A kanë qenë shqiptarët historikisht të përçarë?

Sa herë që bëhen diskutime publike për historinë politike të shqiptarëve dhe Shqipërisë, shumë analistë e historianë shqiptarë (e të huaj) ngrenë çështjen e përçarjes ideologjike e politike si një nga problemet kryesore të shqiptarisë dhe arsyetojnë se, fatkeqësisht, kjo “përçarje” e supozuar na paskësh qenë pikërisht shkaku i fatkeqësive të shumta që i kanë ndodhur popullit shqiptar ndër shekuj. Ata kanë mbrojtur tezën se nëse shqiptarët do të kishin pas qenë të “unifikuar” ideologjikisht e politikisht si të tjerët (???), atëherë medoemos edhe Shqipëria sot do të kish qenë Shqipëria etnike, e zhvilluar ekonomikisht dhe e përparuar në të gjitha fushat e jetës.
Në pamje të parë koncepti i unifikimit ideologjik e politik tingëllon si diçka që ka kuptim dhe që mund të arrihet, të paktën kështu na është propaganduar gjithnjë, sidomos kur merr formën e një qëllimi idealist të bashkimit përfundimtar kombëtar, për të cilin të gjithë shqiptarët duhet të luftojnë për ta përmbushur. Mirëpo a është ky një fenomen natyror dhe a është i mundur të arrihet? A është e mundur të bindësh një popull të tërë, ose shumicën e tij, që të ndjekë një ideologji e të ketë një mendim të vetëm për të gjitha çështjet politike, ekonomik e social-kulturore? Çfarë thotë historia për këtë çështje? A ka në të vërtetë ndonjë popull tjetër që e ka arritur këtë fenomen në lashtësi, mesjetë apo në kohët moderne? A kanë qenë vërtetë popujt e tjerë më të bashkuar se shqiptarët?
Përgjithësisht, në narrativën e analistëve të historisë së shqiptarëve, si shembujt e unifikimit ideologjik e politik të popullit merren fqinjët tanë dhe historia e tyre imperialiste. Jo rrallë herë kemi dëgjuar në diskutime për aftësinë e tyre për të ngritur perandori, apo për rolin e rëndësishëm që kishat e tyre na paskëshin luajtur për bashkimin e popullit nën një ideologji të vetme nacionaliste. Por a është ky krahasim i vërtetë?
Historia tregon se asnjë nga qytetërimet e lashta e moderne nuk është zhvilluar si rezultat i unifikimit ideologjik e politik të një populli me bazë etnie. As perandoritë, as mbretëritë, as institucionet fetare, e as ndonjë lloj forme tjetër organizimi shoqëror që njeh bota. Ato janë mbështetur gjithmonë tek superioriteti numerik e ekonomik, dhuna, pushtimi, mposhtja, grabitja e burimeve natyrore, shfrytëzimi, mosbarazia dhe skllavëria. Të tilla kanë qenë qytetërimi i lashtë grek, perandoria romake*, Bizanti, perandoritë bullgare e serbe, perandoria osmane, perandoritë e krishtera evropiane, e kështu me radhë.
*Qytetërimi helen dhe romak kanë funksionuar gjerësisht në bazë të rendit skllavopronar, sipas të cilit të drejtat qytetare kishin vetëm të pasurit me toka, ndërsa të tjerët ishin ose në shërbim të këtyre, ose skllevër.
Në shkrimin me titull “Pse nuk e krijuan shqiptarët shtetin e tyre mesjetar”, unë kam përshkuar me detaje rrethanat në të cilat u krijuan perandoritë sllave në Ballkan dhe arsyet pse shqiptarët nuk mund të bënin të njëjtën gjë. E thënë me dy fjalë, konkluzioni i shkrimit është ky: për shkak të murtajës së Justinianit dhe dyndjeve avaro-sllave gjatë shekujve VI dhe VII, gjatë së cilave pjesa më e madhe e popullsisë autoktone ballkanase u shfaros, ata pak arbërorë që i kishin mbijetuar valës shkatërruese u detyruan të tërhiqen në malet e Shqipërisë e të fillojnë procesin e ripërtëritjes e rikuperimit të popullsisë. Ky proces zgjati plot 400-500 vjet.
Po ashtu, në shkrimin me titull “Pse nuk arritën shqiptarët në mesjetë të krijojnë kishën e tyre autoqefale”, unë kam analizuar rrethanat në të cilat u krijuan kishat autoqefale sllave dhe arsyet pse shqiptarët nuk mund ta krijonin kishën "e tyre". Edhe në këtë rast konkluzioni është pak a shumë ai: pamundësia për të krijuar perandori, për shkak të popullsisë së vogël, sillte rrjedhimisht edhe pamundësinë për të krijuar kishë autoqefale.
Ndërsa në shkrimin me titull “Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj”, unë kam analizuar rrethanat në të cilat u organizua dhe u zhvillua lufta e pavarësisë së Greqisë dhe politikat e fuqive të mëdha që qëndronin pas saj. Arsyeja pse Shqipëria e fitoi pavarësinë pothuajse 100 vjet më vonë dhe e copëtuar në 5 pjesë nuk ka aspak të bëjë me paaftësinë e shqiptarëve për të vepruar të bashkuar politikisht e ideologjikisht, gjë që ata e bënë në formën më origjinale e më të suksesshme të mundshme, por me faktin që në epokën e ideologjive imperialiste të shekullit të XIX-të e XX-të, shqiptaria dhe shqiptarët nuk u futën në axhendën e asnjërës prej fuqive të mëdha evropiane, në të njëjtën mënyrë siç ishin futur neo-helenizmi dhe pansllavizmi.
Historia vërteton se nuk ka asnjë periudhë në historinë e Ballkanit, gjatë së cilës mund të vërehet ndonjë bashkim i veçantë apo unifikim ideologjik e politik i ndonjë prej popujve ballkanikë. Grekët, serbët, bullgarët, kroatët, rumunët, e gjithë të tjerët, jo vetëm që kanë fituar pavarësinë me ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të Rusisë cariste e perandorive të tjera, por janë përçarë, janë vrarë e janë prerë me njëri tjetrin në të gjitha periudhat historike, sidomos atë moderne, në të gjitha format e për çdo lloj arsyeje të mundshme, edhe gjatë luftërave për pavarësi*, edhe gjatë dy luftërave botërore, edhe gjatë komunizmit, edhe pas komunizmit. Shoqëritë e këtyre vendeve kanë qenë po aq të përçara e të konfliktuara sa edhe çdo shoqëri tjetër në botë. Mjafton të përmendim luftën civile greke në vitet 1945-1949, ose luftën e Bosnjës, ku popullsi që flisnin ekzaktësisht të njëjtën gjuhë e kishin jetuar deri në atë moment në paqe me njëra tjetrën, u vranë e u prenë për shkak të fesë.
*Shiko shkrimin me titull "Skënderbeu - pasaporta europiane e shqiptarëve".
Madje unë do të argumentoja se në këtë kontekst, duke bërë krahasimin me popujt e tjerë, populli shqiptar, në mënyrë krejt të natyrshme e për arsye jo ideologjike, ka qenë populli më i bashkuar e më i unifikuar që ka njohur historia e Evropës. Ndryshe nga sllavët, grekët, italianët, etj, të cilët janë sunduar përgjithësisht me forcën e armëve e të kishës, shumica e shqiptarëve kanë qenë historikisht të organizuar në sistemin shoqëror vetë rregullues fisnor.
Organizim shoqëror fisnor, bashkë me të drejtën zakonore, janë fenomene unike dhe të ndryshme nga çdo lloj organizimi tjetër shoqëror në historinë e Evropës. Studiues të ndryshëm kanë arsyetuar se e drejta zakonore e ka zanafillën me Ilirët, ndërsa të tjerë kanë shkuar edhe më tej dhe kanë evidentuar elemente të epokës së bronzit, e madje edhe nga epokat prehistorike indo-evropiane. Sipas një llogarie të thjeshtë i be që organizimi shoqëror fisnor dhe e drejta zakonore shqiptare mund të ketë ekzistuar në mënyrë të pandërprerë, pa frikë, që këtu e 3500 - 4000 vjet përpara. Kjo e bën kodin kanunor, realisht, kodin ligjor më të vjetër në botë, dhe shqiptarët, popullin që ka jetuar më gjatë nga të gjithë popujt e tjerë në unitet e nën një sistem të pandërprerë të kodifikuar ligjesh. Qytetërimet, ideologjitë, perandoritë e mbretëritë kanë ardhur e kanë ikur, shqiptarët dhe sistemi i tyre shoqëror ka mbetur gjithnjë i pandryshuar. Kjo për mendimin tim është forma më e qartë dhe më e pastër e bashkimit jo ideologjik të një populli.
Por aspekti më interesant i këtij organizimi nuk është aq vjetërsia e kodit se sa natyra vetërregulluese e tij. Kodi kanunor është i ndërtuar në mënyrë të tillë që të funksionojë pa nevojën e një pushteti qendror, pa polici e pa gjykata. D.m.th., të gjithë pjesëtarët e komunitetit janë njëkohësisht edhe ndjekësit, edhe zbatuesit e ligjit; pra edhe qytetari, edhe polici, edhe gjykata. Kjo do të thotë se komuniteti fisnor që qeverisej me anë të kodit kanunor nuk kishte nevojë as për mbret, as për princ e as për ndonjë figurë tjetër autoritare që të sundonte me pushtet absolut mbi të gjithë popullsinë pasi ishte në gjendje të funksiononte plotësisht i pavarur.
Madje sistemi fisnor shkon edhe më larg. Është trumbetuar me të madhe nga studiuesit evropianë se themelet e demokracisë moderne janë hedhur në Greqinë e lashtë, për shkak se në shoqërinë helene të qytet shteteve populli (demosi) kishte të drejtën e votës për çështjet politike e ekonomike të qeverisjes së shtetit. Mirë, dakord. Nga këndvështrimi historik i shoqërisë moderne kjo është ndoshta e vërtetë. Megjithatë, ajo që adhuruesit e helenizmit lënë si gjysmë në hije kur flasin për çështjen e demokracisë helene është fakti që qytetarët helenë me të drejtë vote ishin vetëm një grup relativisht i vogël brenda popullsisë së qytet shtetit. P.sh. shoqëria athinase (e sidomos ajo spartane) ishte e ndarë në klasa ku nuk mungonin as skllevërit dhe as bujkrobërit, shtresa të cilat kishin shumë pak ose aspak të drejta. Këto shtresa nuk kishin asnjë të drejtë vote dhe ishin tërësisht në dorë të sunduesve të tyre.
Për krahasim, sistemi shoqëror fisnor shqiptar nuk i njeh konceptet e shfrytëzimit, skllavërisë, ndarjes në klasa shoqërore dhe sundimin e pakicës ndaj shumicës. Në sistemin fisnor, të gjithë pjesëtarët e komuniteti janë të lirë dhe, si të thuash, zot në tokat e tyre. Askush nuk ka të drejtë të ndërhyjë në çështjet financiare, menaxhimin e tokës dhe prodhimin bujqësor të familjes, t’i vërë gjoba e taksa atij apo ta detyrojë pjesëtarin e komunitetit që të bëjë një punë të papaguar ose pa dëshirën e tij. Për më tepër, çdo kryefamiljar ka të drejtën të japë mendimin e vet në kuvend dhe të gjitha vendimet politike merren me konsensus të plotë.
Pra, ndryshe nga qytetërimet e lashta e moderne, në thelb të të cilave ka qenë sundimi, shfrytëzimi, e skllavëria, shoqëria shqiptare ka funksionuar e pandryshuar dhe në bazë të vullnetit të lirë të të gjithë pjesëtareve të saj. Për mendimin tim, kjo është forma më e pastër e demokracisë dhe barazisë në një shoqëri njerëzore me prejardhje nga lashtësia. Ky fenomen shpjegon edhe arsyen pse shqiptarët kanë preferuar që të jetojnë brez pas brezi në sistemin shoqëror fisnor, pavarësisht faktit se kanë qenë gjithnjë të rrethuar nga qytetërimet më të mëdha e më të rëndësishme të Evropës. Siç duket, dëshira për të jetuar në një sistem relativisht demokratik dhe të pavarur i ka bërë ata që të ruajnë me fanatizëm sistemin e tyre shoqëror e bashkë me të edhe jetën e thjeshtë e shpesh herë të varfër fshatare.
Por sistemi fisnor nuk ka tipar dallues vetëm aspektin demokratik. Fisi ka qenë edhe një formë unifikimi e bashkimi në kohën kur konceptet e kombit dhe nacionalizmit nuk ekzistonin. Nëpërmjet fisit shqiptarët mbronin njëri tjetrin, i vinin në ndihmë atij që kishte nevojë dhe të bashkuar ata mund t’i bënin ballë çdo sfide e çdo fuqie të huaj. Në sajë këtij bashkimi ata kanë arritur t’i mbijetojnë asimilimit romak, sllav, bizantin, madje edhe atij osman, duke ruajtur gjithmonë të paprekur sistemin e tyre shoqëror dhe thelbin e ekzistencës së tij - lirinë e pavarësinë.
Edhe pasi në Ballkan u krijuan shtetet kombe, të gjitha me nxitjen dhe mbështetjen e Rusisë cariste, shqiptarët ishin të vetmit të cilët e ndërtuan shtetin e tyre mbi bazat e një identiteti etnik të vërtetë e të sinqertë popullor. Ndërkohë që shtetet si Greqia e Serbia importuan nga Evropa e krishterë, veçanërisht Rusia, identitete etnike të sajuara të bazuara tek ideologjitë fetare e imperialiste, si neo-helenizmi dhe serbo-madhështia, shqiptarët e krijuan shtetin e tyre mbi bazat e etnisë, gjuhës dhe zakoneve të popullit; mbi bazën e çështjeve njerëzore si prona, lidhjet e gjakut, historia e përbashkët, gjuha e nënës, doket, zakonet, etj., koncepte të cilat në botën e zhvilluar perëndimore kanë filluar të marrin vlerë ideologjike vetëm këto dekadat e fundit.
Shoqëria shqiptare ka edhe një tipar shumë pozitiv dhe krejt të veçantë që nuk e ka pasur asnjë shoqëri tjetër evropiane, i cili në kushte normale do të ishte një avantazh shumë i madh për ne - shoqëria shqiptare nuk i thith dhe nuk ndikohet nga ideologjitë shterpe që ndjellin konflikte dhe dasi mes komuniteteve fetare, etnike e kulturore, siç kanë qenë për shembull antisemitizmi, radikalizmi fetar, supremacizmi, urrejtja ndër-etnike, racizmi, fashizmi, etj. Praktikisht nuk ka asnjë periudhë të historisë së shqiptarëve në të cilën ata të kenë pasur ndonjë konflikt ideologjik me njëri tjetrin apo me të tjerët, qoftë ky fetar, politik, kulturor apo social, e të jenë angazhuar në masakra e spastrime kundër komuniteteve të tjera për shkaqe ideologjike e religjioze. Dhe ky fakt nuk vjen prej injorancës apo primitivizmit të shqiptarëve, siç mund të pretendojnë disa, por është rezultat i drejtpërdrejtë i parimeve të trashëguara të bashkëjetesës dhe mungesa e parimeve të shfrytëzimit e shtypjes nën sistemin shoqëror fisnor, i cili nëse do të kishte pasur mundësinë të zhvillohej natyrshëm, mund të kish shërbyer ndoshta si farë për lulëzimin e një qytetërimi të mirëfilltë me influencë globale. Shpëtimi i hebrenjve nga kthetrat naziste është shembulli ideal i këtij këtij arsyetimi.
Përçarja e supozuar ideologjike e politike e shqiptarëve nuk është shkaku tek i cili duhet të gjejmë rrënjët e varfërisë së sotshme ekonomike, politike e social kulturore të shqiptarisë. Asnjë popull nuk ka qenë ndonjë herë i bashkuar e i unifikuar ideologjikisht dhe diversiteti në mendim e këndvështrime, si dhe konfliktet shoqërore që lindin prej tyre, janë fenomene krejt normale të njerëzimit. Përkundrazi, historia ka treguar se brenda diversitetit, popull më të bashkuar se shqiptarët nuk ka pasur ndonjëherë, as në Ballkan e asgjëkundi tjetër. Një bashkim i natyrshëm, jo ideologjik, jo fetar, dhe i bazuar tërësisht në marrëdhëniet e interesat më të thjeshta njerëzore.
Tek shqiptarët nuk kanë munguar asnjëherë tentativat për të dalë në mbrojtje të lirisë, identitetit, familjes, pronës dhe mënyrës e jetesës kur këto janë cenuar nga fuqitë e huaja imperialiste e anti-shqiptare. Duke filluar që nga kryengritjet e viteve 1830-78, Lidhja e Prizrenit, lufta për pavarësinë e Shqipërisë, lufta e 1920s, lufta Nacional Çlirimtare e deri tek lufta e Kosovës dhe Maqedonisë, shqiptarët kanë marrë armët dhe kanë ngritur fort zërin në mbrojtje të interesave të tyre, që edhe pse i vogël, ka arritur deri në instancat më të larta të politikës evropiane e botërore dhe u ka shkaktuar shumë pengesa e dëme operatorëve të tyre ballkanikë, paçka se ky zë është injoruar qëllimisht prej tyre.
Prandaj, nga arsyetimi i mësipërm mund të dalim në përfundimin se konceptet që shumë analistë e historianë shqiptarë e të huaj kanë për zhvillimet historike të Ballkanit dhe ndikimin e tyre në historinë e shqiptarëve janë të krejt të gabuara, të keqinterpretuara e të bazuara në argumente të propagandës anti-shqiptare. Dhe se sa më shumë të promovohen këto koncepte të gabuara nëpër libra, media e portale, aq më shumë rritet psikoza e urrejtjes dhe vetëpërçmimit që shqiptarët do të kenë për identitetin, kulturën dhe historinë e tyre, fenomen ky që tashmë është bërë pjesë e kulturës dhe e ndërgjegjes sonë shoqërore dhe që shprehet në të gjitha format e nga të gjitha shtresat e popullsisë. Mungesa e një narrative racionale dhe zbërthimit të ngjarjeve tragjike të këtyre 150 viteve të fundit ka bërë që botëkuptimi i një shqiptari të zakonshëm për vendin, popullin, kulturën dhe identitetin e vet të jetë i mbushur me disfatizëm, dëshpërim, pakënaqësi permanente dhe mungesë të theksuar shprese e vizioni për të ardhmen.
Shqiptarët nuk kanë qenë asnjëherë më "të përçarë" se çdo popull tjetër në historinë e njerëzimit. Ata kanë qenë të sulmuar e të izoluar politikisht, ekonomikisht dhe kulturalisht për më shumë se një shekull, nga të gjitha anët e nga forca shumë më të mëdha nga ç'mund të përballojë normalisht një popull i vogël, dhe në këtë kontekst, shqiptarët jo vetëm që i kanë rezistuar përçarjes, por në atë thjeshtësinë e tyre jo ideologjike dhe brenda diversitetit normal të një shoqërie, kanë treguar aftësi të jashtëzakonshme bashkimi e uniteti të veprimit politik sa herë që ka dalë nevoja.
E vërteta është se në kohët moderne nuk ka asnjë arsye pse shqiptarët (apo kushdo tjetër) duhet të jenë të bashkuar e të unifikuar rreth një ideologjie të vetme politike pasi ky koncept bie katërcipërisht ndesh me natyrën njerëzore dhe evolucionin shoqëror. Përkundrazi, është krejt normale që njerëzit të kenë mendime të ndryshme për çështje të ndryshme politike e social kulturore dhe të reagojnë në forma të ndryshme ndaj situatave politike e ekonomike, sidomos kur ato kanë të bëjnë me sigurinë dhe të ardhmen e gjithsecilit. Është pikërisht kjo larmi mendimesh e qasjesh, zgjedhjesh e eksperiencash ajo që garanton zhvillimin e shoqërisë dhe përparimin e saj. Diversiteti është ai që mundëson rrahjen e mendimeve, gjetjen e zgjidhjeve, përmirësimin, zhvillimin e proceseve, inovacionin, etj.
Rrënjët e problemeve historike të shqiptarisë nuk duhen kërkuar tek "përçarja" e shqiptarëve dhe "paaftësia" e tyre për tu bashkuar, por tek forcat madhore politike e ideologjike të shekujve XIX-të e XX-të, me të cilat shqiptarisë i duhej të përballej por me të cilat, fatkeqësisht, nuk matej dot.
Pergezime per shtjellimin e shkrimeve sipas llogjikes dhe duke ju shmangur dogmave ballkanike. Pajtohem me shumicen e shkrimit, po mendoj se kur flitet per percarjen ndermjet shqiptareve ceshtja nuk mund te shikohet ne izolim vetem ne ate territor qe mbeti si Shqiperi. Percarjet me famekeqe mes shqiptareve ndodhen jashte kufijve te Shqiperise se sotme dhe perfunduan ne humbje te medha territoriale ndaj fqinjeve.
ReplyDeletePercarja me e madhe ishte ajo qe kulminoi me Revolucionin "Grek" te 1821, qe mund ta quajme edhe nje "Lufte Civile Shqiptare", sepse shumica e luftetareve nga te dy anet ishin shqiptare etnike (ortodokse dhe myslimane). Pa dyshim termi lufte civile shqiptare perdoret thjesht si ilustrim nga ana ime, se lufta aty s'behej per komb-shtete po si nje lufte e krishtereve multi-etnike te Greqise se sotme kundra nje perandorie multi-etnike myslimane. Po fakti eshte se shumica e luftetareve nga te dy anet ishin shqiptare etnike.
Nje percarje tjeter famekeqe filloi me sllavizimin e shume fiseve malesore shqiptare dhe perfundoi ne ate qe sot quhet kombi malazez.
Pajtohem se keto percarje s'kishin per te ndodhur ne kete forme pa shtytjen dhe financimin e fuqive te medha qe kishin per qellim dobesimin e perandorise osmane. Gjithashtu pajtohem me mendimin se percarjet mes shqiptareve nuk ishin ndryshe nga ato neper popujt e tjere, po rezultati tek ne (humbja territoriale) ishte me e thelle sepse nxitja dhe trysnia nga jashte ishin shume me te forta se tjeterkund.