Shkaqet dhe zanafilla e krimit të organizuar shqiptar

Është folur e stërfolur për krimin e organizuar shqiptar. Ai është vënë sa e sa herë në qendër të vëmendjes. Për të janë ngritur legjenda, janë bërë analiza, janë nxjerrë konkluzione, janë hedhur akuza. Shpesh herë është fajësuar ligësia e politikës, herë të tjera kultura dhe mentaliteti shqiptar. Jo rrallë herë shqiptarët janë etiketuar si popull me tendenca kriminale, si nga të huajt ashtu edhe nga vetë shqiptarët, cilësime këto që kanë ndikuar në rritjen dhe zgjerimin e kulturës së vetëpërçmimit tek shoqëria shqiptare.
Megjithatë, në asnjë rast dhe askund, në ato burime që njoh unë, autori apo treguesi nuk e ka vënë një herë të vetme gishtin në plagë dhe pikat mbi "i". Në ç'kushte hodhi rrënjë krimi i organizuar në Shqipëri dhe kush e mbështeti? Ku i gjeti burimet? Kush e sponsorizoi? Unë do të parashtroj një seri premisash që e shikojnë këtë çështje nga një këndvështrim krejt tjetër nga ai që artikulohet rëndom sot në Shqipëri dhe mediat e huaja.
Shkaktarët dhe mbështetësit kryesorë të themelimit dhe zgjerimit të krimit të organizuar shqiptar janë pikërisht vendet europiano-perëndimore dhe veçanërisht Mafia italiane:
1. Kur Shqipëria rrëzoi diktaturën dhe u hap me Europën, Europa nuk u hap për shqiptarët. Ajo e mbajti Shqipërinë të izoluar në të gjitha drejtimet dhe i tha asaj "Sajdisu me dhjamin tënd. Ne nuk na intereson varfëria juaj. Ne nuk duam që ju të vini këtu e të na prishni qetësinë." Në këtë mënyrë, shqiptarëve iu pengua lëvizja e lirë për të gjetur punësim.
2. Duke qenë që i gjithë sistemi ekonomik që mbante njerëzit me bukë ra, në kushtet e një izolimi të ri ekonomik, varfëria i vuri shqiptarët me shpatulla pas muri. Nevoja për të dalë jashtë kufijve të atdheut në kërkim të bukës së gojës u bë objektivi kryesor për shumicën e njerëzve.
3. U krijua, pra, kështu, një kërkesë imediate për dalë jashtë shtetit me
mjete të jashtëligjshme, duke krijuar kushtet për formimin e një tregu të
trafikimit të njerëzve. Kjo ishte forma e parë e krimit të organizuar shqiptar
që dilte jashtë kufijve të Shqipërisë.
4. Javët, muajt e vitet
kaluan dhe Shqipëria vazhdoi të mbahej e izoluar, duke bërë që krimi i
organizuar të lëshonte rrënjë të thella në të gjithë vendin, duke shërbyer
tashmë si pikë tranziti jo vetëm për shqiptarët, por edhe për shtetasit e huaj
që dëshironin të emigronin drejt Europës, rrjetin e prostitucionit
ndërkombëtar dhe trafikun e drogës. Ndërkohë që krimi i organizuar po
zhvillohej me hapa të shpejtë, Europa na jepte mend për demokracinë dhe
korrupsionin.
5. Nuk vonoi shumë dhe krimi i organizuar shqiptar ra në kontakt me Mafian italiane, eksperienca dhe burimet e së cilës ishin dhe vazhdojnë të jenë të pakufishme. Mafia italiane kishte dekada që kishte hedhur rrënjë dhe kish ndërtuar rrjetin e trafikut në të gjithë Europën. Pa mbështetjen e Mafias italiane, krimi shqiptar nuk do kalonte dot as Adriatikun.
6. Shqipëria e izoluar dhe e varfër ishte terreni ideal për të zhvilluar jo
vetëm trafikun e drogës por edhe prodhimin e përpunimin e saj. Varfëria e
madhe, mungesa e një shteti të fuqishëm si dhe mungesa totale e ndihmës
serioze nga ana e Bashkimit Europian bënë që Shqipëria të kthehej në parajsën
e prodhimit të drogës dhe trafikimit të qenieve njerëzore.
Tani,
vlen të ngremë disa pyetje. Ku u shit droga e prodhuar në Shqipëri? Ku kanë më
shumë klientelë rrjetet e prostitucionit ndërkombëtar? Ku janë tregjet më të
mëdha të konsumit të drogës dhe frekuentimit të prostitutave? Në Shqipëri? Jo.
Në Londër, Manchester, Paris, Lion, Romë, Milano, Bruksel, Roterdam, Frankfurt, Dyseldorf, etj. Atje lulëzon krimi i organizuar. Atje janë tregjet. Atje janë blerësit. Atje është paraja. Atje janë mbledhur gjithë organizatat e krimit të organizuar. Atje është zanafilla e gjithçkaje.
Trafiku i drogës brenda BE kap shifrën 30 miliardë Euro në vit. Kjo shifër është dy herë sa PBB i Shqipërisë. Krimi i organizuar ka aq shumë para sa që të blejnë nënë e babë, le më, pastaj, gjykatës e polica. Nuk e kanë për gjë hiç të hedhin 20, 50, 100, 200 mijë euro a më shumë për të zgjidhur punët e tyre. Shifra që shumica e shqiptarëve as nuk i kanë parë ndonjëherë të mbledhura bashkë.
Prandaj, nuk është as çështje kulture e mentaliteti, as çështje e ligësisë së politikës dhe as çështje gjenetike. Në qoftë se këtë fenomen nuk e ndalojnë dot vendet më të fuqishme e më të pasura në botë, anëtarët e G7, si mund ta ndalojë Shqipëria dhe shqiptarët e varfër!? Këto janë fenomene aq të mëdha globale saqë i vetëm nuk mund tu bëjë ballë absolutisht askush, aq më pak shoqëria shqiptare, të cilën miqtë tanë europianë ia dhuruan krimit të organizuar në pjatë argjendi.
Për më tepër rreth kësaj teme lexo shkrimet me titull "Çfarë po ndodh me Shqipërinë sot?" dhe "Si ta kuptojmë emigracionin e shqiptarëve?"
Tre harta. Njëra ilustron rrjetin e trafikut të kokainës, njëra ilustron rrjetin e trafikut të heroinës dhe tjetra trafikun e kanabisit në Europë. Ato marrin një kuptim krejt tjetër kur shihen nga këndvështrimi i parashtruar më sipër.
![]() |
Rrugët e trafikut ndërkombëtar të kokainës |
![]() |
Rrugët e trafikut ndërkombëtar të heroinës |
![]() |
Rrugët e trafikut ndërkombëtar të kanabisit |
Comments
Shto një koment