjellim më të gjerë të kësaj teme lexoni shkrimin me titull "Neo-helenizmi dhe shqiptaria".

Comments

Shkrimet më të lexuara të muajit

Pse u konvertuan shqiptarët në myslimanë?

Epoka e errët shqiptare

Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj?