Oligarkëve t'u hash mender mutin


"Oligarkët”, kemi një jetë që e dëgjojmë këtë term. Pasohet zakonisht nga terma të tjerë plotësues si “kapja e shtetit”, “njerëzit e pushtetit”, “një grusht njerëzish pranë qeverisë”, “elitat ekonomike”, “interesat e tyre personale”, “vjedhja”, “korrupsioni”, etj. 

Figurat politike opozitare ose ato me aspirata për t'u futur në politikë e kanë shumë për qef këtë term. Sikur kanë regjistruar një kasetë që e përdorin vend e pa vend, në çdo postim, në çdo intervistë, në çdo debat, në çdo opinion dhe e nxjerrin sa herë kanë nevojë të zgjojnë reagimet e mllefosura të qytetarëve. Aq shumë flasin për këta oligarkët dhe kapjen që ata i kanë bërë pushtetit, saqë të duket sikur je në një skenar filmi me fantashkencë, ku i gjithë njerëzimi sundohet nga 4 a 5 jashtëtokësorë me fuqi mbinjerëzore dhe është detyra e këtyre protagonistëve heroikë që të bëjnë demaskimin e të ngrenë popullin në këmbë.

Unë nuk dua t’i hyj analizës se kush janë e se ç’bëjnë këta oligarkët se nuk i njoh dhe nuk ua di punët në detaje. Por ajo që di është se këta oligarkët nuk janë ata 4 a 5 vetat e plotfuqishëm e të izoluar që propagandohen në media. Përkundrazi ata janë mishërimi i shoqërisë shqiptare dhe pasqyrimi i realitetit të vështirë e kompleks të vendit. Ata qëndrojnë në majë të piramidave, në themelin e të cilave qëndrojnë me dhjetëra mijëra njerëz, biznese, grupe interesi e komunitete të cilët, kush më shumë e kush më pak, e kanë të gjithë, fatin dhe mbijetesën e tyre, të lidhur me aktivitetin dhe suksesin e atyre që janë në majë. Të gjithë këta kanë fëmijë për të ushqyer, familje për të mbajtur e shërbime për të paguar.

Kështu, “oligarku” nuk është një njeri i vetëm, diku në majën e një kulle, që bën plane ogurzeza kundër njerëzimit. “Oligarku” është sistem ekonomik. Një sistem brenda të cilit ndërthuren fatet dhe mbijetesa e mijëra shqiptarëve, shumë prej të cilëve të hanë të gjallë po ua cënove sigurinë. E nëse bëjmë analizën numerike të njerëzve që janë të varur prej njërit apo tjetrit prej këtyre sistemeve, del ajo që më ka thënë një herë njëri prej këtyre të ashtuquajturve oligarkë, që në Shqipëri janë rreth 1000 veta (d.m.th sisteme ekonomike) që bëjnë “ligjin” dhe vendosin për fatet e gjithë shqiptarëve.

Nga kjo analizë fare e thjeshtë del menjëherë në pah naiviteti dhe kotësia e narrativave politike mediatike për kinse denoncimin e “oligarkëve”, për futjen në burg të njërit e të tjetrit, për luftën ndaj kapjes së shtetit, e të tjera mufka ideologjike si këto që të kujtojnë propagandën marksise-leniniste. Ata nuk i dëgjon asnjëherë të përmendin emra e çështje konkrete dhe as bëjnë ndonjëherë analiza me fakte e dokumente, përveç atyre që bëhen publike nga po vetë sistemi i “oligarkisë”, sepse duan-s’duan, janë edhe vetë pjesë e njërit apo tjetrit sistem dhe hyrja në detaje specifike rrezikon t’i lërë pa punë e pa bukë.

Shqipëria, laj-thaj, kaq është. Një bythë vend. Ngado që të rrotullohesh do t’i shkelësh këmbën dikujt ose do të kryqëzohen bërrylat me dikë. Këta që ulërasin e bëjnë si revolucionarë të mëdhenj e si denoncues të “oligarkisë”, llapin kot, se e dinë shumë mirë që nuk janë në gjendje të ndryshojnë as edhe një gjë të vetme. Edhe ajo narrativa e kinse denoncimeve bombastike populiste dhe e nxitjes për kryengritje revolucionare, nuk është gjë tjetër veçse një model i vjetruar i trashëguar nga periudha e komunizmit, e cila shërben më shumë për të bërë zhurmë e për të krijuar konfuzion, se sa për të zgjidhur realisht ndonjë problem.

E çdo t’u bësh oligarkëve? Do t’u hash mender mutin, se asgjë tjetër s’ke ç'u bën. Se ata janë pjesë e pazgjidhshme e sistemit kapitalist dhe e realiteti shqiptar, një realitet që u formua në rrethana e kushte, të cilat nuk i krijuan Shqiptarët por fuqitë madhore globale. Sa më shumë kalon koha, aq më të fuqishëm bëhen oligarkët, aq më shumë rritet numri i mbështetësve të tyre. Për sa kohë njerëzit do kenë nevojë për mallra konsumi e shërbime të pafundme, do të ketë edhe oligarkë. Këtë e nxit vetë sistemi.

Prandaj, diskutimi e debati mediatik politik duhet të jetë për dhe rreth njerëzve të thjeshtë, familjarëve, nxënëseve, specialistëve, biznesmenëve të vegjël e të mesëm, pensionistëve, punëtorëve, arsimtarëve, mjekëve, profesionistëve të lirë, bujqve, zanatçinjve, tregut dhe halleve të tyre të përditshme. Sepse po nuk u hap ky debat e diskutim në nivel profesional, nuk lëvizin themelet e shoqërisë, e po nuk lëvizën themelet e shoqërisë, kati i fundit nuk ka për t’u shkundur kurrë.

Për të zgjeruar më shumë konceptin e paraqitur më sipër lexo shkrimin me titull "Pse nuk ngrihen shqiptarët në protesta?"

Comments

Shkrimet më të lexuara të muajit

Pse u konvertuan shqiptarët në myslimanë?

Epoka e errët shqiptare

Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj?