A mund "të bëhen" shqiptarët?


A nuk të krijohet përshtypja sikur shoqëria shqiptare është në një gjendje konflikti permanent? Sikur armiqësitë nuk mbarojnë asnjë herë? Sikur nuk ka asnjë moment qetësie dhe se të gjithë njerëzit sikur luftojnë çdo ditë secili me nga një përbindësh të tyrin? A nuk të duket sikur pasiguria të ndjek këmba këmbës dhe nga dita në ditë pret të ndodhë ndonjë katastrofë? A nuk të duket sikur jetojmë në një gjendje paniku të vazhdueshëm dhe asgjë nuk ecën përpara ashtu si duhet? A nuk të duket sikur mllefi, cinizmi, mosbesimi, dyshimi, indiferenca dhe një gjendje e përgjithshme frustracioni janë gjithmonë të pranishme pothuajse në çdo bisedë, në çdo diskutim, në çdo marrëdhënie e në çdo punë mes shqiptarëve? Çfarë është ky fenomen, si e ka emrin, ku i ka rrënjët dhe pse dominon kaq egërsisht në shoqërinë shqiptare?

Mendimtarë e analistë janë përpjekur ti vënë emra të ndryshëm. Ai bëhet shpesh temë qendrore bisedash e debatesh dhe duket se njerëz të ndryshëm kanë mendime të ndryshme. Disa mendojnë se ka të bëjë me kulturën tonë. Disa të tjerë mendojnë se është gjenetike. Disa ia hedhin fajin klasës politike dhe paaftësisë së tyre, e disa të tjerë mendojnë se fajin na e ka historia. Disa mendojnë se është mospërfillja ndaj ligjit. Disa  e gjejnë rrënjën tek tarafet, korrupsioni dhe hajdutëria, e disa të tjerë i drejtojnë gishtin regjimeve të ndryshme, nëpërmjet të cilëve është qeverisur Shqipëria gjatë historisë.

Por sido që të jenë mendimet e njerëzve, pavarësisht shkaqeve e rrethanave në të cilat zhvillohet ky fenomen, duke se të gjithë bien dakord për një gjë - shqiptarët nuk “bëhen”. Fajin e paskemi vetë. Ne paskemi qenë të pazotë për të menaxhuar punët tona ashtu siç duhet. Ne nuk paskemi bërë asnjëherë zgjedhjen e duhur. Ne nuk paskemi investuar asnjëherë në të ardhmen tonë. Ne paskemi qenë injorantë, të paqytetëruar dhe nuk paskemi ditur të përfitojmë nga rrethanat gjeo-politike. Gjithashtu ne paskemi qenë dembela e të paaftë. Me pak fjalë, ne paskemi qenë një popull i trashë, që ekzistonka kot, dhe që paska qenë në mënyrë permanente në kundërshtim me gjithë botën që na rrethon. Shumë njerëz përpiqen ta vërtetojnë këtë konkluzion me anë dokumentesh, me ngjarje historike, madje ka edhe nga ata që ta vërtetojnë nëpërmjet dëshmive të udhëtarëve të huaj.

Po a janë të vërteta gjithë këto konkluzione? A e kemi vërtetë fajin vetë? A duhet ta kërkojmë fajin tek shoqëria shqiptare dhe çdo gjë që përfaqëson ajo? Unë mendoj që jo. Nuk është faji ynë. Nuk jemi ne përgjegjës të drejtpërdrejtë të kësaj gjendjeje. Nuk është as kultura, as mentaliteti, as dembelizmi, as injoranca e as mungesa e shkollimit. Nuk jemi ne në kundërshtim me realitetin dhe botën që na rrethon. Ne jemi viktimat. 

E di se çfarë do të thonë disa. Nuk kemi pse ua hedhim fajin të tjerëve por duhet të shikojmë nga vetja. Natyrisht, gjithsecili duhet të mbajë përgjegjësi për veprimet e veta dhe ta shikojë veten gjithmonë me sy kritik. Ky është parim i moralit universal. Nëse bën gabime, nuk mund dhe nuk duhet tua hedhësh fajin të tjerëve, dhe njëkohësisht, askush nuk ka për detyrë të marrë përsipër fajin për llogarinë tënde. Vetëm kështu zhvillohet e ecën përpara shoqëria njerëzore. T’i hedhë sytë nga vetja për të kuptuar se çfarë nuk shkon dhe si mund të përmirësohet.

Mirëpo, nga ana tjetër, mua nuk më hiqet nga mendja një varg i një kënge, në të cilin thuhen këto fjalë: 

Kush provoi dy ditë vetmie, i ngjan lules rritun në hije…

Kur i dëgjova këto fjalë për herë të parë sikur më goditi rrufeja. Sa të thjeshta e njëkohësisht sa të thella! Vërtetë, vetmia e bën njeriun që të “vyshket” shpirtërisht ashtu siç vyshket lulja e rritur në hije. Vetmia, izolimi, mospërfillja, përçmimi, abuzimi, të gjitha këto fenomene e pengojnë njeriun që të funksionojë në mënyrë normale e të nxjerrë në pah anën e vet më të mirë. E kur kjo “vetmi” përkthehet në terma politikë, ekonomikë e socialë, pasojat e saj bëhen akoma edhe më të rënda. Këtu nuk po flas për vetmi fizike, nga ajo që përjetohet në izolim absolut. Këtu po flas për një “vetmi” 130 vjeçare politike e ekonomike, të shoqëruar me dhunë, anti shqiptarizëm, diskriminim, shtypje, dëbime, sekuestrime, mohim të identitetit etnik dhe presion social, politik e ekonomik të vazhdueshëm. Këtu po flas për atë fenomen, të cilit unë i kam vënë emërtimin epoka e errët shqiptare.

Në shkrimin me titull “Epoka e Errët Shqiptare”, unë kam arsyetuar se si Shqipëria dhe shqiptarët kanë qenë nën një sulm të vazhdueshëm politik, ekonomik, ushtarak e social nga fuqitë e mëdha evropiane dhe krijesat e tyre shoviniste ballkanike*. Psikoza e jashtëzakonshme anti shqiptare (e anti myslimane) që ka dominuar narrativat e shteteve fqinjë gjatë dy shekujve të fundit ilustrohet edhe më mirë në shkrimin me titull "Skënderbeu - pasaporta europiane e shqiptarëve"  

*Shiko shkrimin me titull “Neo-helenizmi dhe shqiptaria”. 

Ndërsa në shkrimet me titull “Shqipëria, pellg me llucë” dhe “A mund të krahasohet Shqipëria me perëndimin” kam arsyetuar se si vendosja e kufijve të Shqipërisë në vitin 1913 dhe rrethimi i vendit me fuqi armiqësore e kthyen Shqipërinë praktikisht në një pellg me llucë, duke ia prerë asaj të gjitha mundësitë për tu transformuar në një oaz të zhvillimit dhe prosperitetit ekonomik. 

Dhe së fundmi, në shkrimin me titull “A kanë qenë shqiptarët historikisht të përçarë?”, unë hedh poshtë të gjitha ato koncepte të gabuara të propaganduara nga narrativat anti-shqiptare, e të ripërtërira nga skeptikët dhe nihilistët shqiptarë, se populli shqiptar na paskësh qenë i përçarë politikisht e ideologjikisht, e për rrjedhojë i paaftë për të ndërtuar një shtet të vetin. 

Prandaj, në vend që të anatemojë vetveten dhe kulturën e tij, shqiptari intelektual që është vënë në kërkim të së vërtetës duhet ngrejë më parë këto pyetje: Kur e patën mundësinë shqiptarët që “të bëhen” dhe nuk “u bënë”? Kush i la të qetë “të bëhen”? Kush ua ofroi mundësinë dhe ata nuk e shfrytëzuan? Cila ishte ajo fuqi që  ofroi aleancë, ndihmë e asistencë politike e ekonomike të pakufizuar dhe shqiptarët e refuzuan? Cila ishte ajo fuqi që i doli në mbrojtje të drejtave të Shqipërisë dhe shqiptarëve? Cila ishte ajo fuqi që ngriti grykat e topave dhe tha “Ndal! Shqiptaria është e paprekshme!”?

Si mund të zhvillohej Shqipëria kur kohën më të madhe të ekzistencës së saj e ka shpenzuar në luftë për mbijetesë? Si mund të ngrihet një ekonomi e suksesshme kur je i rrethuar nga vende armiqësore që kanë si qëllim të të zhdukin nga faqja e dheut? Si mund të përparojë një shoqëri që përçmohet dhe injorohet me argumente “shkencorë” nga të gjithë fqinjët? (për denigrimin dhe poshtërimin ndërkombëtar të shqiptarëve janë bërë edhe vepra të mirëfillta “shkencore”.)

Nuk janë shqiptarët ata që “nuk bëhen”. Askush nuk mund “të bëhet” në këto kushte. Shqiptarët janë të lodhur, të zhgënjyer e të fyer, jo vetëm sot, apo gjatë komunizmit, por brez pas brezi. Në sytë e tyre dallohet zhgënjimi dhe mungesa e shpresës. Edhe sot që jemi në paqe e që mund të lëvizim në Evropë pa viza, dyert e punësimit të ligjshëm vazhdojnë të mbeten të mbyllura, mundësitë për të zhvilluar biznes të kufizuara, kostot e arsimit të papërballueshme, etj.

Do t'a ilustroj këtë koncept nëpërmjet dy eksperiencave të mia personale si ekspat jashtë shtetit. Po përdor termin "ekspat" sepse unë nuk kam qenë asnjëherë emigrant dhe nuk mund të krahasohem me emigrantët. Kam pasur fatin e mirë të ndjek studimet e shkollës së mesme në një shtet të Europës lindore dhe më pas të jetoj për një farë kohe pranë një familjeje vendase në një shtet tjetër të Europës perëndimore. Nga këto dy eksperienca dy gjëra më kanë mbetur të rrënjosura në mendje. E para është ballafaqimi im me moshatarët e mi në shkollën e mesme. 

Në atë periudhë isha një adoleshent që sapo kishte filluar gjimnazin, vetëm 14 ose 15 vjeç. Isha rritur në ambientin e ashpër shqiptar dhe kisha marrë edukatën e shkollave shqiptare, ku sundonte rëndom dhuna verbale, fizike e psikologjike, si nga bashkëmoshatarët ashtu edhe nga trupa pedagogjike. Çdo ditë në shkollë ishte një sfidë, një luftë për mbijetesë. Në vitet 90 shoqëria shqiptare e humbi krejt busullën e moralit dhe edukata, mirësjellja e mirëkuptimi u bënë si ujët e pakët. Jeta shoqërore dhe veçanërisht ambienti shkollor i ngjasonin një xhungle ku më i forti ha më të dobëtin. Njerëzit nuk arsyetonin më por gjenin vazhdimisht arsye për të shpërthyer nga mllefet, dyshonin çdo gjë dhe nuk kishin besim tek askush. Nëse një ditë kalonte pa konflikte, kjo ishte një fitore e madhe. Njëkohësisht unë dhe gjithë moshatarët e mi ishim edukuar me kulturën hollivudiane të filmave me aksion, mafie, gangsterë, rrugaçë, kriminelë, dhe sporteve të dhunshme. Çfarë shihnim në televizor e reflektonim në jetën tonë të përditshme. Edhe pse nuk i kisha aspak qejf përplasjet verbale e fizike me moshatarët e mi, ambienti i tensionuar e konfliktual e gjente gjithmonë mënyrën për ta sjellë sherrin tek unë. Doja s'doja, isha i detyruar të merrja pjesë. Nuk e kisha kuptuar, por ai stil jetesë ishte bërë pjesë e botëkuptimit tim. Nuk njihja mënyrë tjetër komunikimi veçse atë me përplasje. 

Këtë e kuptova kur fillova të frekuentoj shkollën e mesme në një vend ish-komunist të Europës veri-lindore. Dallimi ishte i menjëhershëm. Atje bashkëmoshatarët e mi ishin goxha të pjekur. Ata nuk kishin nevojë të shfrynin energjitë e tyre në forma agresive ose nëpërmjet egzibicionizmit ekstrem. Ata nuk fyheshin me njëri tjetrin por bashkëbisedonin e arsyetonin si njerëz të pjekur. Njihnin kufijtë personalë dhe bënin kujdes që mos të shkelnin kufijtë e bashkëbiseduesit. Edhe me mësuesit ata komunikonin si miq e si shokë, por duke ruajtur respektin reciprok dhe statusin e profesionit e të moshës. Nuk ekzistonte kërcënimi, nuk ekzistonte presioni psikologjik dhe për konflikte mes pedagogëve dhe nxënësve as që bëhej fjalë. Atje nuk dilte asnjëherë nevoja për t'i tëhequr kujt vëmendjen pasi atje nuk prishte kush as rregullat, as qetësinë, as etikën. Atje fëmijët nuk harxhonin kohën me aktivitete të pa vlera por investoheshin në lloj lloj hobish e aktivitetesh produktive. Ata ishin njerëz të relaksuar, të cilët të gjitha energjitë e tyre i kishin kanalizuar në procesin e edukimit sipas moshës. 

Shumë shpejt e kuptova se me këta njerëz nuk mund të ndërtoja të njëjtat marrëdhënie si me bashkëmoshatarët në Shqipëri. Nuk mund t'i ngacmoja me kunja, me sarkazma e me shakara pa kripë sepse do bëhesha i bezdisur. Nuk mund t'i grishja në lojra fizike agresive sepse do të më shmangnin siç shmanget një person me të meta mendore. Nuk mund të flisja për gjëra pa vlerë sepse do të humbnin interesin për mua. Atje e kuptova dallimin e madh mes një shoqërie të relaksuar dhe një shoqërie që gjendet vazhdimisht në trysninë e konflikteve. Shoqëria e relaksuar ka mundësinë dhe hapësirën e nevojshme për të qenë produktive ndërsa shoqëria e konfliktuar nuk e ka këtë mundësi pasi njerëzit aty shpenzojnë shumicën e kohës dhe energjive për të mbijetuar.

Eksperienca e dytë është ajo e jetesës në Europën perëndimore. Tashmë isha diçka më i rritur, rreth 18 vjeç, dhe po përgatitesha për të ndjekur arsimin e lartë. Punët erdhën në mënyrë të atillë që u gjenda si bashkëjetues me një familje vendase. Isha i detyruar që të jepja e të merrja me atë familje për ditë dhe nga afër. Edhe pse nuk isha emigrant, unë prapëseprapë isha një shqiptar dhe për mua çdo veprim paraqiste vështirësi. Vizat me vendet e BE nuk ishin hequr ende dhe gjetja e mënyrave për të krijuar eksperienca jashtë shtetit ishte një sfidë e madhe. Ndihma e një personi të njohur apo një familjari ishte e domosdoshme. Detyrimisht, edhe strategjia ime për të ardhmen, ose mungesa e saj, vinte si rezultat i mentaliteti të një njeriu që nuk ka lirinë e lëvizjes dhe nuk ka mundësi të përfitojë në mënyrë të ligjshme, pasi nuk mund të punësohet, nuk gëzon të drejta dhe nuk i ofrohen oportunitete.

E kundërta ndodhte me njerëzit e asaj familjeje. Ata e kishin ndërtuar të gjithë jetën e tyre në bazë të kanaleve institucionale që ofronte shteti dhe kishin besimin e plotë se ky stabilitet do të vazhdonte sa të ishin gjallë. Arsim, punësim, strehim,... sido që të vente puna ata nuk do të mbeteshin asnjëherë në mëshirë të fatit sepse mundësi kishte plot, dhe kjo bënte që ata të kishin një botëkuptim për jetën, i cili bënte kontrast të jashtëzakonshëm me botëkuptimin tim që udhëhiqej nga tekat e fatit dhe vullneti i perëndisë. Ata e dinin dhe mund të planifikonin që më parë se ç'rrugë do të ndiqnin fëmijët e tyre dhe shteti e shoqëria nuk do t'i linte në baltë. Në vend që të shpenzonin gjithë energjinë e tyre në luftë me realitetin, ata planifikonin se si do të përfitonin nga mundësitë që u ofroheshin. Mjafton që të kishin dëshirën për punë. Ndërsa unë do gërrmoja dhe do të përpiqesha me të gjitha mundësitë e mia dhe të familjes sime për të gjetur e për të kapur ato pak mundësi që do të më ofroheshin prej fatit ose prej rrethanave, nëse do të më ofroheshin. S'kishte aspak rëndësi sa talent apo dëshirë për punë kisha. Unë nuk isha qytetar i atij shteti dhe ai nuk kish menduar për mua. Unë i kisha rrugët e prera.

Pra, nga kjo eksperiencë e dytë unë kuptova se ç'do të thotë të jetosh në një shoqëri që ka pasur burimet dhe kohën e mjaftueshme për të ndërtuar një strukturë të qëndrueshme institucionale dhe se çfarë shtysë i jep kjo qëndrueshmëri shoqërisë që të ecë e të zhvillohet me ritme të shpejta e të sigurta, gjë që në Shqipëri, për shkak të trysninë së jashtme të vazhdueshme nuk mund të arrihej asnjëherë.

Kam dëgjuar shpesh nga ata “të ndriturit” që japin mënd, sidomos nëpër media, ku u tregojnë shqiptarëve se duhet të bëjnë si ky apo si ai “popull” evropiano-perëndimor; të ndjekin shembullin e atij apo këtij lideri; të marrin këto apo ato vendime, e të bëjnë këto apo ato zgjedhje. A thua se shqiptarët i kanë në dorë të gjitha por nuk i bëjnë se nuk duan. Me çfarë t’i bëjmë ne të gjitha këto? Ku ti marrim dijet? Ku ta gjejmë eksperiencën? Kush na i mësoi dhe kush na e dha mundësinë? Shoqëritë nuk lindin të ditura apo të pasura. Ato formohen e piqen gradualisht. Gjërat mund të duken të thjeshta në teori, po praktika është tjetër gjë. Kot nuk e thotë edhe shprehja popullore “Nga e thëna, në të bërë, shkon në mes një lumë i tërë”.

Ja, marrim një shembull konkret. Gjermania thotë se shqiptarët mund të punojnë atje nëse kanë diploma në profesione të caktuara. Mirë, faleminderit Gjermanisë. Në parim duket si zgjidhje ideale. Po sa e ndihmon kjo realisht Shqipërinë? Shumica e shqiptarëve nuk kanë asnjë profesion dhe mund të punojnë vetëm në punë krahu, si p.sh në ndërtim e bujqësi. Kjo është gjendja që kemi ne sot. Ku ti gjejmë ne të diplomuarit që kërkon Gjermania? T’i nxjerrim nga sënduku? Sa na vlen neve ky “oportunitet” nëse nuk e shfrytëzojmë dot? Çfarë “ndihme” mund të quhet kjo? A nuk është kjo një formë tjetër izolimi ekonomik?

Si çdo shoqëri tjetër, edhe shqiptarët mund “të bëhen” pa kurrfarë problemi. Mjafton të krijohen kushtet e nevojshme për zhvillim e prosperitet: të kenë lirinë e lëvizjes e punësimit atje ku ka punë (të paktën derisa të marrin veten), të kenë aleatë të fuqishëm ndërkombëtarë politikë e ekonomikë, të ekzistojnë në një ambient rajonal bashkëpunues, e tu respektohet feja, kultura dhe identiteti etnik kudo që jetojnë, etj. Nëse do të plotësoheshin të gjitha këto kushte, shoqëria e vogël shqiptare do të lulëzonte, ndoshta edhe më mirë se fqinjët e saj.

Nuk duhet të harrojmë se shoqëritë demokratike më të zhvilluara sot, ato të Bashkimit Europian, janë të gjitha ish perandori dhe në themelin e zhvillimit të tyre nuk qëndron as dashuria për punën e as largpamësia por pasuritë e akumuluara me dhunë e skllavëri gjatë shekujve. 

Por për sa kohë shqiptarët do të shihen me syrin e “myslimanëve” të padëshiruar e të paqytetëruar dhe do të mbahen në izolim ekonomik e social, qoftë edhe në forma të sofistikuara procedurale, Shqipëria do të vazhdojë të mbetet një pellg me llucë ku do të sundojnë varfëria, pasiguria, cinizmi, mosbesimi dhe frustracioni shoqëror, dhe shqiptari i shkretë nuk do të arrijë “të bëhet” kurrë.

Shtojcë

Më poshtë po bëj një zbërthim të shkurtër të fenomeneve më negative që sundojnë sot egërsisht shoqërinë shqiptare, të cilat sipas mendimit time vijnë si rezultat i akumulimit të të gjitha padrejtësive që janë kryer ndaj shoqërisë shqiptare gjatë epokës së errët:

Tarafet/nepotizmi/miku - janë fenomene që shfaqen si rezultat i skarcitetit të oportuniteve ekonomike dhe të mungesës së mundësisë së zgjedhjes. Ato kanë qenë gjithmonë prezent në shoqërinë shqiptare, të paktën deri andej nga fund vitet 40 kur Shqipëria mori ndihma dhe asistencë politike e ekonomike nga Bashkimi Sovjetik dhe Kina, një periudhë kur në Shqipëri filluan ndryshime rrënjësore shoqërore dhe këto fenomene u tkurrën mjaft. Ato rifilluan të shfaqen gjerësisht gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të regjimit komunist për shkak të izolimit të Shqipërisë dhe krizës ekonomike që pasoi, shpërthyen në mënyrë të jashtëzakonshme gjatë viteve 90-2000, dhe vazhdojnë fuqishëm edhe sot e kësaj dite, ndonëse me ritme disi më të ulta. Këto fenomene shfaqen kur nuk ka mjaftueshëm mundësi punësimi, kur burimet financiare tkurren dhe kur në shoqëri dominon ndjesia e pasigurisë. Është njësoj si loja me karrige. Kur ka më shumë lojtarë se karrige, në fund të muzikës, njëri do të mbetet gjithmonë pa karrige. Prandaj njerëzit bashkojnë forcat në mënyrat nga më të ndryshme dhe përpiqen të ndihmojnë njeri-tjetrin, në mënyrë që asnjëri to mos mbetet bosh.

Në kontekstin shqiptar, tarafi/nepotizmi/miku marrin një dimension krejt tjetër. Shumica e shqiptarëve kanë jetuar ose rrjedhin nga familje të cilat kanë ekzistuar nën sistemin shoqëror fisnor, ku lidhjet familjare e fisnore ishin thelbi i ekzistencës shoqërore dhe baza e mbijetesës. Në këtë drejtim, eksperienca e shqiptarëve me lidhjet familjare e me miqësitë është e paprecedentë. Këtu nuk ka asgjë të çuditshme e tronditëse. Është krejt a natyrshme që përballë sfidave të pakapërcyeshme ekonomike dhe pamjaftueshmërisë së madhe në punësim, njerëzit të kërkojnë ndihmën e njëri-tjetrit, të afërmeve ose miqve të ngushtë për të mbarua punë e për të rritur shanset e mbijetesës. Kur njeriu e gjen veten papritur në xhungël, miqësia dhe aleancat, qofshin këto mëkatare, bëhen mjeti i vetëm i mbijetesës.

Kjo ka qenë mënyra sesi shqiptarët kanë mbijetuar ndër shekuj. Ata nuk kanë pasur as shtete me ushtri të mëdha, as qytetërime me ekonomi të zhvilluar e skllavëri, as prona të pafundme fushore e burime të pashtershme financiare. Ata janë mbështetur tek njëri tjetri dhe tek lidhjet familjare e fisnore dhe ashtu kanë garantuar mbijetesën dhe vazhdimësinë e familjeve dhe fëmijëve të tyre.

Unë nuk jam avokat i këtij sistemi. Thjeshtë po analizoj një realitet, të cilin e konsideroj të hidhur. Natyrisht, ne mund të diskutojmë gjithë ditën e gjithë natën për variabilet dhe larminë e pafundme të rezultateve të këtij realiteti si dhe për sfidat e dilemat e shumta morale e ligjore me të cilat përballen këta njerëz, megjithatë në këtë diskutim një gjë do të mbetej konstante, - të kushtëzuar nga rrethanat e pa rrugëzgjidhje tjetër, janë me dhjetëra mijëra shqiptarë që me këto mënyra kanë ngritur shtëpitë, ndërtuar familjet e bizneset dhe kanë siguruar të ardhmen e tyre (sipas botëkuptimit të tyre). Tek e fundit, ç’vlerë të kanë llafollogjia e parimet e tepërta nëse nuk ke shtëpi ku të fusësh kokën e para me se të ushqesh fëmijët?

Cinizmi/mosbesimi/dyshimi - janë fenomene që shfaqen kur njerëzit zhgënjehen në mënyrë të vazhdueshme (në familje, në shkollë, në punë, në shoqëri, nga institucionet shtetërore) dhe humbasin besimin tek vlerat morale, dashamirësia, sinqeriteti, drejtësia, mirëkuptimi dhe vullneti pozitiv i njerëzve. Ky fenomen, shqiptarëve të kohëve moderne nuk i ka munguar asnjëherë. Por në shoqërinë shqiptare të Shqipërisë, ky fenomen u zhvillua tmerrësisht shumë gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të diktaturës komuniste, periudhë gjatë së cilës shqiptarët jetonin të izoluar, në varfëri dhe nën një regjim diktatorial inefiçent që tjetër propagandonte, e tjetër bënte. Cinizmi ekstrem vazhdoi të dominojë gjerësisht mentalitetin shqiptar të viteve 90, sidomos gjatë ngritjes dhe rënies së skemave piramidale, deri në momentin kur drejt Shqipërisë u dyndën shqiptarët e Kosovës, të cilët kishin nevojë të menjëhershme për dhembshuri, ndihmë dhe mirëkuptim. Që pas ngjarjeve të luftës së Kosovës, dhe me ardhjen e përvitshme të dhjetëra mijërave pushuesve Kosovarë drejt Shqipërisë, por edhe me rritjen e brezave të rinj, e sidomos me përhapjen e gjerë të internetit, mentaliteti i cinizmit ekstrem filloi të zbehet gradualisht e t’i lërë hapësirë shpresës, nevojës për mirëkuptim dhe dëshirës për t’i parë problemet me optimizëm, paçka se ato të para vazhdojnë të jenë ende shumë prezent në jetën tonë të përditshme, sidomos tek politika dhe institucionet shtetërore.

Mllefi/frustracioni/indiferenca - janë fenomene që ndjekin njëra tjetrën e që shfaqen kur njerëzit bëhen viktima permanente të rrethanave pa pasur mundësi që të ndryshojnë ndonjë gjë. Në fillim njeriun e pushton mllefi ndaj një ose disa padrejtësive që i bëhen atij. Pastaj mllefin e zëvendëson frustracioni për shkak të pamundësisë për të zgjidhur problemin ose për të ndryshuar ndonjë gjë. Dhe në fund frustracioni zëvendësohet prej indiferencës, që vjen si rezultat i dorëzimit ndaj fatit, i cili duket se është më i fuqishëm se individi. Njerëzit mësohen me prezencën dhe dominimin e padrejtësive dhe kjo i bën ata apatikë dhe jo reaktivë kur vjen çështja për të reaguar për të mbrojtur interesin e përbashkët.

Tahmaja/arroganca/zilia - janë fenomene që shfaqen kur njerëzit rriten e edukohen në ambiente sociale e ekonomike armiqësore, ku sundon pasiguria financiare e për pasojë qëllim i vetëm në jetë bëhet akumulimi i pasurisë me çdo lloj mjeti. Në këtë kontest, më kanë bërë gjithmonë shumë përshtypje, sidomos nga brezat e rinj, djem e vajza të shkolluar jashtë shtetit, me specializime e me mastera, të cilët nëpërmjet partive e tarafeve kanë zënë poste kyçe në institucione shtetërore dhe kanë ndërtuar lloj-lloj skemash për të vjedhur e për të abuzuar me paratë e qytetarëve shqiptarë. Shiko shkrimin me titull "Pse duan të rinjtë e diplomuar nga Shqipëria - pjesa e dytë".

Do ta kuptoja disi nëse këta individë do të kishin qenë njerëz të pa shpresë, me eksperienca të hidhura nga koha e komunizmit, gjysmë të shkolluar dhe analfabetë funksionalë. Po të rinjtë të shkolluar jashtë shtetit!? Si është e mundur të investosh aq shumë para për të marrë arsim e dije me qëllimin e vetëm për të vjedhur? Si është e mundur që njohuritë e marra në shkollë nuk i bënë këta njerëz më të mirë, më të ndërgjegjshëm e më konstruktivë? Çfarë emërtimi ti vëmë këtij fenomeni? 

Unë kam dalë në përfundimin se këta njerëz janë rritur në ambiente toksike, ku kanë sunduar varfëria shpirtërore e financiare, padija e zilia dhe janë edukuar me qëllimin e vetëm për të fituar sa më shumë pasuri, në kohën më të shkurtër, pa kthyer gjë mbrapsht, pa dhënë asnjë kontribut, dhe duke mos e kuptuar shpërblimin financiar si koncept të shkëmbimit me një pune të kryer mirë. Me pak fjalë, këta njerëz janë rritur e edukuar si hajdutë të shkolluar profesionistë. Dhe sa më e madhe pasiguria për të ardhmen, aq më i madh numri i njerëzve që do të rriten në ksi soj ambientesh. Në shkrimin me titull “Si zhvillohet korrupsioni me tenderat e mëdhenj?” kam shtjelluar në detaje mënyrën se si funksionojnë këta individë dhe si veprojnë në administratën shtetërore.

Këto nuk janë fenomene vetëm të shoqërisë shqiptare. Kush më shumë, e kush më pak, të gjitha shoqëritë vuajnë prej tyre. Por në kushte të izolimit politik, ekonomik e social kulturor, këto fenomene shfaqen më të egra e më shkatërruese në Shqipëri. Ato fillojnë shpërndahen si kancer dhe infektojnë në mënyrë të pashmangshme çdo aspekt të jetës së përditshme, çdo fushë, çdo komunitet, çdo institucion e çdo familje.

Comments

Shkrimet më të lexuara të muajit

Pse u konvertuan shqiptarët në myslimanë?

Epoka e errët shqiptare

Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj?