Sharlatanë të të gjitha kohërave, bashkohuni!

Kundërshtitë e sajuara

Ekziston një dukuri e njohur social-politike që quhet "konflikt i sajuar" ose "kundërshti e sajuar", e cila nxitet zakonisht ose prej dëshirës për përfitime ekonomike, ose për çështje ideologjike. Qëllimi i “konfliktit të sajuar” është që të krijojë idenë sikur ka dy mendime legjitime të kundërta, apo dy kampe të kundërta të barabarta në autoritet akademik, për një çështje shkencore që në qarqet akademike nuk është fare temë debati. Kjo bëhet për të futur dyshimin e për të çoroditur opinionin publik duke krijuar psikozën e paqartësisë. Prandaj dhe ndonjëherë përdoret emërtimi "paqartësi e fabrikuar". 

Nxitësit e "kundërshtive të sajuara" ngrenë argumente me fakte të cungëta, të shkëputura nga konteksti shkencor dhe përpiqen të anashkalojnë ose të denigrojnë rolin e shkencës apo institucioneve shkencore, etj. Mekanizmi i preferuar i tyre janë kryesisht sulmet personale ndaj autoritetit të shkencëtarëve akademikë. Ata lëshojnë akuza kundër komunitetit shkencor me pretendimin se është intolerant, se nuk pranon mendimin ndryshe, se është subjekt i teorive të ndryshme konspirative, apo se ka qëllime ideologjike ogurzeza.

Këta nxitës i ndihmon edhe media duke i vënë në një rrafsh me shkencëtarët e vërtetë, me pretendimin se është asnjanëse dhe se raporton këndvështrimet e të dyja palëve. Në këtë mënyrë media krijon një “balancë të rreme” që shpie ujë në mullirin e pseudoshkencës. Debati mbi covid-in, për vrimën e ozonit, shkrirjen e akullnajave, etj, janë disa nga “kundërshtitë e sajuara” që i njohim të gjithë.

Kjo dukuri që në botën shkencore njihet tashmë prej shekujsh u shpalos vitet e fundit në botën mediatike shqiptare në të gjitha format dhe me të gjithë fuqinë e saj goditëse. Nxitësit e saj u bënë disa pseudoshkencëtarë që bubërrojnë në lëmin e historisë, gjuhësisë e ndonjë fushe tjetër, të cilët arritën me sukses të politizojnë çështje të karakterit thellësisht kulturor e shkencor, duke shfrytëzuar frymën gjysmë-nacionaliste që ka pushtuar këtë dhjetëvjeçarin e fundit botën shqiptare, për shkak të ngjarjeve në Kosovë. Këta pseudoshkencëtarë lëshuan deklarata madhështore për prejardhjen dhe gjuhën e shqiptarëve, duke ngritur pretendime nga më absurdet, si për shembull që shqiptarët janë pasardhës të pelasgëve apo që gjuha shqipe është gjuha më e vjetër, ose nëna e të gjitha gjuhëve indoeuropiane, e pse jo edhe të gjithë botës, ndërkohë që lëshuan një batare sulmesh e akuzash kundër komunitetit shkencor, institucioneve shkencore dhe vetë akademikëve që nuk i pranojnë këto mufka jo shkencore, duke ngritur një sërë legjendash konspiracioniste e duke i etiketuar këta si antishqiptarë, si mbrojtës të axhendave serbe e greke (ato të periudhës së luftës së pavarësisë), si mohues të qëllimshëm të lashtësisë së shqiptarëve dhe gjuhës shqipe, si mbytës të frymës së lirë të debatit akademik, si mbrojtës së tezave serbo-sllave, e të tjera mufka si këto, njëra më tinëzare dhe më e shëmtuar se tjetra. 

Ndonëse modën e pretendimeve absurde e nxiti mbretëresha e mohimit me pretendimet e saj arrogante e antishkencore për mos ekzistencën e një populli grek (sipas tezave pseudoshkencore të Falmerajerit), sulmin e drejtpëdrejtë kundër akademikëve e nisi xhelati i etimologjisë, mjeshtri i vetëshpallur i “embriomorfemave”, për të vetmen arsye pse Akademia dhe akademikët refuzuan t’i bënin oponencë zyrtare veprave të tij pseudoshkencore. Prandaj ai nuk la ekran televizioni pa dalë dhe, si një fëmijë i llastuar, i cili kërkon të hakmerret kur i prishet qejfi, hodhi gjithfarëlloj shpifjesh në adresë të të gjithë atyre që e injoruan, duke krijuar kështu psikozën e një beteje të rreme për kinse mbrojtjen e të drejtave të munguara të gjuhës shqipe. Duke qenë që kësaj “kundërshtie të sajuar” media i bëri jehonë duke ftuar edhe më shumë konspiracionistë e mbështetës të tezave pseudoshkencore, u krijua në publik përshtypja sikur papritur shqipja ishte në rrezik (rreziqet e para një shekulli) dhe se xhelati i etimologjisë, bashkë me një numër luftëtarësh të pas pilafit, me në krye, natyrisht kryepellazgologen, kishin dalë për t’a mbrojtur dinjitetin e mohuar të shqiptarisë nga ujqit antishqiptarë grekë e serbo-sllavë të botës “komuniste” akademike. 

Për më tepër lexo shkrimin me titull "Ideologjia neo-pellazge, kopje e neo-helenizmit!"

Kjo frymë e qëllimshme urrejtje nxitëse u bë shtysë e një fushate të jashtëzakonshme rrugaçërie me sulme e fyerje nga më vulgaret në drejtim të akademikëve. Nuk mbeti roje, shofer taksie, pijanec e i papunë që nuk shprehu indinjatën e tij në rrjete sociale kundër "poshtërsisë" që akademikët i kishin bërë e po i bënin historisë së shqiptarëve, gjuhës shqipe dhe gjithë shqiptarisë në tërësi. Njësoj siç u turreshin dikur femrave të akuzuara si shtriga turmat e acaruara mesjetare të nxitur nga kisha, ashtu edhe turmat e pellazgologjisë po u turreshin tash akademikëve për t'i "djegur" në turrën e gjykimit popullor. 

Ashtu siç pritej, bota akademike nuk mori seriozisht asgjë nga këta dhe me të drejtë i etiketoi këta kalorës donkishotianë si sharlatanë, sepse ashtu si sharlatanët e dikurshëm që hiqeshin si mjekë e specialistë të fushave të tjera me qëllim që t’u shisnin njerëzve produkte të rreme çudibërëse (si p.sh. vaj gjapri), ashtu dhe këta fituan famë, e madje edhe para (nga shitjet e librave të tyre) duke mashtruar publikun me tezat e tyre të gënjeshtërta e qesharake. 

Goropistët 

Një fjalë e urtë thotë: "Nuk ka asgjë të re nën këtë qiell”. E kjo fjalë i përshtatet më së miri sharlatanëve shqiptarë të pellazgologjisë, turboetimologjisë, shqiptarokozmologjisë dhe pretendimeve të tyre absurde joshkencore.  Ata nuk thonë asgjë origjinale, asgjë të shpikur rishtas. Si shumë fenomene të tjera shoqërore, edhe ky i ka rrënjët në thellësitë e shekujve, më konkretisht në periudhën e Rilindjes, 500 e kusur vjet përpara.

Para se të ekzistonin dalipërat, kocaqërat e sazanërat, diku andej nga gjysma e parë e shekullit XVI ekzistonte një farë Johanes Goropius Bekanus, një fizikan, linguist e humanist holandez që ngrinte ekzakt të njëjtat pretendime që ngrenë sot kolegët e tij shqiptarë. Goropiusi pretendonte se dialekti i tij i folur në krahinën e Brabantit ishte gjuha origjinale që flitej në parajsë. Idem si sharlatanët shqiptarë, Goropiusi besonte gjithashtu se gjuha më e lashtë duhet të ishte padyshim gjuha më e thjeshtë, e cila kishte edhe "fjalët më të shkurtra". E meqë dialekti brabant kishte fjalë më të shkurtra se latinishtja, greqishtja e hebraishtja, atëherë medoemos ai dialekt duhet të ishte gjuha më e lashtë.

Por ngjashmëritë me sharlatanët e gjuhësisë e historisë shqiptare nuk përfundojnë aty. Edhe Goropiusi në kohë të vet arsyetonte nëpërmjet etimologjisë se të gjitha gjuhët e Europës e kishin origjinën nga dialekti brabant. Për shembull, fjalën latine për ahun "quercus" ai e shpjegonte me fjalën brabante "werd-cou" (mban jashtë të ftohtët). Po ashtu, emrin hebraik Noah ai e shpjegonte me fjalën brabante "nood" (nevojtar, ang. need). Jo vetëm kaq. Goropius mendonte se emrat e Adamit dhe Evës kishin gjithashtu kuptim në dialektin brabant. “Adam”, sipas Goropiusit, vinte nga "hath-dam" (digë kundër urrejtjes) dhe “Eva” vinte nga "eu-vat" (fuçi nga e cila mendohej që kishin dalë gjithë njerëzit) ose "eet-vat" (fuçia e besës). 

Goropiusi shkoi deri aty sa të pretendonte që vetë parajsa kishte qenë në krahinën e Brabantit. Gjithashtu, tek libri i tij “Hieroglifika”, ai "vërtetoi" me mendjen e tij që hieroglifet egjiptiane ilustronin në fakt gjuhën brabante.  

Veprat e Goropiusit u botuan pas vdekjes së tij dhe kur dolën në treg u konsideruan menjëherë qesharake. Tezat e Goropiusit i dhanë gjuhësisë holandeze një nam të keq në atë kohë. Etimologjitë e tij u quajtën "shovinizëm gjuhësor", ndërsa Laibnici formuloi termin frëng "goropizer", që do të thotë "të krijosh etimologji absurde". "S'kisha lexuar ndonjëherë mufka më të mëdha se këto," shkroi gjuhëtari Skaliger për etimologjitë e Goropiusit. Ndërsa në gjuhën angleze termi "goropism" (goropizëm) përdoret për tezat qesharake pseudoshkencore.

Lëvizje goropiste ka pasur edhe në vende të tjera të Europës e të botës, madje në vende të mëdha e të zhvilluara. Tipar i tyre i përbashkët është një lloj nacionalizmi i verbër primitiv me pretendime hyjnore. Atyre u duket vetja madhështorë e me vlera të veçanta.

Johanes Bekanus Goropius

Izraelistët britanikë

Për shembull, në Britani pati një rrymë pseudoarkeologjike, pseudohistorike e pseudofetare goropistësh (izraelizmi britanik) që pretendonin se banorët e Britanisë së Madhe e paskëshin pasur origjinën drejtpërdrejt nga dhjetë fiset e humbura të Izraelit. Krejt si sharlatanët goropistë shqiptarë, edhe ata të izraelizmit britanik përpiqen të krijojnë lidhje etimologjike sipërfaqësore për të mbështetur tezat e tyre. Për shembull zanafillën e tyre ata e shpjegojnë nëpërmjet emrit Saka, një popull skith, por që sipas izraelistëve britanikë emri Saka e kishte prejardhjen nga emri biblik Isaak. Zinxhiri etimologjik i prejardhje së tyre vazhdon me emrin Sakson, që sipas tyre e ka prejardhjen prej fjalëve Sac’s sons (djemtë e Isaakut), të cilët paskëshin pushtuar Anglinë nga Danimarka, toka e fisit të Danëve. Prejardhja etimologjike vazhdon më tej duke hequr paralele me emërtimet Dardanele, Danub, Maqedonia, Dankërk (Dunkirk), Danglou (Dunglow) në Irlandë, Dandi (Dundee) në Skoci, Sweden (Suedi) dhe London, që sipas izraelistëve britanikë janë vendosur nga i njëjti fis, i cili gjithashtu adhuronte perëndeshën mitike iralandeze Tauta De Danann. Ndërsa tek emërtimi “british” ata shohin fjalën hebraike “berithish” që nënkupton besëlidhjen me zotin.

Si për koincidencë, në psuedoetimologjinë e izralistëve britanikë shohim emërtime që përdoren si argument edhe nga sharlatanët goropistë shqiptarë si Dardanelet, Maqedonia dhe Teuta, madje edhe Berisha (berithish), nëse tregohemi guximtar si xhelati i etimologjisë. Atëherë, kë tezë të besojmë? Që shqiptarët janë pelasgë, apo që janë semitë, pasardhës së dhjetë fiseve të humbura të izraelit? Apo ndoshta të gjitha bashkë, siç bëjnë disa? Ndoshta duhet të besojmë që të gjithë popujt e kanë origjinën nga shqiptarët sepse shqiptarët janë të gjithëkundshëm.

Rryma e izraelistëve britanikë nisi në 1880 dhe vazhdon edhe sot e kësaj dite me degë në Britaninë e Madhe dhe Amerikë. Megjithatë, as komuniteti shkencor britanik, as ai amerikan, as ai ndërkombëtar nuk i merr për bazë tezat e tyre.

Trashëgimia e supozuar izraelite e izraelistëve britanikë 

Gjuha diellore

Një tjetër rrymë goropistësh lindi në Turqi në vitet 1930, në kohën e Ataturkut. Këta nxorën tezën e "gjuhës diellore," sipas së cilës të gjitha gjuhët e botës e kishin prejardhjen nga një gjuhë prototurke. Si shtysë shërbyen nja dy studime historiko-gjuhësore franceze e austriake të shekullit të XIX. Kjo tezë gjeti natyrisht mbështetje te ultranacionalistët, përfshi vetë Ataturkun, të cilët e përdorën atë për të justifikuar ideologjinë e tyre nacionaliste. Me mbështetjen e qeverisë së Mustafa Qemalit, studimi i kësaj teze u bë me detyrim në të gjitha departamentet universitare e madje zuri vend edhe në kongresin e gjuhës turke të viti 1936. Por, me të vdekur Ataturku, kjo tezë u hodh menjëherë në kosh dhe në kongresin e radhës së gjuhës në 1942 as që u përmend fare.

Ashtu si edhe në rastin e sharlatanëve shqiptarë, disa nga pretendimet e goropistëve turq ishin padyshim kuptimet etimologjike të fjalëve. Kështu sipas tyre fjala gjermanishte Got (Zoti) e ka prejardhjen prej fjalës turke kut (fartbardhësi); fjala frënge Bulletin prej fjalës belleten (duke kujtuar); fjala Elektrik nga fjala uigure yaltrık (shndrit), etj. Disa goropistë të tjerë, idem si këta shqiptarët, pretendonin se emri Afrodite vjen prej fjalës turke avrat (grua) dhe Artemis nga fjala tertemiz (i papërlyer).

Rryma goropiste ka pasur edhe në vende të tjera të botës, si për shembull teoria jafetike, sipas së cilës gjuhët e Kaukazit kanë origjinë semite, teza e prejardhjes kazare, sipas të cilës shumë gorpistë kanë ngritur pretendime, teza e Tamilit lemurian, sipas së cilës gjuha tamile (Sri Lanka) është gjuha më e vjetër e për pasojë mëma e të gjitha gjuhëve të botës, si dhe teza kineze e pseudohistorisë perëndimore, sipas së cilës historia e antikitetit egjiptian e greko-romak është pjesërisht ose tërësisht e sajuar. Ndonjë goropist kinez ka hedhur dyshime edhe mbi vetë ekzistencën e Greqisë së lashtë.

Ja kështu, pra. Goropistët, ndonëse të vonuar, nuk i munguan as shqiptarisë. Si çdo gjë tjetër në shoqërinë shqiptare, ata dolën pas pilafit, shumë shekuj më vonë, e për këtë arsye duken si risi shkencore, ndërkohë që si çdo gjë tjetër, edhe kjo rrymë karagjozësh e ka zanafillën gjetiu. 

Sharlatanët goropistë shqiptarë dhe ndjekësit e tyre të flaktë hiqen sikur janë duke bërë një luftë "të përgjakshme" virtuale kundër dijeve dhe komunitetit shkencor vendas e ndërkombëtar kinse me pretendimin se po nxirrkan në pah origjinën e lashtë e autoktone të shqiptarëve në këto troje, një e vërtetë që komuniteti shkencor, i shitur tek "serbo-sllavët", na e paska fshehur për qëllimet “orgurzeza” që përmenda më sipër. Kësisoj, ata, veçanërisht dy kryesharlatanët e historisë e të gjuhës, kapen fort pas nacionalizmit primitiv në mënyrë që të gjejnë mbështetje të gjerë për tezat e tyre pseudohistorike e pseudolinguistike. 

Por cilat janë tezat e sharlatanëve, dhe çfarë pretendojnë ata? Le të merremi pak me to, meqë deklarojnë se nuk kanë oponencë shkencore, dhe t’i analizojmë ato me fakte. Teza e parë dhe më e rëndësishme është ajo e origjinës pelasge të shqiptarëve.

Pelasgët

A ekziston ndonjë bazë, sado e vogël, shkencore mbi të cilën mund të marrin shtysë tezat e goropistëve pellazgologë? Çfarë thotë dokumentacioni historik për pelasgët? Më poshtë është një renditje e të gjitha rasteve kur janë përmendur pelasgët nga autorët e lashtë. Këto më poshtë janë të gjitha veprat ku figurojnë pelasgët. Nuk ka asnjë tjetër përveç këtyre. Të gjitha janë këtu. 

Homeri - "Iliada" (rreth shek. VIII p.e.s.). Veper artistike letrare. Trillim:

Citim: "...dhe pelasgët që jetonin në tokën pjellore të Larisës, hipemolgit që pijnë qumësht kali, dhe abianët, më të drejtët ndër njerëzit. Këta u komanduan nga Hipotu dhe Pileu, dy djemtë e pelasgut Lethus, biri i Teutamus*.

Citim: "Pelasgët ishin në shoqërinë e Trojanëve, ata që jetonin në Larisa me tokë të thellë dhe në Thrakë, dhe që ishin të njohur për aftësinë e tyre në shtiza."

Konteksti: Pelasgët përmenden si aleatë të Trojës në Luftën e Trojës. Homeri jetoi rreth katër shekuj pas zhdukjes së Pelasgëve dhe dy shekuj pas luftës së Trojës.

* Teutamus është një emër me rrënjë indo-europiane teuteh (popull ose fis) dhe gjendet në gjuhën kelte në trajtën e perëndisë Tautatis, në ilirisht në trajtën e mbretëreshës Teuta si dhe në gjuhë të tjera, për shembull në gjermanisht në trajtën e kalorësve mesjetarë Teutonë.

Homeri - "Odisea" (rreth shek. VIII p.e.s.). Veper artistike letrare. Trillim.

Citim: "Këtu banojnë akejtë, atje kretanët, dhe kidonët, dorët gjithashtu, dhe fisnikët pelasgë."

Konteksti: Odisea përmend popujt e ndryshëm që banojnë në Kretë.

Citim: "...dhe pasi lashë Kretën, brodha për nëntë ditë në dete, i shtyrë nga erërat e fuqishme, drejt pelasgëve, midis popujve të tjerë."

Citim: "Nga Kreta, udhëtova drejt tokës së pelasgëve, Dodonës, dhe aty më dhanë shumë dhurata nga njerëzit."

Herodoti - "Historitë" (rreth 484-425 p.e.s.)

Citim: "Raca Helene kurrë, që nga origjina e saj e parë, nuk ka ndryshuar gjuhën e saj. Ajo fillimisht ishte pelasge, por u nda nga pelasgët dhe pastaj mori emrin Helene."

Konteksti: Herodoti diskuton origjinën e popullit helen dhe gjuhën e tyre, duke theksuar se Helenët fillimisht u ndanë nga pelasgët. Herodoti jetoi rreth shtatë shekuj pas zhdukjes së pelasgëve.

Citim: "Pelasgët që më parë banonin në vendin që tani quhet Hellas, nuk ishin grekë dhe flisnin gjuhë barbare."

Konteksti: Herodoti diskuton banorët e hershëm të Greqisë, duke përshkruar pelasgët si folës të një gjuhe jo-helen që më vonë u asimiluan në popullatën helene. Herodoti kundërshton pohimet e veta duke thënë një herë që raca helene ishte pelasge, e pastaj duke thënë që pelasgët nuk ishin grekë dhe flisnin gjuhë barbare.

Thukididi - "Historia e Luftës së Peloponezit" (rreth 460-395 p.e.s.)

Citim: "Ajo që tani quhet Hellas ishte më parë e pushtuar nga pelasgët dhe nga fise të ndryshme barbare."

Konteksti: Thukididi përshkruan historinë e hershme të Greqisë, duke përmendur se pelasgët ishin ndër banorët e parë përpara se helenët të bëheshin një grup dominues. Njësoj si Herodoti, edhe Thukididi jetoi rreth shtatë shekuj pas zhdukjes së Pelasgëve.

Eskili - "Suplikantet" (rreth 525-456 p.e.s.). Vepër artistike letrare. Trillim.

Citim: "Ne jemi nga raca e Argosit, fara e tokës së butë; linja jonë e lashtë rrjedh nga populli pelasg."

Konteksti: Kori në dramë identifikon veten si pasardhës të pelasgëve, banorët e lashtë të Argosit. Eskili jetoi rreth 6-7 shekuj pas zhdukjes së pelasgëve.

Euripidi - "Ifigjenia në Tauris" (rreth 480-406 p.e.s.). Veper artistike letrare. Trillim.

Citim: "Unë jam nga Argosi, qyteti i pelasgëve."

Konteksti: Ifigjenia identifikon vendlindjen e saj, Argosin, si qyteti i pelasgëve, duke i lidhur ata me banorët e lashtë të rajonit. Euripidi jetoi rreth shtatë shekuj pas zhdukjes së Pelasgëve.

Straboni - "Gjeografia" (rreth 64 p.e.s. - 24 e.s.)

Citim: "Pelasgët ishin një racë e lashtë, e përhapur gjerësisht në Greqi, të cilët më vonë u zhdukën si një popull i veçantë, por që, siç rrjedh nga tradita, lanë gjurmë të tyre në pjesë të ndryshme të Greqisë."

Konteksti: Straboni diskuton praninë e gjerë të pelasgëve në Greqinë e lashtë dhe asimilimin e tyre eventual në kultura të tjera. Straboni jetoi rreth 1200 vjet pas zhdukjes së pelasgëve.

Pausania - "Përshkrimi i Greqisë" (rreth 110-180 e.s.)

Citim: "Pelasgët, që dikur ishin populli më i fuqishëm në Greqi, ndërtuan muret e qytetit dhe tempujt."

Konteksti: Pausania përshkruan pelasgët si banorët origjinalë të disa rajoneve helene dhe u atribuon atyre ndërtimin e strukturave të rëndësishme. Pausania jetoi rreth 1400 vjet pas zhdukjes së pelasgëve.

Citim: "Ata thonë se pelasgët banonin në atë kohë në vendin që tani quhet Arkadia."

Dionisi i Halikarnasit - "Antikitetet Romake" (rreth 60 p.e.s. - 7 p.e.s.). Trillim.

Citim: "Pelasgët, një popull i lashtë dhe i përhapur gjerësisht, zuri fillimisht rajonet rreth Tiberit, përpara mbërritjes së helenëve dhe etruskëve."

Konteksti: Dionisi pretendon se Pelasgët ishin ndër banorët e parë në Itali, veçanërisht në zonën rreth Romës. Këto pohime të tij janë tërësisht të sajuara. Nioni jetoi rreth 1200 vjet pas zhdukjes së pelasgëve.

Virgjili - "Eneida" (rreth 70-19 p.e.s.). Vepër artistike letrare. Trillim.

Citim: "Këto toka, dikur të sunduara nga Saturni, ku u përhapën pelasgët e lashtë."

Konteksti: Virgjili përmend pelasgët si një nga popujt e lashtë që banonin Italinë përpara mbërritjes së Trojanëve. Virgjili jetoi rreth 1200 vjet pas zhdukje së pelasgëve.

Ovidi - "Metamorfozat" (rreth 43 p.e.s. - 17/18 e.s.)

Citim: "Kur pelasgët, të cilët toka i kishte sjellë të parët, endeshin nëpër fushat."

Kontekst: Ovidi i referohet pelasgëve si banorët më të hershëm të Greqisë, përpara se të shfaqeshin fiset më të njohura helene. Ovidi jetoi rreth 1200 vjet pas zhdukjes së pelasgëve.

E para që bie në sy nga periudha kur këta autorë kanë jetuar është fakti që asnjëri prej tyre nuk i ka parë pelasgët me sytë e tij. Më i lashti ndër ta ishte Homeri, i cili jetoi plot 400 vjet pas zhdukjes së Pelasgëve dhe 200 vjet pas luftës së Trojës, në të cilën ai i përmend ata. Homeri nuk shkroi një vepër historike, por një trillim artistik, sepse Iliada dhe Odisea nuk janë punime historike, por poema. Ndërsa autorët e tjerë që kanë përmendur pelasgët kanë jetuar minimalisht 700 vjet pas zhdukjes së tyre, sepse pelasgët jetuan para shekullit të XII-të, që i thonë 3200 vjet përpara. Pra, është njësoj sikur të shkruaj unë sot për Skënderbeun dhe bëmat e tij, vetëm në bazë të legjendave e ndonjë poeme popullore, pa kurrfarë dokumenti në dorë. Dmth, pa kurrëfarë serioziteti shkencor.

Ndërkohë, përveç këtyre citimeve, nuk ekziston asnjë provë arkeologjike për ekzistencën e një populli pelasg, nga i cili shkencëtarët të mund të analizojnë diçka. Absolutisht asnjë. As godina, as varre, as plaçka, as sende. Pelasgët janë praktikisht inekzistent në arkeologji.

Prandaj, është mëse e qartë që sharlatanët goropistë pellazgologë shohin ëndrra me sy hapur dhe flasin përçart kur pellasin lart e poshtë për origjinë pellazge të shqiptarëve. Pa dokumentacion e dëshmi konkrete nuk ka histori. Ka vetëm trillime. Dhe në këto trillime nuk thuhet absolutisht asnjë fjalë që mund të na bëjë të mendojmë se flitet për njerëz që kanë lidhje me shqiptarët e sotshëm.

Të gjitha vendet ku përmenden pelasgët

Indo-europianët

Po cila është teza e pranuar gjerësisht nga komuniteti shkencor (shqiptar dhe i huaj) për origjinën e shqiptarëve? Teza e pranuar botërisht për origjinën e shqiptarëve është ajo e prejardhjes “indo-europiane”, një popull i stërlashtë nga i cili dolën shumica e popujve europianë dhe shumë popuj aziatikë. Rreth 10.000 vjet përpara indoeuropianët u përhapën në të gjitha drejtimet dhe u shpërndanë nga skajet perëndimore të Europës deri në skajet më lindore të Indisë. Prandaj dhe quhen indo-europianë.

Cilët janë popujt indoeuropianë? Keltët (irlandezë, skocezë, uellsianë, etj,) grekët (helenët), ilirët (shqiptarët), dakët, trakët, hititët, latinët, gjermanikët (gotët), sllavët, balltikët, kurdët, persët (iranianët), armenët, pashtunët (afganët), hindut (indianët e veriut) dhe tokarianët (në Kinë). Indoeuropianët erdhën në Europë me valë të ndryshme. Disa erdhën më herët, si p.sh. keltët, helenët, ilirët, latinët, etj. Disa erdhën më vonë, si p.sh. gotët apo sllavët. Megjithatë, të gjithë këta popuj kanë të njëjtën origjinë. Ndërsa popujt jo indoeuropianë të Europës janë baskët, etruskët dhe natyrisht pelasgët. Popuj të tjerë të ardhur më vonë janë ungrikët (hungarezët), finlandezët, estonezët, samit dhe turkomanët.

Nga se dallohen indoeuropianët nga të tjerët dhe çfarë kanë ata të përbashkët? Gjuhën, natyrisht. Gjuhëtarët dhe shkencëtarët e disiplinave të tjera kanë arritur të zbulojnë se popujt indoeuropianë dikur kanë pas folur të njëjtën gjuhë. Këtë zbulim ata e kanë bërë nëpërmjet gjuhësisë dhe konkretisht nëpërmjet disiplinës së etimologjisë.  Ndër të tjera, disiplina e etimologjisë merret edhe me studimin e historisë së fjalëve, pra kohën kur janë shkruar për herë të parë dhe mënyrën se si janë zhvilluar fjalët ndër shekuj. 

Po marrim një shembull. Fjala "nënë" është shkruar për herë të parë në një burim hitit në trajtën anna. Kjo fjalë ka padyshim ngjashmëri me fjalën "nënë" (geg. nanë) në shqip jo pa arsye. Jo sepse ne jemi hititë apo se hititët ishin shqiptarë. Jo. Por sepse të dy fjalët janë kognate me njëra-tjetrën, që do të thotë se të dy popujt kanë një origjinë, origjinën indoeuropiane. Pra janë një familje.

Po kështu mund të themi për fjalën proto indoeuropiane mehter (sq. nënë). Këtë fjalë e gjejmë në trajta të ndryshme kudo tek gjuhët indoeuropiane, edhe në shqip. Për shembull: italisht - madre, greqisht - mitera, anglisht - mother, sllavisht - mat (materi), gjermanisht - mutter, shqip - motër (arkaike), keltisht - mathair, persisht - mâdar, sanskritisht - matr, hindu - ma, etj.  

Nga këto dhe shumë studime të tjera historike shkencëtarët kanë arritur të zbulojnë se ilirët kanë ardhur në Ballkan mes mijëvjeçarit të dytë dhe atij të parë para Krishtit, ndonëse tek-tuk ka dëshmi më të hershme. Pra mbi 3000 vjet përpara. Ndërsa pelasgët kanë jetuar në Ballkan deri para shekullit të XII-të. Që do të thotë se kur erdhën ilirët, pelasgët kishin filluar të rralloheshin e të asimiloheshin masivisht.

Gjuha që ne flasim sot është dëshmia më e fortë dhe e pakundërshtueshme e prejardhjes sonë indoeuropiane. Ajo është e lashtë sa vetë njerëzimi. Edhe ato 3000 vjetët që ne jemi këtu janë mëse të mjaftueshme për t'u konsideruar autoktonë, dhe këtë s'e ka vënë dyshim absolutisht asnjë shkencëtar modern serioz. Çdo tezë tjetër është përrallë me mbret. Ose më mirë përrallë me pelasgë.

Dy hipoteza të prejardhjes së popujve indoeuropianë. Hipoteza e dytë ka dalë prej shkrimit në revistën Science

Gjuha shqipe 6000 vjeçare

Një nga çështjet e tjera që diskutohet me agresivitet nga sharlatanët goropistë dhe që ka shkaktuar mjaft përplasje, është çështja e vjetërsisë së gjuhës shqipe. Menjëherë pasi u publikua shkrimi në revistën shkencore Science, në të cilin diskutohej origjina e gjuhëve indoeuropiane, sharlatanët goropistë u hodhën në sulm të furishëm kundër historianëve e gjuhëtarëve duke i akuzuar ata se ia kishin mohuar vjetërsinë gjuhës shqipe, se nuk donin ta pranonin “zbulimin” e ri dhe se me poshtërsinë më të madhe antishqiptare deklaronin se shqipja është vetëm 1500 vjeçare. Si mund të mohohet origjina 6000 vjeçare e shqipes, “pëlliste kryepellazgologia” kur ty t’a kanë pranuar të huajt?

Vërtetë, si mund të mohohet? Nëpërmjet shkencës, natyrisht. Shkencës së gjuhësisë. Çështja është që asnjë nga këta sharlatanët goropistë nuk e ka lexuar studimin e botuar në revistën Science sepse asnjëri prej këtyre nuk e zotëron anglishten në nivel akademik. Edhe pse prisnin sa majtas djathtas me shpatën e nacionalizmit primitiv, asnjëri prej tyre nuk e kishte idenë se ç’thuhet në të vërtetë në atë studim. Madje as grafikun e botuar në të njëjtin shkrim nuk e kuptonte asnjë nga këta sepse edhe leximi i grafikëve kërkon një nivel të caktuar kulturor.

Në shkrimin me titull “A është gjuha shqipe 6000 vjeçare? Çfarë thotë shkenca?” unë kam analizuar dhe kam shpjeguar përfundimet shkencore të botuara në revistën Science. Në përmbledhje të shkrimit tim dua të sqaroj se në studim nuk flitet për gjuhën shqipe, por për trungun zhvillimor të gjuhës shqipe dhe gjuhëve të tjera indeuropiane (italike, gjermanike, sllave), duke filluar që nga proto indoeuropianishtja e para 10 000 vjetëve. Kur studiuesit atje flasin për 6000-7000 vjet, ata nuk nënkuptojnë gjuhën e sotshme shqipe, por paraardhëset e saj, pra gjyshet e stërgjyshet e shqipes, të cilat kanë qenë shumë të ndryshme e krejt të pakuptueshme nga shqipfolësit e sotshëm. Gjuhëtarët shqiptarë kanë të drejtë kur thonë se shqipja që flasim sot ka filluar të marrë formë rreth 1500 vjet përpara dhe këtë përfundim nuk e ka hedhur poshtë askush. As shkrimi në revistën Science.

Ja, kjo është gjithë çështja. Nuk ka asnjë kundërshti në botën akademike për vjetërsinë e gjuhës shqipe, por vetëm saktësime e zgjerim të mëtejshme të tezave, sepse në atë studim nuk paraqiten fakte apo dokumente të reja por është bërë thjeshtë një renditje e të gjitha njohurive që ekzistojnë mbi gjuhët europiane. Janë sharlatanët goropistë ata që e kthyen këtë çështje thellësisht teknike në një çështje politike sikur bëhej fjalë për “jetë a vdekje”.

Etimologjia

Sharlatanët shqiptarë të etimologjisë nuk janë asgjë e re për komunitetin shkencor. Kjo nuk është vala e parë e përpjekjeve për të nxjerrë etimologji fjalësh me metoda joshkencore. Më sipër unë përmenda disa shembuj të etimologjive të rreme në kontekstin e rrymave politike goropiste. Madje ndonjë pseudogjuhëtar si Oto J Fon Sadovski (amerikano-hungarez) ka shkuar deri aty sa nëpërmjet etimologjisë së rreme të krijojë lidhje mes gjuhës së fiseve vendase të Kalifornisë me gjuhët uralike në Siberi.

Etimologjia është një disiplinë e shkencës së gjuhësisë, ose më mirë e gjuhësisë krahasuese dhe ndjek një metodologji të caktuar shkencore. Unë nuk do t’i hyj shtjellimit të detajuar të kësaj disipline por do të mjaftohem duke thënë se rregullat e analizës etimologjike janë vendosur tashmë dhe mosrespektimi i tyre do të nxjerrë gjithmonë përfundime të gabuara goropiste. Disa nga parimet themelore të etimologjisë janë evidentimi i rrënjëve të fjalëve, historia e përdorimit të tyre dhe analiza morfologjike, dmth transformimet që kanë pësuar me kalimin e shekujve morfemat, parashtesat, prapashtesat, etj. Pra që të bëjmë analizën etimologjike të një fjale duhet që, thënë në vija të përgjithshme, të studiojmë historinë e fjalës (dhe historinë e gjuhëve natyrisht), të zbulojmë ku është shkruar dhe si është shkruar në gjuhë të ndryshme, në kohëra të ndryshme, si dhe të krahasojmë e të vlerësojmë se si ka ndryshuar fjala me kalimin e kohës në kontekstin gjuhësor, qoftë edhe brenda të njëjtës gjuhë.

Në analizat e etimologjisë që bëjnë sharlatanët nuk ka asgjë prej këtyre. Ashtu si edhe në rastet e sipërpërmendura, ata mjaftohen me ngjashmëri sipërfaqësore për të deklaruar se kjo apo ajo fjalë doemos që ka prejardhje nga shqipja sepse ashtu ua thotë mendja atyre. Ndonjëri, si për shembull xhelati i etimologjisë, ka shkuar më tej duke na ofruar edhe koncepte krejt të reja e origjinale që nuk ekzistojnë fare në shkencën e gjuhësisë si për shembull “embriomorfemat” që nuk është asgjë tjetër veçse ndarja e fjalës në rrokje sipas mendjes së autorit, dhe manipulimi me fenomene të vërteta si rotacizmi apo zhvenvdosja e zanoreve për t’i përdorur si liçencë për të copëtuar e pastaj ribashkuar fjalët sipas dëshirës.

Së pari koncepti “embriomorfemë” nuk ekziston fare në shkencën gjuhësisë. Madje ndonjëherë xhelati përdor edhe termin “embriomorfe” që nuk do të thotë absolutisht asgjë. Ekzistojnë vetëm morfemat, që janë njësitë më të vogla kuptimore të fjalës, ezistojnë edhe parashtesat e prapashtesat, që i japin fjalës kuptim sipas konteksit dhe gramatikës së gjuhës. Ndërsa studimi i ndryshimit të fjalës në kohë e në hapësirë quhet analizë morfologjike.

Ndarja e fjalës në rrokje nuk jep as morfema, as “embriomorfema”. Ajo jep vetëm rrokje, të cilat nuk kanë asnjë vlerë kuptimore. Ndonjëherë fjalët janë një rrokshe, por kjo nuk do të thotë se të gjitha rrokjet janë fjalë. Rrokjet tregojnë fonologjinë e gjuhës, domethënë mënyrën se si tingëllon gjuha, ritmin, metrin poetik, theksin, etj. Nuk kanë absolutisht asnjë lidhje me etimologjinë.

Autori i konceptit të “embriomorfemave” nuk ka dhënë asnjë shpjegim shkencor për shpikjen e tij. Ai nuk na thotë se nga dolën këto embriomorfema, si arriti në përfundimet e tij, çfarë metodologjie përdori dhe cilat janë rregullat e saj. Edhe kur analizon ndonjë fjalë, ai nuk tregon asnjëherë ndonjë proces studimor. Ai thjeshtë e ndan fjalën në rrokje dhe heq, vendos e zhvendos gërma e apostrofa sipas dëshirës, pa marrë parasysh asnjë zhvillim historik të fjalës, asnjë tipar gramatikor të gjuhës, asnjë ndryshim të gjuhës në kohë, asnjë dëshmi konkrete të përdorimit të fjalës në burime historike. Për shpjegimet e tij ai përdor fjalë të vjetra e të reja, rregulla gramatikore të formuara rishtas, tipare dialektale që nuk kanë ekzistuar më parë, etj. Madje ai na jep edhe etimologji shqipe të fjalëve të huaja që janë shpikur këtë shekullin e fundit, kur shqiptarë jo vetëm nuk kishin asnjë ndikim në kulturën botërore, por përkundrazi ndodheshin në sulmin e vazhduar të imperalizmit nacional-ortodoks. Dhe si qershi mbi tortë, për të justifikuar shpjegimet e tij fëmijënore, na tregon madje edhe se çfarë menduan njerëzit e lashtë kur e shpikën atë fjalë.

Për t’i dhënë sa më shumë peshë budalliqeve që lëshon, ai i jep ligjëratës së vet ngarkesa politike konspiracioniste duke e vendosur veten përpara një armiku imagjinar të superfuqishëm që paska shfrytëzuar fondin "e jashtëzakonshëm" gjuhësor të shqipes për të krijuar fjalë të reja, por pa ia njohur meritat për arsye që vetëm ai i di sepse nuk i ka shpjeguar asnjëherë. Për këtë atij i jep shumë dorë realiteti i hidhur gjeopolitik i shqiptarëve të këtyre 150 viteve e fundit (Epoka e Errët Shqiptare) dhe padija e thellë e publikut shqiptar në rrafshin shkencor. Gjej shesh e bëj përshesh, - i thonë kësaj.

Lexo shkrimin me titull "Epoka e errët shqiptare".

Po etimologjia shkencore? Si funksionon? Ja një shembull konkret i etimologjisë së një fjale. Marrim në shqip fjalën “i gjatë”. Sipas studimit  shkencor të etimologëve profesionistë të njëjtën fjalë e gjejmë edhe në gjuhë të tjera. Për shembull në sllavisht kemi fjalën dlini (gjatësi fizike) dhe dolgo (gjatësi kohore). Në greqishten e lashtë kemi fjalën endelekhes (vazhdimësi). Në gjuhën latinisht kemi fjalën indulgeo (pranoj, lëshoj pe). Në gjuhën proto gjermanike kemi fjalën tulguz (mbaj drejt, tendos). Në gjuhën proto balto-sllave kemi fjalën dilgas (i gjatë). Nga proto helenishtja është trashëguar edhe fjala dolikhos (i zgjatur), etj. Çfarë të përbashkëte mund të kenë fjalët:

gjatë* (dl është transformuar në gj dhe gha)
dlini
dolgo
endelekhes (gh është trasnformuar në h)
dolikhos (gh është trasnformuar në h)
indulgeo
tulguz (d është transofmuar në t)
dilgas

Etimologët na thonë, që përveç kuptimit të tyre që ka lidhje me konceptin e "gjatësisë", këto fjalë kanë të përbashkët rrënjën "dlg" të fjalës proto indoeuropiane dl̥h₁gʰós (gjatësi). Nëpërmjet këtij shembulli shohim se si me kalimin e kohës, e njëjta fjalë, në gjuhë të ndryshme, përfshi shqipen, ka marrë trajta të ndryshme.

*Në shqip historiku i fjalës nga më modernja tek më e vjetra paraqitet kështu: gjatë < glatë < dlat < dlghto.

Natyrisht këto përfundime nuk vijnë nga hiçi dhe as nga ngjashmëria sipërfaqësore, por si rezultat i një studimi të hollësishëm të dokumentacionit historik të gjithë këtyre gjuhëve, gramatikës dhe ndryshimeve morfologjike që kanë pësuar në mijëvjeçarë.

Gjuha hyjnore

Ka nga ata sharlatanë që nuk janë kursyer në fantazinë e tyre dhe pretendojnë se shqipja nga qenka gjuhë hyjnore. Edhe kjo nuk është asgjë e re dhe e panjohur për shkencën. Këto pretendime janë të bazuara krejt në okultizëm dhe fantazi religjioze që ndjekin kryesisht ngjarjet e Biblës dhe mitologjinë përmbytjes së madhe që është ndërtuar rreth saj. Unë nuk do merrem me to sepse janë krejt pa vlerë.

Konspiracionizmi

Nuk është aspak çudi që mbështetësit më të flaktë të pellazgologjisë janë edhe konsumatorë të athtë të teorive të konspiracionit. Ata kanë tendencën të krijojnë armiq të betuar të kauzës së tyre të radhës dhe çdo çështje t'a kthejnë në një luftë imagjinare për ekzistencë. Konspiracionistët vuajnë nga paranoja dhe shikojnë gjithkund agjentë, të shitur e tradhtarë që paguhen rregullisht nga forca të errëta. Ata janë impulsivë dhe s'kanë filtra apo respekt për bashkëbiseduesit (normal, sepse janë agjentë të shitur), të gatshëm të lëshojnë fjalën e fundit pa u menduar dy herë. Si mekanizëm analitik ata përdorin gjerësisht intuitën e tyre të mangët dhe jo arsyen ose mendimin kritik. Hiqen si filozofë por filozofojnë në hatlla, jo për gjëra praktike. D.m.th inteligjencë e çuar dëm. Për më tepër janë të prirur të besojnë në energji kozmike, çakra, simbolika të shenjta, njerëz hardhuca, njerëz gjigandë, etj. Padyshim që kanë lexuar dhe besuar budalliqet konspiracioniste të Zakaria Siçin e Devid Aik. Mbahen fort pas kauzave të së shkuarës dhe jetojnë me to për t'i dhënë jetës së tyre një farë rëndësie. Është e tepërt të thuhet që nuk pranojnë kurrësesi metodologjinë shkencore me bindjen që është shpikur nga fuqi të errëta.

Prandaj dhe një nga shqetësimet kryesore të pellazgologeve është lufta imagjinare kundër tezave antishqiptare "greke" e "serbe" të shekujve të kaluar, një luftë për ca teza që nuk gjejnë më asnjë mbështetje në qarqet shkencore dhe as që merren më në konsideratë. Një shqetësim tjetër madhor i tyre është nxjerrja në pah e lashtësisë dhe autoktonizmit të shqiptarëve, paçka se edhe kjo çështje është qartësuar me kohë e me vakt dhe është pranuar nga i gjithë komuniteti shkencor. Këta luftëtarë të pas pilafit u kujtuan të dalin në mbrojtje të shqiptarizmit ndonëse shqiptarizmin e mbrojtën të tjerë njerëz atëherë kur ishte për t'u mbrojtur. 

Pra, këta konspiracionistë profesionistë janë si Don Kishoti që luftonte me mullinjtë e erës në kohë paqeje, për çështje që janë zgjidhur dekada më parë, dhe që nuk përbëjnë më asnjë rrezik për shqiptarinë, veçanërisht me shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe nënshkrimin e marrëveshjes së Ohrit.

Bota akademike

Bota akademike shqiptare ka një mijë e një probleme. Që nga kapja politike e institucionit të Akademisë së Shkencave, tek mediokriteti i një numri studiuesish, ajo është shumë larg të qenit perfekt. Megjithatë, një pjesë e mirë e akademikëve, të rinj e të vjetër, me gjithë mangësitë profesionale ose karakteriale që mund të kenë, kanë sakrifikuar jo pak kohë, para dhe mund për t’i dhënë shqiptarisë vlera kulturore të papërsëritshme. Dikush kryen punë studimore e praktike për të plotësuar boshllëqe, dikush tjetër gjurmon arkivat e botës me fondet e veta, dhe të gjithë këta nxjerrin botime me burimet e tyre tejet të kufizuara ekonomike, pa ndihmën e askujt dhe absolutisht pa sasinë e fitimeve që kanë nxjerrë sharlatanët nga veprat e tyre pseudoshkencore. 

Ndonëse u treguan përgjithësisht të mefshtë (për shkak të llojit të profesionit) dhe të paaftë që të kapnin momentin kur vëmendja e publikut ishte aq e madhe, kur dalin në ekranet e televizorit, ata përpiqen seriozisht të informojnë e të edukojnë publikun duke përdorur arsyen, mendimin kritik, gjuhën elokuente dhe padyshim dijet profesionale në fushën e tyre. Kjo është një traditë e shkëlqyer e trashëguar nga disa breza studiuesish shqiptarë, duke filluar që nga ata të kohës së Perandorisë Osmane, deri tek ata të periudhës së diktaturës, kohë gjatë së cilës janë krijuar e botuar një numër i jashtëzakonshëm punimesh shkencore, me vlera kolosale për historinë dhe shkencën shqiptare në përgjithësi.

Sido qofshin akademikët, me të gjithë të mirat e mangësitë e tyre, ata nuk kanë absolutisht asgjë të përbashkët me sharlatanët goropistë dhe karagjozllëqet që shpërndajnë. Taktikat tinzare të sharlatanëve janë më se të njohura, e të kapërcyera tashmë nga komuniteti shkencor. Problemet e botës akademike mund të zgjidhen vetëm nga akademikët dhe shkencëtarët që ndjekin metodologjinë shkencore. Sharlatanët nuk kanë asnjë shans që të hyjnë në derën e botës akademike. Sikur publiku i gjerë shqiptar të kishte pasur sado pak kulturë shkencore, pra që të kishte besim tek procesi shkencor, pallavrat e sharlatanëve goropistë nuk do të kishin mbërritur as der tek shtypshkronja, le më të bëheshin temë debati publik.

Comments

Shkrimet më të lexuara të muajit

Pse u konvertuan shqiptarët në myslimanë?

Epoka e errët shqiptare

Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj?