Kush e solli diktaturën në Shqipëri?

Kush e solli diktaturën?


Kush e solli regjimin e diktaturës në Shqipëri? Kush i krijoi kushtet? Kush e mbështeti? Kush është përgjegjës? Le t'i analizojmë pak ngjarjet historike në rend kronologjik.

Në 6 prill 1939 kryeministri britanik Çermbërlein deklaron në parlamentin britanik se Perandoria Britanike nuk ka interesa ekonomike e politike në Shqipëri. Tejet i lumtur, Duçja i dërgon letër Çermbërleinit ku e falenderon për deklaratën.

Në 7 prill 1939 Shqipëria pushtohet nga Italia fashiste. Me dhjetëra mijëra ushtarë italianë të armatosur deri në dhëmbë dynden drejt brigjeve të Shqipërisë për të zaptuar një vend të pavarur e sovran. Të vetmit që rezistojnë janë grupe të vogla ushtarësh në Durrës, Shëngjin, etj. Rezistencën e Durrësit e udhëheq Abaz Kupi.

Zogu, zyrtarisht Mbreti i Shqiptarëve, largohet pa organizuar qoftë edhe një rezistencë simbolike, e cila mund të shkrihej me kalimin e kohës, të paktën sa për të legjitimuar e për të justifikuar pozitën e tij si mbret. Asgjë. Kërciti iku nga sytë-këmbët, në fshehtësi të plotë

Në këtë periudhë nuk kishte as parti komuniste, as LANÇ, as FNÇ. Komunistët ishin të shpërndarë sa andej këndej dhe pa asnjë perspektivë politike. "Elitat" politike e ekonomike të vendit si dhe bajraktarët e shumtë të veriut nuk bëzajtën, por u radhitën në rresht për një në pritje të autoriteteve fashiste dhe të gjithë së bashku ia shpunë Viktor Emanuelit III kurorën e Skënderbeut (inekzistente) me ceremoni në Romë. 

Të vetmit që protestuan ishin studentë, intelektualë dhe komunistët, të cilët do të organizojnë ose do të marrin pjesë në protesta qytetare. 

Në qershor 1939 me mbështetjen e Britanikëve formohet çeta e Pezës me në krye Myslim Pezën. Objektivi i çetës ishte të krijonte diversion në prapavijat italiane. Si rezultat i veprimeve luftarake të çetës Italianët zhvillojnë një operacion ushtarak në Pezë ku shkaktojnë dëme dhe viktima.

Në tetor 1940 Italia sulmon Greqinë. Si rezultat i paaftësisë së saj ushtarake, Greqia thyen sulmin italian dhe hyn në Shqipëri. Territori shqiptar kthehet në shesh lufte. Prona dhe pasuria e shqiptarëve shkatërrohet, vidhet e nëpërkëmbet. Urrejtja popullore ndaj italianëve rritet. Fillojnë dezertimet dhe aksionet e kufizuara kundër pushtuesit fashist.

Zogun, mbretin "legal" të Shqipërisë, britanikët e kanë në Londër, por nuk e përfillin pothuajse fare. Çdo përfshirje e tij në çështjet e luftës kundërshtohet ashpër nga Greqia. Në fakt çdo kryengritje me përmasa të mëdha në Shqipëri kundërshtohet rreptësishtë nga Greqia. Jo vetëm kaq, por Britania ia njeh Greqisë të drejtën e aneksimit të tokave të pushtuara në territorin shqiptar. 

Në prill 1941 krijohet çeta e Haxhi Lleshit në Dibër, gjithashtu me mbështetjen e britanikëve, gjithashtu me qëllim aksionet diversioniste në prapavijat e italiane për të ndihmuar ushtrinë greke, mirëpo Greqia sulmohet nga ushtria gjermane dhe thyhet përfundimisht.

Në 27 shtator 1941 formohet çeta e Martaneshit me në krye klerikun bektashi Mustafa Xhanin, si rezistencë ndaj pushtuesit italian. Në 1 nëntor të po atij viti radio BBC përkujton marrjen e Korçës nga ushtria greke një vit më parë, të cilën e përshkruan si provincë greke, që më 1913 na qenkësh bërë me pa të drejtë pjesë e Shqipërisë si pasojë e intrigave italiane.

Më 8 nëntor 1941 krijohet partia komuniste si rezultat i bashkimit të grupeve komuniste. Pranë tyre ndodhen edhe dy këshilltarë jugosllavë të PKJ (jo të mbretërisë jugosllave, e cila në të kohë ishte shpërbërë) për shkak se PKJ kishte lidhje me Kominternin.

Që nga ky moment PKSH fillon organizimin e LANÇ. Ajo krijon degë në të gjithë Shqipërinë, krijon lidhje me çetat e Pezës, Dibrës dhe Martaneshit duke i kthyer ato në çeta partizane, organizon njësitet guerile në qytet, çetat në fshat, këshillat nacionalçlirimtare, etj. Zhvillon qindra aksione në qytet e në fshat dhe përballon operacionet antipartizane të ushtrisë fashiste.

Në 16 shtator 1942, PKSH organizon konferencën e Pezës dhe krijon Frontin Nacional Çlirimtar. Përveç Abaz Kupit, asnjë nga elitat e tjera politike e ekonomike nuk bëhet pjesë e FNÇ. Dy muaj më vonë krijohet Organizata e Ballit Kombëtar.

Në dhjetor 1942, pas njohjes nga Bashkimi Sovjetik, aleatët perëndimorë deklarojnë unanimisht se njohin luftën antifashiste nacionalçlirimtare të popullit shqiptar. Kominterni njeh zyrtarisht PKSH si pjesë të lëvizjes komuniste ndërkombëtare. FNÇ vazhdon aksionet luftarake kundër pushtuesit fashist. Në disa prej tyre marrin pjesë edhe njësitë e Ballit dhe të Abaz Kupit.

Në mars 1943, Balli nënshkruan me italianët një marrëveshje për mossulmim, i quajtur si Protokolli Dalmaco-Këlcyra. Njëkohësisht kryeministër i Shqipërisë shpallet Maliq Bushati mbështetës i hapur i Ballit. Gjithashtu, për shkak të presionit të rezistencës, italianët e ulin në sipërfaqe statusin e pushtimit italian në Shqipëri. Ata shpallin krijimin e Ushtrisë Kombëtare Shqiptare e të gjindarmërisë shqiptare, vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis shtetit italian dhe shtetit shqiptar, zëvendësimin e Partisë Fashiste Kombëtare Shqiptare me Rojën e Shqipërisë së Madhe, etj, gjithnjë në suazën e bashkimit të Shqipërisë me Italinë.

Nga mesi i prillit 1943 në Shqipëri ia behin misionet britanike. Në fillim ato krijojnë lidhje me FNÇ dhe pastaj me Ballin. Furnizimet me armatime për FNÇ fillojnë pas më shumë se 2 muajve dhe zgjasin deri në përfundim të luftës. Për mospjesëmarrje në luftime kundër gjermanëve, njësitë e Ballit nuk furnizohen me armatime dhe municion si UNÇSH.

Në 1 gusht 1943 organizohet mbledhja e Mukjes me ndërmjetësimin e britanikëve. Delegatët e FNÇ dalin me disa vendime të përbashkëta, por këto hidhen poshtë nga udhëheqja e PKSH. Balli akuzohet nga PKSH se do të marrë pushtetin në tavolinë, pa u angazhuar ushtarakisht në fushë betejë. Për ta ende nuk ka furnizime britanike.

Ndërkohë sulmet e forcave partizane rriten e bashkë me to shtohen edhe operacionet antipartizane të ushtrisë italiane. Çetat partizane tashmë janë kthyer batalione e brigada. Ndërsa çetat e Ballit mbetën në vend numëro. Pushkët e tyre nuk dëgjohen askund.

Në fillim të shtatorit 1943 Italia shpall kapitullimin. Po ato ditë Konferenca e II e KANÇ dënon zyrtarisht marrëveshjen e Mukjes dhe deklaron se me Ballin mund të bashkëpunohet vetëm në bazë të platformës së Konferencës së Pezës. Në 10 shtator ushtria gjermane hyn në Shqipëri. Po në shtator Abaz Kupi formon Lëvizjen e Legalitetit.  

Në 18 tetor 1943, e gjithë elita politike, ekonomike dhe intelektuale që nuk ishte angazhuar në rezistencë (përfshi Musine Kokalarin) mblidhet në "Asamblenë Kushtetuese" në ish-pallatin e Zogut me iniciativën dhe nën mbrojtjen e Komandës së Vermahtit në Shqipëri me qëllim për të organizuar shtetin shqiptar nën pushtimin gjerman. Asambleja goditet me top nga Brigada III Sulmuese. Gjithësesi, disa ditë më vonë, komanda e Vermahtit arrin të krijojë një qeveri kolaboracioniste që do të asistonte ushtrinë gjermane dhe do të ruante qetësinë në vend.

Ndërkohë forcat e Ballit filluan bashkëpunimin aktiv me forcat gjermane. Në 24 tetor 1943, 67 ballistë që luftonin përkrah forcave gjermane në Dumre kapen dhe pushkatohen nga Brigada I Sulmuese e drejtuar nga Mehmet Shehu. Pushkatimi i forcave balliste dënohet nga udhëheqja e FNÇ. Pas kësaj ngjarjeje nuk do kishte më pushkatime të luftëtarëve të thjeshtë të Ballit por vetëm të udhëheqësve të tyre.

Në nëntor 1943 Legaliteti deklaron se ishte e vetmja përfaqësuese e pushtetit legal në Shqipëri, pra e pushtetit të Zogut, dhe fton gjithë organizatat e tjera, përfshi FNÇ, që të luftojnë nën flamurin e saj. FNÇ fton Legalitetin të bëhet pjesë e FNÇ, por kjo ftesë u refuzua. Pranë Kupit vendoset një mision britanik. Vetë Zogun britanikët e mbajnë në hije dhe nuk e pyesin për asgjë. Ai nuk ka asnjë ndikim në zhvillimet e luftës.

Po gjatë këtij muaji forcat e Brigadës II Sulmuese bien në pritën e mbështetësve të Ballit në Çermenikën e Zezë, të armatosur me armë dhe municione gjermane.

Në 5 nëntor fillon operacioni antipartizan i ushtrisë gjermane i koduar "505" në zonën e Pezës, në kuadër të operacionit të dimrit 1943-1944. Përkrah forcave gjermane shfaqen dhe forcat balliste. Ky operacion pasohet nga operacioni "Rotter Mann" në zonën Mallakastër-Berat dhe "Edelweiss" në zonën e Dibrës. KANÇ i shpall zyrtarisht Ballin dhe Legalitetin si organizata tradhtare, kolaboracioniste.

Pas tyre vazhdojnë operacionet "Otto" në zonën Berat-Këlcyrë dhe "Bergkessel" në zonën Mesaplik-Kurvelesh. Në 19 dhjetor nis operacioni "1828" në Çermenikë e Martanesh ku bëhet rrethimit i Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH. Në të gjitha rastet ushtria gjermane shoqërohet dhe asistohet nga forcat balliste. 

Në Çermenikë forcat balliste kapin gjeneralin britanik Dejvis, që ishte atashuar pranë Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH dhe ia dorëzojnë komandës gjermane.

Në 7 janar 1944 fillon operacioni "Seydlitz" në krahinat Tomoricë, Skrapar, Vithkuq, Voskpojë me drejtim përfundimtar krahinën e Oparit. Ky pasohet nga operacioni tjetër "Horridoh" në zonën në krahinat Tepelenë-Këlcyrë (faza I), Lunxhëri-Pogon-Zagori-Përmet (faza II) dhe Mesaplik-Salari (faza III) dhe operacioni "Und dennoch" në luginën e Shushicës së Sipërme. Operacioni i dimrit mbyllet me operacionin lokal "Pik" në zonën e Tropojës. Si rezultat i operacionit u vranë rreth 1000 partizanë, u plagosën 4500-4600 dhe 3000 të tjerë u sëmurën rëndë nga infeksionet pulmonale, renale dhe artikulare. 

Kudo ku shkelën forcat naziste, pushtetin e morën forcat e Ballit, të cilat nuk arritën ta mbajnë gjatë pasi UNÇSH u hodh menjëherë në kundërsulm në atë që quhet "kundërmësymja pranverore" dhe rifitoi gjithë territorin e humbur brenda një kohe shumë të shkurtër.

Në 24 maj FNÇ organizon Kongresin e Përmetit ku krijohet qeveria e përkohshme dhe ndër të tjera u vendos që t'i hiqej Zogut e drejta për tu kthyer. Ushtria naziste gjermane zhvilloi fazën e parë të “Operacionit të Qershorit” në zonën Korçë - Elbasan - Berat - Përmet. Po atë ditë UNÇSH lëshon urdhrin për mësymjen e përgjithshme. 

Operacioni gjerman u zhvillua në dy faza: faza e parë përfshinte veprimet luftarake nga Pogradeci në Këlcyrë. Ajo u pasua nga faza e dytë e operacionit në territorin e Zonës I Operative Vlorë - Gjirokastër. Gjithsej 7 operacione: "Einhorn", "Harold", "Gemsbock", i Tropojës, "Uhu", "Steinbock" dhe "Junikafer". Në të gjitha rastet, ushtria gjermane linte pas forcat balliste që mbanin territorin e fituar nën kontroll. Por edhe kësaj radhe UNÇSH u hodh në kundërsulm dhe rifitoi të gjithë territorin e humbur brenda një kohe shumë të shkurtër.

Pa mbaruar mirë operacioni i qershorit, forcat e Divizionit I Sulmuese u hodhën në sulm mbi lumin Shkumbin. Krahinat filluan të çlirohen njëra pas tjetrës. Kudo pati luftime me forcat gjermane të bashkëshoqëruara me forca të Ballit, Legalitetit dhe bajraktarë të zonës. Përplasje pati në Qarrishtë të Çermenikës, në Fushë Alije të Dibrës, në Spaç e Gëziq të Mirditës, në Gomsiqe, Pukë e Fushë-Arrëz, në Lumë, në Lezhë, në Nikaj-Mërtur, etj. Në të gjitha përplasjet forcat kolaboracioniste u thyhen lehtësisht nga sulmet e UNÇSH.

Më 20-23 tetor 1944 zhvilloi punimet në Berat mbledhja e dytë e Këshillit Antifashist Nacional-Çlirimtar. Këshilli vendosi shndërrimin e Komitetit Antifashist në Qeveri Demokratike të Shqipërisë. 

Në 24-28 nëntor 1944 zhvillohen luftimet për çlirimin e Shkodrës, ndërsa më 29 nëntor Shqipëria gdhihet e çliruar.

Përfundime

Partia Komuniste u krijua më 8 nëntor 1941, tre vjet e gjashtë muaj pas pushtimit italian. Gjatë këtyre 3.6 vjetëve elitat politike shqiptare kishin në dispozicion të gjithë kohën për të marrë vendimet e duhura dhe për të bërë veprime në funksion të nacionalizmit shqiptar. Nuk ngritën as gishtin por u vunë krejt në shërbim të pushtuesit, me ofiqe, tregti dhe afera korruptive.

Komunistët arritën që nga hiçi të organizonin rezistencën e armatosur në shkallë vendi pa pasur fillimisht ndihmën e drejtpërdrejtë me para e logjistikë të asnjë fuqie. Ata fituan mbështetjen e gjerë të popullsisë dhe e zgjeruan luftën aq shumë saqë në dhjetor 1942 aleatët njohën luftën antifashiste të popullit shqiptar, njohje e cila u shoqërua me furnizime nga britanikët.

As PKSH, as Enver Hoxha si figurë nuk ekzistonin para pushtimit fashist. PKSH u krijua dhe u farkëtua gjatë luftës dhe në kushtet që ekzistonin atëherë. Çdo palë pjesëmarrëse në konflikt i vuri vetes një objektiv, mori vendimet që i përshtateshin interesit të vet dhe veproi ashtu si e gjykoi më mirë. Sprova historike i vuri të gjitha palët përballë njëra tjetrës, i ballafaqoi me sfida të shumta dhe në fund fare secili prej tyre u përball me pasojat. Duket se nga kjo sprovë e vështirë e luftës, FNÇ dhe PKSH dolën fitimtarë. 

Zogu e braktisi Shqipërinë me shpresën se po ia sillni sërish në prehër. Ballit dhe elitave politike e ekonomike u shpëtoi Shqipëria për shalësh pasi nuk bënë asnjë veprim politik apo ushtarak në funksion të së ardhmes së tyre si faktorë politikë. Ndërsa gjithë të tjerët e diskretituan veten me veprimet e tyre kolaboracioniste.

Kështu që, nga ky këndvështrim disi determinist, me veprimet e tyre apatike, antagoniste e kriminale pushtuesi nazifashist, Zogu, qeveritë kuislinge, Balli Kombëtar, Legaliteti, bajraktarët dhe britanikët janë po aq përgjegjës për ardhjen e regjimit të diktaturës në pushtet sa edhe FNÇ me Partinë Komuniste. Prandaj, atyre duhet t'u kërkojmë po aq llogari sa u kërkojmë edhe Enver Hoxhës e komunistëve, ndoshta edhe më shumë, sepse me veprimet e tyre dritëshkurtra mundësuan ardhjen e realitetit të hidhur të 45 viteve të regjimit diktatorial.

Për të krijuar një ide më të gjerë rreth kësaj teme lexo shkrimet me titull "LANÇ - zbërthimi i koncepteve të gabuara", "Krime në emër të komunizmit" dhe "Si ta kuptojmë periudhën e diktaturës komuniste?"

Comments

Shkrimet më të lexuara të muajit

Pse u konvertuan shqiptarët në myslimanë?

Epoka e errët shqiptare

Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj?