Pse duan të rinjtë e diplomuar të largohen nga Shqipëria?

Përgjigja e kësaj pyetjeje nuk do shumë mend - varfëria ekonomike e social-kulturore e vendit i detyron të rinjtë shqiptarë të kërkojnë një jetë më të mirë jashtë Shqipërisë. Mungesa e standardeve të larta në arsim, mundësitë e pakta për punësim, pagat e ulëta, mungesa e profesionalizmit, etj, të gjitha këto janë arsye legjitime për tu larguar nga Shqipëria. Kaq gjë është e qartë. Ajo që nuk është fort e qartë është mekanizmi nëpërmjet të cilit shtjellohet ky fenomen.
Kur fillova të mendoj për këtë çështje, pyetja e parë që më erdhi ndër mendje ishte kjo: ta zëmë se çdo gjë funksionon në mënyrë përkryer dhe në kushte ideale, a ka mundësi ekonomia shqiptare ti punësojë të gjithë të rinjtë e diplomuar? Përgjigjja është “Jo!”. Sasia e parave që qarkullon në Shqipëri (s’ka rëndësi formale ose jo formale) është tejet e kufizuar dhe nuk garanton ekonomi të mjaftueshme për të gjithë popullsinë e vendit. Pavarësisht se nga mediat ose thashethemet e njerëzve dëgjojmë çdo ditë për qarkullimin e miliona eurove e për pasuri marramendëse të individëve të caktuar, në të vërtetë pasuria valutore e shqiptarëve (përfshi dhe ajo që vjen prej drogës) është shumë e vogël. D.m.th. shqiptarët si fuqi konsumatore janë të varfër dhe kjo varfëri shprehet, para së gjithash, tek madhësia e tregut, larmia e mallrave dhe shërbimeve që ofrohen, dhe fuqia blerëse. Edhe sikur paratë e të gjithë shqiptarëve të menaxhoheshin në mënyrë perfekte nga një autoritet hipotetik qendror, brenda të cilit nuk do të ekzistonte as keq menaxhimi e as korrupsioni, ato prapë së prapë do të ishin të pamjaftueshme për të mbajtur në këmbë një ekonomi të shëndetshme, të qëndrueshme dhe afatgjatë.
Çuditërisht, shkaktari kryesor i kësaj pamjaftueshmërie nuk ka të bëjë as me korrupsionin e as me keq qeverisjen (edhe pse këto janë probleme madhore më vete), por me mungesën e prurjes së valutës së huaj në Shqipëri dhe stimulit ekonomik që duhet të vijë prej saj. Numri shumë i vogël i investimeve të huaja në vend dhe i ekonomisë qarkulluese nga njëra anë dhe pamundësia e shqiptarëve për tu punësuar në mënyrë të ligjshme në vendet perëndimore me ekonomi të fuqishme në anën tjetër, bëjnë që prurjet e valutës së huaj në vend të jenë tejet të ulëta e të pamjaftueshme për të vënë në lëvizje motorët e ekonomisë. Valuta e huaj stimulon investimet në vend; investimet prodhojnë ekonomi; ekonomia prodhon vende pune; vendet e punës krijojnë kushtet për eksport; eksporti rrit fuqinë e ekonomisë vendase. I gjithë procesi funksionon si mulliri me ujë - ai duhet të furnizohet vazhdimisht me prurje të jashtme, ta shfrytëzojë atë në funksion të aktivitetit ekonomik e pastaj ta lërë rrjedhën të qetë të vazhdojë më tutje. Në shkrimin tim “Shqipëria - pellg me llucë”, unë kam shtjelluar këtë koncept nga këndvështrimi historik.
Për ta vënë në kontekst këtë ide e për të ilustruar më mirë varfërinë e ekonomisë shqiptare, le të marrim si pikë reference standardet e BE për kategorizimin e bizneseve në mikro, të vogla e të mesme. Bizneset mikro janë ato biznese që kanë deri në 10 punonjës dhe që kanë një xhiro vjetore deri në 2 milion Euro; bizneset e vogla janë ato biznese që kanë deri në 50 punonjës dhe që kanë një xhiro vjetore deri në 10 milion Euro; dhe bizneset e mesme janë ato biznese që kanë deri në 250 punonjës dhe që kanë një xhiro vjetore deri në 50 milion Euro. Për krahasim, ato pak biznese Vip që ka Shqipëria e që mund të ofrojnë vende pune me paga relativisht të mira, sipas standardeve të BE zor se arrijnë qoftë edhe kategorizimin biznes i vogël. Në vitin 2018, kompania me qarkullimin vjetor më të lartë në Shqipëri ishte “Gjoka Construction” me vetëm 54 milion Euro, që do të thotë se kjo kompani, në vitin e saj më të mirë e për shkak të tenderave të shtetit, me zor të madh arriti të kategorizohet si “biznes i madh”. Të gjithë ne të tjerët, që jemi pjesa dërrmuese e biznesit në Shqipëri e që mezi punësojmë 3 deri në 10 veta dhe që nxjerrim a nuk nxjerrim një rrogë për veten dhe familjen, jemi në një kategori krejt të veçantë me emërtimin “kota biskota”.
Po çfarë kuptimi kanë të gjitha këto në raport me të rinjtë me arsim të lartë?
Në Shqipëri, për momentin, ekzistojnë dy kategori kryesore të rinjsh që duan të largohen prej vendit të tyre (këta zënë pothuajse 79% të të rinjve shqiptarë sipas një studimi të Gallup): ata që duan të marrin arsim të lartë dhe ata që nuk duan të marrin arsim të lartë. Të parët kanë si qëllim kryesor mësimin e profesioneve prestigjioze që garantojnë punësim me paga të larta dhe mundësinë për të ushtruar profesionin në nivel të lartë, mundësisht jashtë shtetit. Ndërsa të dytët nuk kanë për qëllim që të marrin asnjë lloj arsimi formal profesional por që përgjithësisht kanë si qëllim kryesor përfitimin e shpejtë të sasive të mjaftueshme të parave, me qëllim investimin e tyre në prona, ndërtimin e shtëpisë ose në ngritjen e bizneseve në Shqipëri. Fokusi im janë të rinjtë me arsim të lartë, pasi këta janë edhe kategoria që nuk dëshiron të qëndrojë e të investojë të ardhmen e vet në Shqipëri por preferon ta ndërtojë jetën jashtë shtetit.
Si universitetet në Shqipëri ashtu edhe ato të huaj prodhojnë çdo vit me mijëra studentë të diplomuar në fusha nga më të ndryshmet, duke filluar që nga ato më të njohurat si mjekësia, juridiku e ekonomia, e deri tek ato më të rrallat si disa degë të inxhinierisë, fusha specifike të shkencës, etj. Nuk kam frikë se ekzagjeroj kur them se 99% e të rinjve të diplomuar ose që po studiojnë aktualisht, i janë futur degës së studimit pa e pasur të qartë rrugën e karrierës që do të ndjekin, mundësitë reale të punësimit në atë degë, të gjitha profesionet e mundshme të cilat do të mund të ushtrojnë me atë diplomë dhe përfitimet afatgjata që do të nxjerrin prej saj. Vetëm një pjesë fare e vogël e këtyre të rinjve të diplomuar kanë një farë ideje të vakët se çfarë pune mund të bëjnë pasi të diplomohen, dhe janë me kokrra ata që e kanë punën të siguruar. Ata përgjithësisht e njohin profesionin vetëm në aspektin sipërfaqësor, në formatin më luksoz të tij, ku kushtet e punës dhe shpërblimi financiar e profesional është disa herë më i madh se norma.
Mirëpo, duam, s’duam, Shqipëria është një vend kryekëput rural, d.m.th me fizionominë e fshatit dhe ku bëhet gjerësisht jetë fshati. E vetmja qendër e banuar që i afrohet disi fizionomisë së qendrës urbane moderne (si të thuash “me mik”) është Tirana, e cila ka vetëm 500,000 banorë, ndërsa të gjitha qendrat e tjera të banuara që ne i kemi quajtur historikisht qytete, në fakt nuk janë veçse mini qyteza në shërbim të hinterlandit rural. Për herë të parë në historinë e shqiptarisë, në vitin 2010 popullsia në qendra “urbane” e tejkaloi zyrtarisht popullsinë që jeton në zona rurale. Por kjo nuk do të thotë se këto 11 vitet e fundit Shqipëria u urbanizua. Ky fenomen ka të bëjë më shumë me nivelet e larta të emigracionit se sa me urbanizimin e mirëfilltë të Shqipërisë.
Rrjedhimisht edhe ekonomia që prodhon shumica e popullsisë së Shqipërisë është në mbështetje të një popullsie me kërkesa e nevoja përgjithësisht rurale. Sado e zhvilluar të jetë e sado njerëz të dijshëm të ketë, shoqëria rurale nuk është në gjendje dhe as nuk ka për qëllim të zhvillojë një ekonomi me fizionomi urbane, si në shërbime ashtu edhe në industri. Përveç nevojave për zgjidhjen e problemeve të fshatit si bujqësia, blegtoria, ndërtimet e vogla, infrastruktura rurale, riparimet, mirëmbajtja, etj., shoqëria rurale nuk mund të ofrojë zhvillimin e asnjë lloji tjetër ekonomie. Ky fenomen nuk është i vërtetë vetëm për Shqipërinë por për të gjithë botën. Edhe në vendet e zhvilluara të BE, në zonat ku dominon shoqëria rurale, dominon gjerësisht ekonomia rurale.
Mirëpo shumica dërrmuese e studentëve shqiptarë nuk diplomohen në degë që mund të jenë në shërbim të ekonomisë e të jetesës rurale, por diplomohen në degë që janë tipike të një shoqërie me urbanizim e industrializim të lartë, siç janë ato të qendrave të mëdha urbane perëndimore, dhe kjo sjell në mënyrë automatike mospërputhje mes kërkesës dhe ofertës në tregun e punës. D.m.th., janë me mijëra ata studentë shqiptarët, të studiuar brenda ose jashtë vendit, që çdo vit marrin diploma për një treg pune që nuk ekziston dhe pretendojnë të paguhen me para që nuk qarkullojnë.
Por kjo nuk është e vetmja arsye pse të rinjtë e diplomuar duan të largohen nga Shqipëria. Edhe pse shumë e fuqishme, paraja nuk është gjithmonë e vetmja shtysë e natyrës njerëzore. Satisfaksioni profesional luan shpesh herë një rol po aq të rëndësishëm sa edhe shpërblimi financiar, sidomos tek të rinjtë. Prandaj, që të rinjtë e diplomuar të fillojnë të bëhen kontribuues realë të ekonomisë, ata nuk mund të mjaftohen vetëm me dokumentin e diplomës. Atyre u duhet edhe një ambient i shëndetshëm e i pasur profesional ku të kenë mundësi të specializohen e të perfeksionohen.
Mirëpo procesi i rritjes së nivelit të profesionalizmit, akumulimit të ekspertizës dhe zhvillimit të aftësisë për të zgjidhur problematika teknike, ligjore e ekonomike që realisht do të ndihmonin rritjen e sektorëve të ekonomisë, është një proces i gjatë dhe i komplikuar. Që një individ të arrijë nivelin minimal të ekspertit atij i duhen të paktën 8-10 vjet eksperiencë pune në një ambient ku profesioni zhvillohet me kohë të plotë, ku punojnë specialistë të mirëfilltë dhe ku përballja me sfidat e profesionit është e përditshme. Nëse individi i sapo diplomuar nuk praktikohet vazhdimisht në zgjidhjen e problemeve, por vendoset menjëherë, po themi, në postin e specialistit, në një ambient toksik e jo profesional, ai do të mbetet gjithnjë një diletant mediokër që më shumë prish punë se sa ndreq.
Fatkeqësisht, as shteti shqiptar e as biznesi privat (për arsyet që përmendëm më sipër) nuk janë në gjendje t’i mbështesin të diplomuarit me mundësi punësimi e specializimi. Shteti për shkak se nuk e ka bërë ende pjesë të filozofisë së vet formimin dhe kultivimin e ekspertëve të lartë e për rrjedhojë nuk e vlerëson shumë ekzistencën e tyre, ndërsa biznesi për shkak se nuk ia kërkon tregu dhe nuk para i hyjnë në punë. Madje për këtë mund të jap edhe një shembull konkret. Në shkrimin me titull “Si zhvillohet korrupsioni me tenderat e mëdhenj” ilustrohet qartë rëndësia që ka prania e ekspertëve të lartë në administratën shtetërore dhe kontributi që mund të japin ata për mbrojtjen e fondeve të shtetit dhe interesave të administratës prej abuzimeve. Gjithashtu atje tregohet qartë se si institucionet e shtetit e luftojnë praninë e ekspertëve nëpërmjet mekanizmave të korrupsionit.
Prandaj dhe pjesa më e madhe e të rinjve shqiptarë që kanë mbaruar studimet e larta ose planifikojnë t’i kryejnë ato kanë dëshirë që të largohen nga Shqipëria dhe ta kërkojnë fatin e tyre gjetkë. Dhe kanë të drejtë. Nuk mjafton vetëm diploma, por edhe cilësia e mësimdhënies, materialet cilësore studimore, praktika dhe eksperiencat profesionale, për të mos folur pastaj për ambientin e shëndetshëm studentor, lehtësinë e marrëdhënieve me autoritete universitare, dhe së fundmi perspektivën për punësim në degën e zgjedhur, larminë e madhe të vendeve të punës, nivelin e kënaqshëm të pagave dhe ambientin e shëndetshëm profesional.
Është krejt normale, dhentë do të kullosin atje ku bari është më i gjelbër. Nëse të rinjtë shqiptarë do të qëndronin të gjithë në Shqipëri, pjesa më e madhe e tyre do të detyrohej të punësohej në biznese e profesione të pakualifikuara ose do të rrinte rrugëve, duke e kthyer kështu investimin e bërë për arsim të lartë, në sytë e tyre, në një investim të çuar dëm, dhe duke rritur ndjeshëm presionin e konkurrencës për vendet e punës. Duke u larguar një pjesë e tyre jashtë shtetit, ata krijojnë mundësi më të mira për veten e tyre, çlirojnë presionin shoqëror të luftës për punësim dhe i lëshojnë pak më shumë hapësirë të gjithë atyre që qëndrojnë në Shqipëri. Të paktën për aq kohë sa vazhdon tranzicioni.
---
Mirëpo ky proces nuk është pa anët e veta negative, sidomos për ata që pas përfundimit të studimeve kthehen në atdhe. Nuk është sekret që studentët e diplomuar jashtë shtetit përgjithësisht e kanë të pamundur të funksionojnë profesionalisht në Shqipëri. Ata e kanë të vështirë të gjejnë vende pune që përputhen me aftësitë e tyre, t’i mbajnë vendet e punës për një kohë të gjatë, ose të japin kontribut pozitiv nëpërmjet inovacionit, përmirësimit të shërbimeve, ndryshimit të praktikave, etj, veçanërisht në administratën shtetërore. Prandaj, pas një periudhe të shkurtër prove, shumë prej tyre bëjnë tentativa për tu larguar sërish jashtë shtetit, me shpresën për të gjetur punësim më të mirë. Ose shikojnë për mundësi punësimi në profesione të tjera, brenda vendit, në kompani që ofrojnë kushte më të mira pune.
Mesa duket, kur kthehen në Shqipëri, shumë studentë e kanë të pamundur të ripërshtaten me realitetin shqiptar. Ata e kanë të vështirë të gjejnë gjuhën e përbashkët me kolegët e tyre që kanë ndenjur në Shqipëri, e kanë të vështirë t’i përshtaten sistemit gjysmë kaotik të punës, dhe më kryesore, aftësitë e tyre profesionale nuk përputhen me realitetin në terren, për shkak se problematikat me të cilat përballen në përditshmërinë e tyre nuk janë problematikat për të cilat janë trajnuar në universitetet ku kanë studiuar.
Edhe pse për këtë gjë njerëzit zakonisht ia hedhin fajin realitetit shqiptar dhe vetë shqiptarëve, duke i etiketuar ata si të pazhvilluar, e të pa qytetëruar, të prapambetur, etj., në të vërtetë problemi kryesor është vetë sistemi arsimor i universiteteve perëndimore në të cilët këta studentë janë diplomuar. Pak kush në Shqipëri mund të jetë i ndërgjegjshëm për faktin që sistemet e arsimit të lartë në universitetet perëndimore (e rrjedhimisht edhe ato shqiptare) janë, në një farë mënyrë, qarqe të mbyllura, d.m.th janë ndërtuar tërësisht në funksion të realiteteve të shoqërive ku ata operojnë dhe japin njohuri që mund të vihen në jetë vetëm në kushtet sistemit që ato shoqëri kanë ngritur. Jashtë atij sistemi njohuritë e marra nuk kanë më të njëjtën vlerë pasi nuk ofrojnë zgjidhje praktike për probleme e realitetit shqiptar. Madje, sa më në veri të shkosh, aq më shumë largohesh nga realiteti shqiptar. Mos të flasim, pastaj, për Amerikën që është një botë krejt më vete.
Në fakt nuk ka si të jetë ndryshe. Realiteti i vendeve të zhvilluara perëndimore nuk mund të jetë i njëjtë me realitetin e Shqipërisë. Sfidat dhe problematikat me të cilat hasen shoqëritë e atyre vendeve janë të ndryshme nga sfidat dhe problematikat me të cilat haset shoqëria shqiptare (analfabetizmi funksional dhe cinizmi që rrjedh prej tij, shitblerja e vendeve të punës, korrupsioni i vogël, mungesa e mekanizmave ligjore e institucionale, kaosi organizativ, stafi i pamjaftueshëm, frustracioni i qytetarëve, etj.). Ndërkohë që ato i kanë zgjidhur shumë prej sfidave themelore të demokratizimit të shoqërisë dhe operojnë tashmë në nivel shumë më të avancuar politik, ekonomik, social e administrativ, shoqëria shqiptare është ende në procesin e hedhjes së themeleve.
Eksperienca e tyre e avancuar nuk i shërben detyrimisht edhe realitetit shqiptar. Aspak. Sistemet arsimore universitare fokusohen përgjithësisht tek aktualiteti që i rrethon. Kurrikulat e tyre përpiqen që tu përgjigjen kërkesave bashkëkohore dhe ofrojnë zgjidhje për probleme bashkëkohore. Ato nuk i futen asnjëherë me themeli çështjeve nga zanafilla, në mënyrë që studenti të kuptojë zhvillimin historik të procesit, por merren me ato çështje që shqetësojnë sot shoqëritë e tyre. P.sh. në kurrikulat moderne universitare të ekonomisë flitet shumë për tregjet, mallrat, tregtinë, menaxhimin e bizneseve, financat dhe marketimin modern, sepse në ekonomitë e zhvilluara botërore këto janë problematikat me të cilat duhet të njihen studentët, aty janë vendet e punës.
Por kur tregu nuk ekziston fare? Si i bëhet? Si i bëhet kur në kushtet e kapitalizmit modern global nuk ekziston zinxhiri prodhues: nuk ka furnizues të lëndës së parë, specialistë të fushës, rrjet transporti, forca punëtore të trajnuara, blerës potencialë, etj.? Si i bëhet kur tregu është i varfër, legjislacioni i mangët dhe administrata inefiçente? Si i bëhet kur duhet të ngresh një biznes në një vend të vogël, të varfër e të izoluar si Shqipëria ku nuk ka prurje të vazhdueshme e të sigurt të valutës së huaj? Cila degë dhe në cilin universitet mëson si të ndërtosh një shtet dhe administratë moderne kapitaliste krejt nga hiçi? Asgjëkund. Sistemet arsimore perëndimore dhe universitetet e tyre nuk u mësojnë studentëve bazën e ndërtimit të demokracisë. Ajo fazë, për ta, ka kaluar tashmë.
Shprehjen e kësaj problematike e kam vënë re tek puna e institucioneve të BE-së (ose USAID) në Shqipëri, të cilat e kanë zakon të hedhin miliona Euro investime në projekte pa bereqet e të pa menduara mirë duke u bazuar në eksperienca dhe njohuri që nuk përputhen me realitetin shqiptar. Më ka rastisur disa herë të bisedoj me drejtues të organizatave ndërkombëtare, të cilët udhëheqin projekte të BE dhe të USAID në Shqipëri. Po bisedoja para disa vitesh me njërin prej tyre. Projekti që ai drejtonte (ka shumë të tillë) kishte si qëllim konkret futjen e teknologjisë së ngrirjes së peshkut në Shqipëri dhe tregtimit të tij drejt vendeve të Evropës, një praktikë që e kishin zbatuar me sukses shumë në vendet e Evropës veriore dhe që tani kishin ardhur t’ua mësonin edhe shqiptarëve.
Sapo e dëgjova këtë ide më erdhi menjëherë për të qeshur. Çfarë thotë ky, mendova me vete? Atyre pesë peshkatarëve me ato pesë anijet e lodhura që ka Shqipëria do tu mësojë ky ngrirjen e peshkut? Si mund të pretendosh tu kërkosh peshkatarëve shqiptarë ngritjen e një sistemi të tërë furnizimi e menaxhimi, që jo vetëm kushton sa qimet e kokës, por as nuk dihet nëse do ketë sukses, kur ata nuk janë në gjendje as të parashikojnë a do shesin, a jo, deri në darkë, mallin që kanë kapur në mëngjes. Ata kishin hall si të gjenin naftë pa lekë, këta u flisnin për frigoriferë, ata kishin hall a do sillnin kokën shëndoshë e mirë, këta u jepnin mend për tregje Evropiane.
Nuk kishte si të ishte ndryshe. Projekti po u dështonte, si gjithmonë. Ai zotëria po më ankohej për shqiptarët indiferentë, ndërkohë që këndej po më thoshte budallallëqe duke më parë në dritë të syrit. Unë që nuk merrem me peshkim dhe e kuptova menjëherë absurditetin e atij projekti, le më peshkatarët!
Me çfarë mendsh i bëjnë llogaritë këta kur nisen nga anë e anës për të ardhur këtu e për të zbatuar ksi projektesh? Gjithë ajo eksperiencë kapitaliste, nuk i shkoi kujt në mendje të thotë, “Ore, prit një moment! A ka Shqipëria kapacitete për këtë projekt? Mos po tregohemi pak sa si shumë entuziastë me këto plane?”
Inovacioni nuk vjen me plan dhe në kushte varfërie. Inovacioni vjen kur lind nevoja, kur tregtari e ka tregun të garantuar, kur i ka zgjidhur të gjitha sfidat e menaxhimit të punës, kur ka akumular mjaftueshëm kapital dhe tani e gjykon të nevojshme që të zgjerohet. Kujt do t'ia shisnin peshkun e ngrirë peshkatarët shqiptarë? Kush të pranon në tregje ndërkombëtare pa vite eksperiencë? Suksesi nuk është i garantuar. Projektet e BE të japin mend si të bësh investime duke të të ofruar biznes-plane e projekte por nuk garantojnë treg për shitjen e prodhimit.
Kështu pra, eksperienca dhe njohuritë e universiteteve perëndimore janë të përshtatshëm vetëm për shoqëritë në të cilat funksionojnë ato universitete. Kjo është arsyeja pse shumë të rinj të diplomuar jashtë shtetit preferojnë ti shmangen administratës shtetërore, ose kur punësohen atje, ata largohen pas një farë kohe fare të shkurtër - për shkak se arsimi dhe njohuritë që kanë marrë në universitet perëndimore nuk përputhen me sistemin që ekziston këtu. Këtë e kemi vënë re në të gjitha nivelet, madje edhe në rang ministri e zv/ Ministri. Realiteti i ashpër dhe kultura tejet primitive e administratës shtetërore shqiptare e bën qëndrimin në post të papërballueshëm.
Kjo mospërputhje mes dy sistemeve ka bërë që në administratë shtetërore të vërehet edhe një fenomen i ri, brezi i të korruptuarve me arsim perëndimor. Këta janë burra e gra që janë kthyer në Shqipëri pas përfundimit të studimeve në universitetet perëndimore dhe në mungesë të alternativave më të mira profesionale, janë detyruar të angazhohen në politikë e në administratë, duke zënë poste kyçe e duke u bërë vegla të aktorëve madhorë të korrupsionit. Për shkak të dijeve të avancuara që zotërojnë, këta nuk angazhohen më në korrupsion të thjeshtë sekserësh, si paraardhësit e tyre, brezi i edukuar e i rritur gjatë socializmit, por e kanë ngritur atë në nivel praktikash e dokumentacioni administrativ. Këta janë bërë mjeshtra të manipulimit të legjislacionit të mangët shqiptar dhe operojnë në një nivel ku KLSH dhe prokuroria mediokre shqiptare nuk i kap dot, ose e ka shumë të vështirë t’i ndjekë penalisht. Këtë çështje do ta shtjelloj në një shkrim tjetër.
Shënim: Në vazhdim të kësaj teme shihni shkrimin me titull "Si ta kuptojmë emigracionin e shqiptarëve?"
Comments
Shto një koment