A mund të krahasohet Shqipëria me perëndimin?

A mund të krahasohet Shqipëria me perëndimin?

Jo rrallë herë kemi vënë re sesi në media e në publikime të ndryshme, dhe kudo ku ka informacion për Shqipërinë, veçanërisht në analiza historiko-politike, si të brendshme, ashtu edhe të huaja, Shqipëria dhe shqiptarët krahasohen pa të drejtë me shtetet e zhvilluara Evropiane dhe arritjet e tyre në fushat e ekonomisë, politikës, arsimit, artit, shkencës, etj. Analisti nuk ngurron të tregojë se si shqiptarët nuk ishin në gjendje të merrnin këto apo ato vendime politike, nuk arritën të ndërmerrnin këtë apo atë nismë ekonomike, dhe nuk ishin në gjendje të kryenin këtë apo ato reformë sociale duke lënë të kuptohet, e duke na e përsëritur për të njëmijtën herë herë faktin që, me sa duket, shqiptarët nuk na paskëshin qenë të aftë që ecin me të njëjtin hap me pjesën tjetër të Evropës. A thua se shqiptarët i kishin të gjitha mundësitë dhe rrugët e hapura, a thua se bota ka qenë gjithmonë një vend për konkurencë të lirë e të ndershme, por shqiptarëve nuk ua kishte qejfi. Për këtë ata përpiqen të gjejnë një qind e një arsye e shkaqe, duke u nisur nga historia e perandorisë osmane dhe ndikimi i saj tek shqiptarët, e deri tek konceptet naive si mentaliteti e kultura e popullit shqiptar ndër shekuj.

Kur janë një apo dy, ato nuk përbëjnë ndonjë arsye për tu shqetësuar. Por kur kthehen në dhjetëra dhe vendosen kapicë njëra sipër tjetrës, këto analiza dhe konkluzionet e gabuara që dalin prej tyre, ndikojnë në mënyrë të drejtëpërdrejtë në rritjen e psikozës së vetëpërçmimit, një fenomen social-psikologjik që ka pushtuar shoqërinë intelektuale shqiptare e që ndikon në mënyrë të drejtëpërdrejtë në mënyrën sesi njerëzit perceptojnë realitetin dhe vendimet që marrin në raport me të. Kështu, jo rrallë herë pasojat e këtij fenomeni i shikojmë të shfaqura në mediat shqiptare, veçanërisht në debate e diskutime historike e politike, në të cilat gazetarë, analistë, "specialistë", politikanë, historianë, opinionistë, etj, nuk ngurojnë që, për çdo problem që ka shoqëria, të vjellin vrer për shqiptarët, të ankohen pafundësisht, të drejtojnë gishtin nga të katër anët dhe ç'është më e rëndësishmja, ta krahasojnë Shqipërinë e "mjerë" me vëndet zhvilluara evropiane duke e nxjerrë, kështu, Shqipërinë si njollën më të zezë të Evropës.

Me dashje ose pa dashje, duke mos i analizuar asnjëherë ngjarjet nga një kënvështrim i gjerë historik e gjeo-politik, këta personazhe bëhen kontributorë të rritjes dhe  psikozës së vetëpërçmimit, duke krijuar përshtypjen sikur shqiptarët janë njerëz, të cilët paaftësinë, dembelizmin dhe hajdutllëkun e kanë në gjak dhe se varfërinë ekonomike-sociale e kanë krijuar vetë, për shkak të mentalitetit të tyre të prapambetur.

Mirëpo a mund të krahasohet Shqipëria me vendet e Evropës perëndimore dhe nëse po si duhet bërë ky krahasim? Cilat do të ishin kriteret e sakta? Cila është metodologjia dhe parimet mbi të cilat do të mbështetej krahasimi?

Le të marrim për shembull një nga vendet më të afërta dhe njëkohësisht një nga motorët e ekonomisë evropiane - Italinë. A mund të krahasohet Shqipëria me Italinë? Vështirë. Italia është 20 herë më e madhe se Shqipëria, si në territor ashtu edhe në popullsi, e për këtë arsye, që në fillim të procesit të krahasimit do të haseshim në një pengesë thelbësore strukturale. Ndërkohë që Shqipëria është një shtet i vogël etnik, Italia ka më shumë fizionominë e një federate të përbërë nga 20 shtete bashkë, secili me territor pak a shumë sa ai i Shqipërisë dhe me grupe etnike, sa të përafërta aq edhe të ndryshme, si në gjuhë ashtu edhe në kulturë. Pra Italia nuk është shtet komb, por një federatë popujsh “kushërinj” me njëri tjetrin, të cilët janë detyruar me forcë të jetojnë nën ombrellën italiane. Fuqia dhe kapacitetet ekonomike, sociale e kulturore e një populli të vogël nuk mund të krahasohen kurrsesi me fuqinë dhe kapacitete e 20 popujve bashkë të bashkuar në një "federatë". Po të bëhej fjalë për gjithë Ballkanin po, por jo për Shqipërinë.

Prandaj, për ta bërë krahasimin sa më real dhe bazuar në parimet ekonomike e sociale të ndarjes së Bashkimit Evropian në regjione, zgjidhja më e mirë do të ishte që krahasimi të bëhej mes Shqipërisë dhe një regjioni të Italisë, siç është p.sh. Pulia, regjioni që ndodhet më afër Shqipërisë gjeografikisht dhe që ndodhet në anën tjetër të Adriatikut, vetëm 70 km larg.

Pulia është rreth 10,000 km2 më e vogël se Shqipëria por ka një popullsi prej 4 milionë banorësh, përkundrejt 3 milionë banorëve që ka Shqipëria, numër ky i cili është arritur vetëm gjatë periudhës së diktaturës, por që dekadat e fundit është tkurrur mjaft. Gjithashtu Pulia është pothuajse krejtësisht e urbanizuar dhe shumica e puliezëve jetojnë në qytete të vogla që varjojnë mesatarisht mes 10,000 dhe 30,000 a më shumë banorësh. Në Shqipëri qytetet e vogla e të mesme numërohen me gishta, ndërsa shumica e popullsisë banon ose e ka prejardhjen nga fshatra fare të vegjël, me jo më shumë se 10-20 shtëpi (të cilët më shumë mund të quhen katunde se sa fshatra të mirëfilltë), të vendosur në zona tepër të izoluara malore e shkëmbore e që arrihen me vështirësi të madhe.

Pjesa dërrmuese e popullsisë së Pulias jeton në qytete të vogla e të mesme fushore.

Edhe pse ekonomia e të dy vende është e bazuar në një masë të madhe tek bujqësia dhe blegtoria, territori i Pulias është pothuajse i gjithi fushor, ndërsa territori i Shqipërisë është i mbuluar me male e kodra të larta e të thepisura, me lartësi mesatare mbi 600-1000m. Fushat e mëdha të Pulias janë quajtur historikisht “le Tavoliere delle Puglie” që në shqip mund të përkthehet si “tryezat e Pulias”. Ato kanë qenë pika grumbullimi (dimëror) e miliona kokë dhenve nga e gjithë Italia e jugut, aktivitet ky që prodhonte ekonomi të fuqishme. Për krahasim, edhe pse blegtoria ka qenë një nga aktivitetet ekonomike thelbësore të fshatarësisë shqiptare, gjeografia e Shqipërisë, me vargmalet e saj të larta e të thepisura e me kënetat e pushtuara nga murtaja, nuk ka lejuar asnjëherë zhvillimin e gjerë të këtij aktiviteti jashtë nevojave imediate të popullsisë së vogël vendase që historikisht nuk i ka kaluar asnjëherë më shumë se 800 mijë banorë.

Pulia ka 1.3 milionë hektarë tokë bujqësore, e cila punohet me kapacitet të plotë të paktën për më shumë se 400-500 vjet. Puliezët kanë fituar një eksperiencë të gjatë qindra vjeçare në kultivimin e farave të ndryshme, sidomos të domates dhe ullirit, të cilën ata e kanë kthyer në biznes me përmasa globale. Shqipëria ka 620,000 hektarë tokë bujqësore, shumica e së cilës është fituar pas viti 1945 si rezultat i tharjeve të kënetave dhe hapjes së tarracave gjatë regjimit komunist, që do të thotë se pjesa më e madhe e tokës bujqësore në Shqipëri nuk është më e vjetër se 50 vjeçare, dhe falë emigracionit punohet sot në ritme shumë të ulëta. Ndryshe nga bujku puliez, ai shqiptar ka filluar të njihet me metodat e avancuara të kultivimit bujqësor vetëm këto dy dekadat e fundit, kjo sepse për shkak të izolimit dhe koncepteve të gabuara dëmtoi dhe las pas dore një pjesë të rëndësishme të kapacitetit bujqësor vendas.

Ndërtimi i infrastrukturës në një territor si ai i Pulias është i thjeshtë. Mjafton të bësh planin e shtrimit të rrugëve, urave, e veprave të tjera inxhinierike dhe mund të fillosh, si të thuash, menjëherë me hedhjen e asfaltit e të betonit. Për krahasim, ndërtimi i rrugëve në pjesën më të madhe të Shqipërisë është një sipërmarrje kolosale. Hapja e rrugëve, tuneleve dhe ndërtimi i urave në terren të thepisur malor rrit kostot e çdo veprimi në mënyrë logaritmike, pasi para se të fillojë puna e ndërtimit të rrugës, duhet një herë të bëhen gërmime intensive për hapjen e gjurmës dhe tuneleve, të menaxhohen inertet, të përshtatet terreni shkëmbor për transport të sigurtë, të ndërtohen strukturat për mbajtjen e urave, etj., dhe vetëm pastaj mund të fillojë puna për shtrimin e rrugës dhe ndërtimin e veprave inxhinierike. Pa ndihmën e një ekonomie të huaj të fuqishme, Shqipëria nuk do të arrinte kurrë të hapte autostrada në zona malore. Gjithashtu transporti në territorin malor të Shiqpërisë ka kosto disa herë më të larta në konsumin e lëndëve djegëse se transporti në çdo cep të Pulias dhe çdo mall që shitet në vend bart automatikisht mbi vete edhe koston e shtuar të transportit.

Krahasuar me Shqipërinë, gjeografia e Pulias është pothuajse e gjitha fushore.

GDP-ja nominale e Pulias ishte 74.8 miliardë Euro në vitin 2007, katër herë më e madhe se GDP-ja e Shqipërisë në vitin 2020, e cila arriti 16.7 miliardë Euro. Kjo për shkak të faktit se, ndryshe nga Shqipëria, Pulia ka një ekonomi mjaft të industrializuar, dhe shumë kompani ndërkombëtare i kanë zyrat e tyre atje. Shqipëria nuk ka asnjë lloj industrializimi substancial. Të vetmin industrializim serioz që Shqipëria ka parë ndonjëherë në historinë e vet ka qenë gjatë komunizmit, megjithëse edhe atë, vendet perëndimore, duke filluar që nga vetë Italia e para, për arsye të pastra politike e  bojkotuan, duke mos i dhënë kurrë mundësinë e zhvillimit dhe zgjerimit normal. Pas rënies së komunizmit, industria shqiptare praktikisht u mbyt.

Pulia, bashkë me pjesën tjetër të Italisë, është një nga destinacionet turistike më të frekuentuara të botës, tashmë për më shumë se një shekull. Atë, dhe gjithë Italinë, e vizitojnë çdo vit me dhjetëra milionë turistë. Një puliez e di mirë se çdo të thotë të jetosh në një shtet politikisht të qëndrueshëm, ku fqinjët, në vend që të vijnë për të të zhdukur nga faqja e dheut, vijnë për tu relaksuar e për të shijuar detin, ushqimin, kulturën, etj. Për shkak të presionit një shekullor të fqinjëve tanë shovinisto-imperialistë (përfshi dhe vetë Italinë) dhe si rezultat i trazirave të brendshme të shkaktuara prej këtij presioni, Shqipëria ka filluar të zhvillojë turizmin vetëm këto 10 vjetët e fundit të 30 vjeçarit të demokracisë. Për rrjedhojë shqiptari i zakonshëm nuk e di se çdo të thotë të jetosh në një shtet pa trazira politike, pa rrezik për jetën, pronën dhe të ardhmen e fëmijëve të vet.

Pulia ka qenë historikisht dhe gjeografikisht e ndërlidhur me pjesën tjetër të Italisë, veçanërisht me regjionet e pasura të Italisë së veriut, dhe e rrethuar nga popuj miqësorë, me të cilët puliezët mund të kuptoheshin fare lehtë. Mes Pulias dhe pjesës tjetër të Italisë nuk ka pasur asnjëherë kufij, një tipar ky që lehtëson kryekëput lëvizjen e lirë të tregtisë, kapitalit dhe forcës punëtore, sidomos specialistëve dhe ekspertëve. Ndërsa Shqipëria, menjëherë pas shpërbërjes së perandorisë osmane, në 100 e kusur vitet e fundit ka qenë në mënyrë konstante subjekt i izolimit politik e ekonomik, sulmeve, luftërave, pushtimeve, masakrave, spastrimeve etnike, etj, prej fqinjëve të saj imperialistë. Për më tepër, fqinjët e Shqipërisë flasin gjuhë krejt të ndryshme nga shqiptarët, gjë që rri automatikisht vështirësinë dhe kostot e komunikimit mes nesh dhe atyre, pa marrë parasysh faktin që një pjesë e mirë e tyre janë indoktrinuar në mënyrë të tillë që neverinë dhe urrejtjen për shqiptarët e fitojnë që në vegjëli.

Po e mbyll pjesën e parë të këtij shkrimi duke bërë një krahasim të fondeve që ka marrë secili rajon nga Bashkimi Europian për zbatimin e projekteve të ndryshme ekonomike e shoqërore. Në këtë krahasim po përfshij edhe Greqinë për të krijuar një panoramë sa më të gjerë të mbështetjes së BE për rajonin. Në periudhën 1975-2024, pra nga viti i anëtarësimit të Italisë në BE, vetëm rajoni i Pulias ka përfituar nga programet mbështetëse të BE mes 27-30 miliardë euro mbështetje për zhvillimin e ekonomisë dhe fushave të tjera. Nëse e ndajmë në dhjetëvjeçarë, del që Pulia ka marrë nga BE rreth 4-6 miliardë Euro për çdo dekadë. Ndërsa Greqia, duke filluar nga viti 1981, viti i anëtarësimit në BE, ka përfituar nga institucionet financiare të saj plot 140 miliardë Euro mbështetje financiare, që do të thotë 28 miliardë Euro për çdo dhjetëvjeçar ose 2.8 miliardë euro në vit. Për krahasim, në periudhën 1991-2024, d.m.th. nga rënia e regjimit e deri sot, pra këto 33 vite demokraci, Shqipëria ka marrë nga BE gjithsej 1.2 miliardë Euro mbështetje financiare. Që do të thotë rreth 400 milion Euro për çdo dhjetëvjeçar.

Gjithashtu, për ta zgjeruar edhe më shumë kontekstin e këtij krahasimi po përfshij edhe periudhën e diktaturës. Kështu gjatë periudhës 1948-1979, pra 31 vjet të marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe Kinën, Shqipëria socialiste ka përfituar një ndihmë totale që e llogaritur me shifrat e sotshme kap shifrën 5-7 miliardë dollarë. Që do të thotë 2,3 miliardë dollarë në dhjetëvjeçar.

----

E megjithatë, edhe pse Pulia ka qenë gjithmonë pjesë e një “federate” me më shumë se 60 milionë njerëz, dhe me potencial e oportunitete për zhvillim e prosperitet ekonomik e kulturor, sidomos me themelimin dhe zgjerimin e bashkimit Evropian, ajo nuk ka arritur ti shpëtojë aspak të njëjtave probleme me të cilat përballet Shqipëria. Edhe sot që flasim, me gjithë avantazhet që përmendëm më sipër në raport me Shqipërinë, Pulia vazhdon të mbetet një nga regjionet më të varfra të Italisë. Korrupsioni administrativ është në nivele stratosferike, papunësia  është e madhe, inefiçenca dhe paaftësia janë përhapur kudo e në çdo fushë të jetës, Mafia e ka zënë ekonominë për gryke, duke kapur peng edhe vetë qytetarët e thjeshtë. Fatmirësisht për ne, edhe pse krimi i organizuar është problem madhor për Shqipërinë, këtu nuk ka mafie të stilit Italian, që të ndërhyjë në punët e qytetarëve të thjeshtë dhe bizneseve me anë të mekanizmit të “pizzo-s”, gjobëvënies, etj.

Edhe në Pulia, ashtu si në Shqipëri, emigracioni mbetet një problem serioz. Janë me mijëra ata që çdo vit lënë shtëpitë e tyre dhe nisen drejt vendeve më të pasura. Ashtu si shqiptarët, shumica e puliezëve të rinj duan të lënë vendlindjen për një të ardhme më të mirë gjetiu. Përgjithësisht ata preferojnë Italianë e veriut, të cilën e konsiderojnë në mentalitetin e tyre sikur po shkojnë jashtë shtetit. Madje as shqiptarët nuk kanë preferuar emigrimin në Pulia, të cilët sapo kanë vënë këmbën në Bari, janë nisur menjëherë drejt Milanos dhe regjioneve të tjera më të pasura.

Prodhimi i Brendshëm Bruto për frymë sipas regjionit në Euro.

Atëherë cilat janë ndryshimet mes Pulias dhe Shqipërisë? Sipas statistikave, ndoshta, shumë. Në realitet, jo dhe aq shumë. Me sa ç’duket Pulia, ashtu si edhe shumë regjione të tjera të Italisë, pavarësisht mundësive të shumta ekonomike e sociale që kanë, mbahen mbi ujë vetëm në sajë të përpjekjes kolektive të të gjitha regjioneve bashkë dhe jo në saj të kapaciteteve të veta ekonomike, një privilegj ky që Shqipëria dhe shqiptarët nuk e kanë shijuar asnjëherë këto 150 vjetët e fundit.

Për ilustrim po jap një shembull shumë interesant të gjendjes ekonomike të Pulias deri në momentin e emigracionit shqiptar. Kur Shqipëria rrëzoi regjimin e diktaturës dhe u hap me botën, shqiptarët që filluan të punonin me Italinë tregojnë se si zonat jugore të Pulias, sidomos qytetet përkarshi Shqipërisë, ishin tejet të varfra dhe pa asnjë perspektivë zhvillimi. Me fillimin e qarkullimit legal dhe ilegal të emigrantëve shqiptarë atje filloi të lulëzojë biznesi e tregtia. Në portet italiane filluan të hapen agjencitë e udhëtimit për tragetet e linjës. Nga ana tjetër, 200-300 taksi me shoferë puliezë prisnin çdo natë mbërritjen e mbi një mijë emigrantëve shqiptarë që vinin me gomone, të cilët paguanin 200-300 euro për person.  Biznesi i naftës mori një zhvillim të paparë pasi me qindra anije shqiptare të peshkimit blinin në Brindisi 20-30 mijë litra naftë çdo vit për anije. Edhe tregtia e drogës bëri punën e vet. Dëshmitarët okularë tregojnë se si njerëzit filluan të rregullojnë shtëpitë, të vishen mirë, se si nga biçikletat kaluan në vetura të reja dhe se si filluan të shkojnë në kafene e restorante. Pra hapja e kufijve të Shqipërisë dhe qarkullimi i lartë i njerëzve solli zhvillim edhe për banorët e jugut të Pulias, të cilët ishin lënë krejt të izoluar në gadishullin e tyre të vogël.

Lind pyetja, si do të kish qenë Pulia sot nëse pozitat tona do të ishin shkëmbyer? A do të ekzistonte si popull i veçantë apo si shtet i pavarur? Sa gjasa ka që puliezët t’ia kishin dalë të zhvillonin e ta përparonin vendin e tyre në kushtet e Shqipërisë? 

Cilindo vend që të marrim në analizë, do të shikojmë se kushtet në të cilat kanë ekzistuar shqiptarët keto 150 vjetët e fundit janë unike dhe krejt të veçanta. Në këto kushte, krahasimi me Evropën perëndimore, jo vetëm që nuk është i mundur, por është pikërisht atje që duhet të gjejmë shkaqet e situatës sonë aktuale. Prandaj, nëse dëgjon ndonjë nga ata analistët e televizioneve që i drejtojnë gishtin gjykues Shqipërisë dhe shqiptarëve gjithë mllef dhe i kërkojnë llogari atij, sikur ti kish pasur të gjitha në dorë por "nuk i bëri se nuk i desh qefi", sill ndërmend krahasimin e mësipërm dhe shtroji pyetjen vetes, “Çfarë do kishin bërë ata evropianët nëse do të gjendeshin në të njëjtat kushte si u gjendën shqiptarët?”

Më poshtë po bëj një kronologji të shkurtër të ngjarjeve historike nëpër të cilat kanë kaluar të dyja vendet, duke filluar nga vitet 1800. Kështu do të jemi në gjendje të shohim më me objektivitet rrugën e zhvillimit të tyre.


1833 - 1848 - shqiptarët u ngritën në revolta të armatosura të një pas njëshme kundër politikave centralizuese të portës së lartë dhe tentativave të saj për tu hequr fiseve shqiptare autonominë.

1833-1860 - Pulia ka qenë pjesë e mbretërisë së Napolit (dy Siçilive) dhe ka jetuar në paqe e qetësi të plotë, deri sa u bë pjesë e Italisë së bashkuar.

Ketu fillon epoka e erret shqiptare.

1878 - shqiptarët u dëbuan nga Nishi dhe krahinat përreth prej ushtrisë serbe dhe u detyruan të emigrojnë në Kosovë e Turqi. U krijua Lidhja e Prizrenit dhe filloi lufta për ruajtjen e tërësisë territoriale të territoreve shqiptare. Me kërkesën e fuqive të mëdha, Lidhja e Prizrenit u shtyp. Pulia vazhdonte jetën normale në shtetin e ri të bashkuar italian.

1880 -1914 - fillon vala masive e emigracionit Italian drejt Amerikës. Në total rreth 13 milionë italianë do të largohen nga atdheu i tyre, shumica nga Italia e jugut, përfshi dhe Pulian. Një pjesë e mirë e këtyre emigranteve dërgonin remitanca në atdhe.

1910 - 1912 - shqiptarët u ngritën sërish në revolta kundër politikave centralizuese të perandorisë osmane, të cilat me ndërhyrjen e Austro-Hungarisë konkluduan në krijimin e shtetit shqiptar, një shtet i rrethuar nga fuqi armike, ndër të cilat edhe vetë Italia. Pulia vazhdon jetën normale.

1913 - 1914 plas lufta e parë Ballkanike. Shqipëria pushtohet nga Serbia e Greqia, dy shtete agresive imperialiste dhe thellësisht anti-shqiptare, të cilat kryen masakra të tmerrshme ndaj popullsisë shqiptare. Shqiptarët duhet të luftonin për ruajtjen e pavarësisë dhe tërësisë territoriale. Fuqitë e mëdha vendosin që pjesa më e madhe e tyre të mbeten jashtë kufijve të shtetit të sapoformuar, nën trysninë e vazhdueshme shoviniste të sunduesve të rinj. Në Pulia vazhdonte ndërtimi i ekonomisë dhe zhvillimi i marrëdhënieve normale të jetesës.

1914 - Greqia krijon në Shqipëri me forcën e armëve të ashtuquajturën “Republikë Autonome të Epirit të Veriut”. Shqipëria e jugut u mbajt e pushtuar nga bandat mercenare greke, të cilat duhet të spastroheshin me forcë. Vendi ishte në krizë të thellë politike. Pulia vazhdonte ekzistencën e saj të qetë e normale.

1914 - 1918 - u zhvillua lufta e parë botërore. Shqipëria u pushtua sërish nga të gjitha anët, përfshi dhe nga Italia. Territori i saj u nda mes palëve ndërluftuese. Një pjesë e popullsisë u masakrua e u dëbua nga tokat e veta. Shqetësimi më i madh i puliezëve ishte rekrutimi i djemve të rinj në ushtrinë imperialiste të italiane, një pjesë e të cilës ndodhej në Shqipëri.

1920 - shqiptarët ngrihen në luftë të armatosur për të çliruar vendin e tyre nga forcat pushtuese imperialiste, përfshi dhe Italinë në luftën e famshme të Vlorës. I gjithë vendi mbulohet nga konfliktet e armatosura me ushtritë pushtuese. Me dhjetëra mijëra jane refugjatet e brendshëm. Në Pulia nuk ndodh asgjë për t'u përmendur.

1922 - Në Itali vjen në pushtet Partia Fashiste e Italisë, e cila nis një program intensiv për modernizimin e Italisë. Asnjë ngjarje tragjike nuk shënohet të ketë ndodhur në Pulia.

1924 - Bëhet tentativa e parë për zhvillimin e një revolucionin demokratik, i cili do të mund t’i jepte Shqipërisë një shtytje drejt modernizimit administrativ e social-kulturor dhe shkëputjen nga feudalizmi. Me ndërhyrjen e Mbretërisë së Jugosllavisë revolucioni dështoi. Ne vend u vendos regjimi autoritar i Zogut. Pulia vazhdonte ndërtimin e ekonomisë së vet nën regjimin Fashist, i cili në atë periudhë nuk kishte nisur ende asnjë luftë.

1924 - 1939 - Shqipërisë i duhej të xhonglonte mes trazirave të brendshme, shantazhimeve ekonomike e politike të fqinjëve dhe rrezikut për të humbur tërësinë territoriale.

1935 - Italia pushtoi Etiopinë. Shqetësimi më i madh i Puliezëve ishte rekrutimi i djemve te rinj për tu shpënë ushtar në Afrikë.

1939 - Italia nisi pushtimin e Shqipërisë me 18 divizione, 100,000 ushtarë, 51 njësi navale dhe 600 aeroplanë. Disa forca shqiptare patriotike bënë një rezistencë simbolike të dëshpëruara për të treguar kundërshtinë e tyre. Përveç merakut të nënave për djemtë e tyre në frontin shqiptar, Pulias nuk i hyri asnjë gjemb në këmbë.

1941 - Italia sulmoi Greqinë dhe e ktheu Shqipërinë e jugut në një zonë lufte duke vënë gjithashtu në rrezik integritetin territorial të Shqipërisë. Greqia kundërsulmoi dhe e sprapsi ushtrinë italiane duke hyrë deri në Këlcyrë e në Korçë. Në Shqipëri vepronte regjimi i luftës. Asnjë ngjarje tragjike nuk e tronditi Pualian përveç lotëve të nënave për bijtë e tyre të rënë në luftë. Pulia e shikonte luftën nga larg.

1942 - shqiptarët filluan rezistencën e armatosur. Me mijëra djem e vajza që duhet të vazhdonin studimet e larta ose të ktheheshin në krahë pune për rritjen e ekonomisë së vendit morën armët dhe u angazhuan në rezistencë të armatosur kundër pushtuesit fashist. Situata në Pulia vazhdonte të ishte po njësoj.

1943 - Shqipërinë e pushtuan forcat Naziste. Përplasjet e armatosura u bënë edhe më të ashpra, pasojat, edhe më tragjike. Për herë të parë në historinë e luftë së dytë botërore, luftimet mbërritën edhe në Pulia, e cila u çlirua nga ushtritë aleate po atë vit.

1943 - 1944 - ushtria naziste zhvilloi në Shqipërinë e mesme dhe të jugut dy operacione masive për shtypjen e rezistencës së armatosur partizane. Nga Tirana e poshtë, i gjithë vendi u kthye në shesh beteje. Ushtria nacional çlirimtare u hodh në luftën për çlirimin e të gjithë vendit. Lufta në Pulia kish mbaruar me kohë dhe ndërkohë kish filluar reforma agrare.

1945 - forcat e ushtrisë nacional çlirimtare ishin në fushatë për çlirimin e trevave shqiptare në Mal të Zi e Sanxhak të Serbisë në mënyrë që atje të mos hynin forcat serbe me forcë dhe kryenin masakra ndaj popullsisë civile. Pulia po i rikthehej normalitetit politik e ekonomik.

1945 - 50,000 civilë çamë, pleq, gra e fëmijë e dëbuan në mënyrë barbare nga tokat e tyre prej shovinistëve grekë, të cilët Greqia nuk i pranoi të ktheheshin.

1947 - 1948 - përveç varfërisë dhe prapambetjes ekonomike, udhëheqja politike shqiptare po përballej njëkohësisht edhe me tentativat e gllabërimit të Shqipërisë nga Jugosllavia. Asgjë me nam nuk ndodhi në Pulia.

1949 - Greqia bëri tentativë ushtarake për të thyer kufirin e për të hyrë në Shqipërinë e jugut me forcën e armëve. Në Pulia filloi reforma e dytë agrare, me ndihmën e planit Marshall dhe Bankës botërore.

1951 - 1978 - edhe pse mes tensioneve të shumta politike, për herë të parë në historinë e vet, Shqipëria pati mundësi të bëjë investime rrënjësore në jetën ekonomike e social-kulturore të vendit, paçka s me dhimbje e sakrifica të mëdha. Italia behet pjese e Bashkimit Europian ku i hapen perspektiva të mëdha zhvillimi. Duke filluar nga viti 1975 Pulia bëhet kandidate për të marrë fonde nga programet e shumta të BE.

1979 - 1991 - Shqipëria u izolua krejt nga të dyja kampet, si ai socialist, ashtu edhe nga ai kapitalist, përfshi dhe komunistët italianë, dhe ekonomia e saj hyri në krizë të thellë. Asnjë ngjarje tragjike nuk u shënua në Pulia. Italia i bashkohet zones Schengen.

1991 - 1992 - me rënien e diktaturës Shqipëria hyri sërish në krizë politike e ekonomike. Me mijëra shqiptarë u nisën si emigrantë në të gjithë Evropën përfshi edhe Italinë, ku mikpritja dhe asistenca shtetërore ishte inekzistente. Pavarësisht kësaj Shqipëria dhe shqiptaret mbeten serish administrativisht te izoluar dhe pa te liri lëvizjeje e punësimi. Shqetësimi më i madh i puliezëve ishte prania në rrugët e qyteteve e shqiptarëve të uritur e të rreckosur në fillimet e valës së emigracionit.

1997 - për shkak të mungesës së eksperiencës në kapitalizëm, shoqëria shqiptare ra pre e skemave piramidale. Vendi hyri në kaos total. Marina italiane mbyti anijen me emigrantë Sibila. 83 shpirt humbën përgjithmonë në thellësitë e Adriatikut, shumica gra e fëmijë.

1999 - 2001 - filloi lufta në Kosovë. Forcat kriminale të Millosheviçit filluan spastrimin etnik të më shumë se një milionë shqiptarëve, të cilët u pritën nga vëllezërit e tyre në Shqipëri. Në televizionet italiane mund të shikoje ndonjë reportazh tek tuk, që i paraqiste shqiptarët më shumë në dritë negative se sa pozitive. Dukej se shqetësimi më i madh për mediat italiane ishte mirëqenia e Serbisë sesa masakrat ndaj popullsisë civile shqiptare. Ne 2001, me marrëveshjen e Ohrit iu dha fund shovinizmit imperialist antishqiptar ne Ballkan.

Ky është fundi i epokës se errët shqiptare dhe fillimi i epokës së lirisë.

2008 - Kosova shpall pavarësinë dhe shqiptarët aty i thanë lamtumirë një herë e përgjithmonë shtypjes shoviniste serbomadhe që zgjati plot 84 vjet.

2009 - 2010 - Shqipëria hyn në NATO dhe shqiptarët lejohen të qarkullojnë pa viza në hapësirën Schengen. Për herë të parë në 100 e kusur vjet, qytetarët e Shqipërisë kanë mundësinë që të marrin pak ajër të freskët, por nga aspekti ekonomik vazhdojnë të mbahen të izoluar.

Comments

Shkrimet më të lexuara të muajit

Pse u konvertuan shqiptarët në myslimanë?

Epoka e errët shqiptare

Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj?