Si ta kuptojmë periudhën e diktaturës komuniste?

Si ta kuptojmë periudhën e diktaturës komuniste?


Koha e leximit: rreth 45 minuta

Në pjesën e parë analizohen rrethanat historike në të cilat u formua brezi që zhvilloi Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe ngjarjet që sollën diktaturën.

Në pjesën e dytë analizohen ngjarjet kryesore historike gjatë periudhës së diktaturës dhe pasojat që patën tek politika e jashtme shqiptare.

Në pjesën e tretë analizohen sfidat dhe objektivat kryesore të udhëheqjes komuniste, politikat e regjimit për zbatimin e atyre objektivave dhe pasojat në kuadrin e zhvillimeve politike ndërkombëtare.

Parathënie

Ekzistojnë dy narrativa për periudhën e diktaturës komuniste. Njëra është ajo që artikulohet gjerësisht në debatin mediatik shqiptar, në të cilën çdo aspekt i diktaturës vërtitet rreth figurës së Enver Hoxhës dhe poshtërsisë së supozuar të tij ndaj gjithçkaje dhe çdokujt që ekzistonte në Shqipëri. Sipas kësaj narrative diktatura komuniste ishte një krijesë e përbindshme në duart e Enver Hoxhës dhe drejtohej nga ai në mënyrë absolute, me qëllimin e vetëm për të izoluar, shtypur, vrarë, burgosur e persekutuar të gjithë popullin shqiptar njëkohësisht, pa dallim feje krahine e ideje, gjatë gjithë kohës, 24 orë në ditë, 365 ditë në vit, në mënyrë që të mbante pushtetin në duart e tij (çuditërisht jo për pasuri) dhe të plotësonte tekat e tija perverse e gjakatare të urrejtjes ndaj çdo gjëje të gjallë që lëvizte në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Kjo narrativë i jep shkas teorive të panumërta konspirative, është absolutisht e ndarë nga ngjarjet gjeopolitike të kohës, injoron totalisht historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe ka si objektiv të vetëm demonizimin e Enver Hoxhës, i cili sipas kësaj narrative, për të mbajtur pushtetin, jo vetëm që mbajti të shtypur e në skamje me qëllim të gjithë popullin shqiptar, por vrau e burgosi shokët e miqtë e tij, të afërmit, qen e mace, madje edhe ndonjë ish “dashnore”.

Sipas kësaj narrative, çdo politikë, veprim apo fenomen gjatë diktaturës lidhet në mënyrë të drejtpërdrejtë vetëm me Hoxhën dhe dëshirën e tij të sëmurë për pushtet, që nga aleancat e përplasjet politike me superfuqitë e botës e deri tek të mbathurat e grave. D.m.th Enver Hoxha na paskësh qenë një njeri i superfuqishëm, i cili, krejt i vetëm, bëri me Shqipërinë dhe shqiptarët ç’i desh qejfi, kur ja desh qejfi dhe si ja desh qejfi. Me pak fjalë, një vampir i çartur e i etur për gjak.

Për mendimin tim kjo narrativë është e cekët, mediokre, lë shumë pyetje pa përgjigje, bazohet në inate e mllefe personale dhe nuk na ndihmon të kuptojmë asgjë nga realiteti shqiptar i asaj periudhe.

Narrativa tjetër është e kundërta e asaj të parës por me disa tipare të ngjashme. Ashtu si ajo e para edhe kjo narrativë fokusohet tërësisht tek figura e Enver Hoxhës. Ajo e ngre diktaturën në qiell dhe Enver Hoxhën në nivelin e një miti. Mbështetësit e kësaj narrative injorojnë krejt anët e errëta të regjimit dhe fokusohen vetëm tek arritjet pozitive. Kjo narrativë reflekton gjerësisht propagandën e regjimit të dekadës së fundit, në të cilën Enver Hoxha portretizohet sikur, krejt i vetëm dhe falë gjenialitetit të tij, organizoi dhe udhëhoqi luftën antifashiste, ngriti shtetin komunist dhe e shpuri popullin shqiptar "nga fitorja në fitorje".

Ashtu si në rastin e parë, edhe kjo narrativë është e cekët dhe pa përmbajtje. Ajo bazohet në adhurimin absolut të Enver Hoxhës dhe mbylljen e syve para realiteteve të ndërlikuara historike.

Natyrisht nuk mund të lëmë jashtë edhe ata që përpiqen të bëjnë dallimin mes të mirave e të këqijave të regjimit.

Unë nuk bie dakord me asnjërën nga këto narrativa por jam përpjekur ta shoh historinë e diktaturës nga një këndvështrim i tretë, më neutral. Ky këndvështrim shpaloset në idenë që do të shtjelloj më poshtë e që bazohet në analizën e rrethanave dhe kushteve gjeopolitike në të cilën ndodhej Shqipëria dhe shqiptarët në atë periudhë.

Kujdes! Për të kuptuar analizën e mëposhtme, supozohet që lexuesi ka njohuri të përgjithshme mbi aspektet kriminale dhe mekanizmat represivë të diktaturës si: kufizimi i lirive, dënimet e rënda politike, internimet, persekutimet, ekzekutimet pa gjyq, masat represive, etj. Ky shkrim nuk ka si qëllim ta justifikojë diktaturën por t’i vërë ngjarjet në kontekstin e duhur historik e gjeopolitik, në mënyrë që lexuesi të kuptojë më mirë konsekuencat e tyre. Gjithashtu këtu nuk merrem as me aspektet e jetës së përditshme gjatë diktaturës, pasi ato janë trajtuar gjerësisht në vende të tjera.

Për t'u njohur në detaj me krimet e diktaturës, lexoni shkrimin me titull "Krime në emër të komunizmit".

Pjesa e parë - nga pavarësia tek lufta e dytë botërore

Në veprën e tij Rilindase me titull “Shqipëria, ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet”, shkruar në vitin 1899, Sami Frashëri kish lënë amanetet e tij për të ardhmen e Shqipërisë së lirë, për zhvillimin e ekonomisë, industrisë, arsimit, kulturës, shëndetësisë dhe shkencës. Ai kish folur për tharjen e kënetave e për hapjen e tokave; për shtrimin e hekurudhave e ndërtimin e porteve; për shfrytëzimin e minierave dhe ngritjen e industrisë metalurgjike; për ngritjen e industrisë së lehtë dhe përpunimin e lëndëve të para, etj. Samiu kish lënë gjithashtu amanet edhe për lulëzimin e gjuhës shqipe, hapjen e shkollave e universiteteve, zhvillimin e shkencës e kulturës, e shumë e shumë gjëra të tjera, që bota e qytetëruar perëndimore i kish fituar tashmë prej më se një shekulli.

...Mirëpo, deri andej nga dhjetëvjeçari i parë i shekullit të XX-të, me sa duket, e ardhmja e ndritur që Samiu kish parashikuar për Shqipërinë nuk po dukej asgjëkund...

Mirëpo deri andej nga dhjetëvjeçari i parë i shekullit të XX-të, me sa duket, e ardhmja e ndritur që Samiu kish parashikuar për Shqipërinë nuk po dukej asgjëkund. Në vitin 1913 Konferenca e Londrës vendosi për kufijtë e Shqipërisë*. Me një të rënë të lapsit fuqitë evropiane lanë jashtë kufijve të shtetit të ri shqiptar dhe në mëshirë të antishqiptarizmit të tërbuar nacional-ortodoks katër të pestat e popullsisë shqiptare. Bashkë me ta edhe disa nga trevat më pjellore të Ballkanit perëndimor. Ky akt bëhej në vazhdën e veprimeve imperialiste e antishqiptare që fuqitë e mëdha kishin vënë në zbatim që në fillim të viteve 1700, kur mbështetën dhe pranuan masakrimin dhe spastrimin e myslimanëve të Ballkanit nga territori i shteteve të reja të krishtera ortodokse-imperialiste, ndër të cilët edhe rreth 100-150,000 shqiptarë**.

* Lexo shkrimin me titull "Shqipëria si pellgu me llucë".

** Lexo shkrimin me titull "Skënderbeu - pasaporta europiane e shqiptarëve"

Por kjo poshtërsi nuk mbaroi me kaq. Në vitet 1914-1918 (lufta e parë botërorë) Shqipëria u bë sërish plaçkë lufte për epshet e fqinjëve të saj grabitqarë dhe shesh për të bërë përshesh me lirinë, identitetin, pasurinë dhe jetën e shqiptarëve. Pra, në vend që shteti i ri i sapo krijuar shqiptar të merrej me rindërtimin e ekonomisë dhe hedhjen e themeleve të një shoqërie moderne, ati i duhej të bënte cirqe e manovra politike që të shpëtonte nga kafshimet gjakatare të fqinjëve të saj. Ishte fat i madh që nga fuqitë e mëdha ishte pranuar ekzistenca e një shtetit shqiptar, pasi vetëm kështu, duke pasur një bazë të sigurt, mund të vazhdonte të zgjerohej më tej lufta për çlirimin e plotë të të gjitha trevave.

Në vitin 1920 shqiptarët bënë një sakrificë kolosale, morën armët dhe ngritën zërin e tyre fuqishëm duke i dëbuar mbeturinat e ushtrive pushtuese nga territori shqiptar, dhe në vitin 1924 shpallën përfundimisht Shqipërinë republikë. Megjithatë, në dy dekadat që pasuan, edhe pse Shqipëria ishte tashmë formalisht një shtet krejt i pavarur e sovran, ajo nuk pa asnjë ditë qetësie e paqeje demokratike. Ndërhyrjet dhe presioni i vazhdueshëm politik prej fuqive rajonale nga njëra anë, dhe mungesa totale e mbështetjes ekonomike nga ndonjë prej fuqive evropiane nga ana tjetër, bënë që Shqipëria të mbetej një pellg mesjetar i pazhvilluar, i zhytur në trazira e konflikte politike të brendshme, të cilat jo vetëm shkaktuan viktima të pafajshme, por morën edhe jetët e shumë figurave të ndritura*.

* Lexo shkrimin me titull "A mund "të bëhen" shqiptarët?"  

Pra Shqipëria ishte krejt e vetme dhe rrethuar nga të katër anët me forca e fuqi armiqësore, të cilat u kishin prerë shqiptarëve, jo vetëm burimet ekonomike, por edhe mundësinë e ripërtëritjes së shoqërisë nëpërmjet brezave të rinj të intelektualëve, të cilët do të zëvendësonin brezin e intelektualëve të formuar gjatë perandorisë osmane.

Megjithatë, ylli i shqiptarëve dukej se nuk ishte shuar plotësisht. Me krijimin e Bashkimit Sovjetik dhe përhapjen e idealeve internacionaliste komuniste në të gjithë botën ishte hapur udha për ndërtimin e shoqërive pa klasa e pa shfrytëzim, ishte ngjallur shpresa për përmbysjen e autoritarizmit, dhe ishin krijuar kushtet për revolucione mbarë popullore në të gjithë botën. 

Ndonëse copa-copa, idealet e revolucionit rus dhe jehona e propagandës marksiste-leniniste evropiane kishin mbërritur edhe në Shqipëri. Brezat e rinj shqiptarë kishin filluar të ëndërronin sërish për të ardhmen e begatë të vendit të tyre. Bota kish ndryshuar e bashkë me të mund të ndryshonte edhe Shqipëria. Nëse autoritarizmi feudal dhe borgjezia mund të përmbyseshin në Rusinë cariste, fuqinë kryesore imperialiste antishqiptare në Evropë, atëherë kjo mund të ndodhte edhe në Shqipërinë e vogël.

...shteti fqinj, vendi i artit e kulturës botërore, u erdhi në shtëpitë e tyre me forcën e armëve, ua vodhi pavarësinë, për të cilën shqiptarët kishin vuajtur a luftuar aq shumë, dhe e ktheu atdheun e tyre edhe një herë në platformë lufte e shkatërrimi,...

Megjithatë, shenjat e para reale të konfliktit shoqëror mes klasës së vjetër konservatore dhe brezit të ri inter-nacionalist nuk do të dilnin në pah deri në vitin 1939, me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste. Braktisja e vendit nga Zogu, figurës që supozohej të udhëhiqte popullin në rezistencë kundër pushtuesit, dhe zaptimi i Shqipërisë prej ushtrisë fashiste, krijoi një ndjenjë të thellë hidhërimi dhe mërie tek pjesa më e madhe e rinisë intelektuale shkollore, e cila, mirë apo keq, kishte lindur e ishte rritur në pavarësi. Ajo pa me sytë e vet se si shteti fqinj, vendi i artit e kulturës botërore, u erdhi në shtëpitë e tyre me forcën e armëve, ua vodhi pavarësinë, për të cilën baballarët e tyre kishin vuajtur a luftuar aq shumë, dhe e ktheu atdheun e tyre edhe një herë në platformë lufte e shkatërrimi, për të ngopur epshet e veta megalomane, imperialiste në Ballkan.

Zbarkimi i trupave italiane në portin e Durrësit

Ndër këta të rinj intelektualë ishin dhe Enver Hoxha dhe shokët e tij komunistë, të cilët filluan të organizojnë protesta dhe aksione të tjera rezistence kundër pushtuesit e qeverisë kolaboracioniste shqiptare. Ata drejtuan gishtin nga klasa e vjetër konservatore dhe dënuan paaftësinë e tyre për t’i dalë vendit për zot. Akoma më shumë u acarua ky konflikt kur Italia fashiste sulmoi Greqinë dhe humbi. Nëse deri në atë moment antagonizmi italian kish qenë i mjegullt, për shkak të investimeve të shtetit fashist në ndërtimin e veprave infrastrukturore dhe hapjen e vendeve të punës, me sulmin ndaj Greqisë, ai u zhvesh krejt nga çdo dorashkë qytetërimi dhe nxori në pah natyrën grabitqare e shkatërrimtare të tij.

Greqia e theu mësymjen Italiane dhe kundërsulmoi duke u futur thellë në territorin shqiptar. Nuk vonoi shumë dhe Britania ia njohu menjëherë të drejtën për të aneksuar territoret e pushtuara në Shqipëri, ndërkohë që nuk pranoi të lëshonte asnjë deklaratë për njohjen e pavarësisë dhe ruajtjen territoriale të Shqipërisë edhe pse përfaqësuesin legjitim të shtetit shqiptar, Mbretin Zog, e kishte në Londër. Mesazhi ishte fare i qartë. Po përsëritej skenari i 1914-tës. Shqipëria po kthehej sërish në plaçkë lufte për fqinjët e saj imperialistë. Biles, aneksimi i Shqipërisë së jugut nga Greqia ishte shumë më i rrezikshëm se aneksimi i gjithë Shqipërisë nga Italia. Nëse Italia e kish njohur në një farë mënyrë Shqipërinë si tërësi territoriale gjeografike dhe asaj i kishte bashkangjitur edhe Kosovën, duke njohur kështu zyrtarisht idenë e bashkimit kombëtar, aneksimi i jugut nga Greqia do të thoshte zhdukje e Shqipërisë si koncept politik e gjeografik dhe zhbërje totale e identitetit etnik shqiptar. Ideologjia kriminale neo-heleniste e shtetit grek ishte 1000 herë më e rrezikshme për fatin e Shqipërisë se fashizmi e nazizmi të marrë së bashku.* 

* Lexo shkrimin me titull "Neo-helenizmi dhe shqiptaria"

Ushtria greke zapton Korçën

Italia po e shpinte Shqipërinë drejt një katastrofe të parikuperueshme. I gjithë investimi 26 vjeçar i shqiptarëve për ndërtuar një shtet të pavarur po hidhej në kosh. Këtij realiteti duhej t’i vinte fundi një herë e përgjithmonë. Shqipëria duhej të bëhej e paprekshme. Asnjë këmbë ushtari të huaj nuk duhet të shkelte në trojet shqiptare. Në asnjë kohë e për asnjë arsye. Kjo ishte fryma mbi të cilën u krijua rezistenca antifashiste në Shqipëri. Kjo ishte motoja me të cilën komunistët iu drejtuan popullit dhe që u shërbeu atyre si fanar udhërrëfyes në dekadat e mëvonshme. Ashtu si edhe në vitin 1920, populli shqiptar duhet të ngrinte edhe një herë fort zërin e vet, të kapte armët e ti dilte vendit për zot. Pushtuesi duhej dëbuar me dhunë, ashtu siç kishte ardhur, dhe Shqipëria duhej të transformohej në një kështjellë të padepërtueshme.

Komunistët e propaganduan fort këtë mesazh dhe i mbështetën fjalët me vepra e aksione, e për këtë, gradualisht filluan të marrin mbështetjen e një pjese të popullit. Natyrisht që ata nuk mund ta bënin këtë në vetmi të plotë e në izolim nga bota. Ata nuk kishin as njohuritë e as eksperiencën e nevojshme. Kështu, në mungesë të një ndihme të sinqertë politike nga perëndimi, i cili në atë periudhë përfaqësohej nga perandoria britanike, dhe të gjendur para apatisë së parisë vendase për të ndërmarrë çfarëdolloj veprimi në mbrojtje të interesave të vendit, lëvizja ndërkombëtare antifashiste e udhëhequr nga Bashkimi Sovjetik mbetej e vetmja alternativë politike për rivendosjen e pavarësisë dhe ruajtjes së tërësisë territoriale të Shqipërisë. Komunistët ishin të parët ata që u hodhën në aksione e luftë të hapur kundër okupatorit ani-fashist, jo vetëm në Shqipëri por edhe në Greqi, Jugosllavi e më gjerë. Veçanërisht komunistët jugosllavë kishin fituar një eksperiencë të gjerë në organizimin e rezistencës antifashiste dhe duke qenë që partia komuniste jugosllave ishte përfaqësuese zyrtare e Kominternit, dhe kishte deklaruar publikisht (në atë kohë) se ishte në kundërshtim me të gjitha politikat imperialiste e shoviniste serbomadhe të mbretërisë së Jugosllavisë, ajo paraqitej si lidhja më e afërt me Bashkimin Sovjetik dhe lëvizjen ndërkombëtare komuniste antifashiste.

Komunistët shqiptarë, duke përfituar edhe nga eksperience dhe asistenca e komunistëve jugosllavë, organizuan dhe zhvilluan një rezistencë antifashiste të pashembullt, si në historinë e Shqipërisë, ashtu edhe në historinë botërore të lëvizjeve popullore. Mbështetja që LANÇ arriti të merrte nga populli shqiptar dhe përmasat në të cilat u zhvillua ishin të jashtëzakonshme për një vend aq të vogël si Shqipëria dhe kushtet aq të vështira. Mesazhi i lirisë dhe pavarësisë u përqafua gjerësisht nga të gjitha shtresat e shoqërisë, sidomos ajo fshatare, e cila furnizoi edhe numrin më të madh të kuadrove e luftëtarëve të UNÇSH*. 

*Vizito portalin e Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare Shqiptare

Brigada IV Sulmuese e UNÇSH në marshim

Natyrisht, kjo lëvizje e udhëhequr nga komunistët nuk do kalonte pa kundërshti. Jo të gjithë shqiptarët ishin të të njëjtit mendim dhe ky është një fenomen krejt i natyrshëm. Menjëherë pas krijimit të Frontit Nacional Çlirimtar u krijua Organizata e Ballit Kombëtar. Emërtimi “Balli kombëtar” është i njëjtë me emërtimin “Fronti Nacional”, por me fjalë shqip. Ndryshe nga ç’është thënë gjerësisht në media dhe nga historianët perëndimorë, Balli kombëtar nuk ishte organizatë nacionaliste por konservatore. Qëllimi kryesor i kësaj organizate ishte që të ruante status quo-në e rendit shoqëror shqiptar dhe ndarjes së pushtetit në vend, gjë që vihej në rrezik nga komunistët dhe parimet e tyre për zëvendësimin e rendit të vjetër me rendin e ri. Ndërsa narrativa nacionaliste e kësaj organizate ishte në të vërtetë sa për sy e faqe, pasi kjo organizatë nuk u investua asnjëherë në krijimin e ndonjë force luftarake të aftë për të ndërmarrë aksione konkrete në mbështetje të nacionalizmit.

...Balli kombëtar nuk ishte organizatë nacionaliste por konservatore. Qëllimi kryesor i kësaj organizate ishte që të ruante status quo-në e rendit shoqëror shqiptar dhe ndarjes së pushtetit në vend...

Balli kombëtar udhëhiqej nga brezi i vjetër i intelektualëve dhe klasa sunduese feudale. Edhe pse në të merrnin pjesë njerëz me influencë që dikur kishin qenë figura të shquara patriotike, ata tashmë ishin plakur dhe e kishin humbur atë tharmin djaloshar për të ndërmarrë nisma energjike e guximtare. Edhe politika që bënin udhëheqësit e Ballit Kombëtar ishte një politikë e kohërave të shkuara, që bazohej në oportunizëm dhe kapitullim e nënshtrim të plotë ndaj konjukturave ndërkombëtare. Dhe unë, në fakt, unë i mirëkuptoj ata. Atë eksperiencë kishin pasur dhe në bazë të asaj eksperience po vepronin.

Për sa kohë Balli qëndroi neutral e apatik në arenën e përplasjeve luftarake, nuk kishte asnjë arsye për konflikt të armatosur mes dy forcave politike. Deri në atë moment Balli ishte relativisht i papërlyer. Ashtu si komunistët, ata nuk kishin ndonjë bashkëpunim politik thelbësor me britanikët* dhe as ishin përfshirë në mënyrë aktive me nazifashistët. Përkundrazi, kishin pasur madje edhe bashkëpunime sporadike me çetat partizane. Por në momentin që Balli e ndjeu se FNÇ do ta mbante e vetme pushtetin pas luftës, për shkak të forcës ushtarake që kishte në dispozicion, atëherë ata morën vendimin tragjik e vetë-shkatërrues për të ndihmuar nazistët në tentativat e tyre për të zhdukur FNÇ. Mbi 10 000 forca balliste u vunë në dispozicion të ushtrive naziste gjatë operacioneve antipartizane të dimrit dhe qershorit 1943-1944, si rezultat i të cilave UNÇSH rrezikoi zhdukjen dhe si pasojë e të cilave pati më shumë se pesë mijë të vrarë, të plagosur, të humbur, e të vdekur nga ngricat e sëmundjet, djem e vajza të reja nga 17 deri në 22 vjeç, kuadro të ushtrisë e të partisë komuniste, luftëtarë të thjeshtë, etj.**

Lexo shkrimin me titull “Pse nuk bashkëpunoi Balli Kombëtar me britanikët gjatë luftës së dytë botërore?

