Çfarë po ndodh me Shqipërinë sot?

Koha e leximit: 15 minuta
Fundi i një epoke
Epoka e errët shqiptare* tashmë ka marrë fund. Me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në vitin 2008 dhe pranimin e Shqipërisë në NATO në vitin 2009, sulmet politike e ushtarake ndaj shqiptarëve janë tashmë një kujtim i hidhur i së shkuarës. Shqiptarët në rajon kanë hyrë tani në fazën e ndërtimit të shoqërive demokratike, vendosjes së ekuilibrave socialë dhe zhvillimit normal ekonomik. Ky nuk është një zhvillim i dirigjiuar nga një autoritet qendror, si ai i periudhës së komunizmit, por një zhvillim gradual që vjen si rezultat i rilidhjes së marrëdhënieve normale njerëzore dhe dinamikave natyrale demografike, sociale e ekonomike. Shqiptaria ka hyrë zyrtarisht në periudhën e tranzicionit paqësor. Kjo do të thotë se veprimet politike e ekonomike të shqiptarëve nuk do të jenë më të kushtëzuara nga nevoja për t’i mbijetuar persekutimit ideologjik por nga interesat e pastra sociale e ekonomike të një shoqërie të lirë e demokratike.
Lexo shkrimin me titull "Epoka e errët shqiptare"
Mirëpo rruga drejt prosperitetit është e gjatë dhe për të kuptuar se si shkohet atje, duhet më parë të kuptojmë se ku jemi tani dhe se si erdhëm deri këtu. Në shkrimet e tjera unë e kam shtjelluar gjerësisht epokën e errët shqiptare dhe pasoja që ka lënë ajo tek shoqëria shqiptare. Sulmet e vazhdueshme ushtarake, politike, ekonomike e kulturore të fqinjëve tanë ndaj popullit shqiptar (me bekimin e fuqive Europiane) bënë që shteti shqiptar të katandisej “kokoshi një thelë”*, një shtet që nuk pati as mbështetjen dhe as mbrojtjen e fuqive Europiane dhe që pothuajse gjatë gjithë ekzistencës së tij ka pasur vetëm një funksion - ruajtjen e pavarësisë dhe integritetit territorial. Kjo detyrë madhore u bë fokusi absolut i regjimit komunist** gjatë shekullit të XX-të, gjë që ishte në kundërshtim me politikat imperialiste të fuqive të mëdha e që shpuri në mënyrë të pashmangshme drejt izolimit politik e ekonomik të Shqipërisë.
* Lexo shkrimin me titull "Shqipëria si pellgu me llucë"
** Lexo shkrimin me titull "Si ta kuptojmë periudhën e diktaturës komuniste?"
Fatmirësisht andej nga fundshekulli i 20-të, epokës së imperializmit militarist i erdhi fundi, e bashkë me të edhe izolimit politik të Shqipërisë. Vendi mund të rikthehej në arenën globale të kombeve pa frikën se ndonjëri prej tyre do të kërkonte copëtimin e tij.
Megjithatë izolimi nuk kaloi pa pasoja. Shqipëria doli prej tij e papërgatitur dhe me mangësi të mëdha, veçanërisht në fushën e ekonomisë. Për shkak të centralizimit të ekonomisë gjatë socializmit shqiptarët humbën jo vetëm njohuritë mbi sipërmarrjen private dhe tregun e lirë por edhe të gjitha lidhjet ekonomike me rajonin. Gjithçka duhej rigjetur nga fillimi.
Shqiptarët u gjendën përpara botës si fëmijë të vegjël. Të pa trajnuar dhe pa kurrë farë eksperience kapitaliste, me dhjetëra mijëra shqiptarë u shpërndanë në të katër anët e botës në kërkim të burimeve financiare. Me këmbë e me duar ata bënë çmos e çnuk për t’iu përshtatur vendeve ku emigruan, në kërkim të stabilitetit dhe qetësisë mendore e shpirtërore. Çdo gjë duhej mësuar nga e para, që nga disiplina e punës në kapitalizëm e deri tek parimet e tregtisë së lirë. Përpos sakrificave të tmerrshme fizike e psikologjike, shumica dërrmuese e shqiptarëve nuk mund të punësoheshin veçse si argatë ilegalë. Breza të tërë të rinjsh që endeshin rrugëve të Europës për një copë bukë, pa dokumente, pa të drejta, të ndjekur nga policia, në pritje të punëdhënësit të radhës dhe nën presionin e jashtëzakonshëm psikologjik për familjarët në atdhe që prisnin me gojën hapur si zogjtë e sapo dalë nga veza.
Lexo shkrimin me titull "Si ta kuptojmë emigracionin e shqiptarëve?"
Në këto kushte, ishte e pashmangshme që një pjesë e tyre do të binte pre e krimit të organizuar. Në fakt, aktivitetet e para kriminale në Shqipëri kanë qenë trafikimi i qenieve njerëzore dhe prostitucioni, të dyja këto të lidhura me migracionin ilegal dhe nevojën e njerëzve për të kërkuar punësim në Europë. Menjehere pasi mori hov trafikimi i qenieve njerëzore, në Shqipërinë e varfër u krijuan kushtet ideale për përpunimin dhe tregtimin e drogës. Ky aktivitet ishte një ndikim i drejtpërdrejtë i Mafias italiane, e cila e kish ngritur tashmë të gjithë zinxhirin logjistik dhe siguronte lidhjet e drejtpërdrejta me tregjet europiane.
Lexo shkrimin me titull "Shkaqet dhe zanafilla e krimit të organizuar shqiptar"
Sfida të reja
Kaluan javët, muajt e vitet e ndërkohë që emigracioni filloi të sillte frytet
e para të punës, në Shqipëri kërkesa e tregut për mallra konsumi u rrit dhe
tregtia filloi të marrë një farë hovi. Përveç njerëzve të thjeshtë, prej këtij
fenomeni përfituan në mënyrë të veçantë edhe biznemenët e vakumit, njerëz të
cilët, në më të shumtën e rasteve u gjendën në pozitën e sipërmarrësit për
shkak të vakumit që ekzistonte në treg. Unë i quaj biznesmenë të vakumit, për
shkak se më shumë se sa aftësi për të bërë tregti në një ekonomi normale
kapitaliste, talenti i tyre kryesor ishte përballja me administratën e
degjeneruar shqiptare dhe ambientin toksik të shoqërisë së post komunizmit.
Këta njerëz ishin dinakë, të paskrupullt dhe me lëkurë të fortë. Këta
biznesmenë do të krijonin më pas bizneset e mëdha që ka sot Shqipëria, të
cilat do të do t’i jepnin formë karakterit e paqëndrueshëm dhe grabitqar të
ekonomisë kapitaliste shqiptare.
Lexo shkrimin me titull "Oligarkëve t'u hash mender mutin"
Por ky nuk ishte prosperiteti i shumëpritur. Shumë shpejt u bë e qartë se emigracioni kaotik e ilegal i shqiptarëve nuk mund ti mbante të gjithë me bukë. Ato para që nxirreshin, nxirreshin me sakrifica shumë të mëdha. Pengesat dhe vështirësitë e pafundme me të cilat u hasën shqiptarët në perëndim vërtetuan faktin se Europës nuk i hante shumë malli për ne. Edhe pse në Shqipëri kishte varfëri të madhe dhe krizat ekonomike, politike e sociale pasonin njëra-tjetrën, Europa vendosi ta mbante shoqërinë shqiptare të izoluar duke ia ndaluar asaj emigracionin e ligjshëm. Ne iu hapëm Europës por Europa nuk na u hap neve.
Nga ana tjetër, edhe investimet e huaja nuk po dukeshin asgjëkund. Përveç lëmoshës Europiane në formë “ndihme pas pilafit”, të vetmit që guxuan të hedhin para në Shqipëri ishin po vetë shqiptarët. Shumë prej emigrantëve mblodhën ato pak fitime që kishin nxjerrë nga puna e tyre në emigrim ose krijuan lidhje me biznese të huaja dhe investuan në atdhe. Ndërsa pjesa dërrmuese e shqiptarëve kishin shumë pak të ardhura financiare dhe pothuajse aspak mundësi për të përmirësuar gjendjen e tyre ekonomike. Njerëzit u detyruan të ujdiseshin me dhjamin e tyre.
Partitë politike dhe "kapja" e shtetit
Kështu, në kushtet e një izolimi të ri ekonomik dhe në pamundësi për të bërë ndonjë ndryshim thelbësor me forcat e veta, në Shqipëri filloi lufta e madhe për kapjen e të vetmit burim financiar, të cilit nuk i mbaronin fondet asnjëherë - shtetit. Shteti ishte punëdhënësi më i madh në vend, shteti ishte pronari i të gjitha pasurive të trashëguara nga komunizmi, shteti kishte paratë e taksave, dhe nëpërmjet shtetit kanalizoheshin të gjitha fondet ndërkombëtare për investime në infrastrukturë, ekonomi, etj. Pra shteti ishte burimi kryesor i ekonomisë në Shqipëri. Kush kishte në dorë shtetin, kishte në dorë burimet financiare të shtetit.
Mirëpo burimet financiare të shtetit nuk mund t’i kontrollosh dot pa pasur në dorë pushtetin, dhe pushteti në demokraci mund të fitohet vetëm nëpërmjet politikës dhe partive politike. Kështu partitë politike shqiptare, nga parti të aksionit të mirëfilltë politik u shndërruan gradualisht në sipërmarrje me objektiva të pastra ekonomike. Me dhjetëra mijëra shqiptarë filluan të kthejnë sytë nga to për punësim, për tendera, për të bërë tregti me pasuritë shtetërore, etj. Ato filluan të shumohen si kërpudhat pas shiut dhe plotësimi i qokave u bë monedha kryesore e shkëmbimit. Ky realitet i ri u dha partive politike dhe drejtuesve të tyre fuqi dhe kapital të jashtëzakonshëm, të cilat ata e shfrytëzonin për të qëndruar sa më gjatë në pushtet, në mënyrë që cikli të përsëritej ad libitum.
Këtë e ilustron më së miri numri i lartë i shqiptarëve që janë anëtarë të partive politike. Vetëm partia socialiste mund të ketë sot rreth 50-60,000 anëtarë, e sa e sa aktivistë e simpatizantë. Kjo është një shifër marramendëse. Si është e mundur që në një shtet kapitalist me popullsi as 3 milionë banorë të ketë kaq shumë njerëz të angazhuar me politikë dhe pjesëmarrës në parti që nuk kanë as vijë ideologjike, as program të qartë ekonomik dhe as ndonjë mesazh të veçantë social-politik? Çfarë i bashkon këta njerëz? Përgjigja është shumë e thjeshtë - nevoja për mbijetesë.
Shumica dërrmuese e anëtarëve të partisë kanë interesa të drejtpërdrejta financiare tek partia në të cilën aderojnë dhe presin që ajo tua plotësojë dëshirat sapo të vijë në pushtet. Ata investojnë kohën, angazhimin, e madje edhe paratë e tyre që partia të vijë në pushtet e si shkëmbim lidershipi i partisë në të gjitha nivelet duhet tu garantojë atyre shpërblim të barazvlefshëm me investimin e bërë në fushatë. Anëtarët e thjeshtë marrin vende pune ose lidhje për të bërë biznes, ata më të kamurit marrin ndonjë post drejtues e tendera të vegjël, ndërsa ata më të fuqishmit, biznesmenët e vakumit që përmenda më sipër, që hedhin për fushatë deri në disa qindra mijëra Euro, kanë të drejtën të kërkojnë poste deputeti, kryetar bashkie, drejtorë institucionesh, ose të fitojnë tendera miliona Euro. Çdo veprim është i përcaktuar shumë qartë.
Kjo do të thotë se të gjithë ata anëtarë e militantë partie nuk mund të mjaftohen vetëm me fitoren politike të partisë dhe me vizionin politik të lidershipit për të ardhmen e vendit, por presin rezultate konkrete e të menjëhershme, kështu që me të ardhur në pushtet lidershipi i ka detyrat e qarta e të paracaktuara. Prandaj dhe heqja e punonjësve të administratës nga puna dhe zëvendësimi i tyre me militantë të partisë ishte deri para pak vitesh një fenomen aq i zakonshëm.
Presioni psikologjik ishte i jashtëzakonshëm. Njerëzit duheshin “ushqyer”. Çdo veprim e vendim gjatë qëndrimit në pushtet duhej t’i shërbente përmbushjes së qokave, shpërblimit të anëtarësisë dhe ngritjes së kapitalit për zgjedhjet e ardhshme. Partitë politike nuk shpenzojnë as kohën minimale për të diskutuar e për të përpiluar projekte strategjike afatgjata pasi e dinë që këto nuk sjellin të ardhura dhe tek publiku nuk pijnë ujë fare, pasi edhe vetë publiku, për shkak të gjendjes së pasigurisë financiare në të cilët ndodhet nuk është në gjendje që ta përpunojë debatin intelektual mbi çështjet ekzistenciale të rëndësisë strategjike.
Kjo qasje dhe ky mentalitet do t’i jepte formën politikës, ekonomisë, jetës sociale dhe çdo aspekti tjetër të realitetit shqiptar për më shumë se dy dekada. Një realitet që karakterizohej nga cinizmi, armiqësitë e vogla, mosbesimi, pasiguria, përbuzja reciproke dhe mediokriteti ekstrem.
Bota është me rrota
Lufta në Kosovë dhe ardhja e qindra mijëra Kosovarëve në Shqipëri ishte një etapë shumë e rëndësishme në zhvillimin e shoqërisë shqiptare dhe ekonomisë së vendit. Dëbimi i më shumë se një milionë shqiptarëve nga Kosova ishte tragjedia e fundit e madhe e frymëzuar nga antishqiptarzimi. Megjithatë, ashtu si në dramat e mëdha klasike, kjo tragjedi pati edhe aspektet e veta pozitive. Nga ferra vërtetë doli trëndafili. Lufta i bashkoi të gjithë shqiptarët në rajon fizikisht e shpirtërisht dhe për herë të parë në pothuajse një shekull ata nuk u ndjenë më krejt të vetmuar e pa aleatë. Vizioni Amerikan për të ardhmen e Ballkanit i dha përfundimisht fund antishqiptarizmit politik në Ballkan.
Lufta e Kosovës tregoi gjithashtu se si historia u jep kuptim ngjarjeve madhore politike. Edhe pse në mënyra krejt të çuditshme, historia e krijoi lidhjen mes investimit të bërë gjatë regjimit komunist dhe luftës së Kosovarëve për liri. Kriza politiko-ekonomike e viteve 1997-98 dhe shpërthimi i depove të armëve u dha mundësinë shqiptarëve të Kosovës që të armatoseshin me armët e prodhuara nga regjimi komunist. Pra ishin armët Shqipërisë ato që u dhanë zërin shqiptarëve të Kosovës për të shqiptuar fjalët “Liri e pavarësi”. Ishin po shqiptarët ata që u erdhën në ndihmë shqiptarëve.
Kosovarët e shpërblyen mikpritjen e shqiptarëve të Shqipërisë me një mirënjohje të madhe. Ata u kthyen sërish në Shqipëri por kësaj radhe si turistë, jo për hotelet dhe resortet luksoze të Shqipërisë, por për mikpritjen vëllazërore shqiptare, për bukën dhe për kripën. Në këtë mënyrë ata i dhanë biznesit të turizmit një hov të ri, të panjohur më parë dhe hapën udhën për zhvillimin e gjerë të këtij sektori me turistë të huaj nga e gjithë bota. Jo vetëm kaq, por tragjedia Kosovare shërbeu edhe si një lloj shkundjeje për shqiptarët e Shqipërisë, të cilët jo vetëm që u kthjelluan për realitetin gjeopolitik të rajonit, por edhe për faktin që shqiptaria ka nevojë më shumë për dhembshuri, mirëkuptim e kooperim mes vetit se sa për cinizëm e arrogancë.
Ardhja e Kosovarëve si turistë pas luftës është një tregues i qartë se si shoqëria njerëzore zhvillohet më shpejtë e më lehtë kur merr mbështetjen e duhur. Duke qenë pjesë e Jugosllavisë, shqiptarët e Kosovës kishin pasur mundësi që të njiheshin me fenomenin e turizmit shumë më përpara se shqiptarët e Shqipërisë. Ndërkohë që në Shqipëri industria e turizmi nuk njihej fare, në Jugosllavi ajo kish parë lulëzim të jashtëzakonshëm. Nga ana tjetër, shqiptarët e Kosovës e kishin filluar emigracionin disa dekada para shqiptarëve të Shqipërisë, e ndryshe nga shqiptarët e Shqipërisë, emigracioni i tyre ishte i ligjshëm e me dokumente. Ata ishin stabilizuar nga aspekti ekonomik e social dhe kjo bëri që ata të rikuperonin humbjet e pësuara prej luftës relativisht shpejt. Kështu, ne u hapëm Kosovarëve dyert e shtëpive, ata na sollën turizmin.
-----
"Kapja" e shtetit dhe tenderat
Këto 8 vitet e fundit, nëpërmjet reformave të shumta politike në administratë, fenomeni i kapjes totale të shtetit është zbutur mjaft. Në shumë institucione të nivelit të dytë e të tretë presioni politik nuk ndihet më dhe përgjithësisht administrata shtetërore ka filluar të funksionojë si një administratë normale e apolitizuar. Sipërmarrja dhe individët mund t’i marrin shumicën e shërbimeve administrative pa qenë nevoja që të kenë mikun e të lënë rryshfetin dhe mjaft punë, sidomos në fushën e marrëdhënies me biznesin, po ecin në drejtimin e duhur.
Mirëpo pasojat e dekadave të mëparshme vazhdojnë të jenë ende shumë të ndjeshme. Në një masë të madhe të tij shteti shqiptar sot karakterizohet nga inkompetenca tekniko-ligjore, mungesa e fleksibilitetit, prapambetja në përpilimin dhe zbatimin e praktikave institucionale, legjislacioni i mangët dhe politizimi i tejskajshëm, veçanërisht institucionet e nivelit të lartë, siç janë ministritë, veçanërisht postet drejtuese. Edhe pse janë bërë tentativa të shumta për të punësuar të rinj të diplomuar brenda dhe jashtë shtetit, paaftësia e injoranca, e në disa vende edhe tarafet e korrupsioni vazhdojnë të jenë pengesat kryesore të zhvillimit të administratës.
P.sh. duke marrë shkas edhe nga disa ngjarje të kohëve të fundit me shpërdorimin e tenderave me vlera të mëdha disa dhjetëra milionë Euro dhe arrestimin e disa punonjësve të ministrisë, po marr në analizë tenderat.
Aktualisht, të gjitha blerjet që bën shteti shqiptar (tenderat) menaxhohen nga Agjencia e Blerjeve të Përqendruara, e cila është një drejtori që ndodhet pranë Ministrisë së Brendshme. Nëpërmjet asaj zyre kalojnë të gjithë tenderat e shtetit dhe punonjësit e asaj zyre janë përgjegjës për përpilimin e gjithë dokumentacionit dhe procedurave të tenderit, për ngritjen e komisionit të vlerësimit të ofertave, për vlerësimin e ofertave dhe për shpalljen e fituesit. Ky institucion u ngrit me qëllim që të shmangej korrupsioni nëpër institucione duket i përqendruar të gjitha blerjet në një zyrë të vetme. Pra, kjo drejtori dhe këta punonjës janë përgjegjëse për të gjitha paratë që institucionet shqiptare nxjerrin nga arka e shtetit kur duhet të prokurojnë shërbime dhe mallra në kompani private. Kjo sasi parash arrin në qindra miliona Euro në vit.
Njëri prej këtyre tenderave ishte edhe blerja e uniformave të Policisë së Shtetit. E mora këtë tender si shembull sepse u bë çështje publike në media dhe më ra rasti ta studioj nga afër. Ky tender e arrinte vlerën rreth 28 milionë Euro, që është numri 28 me 6 zero nga pas (28,000,000 Euro) e që i thonë rreth 30 miliardë Lekë të reja (30,000,000,000 Lekë). Për të kuptuar më mirë se çfarë janë 28 milionë Euro, le ti vëmë ato në kontekstin e duhur. Një ministër e ka pagën mujore rreth 1500 Euro në muaj. Për të mbledhur 28 milionë Euro, ministrit do t’i duheshin plot 1555 vjet kursime pa shpenzuar asnjë qindarkë. Po të marrim parasysh që paga mesatare e një punonjësi të ministrisë është minimalisht 600-700 Euro më e ulët, atëherë do t’i binte që këtij punonjësi do ti duheshin 2916 vjet për t’i bërë bashkë ato 28 milionë Euro. Pra, persona që as nuk i kanë parë ndonjëherë 28 milionë Euro të bëra bashkë, që as nuk e kuptojnë domethënien e kësaj vlere dhe as që e imagjinojnë dot se ç’mund të bëhet me këto para, kanë autoritetin që tua “dhurojnë” këto shuma kompanive që do të ofrojnë shërbime për shtetin.
Presioni është i jashtëzakonshëm. Është e vetëkuptueshme që të paktën një biznes do të bëjë ç'është e mundur që ta fitojë atë tender në mënyrë të jashtëligjshme dhe për të marrë 28 milionë Euro ai se ka për gjë hiç të hedhë 10 apo 20 apo edhe 100,000 Euro e të përlyejë edhe vetë zyrën e kryeministrisë, po të jetë nevoja. Një shembull konkret unë e kam diskutuar në shkrimin me titull “Si zhvillohet korrupsioni me tenderat e mëdhenj?”. Atje shpjegohet në detaje lufta ndër-institucionale për kapjen e një tenderi me vlerë disa dhjetëra milionë Euro nga një kompani private nga ato që janë ngritur prej atyre biznesmenëve të vakumit që përmenda më sipër dhe përlyerja e jo një, por disa institucioneve shtetërore në shërbim të interesit të jashtëligjshëm të kësaj kompanie.
E si mund tu lihen në dorë disa punonjësve me 500-800 Euro rrogë shuma marramendëse si këto? Si mundet që të gjitha shërbimet e shtetit shqiptar të menaxhohen nga një grup i vogël punonjësish? Edhe sikur këta punonjës të ishin njerëzit më të ndershëm e më të pakorruptuar që ka Shqipëria, është krejt anormale që tu lësh atyre në duar një detyrë kaq të rëndë profesionale e psikologjike. Ata as nuk e përballojnë dot atë lloj përgjegjësie. E në fakt, sipas njoftimeve në media, njëri prej pjesëmarrësve në komisionin e vlerësimit të ofertave kishte deklaruar në prokurori se ishte shitur për 500 Euro “të qelbta”. Pra, shikoni se ç’gjendje është!
Dhe ky fenomen nuk ndodh vetëm një herë, por me dhjetëra brenda një viti. Nga njëra anë qeveria propagandon me të madhe reformat në administratë dhe nga ana tjetër e lë të gjithë pasurinë e shtetit në duart e disa punonjësve të thjeshtë e të pambrojtur financiarisht e psikologjikisht, të cilët nuk dinë ku kanë kokën e tyre, le më të kenë autoritetin për tu bërë “gardianë” të pasurisë së shtetit.
I gjithë sistemi i blerjeve dhe menaxhimit të fondeve të tenderave është problemi më madhor e kryesori që ka shteti shqiptar sot. Unë kam marrë si shembull tenderat sepse është pikërisht atje që ndodh shpërdorimi dhe korrupsioni më i madh e pasurisë së shqiptarëve. Është pikërisht atje vendi ku kapet shteti.
Qarku i mbyllur
Mirëpo çfarë do të thotë kjo për Shqipërinë? Kjo do të thotë që Shqipëria dhe shqiptarët do të vazhdojnë të mbahen peng të varfërisë, korrupsionit dhe krimit të organizuar, tre fenomenet kryesore që pengojnë hapjen e negociatave për anëtarësim e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Europa na thotë se pa zgjidhur këto tre probleme madhore ne nuk mund të hyjmë në BE, ndërkohë që ne nuk mund t’i zgjidhim vetë këto probleme pikërisht sepse nuk BE na ka izoluar. Qarku është i mbyllur. BE na vë kushte që nuk i plotësojmë dot për shkak të kushteve të vendosura prej vetë BE.
Ja, marrim pë shembull çështjen e drogës. Me çfarë ta luftojë Shqipëria tregtinë e drogës? Me policë që paguhen nga 500 Euro? Me 10 apo 20 automjete dhuratë? Me 5 pajisje përgjimi? Me maska Covid-i? Me forcën e vullnetit dhe me fjalimet e kryeministrit? Me frymën e perëndisë?
Si mund ta luftojë Shqipëria drogën kur drogën nuk po e lufton dot Gjermania!? Tregu botëror i drogës ka vlerën rreth 360 miliardë Euro. 24 herë më e madhe se GDP-ja e Shqipërisë. Krimi i organizuar ka aq shumë para sa të blejnë nënë e babë po të jetë nevoja, le më gjykatës e polica. Ata nuk i kanë asgjë 50-100-200,000 Euro. Shumica e shqiptarëve 200,000 Euro as që i kanë parë ndonjëherë me sy. Si mund ti bëjë ballë kësaj force ekonomike një shtet varfanjak si Shqipëria, që nuk ka as menca për tu dhënë punonjësve të policisë një çapë bukë?
Më tutje, në ç’mënyrë ta menaxhojë policia shqiptare të gjithë territorin e thepisur malor të Shqipërisë? Me çfarë mjetesh? Me çfarë paisjesh? Me çfarë parash? Me nga ato parashutat promocionale? Me balona? Për të mbuluar të gjithë territorin e Shqipërisë duhet një ushtri e tërë me aeroplanë, helikopterë, automjete, anije, motorskafë, radarë, paisje përgjimi e padyshim një forcë policore e paguar mirë. Asgjë nga këto nuk jep Europa. Aeroplanë, helikopterë e anije jo e jo, por as nga ato të tjerat me rrota. Në vitin 2020 Gjermania i dhuroi policisë së shtetit nja 7 furgonë. E çfarë të bëjë policia me 7 furgonë? Ato nuk vlejnë as sa për të mbuluar Tiranën, le më gjithë Shqipërinë.
Europa kërkon nga Shqipëria qiqra në hell. Po të ishte Shqipëria e aftë të zgjidhte çështjen e drogës e të korrupsionit vetë, ajo s’do kishte fare nevojë për Europën. Ajo shumë mirë mund të ishte si Zvicra apo si Norvegjia që jetojnë për bukuri dhe nuk kanë fare nevojë të jenë në BE.
Politikat izoluese e diskriminuese të BE dhe anëtarëve të saj ndaj Shqipërisë bënë që këtu të lulëzonte krimi i organizuar, ndërsa shqiptaret të shpërndaheshin nëpër botë si zogjtë e korbit. Është fat i madh për ne që kohët e fundit një ndihmesë të madhe po jep Amerika. Pse Amerika u kujtua pikërisht tani dhe çfarë roli luan Rama në këtë mes unë nuk e di, por di që prania Amerikane po i jep një shtysë të mirë veçanërisht reformës në drejtësi. Plani Amerikan për Ballkanin është rruga drejt Europës dhe kjo është një gjë e mirë për ne. Por kjo ndihmë mbetet ende në nivel lëmoshe. Është tepër e vogël për ndryshime rrënjësore dhe nuk adreson çështjet thelbësore të ekonomisë dhe të varfërisë. Sa do zgjasë efekti i kësaj ndihme dhe a është i qëndrueshëm? Siç thotë edhe Skënderbeu në film kur i vijnë ndihmat nga Napoli, “...mua më duhen edhe 10 herë kaq…”.
Pra, në Shqipëri nuk ka para të mjaftueshme për të bërë asgjë të saktë. As për ushqyer ekonominë, as për të luftuar krimin e korrupsionin, e as për gjë tjetër. Ky nuk është një problem që zgjidhet vetëm me reforma e me politikë. Ky realitet mund të ndryshojë vetëm nëse Europa hap dyert e punësimit të ligjshëm për shqiptarët. Nëse ajo heq barrierat e izolimit ekonomik. Duke hapur dyert e punësimit të ligjshëm, ulet tensioni i brendshëm politik, stabilizohet tregu dhe merr hov sipërmarrja e vogël dhe e mesme. Për sa kohë shqiptarët nuk do të lejohen të punojnë në Europë në mënyrë të ligjshme, vendi do të mbetet gjithnjë pre e qarkut të mbyllur të varfërisë e kriminalitetit dhe kapja e shtetit do të vazhdojë të jetë objektiv kryesor i dinamikave të brendshme politike.
Për më shumë shikoni shkrimet me titull “Pse duan të rinjtë e diplomuar të largohen nga Shqipëria?” dhe “A mund të krahasohet Shqipëria me perëndimin?".
Comments
Shto një koment