Ideologjia neo-pellazge, kopje e neo-helenizmit
Shënim: Për të kuptuar më mirë sfondin ideor të këtij shkrimi mund t’i referoheni shkrimeve me titull "Sharlatanë të të gjitha kohërave, bashkohuni!", “Neo-helenizmi dhe shqiptaria” dhe “Kush e nisi debatin mbi origjinën e shqiptarëve?”.
Në formën që ka marrë kohët e fundit në debatin mediatik publik, ideologjia neo-pellazge, ajo që promovojnë disa "studiues" lartë e poshtë nëpër media e nëpër botime, është një kopje e dalë boje e neo-helenizmit pasi, ashtu si kjo e fundit, ushqehet nga një ndjesi e thellë inferioriteti ndaj kulturës së kultivuar historike. Njësoj si neo-helenistët, të cilët kanë nevojë të justifikojnë idetë e rreme të madhështisë që kanë për veten duke përvetësuar padrejtësisht arritjet kulturore e shkencore të njerëzve të lashtësisë, ashtu edhe neo-pellazgjistët kanë nevojë të justifikojnë mangësitë e tyre intelektuale në raport me dijet e kultivuara, duke i dhënë shtysë fantazisë së shfrenuar e duke përvetësuar padrejtësisht faktet historike.
Si neo-helenistët, ashtu edhe neo-pellazgjistët deklarojnë superioritetin e rremë të grupit të tyre ndaj grupit tjetër, me qëllim për ta nënçmuar e nënvlerësuar atë nëpërmjet argumenteve të pambështetura, tezave jo shkencore dhe deklaratave cinike, me qëllim që të vetëshpallen themelues të qytetërimit europian, ndërkohë që të dyja grupet kanë dalë nga i njëjti brum mediokriteti ballkanik, i cili ka shumë pak lidhje me konceptin modern të qytetërimit dhe kulturës.
Këtë garë të shëmtuar e të pabegatë e nisën të parët neo-helenistët, të cilët iu bashkangjitën konceptit të “qytetërimit të lashtë” si një virus i kobshëm, në një kohë kur kjo praktikë kishte mbështetjen e plotë të pseudoshkencës Europiane. Dy shekuj më vonë, në vend që ta identifikojnë, t'a zbërthejnë dhe t'a dënojnë për atë që është, një ideologji mashtruese pseudoshkencore, neo-pellazgjistët po e përdorin neo-helenizmin si gjurmë udhërrëfyese për të ndjekur të njëjtin shteg e për të arritur të njëjtat objektiva: t'u japin vetes së tyre vlera historike-kulturore nëpërmjet trashëgimisë së rreme: “Nëse i kam paraardhësit e mi të madhërishëm, atëherë edhe unë përfitoj prej madhështisë së tyre. E nëse ata nuk kanë qenë të tillë, atëherë unë do t’i nxjerr nga hiçi.”
Ideologjia neo-pellazge është jo vetëm një sipërmarrje e padobishme por edhe një grackë psikologjike. Neo-pellazgjistët po promovojnë në shoqërinë shqiptare metodologjinë populiste neo-heleniste dhe fatkeqësisht ata që po e “blejnë” këtë farsë janë të shumtë. Ne duhet ta luftojmë idiokracinë ideologjike, jo ta riprodhojmë atë. Ne nuk duhet të keqpërdorim e të keqinterpretojmë zhvillimet historike dhe njerëzit e lashtë për t’i dhënë vetes vlera të supozuara apo për të nënçmuar të tjerët. Supremacizmi është një shenjë e zbrazëtisë kulturore dhe intelektuale. Ne nuk duhet të ndjekim shembullin neo-helenist duke pretenduar të jemi ata që nuk jemi sepse kështu nuk bëhemi më të mirë dhe nuk fitojmë gjë. Përpjekja e ideologjisë neo-pellazge për të zbuluar ndonjë të vërtetë historike “të humbur” për shqiptarët dhe gjuhën shqipe është tregues i mungesës së përmbajtjes kulturore të këtyre njerëzve, pasi në vend që të fokusohen në kuptimin dhe zbërthimin e zhvillimeve reale historike dhe të çmojnë luftën shekullore të identitetit etnik shqiptar për mbijetesë, neo-pellazgjistët jetojnë në fantazi pseudointelektuale dhe po përpiqen “t’i mbushin mendjen mbretit se rrobat janë vërtetë tejdukshme”.
Ashtu si neo-helenizmi, ideologjia neo-pellazge është anti-kulturë, anti-arsim dhe më e rëndësishmja anti-shqiptare për shkak se duke u përpjekur të identifikohet me një kulturë që perceptohet padrejtësisht si “më e lartë” dhe “më e qytetëruar”, mohon krejt vlerat e kulturës dhe historisë së vërtetë të shqiptarëve, përpjekjet, investimin dhe sakrificën mijëravjeçare të brezave të njëpasnjëshme për të drejtën e ekzistencës, që ne të jemi sot këtu.
Në thelbin e tyre, neo-pellazgjistët, ashtu si edhe neo-helenistët, ndihen inferiorë kundrejt identiteteve etnike të sajuara institucionale dhe vuajnë nga një vetëpërçmim ekstrem, ndrydhje kulturore dhe allofili. Mungesa e një informacioni cilësor për kulturën e vërtetë të popullit të tyre dhe adhurimi i glorifikimit të qytetërimeve të lashta i bën ata që të mos jenë gjë tjetër veçse enë të zbrazëta intelektuale, të paaftë të vlerësojnë atë çka dhe kush janë, me qëllim për t'a zhvilluar atë më tej. Thellë në mendjen e tyre neo-pellazgjistët vuajnë nga mllefi dhe nënçmojnë popullin, kulturën dhe identitetin e tyre. Dhe për të kompensuar këtë ndjesi ata kanë nevojë që të ndërtojnë një identitet të ri të falsifikuar, një identitet me të cilin ata të mund të mburren e të “krenohen”. Pyesni një neo-pellazg se çfarë mendon për kulturën shqiptare dhe shqiptarët në përgjithësi dhe nëse do të tregohen të sinqertë ata do të vjellin gjithfarëlloj vreri kundër saj. Asgjë nuk ka vlerë për ta nëse nuk mbulohet nga një vello madhështie, nëse nuk është e jashtëzakonshme ose e vlerësuar dhe e admiruar nga e gjithë bota. Nëse nuk ka fjalën “qytetërim” të bashkangjitur, atyre nuk u intereson. I tillë është botëkuptimi i tyre.
Por neo-pellazgjistët, ashtu si edhe neo-helenistët, nuk e kanë idenë se si funksionojnë qytetërimet dhe kultura në të vërtetë. Ata i krijojnë idetë e tyre vetëm në bazë të reklamës së monumentalizmit historik, pa i hyrë studimit të proceseve në thellësi. Ata janë viktima të konstrukteve të propagandave ideologjike nacionaliste pasi nuk kanë aftësinë t’i zbërthejnë e t’i kuptojnë prapaskenat e tyre. Për neo-pellazgjistët çdo gjë është me të dukur. Sa më e madhërishme të duket, aq më shumë rëndësi merr. Në këtë mënyrë ideologjia neo-pellazge është një rrezik i drejtpërdrejtë i vlerave kulturore shqiptare dhe historisë tonë dhe duhet të cilësohet për atë që është, një mashtrim intelektual që vjen nga një vend i errët inferioriteti dhe injorance.
Ideologjia neo-pellazge është absolutiste dhe ekskluziviste dhe ashtu si neo-helenizmi nxit urrejtjen dhe konfliktet ndëretnike. Të dy këto ideologji kanë të përbashkët faktin që mbështetësit e tyre nuk vlerësojnë dhe nuk pranojnë ekzistencën dhe rëndësinë e diversitetit etnik e kulturor. Ata nxisin dasinë, armiqësinë dhe ftohjen mes grupeve të ndryshme etnike në Shqipëri e gjetkë. Pretendimet se Grekët e lashtë ishin të gjithë pellazgo-shqiptarë, apo që Grekët e sotshëm nuk ekzistojnë, apo që të gjitha gjuhët e Europës mund të zbërthehen nëpërmjet shqipes, janë përpjekje qesharake për të mohuar mijëra vjet histori të shkruar, të dokumentuar e më pas të studiuar ose për të mohuar e zhbërë diversitetin etnik e kulturor të kësaj pjese të Ballkanit.
Neo-helenistët ishin të parët që i mbështetën dhe i shpërndanë këto ide konfliktuale dhe dëmi që shkaktuan në Ballkan e gjetkë ishte i jashtëzakonshëm, përfshi edhe ndaj vetë popullit grek. Neo-pellazgjistët po bëjnë të njëjtën gjë. Është kthyer në një fenomen krejt të zakonshëm të shikosh komente në internet të shkruara nga turma njerëzish të mashtruar, të cilët shprehin urrejtje e mllef ndaj minoriteteve të krishtera në Shqipëri, veçanërisht grekëve, a thua se prej tyre u ka ardhur e keqja. Nga ana tjetër, shqiptarët që nuk bien dakord me këto teori, përfshi dhe profesorë të respektuar, sulmohen dhe etiketohen automatikisht si agjentë anti-shqiptarë të grekut, serbit apo dikujt tjetër, të paguar kushedi se me ç’para, dhe padyshim tradhtarë.
Por kush përfiton nga e gjithë kjo urrejtje? Kush kërkon ftohje ndër-etnike në Shqipëri? Pastaj, kush ka bërë përpjekje të vazhdueshme për të futur konfliktin mes nesh? Shqiptarët, grekët, arumunët, serbët? Jo. Qarqet neo-heleniste (dhe dikur ato serbomadhe). Ata duan që shqiptarët të urrejnë grekët, në mënyrë që të bëjnë lartë-e-poshtë deklarata për tensione ndër etnike. Ata duan që myslimanët të urrejnë të krishterët në mënyrë që ata të shpallin se të krishterët në Shqipëri po persekutohen. Ata duan të pikturojnë një tablo shtypjeje e tiranie, në mënyrë që të legjitimojnë ardhjen në ndihmë të “vëllezërve të tyre”. Neo-pellazgjistët po ua shërbejnë atyre argumentet në pjatë të argjendtë. Të gjendur në një ambient të varfër financiar e intelektual, sa më shumë urrejtje të nxitet kundër minoriteteve greke e arumune, aq më të mëdha janë gjasat që këto grupe etnike të bien pre e propagandës neo-heleniste, sidomos kur jetojnë e banojnë në Greqi, duke krijuar kështu kushte ideale për krijimin e elementëve ala-Kacifa.
Ideologjia neo-pellazge është e rrezikshme dhe e dëmshme për harmoninë etnike e kulturore në Shqipëri, veçanërisht për shqiptarët. Shoqërisë sonë iu desh që të kalonte shumë peripeci e vuajtje për t’i shpëtuar ndikimit përçarës së institucioneve fetare. Asaj nuk i duhet një tjetër ideologji radikale që sjell më shumë dasi e më shumë përçarje.
Comments
Shto një koment