** Lexo shkrimin me titull "LANÇ - zbërthimi i koncepteve të gabuara"

Ky ishte një gabim i pariparueshëm. Balli tregoi se për hir të interesave të veta për pushtet ishte i gatshëm të ndynte duart me gjakun e brezave të rinj, përfshi fëmijët e tyre që kishin dalë partizanë, ndërsa FNÇ mësoi se vdekja nuk të vinte më vetëm nga pushtuesi dhe shërbëtorët e tij por edhe nga kundërshtarët e brendshëm politik. Ky ishte momenti vendimtar. Kjo ishte fryma mbi të cilën do të zhvilloheshin të gjitha ngjarjet nga viti 1944 e këtej. Nëse deri në atë periudhë, FNÇ dhe komunistët kishin qenë mirëkuptues ndaj ekzistencës së forcave politike kundërshtare të brendshme dhe ishin përpjekur të merreshin vesh me ta, që prej ngjarjeve të viteve 1943-1944 toleranca e tyre ishte ulur në zero. Dëshira për të gjetur mirëkuptimin politik me kundërshtarët ishte zhdukur totalisht, mosbesimi e dyshimi kishin arritur kulmin, dhe dhuna ish bërë mjeti kryesor me të cilin do të trajtoheshin të gjithë ata që konsideroheshin armiq. Balli kish krijuar një precedent konflikti vetë-shkatërrues që do të përdorej më pas në dekadat e ardhshme si instrument i vetëm politik, dhe që do të shkaktonte shumë viktima të pafajshme.*

* Lexo shkrimin me titull "Kush e solli diktaturën në Shqipëri?"

Këtu duhet të sqarohet një fakt që nuk para përmendet në debatet televizive. Një pjesë e madhe e partizanëve të viteve 44-45 ishin luftëtarët të ish-çetave të Ballit ose forcave të tjera kundërshtare në veri të vendit. FNÇ-ja ndoqi një politikë të tillë që edhe pse ishte në konflikt të hapur me udhëheqjen e Ballit ose me bajraktarët e ndryshëm, ajo i hapi dyert luftëtarëve të thjeshtë që donin të luftonin për çlirimin e atdheut dhe i bëri thirrje atyre për t’iu bashkangjitur radhëve të UNÇSH, dhe shumë prej tyre u përgjigjën. Ndryshe nuk kishte se si numri i luftëtarëve të UNÇSH të arrinte në 70,000 vetë. Kështu që, në këtë kontekst, lufta partizane ishte një luftë e të gjithë popullit shqiptar, përfshi dhe kosovarëve, paçka se kishte edhe kundërshtarë.

Gjithashtu, këtu është me vend të sqarohet edhe çështja a Kosovës, për të cilën janë të shumtë ata që akuzojnë drejtpërdrejtë Enver Hoxhën se e shiti me urdhër të jugosllavëve. E para, nuk mund të shitet diçka që nuk të përket ligjërisht. Fuqitë e mëdha ia kishin dhënë Kosovën Serbisë në vitin 1913 dhe kjo punë pas luftës së dytë botërore as që mund të diskutohej. E dyta, nuk mund ta mbash diçka me forcë nëse nuk je i zoti ta mbrosh. Pas luftës së dytë botërore Jugosllavia kishte afro një milionë ushtarë dhe çdo tentativë e Shqipërisë për të shkëputur Kosovën me forcën e armëve jo vetëm që do të rezultonte në një “pesë me hiç”, por do të vinte në rrezik edhe vetë pavarësinë e Shqipërisë, që në atë kohë as nuk dihej nëse do të ruhej apo jo. Kështu që për Kosovën, jo Enver Hoxha, po edhe vetë Stalini po të ishte nuk do të bënte dot gjë në atë periudhë. Fakt është që asnjëra nga fuqitë aleate nuk e ngriti çështjen e Kosovës, qoftë edhe për diskutim. Përkundrazi, ato diskutuan se kush "do t'a gëlltiste" vendin tonë pas lufte.

Pjesa e dytë - diktatura

Shqipëria u çlirua. Territori i saj ishte tashmë tërësisht në duart e komunistëve. Me një gur ata kishin vrarë dy zogj. Nëpërmjet luftës ata kishin arritur dy qëllime: edhe çlirimin e Shqipërisë prej okupatorit, edhe përmbysjen e klasës së vjetër sunduese (d.m.th. kishin realizuar revolucionin). Kjo ishte një arritje nga ato që vijnë vetëm një herë në një mijë vjet dhe komunistët shqiptarë, sidomos “klani” i Enver Hoxhës dhe të 70,000 partizanët që u vinin nga pas, nuk kishin aspak ndërmend që ta linin t’iu ikte për duarsh. Fitorja ishte e tyrja. Ata kishin sakrifikuar shumë për atë ditë dhe falë eksperiencës së hidhur të luftës, konceptet si "ndarja e pushtetit", "alternativat politike", "kundërshtari politik", e të tjera si këto, interpretoheshin prej tyre vetëm në një mënyrë: t’i japësh armikut me duart e tua mundësinë për të të asgjësuar. Vetë Enver Hoxha e kishte pranuar publikisht më shumë se një herë në fjalimet e tij se dhuna nuk ish hequr asnjëherë si opsion nga tavolina dhe se në shenjën më të parë të ndonjë rreziku regjimi do të godiste pa mëshirë ata që do t’i konsideronte armiq, qoftë edhe brenda radhëve të veta.

 ...falë eksperiencës së hidhur të luftës, konceptet si "ndarja e pushtetit", "alternativat politike", "kundërshtari politik", e të tjera si këto, interpretoheshin prej tyre vetëm në një mënyrë: t’i japësh armikut me duart e tua mundësinë për të të asgjësuar...

Për këtë të fundit duhet të shtoj diçka. Ndryshe nga ç’është thënë lartë e poshtë nëpër media, udhëheqësit komunistë nuk kanë qenë asnjëherë shok e miq të ngushtë me njërit-tjetrin. Ata ishin kolegë e bashkëpunëtorë dhe “shokë” të një ideali në kuptimin politik, por jo në aspektin personal. Këto marrëdhënie miqësore por të distancuara u formuan që gjatë luftës, dhe mbetën të tilla deri në fund. Kjo ka ndodhur ndoshta për faktin se në luftë është e pamundur të mbash miqësi të ngushta me njerëz që mund të vriten në luftime nga dita në ditë ose që mund të bëjnë papritur veprime të cilat mund të konsiderohen armiqësore. Nuk mund ta them me saktësi. Por edhe pse ky fenomen bie ndesh me kuptimin normal të miqësisë që ka shumica e shqiptarëve, ai është i vërtetë dhe duhet pranuar si i tillë, pasi na ndihmon të analizojmë e kuptojmë shumë aspekte të historisë së diktaturës dhe të aktorëve kryesorë të saj.

Sfidat që komunistët kishin përpara ishin të jashtëzakonshme, që nga rreziku imediat i zisë së bukës, zhdukja e epidemive dhe strehimi, e deri tek planet afatgjata për rindërtimin e ekonomisë. Sidomos problematike ishin konfliktet e armatosura në xhepat e izoluar të rezistencës antikomuniste në veriun e Shqipërisë, të cilët ishin rrezik i madh për stabilitetin e pushtetit të ri, pasi ishin një kërcënim i vazhdueshëm luftarak që mund të shfrytëzohej nga agjenturat e huaja për të rifutur kaosin dhe konfliktin e armatosur në vend. 

Në rrafshin gjeopolitik rajonal situata nuk shfaqej më premtuese.  Nga njëra anë Britania e Madhe (dhe Amerika që në atë kohë i shkonte pas qerres) ishte e vendosur që të vazhdonte me konsekuencë ndaj Shqipërisë po të njëjtat politika antishqiptare që kish ndjekur gjatë luftës. Ato premtonin ndihma e asistencë ekonomike (nëpërmjet UNRRA-s) në shkëmbim të së drejtës për të ndërhyrë në politikën e brendshme të vendit, por jo për t’i ardhur në ndihmë Shqipërisë, por për tu bërë zëdhënëse të pretendimeve territoriale të Greqisë. Në Konferencën e paqes në Paris (1946), Britania (e bashkë me të dhe Amerika) jo vetëm që nuk donte ta pranonte pjesëmarrjen e Shqipërisë si fituese në anën e aleatëve, por mbështeti pretendimet e Greqisë për rishikimin e kufijve me Shqipërinë, si “humbëse” e luftës dhe “agresore” ndaj Greqisë në luftën italo-greke. Kjo tentativë e Britanikëve dhe Greqisë u kundërshtua me forcë nga Jugosllavia dhe Bashkimi Sovjetik. Incidenti i kanalit të Korfuzit e përforcoi mendimin e udhëheqjes komuniste se asgjë pozitive nuk mund të vinte nga Britania dhe aleatët e saj perëndimorë. Aq më shumë u përforcua ky mendim kur në vitin 1949 Greqia tentoi të pushtonte jugun e Shqipërisë me ndihmën dhe mbështetjen e drejtpërdrejtë ushtarake e financiare të Amerikës dhe Britanisë së Madhe.*

* Lexo shkrimin me titull "A kishte perëndim pas luftës së dytë botërore?"

Nga ana tjetër, edhe aleati kryesor politik gjatë luftës, partia komuniste jugosllave dhe udhëheqja e saj, kishin filluar të shfaqnin shenjat e para të megalomanisë imperialiste. Ata kishin filluar ta përdornin ndihmën politike e ekonomike ndaj Shqipërisë si mjet për të arritur qëllimin e tyre përfundimtar, të sinjalizuar që në plenumin e dytë të Beratit në vitin 1944 dhe tashmë të shpallur publikisht në vitin 1947 - gllabërimin e Shqipërisë si republikë të shtatë të Jugosllavisë. Për këtë ata u përpoqën të shfrytëzojnë influencën e jashtëzakonshme të Jugosllavisë në Shqipëri në atë kohë dhe përçarjen mes udhëheqjes komuniste shqiptare. 

Ndërkohë që Shqipëria kishte nevojë për qetësi e stabilitet politik të brendshëm e të jashtëm, në mënyrë që të përqendrohej në rindërtimin e ekonomisë, ajo u gjend nën sulmin e vazhduar të armiqve dhe “miqve” bashkë, duke bërë që bindja e formuar tashmë gjatë luftës për tolerancë zero ndaj kundërshtarit vetëm sa të përforcohej. Të gjitha këto konflikte e presione politike, të heshtura e të hapura, që duket se nuk mbaronin asnjëherë e që vinin nga të gjitha anët, krijuan kushtet për tensione e përplasje të brendshme, të cilat shpesh herë përfundonin me jo pak viktima, qofshin këto të fajshme apo të pafajshme. Veçanërisht në vitet e para të pas luftës, fati i Shqipërisë dhe i shqiptarëve, si dhe i vetë udhëheqjes komuniste, ishte në një gjendje as mish as peshk. Në përplasjet me jugosllavet, vetë Enver Hoxha dhe mbështetësit e tij u gjendën nja dy herë në bankën e të "akuzuarve" dhe për pak sa nuk u eliminuan politikisht.

Kush me dëshirë, e kush me pahir, i gjithë populli shqiptar iu fut punës për të ndërtuar vendin.

Shqipëria kish dalë nga lufta e sakatuar. Por edhe para luftës, ajo ishte praktikisht vendi më i prapambetur në Evropë, si nga aspekti ekonomik, ashtu edhe nga ai social e kulturor. Gati, gati, një vend mesjetar. Megjithatë, pavarësisht konflikteve politike të brendshme e të jashtme, regjimi i ri komunist nuk ngurroi të fillonte menjëherë nga vënia në jetë e amaneteve që kish lënë Samiu në 1899 (natyrisht sipas përfytyrimit të tyre marksist-leninist).* Kështu, menjëherë pas luftës, regjimi zbatoi reformën agrare, sipas së cilës shumica e tokës, që deri në atë moment kish qenë në pronësi të feudalëve të mëdhenj, iu rishpërnda popullsisë fshatare sipas parimit “toka i takon atij që e punon”. Kjo reformë u pasua menjëherë nga vepra inxhinierike e ekonomike kolosale të një-pas-njëshme: tharje e kënetave, hapje e kanaleve, krijimi i fermave, ndërtimi i kombinateve, etj. Duhet thënë se të gjitha këto u ndërtuan me sakrificën e madhe të popullit shqiptar, qofshin këta vullnetarë, qofshin të burgosur e të dënuar politikë, qofshin inxhinierë e specialistë, qofshin viktima të pafajshme. Kush me dëshirë, e kush me pahir, i gjithë populli shqiptar iu fut punës për të ndërtuar vendin.

* Lexo shkrimin me titull "A mund të krahasohet Shqipëria me perëndimin?"

Tharja e kënetës së Maliqit me forca vullnetare

Pas prishjes së marrëdhënieve me Jugosllavinë dhe lidhjes me Bashkimin Sovjetik, më në fund Shqipëria pati mundësi të gjente pak qetësi politike relative, që të mund të fokusohej tek ndërtimi i vendit dhe zbatimi i reformave aq të nevojshme për zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Natyrisht, amerikanët, britanikët, grekët dhe jugosllavët nuk i ndërprenë tentativat e tyre për të krijuar kaos dhe rrëmujë në Shqipëri, nëpërmjet infiltrimit të grupeve diversioniste terroriste, që kishin si qëllim sabotimin e veprave inxhinierike, vrasjen e figurave politike, nxitjen e revoltave të armatosura, etj. Duhet thënë, për hir të së vërtetës, se këto tentativa nuk patën absolutisht asnjë ndikim pozitiv në të mirë të vendit, përveç faktit që rrisnin tensionet e brendshme politike dhe i jepnin shkas regjimit të bëhej akoma edhe më represiv.

Nga viti 1948 deri në vitin 1956, d.m.th. për një periudhë 8 vjeçare, Shqipëria pati një zhvillim relativisht normal e të papenguar. Gjatë kësaj periudhe, udhëheqja komuniste shqiptare kishte siguruar ndihmën dhe asistencën e Bashkimit Sovjetik pa qenë nevoja që të sakrifikonte asgjë nga stabiliteti dhe pavarësia e brendshme politike. Zhvillime të jashtëzakonshme pati në të gjitha fushat, strehim, arsim, shëndetësi, industri, art, kulturë, etj. Për herë të parë në historinë e vet mijëra vjeçare populli shqiptar pati mundësinë të arsimohej e shkollohej në mënyrë masive. Jo vetëm analfabetizmi që u zhduk krejt, por ishin me mijëra ata studentë që studiuan e u specializuan në universitet më të mira të Bashkimit Sovjetik dhe vendeve të tjera të kampit socialist. Ata u kthyen në atdhe për të dhënë kontributin e tyre për ngritjen e shkollave e universiteteve e për zhvillimin e të gjithë shoqërisë, e cila deri në 1944-ën kish qenë kryekëput rurale dhe analfabete.

Lufta kundër analfabetizmit në Shqipëri

Mirëpo me sa duket nuk ishte e thënë që kjo “qetësi” të zgjaste shumë. Në vitin 1956 Hrushovi mbajti fjalimin e famshëm ku denoncoi brutalitetin dhe aktet kriminale të pushtetit të Stalinit. Edhe pse ky lajm, udhëheqjes shqiptare, dhe veçanërisht Hoxhës, u erdhi hidhur, ndryshe nga ç’mendojnë historianët e analistët, ky ndryshim kursi i Hrushovit nuk do të kishte asnjë rëndësi për Shqipërinë po të mos ishte për një element të vetëm - Jugosllavinë. Destalinizimi i Bashkimit Sovjetik përfshinte ndër të tjera edhe rehabilitimin e Titos dhe të gjitha figurave politike që ishin dënuar si mbështetës të tij në të gjitha vendet e kampit socialist. 

Çdo gjë mund të pranohej nga shqiptarët, veç kjo jo. Nëse për shtetet e tjera të kampit socialist çështja e Titos ishte thjeshtë një problem i pastër ideo-politik, që nuk ndikonte aspak në punët e brendshme të tyre, për Shqipërinë, Tito dhe Jugosllavia ishin një rrezik i drejtpërdrejtë për stabilitetin e brendshëm, pavarësinë e vendit dhe integritetin territorial të tij. Nuk vonoi shumë dhe udhëheqja sovjetike filloi të bëhej zëdhënëse e kërkesave të Titos. Ata kërkonin me ngulm rehabilitimin e mbështetësve të tij dhe lidhjen e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Jugosllavisë, gjë që për sa kohë Tito dhe planet e tij imperialiste ishin gjallë, nuk mund të realizohej.

Vizita e Hrushovit në Shqipëri

Kjo mosmarrëveshje, thelbësore për shqiptarët, e thjeshtë strategjike për sovjetikët, filloi të japë shenjat në marrëdhëniet ekonomike mes dy vendeve. Ndryshe nga Stalini, Hrushovi dhe udhëheqja sovjetike e përdorën ndihmën ekonomike ndaj Shqipërisë si mjet presioni politik*. Ata mendonin se e kishin udhëheqjen komuniste të Shqipërisë së vogël e të vetme në dorë dhe për këtë, në shkëmbim të ndihmës ekonomike, kërkonin lëshime politike. Kur kjo taktikë nuk u eci, ata filluan të kërkojnë “hallkat e dobëta” brenda udhëheqjes komuniste shqiptare dhe tek e gjithë struktura e administratës civile e ushtarake, gjë që në Shqipëri u reflektua me tensione e trazira të reja politike, të cilat si gjithmonë do të shkaktonin më shumë viktima e koka turku, si të fajshme, ashtu edhe të pafajshme.

* Këtu mund të kuptojmë pse Hoxha i mëshonte aq shumë etiketimit të Hrushovit si revizionist. Në raport me Shqipërinë ai kishte revizionuar qasjen e udhëheqjes politike ndaj saj, e cila tashmë kishte marë formë krejt imperialiste dhe cënonte pavarësinë politike të Shqipërisë.

Nëse Bashkimi Sovietik dhe Jugosllavia bënin një ndërhyrje ushtarake në Shqipëri, askujt në Evropë nuk do t'i prishej gjumi.

Nga viti 1956 deri në vitin 1961, pra për një periudhë 5 vjeçare, edhe pse ende në dukje të shkëlqyera, marrëdhëniet konfliktuale mes dy shteteve e kishin futur Shqipërinë në një gjendje të re rreziku e pasigurie ekonomike e politike, sidomos nëse marrim parasysh eksperiencën e hidhur të Çekosllovakisë dhe Hungarisë, ku Sovjetikët ndërhynë ushtarakisht. Akoma më real bëhej ky rrezik me prezencën e bazës ushtarake të nëndetëseve sovjetike të Pashalimanit në Vlorë. Nisur nga eksperiencat e hidhura të mëparshme dhe mospërfillja absolute ndaj kauzës së Shqipërisë nëpër kancelaritë e fuqive të mëdha, skenarët e një bashkëpunimi të mundshëm sovjeto-jugosllav për një ndërhyrje të shpejtë ushtarake në Shqipëri me qëllim përmbysjen dhe zëvendësimin e udhëheqjes komuniste nuk tingëllonin dhe aq të parealizueshme në ato vite. Shqipëria ishte fare e vogël dhe e pafuqishme. Nëse kjo ndodhte, askujt në Evropë nuk do t'i prishej gjumi.

Duhet të theksojmë se gjatë gjithë kësaj periudhe perëndimi vazhdonte të mbante pozita armiqësore ndaj Shqipërisë dhe me atë shpërfilljen tipike të fuqive imperialiste nuk kishte bërë as tentativën më të vogël për të hapur një dialog mirëkuptimi e bashkëpunimi. Perëndimi dhe të gjitha fuqitë e mëdha vazhdonin ta shikonin Shqipërinë dhe shqiptarët me po të njëjtin përçmim dhe indiferencë që e kishin parë edhe në vitin 1913.

Për ti shpëtuar edhe një herë presionit Jugosllav, udhëheqja komuniste shqiptare e pa të nevojshme shkëputjen e Shqipërisë nga influenca sovjetike. Në mungesë të një alternative reale perëndimore, Shqipërisë i erdhi në ndihmë Kina dhe Mao Ceduni. Me ndihmën ekonomike dhe mbrojtjen e aleatit të ri Shqipëria mund të vazhdonte reformat dhe investimet e rëndësishme për ndërtimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të vendit pa cënuar pavarësinë e brendshme politike. Kina e ndihmoi Shqipërinë me kredi e ndihma në të gjitha fushat, sidomos në ndërtimin e industrisë së rëndë nxjerrëse e përpunuese, ushtrisë, ndërtimin e hidrocentraleve, etj. Kjo periudhë e dytë qetësie politike do të zgjaste nga viti 1961 deri në vitin 1972, pra rreth 11 vjet, kur si rezultat i revolucionit kulturor në Kinë, udhëheqja kineze do të ndryshonte kursin politik global e do të vendoste marrëdhëniet formale me Amerikën. 

Enver Hoxha takohet me Mao Cedunin

Edhe në këtë rast, ashtu si me Hrushovin dhe Stalinin, vendosja e marrëdhënieve me Amerikën nuk do të kishte asnjë rëndësi për udhëheqjen shqiptare po të mos ishte për një element të vetëm - Jugosllavinë. Në suazën e vendosjes së marrëdhënieve të reja me botën perëndimore Kina vendosi marrëdhënie edhe me Jugosllavinë e Titos, dhe shumë shpejt, ashtu si në rastin e udhëheqjes sovjetike, udhëheqja kineze do të bëhej zëdhënëse e ankesave të Titos ndaj Shqipërisë. Për hir të diplomacisë së vetë ambigue, Kina nuk mund ta toleronte më pozitën e armiqësisë totale të Shqipërisë ndaj Jugosllavisë dhe deklaratat e saja agresive kundër udhëheqjes jugosllave, e veçanërisht kundër Titos. Ata u kërkonin shqiptarëve që t’i linin “mëritë politike” dhe të bashkoheshin me Jugosllavinë dhe vendet e tjera të Ballkanit kundër Bashkimit Sovjetik.

Kinezët i bënin llogaritë me qindra miliona. 2-3 milionë më pak a më shumë, për ta ishin thjeshtë statistika.

Nuk kishte si të ishte ndryshe, udhëheqja kineze nuk ishte në gjendje ta kuptonte historinë dhe natyrën e marrëdhënieve shqiptaro-jugosllave dhe me shumë gjasa as që kishte ndërmend ta kuptonte. Jo Shqipëria, por për Kinën i gjithë Ballkani nuk ishte veçse një provincë. Ashtu si sovjetikët, Kinezët i bënin llogaritë me qindra miliona. 2-3 milion më pak, a më shumë, ishin thjeshtë statistika për ta. P.sh. vetëm gjatë revolucionit kulturor mund të kenë vdekur mbi 10 milionë vetë, më shumë se të gjithë shqiptarët e botës të marrë së bashku. Kështu që, në këtë kontekst, pavarësia e Shqipërisë, tërësia territoriale dhe identiteti etnik shqiptar, për kinezët nuk kishin asnjë kuptim.

Mirëpo kinezët nuk kuptonin as këtë tjetrën, se më e thjeshtë ishte të nxirrje qumësht nga demi se sa të bindje udhëheqjen komuniste shqiptare t’i hapte dyert e diplomacisë Titos. Mes viteve 1972-1979, pra për rreth 7 vjet, Shqipëria e gjeti sërish veten në një situatë rreziku e pasigurie ekonomike e ushtarake. Ashtu si edhe Sovjetikët, Kinezët filluan të kërkojnë të çarat në udhëheqjen komuniste dhe administratën civile e ushtarake shqiptare, në mënyrë që të evidentonin atje elementët pro-kinezë. Dhe po ashtu si 15 vjet më parë, këto manovra e taktika të tyret u shoqëruan sërish me koka turku e viktima në radhët e politikës e ushtrisë shqiptare.

Duke parë që asnjë nga taktikat e presionit nuk po funksiononte, udhëheqja kineze vendosi përfundimisht ta braktisë Shqipërinë duke i prerë kreditë e ndihmat ekonomike. Kjo manovër e kinezëve e futi Shqipërinë në një periudhë izolimi politik e ekonomik të sforcuar, periudhën e vetmisë së madhe, gjatë së cilës, vendi do të gjendej krejt i vetëm, pa ndihma e pa aleanca ndërkombëtare. Kjo është periudha e varfërisë, korrupsionit dhe “vdekjes” morale të shoqërisë shqiptare, gjatë së cilës u formua edhe brezi i të paaftëve dhe cinikëve që sundon sot  gjerësisht politikën e Shqipërisë. Kur duan të flasin për varfërinë dhe prapambetjen e periudhës së komunizmit, shumica e shqiptarëve i referohen përgjithësisht kësaj periudhe, dhjetëvjeçarit të fundit të regjimit.

Vlen të thuhet se një gjendje e ngjashme degradimi ekonomik ishte prezent në të gjitha vendet e kampit socialist. Ndonëse Shqipëria mund të ishte më e varfër e për këtë arsye çdo gjë dukej më e mjerueshme, fenomeni i varfërisë, cilësisë së ulët të jetesës dhe mungesës së ushqimeve e mallrave të konsumit në dyqane ishte prezent gjithandej pothuajse njësoj.

Politikat e tyre ndaj Shqipërisë kushtëzoheshin prej politikave të superfuqisë përkatëse, e cila gjithashtu kushtëzohej prej interesave të aleatëve të tyre në Ballkan.

Ndryshe nga ç’mendojnë shumica e njerëzve dhe ç’propagandohet në media, udhëheqja shqiptare filloi të kërkonte hapjen e dialogut dhe lidhjen e marrëdhënieve ekonomike me vendet e perëndimit menjëherë sapo ndërpreu lidhjet me Kinën. Diku në forma zyrtare e diku nëpërmjet diplomacisë, Shqipëria po tregonte gatishmërinë e saj për të hyrë në bisedime me qëllim vendosjen e marrëdhënieve tregtare. Mirëpo fati e donte që Shqipëria nuk ishte as Jugosllavia e as Rumania. Ndryshe nga ç’bënë me Titon e me Çausheskun, të cilëve u ofruan ndihma, kredi e tregje për mallrat e tyre, thirrjen për dialog të shqiptarëve amerikanët e injoruan komplet, sikur Shqipëria mos të ekzistonte fare si shtet. Ndërsa vendet Evropiane si Italia, Franca, Gjermania, etj, e pritën ftohtë e pa ndonjë entuziazëm. Për shembull, kur zyrtarët më të lartë shqiptarë i kërkuan palës italiane për shkëmbime tregtare, ata u përgjigjën se dëshira në qeveri ekzistonte, por kundërshtohej me forcë nga komunistët në parlament, për arsyen e vetme se ata mbështesnin Bashkimin Sovjetik. Po ashtu edhe vendet e tjera. Politikat e tyre ndaj Shqipërisë kushtëzoheshin prej politikave të superfuqisë përkatëse, e cila gjithashtu kushtëzohej prej interesave të aleatëve të tyre në Ballkan. Pra ishte një zinxhir i mbyllur dhe atyre aq u bënte. Populli shqiptar mund edhe të vdiste për bukë e askujt nuk do t’i hynte gjemb në këmbë.

Dhe në fakt ashtu ndodhi. Vërtetë, shqiptarët nuk vdiqën për bukë, por iu afruan shumë mjerimit dhe urisë. Pa një tregti të shëndetshme me vende të pasura të Evropës, ekonomia e Shqipërisë shumë shpejt do të merrte tatëpjetën. Prerja e ndihmës së huaj nxori në pah shumë defekte e gabime të rënda të planifikimit e menaxhimit të ekonomisë “socialiste”, të cilat më parë amortizoheshin nga ndihmat e jashtme. Psh. u evidentuan veçanërisht gabime thelbësore në planifikimin kolektivizimit masiv të tokave dhe gjësë së gjallë, keq menaxhimi, abuzimi, rendimenti i ulët i kooperativave, etj, fenomene që ndikonin në mënyrë të drejtpërdrejtë tek varfërimi i fshatit dhe mungesa e furnizimit të qytetarëve me ushqime.

Radhët e bukës në vitet 80

Pjesa e tretë - Shqipëria në udhëkryq

Siç mund të vërehet edhe nga përsëritja e ngjarjeve dekadë pas dekade, shkaku i prishjes së marrëdhënieve midis Shqipërisë e perëndimit nga njëra anë, dhe Shqipërisë e kampit socialist nga ana tjetër, kanë qenë gjithmonë fqinjët tanë dhe politikat e tyre antishqiptare. Çfarëdolloj aleance të bënte Shqipëria dhe çfarëdolloj politike të ndiqte ajo, kur vinte puna për të zgjedhur, fuqitë e mëdha të të dyja kampeve do të zgjidhnin gjithmonë Greqinë e Jugosllavinë përpara Shqipërisë. Këto dy shtete i ishin qepur Shqipërisë "me bukë në trastë" dhe për pothuajse 130 vjet rresht bën ç’mos e ç’nuk për ta penguar e për t’i vënë stërkëmbësha çdo tentative të saj për zhvillim normal dhe krijimin e aleancave e partneriteteve të shëndosha afatgjata. Edhe sikur të donte udhëheqja komuniste, nuk do të donin të tjerët. Ata do të paraqitnin kushte e kërkesa që do ta shtynin Shqipërinë në mënyrë të pashmangshme drejt një ulluku varësie politike e ekonomike që nuk mund të shpinte ujë veçse në mullirin greko-jugosllav. Prandaj, udhëheqja komuniste, dhe vetë Enver Hoxha, i vunë vetes një objektiv madhor, i cili u bë udhërrëfyes gjatë gjithë qëndrimit të tij në pushtet - përpjekja për pavarësi absolute politike, ekonomike dhe ushtarake.

Çfarëdolloj aleance të bënte Shqipëria dhe çfarëdolloj politike të ndiqte ajo, kur vinte puna për të zgjedhur, fuqitë e mëdha të të dyja kampeve do të zgjidhnin gjithmonë Greqinë e Jugosllavinë përpara Shqipërisë.

Kështu, udhëheqja komuniste mori një sërë masash që ata gjykonin se do të ndihmonin në arritjen e këtij objektivi. E para ishte ngritja e industrisë së rëndë nxjerrëse e përpunuese. 

Pas rënies së komunizmit, investimet e mëdha në industrinë e rëndë dhe dobia e tyre për ekonominë shqiptare u vunë në pikëpyetje. Ato kishin tërhequr fonde e burime financiare të rëndësishme, të cilat sipas vëzhgimit të saktë të kritikëve mund të ishin vënë në shërbim të mirëqenies së popullit.  Mirëpo edhe pse sot është e lehtë të biesh dakord me këto vëzhgime, duhet të ndalemi pak e t’i analizojmë më nga afër rrethanat në të cilat ndodhej Shqipëria në atë periudhë.

Ekonomia e 4, 5 ose 6 dekadave më parë nuk ishte ekonomia liberale e shërbimeve dhe mallrave të konsumit që është sot. Pothuajse gjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, peshën kryesore të ekonomisë globale e zinte industria nxjerrëse e naftës dhe mineraleve, sidomos ajo e metaleve. Kjo industri mbante në lëvizje të gjithë motorin e ekonomisë botërore. Rreth asaj vërtiteshin aleancat dhe armiqësitë. Për shkak të saj fillonin e pushonin luftërat, dhe në bazë të saj formuloheshin marrëveshjet ekonomike. Dëshmia më e fortë e kësaj është zanafilla e themelimit të bashkimit europian, i cili ka filluar pikërisht me heqjen e tarifave për tregtinë e hekurit mes Francës dhe Gjermanisë

Në këtë kontekst, edhe Shqipëria po ndiqte të njëjtin shembull. Industria nxjerrëse dhe përpunuese, bashkë me industrinë e armëve ishin asokohe simbolet e pavarësisë, pacenueshmërisë territoriale dhe mbështetjes tek forcat e veta. Ato konsideroheshin si shtylla kurrizore e një shteti të fuqishëm e të pavarur. Sipas arsyetimit të udhëheqjes komuniste, për sa kohë Shqipëria do të varej prej aleancave politike e ekonomike për furnizimin me lëndë të parë industriale, ajo do të mbetej gjithmonë “skllave” e kushteve politike që do të vendoste më ”i forti”. Por nëse Shqipëria i mbyllte vetë kërkesat e industrisë së brendshme për lëndë të parë, atëherë ajo nuk do të ishte asnjë herë e varur prej politikës. Pra i gjithë qëllimi i investimit në këtë industri ishte pavarësia ekonomike prej fuqive të mëdha. Të paktën ashtu mendonin udhëheqësit komunistë në atë periudhë. Natyrisht, më vonë u vërtetua se ata, veçanërisht Enver Hoxha, për shkak edhe të mungesës së një eksperience kapitaliste, nuk kishin marrë parasysh një numër variablash e konstantesh politike, ekonomike dhe thjeshtë njerëzore, të cilat unë nuk do t’i diskutoj këtu, por që do të rezultonin fatale për suksesin e këtij plani.

Shumë kanë teorizuar se vendet e Ballkanit nuk u pasuruan për shkak se nuk kaluan revolucionin industrial, e për këtë fajin ia vënë perandorisë osmane. Mirëpo kjo nuk është e vërtetë. Të gjitha shtetet socialiste të Ballkanit e kaluan revolucionin industrial, vetëm se jo në të njëjtën periudhë si vendet perëndimore dhe jo në të njëjtën mënyrë. Hovi i jashtëzakonshëm që mori industria gjatë periudhës së socializmit ishte në vetvete një revolucion. Por eksperienca tregoi se industrializimi ishte vetëm njëra anë e ekuacionit. Ky ekuacion kishte edhe një anë tjetër akoma edhe më të gjatë e më të komplikuar që nuk varej as nga sasia e investimeve, as nga sasia e burimeve e as nga numri i specialistëve, por ishte e lidhur ngushtë me tregjet botërore, zinxhirët e prodhimit industrial, tarafllëqet e konjukturat politike, lozhat elitiste globale dhe historinë e imperializmit botëror. Ta zgjidhje këtë krah të ekuacionit rezultoi shumë më e vështirë nga ç'mendohej.

Masa tjetër që ndërmori udhëheqja komuniste për të arritur objektivin e pavarësisë absolute të vendit ishin investimet në ushtri dhe armatime. Shumë është folur e përfolur për armatimin dhe militarizimin ekstrem të vendit, e sidomos për ndërtimin e sistemit të bunkerëve, i cili është konsideruar nga pothuajse të gjithë analistët e historianët si simboli i paranojës personale të Enver Hoxhës dhe mjeti me të cilin ai siguroi pushtetin e tij absolut. Megjithatë, pak veta janë përpjekur ta vënë këtë aspekt të regjimit në kontekstin e duhur gjeopolitik e strategjik të kohës si dhe të analizojnë rrethanat në të cilat gjendej Shqipëria në atë periudhë.

Parakalimi i forcave të armatosura të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë në bulevardin "Dëshmorët e Kombit"

Lufta e armatimeve mes Bashkimit Sovjetik dhe Amerikës kishte arritur kulmin. Tentativat e vazhdueshme për të përmbysur regjimin komunist nga njëra anë dhe përfshirja e vazhdueshme e fuqive të mëdha në konflikte të armatosura në të gjithë botën nga ana tjetër e përforconin idenë se një vend fare i vogël si Shqipëria nuk mund të ishte kurrë i sigurt, dhe se rreziku i një konflikti të armatosur mund të vinte andej nga s’ta priste mendja, në çdo kohë dhe krejt papritur. Pas prerjes së marrëdhënieve me Kinën, Shqipëria nuk mund të mbante më ritmin e pajisjes së ushtrisë me mjetet më të fundit luftarake e rrjedhimisht nuk mund të garantonte sigurinë territoriale të kufijve të saj. Prandaj, shtabi i përgjithshëm i ushtrisë përpiloi ngritjen e një sistemi mbrojtës nëpërmjet pikave permanente të fortifikuara të zjarrit, të quajtura ndryshe bunkerë, dhe sistemit të rrjetit të gjerë të transheve e tuneleve.

...sistemi i bunkerëve nuk kishte qëllim kryesor luftën por paqen... Qëllimi i tyre ishte që sulmi ushtarak mundësisht të mos të ndodhte fare.

Ndryshe nga ç’mendojnë shumë njerëz që nuk kuptojnë nga strategjitë ushtarake, sistemi i bunkerëve nuk kishte qëllim kryesor luftën, por paqen. Bunkerët u ndërtuan për efekt parandalues. Qëllimi i tyre ishte që sulmi ushtarak mundësisht të mos të ndodhte fare. Pra bunkerët u ndërtuan që nëpërmjet kërcënimit të garantohej paqja. 

Pika të fortifikuara zjarri, të ashtuquajtur "bunkerë".

Ekzistojnë dy koncepte shumë të rëndësishme në filozofinë e luftës mbi të cilat u bazua kjo strategji: ato janë teoria e parandalimit të luftës dhe teoria e luftës asimetrike. Këto dy teori gjejnë zbatim kur pala më e dobët, me mjetet që ka në dispozicion, krijon kushte që i mohojnë palës më të fuqishme mundësinë për ta asgjësuar armikun shpejt e me lehtësi. Kështu pala më e dobët ul potencialisht humbjet e veta dhe i krijon vetes mundësinë për goditur atje ku palës më të fuqishme i dhemb më shumë. Kjo strategji kishte rezultuar veçanërisht e suksesshme gjatë luftës së dytë botërore, ku forcat partizane shfrytëzuan me mjeshtëri terrenin e thepisur malor për të fituar epërsi ndaj ushtrive të fuqishme fashiste e naziste. 

Në luftë kanë rëndësi vetëm dy gjëra: aftësia e njërës palë për të mbajtur ofensivën gjallë dhe aftësia e palës tjetër për t'i rezistuar ofensivës pa u shpartalluar. Ofensivat ushtarake janë zakonisht shumë të shkurtra, jo më shumë se disa muaj dhe kanë si qëllim shpartallimin ose asgjësimin e armikut me një goditje të përqendruar. Ndërsa rezistenca mund të zgjasë me dekada, mjafton që ushtria që bën rezistencë të dalë gjallë prej ofensivave të përqendruara të armikut. Sa më shumë humbje të pësojë ushtria që bën ofensivën, aq më të pakta janë shanset e ruajtjes së inisiativës dhe arritjes së suksesit të plotë.

Territori i Shqipërisë është shumë i vogël, dhe nëse ndonjë ushtri armike e fuqishme do ta sulmonte atë me teknikë moderne luftarake, nuk do ta kishte shumë të vështirë që të godiste pikat strategjike në çdo cep të saj. Dhe, në fakt, ky nuk ishte shqetësimi kryesor i udhëheqjes komuniste pasi kësaj nuk kishin ç’i bënin. Shqetësimi kryesor ishin rreziku greko-jugosllav. Ata do të shfrytëzonin çdo konflikt të armatosur rajonal si pretekst për të ndërhyrë ushtarakisht në territorin shqiptar e për ta shpërbërë Shqipërinë si shtet të pavarur një herë e përgjithmonë. Sistemi i bunkerëve, bashkë me sasinë e jashtëzakonshme të municioneve luftarake, do ta bënte agresorin të mendohej dy, e ndoshta tre herë, para se të thurte plane për aventura në territorin e Shqipërisë, pasi çdo tentativë e tij do shoqërohej me humbje të papërballueshme në njerëz e teknikë luftarake. 

Nga ana tjetër, sistemi i bunkerëve nuk ishte as ndonjë shpikje shqiptare dhe as ndonjë strategji e paprecedentë. Në fakt, pak veta e dinë se krahasuar me numrin e bunkerëve që kishin ndërtuar në atë periudhë vendet perëndimore si Zvicra, Suedia, Gjermania, etj, bunkerët e Shqipërisë dukeshin sikur ishte hedhur vetëm një thes çimento. Dhe këtu nuk po flas për pika të fortifikuara zjarri, siç ishin bunkerët shqiptarë, por për streha të mirëfillta bërthamore. P.sh. ndërkohë që në Shqipëri u ndërtuan rreth 145,000 pika të fortifikuara zjarri, tunele e depo armatimesh, Zvicra dhe Suedia ndërtuan nga 300,000 bunkerë kundër sulmeve bërthamore secila, qofshin këto private apo publike. Pra ndërkohë që Shqipëria ndërtonte një sistem për parandalimin e luftës, Evropa përgatitej për fundin e botës. Dallimi i vetëm mes këtyre vendeve ishte që bunkerët e Shqipërisë ishin të dukshëm, ndërsa ata të vendeve perëndimore ishin ndërtuar në prona private e vende të padukshme për publikun.*

* Lexo shkrimin me titull "I gjithë populli ushtar - shkaqet e militarizimit të Shqipërisë".

Harta e sistemit zviceran të pikave të fortifikuara të zjarrit (Schweizer Reduit).


Një ndër disa mijëra qendra zjarri të maskuara si formacione shkëmbore në Zvicër

Për më tepër, pajisja e ushtrisë shqiptare me një sasi aq të madhe armësh e municionesh do të luante edhe një rol tjetër shumë të rëndësishëm në rast të një konflikti në Kosovë. Ai do të shërbente si taktikë parandaluese nga një sulm i mundshëm luftarak i forcave serbe atje e madje do të shërbente edhe si një parantezë e ngjarjeve të 1999-ës. Thjeshtë fakti që udhëheqja jugosllave ishte në dijeni të sasisë e armatimit që Shqipëria  kishte në dispozicion dhe aftësisë e saj për ta vënë atë në punë, mjaftonte që ajo të mendohej mirë para se të planifikonte çfarëdolloj sulmi mbi popullsinë shqiptare në jugosllavi, e cila filloi protestat në vitet 80. 

...një ushtri shqiptare aktive dhe e armatosur mirë, do të shërbente jo vetëm për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë, por nëse do të lindte nevoja, ajo do të mund të vihej edhe në mbrojtje të popullsisë shqiptare në Jugosllavi.

Në fakt rreziku nu vinte prej Titos, por prej serbëve. Ndërkohë që Tito, me dinakërinë e vet politike nuk do t'ia niste kurrë një aventure të tillë, pasi i kishte njohur mirë aftësitë e ushtrisë shqiptare gjatë luftimeve në Kosovë e Sanxhak e më pas në përplasjet me Greqinë në 1949, e njëjta gjë nuk mund të thuhej edhe për lidershipin radikal serb. Ashtu siç bëri edhe në 1999, i errësuar nga propaganda shoviniste antishqiptare, lidershipi serb nuk do të ngurronte të ndërmerrte fushatën e radhës të spastrimit etnik të shqiptarëve. Prandaj, një ushtri shqiptare aktive dhe e armatosur mirë, do të shërbente jo vetëm për mbrojtjen e kufijve të Shqipërisë, por nëse do të lindte nevoja, ajo do të mund të vihej edhe në mbrojtje të popullsisë shqiptare në Jugosllavi.

Një Shqipëri e pavarur dhe e fuqishme ushtarakisht shërbeu njëkohësisht edhe si kontrapunkt ndaj sundimit serb, edhe si fener orientimi politik i shqiptarëve të Jugosllavisë në kërkim të drejtave e tyre dhe ëndrrës për pavarësi gjatë periudhës së luftës së ftohtë, derisa situata politike ndërkombëtare të ndryshonte dhe shqiptaria të fitonte aleancën e SHBA-ve. Historia e luftës së Kosovës i vërtetoi të gjitha këto. Millosheviçi bëri pikërisht atë, për të cilën udhëheqja shqiptare komuniste ishte përgatitur për katër dekada resht, sulmin ushtarak ndaj popullsisë civile shqiptare dhe spastrimin e saj nga trojet e veta, dhe, sikur ta kishin parashikuar të ardhmen, armatimet dhe municionet e akumuluara gjatë diktaturës u përdorën pikërisht nga shqiptarët e Kosovës për luftën e tyre çlirimtare. 

Masa e tretë që regjimi ndërmori për ruajtjen e pavarësisë së vendit ishte shkëputja e varësisë së shoqërisë shqiptare ndaj institucioneve fetare dhe praktikave e zakoneve që lidheshin me të. Në këndvështrimin e udhëheqësve komunistë, për sa kohë në Shqipëri do të ekzistonin institucionet dhe klerikët fetarë, do të ekzistonte edhe terreni për destabilizimin e rendit shoqëror. Kjo nuk lidhej aq me fenë dhe dogmat e saj sesa me natyrën oportuniste të institucioneve fetare, veçanërisht kishave, besnikëria e të cilave, sipas traditës historike dy mijë vjeçare të tyre, i jepet tërësisht atij që ka thesin më të madh të donacioneve. Kështu kish ndodhur me Patrikanën e Stambollit në vitin 1454, e cila, për të mos humbur pushtetin bëri kompromis me Sulltanin. Kështu kish ndodhur edhe me kishat autoqefale Greke e Serbe, të cilat, nga kisha universale, në shekullin e 19-të u kthyen në kisha nacionaliste që identifikoheshin vetëm me etninë dominuese të shtetit ku operonin, kështu kish ndodhur edhe me Vatikanin që kish pranuar plotësisht fashizmin, vetëm e vetëm që të ruante pushtetin e vet.

Poster propagandistik kundër fesë

Në rastin e Shqipërisë nuk mund të bëhej fjalë për besnikëri të institucioneve fetare ndaj shqiptarisë, sidomos ato të krishtera: e para sepse besimtarët e krishterë në Shqipëri ishin shumë të pakët në numër, të varfër dhe të ndarë në dy denominacione; e dyta se për shkak të sistemit shoqëror fisnor (ku rëndësinë primare e kishte e drejta zakonore) shqiptarët nuk ishin treguar asnjëherë ithtarë të zellshëm të fesë dhe përfaqësuesve të zotit në tokë. Prandaj, për shkak të fizionomisë strukturore dhe historikut të tyre politik, institucionet fetare u konsideruan si përfaqësuese të agjenturave të huaja dhe terren pjellor për mbarështimin e elementëve destabilizues. Në këtë pikët, ndryshe nga kisha ortodokse dhe autoriteti islamik që, të paktën kishin një farë pavarësie në letra, kisha katolike paraqiste rrezikshmërinë më të lartë sepse ishte drejtpërdrejtë e varur nga një pushtet i huaj i konsideruar armik, siç qe Vatikani, dhe dihej që besnikëria e klerikëve katolikë i përkiste vetëm e Papës dhe askujt tjetër. Për këtë ajo mori edhe goditjen më të rëndë.*

* Lexo shkrimin me titull "Lufta kundër kishës dhe klerit katolik"

Me këtë fenomen komunistët ishin përballur gjerësisht gjatë luftës, ku shpesh herë mbështetja ose armiqësia ndaj LANÇ varej tërësisht prej lidhjeve fisnore e miqësive personale të banorëve të fshatit.

Masa e katërt që regjimi ndërmori për zhdukjen e rrezikut të brendshëm të përçarjes dhe destabilitetit, e që pati ndikimin më të madh e më destruktiv tek shoqëria shqiptare, ishte sistemi i dënimeve të rënda politike, sidomos shtrirja e dënimit tek pjesëtarët e familjes dhe internimet. Regjimi i diktaturës komuniste ishte me të vërtetë i tipit stalinian dhe taktikat e shumta represive i kish marrë prej andej, por nga ana tjetër ai i ishte përshtatur gjerësisht kushteve të Shqipërisë dhe strukturës shoqërore të popullit shqiptar. Për këtë arsye, dënimet politike gjatë diktaturës merrnin shpesh herë  parasysh ose bazoheshin tërësisht tek lidhjet familjare e fisnore, sidomos në zonat rurale, pavarësisht vendndodhjes gjeografike. Me këtë fenomen komunistët ishin përballur gjerësisht gjatë luftës, ku shpesh herë mbështetja ose armiqësia ndaj LANÇ varej tërësisht prej lidhjeve fisnore e miqësive personale të banorëve të fshatit. Prandaj, kur regjimi përgatitej të godiste një individ, ai ishte plotësisht në dijeni të faktit që ai individ nuk po vepronte i vetëm (potencialisht). Kjo ishte e vërtetë sidomos tek familjet e mëdha fshatare, ku koncepti i individualitetit dhe i marrjes së vendimeve "me kokën e vet" gjente zbatim shumë të rrallë. Natyrisht, edhe pse e efektshme, kjo masë ishte tërësisht e gabuar, kriminale dhe në kundërshtim të plotë me parimet e komunizmit dhe të drejtave të njeriut.*

* Lexo shkrimin me titull "Krime në emër të komunizmit".

Pamje nga burgu u Spaçit, ku ishin burgosur shumë të dënuar politikë

Masa e pestë indirekte që regjimi ndërmori për garantimin e pavarësisë së vendit ishte dyfishimi i popullsisë së Shqipërisë. Një Shqipëri e vogël me 800,000 banorë zor se do merrej seriozisht në qarqet politike e ekonomike ndërkombëtare. Fuqitë e mëdha kishin luajtur botash tashmë për më shumë se 1000 vjet dhe milionat i kishin si bukë e djathë. Për krahasim, në betejën e Stalindgradit kishin humbur jetën rreth 800,000 forca naziste dhe rreth 1.2 milionë forca sovjetike. D.m.th. aq sa kishte Shqipëria banorë, aq kishte humbur gjermania naziste në një betejë të vetme. Prandaj, rritja e popullsisë me ritme të larta paraqitej si detyrë parësore për përforcimin e pozitave të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Natyrisht që nga 800 mijë në 3 milionë nuk ishte ndonjë rritje kush e di se çfarë, por sidoqoftë llogaritjet për 3 milionë janë disi më të ndryshme se llogaritjet për 800 mijë, sidomos nga këndvështrimi gjeopolitik rajonal.

Regjimi bëri investime të mëdha në drejtim të mjekësisë, ushqimit, shkollimit, strehimit, etj, fusha të cilat ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në rritjen e popullsisë. Kështu mjekësia garanton uljen e vdekshmërisë së foshnjave, zhdukjen e epidemive, uljen e vdekshmërisë së të moshuarve, kurimin e sëmundjeve të rënda, etj. Ushqimi cilësor garanton jetëgjatësinë e popullatës, uljen e incidencës së sëmundjeve, ushqimin e numrit të lartë të fëmijëve, etj. Shkollimi rrit cilësinë e jetës duke i mësuar njerëzit që të investojnë në demokratizimin e shoqërisë dhe barazinë gjinore. Ndërsa strehimi garanton ambientet dhe kushtet e nevojshme për rritjen e pjesëtarëve të rinj të familjes.   

Natyrisht, të gjitha këto duhen parë me optikën e kohës dhe me këmbë në tokë. Shqipëria vinte nga kushte ekstreme varfërie dhe prapambetjeje, ku sfida më e madhe ishte mentaliteti dhe mungesa e një botëkuptimi modern të popullsisë së saj. Nuk duhet të harrojmë se shoqëria shqiptare ka qenë dhe vazhdon të jetë kryekëput me prejardhje rurale dhe si e tillë ka pasur dhe vazhdon të ketë tiparet e saja specifike të marrëdhënies me pushtetin dhe zhvillimet shoqërore. Pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare ka funksionuar gjithmonë në kushte të vështira e me rregulla drakoniane, kështu që edhe periudha e diktaturës komuniste, duhet parë si një periudhë që i përket veçanërisht ringjalljes dhe dominimit të shoqërisë rurale.

Nëse e shikojmë në tërësinë e vetë të gjithë periudhën 45 vjeçare të diktaturës, pavarësisht gabimeve të rënda, dhunës, masave të forta represive dhe sakrificave të mëdha në njerëz, të cilat janë të pamohueshme, do të vëmë re se udhëheqja komuniste u përpoq të bënte në Shqipëri, në vendin më të prapambetur dhe me popullsinë më  të varfër e më analfabete në Evropë, brenda pak viteve, atë që botës së zhvilluar iu deshën më shumë se 500 vjet. Intensiteti dhe sasia e projekteve dhe reformave që u zbatuan gjatë katër dekadave të diktaturës, si dhe rezultatet që u arritën në të gjitha fushat e jetës, krijuan konflikte të mëdha sociale dhe viktima të shumta, por gjithashtu e katapultuan Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare nga shekulli i XVIII-të ku kishte mbetur ende deri në vitin 1944, drejt e në shekullin e XX-të, ku ishte pjesa tjetër e Europës.

...breza të tërë u rritën e u formuan duke lëvruar koncepte, rryma e ideologji që prindërit e tyre as që i kishin dëgjuar ndonjëherë.

Kështu, gjatë 45 viteve të regjimit komunist, shqiptarët u shndërruan nga një popull i pashpresë e i nëpërkëmbur, në një popull me ëndrra e me pretendime të mëdha për të ardhmen e vet, që e shikonte veten të barabartë me popujt e tjerë evropianë dhe madje ndonjëherë, me naivitet, e konsideronte veten të denjë për tu krahasuar e matur edhe me shoqëritë më të zhvilluara perëndimore. Nëpërmjet ngritjes së sistemit të centralizuar të arsimit dhe shkencës të financuar nga shteti, breza të tërë u rritën e u formuan duke lëvruar koncepte, rryma e ideologji që prindërit e tyre as që i kishin dëgjuar ndonjëherë. Këta breza të arsimuarish, një pjesë e të cilëve ishin me origjinë të thellë rurale, patën shtysën, hapësirat dhe mjetet e nevojshme për të krijuar, kërkuar e zbuluar pothuajse në çdo fushë të artit e të shkencës, me kapacitete e logjistikë që edhe në perëndim shpesh herë konsideroheshin luksoze. 

Ndërtonin fuqitë globale imperialiste, që i kishin përhapur tentakulat në të katër anët e globit, fabrika e uzina? Ndërtonte edhe Shqipëria e vogël e sapo dalë nga shpella feudale. Zhvillonin korporatat shumëkombëshe, me kapitale të pakufishme, industrinë nxjerrëse? Zhvillonte edhe Shqipëria 2-3 milionëshe industrinë e saj. Bënin institutet shekullore evropiane e amerikane kërkime shkencore? Bënin edhe institutthet 10-15 vjeçare të Shqipërisë. Kishte nxjerrë Evropa qindra milionëshe filozofë, shkrimtarë e artistë me nam botëror? Patjetër që do nxirrte edhe Shqipëria "koka të mëdha", që sot pretendojnë çmimin Nobel. Ndërtonin vendet perëndimore e lindore kooperativa atje ku nuk kishte një kodër për mijëra kilometra? Ndërtonte edhe Shqipëria malore e shkëmbore. Prodhonte Hollivudi e Cinecita-ja filma për audienca globale? Prodhonte dhe Kinostudio Shqipëria e Re, pa u lënë gjë mangut simotrave perëndimore. Do organizonte Italia 60 milionëshe Sanremon? Do organizonte edhe RTSH-ja festivalin e këngës, mot à mot. Me pak fjalë, çdo gjë që e kishte bota, medoemos që do ta bënte edhe Shqipëria.

Prandaj dhe sot, shumë shqiptarë kanë ide të mëdha për veten dhe guxojnë ta krahasojnë Shqipërinë e diktaturës me shoqëritë më të zhvilluara perëndimore si Zvicra, Hollanda e Belgjika, duke ngritur pyetje si "Pse s'kishim ne kështu, e pse s'kishim ne ashtu?" Sepse e kanë parë me sytë e tyre potencialin e jashtëzakonshëm njerëzor që regjimi nxori në pah. Është një mentalitet i tërë i trashëguar nga periudha e diktaturës, i cili i ka bërë Shqiptarët të mendojnë me naivitet se jo vetëm që mund të hahen me gjithë botën, por se me përkushtim e investim personal mund të bëjnë çudira.

Sot, analistët dhe historianët, me të drejtë, fokusohen tek bilanci i viktimave të periudhës së komunizmit për shkak se në pjesën më të madhe të tyre ato janë rezultat i mekanizmave represivë të regjimit, dhe për këtë arsye janë të gjurmueshme e të matshme. Por nëse do të zgjeronim diapazonin e monitorimit duke futur në këtë analizë të gjithë periudhën e luftës së popullit shqiptar për mbrojtjen e lirisë dhe pavarësisë, që nga viti i largët 1878 e deri në vitin 2001, pra rreth 123 vjet, atëherë do të vinim re se këto viktima janë vazhdimësi e një procesi të pandërprerë përplasjesh e përleshjesh mes shqiptarëve dhe politikave shoviniste të fqinjëve të tyre, një proces i dhimbshëm që nuk filloi e as nuk mbaroi me diktaturën.*

* Lexo shkrimin me titull "Epoka e Errët Shqiptare"

Çdo diskutim tjetër për mendimin tim është shterp dhe nuk na ndihmon të nxjerrim asnjë konkluzion të saktë për historinë e Shqipërisë dhe popullit shqiptar. Fokusi i tepërt tek figurat politike, përfshi Enver Hoxhën, dhe mllefet personale ndaj tyre, e fusin analizën historike në qorrsokak. Për mua, si Enver Hoxha, si Zogu, si Sali Berisha, si të tjerët që erdhën më pas, vlejnë më shumë të shikohen si fenomene që përfaqësojnë stadin zhvillimor të shoqërisë shqiptare në periudha të caktuara në kusht se sa si individë. Ekzistenca dhe veprimtaria e tyre është e lidhur ngushtë me realitetin gjeopolitik në të cilin është gjendur shqiptaria në ato momente dhe vetëm atje duhen gjetur shkaqet dhe pasojat e çdo gjëje që ka të bëjë me realitetin shqiptar*. Përndryshe do të mbetemi gjithmonë viktima të fantazmave të së shkuarës dhe nuk do të kuptojmë asnjëherë, asnjë gjë.

* Lexo shkrimin me titull "Revolucioni vazhdon"

Po ashtu, unë nuk i ndaj palët pjesëmarrëse në histori si në të “mirë” e të “këqij”, “heronj” apo “tradhtarë”, pasi unë nuk mund ta vendos veten në këpucët e tyre. Është e drejta e gjithsecilit të mendojë e të veprojë ashtu si e gjykon më mirë e sipas rrethanave në të cilat ndodhet. Por gjithashtu, është e detyra e gjithsecilit të mbajë përgjegjësitë individuale për veprimet e veta dhe të ballafaqohet me pasojat kur rrethanat nuk janë në favor të tij. Ne si vëzhgues na takon t’i shikojmë gjërat me mendje të hapur e të vëmë pikat mbi “i”.

Për sa i përket retorikës së gjerë të Enver Hoxhës në lidhje me "ndërtimin e socializmit", "revolucionit", "besnikërinë ndaj stalinizmit", e të tjera çështje si këto, të shumtë janë ata që janë marrë me to por askush deri më sot nuk ka qenë në gjendje t'i kuptojë e ti vendosë në kontekstin e tyre të duhur gjeografik, historik e social. Ndonëse Enver Hoxha ishte mjaft i lexuar e i përditësuar me zhvillimet më të fundit të politikës globale, ai prapë së prapë mbetej një personazh i realitetit shqiptar dhe nuk mund ta shihte botën veçse me sytë e shqiptarit, pra me një botëkuptim të ngushtë rajonal, dhe kjo shfaqet qartë edhe tek narrativa e tij. Për herë të fundit Enver Hoxha kishte dalë jashtë Shqipërisë, në mos gaboj, në vitin 1956, dhe që atëherë nuk kish pasur më asnjë kontakt të drejtpërdrejtë me botën e jashtme, kështu që edhe njohuritë e tij për prapaskenat e politikës globale vinin vetëm nëpërmjet kanaleve informative zyrtare.

...retorika "globaliste" e Enver Hoxhës për socializmin botëror nuk ishte asgjë tjetër veçse një mënyrë për ta mbajtur Shqipërinë dhe kauzën e saj në vëmendjen e qarqeve politike dhe mediave të fuqishme ndërkombëtare. 

Nga ky këndvështrim, retorika "globaliste" e Enver Hoxhës për socializmin botëror nuk ishte asgjë tjetër veçse një mënyrë për ta mbajtur Shqipërinë dhe kauzën e saj në vëmendjen e qarqeve politike dhe mediave të fuqishme ndërkombëtare. Duke asociuar interesin e Shqipërisë me një çështje të rëndësisë së ditës, siç ishte revolucioni socialist, ai garantonte edhe interesimin e botës për ngjarjet që ndodhnin në Shqipërinë e vogël, e cila përndryshe do të lihej krejt në harresë. Stalinizmi, socializmi, revolucioni, të gjitha këto në kontekstin shqiptar kishin vetëm një kuptim - ruajtjen e pavarësisë së Shqipërisë. Me pak fjalë, duke bërë gam-gam për çështje të mëdha të politikës globale, dëgjohej edhe zëri i Shqipërisë.

Nga ana tjetër, retorika për socializmin e revolucionin ishte gjithashtu edhe një formë kontrolli e ruajtjeje e autoritetit. Ideologjia e socializmit dhe revolucionit ishin elementi që mbante të bashkuar të gjithë klasën politike shqiptare, e cila po të mos mbahej e fokusuar rreth një objektivi madhor ideologjik, rrezikonte të shpërbëhej lehtë. Për sa kohë Enver Hoxha fliste për koncepte e ide abstrakte të çështjeve globale, ai mund të ruante një farë superioriteti intelektual mbi gjithë të tjerët, në mënyrë që ata t'i kishin sytë nga ai, si figura që "i di këto punë më mirë" e që mund ruajë figurën autoritare përpara popullit. Nëse Enver Hoxha do të fliste vetëm për gjëra konkrete e pragmatike të çështjeve të përditshme, atëherë kundërshtarët e tij të brendshëm politikë shumë shpejt do t'ia pinin lëngun e do ta mënjanonin pa u menduar gjatë.

Pavarësisht ngjarjeve, personazheve dhe intrigave të pafundme historike, kjo është pamja e plotë e përgjithshme e periudhës së diktaturës komuniste në raport me gjeopolitikën. Ajo nuk duhet parë bardh e zi, apo të vihet në peshore për t’iu evidentuar të “mirat” e të “këqijat” e saj. Ajo duhet të shihet si një rrjedhojë e lidhur ngushtë me historinë e popullit shqiptar dhe luftën e tij për të ruajtur e forcuar identitetin e vet etnik në periudhën e nacional-imperializmit ortodoks Ballkanik*. Periudha e diktaturës ishte një proces i dhimbshëm por i paevitueshëm që, për shkak të rrethanave, në një mënyrë ose në një tjetër do të ndodhte patjetër. Qe fati i errët i shqiptarëve që këtë proces do të duhej ta shpinin përpara me forcat e tyre dhe me ndihmën e aleancave të paqëndrueshme afatshkurtra dhe jo me ndihmën e ndonjë fuqie të madhe të stabilizuar si p.sh. Britania e Madhe apo Amerika.

* Lexo shkrimin me titull "Skënderbeu - pasaporta europiane e shqiptarëve"

Comments

  1. Shkrim shum objektiv dhe i sakte po hajde mbushja mendjen shqiptareve qe esht kshu se ja kan shplar trurin partit politike

    ReplyDelete
  2. Po jam plotësisht dakord me analizën e thellë që kini bërë. Jemi objektiv ! Unë kur shfaqja këto mendime më quanin komunist dhe Enverist dhe nuk ka asgjë të keqe të jesh komunist pa qënë i tillë! Këto janë të vërteta historike që duhet të analizohen pa pasione politike.

    ReplyDelete
  3. Autori shkruan se vetëm pasi Balli bashkëpunoi me nazizmin, komunistët nisën luftën kundër tyre, sepse deri atëherë kishin qenë tolerantë dhe e pranonin ekzistencën e forcave të tjera. E vërteta e pranuar edhe nga historianë me simpati të majta (shembull Paskal Milo) është se ishte PKSH ajo që dha e para urdhrin për luftë pa kompromis ndaj Ballit, dhe vetëm pastaj ballistët nën trysninë e partizanëve më të mirë-armatosur dhe në numër më të madh se ata, u detyruan të bashkëpunojnë me gjermanët. Duket si detaj shumë i vogël, por ja që ka rëndësi themelore për të kuptuar botëkuptimin me të cilin komunistët, këta "ndërtues" të jashtëzakonshëm, erdhën në pushtet.
    Së dyti, autori shkruan se vendet perëndimore ia refuzonin ndihmën Shqipërisë pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën. E vërteta, dhe kokëfortë madje, na flet për nja dy vizita të njëfarë kancelari nga Bavaria që u kërkoi hapje të vendit në këmbim të ndihmës (siç thuhet ndihma do të ishte shumë bujare), por ja që komunistët patriotë nuk e pranuan, duke e dënuar popullin e tyre me zi buke e për pasojë më vonë me eksod masiv. Ai kancelari bavarez nuk po na ndihmonte se ishte dashuruar mbas syve tanë të bukur, por se kishte bërë nja dy përllogaritje gjeopolitike që nuk kishin kurrfarë lidhjeje me jugosllavët, por me vetë rendin socialist në tërësi, të cilin ky kancelari donte ta shembte duke iu dhënë shteteve të tjera të bllokut lindor Shqipërinë si shembull suksesi të një vendi që refuzon socializmin dhe ka sukses nën kapitalizëm.

    ReplyDelete
    Replies
    1. Dhenia e urdhrit ka te beje me aspektin e dokumentacionit dhe jo me veprimet konkrete ne terren. Kur eshte dhene urdhri, ishte koha qe nuk mbante me uje pilafi. Balli e kishte qelbur krejt. FNC kishte dokumentacion te rregullt e te bollshem. Balli nuk kishte fare dokumentacion sepse se ishte nje organizate pa koke e pa strukture.

      Ndersa per sa i perket kancelarit, ndihma e sinqerte nuk ofrohet me kushte sepse pastaj nuk eshte me ndihme por lak. Fakt eshte qe pas disa vitesh Shqiperia e hodhi sistemin krejt me shpresen e madhe se po vinte ndihma, ceku i bardhe. Kane kaluar 30 e kusur vjet dhe ajo ndihma nuk po duket gjekundi. Jo vetem ndihme qe nuk dha njeri, por na mbyllen edhe dyert per dy dekada rresht.

      Mos ishte per planet Amerikane per nje Europe te integruar, do ishim ende me viza sot.

      Delete

Shto një koment

Shkrimet më të lexuara të muajit

Pse u konvertuan shqiptarët në myslimanë?

Epoka e errët shqiptare

Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj?