"I gjithë populli ushtar" - shkaqet e militarizimit të Shqipërisë
"I gjithë populli shqiptar". Pak kush e ka kuptuar dhe është në gjendje të shprehë një mendim të saktë për domethënien e kësaj parrulle dhe arsyen e investimeve të mëdha në ushtri e mbrojtje që u bënë gjatë diktaturës. Analistë, historianë, gazetarë, opinionistë... pjesa më e madhe e tyre janë përpjekur fort që të na e shesin këtë si produkt të paranojës së Enver Hoxhës për të ruajtur pushtetin e tij diktatorial. Dikush tjetër, ndonjë ushtarak i vjetër, është përpjekur të arsyetojë mbi aspektet teknike të ushtrisë së periudhës së regjimit por pa hyrë asnjëherë në çështje historiko-politike.
Prandaj, duke qenë që askush deri më sot nuk ka qenë në gjendje të bëjë një shtjellim të plotë të kësaj çështjeje, po përpiqem ta bëjë unë. Mirëpo unë nuk do merrem me arsyetimin politiko-strategjik të rrethanave historike, sepse këtë e kam bërë tek shkrimi me titull "Si ta kuptojmë periudhën e diktaturës komuniste?", por do të bëj thjeshtë një renditje historike të të gjitha konflikteve të armatosura që janë zhvilluar në territorin shqiptar dhe të atyre konflikteve që kishin rëndësi politike për Shqipërinë gjatë luftës së ftohtë.
1878: shqiptarët e Nishit dëbohen nga Serbia. Popullsia civile gjendet e pambrojtur në duart e kriminelëve serbomëdhenj. 100,000 myslimanë lënë trojet dhe pronën e tyre, mijëra të tjerë masakrohen.
1913 - Kosova dhe Çamëria bien në duart e fuqive kryesore antishqiptare në Ballkan. Popullsia e atyre trojeve vuan pasojat e politikave të tyre shoviniste. Më në fund Shqipëria e cunguar shpallet e pavarur, por fqinjët e saj kërkojnë me ngulm zhdukjen e shtetit të ri.
1914: Greqia pushton jugun e Shqipërisë dhe bën kërdinë duke vrarë e prerë civilë të pafajshëm. Jeta dhe prona e shqiptarëve shkelet me të dyja këmbët. Shqiptarët nuk kanë një ushtri të fortë e të organizuar që bëjnë rezistencë.
Ndërkohë nën patronazhin e ushtrisë greke ngrihet shteti artificial i quajtur Republika e Epirit të Veriut me planin që ky do të kërkojë t'i shkëputej "me dëshirë" Shqipërisë dhe do t'i bashkohej Greqisë, ku më pas, padyshim, do të fillonin politikat e spastrimit të myslimanëve, siç ndodhën në të gjithë Greqinë në vitin 1923 ku 600 000 të tillë u degdisën në Turqi dhe Afrikën veriore.
1914-1918: Fuqitë rajonale filluan të luajnë luftash dhe trojet shqiptare u bënë sërish shesh për të bërë përshesh. Hynë e dolën ushtritë e huaja si ushtarët në bordello. Austria, Serbia, Greqia, Italia, e përdorën Shqipërinë kush e kush për interesat e veta. Prona dhe jeta e shqiptarëve u bë sërish e barabartë me atë të qenve të rrugës dhe jeta e tyre me ato të dhenve.
1920: populli shqiptar ngrihet në luftë për dëbimin e pushtuesve nga të gjitha trojet e shtetit të pavarur, por mungesa e armatimeve dhe e një ushtrie të fortë e vështirësojnë shumë luftën e tyre për liri e pavarësi.
1939: Fqinji ynë fashist sjell sërish në Shqipëri fëmijët e atyre që shkelën një herë sovranitetin e vendit në 1914 me qëllim për t'u zhvatur edhe një herë pavarësinë shqiptarëve. Shqiptarët fillojnë qëndresën. Për shkak të mungesës së një ushtrie të fortë shqiptarët bëjnë një rezistencë sporadike e krejt të paorganizuar që nuk zgjat më shumë se dy javë.
1941: Epshet megallomane të Duçes e kthejnë Shqipërinë e jugut edhe një herë në shesh betejash. Thyerja e ushtrisë fashiste italiane dhe pushtimi i ushtrisë fashiste greke rrezikon humbjen e Shqipërisë së jugut një herë e përgjithmonë.
1942: Në Shqipëri ngrihet një brez i tërë të rinjsh që merr armët dhe i thotë jo pushtuesit. Premtimi që ata i bëjnë vetes dhe atdheut është se në këtë vend nuk duhet të shkeli më kurrë këmbë ushtari të huaj.
1941-1944: Ushtritë nazifashiste e përdorin Shqipërinë për interesat e tyre, duke rrezikuar rëndë pavarësinë dhe integritetin territorial pas lufte.
1946: Anijet britanike kërkojnë sebep për të nisur konflikte të
armatosura me Shqipërinë për interes të Greqisë duke shkaktuar incidentin e kanalit te Korfuzit. Si
përgjigje marrin paralajmërim nja dy predha artilerie nga rojat kufitare në
Sarandë.
Po atë vit, në konferencën e paqes në Paris Britania kërkon që
Shqipëria të konsiderohej si aleate e Aksit dhe për këtë, me kërkesë të
Greqisë propozon rishikimin e kufijve jugorë të vendit. Ndërkohë kishte bërë
edhe plane të fshehta për ndarjen e Shqipërisë mes fqinjëve të saj verior e
jugor.
1944-1948: Stalini ia lë Shqipërinë nën patronazh
Jugosllavisë, me objektiv për ta bërë këtë republikën e saj të shtatë.
1948: Jugosllavia militariste kthehet nga mik në armik. Tito bën përpjekje politike për të futu dy divizione jugosllave në Shqipëri. Vendi gjendet sërish i rrethuar nga shtete që nuk e duan ekzistencën e saj dhe që përpiqen vazhdimisht të minojnë integritetin e saj territorial duke u përpjekur të fusin në vend kaosin dhe luftën.
Kësaj përpjekjeje i bashkohet edhe Britania e Madhe me Amerikën e Italinë fqinje, të cilat fillojnë organizojnë futjen e forcave inkursioniste (diversante) me qëllim nxitjen e konflikteve të armatosura dhe shthurjen e shtetit.
Ndërkohë në Palestinën e dikurshme krijohet një shtet i ri që do të zëvendësojë popullsinë autoktone atje me të ardhur nga e gjithë Europa. Arabët do të shndërrohen në refugjatë në vend të vet.
1949: Greqia sulmon jugun e Shqipërisë me mbështetjen e plotë të Britanisë së Madhe dhe Amerikës. Çdo gjë mund të pritej. Britania e kishte bërë të qartë në Konferencën e Paqes në Paris se mbronte interesat e Greqisë dhe kërkesën e saj për rishikimin e kufijve. Kufitarët shqiptarë, tashmë të armatosur mirë e të përgatitur ushtarakisht, arrijnë të thyejnë sulmet e njëpasnjëshme të armikut.
1950-1953: Nis lufta e Koresë. Ushtritë Amerikane, Kineze e Sovjetike nuk ngurojnë ta kthejnë vendin në shesh lufte të imperializmit botëror. Amerikanët marrin në konsideratë përdorimin e bombës atomike por nuk e bëjnë për shkak të mos pasjes së leverdisë ushtarake. Miliona të vdekur. Koreja përfundon e ndarë në dysh. Qe fati i saj që në veri nuk kishte Jugosllavinë dhe në jug Greqinë.
1955: Ushtria amerikane nuk e kursen arsenalin e saj ushtarak në luftën e Vietnamit. Kina e Bashkimi Sovjetik gjithashtu. 10 vjet lufte. Miliona të civilë vietnamezë të vdekur.
1956: Bashkimi Sovjetik ushtron presion të vazhdueshëm politik e ekonomik në drejtim të qeverisë shqiptare duke u bërë kështu zëdhënëse e kërkesave jugosllave, shtet me të cilin kishte rivendosur marrëdhëniet pas vdekjes së Stalinit. Ky presion shpie në shkëputjen e marrëdhënieve mes dy vendeve.
1956: Tanket ushtarake sovjetike shtypin pa mëshirë kryengritjen hungareze. Perëndimi nuk bëzan. Mijëra të vdekur.
1961: Kriza e nëndetëseve në bazën e Pashalimanit e vuri në rrezik serioz sigurinë e vendit. Një skenar sovjeto-jugosllav për një operacion ushtarak blic në Shqipëri nuk ishte ndonjë gjë e paimagjinuar, dhe po të ndodhte askujt nuk do t'i prishej gjumi.
1962: Kriza e raketave bërthamore në Kubë. Njerëzimi shkon një hap më shumë drejt zhdukjes së mundshme.
1967: Në lindjen e mesme shpërthen sërish lufta. Aty përfshihen të gjitha fuqitë botërore. Mijëra të vdekur.
1968: Trupat ushtarake të Paktit të Varshavës hyjnë në Çekosllovaki dhe e shtypin kryengritjen me gjak. NATO nuk bëzan.
1973: Zhvillohet lufta e Yom Kipurit. Amerika nuk kursehet me ndihma ndaj Izraelit. Bashkimi Sovjetik furnizon shtetet arabe.
1979: Lidershipi i ri kinez vendos marrëdhënie me perëndimin dhe Jugosllavinë. Edhe kjo, duke mos ia pasur më nevojën Shqipërisë, bëhet zëdhënëse e kërkesave jugosllave, veprim i cili gjithashtu rezulton me prishjen e marrëdhënieve mes dy shteteve. Shqipëria mbetet fillikate e vetme, pa furnizime ushtarake, pa mbështetje ekonomike.
1981: Kosovarët nisin protestat në Kosovë. Gjendja acarohet shumë. Momenti i duhur për të qenë në gatishmeri luftarake për çdo eventualitet.
1992: Lufta e Bosnjës tregoi edhe një herë kafshërinë absolute të shovinizmit serbomadh dhe faktin që ujku qimen e ndërron por zakonin nuk e harron.
1999: Kosovarët nisin luftën për liri. Millosheviçi bën kërdinë mbi popullsinë civile shqiptare, të cilën e dëboi pothuajse krejt. Sasi të pafundme armësh të prodhuara në Shqipëri e municioni u përdorën nga UÇK për të mbajtur luftën gjallë deri në ndërhyrjen e NATOS.
Fakti që pas luftës së dytë botërore "perandoritë" moderne europiane ishin në paqe me njëra-tjetrën nuk do të thoshte se atë paqe mund ta shijonte edhe Shqipëria. Ngado që të ktheje kokën, konfliktet e armatosura ishin vetëm një vrap pele larg dhe antishqiptarët e thekur, sidomos ata më pranë Shqipërisë, i gjeje në çdo cep. Rreziku për nisjen e konflikteve të armatosura në territorin shqiptar apo në kufijtë e tij ishte serioz dhe permanent. Mbrojtja dhe siguria e atdheut paraqitej objektiv madhor. Ushtria dhe armatimet nuk kishin qëllim të mposhtnin superfuqitë botërore, por të parandalonin hapjen e konflikteve të armatosura në territorin shqiptar, të cilat mund të nisnin në çdo moment. Këto kishin për qëllim t'i bënin fqinjët tanë që të mendoheshin dy herë para se të bënin plane ushtarake në drejtim të Shqipërisë.
Fatmirësisht, me formimin e BE, imperializmit territorial në Europë gradualisht i erdhi fundi dhe në 1999 Amerika i dha fund edhe shtetit të fundit antishqiptar imperialist në Ballkan, Serbisë.
Ushtria u ndërtua nga një brez që luftën e përjetoi vetë dhe e hoqi mbi
kurriz. Qëllimi i tyre parësor ishte ruajta e integritetit territorial dhe
pavarësisë së vendit. Populli duhej bërë i gjithi ushtar që në Shqipëri mos
bënte gafë të shkelte më çizmja e ushtarit të huaj.
Për më shumë kontekst mbi këtë temë lexoni shkrimet me titull "A kishte "Perëndim" pas luftës së dytë botërore?" dhe "Si t'a kuptojmë periudhën e diktaturës komuniste"
Comments
Shto një koment