A kishte "Perëndim" pas luftës së dytë botërore?


Komunistët akuzohen shpesh se çështja e lidhjes së marrëdhënieve të ngushta me botën komuniste/lindore ishte një çështje zgjedhjeje dhe jo e imponuar nga rrethanat. Pra, për arsye që nuk dihen, ata na paskëshin dashur më shumë sllavo-bolshevizmin e më vonë Kinën se sa perëndimin. Po çfarë ishte perëndimi pas luftës? A ishte në atë kohë perëndimi që njohim sot? A përfaqësonte ai "perëndim" të njëjtat vlera që përfaqëson sot apo edhe në vitet 90? Le ta analizojmë situatën me sytë e kohës.

Vendi më i afërt "perëndimor" me Shqipërinë pas lufte ishte Greqia, një shtet që, para se të sulmohej nga forcat e Boshtit, ishte një shtet fashist dhe që gjatë Luftës Italo-Greke e aneksoi Vorio-Epirin de facto. Një shtet, qeveria e të cilit në vitet 1942–1944 i quante shqiptarët egërsira. Një shtet që në vitet 1945–1949 kaloi një luftë të tmerrshme civile; që në vitin 1945 dëboi 50,000 civilë çamë nga trojet e tyre dhe nuk i pranoi më që të ktheheshin; që në vitin 1946, në Konferencën e Paqes në Paris, kërkoi rishikimin e kufijve me Shqipërinë dhe që në vitin 1949 e sulmoi ushtarakisht atë. Një shtet në të cilin ushtarakët bënë puç shteti dhe që në vitin 1974 nxiti dhe mbështeti luftën dhe masakrat kundër civilëve të etnisë turke në Qipro.

Vendi tjetër perëndimor me Shqipërinë ishte Italia, shteti që vetëm para gjashtë viteve, si fuqi e Boshtit që ishte, nën siglën e megalomanisë fashiste të Duçes, ia kishte rrëmbyer Shqipërisë pavarësinë mediatikisht me forcën e armëve për herë të dytë brenda 20 vjetësh, duke shkelur me të dyja këmbët lirinë dhe sovranitetin e popullit shqiptar, duke e rifutur atë sërish në qorrsokakët e politikave ballkanike e europiane e duke sjellë këtu vdekje dhe varfëri. Një shtet që shumë shpejt, me ndihmën e Amerikës, ra sërish në duart e kastës së vjetër politike, një kastë që për Shqipërinë jo vetëm që nuk ushqente asnjë lloj dashurie, por që edhe e shihte me përçmim. Një shtet, partia komuniste e të cilit ishte partia e dytë në parlament dhe që, kur erdhi puna për marrëdhënie reciproke, e pengoi qeverinë italiane të lidhte marrëdhënie tregtare me Shqipërinë sepse i mbetej hatri Bashkimit Sovjetik.

Vendi tjetër "perëndimor" ishte Gjermania e thyer naziste, fuqia kryesore e Boshtit, vendi që i dha pushtetin Hitlerit të shfaroste 6 milionë çifutë, shkatërrimtarja e gjithë Europës, ushtarët e të cilës i kishin ende duart të lyera me gjakun e miliona martirëve dhe çizmet me baltën e patharë të vendeve që kishin shtypur; një shtet që për shumë vite nuk dinte ku kishte kokën e vet sepse ishte ndarë në katërshe nga aleatët. Dekreti për përfundimin e gjendjes së luftës mes Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë dhe Republikës Demokratike të Gjermanisë u miratua vetëm më 1955, dhjetë vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

Më tutje ishte Franca, një fuqi asokohe ende diktatoriale kolonialiste, që ende mbante koloni në Afrikë, që nuk ushqente asnjë mirëkuptim për pavarësinë e popujve të vegjël dhe mbështetëse e përhershme e epsheve imperialiste greke e veçanërisht serbe në Ballkan.

Dhe në fund kemi Spanjën, një vend zyrtarisht fashist, që sapo kishte dalë nga lufta civile dhe Shqipërinë as që e kishte marrë ndonjëherë në konsideratë.

