Si ta kuptojmë emigracionin e shqiptarëve?

Nëpërmjet hartave statistikore...
A është emigracioni rezultat i situatës së brendshme politike e ekonomike?
A është braktisja masive e vendbanimeve të vogla fenomen shqiptar?
Një nga klishetë më të përhapura në botën shqiptare në lidhje me emigracionin është ideja që shqiptarët emigrojnë drejt BE-së (ose Amerikës) “për një jetë më të mirë”. Nëse pyet një shqiptar çfarëdo se pse largohen shqiptarët nga vendi i tyre, menjëherë do të të përgjigjet se “andej/jashtë shtetit” ka mundësi punësimi, ka kushte më të mira jetese, etj. Edhe ata më të arsimuarit që jetojnë prej vitesh në emigracion e që në parim kanë aftësi më të mëdha analitike do të të japin po të njëjtën përgjigje të vagullt: atje ku ata ndodhen ndjehen mirë, të vlerësuar profesionalisht, të shpërblyer financiarisht, etj. Pra, të gjithë shqiptarët do të të thonë se jashtë shtetit bëhet një jetë më e mirë.
Mirëpo, në këtë konceptin klishe të “jetës më të mirë” nuk përmenden asnjëherë destinacioni dhe arsyeja e migrimit pikërisht në atë vend. Ku është kjo “jeta më e mirë” që kërkojnë shqiptarët? A gjendet ajo në Kallpaqi, sa kalon kufirin e Shqipërisë me Greqinë? Apo në Bari, menjëherë sa zbret nga trageti? A shkojnë shqiptarët për të gjetur “jetën e mirë” në Potenza të Italisë, apo në Belfast të Irlandës së Veriut? Jo. Edhe pse këto vende janë prej dekadash pjesë të Bashkimit Europian, në asnjërën prej tyre nuk gjendet “jeta më e mirë” që kërkojnë shqiptarët. Atëherë cilat janë koordinatat e “jetës më të mirë”? Ku gjendet ajo?
Duisburg, Dyseldorf, Esen, Dortmund, Këln, Bon, Krefeld, etj, këto janë disa nga emrat më të njohur ndër shqiptarë. Milano, Torino, Bolonja, Xhenova janë disa emra të tjerë. Kohët e fundit më të njohura janë bërë Londra, Mançesteri e Liverpuli. Nëse marrim në analizën emigracionin shqiptar në BE do të shikojmë se shumica e emigrantëve shqiptarë përqendrohen pikërisht në këto qytete ose jo shumë larg tyre.
Po pse ndodh kjo? Kjo ndodh sepse mirëqenia që kërkojnë shqiptarët nuk është e shpërndarë gjithandej njësoj. Jo në çdo cep të Europës ekziston i njëjti nivel mirëqenieje dhe jo të të gjitha qytetet e fshatrat e BE janë në gjendje të ofrojnë jetë më të mirë për emigrantët shqiptarë. Madje, shumica e tyre mezi ofrojnë një jetë normale për vetë banorët e zonës, shpesh herë edhe atë me subvencione nga shteti.
Mirëqenia që kërkojnë shqiptarët nuk është një mirëqenie që vjen nga dëshira për të punuar apo nga sjellja e kulturuar qytetare. Ajo nuk vjen si rezultat i sinqeritetit dhe përkushtimit në një punë të ndershme por si rezultat i shumë faktorëve e variabilave politike, historike e ekonomike, globale e rajonale, të cilat përcaktojnë fatet e njerëzve jo vetëm në vendet ku shqiptarët emigrojnë por në mbarë botën, përfshi dhe Shqipërinë.
![]() |
Dendësia e popullsisë në Europë dhe "Banania blu" |
Në hartën e mësipërme tregohet përqendrimi i popullsisë në Europë. Atje ku ka më shumë pika të kuqe, atje ka një numër më të lartë banorësh, dhe atje ku ka përqendrime më të mëdha të popullsisë, atje prodhohet edhe ekonomia më e madhe. Mbi hartë është vendosur e ashtuquajtura “Banania blu” e cila tregon një zonë, në të cilën dendësia e popullsisë është aq e lartë saqë qendrat e banuara formojnë metropole të mëdha urbane. Pikërisht aty gjendet industria më e fuqishme në Europë dhe pikërisht aty prodhohet ekonomia më e madhe. Aty janë edhe qytetet që përmenda më sipër dhe aty emigrojnë shqiptarët për të gjetur të famshmen “jetë më të mirë”.
Po çfarë ka aty specifikisht? Pse këto zona kanë tërhequr një numër kaq të madh njerëzish? Më poshtë do të analizoj shkurtimisht një seksion të “Bananes blu”, atë që përshkon Gjermaninë.
![]() |
Udha e transportit lumor të lumit Rin dhe lumenjve të tjerë në Gjermani |
Në hartën mësipërme tregohet rrjedha e lumit Rin, një nga udhët ujore më të zhvilluara të transportit industrial në botë. Ka disa të tilla në Gjermani e Europë, por kjo është më e madhja prej tyre. Ajo përshkon një numër qytetesh me rëndësi ndërkombëtare dhe disa lande, duke filluar në qytetin e Bazelit në kufirin Zvicër-Gjermani, përshkon Strasburgun në kufirin Francë-Gjermani, pastaj përshkon me radhë qytetet gjermane të Manhajmit, Koblencit, Këlnit, Dyseldorfit, Duisburgut dhe pastaj vazhdon nëpër Hollandë dhe përfundon në deltën e Roterdamit, ku është ndërtuar Europorti më i madh në Europë, i quajtur ndryshe edhe port tranziti*. Në lumin Rin zhvillohet transporti i mallrave të të gjitha llojeve dhe lëndëve të para e mineraleve. Gjatë rrjedhës së tij janë ndërtuar një numër portesh të mëdhenj të brendshëm të përpunimit të mallrave, ndër të cilat, më të mëdhenjtë janë ato të Këlnit, Dyseldorfit dhe Duisburgut, dhe përreth të cilave janë zhvilluar industria dhe aglomeratat urbane më të mëdha në Europë. Këto porte shërbejnë si porta tregëtare shkarkuese e mbledhëse për qëndra të rëndësishme industriale si Vupertali, Eseni, Dortmundi, etj.
*Në portin e Roterdamit vjen droga që shpërndahet nëpër të gjithë Europën. Atë e ka nën kontroll mafia italiane, e cila në bashkëpunim me krimin e organizuar shqiptar e tregtojnë në Britaninë e Madhe.
![]() |
Porti lumor i Duisburgut në Gjermani |
Të gjitha këto qendra urbane e industriale që përmenda më sipër ndodhen në landin Nordrain-Vestfalen. Emri i këtij landi është shumë i njohur për shqiptarët dhe emigrantët nga e gjithë bota pasi është landi me nivelin më të lartë të imigrmit. Pjesa më e madhe e imigrantëve në Gjermani, përfshi dhe shqiptarët, jetojnë pikërisht në këtë land, pasi ky land, duke pasur një industri shumë të zhvilluar e duke pasur nevojë për krah të lirë pune, ka aplikuar dhe politikat më miqësore ndaj tyre.
Pra shqiptarët nuk emigrojnë ashtu, kuturu, thjeshtë sa për të dalë jashtë kufijve të Shqipërisë dhe në kundërshtim me dëshirën e vendeve pritëse. Askush nuk emigron pa një plan, qoftë ky edhe instinktiv. Të gjithë emigrantët nisen me një qëllim të caktuar – të shkojnë atje ku ka tregje të mëdha pune, atje ku prodhohet ekonomi globale, atje ku ka para dhe atje ku ka kërkesë për krahë pune. Një nga këta vende është pikërisht zona për të cilën po diksutojmë. Në landin Nordrain-Vestfali emigrojnë çdo vit me miliona njerëz nga e gjithë bota dhe Europa, përfshi edhe nga vendet që kanë hyrë rishtas në BE. Në hartën e mëposhtëme tregohet numri i migrantëve në vendet e BE për vitin 2015. Siç mund të vihet re, migrimi i shqiptarëve është i papërfillshëm në krahasim me vendet e tjera, qoftë dhe ato të BE.
![]() |
Lëvizja e emigrantëve drejt BE dhe nga BE për vitin 2015 |
Duke analizuar këtë hartë më vjen ndërmend një pyetje. Cila është distanca më e shkurtër që duhet të përshkojnë shqiptarët për të gjetur punësim jashtë Shqipërisë në krahasim me të gjitha vendet fqinje? Tani që Greqia dhe Italia kanë hyrë në krizë ekonomike dhe niveli i mirëqenies në Shqipëri është rritur, këto dy vende nuk përbëjnë më destinacione parësore për emigracion, përveçse punësimit sezonal. Kështu që për shqiptarët, destinacioni më i afërt është Zvicra. Mirëpo duke qenë që zvicra paraqet shumë pengesa ligjore për emigrantët, destinacioni më i arritshëm paraqitet Gjermania. Pra, distanca që duhet të përshkojnë shqiptarët për të gjetur punësim të sigurt është rreth 1000km. Deri para pak kohësh ky punësim nuk ka qenë i garantuar dhe plot sfida e pengesa ligjore.
Po vendet fqinje? Shqiptarët e Kosovës, Malit të Zi e Maqedonisë kanë pasur mundësi të emigrojnë drejt Gjermanisë e Zvicrës që në vitet 70 dhe kjo u ka dhënë atyre mundësi të krijojnë lidhje të forta ekonomike me këto vende nëpërmjet dokumenteve të nënshtetësisë dhe të drejtës së punësimit të ligjshëm. Ky fakt u ka krijuar atyre mjaft lehtësi në prurjen e të ardhurave, edhe pse deri tani kufijtë për ta (për Kosovën) kanë qenë të mbyllur. Edhe popujt e tjerë të Jugosllavisë kanë përfituar nga të njëjtat lehtësira ligjore e logjistike dhe shumë prej tyre kanë nënshtetësi gjermane, zviceriane, austriake, etj. Të paktën një pjestar i familjes mund të punojë në këto vende me të drejta të plota dhe të mbështesë pjestarët e tjerë.
Përveç kësaj, popujt e tjerë të jugosllavisë janë sllavë dhe flasin gjuhë të ngjashme. Ndryshe nga shqiptarët, ata mund të emigrojnë drejt vendeve më të mëdha fqinje, siç janë Serbia, Bullgaria e Kroacia, duke krijuar kështu një treg më të madh e mundësi më të shumta punësimi. Sllavo-maqedonasit mund të gjejnë punë si në Bullgari ashtu edhe në Serbi. Malazezët dhe Serbët e Bosnjës mund të kërkojnë punë në Serbi, atje ku ndodhen selitë e shumë prej korporatave të mëdha që mbulojnë gjithë Ballkanin, ndërsa kroatët dhe myslimanët e Bosnjës mund të kërkojnë punësim në Kroaci, ashtu siç kanë bërë edhe disa shqiptarë kohët e fundit.
Hyrja e Bullgarisë dhe Kroacisë në BE gjithashtu ka krijuar kushte shumë të mira për shumë sllavo-maqedonas e kroatë të Bosnjës, pasi këta kanë mundësi që të marrin nënshtetësitë e këtyre vendeve dhe të emigrojnë lirisht drejt BE. Edhe Moldavia ka mundësi të ulë presionin e varfërisë për shkak se qytetarët e saj mund të punësohen në Rumani ose të kërkojnë nënshtetësi rumune dhe të emigrojnë lirisht drejt BE.
Pra, siç mund të shikohet nga një analizë e thjeshtë, shqiptarët e Shqipërisë janë të vetmit në Ballkan të cilët emigracionin e kanë shumë larg dhe shumë më të vështirë nga aspekti ligjor e logjistik.Tashmë as punësimi sezonal në Greqi nuk bën më derman. Vetë grekët kanë emigruar masivisht drejt BE.
Probleme me migracionin nuk kanë vetëm Shqipëria me shoqe, por edhe vendet e pasura si vetë Gjermania, Spanja apo edhe Suedia. Në hartën e mëposhtme tregohen shpopullimi i territoreve në BE dhe rrethinat. Ngjyra blu tregon uljen e popullsisë, ndërsa ngjyra e kuqe tregon rritjen e popullsisë gjatë viteve 2001-2011. Me që kemi marrë si shembull Gjermaninë, nuk mund të mos vëmë re që popullsia e Gjermanisë lindore, për arsye ekonomike, është zhvendosur masivisht drejt Gjermanisë perëndimore. Për shkak të kushteve jo të përshtatshme ekonomike në vendilindjen e tyre, shumë gjermano-lindorë kanë braktisur shtëpitë dhe vendbanimet e tyre për të emigruar drejt zonës në fjalë, edhe ata, ashtu si shqiptarët, për “një jetë më të mirë”. Kjo gjendje vazhdon të jetë edhe sot e kësaj dite një problem serioz për Gjermaninë pasi qeveritë gjermane nuk kanë ndjekur pothuajse asnjë politikë thelbësore për ngritjen e Gjermanisë lindore në nivelin e asaj perëndimore duke ja lënë këtë gjë kohës, fatit dhe dinamikave të kapitalizmit, gjë që Europa po e bën edhe me Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit.
![]() |
Rritja dhe tkurrja e popullsisë në Europë. |
Në këtë kontekst duhet të kuptojmë edhe lëvizjet e brendshme të popullsive dhe shpopullimin e zonave rurale. Braktisja e fshatrave dhe qytezave të vogla nga shqiptarët në drejtim të qendrave urbane nuk përbën ndonjë fenomen unik shqiptar. Ai nuk lidhet specifikisht vetëm me politikat e kujtdo qeverie apo me varfërinë e Shqipërisë në përgjithësi. Shpopullimi i zonave rurale është një fenomen që ndikohet nga dinamikat e ekonomisë së tregut dhe zhvillimet globale. Kështu, përveç Gjermanisë që diskutova pak më parë, shpopullim të konsiderueshëm kanë pësuar edhe vende të tjera si Italia e Spanja, dy nga vendet me ekonomitë më të fuqishme në botë, anëtare të G7. Në itali ka rreth 5000 vendbanime të vogla e të mëdha, kryesisht në jug të vendit, të cilat janë braktisur krejt e janë kthyer në qyteza fantazëm. Në periudha të ndryshme, Italianët kanë emigruar masivisht, si drejt Europës veriore ashtu edhe drejt Amerikës, duke lënë pas toka, shtëpi e katandi. Shumë prej zonave malore janë sot pothuajse krejt të zbrazura. Banorët i kanë braktisur ato për të zbritur në zona fushore.
![]() |
Qytezë e braktisur në Itali |
Ndërsa në Spanjë ka ndodhur një fenomen tjetër shumë interesant. Për shkak të emigracionit masiv drejt Amerikës, pas luftës civile, dhe për rrjedhojë të politikave industrializuese të regjimit të Frankos, shumica e dërrmuese e popullsisë së Spanjës ka braktisur krejt fshatrat e qytezat duke u përqendruar masivisht në qendra e mëdha urbane. Pjesa më e madhe e territorit bujqësor në Spanjë është kthyer në shkretërirë për nga numri i banorëve. Atje, dëndësia e popullsisë shkon deri në 8 njerëz për km2.
![]() |
Dendësia e popullsisë së Spanjës |
Duket se Ballkani do të ketë një fat të ngjashëm. Njerëzit kanë nevojë të shkojnë atje ku ofrohet punësim dhe sot për sot vendet tona nuk kanë ç’të ofrojnë. Fenomeni i migracionit është një fenomen global dhe nuk mund të ndalohet as me politika, as me reforma. Do të ishte ideale sikur në Shqipëri të kishim një mrekulli ekonomike dhe të gjithë shqiptarët të ktheheshin në shtëpitë e tyre, por sot për sot kjo gjë ka pak gjasa të ndodhë. Shqiptarët, ashtu si edhe gjithë të tjerët, kanë nevojë të lëvizin të lirë e të shkojnë atje ku ka tregje pune, atje ku prodhohet ekonomi, atje ku ka para. Edhe sikur shteti të funksiononte me 100% kapacitet, ekonomia shqiptare nuk do të ishte kurrë në gjendje t’i mbante të gjithë me bukë. As rajoni nuk ofron ndonjë perspektivë pozitive, pasi asnjë nga fqinjët tanë nuk është veçanërisht i kamur e me ekonomi të qëndrueshme.
![]() |
Shpopullimi i parashikuar i vendeve të Europës lindore deri në vitin 2050 |
Në përmbyllje do të dal në konkluzionin se migracioni shqiptar nuk përbën asgjë të jashtëzakonshme e tragjike në kuadrin europian të lëvizjes së popullsisë. Ai na duket më i dhimbshëm se tek fqinjët dhe bën më shumë bujë për shkak se sfidat logjistike me të cilat përballen shqiptarët janë më të mëdha. Nëse emigracioni shqiptar nuk do të përballej me pengesa të shumta ligjore e teknike, për të nuk do të bëhej aq shumë zhurmë. Njerëzit do të shkonin e do të vinin normalisht, ashtu siç shkojnë e vinë normalisht 500 mijë Grekë, qindra mijëra rumunë e bullgarë apo miliona italianë.
Shënim: Për t'u njohur me një kontekst më të gjerë rreth kësaj teme mund të lexoni shkrimin me titull "Shkaqet dhe zanafilla e krimit të organizuar shqiptar" dhe "Çfarë po ndodh me Shqipërinë sot?".
Comments
Shto një koment