Siç mund të shohim nga sa më sipër, të vetmit përfaqësues të "Perëndimit" në vitet '40 ishin Perandoria Britanike dhe Amerika. Perandoria Britanike ishte perandoria më e madhe në historinë e njerëzimit, fuqia kryesore diktatoriale kolonialiste, që ashtu si Franca, nuk ushqente asnjë lloj dashurie e mirëkuptimi për lirinë dhe pavarësinë e popujve të vegjël, por që përkundrazi, as nuk besonte që këta duhet të ekzistonin sepse bëheshin shembuj të rrezikshëm për lëvizje separatiste. Një shtet që me syleshësinë e saj tipike imperialiste u la peshqesh ish-kolonive të saj konflikte që zgjatën me dekada e që mbeten të pazgjidhura ende edhe sot: konflikti izraelito-palestinez, konflikti greko-turk në Qipro, konflikti hindo-islamik në Indi e Pakistan etj. Një perandori që mbajti dhe vazhdon të mbajë koloni të tipit çiban në territoret e vendeve të huaja në të katër anët e botës, si Hong-Kongu, Singapori, Gjibraltari, Qiproja etj.

Perandoria Britanike ishte një shtet që kishte qenë instrumental në krijimin e shtetit të pavarur shovinist grek dhe që vazhdonte të mbështeste me angazhim të plotë dhe agresivitet interesat e tij ndaj Shqipërisë. Një shtet që ia njohu Greqisë territorin e pushtuar gjatë Luftës Italo-Greke; që planifikonte ndarjen e Shqipërisë pas lufte; që organizoi incidentin e Kanalit të Korfuzit; që mbështeti në Konferencën e Paqes në Paris propozimin grek për rishikimin e kufijve me Shqipërinë me argumentin se Shqipëria na paskësh qenë aleate me forcat e Boshtit dhe që mbështeti ushtarakisht e financiarisht sulmin ushtarak grek ndaj Shqipërisë në vitin 1949, dhe disa mijëra provokime në kufijtë mes dy vendeve.

Ndërsa matanë oqeanit ishte Amerika, e cila në atë periudhë shkonte qorrazi pas qerres politike britanike për çdo gjë që kishte të bënte med Shqipërinë. Një shtet që sapo kishte hedhur dy bomba atomike në Japoni, prej të cilave brenda pak minutave ishin shfarosur më shumë se 100 mijë civilë të pafajshëm; që u përfshi ushtarakisht në disa konflikte të armatosura në Lindjen e Largët; që ishte krejt indiferente ndaj interesave të shqiptarëve; që dha një kontribut parësor financiar e ushtarak në sulmin grek ndaj territorit shqiptar në vitin 1949 dhe që e përdori Shqipërinë si laborator eksperimentesh për të përsosur taktikat e përmbysjes së qeverive kundërshtare me Uashingtonin, pa marrë parasysh pasojat katastrofike që mund të kishin këto veprime në sigurinë e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në rajon.

Ky ishte Perëndimi i vërtetë në vitet e pasluftës dhe jo ai Perëndimi i NATO-s dhe i Bashkimit Europian, i integrimit dhe bashkëpunimit rajonal, i demokracisë dhe mirëqenies që njohim sot. Këtij Perëndimi iu deshën 4–5 dekada dhe reforma të thella e të gjithanshme demokratike, shumë lëvizje popullore të majta dhe përmbysja e sistemeve e botëkuptimeve të vjetra që të merrte formën që ka sot, që prapëseprapë është ende larg së qeni një fole e ngrohtë për shqiptarët. Ky ishte Perëndimi që nuk ngriti as gishtin kur tanket sovjetike u lëshuan nëpër rrugët e Hungarisë e të Çekosllovakisë. Ky ishte Perëndimi që për 4 dekada e lau dhe e leu Jugosllavinë e Titos me ndihma e kredi, por nuk tha asnjëherë asnjë gjysmë fjale për shtypjen dhe shkeljen e të drejtave të shqiptarëve të Jugosllavisë.

Fatkeqësisht, Shqipëria nuk mund të bëhej pjesë e këtij Perëndimi. Jo se s'donin komunistët, por sepse nuk ishin pjekur ende kushtet politike e social-ekonomike për t'i pranuar shqiptarët si të barabartë. Nuk mund të kishte vend për shqiptarinë e lirë në një Europë të egër imperialiste që kishte dalë nga një masakër e ndërsjellë e përmasave globale. Ishin po ato perandori që për epshet e tyre imperialiste kishin sakrifikuar 20 milionë njerëz në Luftën e Parë dhe 75 milionë njerëz në Luftën e Dytë Botërore.

Fuqitë e mëdha europiane duhet të zgjidhnin më parë problemet me njëra-tjetrën, që pastaj të zgjidheshin edhe problemet e Ballkanit e të shqiptarisë. Ishin ato që duhet t'i jepnin fund ideologjive shoviniste, antiislamizmit dhe imperializmit territorial në Europë. Dhe këto nuk mund të arriheshin me marrëdhënie të thjeshta diplomatike e ekonomike. Vetë fuqive kapitaliste europiane iu deshën dekada për të sheshuar të gjitha konfliktet mes tyre e për të ardhur në një mendje.

In vitin 1949 u krijua Këshilli i Europës me qëllim garantimin e të drejtave të njeriut, demokracisë dhe sundimit të ligjit, në të njëjtin vit kur Greqia sulmoi ushtarakisht Shqipërinë me ndihmën e Amerikës e të Perandorisë Britanike dhe asistencën e aleatëve të tyre rajonalë si Italia dhe Jugosllavia. Në vitin 1957 disa nga vendet më të pasura (Italia, Belgjika, Franca, Luksemburgu, Vendet e Ulëta dhe Gjermania Perëndimore) krijuan Komunitetin Ekonomik Europian, ndërkohë që dekolonizimi i plotë i Afrikës u arrit vetëm në vitin 1960. Do të duhej të zgjidheshin një sërë problemesh dhe të bëheshin një numër marrëveshjesh derisa të vinte viti 1967, kur organizatat e bashkëpunimit europian të themelonin atë që sot quhet Bashkimi Europian. Britania, Danimarka dhe Irlanda u pranuan në vitin 1973, ndërsa Greqia u pranua në vitin 1981. Në vitin 1995 u pranuan Austria, Finlanda dhe Suedia, në të njëjtin vit që përfundoi edhe lufta në Bosnjë.

Si për të përforcuar argumentin, këtë të fundit europianët e lanë në mëshirë të fatit dhe të kriminelëve serbë, pavarësisht faktit që komunizmi kishte rënë dhe Jugosllavisë i kishte ardhur fundi. Pse nuk ndërhyri "Perëndimi" në Bosnjë pa filluar ende vrasjet? Pse i la të masakroheshin me mijëra njerëz? Aty nuk kishte as Enver Hoxhë, as komunizëm stalinist. Sepse, ashtu si në Shqipëri e në Kosovë, atje ishin sërish myslimanët që do të mbanin barrën kryesore të urrejtjes shoviniste serbe dhe europianëve aq u bënte. Për ta Bosnja nuk kishte asnjë interes, ashtu siç nuk kishte interes as Shqipëria. U desh të ndërhynte Amerika që t'i vinte fund luftës atje dhe në Kosovë.

Derisa të piqeshin kushtet për paqe në Ballkan, Shqipëria nuk mund të bënte asgjë tjetër veçse të xhonglonte sa nga njëra aleancë në tjetrën, njëra më e paqëndrueshme se tjetra, dhe të bënte ç'ishte e mundur që të ruante pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të pacenuar, gjë që u shoqërua med sakrifica dhe vuajtje të mëdha. Nuk është rastësi fakti që Perdja e Hekurt ra pikërisht në fund të viteve '80 dhe Shqipëria u hap me Perëndimin në një kohë kur ky, sidomos Amerika, i kishte dhënë fund një herë e përgjithmonë planeve antishqiptare.

Për shtjellimin e mëtejshëm të kësaj teme lexoni shkrimin me titull "Si ta kuptojmë periudhën e diktaturës komuniste?" dhe "I gjithë populli ushtar - shkaqet e militarizimit të Shqipërisë".

Comments

Shkrimet më të lexuara të muajit

Epoka e errët shqiptare

Pse u konvertuan shqiptarët në myslimanë?

Rrena, legjenda dhe pseudoshkencë