Koha e leximit: 40 minuta.
Në këto 30 vite demokraci ka pasur shumë përpjekje për të manipuluar e
keqinterpretuar historinë apo aspekte të veçanta të historisë së Luftës
Antifashiste Nacional-Çlirimtare. Këto manipulime e keqinterpretime janë bërë
shpesh herë me qëllim për të rehabilituar figura kolaboracioniste e
kundërshtare të Frontit Nacional-Çlirimtar dhe Partisë Komuniste të
Shqipërisë. Kështu apologjetët e kolaboracionizmit janë përpjekur të
denigrojnë, banalizojnë, nënvlerësojnë, përçmojnë e madje edhe të tallin disa
ose të gjitha objektivat, vendimet, veprimet apo rezultatet e arritura gjatë
LANÇ nga njësitë dhe udhëheqësit e UNÇSH dhe FNÇ.
Si rezultat i kësaj fushate shpifjesh e keqinterpretimesh të qëllimshme në
media qarkullojnë një sërë çështjes e konceptesh të gabuara, të cilat kanë
ndihmuar qëllimisht në uljen e vlerave të LANÇ në sytë e brezave të rinj dhe
vështrimin e saj si një pjesë e pavlerë e historisë së Shqipërisë që duhet
harruar e mohuar.
Më poshtë do të shqyrtoj disa nga këto manipulime e keqinterpretime, të cilat
variojnë nga më qesharaket deri tek më dinaket. Është fare e thjeshtë të
lëshosh deklarata të papërgjegjshme nënë petkun e historianit, sidomos kur
bazohesh në gënjeshtra e manipulime të së vërtetës. Ndërsa zbërthimi i tyre
është i vështirë dhe kërkon sqarime të detajuara. Më poshtë është pasqyra e
koncepteve të gabuara për LANÇ:
Për informacion të plotë mbi Luftën Antifashiste Nacional-Çlirimtare të
popullit shqiptar mund të t'i drejtoheni arkivit të luftës partizane:
Pushtimi italian solli punë, mirëqenie dhe zhvillim.
Një fjalë e urtë popullore thotë “Macja e botës të vjen në shtëpi për të të
përmbysur tenxheret”. Ndërsa logjika na dikton se miku i mirë nuk të shqyen derën e shtëpisë. Italia
fashiste e pushtoi Shqipërinë me forcën e armëve dhe jo me dëshirën popullit
sovran. As me mirëkuptimin e qeverisë. Nuk doli kush në rrugë e të kërkonte
pushtimin e vendit. Nuk pati ndonjëherë lëvizje patriotike a fetare në
Shqipëri që të kërkonin futjen e saj nën hyqmin e fashizmit. Nuk shprehu
asnjë shqiptar ndonjë aspiratë për ta kthyer Shqipërinë në regjion të 21 të
Italisë. Njësoj siç të hyn hajduti në shtëpi dhe të dhunon pronën e
familjen, ashtu edhe Italia fashiste erdhi këtu me dhunë, si përdhunues. Nuk
kishin kaluar as 20 vjet që nga lufta e Vlorës, kur forcat kryengritëse
shqiptare i hodhën italianët në det dhe Italia po kthehej sërish për të
shkelur edhe një herë me të katër këmbët sovranitetin e Shqipërisë.
Nëse Italia e kulturës, shkencës dhe artit do të kishte pasur kaq shumë
dashuri e mirëkuptim për shqiptarët e varfër, atëherë ajo, “Bujrum!”, ja ku
është, vetëm 70 km larg. Nuk e pengoi kush të dërgonte ndihma e investime si
partnere ekonomike, aleate apo thjeshtë si fqinje e mirë. Ekzistonin edhe
atëherë plot mundësi bashkëpunimi politik, ekonomik e social, nëpërmjet të
cilave populli shqiptar të mund rriste mirëqenien ekonomike pa pasur nevojë
për praninë e ushtarëve italianë tek dera e shtëpisë.
Italia vërtetë bëri disa investime vitin e parë. Por shumë shpejt këtyre
investimeve u doli boja. U bë më se e qartë që ato nuk ishin në të mirë të
shqiptarëve, por në të mirë të pushtetit fashist, bizneseve italiane dhe
veçanërisht planeve grabitqare, imperialiste të Duçes. Italia vendosi këtu
diktaturën e ushtrisë e të milicisë. Shqiptarëve nuk u dha asnjë e drejtë
zgjedhjeje dhe vendi ynë u konsiderua si hapësirë për kolonizim. Bizneset
italiane filluan të nxjerrin nga konkurrenca sipërmarrjen vendase dhe të
shpronësojnë fshatarët. Sipas planeve të Duçes, do të vinte një ditë që
shqiptarët e pashkolluar e të paqytetëruar shumë shpejt do të bëheshin
jabanxhinj në tokën e tyre, një popull i nëpërkëmbur nga superioriteti
kulturor italian dhe pa identitet.
Atë farë mirëqenieje që u krijua përkohësisht, shqiptarëve do t’u dilte
shumë shpejt për hundësh. Nuk kaloi as edhe një vit dhe fashizmi solli në
Shqipëri sërish luftën dhe shkatërrimin. Lufta italo-greke për pak sa nuk i
dha fund tërësisë territoriale të shtetit shqiptar. Ushtria greke e theu
sulmin e ushtrisë italiane dhe hyri në territorin shqiptar. Shteti grek,
armiku kryesor i pavarësisë së Shqipërisë kishte hyrë tashmë në Shqipëri me
ushtri, në mënyrë krejt legjitime në sytë e botës, dhe do të bënte me të si
t’ia donte qejfi qeverisë neo-heleniste greke. Ndërsa Britania ajo ia njohu
Greqisë territoret e fituara nga lufta me Italinë. Marrja e jugut të
Shqipërisë nga Greqia ishte rreziku më i madhe që mund t’i kanosej
Shqipërisë. Edhe më i madh se vetë pushtimi fashist. Ky veprim, jo vetëm që
do t’i jepte fund Shqipërisë ashtu siç e njohim sot, por mund të zhdukte
krejt ekzistencën e popullit shqiptar si koncept politik.
Mirëqenia e përkohshme që solli Italia ishte njësoj si efekti i drogës.
Menjëherë sapo të kalonte euforia i fillimit, shqiptarët do të përballeshin
me efektin shkatërrimtar të imperializmit kolonial.
Pushtimin fashist dhe mirëqenien e supozuar që solli ai në Shqipëri e kanë veçanërisht për zemër elitistët. Këta janë njerëz të cilët vuajnë nga kompleksi i inferioritetit, sidomos ndaj fuqive të mëdha, dhe konceptit të "civilizimit" që u atribuohet atyre, si dhe shpërndajnë kulturën e vetëpërçmimit, sidomos duke shprehur përbuzje ndaj origjinës së tyre të thjeshtë fshatare. Për këta njerëz nuk ka aspak rëndësi gjaku i derdhur në shekuj nga dhjetëra mijëra shqiptarë në luftë për mbijetesën e identitetit shqiptar dhe lirinë e pavarësinë e Shqipërisë dhe trojeve shqiptare. Për ta kanë rëndësi ato pesë godina që ndërtoi pushtimi fashist dhe fasada e elitizmit që ato përfaqësojnë. Në thelb të ekzistencës së këtyre njerëzve është vetëm oportunizmi pragmatik dhe fakti që përfituan ose që mendojnë se mund të përfitonin nga pushtimi i një fuqie ushtarake. Ata mahniten pas gjërave sipërfaqësore si luksi, plaçkat e shtrenjta dhe sendet me shkëlqim dhe mendojnë se e u takon të qëndrojnë në një piedestal bashkë me elitat e pushtuesit dhe se gjithë të tjerët duhet të ulin kokën e tu shërbejnë atyre.
Partinë komuniste e krijuan jugosllavët.
Komunistët shqiptarë kishin filluar aktivitetin e tyre që në vitet 30 dhe u
bënë aktivë edhe gjatë pushtimit italian të vendit. Ata ishin të organizuar
në disa grupe të shpërndarë në qendrat kryesore urbane si Grupi i Shkodrës,
Grupi i Korçës, Grupi i Të rinjve, etj, dhe asnjëri prej tyre nuk kish pasur
ndonjëherë ndonjë marrëdhënie zyrtare me Partinë Komuniste Jugosllave.
Deri në qershor të viti 1941, pothuajse e gjithë Europa ishte nën çizmen
nazifashiste dhe këtë realitet nuk kish dalë kush ta sfidonte. Askush nga fuqitë e mëdha nuk e kundërshtoi pushtimin e Shqipëri nga Italia fashiste. Ndër të parët që kishin sfiduar hapur autoritetin fashist kishin qenë Myslim Peza e Haxhi Lleshi me çetat e tyre të armatosura* si dhe ushtarët e batalioneve shqiptare në ushtrinë fashiste, të cilat bojkotuan sulmin kundër Greqisë dhe dezertuan. Me sulmin e
Gjermanisë naziste kundër Bashkimit Sovjetik u krijuan kushtet e
përshtatshme ndërkombëtare për një rezistencë më të organizuar kundër
pushtuesit të aksit edhe në Shqipëri.
*Me mbështetjen britanike. Britania u përpoq të organizonte në Shqipëri
kryengritje të armatosur mercenare (përmes Jugosllavisë) por këto nuk e
materializuan asnjëherë pasi binin në kundërshtim me planet e Greqisë.
Tani që nazifashizmi kishte hasur në kundërshtarin e saj më të fuqishëm,
Bashkimin Sovjetik, partitë dhe aktivistët komunistë kishin një mbështetje më të drejtpërdrejtë nga Kominterni. Në kuadrin e
luftës kundër Gjermanisë naziste, një farë vëmendje medoemos që do të
përfitonin edhe komunistët shqiptarë.
Komunistët shqiptarë vendosën që të krijojnë lidhje me PKJ për shkak se ajo
ishte anëtare me të drejta të plota e Kominternit, sepse ishte e vjetër
(ishte krijuar që në 1919) dhe kishte eksperiencë organizative e politike,
si dhe sepse kishte deklaruar në atë kohë se ishte në kundërshtim të hapur
me politikat imperialiste të Mbretërisë Jugosllave. Kështu, grupet komuniste
shqiptare gjykuan se si një palë neutrale që ishte, PKJ do të mund
legjitimonte themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare, do t’i orientonte që
të zhvilloheshin e të zgjeroheshin në aspektin politik e organizativ si dhe
do t’i asistonte që të merrnin njohjen zyrtare nga Kominterni. Njësoj si
ndihma që Shqipëria pret sot nga institucionet ndërkombëtare.
Pra, ekzistonte, në atë kohë, një respekt i merituar për Partinë Komuniste
Jugosllave pasi ajo ishte politikisht antiteza e shovinizmit serbomadh në
Jugosllavi.
Mirëpo në atë periudhë PKJ nuk ishte në kushte dhe aq të përshtatshme për të
projektuar autoritetin e saj deri në Tiranë. Madje edhe fronti nacional çlirimtar në Jugosllavi ishte në proces
rritjeje e pjekurie dhe nuk dihej sa e suksesshme do të
ishte PKJ në arritjen e objektivave të saja. Kështu që edhe Shqipëria nuk është
se përbënte ndonjë subjekt me interes të veçantë. Në fakt, si përfaqësues i
PKJ në Shqipëri shërbeu Miladin Popoviçi, i cili në atë kohë ishte i
internuar në kampin e Peqinit. Grupet komuniste organizuan arratisjen e tij
nga kampi dhe dërguan një delegacion në Malin e Zi për të rënë në kontakt me
PKJ. Në kontaktin e parë ishte edhe Dushan Mugosha. Udhëheqja e PKJ vendosi
që Miladini ishte një person i përshtatshëm për të shërbyer si përfaqësues i
saj në Shqipëri. Këtij i shtuan edhe Dushanin si shoqërues dhe të dy këta do
të asistonin në themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare. Miladini e
Dushani ishin kuadro me eksperiencë dhe të aftë. Ata kishin punuar në
Jugosllavi dhe tani iu futën punës së bashku me kolegët e tyre shqiptarë për
të organizuar rezistencën e armatosur në Shqipëri.
Pretendimi se Partinë Komuniste Shqiptare e krijuan jugosllavët është
ngritur për herë të parë nga udhëheqja e PKJ ende pa mbaruar lufta. Ky
pretendim kishte për qëllim që të rriste artificialisht autoritetin e PKJ,
të mohonte çdo vlerë të udhëheqjes së PKSH dhe të eliminonte politikisht çdo
individ që mund të pengonte futjen e PKSH nën hyqmin e PKJ, përfshi Enver
Hoxhën dhe Miladin Popoviçin. Natyrisht kjo aspiratë e Titos nuk erdhi nga
hiçi. Duket se ai u frymëzua nga konfliktet e brendshme të udhëheqjes
shqiptare dhe krijoi idenë se kishte mbështetje të mjaftueshme për ta
zaptuar PKSH dhe gjithë FNÇ. Për të krijuar këtë besim atij i shërbyen
letrat dhe ankesat për Enver Hoxhën e Miladinin që disa anëtarë të vetë
Byrosë Politike dhe Komitetit Qendror të PKSH i dërgonin Titos. Me atë
mendje ngushtësinë tipike të njeriut që vuan nga kompleksi i inferioritetit,
këta shqiptarë i ankoheshin Titos për Enver
Hoxhën, Miladinin e të tjerë. Kjo bindje iu forcua edhe më shumë Titos pas
raporteve që i dërgonin emisarët e tjerë Jugosllavë, të cilët i tregonin për
autoritetin e jashtëzakonshëm që gëzonte PKJ në Shqipëri dhe për mbështetjen
e pakufizuar që kishin gjetur tek udhëheqja e PKSH.
Prandaj, konkluzioni më i saktë do të ishte që komunistët shqiptarë, qoftë të njërës palë, qoftë të tjetrës, e shfrytëzuan autoritetin e PKJ dhe të Titos për arritjen e qëllimeve të tyre kur ua kishte nevoja dhe si ua kishte nevoja. Dhe kur filloi konflikti Tito-Stalin, shqiptarët bënë zgjedhjen më pragmatike duke kaluar në anën e Bashkimit Sovjetik. Ky fakt nuk përbën ndonjë çudi. Si vend i shumë i vogël që është, Shqipërisë
nuk i kanë munguar asnjëherë episodet e ndërhyrjeve politike për interes të palëve vendase. Për këtë kemi rastin e Marka Gjonit që donte të
krijonte Republikën e Mirditës me ndihmën e Jugosllavisë, të Zogut, i cili
erdhi në pushtet po me anë të forcave jugosllave, të Ballit, i cili hyri në
bashkëpunim me nazistët, etj.
Miladini ishte kryetari i vërtetë i PKSH. Enver Hoxhën e vuri në krye të
PKSH Miladini. Jugosllavët dhe Tito drejtonin PKSH dhe gjithë LANÇ.
Është thënë e pranuar tashmë që, për shkak të eksperiencës së tyre,
kontributi i Miladinit e i Dushanit në organizimin e PKSH dhe të rezistencës
antifashiste ishte i rëndësishëm, madje thelbësor. Por nëse biem në grackën e simplicizmit
cinik dhe për mllefe personale mohojmë çdo ngjarje, çdo fakt dhe
kontributin e mijëra shqiptarëve që punuan e sakrifikuan për suksesin e LANÇ, atëherë të njëjtin mekanizëm do të përdorim edhe për vlerësimin e
palës tjetër, deri sa ta shpiem çështjen në kufijtë e qesharakes.
Nëse komunistët dhe dhjetëra mijëra anëtarët e tjerë jo komunistë të LANÇ na
paskëshin qenë kaq naivë e tuhafë sa që të vërviteshin me kaq lehtësi nga dy
serbë, po pala tjetër, ajo e “nacionalistëve” me shkolla e me fisnikëri, ku
ishin? Ku ishin këta “inteligjencia” e keqkuptuar shqiptare!? Si u shpëtoi
atyre pushteti dhe Shqipëria për shalësh? Nëse Tito na paskësh qenë kaq i
zoti sa që me 2 jugosllavë të organizonte një ushtri të tërë me dhjetëra
mijëra shqiptarë të armatosur dhe tua merrte pushtetin “nacionalistëve” të
shquar, duke i dëbuar edhe nga vendi, atëherë, sipas kësaj logjike, çfarë
mund të bënte ai me 4 jugosllavë? Ndoshta gjëra të pa imagjinuara.
Ky pretendim padyshim që bie ndesh me zhvillimet historike. Një nga pengesat
kryesore të planit të Titos për zaptimin e PKSH ishte vetë Miladin Popoviçi,
i cili, në plenumin e dytë të PKSH në Berat u akuzua në mungesë se kishte
bërë gabime të rënda. Pse duhej ta zëvendësonte Tito Miladinin me një emisar
tjetër jugosllav dhe pse duhet të goditej ai dhe Enver Hoxha politikisht në
Plenumin e Beratit nëse këta të dy na paskëshin qenë të nënshtruar ndaj
Titos!? Këto zhvillime nuk përputhen me pretendimin e mësipërm. Nëse
PKSH e kishin krijuar dhe e drejtonin de facto emisarët e Titos dhe nëse
Enver Hoxha na paskësh qenë veçse një kasnec i Miladinit, atëherë pse duhet
të goditeshin këta në prag të çlirimit të vendit!? Dhe nëse Tito na e
paskësh pasur PKSH në dorë, pse nuk u arrit zëvendësimi i Enver Hoxhës me
dikë tjetër!? Këto janë pyetje që mbeten pa përgjigje.
Unë nuk mund të flas për marrëdhëniet e Enver Hoxhës me Miladinin gjatë
luftës pasi për këtë nuk ka dokumente dhe i vetmi që ka folur për këtë
çështje është vetë Hoxha. Siç thashë më sipër, unë nuk e vë në dyshim
respektin që mund të ketë pasur Hoxha për Miladinin si njeri me eksperiencë
dhe jam i bindur që fjala e Miladinit zinte vend. Por deri më sot, nuk di të
ketë dalë ndonjë personazh i rëndësishëm i kohës që të ketë pohuar se në
fakt ishte Miladini që drejtonte PKSH e FNÇ dhe jo udhëheqja shqiptare, ose të paktën bashkarisht. Deri
tani të dhënat tregojnë se Miladini ishte ai që merrej me çështjet
organizative që kishin të bënin me eksperiencën e partive komuniste, njohuri
që ai i kishte marrë në Jugosllavi apo që i merrte vazhdimisht nëpërmjet radios, njohuri që vinin drejtpërdrejtë nga Bashkimi Sovjetik dhe Kominterni. Kjo, padyshim, tregon se ai zinte një pozicion të rëndësishëm e me autoritet, por kurrsesi kryesor.
Nga ana tjetër aktiviteti politik 45 vjeçar i Hoxhës njihet dhe është
komentuar nga shumë kolegë të tij, përfshi dhe britanikët. Të shumtë janë
ata që kanë shprehur pakënaqësi ndaj tij si individ e udhëheqës, madje kanë treguar edhe përbuzje e përçmim, por askush deri më sot nuk e ka
akuzuar se ka qenë ndonjëherë tip i nënshtruar apo se merrte urdhra nga
dikush tjetër. Asnjë oficer britanik apo amerikan të atashuar pranë Shtabit të Përgjithshëm, apo dikush tjetër, nuk e ka parë ndonjëherë Enver Hoxhën të merrte urdhra nga Miladin Popoviçi.
E vetmja karakteristikë që dallohet tek Hoxha, nga vetë mënyra e tij e të treguarit të ngjarjeve, është pikë së pari fiksimi i tij me protokollet, dokumentacionin dhe forumet publike, gjë që të tjerëve u mungonte, dhe qasja e tij e kamufluar e dinake, të cilën ai duket se e
shfrytëzonte me mjeshtëri. Nga tregimet e tij mund të kuptojmë se kur ndihej i rrezikuar Hoxha heshtte dhe bënte
sikur tërhiqej. Ai i linte gjërat të merrnin udhën e tyre dhe priste
momentin që kundërshtarët e tij, të mbytur nga euforia, do të bënin ndonjë
gabim fatal që do t’i shpinte drejt humnerës. Atëherë ai do të dilte nga strofka e do t’i godiste me
të gjithë fuqinë e mekanizmit ndëshkues të sistemit deri sa të përfundonin
në burg ose në plumb.
Përveç ngjarjeve të shumta gjatë luftës, mund të shohim edhe marrëdhëniet
midis dy partive e dy shteteve. Nga 51 vjet aktivitet të PKSH, marrëdhëniet
me PKJ kanë zgjatur vetëm shtatë vjet, dhe nga këto shtatë vjet, marrëdhënie
të drejtpërdrejta janë diku tek katër ose pesë. Ndërsa marrëdhëniet mes
Shqipërisë komuniste dhe Jugosllavisë komuniste kanë qenë vetëm katër vjet.
E gjithë pjesa tjetër e ekzistencës së PKSH është karakterizuar nga
denoncimi agresiv publik i PKJ dhe Titos. Fakti që menjëherë pas konfliktit
Stalin-Tito Shqipëria ndërpreu lidhjet me Titon dhe Jugosllavinë tregon
qartazi, që pavarësisht ndikimit të madh të PKJ në Shqipëri, kjo marrëdhënie
ekzistonte nën kuadrin e miqësisë me Bashkimin Sovjetik dhe Stalinit,
autoriteti i të cilit qëndronte mbi të gjitha palët.
Pretendimin që PKSH e drejtonte Miladini me Dushanin e kishin veçanërisht
për zemër Balli Kombëtar, përfaqësuesit e të cilit donin të justifikonin
veprimet e tyre oportuniste dhe bashkëpunimin me ushtrinë naziste. Duke i
atribuuar PKJ-së të gjitha tiparet e shovinizmit historik serb e duke i
etiketuar gjithçka që kishte lidhje me komunizmin si “sllave”, ata
justifikonin bashkëpunimin me nazistët si një zgjedhje që bëhej nga halli,
si e keqja më e vogël.
Pse nuk luftuan komunistët që në ditën e parë të pushtimit por u angazhuan
vetëm pasi u sulmua Bashkimi Sovjetik nga Gjermania naziste?
Rezistenca e armatosur kundër një perandorie nuk është thjeshtë një fjalë
goje. Nuk është diçka që mendohet të dielën pasdite dhe bëhet për ditë të hëne. Të krijosh një lëvizje politike e pastaj këtë ta kthesh në ushtri
kryengritëse është një nga detyrat më të vështira e më të komplikuara që ka
njohur shoqëria njerëzore. Për këtë duhen para, duhen njerëz të përkushtuar,
duhet planifikim e organizim i jashtëzakonshëm, dhe mbi të gjitha duhet një
strategji politike e mirë menduar që të tërheqë mbështetjen e shumicës së
popullsisë së vendit, pa të cilën nuk mund të bësh përpara as edhe një hap
të vetëm. Këto ishin të gjitha detyra që shtroheshin përpara komunistëve në Shqipëri.
Në vitin 1939 komunistët ishin ende të organizuar në disa grupe të pavarura
nga njëra tjetra, pa ndonjë mbështetje financiare e politike nga ndonjë fuqi
politiko-ekonomike dhe pa kurrfarë eksperience në organizimin e qëndresës së
armatosur. Para se të vinte puna deri tek shkrepja e armës, duhet të kalonin
njëherë të gjitha hallkat e vendosjes së themeleve të një lëvizjeje
politike. Dhe ashtu ndodhi. Në fillim komunistët organizuan disa demonstrata
të fuqishme qytetare. Njëkohësisht ata hynë në kontakt me çetën e Myslim
Pezës, e cila në fillimet e veta kishte vetëm 4-5 veta dhe mbështetej
financiarisht nga britanikët, dhe ranë dakord që çeta të shtohej me
aktivistë komunistë nga qyteti. Pak më vonë ata morën kontakt me Partinë
Komuniste Jugosllave, themeluan Partinë Komuniste Shqiptare dhe filluan
organizimin e njësiteve guerile, çetat partizane, batalionet partizane, e
kështu me radhë.
Gjithashtu organizimi i një qëndrese të armatosur kërkon kushte e rrethana
të caktuara. Është e pamundur të organizosh një lëvizje të armatosur në kohë
paqeje, pasi edhe opinioni publik është ende i papjekur. Fashistët nuk e
treguan fytyrën e tyre të vërtetë menjëherë. Në fillim pushtuesit italianë
bënë shumë investime, sidomos në infrastrukturën rrugore, dhe për ndërtimin
e tyre punësuan shumë punëtorë vendas. Kjo bëri që për një farë periudhe
presioni ekonomik të lehtësohej dhe vëmendja të zhvendosej nga problemet e
mprehta politike. Edhe reformat ekonomike që ndërmorën fashistët në dëm të
popullsisë vendase u zbatuan gradualisht. Në këto kushte nuk ishte krijuar
ende një konflikt i hapur mes pushtuesit dhe popullit shqiptar.
Por pas sulmit mbi Greqinë dhe pasojave që pati lufta Italo-Greke në
stabilitetin dhe mirëqenien e qytetarëve shqiptarë, u bë fare e qartë se e ardhmja e Shqipërisë nuk mund të kishte vend për
fashizmin. Jo pa arsye edhe ata që mbështetën më shumë LANÇ qenë zonat
në jug të vendit, atje ku pasojat shkatërrimtare të luftës u ndjenë në
mënyrë të drejtpërdrejtë.
Lufta e armatosur ishte e panevojshme. Pushtuesi u largua vetë nga
Shqipëria. Ata nuk u dëbuan nga partizanët.
Qëndresa të armatosura kundër nazifashizmit pati në të gjitha vendet e
pushtuara prej forcave të Aksit. Të gjitha forcat përparimtare u hodhën në
aksion dhe diku më shumë, diku më pak, kryen veprime në kundërshti të hapur
me pushtuesit dhe ideologjinë nazifashiste. Në vendet si Holandë e Belgjikë,
ku kushtet për luftë të armatosur ishin të papërshtatshme, grupet
antifashiste kryen vepra sabotazhi e spiunazhi në ndihmë të aleatëve. Ndërsa
në vende si Ballkani perëndimor apo dhe Polonia, forcat antifashiste u
shndërruan në ushtri të rregullta guerile, të cilat arritën të angazhojnë në
luftime deri në divizione të tëra italiane e gjermane. Vetëm në Ballkan, në
kulmin e tyre, ushtritë nacional-çlirimtare në Jugosllavi, Shqipëri e Greqi
ngritën në luftë të armatosur rreth 1.2 milionë njerëz.
Të veçuara, asnjë nga këto forca nuk do të ndryshonte rrjedhën e
luftës dhe as do të thyente ushtrinë e fuqishme naziste, e cila kishte rreth
300 divizione me 13.6 milionë ushtarë, apo edhe ushtrinë fashiste
italiane që kishte 4 milionë ushtarë. Kjo ishte detyra e Aleatëve
kryesorë si Bashkimi Sovjetik, Amerika e Britania. Por të gjitha bashkë ato
ishin një ndihmesë, të cilën aleatët e vlerësuan si të rëndësishme përderisa
i furnizonin me armatime dhe materiale të tjera luftarake. Vetë Çërçilli
deklaroi se kushdo që do luftonte forcat e aksit do të konsiderohej si aleat
dhe do të kishte mbështetjen e ushtrive aleate. Çdo aksion kundër ushtrive
të Aksit ishte i vlefshëm. Këto nuk ishin fjalë boshe por u mbështetën me
vepra konkrete. Edhe në Shqipëri erdhën misione britanike me qëllim
mbështetjen e lëvizjes antifashiste këtu.
Në fakt edhe parulla e Frontit Nacional Çlirimtar ishte në përputhje të
plotë me objektivat e aleatëve - luftë pa kompromis kundër forcave të aksit
deri në çlirimin e plotë të vendit. Askush nuk deklaroi apo pretendoi se do
të thyente ushtritë nazi-fashiste, apo tu vinte objektiv njësive partizane
t’i ndiqnin pushtuesit deri në Romë e në Berlin. Përkundrazi, udhëheqja e
FNÇ udhëzonte vazhdimisht që lufta partizane është një luftë guerile, se nuk
duhej angazhuar armiku në luftime ballore, nuk duheshin mbrojtur territoret
dhe se duhej të ruheshin forcat e gjalla. Udhëheqësit politikë e ushtarakë
partizanë ishin plotësisht të ndërgjegjshëm që forcat guerile partizane nuk
mund të mposhtnin e as të përballonin të gjithë fuqinë goditëse të ushtrive
pushtuese. Objektivi i LANÇ ishte t'u shkaktonte atyre sa më shumë dëme dhe një gjendje të vazhdueshme pasigurie.
Nga ana tjetër, qëndresa e armatosur kishte edhe një qëllim tjetër akoma
edhe më të rëndësishëm - ruajtjen e tërësisë territoriale dhe pavarësisë së
shtetit shqiptar. Sado të fuqishme të ishin ushtritë italiane e gjermane,
ato, prapë së prapë, ishin ushtri pushtuese që u futën në Shqipëri pa ftesën
e shtetit shqiptar dhe si të tilla duhet të goditeshin ushtarakisht, qoftë
edhe në mënyrë simbolike. Populli shqiptar duhet të tregonte publikisht
kundërshtinë ndaj pushtimit të atdheut, ashtu siç kish bërë në 1912 dhe në
1920.
Një ditë lufta do të mbaronte dhe vendit duhet t’i dilte dikush për zot.
Kush nuk mbron shtëpinë e tij, nuk e meriton atë dhe nëse nuk i vë dryn
derës, do vi bota të të bëjë hesapet.
Zogu nuk organizoi asnjë qëndresë të armatosur, qoftë edhe në mënyrë
simbolike. Ato pak xhepa që organizuan një mbrojtje ishin nisma spontane të
grupeve të vogla të paorganizuara. Ndërsa qeveria e tij në mërgim nuk u
konsiderua si përfaqësuese legjitime e vendit nga Britania e Madhe por u mënjanua dhe u la
krejt në hije.
Qeveritë e njëpasnjëshme kolaboracioniste e përlyen edhe më shumë imazhin e
prishur të Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, e cila kishte marrë tashmë
damkën e bashkëpunëtorit të fashizmit. Britania nuk bëri asnjë deklaratë për
njohjen e pavarësisë së Shqipërisë deri në vitin 1942 dhe madje ia njohu Greqisë të drejtën e
aneksimit të territoreve të pushtuara gjatë luftës Italo-Greke.
Aq më shumë e njollosën imazhin e shqiptarisë forcat e Ballit të cilat u
kapën fort pas ëndrrës së gënjeshtërt të Shqipërisë së madhe, një ëndërr, të
cilës do t’i vinte fundi sapo të mbaronte lufta dhe bënë krime kundër
grekëve në Çamëri e serbëve në Kosovë në emër të shqiptarizmit. A nuk menduan vallë ballistët se
ç’qëndrim do të mbanin pas lufte qeveritë greke e jugosllave!? Kush do t’i
shlyente bëmat kriminale të këtyre “nacionalistëve” pa vizion!?
Pra, qëllimi i luftës së armatosur kundër nazifashizmit nuk ishte vetëm një
çështje thjeshtë ushtarake e çlirimit të territorit, por edhe strategjike e
gjeopolitike që do të bëhej faktor në vendosjen e fateve të Shqipërisë pas
luftës. Në këto kushte detyra për t’i dalë zot vendit dhe për ta sjellë
Shqipërinë në anën e Aleatëve i ra Frontit Nacional-Çlirimtar. FNÇ duhet të
zgjidhte njëkohësisht edhe çështjen e luftës kundër pushtuesve, edhe të
fateve të vendit të pasluftës. Dhe në fakt, falë FNÇ, pavarësia dhe lufta
antifashiste e popullit shqiptar u njohën zyrtarisht nga të gjithë Aleatët,
edhe pse çështja e damkës së bashkëpunëtorit të fashizmit do të rishfaqej
sërish pas lufte, në konferencën e paqes në Paris, me insiativën e Greqisë dhe perandorisë britanike.
Si Balli Kombëtar, si FNÇ, që të dyja ishin lëvizje të armatosura
antifashiste.
FNÇ ishte një organizatë politike me strukturë të përcaktuar qartë. Ajo
drejtohej nga Këshilli i Përgjithshëm Antifashist Nacional-çlirimtar, i cili
u zgjodh në konferencën e Pezës nga delegatë të të gjitha trevave shqiptare.
Pushtetin e saj në terren FNÇ e ushtronte nëpërmjet këshillave
nacional-çlirimtare, të cilat kishin gjithashtu për detyrë që të mbështetnin
luftën antifashiste nacional-çlirimtare, komitetet e PKSH, komandat e
qarqeve, etj. Në krahun ushtarak, FNÇ kishte nën komandën e saj me qindra
njësite guerile që vepronin në qytete dhe dhjetëra çeta e batalione
partizane që vepronin jashtë qyteteve, të cilat kryenin aksione të
vazhdueshme të të gjitha llojeve kundër milicisë e ushtrisë fashiste dhe
bashkëpunëtorëve vendas.
Njësitet guerile, çetat dhe batalionet funksiononin në bazë të një
hierarkie komanduese ushtarake të rregullt nga lart-poshtë. Çdo njësi
ushtarake e FNÇ kishte shtabin drejtues, i cili përbëhej nga komandanti, komisari
politik dhe zëvendësit e tyre. Kjo strukturë komanduese ishte e njëjtë për
të gjitha njësitë, pavarësisht numrit të partizanëve. Edhe një skuadër e
vetme do të kishte një shtab prej katër vetash. Të gjitha njësitë e
armatosura të FNÇ vepronin në bazë të udhëzimeve dhe objektivave strategjikë
të udhëheqjes politike, zbatonin në mënyrë rigoroze urdhrat e komandave
sipas hierarkisë, dhe i përmbaheshin vendimeve dhe vijës politike të FNÇ, të
përcaktuar nga PKSH. Kjo do të thotë se çdo vendim ushtarak e politik i
komandës duhet të merrej në mënyrë kolegjiale, me dakordësinë e të gjithë
anëtarëve të shtabit. Kjo strukturë organizative e komanduese u trashëgua e u
përsos edhe pas formimit të Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH në Qershor 1943
dhe krijimit të njësive të mëdha operative si brigadat, divizionet dhe
korparmatat.
Njësitë partizane karakterizoheshin nga një disiplinë e rreptë drakoniane
e sanksionuar me kod, e cila shërbente për të filtruar e për të
mbajtur larg të gjithë personazhet me karakter të dobët e tendenca
kriminale. Për këtë një ndihmesë themelore jepnin celulat komuniste të cilat
duhet të ishin të pranishme në çdo njësi luftarake. Këto celula ishin
përgjegjëse për ruajtjen e disiplinës, mbajtjen lart të moralit luftarak dhe
zbërthimin teorik të zhvillimeve politike.
Nga ky këndvështrim Balli Kombëtar mbeti një organizatë amorfe, pa bosht e
pa formë. Si nga aspekti i pushtetit politik ashtu dhe ai ushtarak Balli
bëri disa tentativa për të imituar FNÇ por pa ndonjë sukses të qenësishëm.
Në realitet funksioni i vetëm i këshillave të Ballit ishte që të pengonin
përhapjen e FNÇ, ndërsa në aspektin ushtarak Balli mbeti në vend numëro.
Organizata nuk arriti të shkojë përtej çetave të vogla me bazë fshati dhe
nuk arriti asnjëherë të formojë një organ të mirëfilltë komandues. Çetat e
Ballit nuk funksiononin sipas një strukture të rregullt komande ushtarake
por sipas lidhjeve familjare dhe dëshirave personale të beut të fshatit, i
cili shpesh herë e përdorte çetën për qëllime personale. Në varësi të
pasurisë dhe rëndësisë politike, komandanti apo financuesi i çetës balliste
mund të refuzonte urdhrat e udhëzimet e kryesisë së Ballit dhe të vepronte
sipas një plani politik të vetin. Ndërsa në aspektin disiplinor, çetat e
Ballit nuk kishin asgjë të sanksionuar me kod. Ai ishte në dorë të anëtarëve
të saj, gjë që krijonte hapësira për futjen në njësitë e tyre të elementëve
kriminalë, qëllim primar i të cilëve ishte plaçkitja.
Ndërkohë që FNÇ i kishte vënë vetes disa objektiva ushtarakë e politikë dhe
punonte aktivisht për arritjen e tyre, Balli Kombëtar kishte për qëllim
vetëm ruajtjen e status-quo-së dhe asgjë tjetër. Sido që të ishte situata politike,
shqetësimi i tyre i vetëm ishte frika që PKSH mund të merrte pushtetin e të përmbyste sistemin shoqëror gjysmë feudal. Prandaj
Balli Kombëtar nuk kishte dhe nuk kishte se si të kishte objektiv luftën
kundër pushtuesit e të investohej në atë drejtim, pasi ky jo vetëm që nuk
përbënte ndonjë rrezik për ta, por edhe i mbështeti. Për këto arsye Balli
Kombëtar u etiketua nga PKSH si organizatë reaksionare, për shkak se
veprimet e tyre politike e ushtarake vinin si reagim (reaksion) i veprimeve
të FNÇ, me qëllimin e vetëm pengimin e zgjerimit të saj. Nëse përdorim
terminologjinë e sotme, atëherë nëse veprimtaria e FNÇ do të cilësohej si proaktive, ajo Ballit Kombëtar do të cilësohej si reaktive.
Marrëveshjen e Mukjes e hodhi poshtë Enver Hoxha me kërkesë të Miladin
Popoviçit.
Ky pretendim nuk është i bazur në dokumentacion real por në hamendësime dhe vazhdon të propagandohet si fakt. Deri tani unë nuk di të ketë një dokument ku të tregohet procesi i
diskutimit për hedhjen poshtë të Marrëveshjes së Mukjes, por ajo që di me
siguri është se as FNÇ e as PKSH nuk kanë marrë ndonjëherë vendime të kësaj
shkalle në takime e kuvende mes udhëheqësve, pa bërë njoftime paraprake dhe pa
pjesëmarrjen e gjerë të strukturave të PKSH. Balli nuk kishte struktura kolegjialë. PKSH kishte.
Kështu, në 8 prill 1942 u organizua Konsulta e Aktivit të PKSH, në të cilën
u diskutua dhe u morën vendime mbi zgjerimi i lidhjes mes PKSH dhe popullsisë civile. Në 28 qershor
1942 u organizua Konferenca e Jashtëzakonshme e PKSH, në të cilën u diskutua dheu morën vendime mbi fraksionizmin brenda PKSH. Në 16 shtator 1942 u organizua Konferenca e Pezës,
në të cilën u krijua Fronti Naciona-Çlirimtar. Në 17 mars 1943 u organizua
Konferenca I e PKSH, në të cilën u diskutuan dhe u morën vendime mbi zgjerimi i luftës dhe
marrëdhëniet me Ballin Kombëtar. Në 4 korrik 1943 u mbajt në Labinot
mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm të FNÇ, i cili vendosi krijimin e
Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Nacional-Çlirimtare Shqiptare. Në 4
shtator 1943 u mblodh Konferenca II Nacional-Çlirimtare. Në konferencë u
dënua zyrtarisht marrëveshja e Mukjes si një akt që cënonte parimet
themelore të Konferencës së Pezës. Në 24 maj 1944 u mbajt në qytezën e
Përmetit Kongresi I Antifashist Nacional-Çlirimtar i Shqipërisë. Kongresi
zgjodhi Këshillin Antifashist Nacional-Çlirimtar (KANÇ) si trupin më të
lartë legjislativ dhe ekzekutiv në Shqipëri, mori vendime të rëndësishme politike, etj.
Pra në historikun e vet të marrjes së vendimeve madhore, PKSH dhe veçanërisht Enver Hoxha i përmbaheshin në
mënyrë strikte formatit të forumeve të mëdha publike e gjithëpërfshirëse,
të cilat vinin si rezultat i një pune të gjerë e shteruese politike në të
gjitha shkallët organizative të partisë. Kështu që, nga ky këndvështrim,
bërja e një marrëveshjeje në mënyrë spontane, në një kuvend të fshehtë,
vetëm me një pjesë të udhëheqjes, pa dijeninë e anëtarëve të partisë dhe pa
një përpunim politik paraprak të gjithanshëm në të gjitha strukturat dilte tërësisht jashtë kësaj praktike.
Nga ana tjetër, nuk kishte se si FNÇ, organizata më e madhe dhe më e
fuqishme ushtarakisht në vend të bënte marrëveshje kaq të befta e të
pamenduara politike, të cilat, jo vetëm që do të kishin ndikim të thellë në
mënyrën e veprimit të vetë organizatës dhe rezultatet të arritura deri në
atë pikë, por edhe do ta vendosnin FNÇ në një plan të barabartë me Ballin, e ndoshta edhe nën hijen e tij, që
s’kishte të krahasuar as për nga influenca politike as nga ajo ushtarake. Prandaj, marrëveshja e Mukjes u lind e vdekur
që në gjenezë.
Për më tepër, FNÇ e kishte kritikuar shpesh Ballin Kombëtar se nuk po
luftonte por po bënte demagogji politike. Në dokumente e proklamata shprehet qartë
qëndrimi kritik që FNÇ kishte ndaj Ballit dhe thirrjet e vazhdueshme që kjo
organizatë të angazhohej në luftë. E në fakt, takimi i Tapizës dhe më vonë
Mbledhja e Mukjes ishin një favor që FNÇ po ua bënte oficerëve britanikë, të
cilët kërkonin me ngulm një bashkëpunim mes të dy organizatave. Ishte majori
britanik Stephan ai që e organizoi dhe mori pjesë në mbledhje. Nga dëshmitë
e oficerëve britanikë del se edhe atyre po “u dilnin rrylat” duke i bërë
thirrje Ballit që të angazhohej në luftë dhe këtë ata e bënë deri në
momentin e fundit.
Në këtë mbledhje, delegatët e FNÇ duhet t’i bënin sërish thirrje Ballit që
të linte mënjanë politikat sabotuese anti FNÇ, të angazhohej në luftime
kundër pushtuesit dhe të inkuadrohej në FNÇ e jo të linin që Balli t'u bënte
programe qeverisjeje. Si mund të pranonte FNÇ që ta udhëhiqte vallen Balli
kur për vete nuk ishte aq sa gjysma e FNÇ!?
Apologjetët e Ballit pretendojnë se me presion të Miladinit, Enver Hoxha e
anulloi marrëveshjen e Mukjes për shkak se aty përmendej Kosova e
pavarur. Mirëpo çështja e Kosovës nuk ishte diçka që mund të zgjidhej në një
kuvend në Mukje dhe as me deklarata politike të Ballit, të FNÇ, apo të
gjithë shqiptarëve kudo në botë. Kosova i ishte dhuruar Serbisë në
1913 nga fuqitë e mëdha europiane me traktatin e Berlinit dhe kjo gjë nuk
mund të ndryshonte pa mbështetjen e aprovimin e tyre (siç ndodhi realisht
në vitin 2008).
Edhe pretendimi tjetër se Kosova në atë periudhë ishte e Shqipërisë dhe se nuk duhej lëshuar, ishte absurd. Gjatë pushtimit fashist nuk u formua Shqipëria etnike, por u
zgjerua perandoria italiane, një perandori të cilës, tashmë, i kish ardhur fundi.
Ndërsa gjatë pushtimit nazist Shqipëria e pavarur etnike ishte një entitet i
përkohshëm kuisling në shërbim të ushtrisë naziste, që në
sytë e aleatëve nuk kishte aspak legjitimitet. Pra, realisht, Kosova nuk u bë asnjëherë pjesë e Shqipërisë.
Por ta zëmë se FNÇ do të binte dakord për çështjen e Kosovës, me çfarë
forcash do ta mbronte Balli Kombëtar Kosovën!? Kush do t’i dilte përballë
ushtrisë partizane jugosllave, e cila deri në fund të luftës numëronte 1
milionë luftëtarë? Në kulmin e vet më të mirë, FNÇ arriti në rreth 70,000
partizanë. Ja ta zëmë se forcat e tjera do të shtonin edhe ato nja 10,000
luftëtarë. Sa sukses do kishin këta kundër ushtrisë jugosllave? Kush do t’i
furnizonte me armatime? Cili nga Aleatët do ta mbështeste pavarësinë e
Kosovës dhe cili do t’i dilte në mbrojtje!? Cili nga Aleatët i doli
konkretisht në mbrojtje Kosovës pas luftës? Askush. Autoriteti i
Jugosllavisë qe i padiskutueshëm dhe madje në takimin Rusvelt - Çërçill - Stalin në Jaltë diskutohej nëse
kjo do të “gllabëronte” apo jo edhe Shqipërinë.
Kosova nuk mund të bëhej e pavarur me deklarata në letër, dhe FNÇ, ndryshe nga Balli,
nuk bënte deklarata kot, sa për propagandë, sepse, ndryshe nga Balli, FNÇ
merrte vendime që ishin në përputhje me politikën e Aleatëve dhe për aleatët
Kosova nuk ishte fare në axhendë. Prandaj, për të përmirësuar pozitën e
shqiptarëve në Jugosllavinë e pasluftës, FNÇ bëri thirrje që kosovarët të
ngriheshin në luftë kundër pushtuesit dhe të bashkëpunonin me lëvizjen
antifashiste jugosllave, gjë që për arsye objektive nuk u realizua, por të paktën u
kompensua pjesërisht me ndihmën e FNÇ.
FNÇ ndoqi të njëjtën politikë edhe me minoritetin çam në Greqi dhe atë grek
në Shqipëri. FNÇ dhe ELASi* grek ranë dakord që Çamëria do të ishte nën
administrimin e ELAS, ndërsa minoriteti grek në Shqipëri do të qëndronte nën
administrimin e FNÇ. Në këtë mënyrë do të respektoheshin kufijtë shtetërorë
të para luftës, duke mos krijuar precedentë pretendimesh të bazuar në
politikat nazifashiste. Kur EDES-i** i Zervasit*** bëri tentativë për të krijuar
një organizatë antifashiste minoritare të pavarur nga FNÇ të quajtur MAVI,
ajo u likuidua shpejt nga FNÇ dhe ELAS nuk bëri asnjë protestë kundër këtij veprimi.
Minoritarët grekë në Shqipëri i ingranuan në UNÇSH si pjesëtarë të grupit të
katërt të Theollogos, të Zonës I Operative Vlorë-Gjirokastër, në batalionet
partizane "Thoma Lulo", "Thanas Ziko" dhe "Lefter Talo", të cilat më vonë
formuan Brigadën XIX Sulmuese. Në këtë brigadë u fut edhe batalioni “Çamëria”
dhe disa njësi me ushtarë italianë. Kjo njësi u quajt brigada e vëllazërisë.
* ELAS - Ushtria Nacional Çlirimtare Greke.
** EDES - Liga Nacional Republikane Greke.
*** Napoleon Zerva, autori i masakrës dhe dëbimit të çamëve.
FNÇ nuk luftoi kundër pushtuesit por vetëm kundër Ballit. Ajo bëri luftë
vëllavrasëse, luftë civile.
Aksionet mësymëse dhe mbrojtëse të njësive partizane përgjatë gjithë luftës
numërohen me mijëra dhe këto janë pohuar edhe nga oficerët e misioneve britanike, por edhe nga partizanët italianë në Shqipëri.
Që nga atentatet e sabotimet në qytete, tek pritat dhe prerjet e linjave
telefonike në rrugët e komunikimit, e deri tek operacionet e mirëfillta
mësymëse në sipërfaqe me mijëra kilometra katrorë, njësitë partizane ishin
shumicën e kohës të angazhuara në luftime të të gjitha llojeve me forcat
pushtuese, qofshin këto fashiste apo naziste. Në disa prej këtyre aksioneve
kanë marrë pjesë edhe disa nga çetat e Ballit e të Abaz Kupit, kryesisht
gjatë periudhës së pushtimit italian. Nëse dikush dyshon për vërtetësinë e
aksioneve partizane, mjafton t’i referohemi listave të operacioneve
spastruese të ushtrive pushtuese që të kuptojmë shkallën e angazhimit të
tyre me njësitë partizane.
Betejat kryesore të njësive partizane janë ajo e Pezës,
Mallakastër-Shpiragut, Selenicës, Voskopojës, Përmetit e Gjormit gjatë
pushtimit fashist, operacionet naziste të dimrit dhe qershorit, të cilat
zgjatën me muaj, beteja për Tiranën, beteja për Mirditën, Pukën, Lezhën, Tropojën dhe Shkodrën, mësymja në Kosovë, Mal të Zi e Sanxhak,
etj. Në të gjithë këtë gamë luftimesh, përplasja me forcat e Ballit dhe bajraktarët e Shqipërisë së veriut filloi
kryesisht gjatë operacioneve antipartizane të nazistëve në dimrin e vitit 1943. Ato u rekrutuan si
mercenarë nga ushtria gjermane për të shërbyer si forca ndihmëse:
udhërrëfyes, mbrojtje të krahëve të kolonave naziste, postëroja, etj. Këto
forca ishin furnizuar me armatime, ushqime e veshmbathje nga ushtria gjermane dhe
qarkullonin lirshëm nëpër territorin ku zhvillohej operacioni, shpesh herë
të përforcuara me kompani gjermanësh. Për të gjitha këto ekzistojnë
dokumente, listë pagesa e lista furnizimesh dhe padyshim me mijëra dëshmi
individuale. Madje, vetë shefi i misionit britanik pranë Shtabit të
Përgjithshëm të UNÇSH, Gjeneral Brigadier Edmund Dejvis, u zu rob në
Çermenikë nga një çetë balliste, e cila e dorëzoi pastaj të gjallë tek
ushtria gjermane.
Sa herë që forcat partizane detyroheshin të tërhiqeshin nga një territor i
caktuar për shkak të presionit të lartë të ushtrisë gjermane, vendin e tyre
e zinin menjëherë forcat e Ballit, të cilat shpesh herë kryenin vepra
kriminale ndaj popullsisë, që nga vjedhjet e pasurisë e deri tek hakmarrjet
personale, sidomos ndaj anëtarëve të këshillave nacional-çlirimtare ose
mbështetësve të njohur të FNÇ. Ndonjëherë konflikte personale kishte edhe
mes banorëve të një fshati, kur disa familje ishin mbështetëse të Ballit
ndërsa disa të tjera të FNÇ. Kështu që për të rivendosur pushtetin e
këshillave nacional-çlirimtare në këto zona e për të vazhduar më tej luftën
kundër pushtuesit, forcat partizane duhej më parë të spastronin territorin
nga forcat e Ballit.
Mirëpo duke qenë që çetat e Ballit kishin më shumë fizionominë e bandave pa
kokë se sa të njësive të mirëfillta ushtarake, zakonisht luftimet mes tyre
dhe njësive partizane ishin shumë të shkurtra dhe përfundonin pothuajse
gjithnjë me tërheqjen kaotike të ballistëve. Jo rrallë herë, për shkak të mungesës së eksperiencës luftarake, ballistët
shtroheshin në darka në shtëpitë e fshatarëve, pa vënë roja e pa organizuar
perimetra mbrojtës, të bindur se njësitë partizane të zonës ishin
asgjësuar, dhe kur partizanët rrethonin fshatin, këta kapeshin krejt në
befasi dhe largoheshin të çorientuar, duke u hedhur nga dritaret e duke u
larguar nëpër ferra. Në ikje e sipër ata shpesh linin prapa furnizimet me
municione e veshmbathje. Këto nuk janë skenarët e filmave të kinostudios por
ngjarje të vërteta të dokumentuara.
Përveç ndonjë rasti të rrallë, forcat partizane nuk u viheshin forcave
balliste këmba-këmbës dhe këta përgjithësisht shpëtonin të gjallë.
Ndonjëherë çeta të veçanta të ballit, për shkak të mungesës së eksperiencës
ushtarake, janë kapur të gjithë rob dhe përveç komadantit të çetës, i cili
ishte zakonisht një person me influencë poilitike dhe që shkonte në gjyqin
ushtarak (dhe pushkatohej), pjestarët e tjerë të çetës balliste liheshin të
lirë, madje me gjithë pushkë. Kjo taktikë rezultoi shumë e suksesshme në
përhapjen e opinionit pozitiv për partizanët tek fshatarët dhe shumë ish-ballistë u inkuadruan në njësitë partizane me vullnetin e tyre të lirë.
Por ka pasur edhe raste kur forcat partizane kanë rënë në prita të
ballistëve apo krerëve të tjerë lokale dhe kanë pësuar humbje të mëdha. Të
tilla kanë qenë rasti i përplasjes së Brigadës II Sulmuese në Çermenikën e
Zezë, me forcat balliste të armatosura me mitralozë gjermanë, në të cilën
dhanë jetën shumë partizanë, rasti i Qarrishtës, po në Çermenikën e zezë ku
forca të Ballit i zunë pritë praparojës së Brigadës I Sulmuese dhe vranë 20
partizanë, rasti i Polisit, në malin e Polisit, ku për shkak të një prite të
organizuar nga forcat e Ballit dhanë jetën 30 partizanë, apo dhe rasti në
Fushë Alie, në Dibër, ku u vranë 19 partizanë të Brigadës IV Sulmuese.
Të gjitha ato djegiet e shtëpive, vrasjet dhe sekuestrimet e pasurive për të
cilat flasin dje dhe sot mbështetësit e Ballit, i referohen vetëm krerëve
ballistë famëkeq apo bajraktarëve të një zone të caktuar dhe shtëpive të tyre. Këta ishin
zakonisht individë të pasur e të fuqishëm, përfaqësues të klasës sunduese, që kishin abuzuar me pushtetin e
tyre, kishin kryer krime, i kishin shkaktuar dëme UNÇSH dhe kishin fituar
urrejtjen e popullsisë së krahinës.
Apologjetët e Ballit, shpesh herë përpiqen të gjejnë justifikime teknike e
ligjore për të mohuar bashkëpunimin e Ballit dhe disa bajraktarëve në veri me pushtuesin nazist, sidomos
kur vjen puna tek Mithat Frashëri. Mirëpo siç thotë ajo shprehja, djalli
fshihet tek detajet. Edhe nëse nuk gjendet ndonjë shkresë konkrete me firmën
e Mithatit (në këtë moment nuk kam shumë informacion për këtë çështje),
faktet dhe dëshmitë e kohës flasin vetë. Së pari, udhëheqja e Ballit ishte e
vendosur në qytete, në vende që njiheshin plotësisht nga ushtria gjermane.
Sy dyti Balli botonte një gazetë, e cila qarkullonte lirshëm në territoret e
pushtuara. Së dyti, as Mithati e as ndonjë udhëheqës tjetër i Ballit nuk
nxori ndonjëherë ndonjë deklaratë ku t’i bënte thirrje forcave e Ballit të
mos bashkëpunonin me ushtrinë gjermane, nëse marrim për të mirëqenë pretendimin se vetëm disa prej tyre u angazhuan në bashkëpunim me nazistët.
Bashkëpunimi i forcave balliste me gjermanët nuk ishte një episod i izoluar
diku në ndonjë fshat të humbur por një aktivitet me kohë të plotë. Këto
forca u gjendën pranë kolonave naziste edhe gjatë operacionit të dimrit,
edhe gjatë atij të qershorit, edhe gjatë veprimeve për çlirimin e Shqipërisë së veriut e në vazhdim, deri në shpartallimin e plotë të
organizatës. Balli nuk e fitoi asnjëherë mbështetjen e gjerë të popullsisë
sepse bashkëpunimin me nazistët e bënë në dritë të diellit e për sytë e
gjithë botës.
Ushtria Nacional-Çlirimtare u mbështet financiarisht dhe luftoi vetëm në
sajë të furnizimeve britanike. Ishin britanikët që e ngritën luftën në
Shqipëri.
Njësitet guerile që vepronin në qytetet kryesore filluan të organizoheshin
në dhjetor të vitit 1941. Çetat partizane që vepronin në fshat filluan të
organizohen në janar të vitit 1942. Misioni britanik erdhi në Shqipëri në
prill të vitit 1943. Batalionet partizane filluan të organizohen në maj të
vitit 1943. Dhe ngarkesa e parë britanike për UNÇSH është parashutuar në 27
qershor të vitit 1943. Pra, kur britanikët sollën furnizimin e parë me
avion, rezistenca e armatosur kishte plot një vit e gjysmë që gëlonte.
Njësitet guerile dhe çetat kishin kryer aksione të shumta dhe ishin
përballur me shumë operacione fashiste ndëshkimi. Nëse ushtrinë partizane
na e paskan ngritur në këmbë furnizimet britanike, me çfarë armësh e
municionesh kishin luftuar partizanët deri në qershor të vitit 1943? Me
guraleca?
Por, edhe kur filluan furnizimet britanike, ato ishin të mjaftueshme vetëm
sa për inaugurimin e Brigadës 1 Sulmuese pasi sapo të fillonin luftimet e
para, furnizimet do të mbaroheshin. Është e vërtetë që britanikët sollën
vazhdimisht furnizime luftarake, deri në përfundim të luftës, por shifrat e
tonazhit flasin qartë, dhe ata vetë e pranojnë, se nuk qenë asnjëherë të
mjaftueshme për të mbajtur të gjithë UNÇSH në këmbë. Furnizimet britanike
nuk u bënë asnjëherë faktor vendimtar në sukseset e UNÇSH. Kjo sepse
britanikët nuk donin që në Shqipëri të triumfonte FNÇ, sepse kjo binte ndesh
me interesat greke në rajon, paçka se këtij qëllimi nuk ia arritën dot.
Ushtria naziste gjermane ishte kalimtare dhe do të largohej. Lufta ndaj
ushtrisë gjermane solli vetëm shkatërrim dhe vdekje.
Sikur ushtria naziste gjermane të kishte hyrë një të hënë të shtatorit 1943
dhe të kishte dalë të dielën e po asaj jave, atëherë do mund të thonim se
ishte vërtetë kalimtare dhe ndoshta nuk do kish qenë nevoja të luftohej.
Mirëpo ushtria naziste hyri në shtator të vitit 1943, kreu masakra kundër
ushtarëve italianë që ishin dorëzuar, zaptoi shtetin shqiptar në të gjitha
hallkat, vendosi në krye të tij një qeveri kuislinge tërësisht në funksion
të interesave të veta politike e ushtarake, zaptoi minierat dhe çdo pasuri
tjetër që i konsideronte të rëndësishme për zhvillimin e luftës dhe doli nga
Shqipëria me luftë në 29 nëntor të vitit 1944.
Pra ushtria naziste ndenji në Shqipëri më shumë se një vit dhe gjatë kësaj
periudhe e bëri Shqipërinë de facto aleaten e saj, një veprim që njolloste
edhe më shumë imazhin e kompromentuar të vendit kur u pushtua nga Italia
fashiste dhe u bë platformë e pushtimit të Greqisë. Nëse gjatë pushtimit
italian Shqipëria mund të justifikohej teknikisht se çdo veprim i imponohej
nga pushtuesi fashist, me njohjen zyrtare të pavarësisë nga pushtuesi
gjerman dhe lidhjen e marrëveshjeve të bashkëpunimit, Shqipëria po bëhej
bashkunëtore e Aksit me vullnetin e saj të plotë. Po hynte, si të thuash, në
“gjynah” me këmbët e veta.
Këto veprime mund të mos kishin ndonjë domethënie shumë të madhe në skenën e
brendshme politike, por në atë ndërkombëtare ato mund t’i jepnin shkelmin
pavarësisë së vendit një herë e përgjithmonë. Nuk do pyeste kush nëse
qeveria kuislinge shqiptare e kishte apo nuk e kishte me gjithë mend
bashkëpunimin me gjermanët dhe se halli i saj kryesor na paskësh qenë jeta
dhe pasuria e shqiptarëve. Në kushtet e një lufte gjakatare me përmasa
globale ku njerëzit vdisnin çdo ditë si morrat, Shqipërisë do t’i mbetej
vetëm damka e bashkëpunëtorit nazist dhe në konferencën e paqes në Paris
çështja e zhdukjes së saj si shtet do të merrej e mirëqenë.
Nga ana tjetër, të mbash një ushtri guerile me dhjetëra mijëra luftëtarë
vullnetarë në këmbë nuk është si të mbash një kope dhensh, të cilat mund t’i
fusësh e t’i nxjerrësh nga gardhi kur të duash dhe sa herë të duash. Ushtria
Nacional-Çlirimtare ishte krijuar mbi parimin e luftës pa kompromis kundër
pushtuesit dhe misioni i saj nuk mund të mbaronte me kapitullimin e Italisë.
Qindra mijëra njerëz, në qytet e në fshat, ia kishin besuar këtë mision FNÇ
dhe ishin investuar politikisht, ekonomikisht e madje edhe me jetën tyre për
arritjen e qëllimit përfundimtar, çlirimin e plotë të atdheut. Kështu që pa
u arritur ky qëllim nuk mund të kishte paqe me pushtuesin dhe
bashkëpunëtorët e tij.
Për më tepër, në luftë nuk filozofohet por veprohet. Prestigji dhe
autoriteti i një ushtrie dallohet në përpjekje me armikun, paçka se kjo do
të thotë edhe humbje në jetë njerëzish. Atje ndahet shapi nga sheqeri. Sa më
i madh e i fuqishëm armiku, aq më i madh prestigji dhe autoriteti i atij që
i reziston. Edhe pse sot mund të mos na pëlqejë, ky është parimi mbi të
cilin ka funksionuar njerëzimi që në gjenezën e vet dhe në atë periudhë ky
parim po shprehej në formën më agresive dhe më gjakatare të tij.
Nëse FNÇ dhe UNÇSH do t’i ishin përmbajtur pozitës oportuniste të
“kapitullimit” përpara perspektivës së paqes me pushtuesin nazist, atëherë
atje do të kish marrë fund çdo gjë dhe i gjithë investimi në organizimin e
luftës antifashiste nacional-çlirimtare do të shumëzohej me zero. E gjithë
bota po ziente nga konflikti i armatosur dhe populli shqiptar ishte gjendur
sërish në mes hijenash. Nëse shqiptarët nuk do nxirrnin dhëmbët për të
mbrojtur të drejtën e tyre për ekzistencë, atëherë i gjithë mundi dhe jetët
e dhjetëra mijëra njerëzve që kishin luftuar për pavarësinë e Shqipërisë do
kishte shkuar dëm. Lufta e pavarësisë, luftërat kundër shovinizmit serb
e grek, lufta e 1920 dhe çdo sakrificë tjetër që shqiptarët kishin bërë për
liri deri në atë pikë do të humbiste krejt vlerën.
Parimi i mos përzierjes në luftë ndaj pushtuesit nazist me pretekstin e
“ushtrisë kalimtare” nuk mund t’i shkonte përshtat veçse udhëheqjes së
Ballit, e cila llogaritë i bënte në tavolinë dhe strategjitë nga kolltuku.
Balli nuk u investua kurrë në krijimin e një force të fuqishme luftarake
“nacionaliste” dhe kur pa që në përpjekje me ushtrinë naziste UNÇSH po
kalitej e po forcohej dita-ditës, i leverdistë të deklaronte se zemra
i qante për Shqipërinë që po vuante nga rrënimi e shkatërrimi…. Deri
në momentin që i erdhi laku në fyt, se me të parë që po i ikte mundësia për
të marrë pushtetin me deklarata, e pa të përshtatshme që të bëhej palë me
pushtuesin dhe të kontribuonte drejtpërdrejtë në rrënimin dhe shkatërrimin e
vendit.
Ushtria partizane ka kryer krime kundër popullsisë civile.
Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare zgjati rreth 4 vjet. Në të morën
pjesë mbi 70,000 njerëz të organizuar në njësi të shumta, të cilët u
angazhuan në mijëra aksione luftarake kundër dy pushtuesve të ndryshëm,
njëri më agresiv se tjetri, dhe bashkëpunëtorëve të tyre vendas. Në gjithë
ato përplasje të armatosura, si rezultat i të cilave humbën jetën disa
mijëra të rinj e të reja antifashiste, mund të themi me bindje të plotë se
rastet kur nga ana e njësive partizane janë shkaktuar incidente të
padëshiruara ose veprime kriminale, numërohen me gishtat e dorës. Aq të
pakta janë.
Njësitë partizane në të gjitha shkallët karakterizoheshin nga një disiplinë
e rreptë drakoniane dhe veprimet hakmarrëse apo krimet ndaj popullsisë ishin
kategorikisht të ndaluara me kod. Ka disa raste kur individë të caktuar janë
dënuar nga gjykatat partizane për vjedhje e veprime të tjera që dilnin
jashtë kodit të disiplinës partizane. Madje, për këtë çështje, celulat e
PKSH në çdo njësi organizonin seminare e trajnime të vazhdueshme ku
diskutohej rëndësia strategjike e disiplinës në ushtri dhe sjelljes korrekte
ndaj popullsisë civile, një strategji që kishte ndikim të drejtpërdrejtë në
suksesin e LANÇ dhe mbështetjen që kjo merrte nga popullsia civile.
N.q.s njësitë partizane do t’i binin Shqipërisë kryq e tërthor duke ekzekutuar
e duke masakruar njerëz të pafajshëm, atëherë LANÇ do të kishte dështuar që
në djep. Lufta partizane nuk mund të mbijetonte pa mbështetjen e popullsië
civile. Ishte pikërisht kjo e fundit që i furnizonte njësitë partizane me
baza, ushqime, veshmbathje e ndonjëherë edhe me para. Kështu që ruajtja e
imazhit të pastërtisë e drejtësisë përpara syve të popullsisë civile ishte
një çështje kardinale për udhëheqjen e FNÇ dhe asaj i kushtohej një vëmendje
të veçantë.
Megjithatë, përveç disa incidentenve të padëshiruara, të cila janë dënuar
nga udhëheqja e FNÇ, siç ishte për shembull vrasja e 67 ballistëve në
Lushnje nga partizanët e Brigadës I Sulmuese, ka pasur edhe raste kur
individë të caktuar janë ekzekutuar me paramendim. Përgjithësisht dënimet e
këtyre individëve janë dhënë me vendim të gjykatave partizane, ose me vendim
të komiteteve të PKSH në qytete dhe janë ekzekutuar nga partizanët ose
njësitet guerile. Dënimet e këtyre personave janë të dokumentuara.
Por këta nuk ishin njerëz civilë dosido. Në qytete këta persona zakonisht
shërbenin si informatorë ose si punonjës të administratës e milicisë dhe me
veprimtarinë e tyre i kishin shkaktuar LANÇ-it dëme të mëdha në njerëz.
Ndërsa në fshat, personat që kanë marrë dënime kapitale kanë qenë kryesisht
njerëz të pasur e me pushtet që kryenin krime ndaj popullsisë civile dhe
përfaqësuesve të FNÇ e partizanëve të thjeshtë ose akte sabotazhi kundër
LANÇ, si dhe kriminelët ordinerë. Për vetë kushtet e rrathanat, është e
pashmangshme që ndërmjet këtyre të dënuarve mund të ketë pasur edhe njerëz
që nuk i kanë merituar masat ekstreme ose që janë sakrifikuar për shkak të
gjaknxehtësisë.
Veprimet e Xhafer Devës dhe kuislingëve të tjerë janë të justifikuara.
Ky është një mendim që vjen kryesisht nga shqiptarët në ish-jugosllavi dhe
që bazohet mbi parimin se antiserbizmi e antisllavizmi justifikojnë dhe
legjitimojnë absolutisht gjithçka, përfshi bashkëpunimin me pushtuesit
nazifashist dhe aktet kriminale kundër popullsisë civile. Mbështetësit e
këtij këndvështrimi e kanë të pamundur të mos i gëzohen atyre pak viteve të
“Shqipërisë etnike” e cila na paskësh qenë realizimi i ëndrrës së popullit
për bashkimin e trojeve shqiptare. Dhe në fakt unë i mirëkuptoj ata,
deri diku. “Shqipëria etnike” e nazifashizmit ishte vërtetë një ëndërr. Një
nga ato ëndrrat e gjumit të rëndë që janë shumë të bukura por zgjasin vetëm
pak sekonda. Mirëpo ëndrrat janë të gënjeshtërta dhe pjellë e fantazisë.
Ashtu siç ishin edhe politikat e Xhafer Devës me shokë.
Koncepti i bashkimit të trojeve shqiptare nuk ka qenë asnjë herë një projekt
kriminal që do të realizohej mbi kufomat e nazifashizmit dhe nuk mund të
vinte kurrë prej nacionalistëve të verbër ekstremistë apo me ndihmën e
armiqve të të gjithë njerëzimit. Bashkimi i trojeve ka qenë dhe vazhdon të
jetë një aspiratë e popullit shqiptar për vetëvendosje, liri e prosperitet
dhe mund të jetë vetëm fryt i punës së patriotëve vizionarë e largpamës.
Apologjetët e Xhafer Devës dhe qeverive kolaboracioniste na ftojnë t’i
shohim këto personazhe sipas rrethanave të kohës. Dhe kanë shumë të drejtë.
Çdo personazh duhet gjykuar sipas kohës. Kështu në fillim të nëntorit të
vitit 1944, koha kur Xhafer Deva mori postin e ministrit të brendshëm,
ushtria naziste gjermane ishte thyer keqas nga Bashkimi Sovjetik dhe po
tërhiqej përgjatë gjithë frontit pa asnjë shpresë për të rimarrë iniciativën
luftarake. Disfata e Stalingradit ishte tashmë diçka e ditur. Ndërkohë
forcat amerikane e britanike kishin çliruar të gjithë Italinë e jugut dhe po
i afroheshin Romës. Në fund të nëntorit 1943 përfaqësuesit e Aleatëve,
Çurçilli, Rusvelti dhe Stalini, tre fuqitë e padiskutueshme
botërore, zhvilluan konferencën e Teheranit, në të cilën u vendos hapja e
një fronti të dytë në Europë, frontit perëndimor.
Në muajt në vazhdim ushtritë naziste ishin në tërheqje masive në të gjitha
frontet dhe disfata që po pësonin ishin të njëpasnjëshme. Në qershor të
vitit 1944 Aleatët zbarkuan në Francë. Tani unë kam shumë kureshtje të di,
si e arsyetoi Xhafer Deva me shokë, dhe si e arsyetojnë sot apologjetët e
tij, që në këto rrethana, kur gjermania naziste i kishte muajt e numëruar,
ajo mund të ishte kumbarë e ëndrrës së popullit shqiptar, bashkimit të
trojeve dhe krijimit të Shqipërisë etnike!? Çfarë vlere mund të kishte kjo
aleancë përveçse të njolloste imazhin e shqiptarëve si bashkëpunëtorë të
nazizmit!? Sa, mendonin ata, se do të zgjaste kjo ëndërr dhe kush do ta
mbështeste pasi pushtuesit nazistë të largoheshin nga Ballkani!? Ç'vlerë
kishte për shqiptarët një ëndërr që u tret më shpejt se kripa në ujë!?
Partizanët shkuan në Kosovë për të vrarë rezistencën shqiptare dhe për t’ia
dorëzuar Kosovën serbit.
Kosova ishte e Serbisë dhe këtë nuk e luante topi. Atë ia kishin dhuruar
asaj fuqitë e mëdha europiane dhe pas lufte të gjitha ndryshimet e kufijve
në Ballkan të bëra nga nazifashizmi do të hidheshin poshtë nga Aleatët. Jo
Enver Hoxha, por edhe vetë Stalini të ndërhynte, ajo prapë së prapë do t’i
mbetej Serbisë. Kosova kishte përfunduar në duart e shtetit shqiptar
thjeshtë pë inerci të interesave naziste dhe asnjë nga aletatët nuk e kishte
Kosovën, madje as vetë Shqipërinë, në axhendën e tyre politike. Kështu që
çfarëdo që të bënin shqiptarët, si më këtë anë, si në atë anë kufirit, ata
nuk do ta ndryshonin dot fatin e saj.
Por Kosova kishte edhe një problem tjetër shumë serioz. Një problem që e
kishte edhe Çamëria. Për arsye objektive, në Kosovë nuk kishte një lëvizje
të mirëfilltë antifashiste shqiptare. Dhe mungesa e lëvizjes antifashiste,
kombinuar me veprimet e nacionalistëve shqiptarë, si p.sh. bashkëpunimi i
qeverisë kuislinge me nazifashistët, formimi i Divizionit SS Skanderbeg dhe
krimet që kreu ndaj popullsisë civile e çifutëve, e fuste Kosovën dhe
popullsinë shqiptare në listën e bashkëpunëtorëve të nazifashizmit, gjë që
nacionalistët serbë do ta shfrytëzonin për të shpënë më tej planet e tyre
antishqiptare.
Tito ishte diktator por ishte edhe i zgjuar, sidomos për çështje të
balancave brenda Jugosllavisë. Si kroat që ishte, ai e njihte shumë mirë
rrezikun shovinist serbomadh dhe problemet që mund të shkaktonte si në
Kosovë, ashtu edhe gjetiu. E për këtë arsye udhëheqja e PKJ planifikoi një
sërë masash, të cilat i vuri në zbatim përgjatë disa dekadave, qëllimi i të
cilave ishte mbytja e qarqeve serbomadhe dhe shpërbërja e Serbisë
imperialiste. Këto masa filluan në Kosovë, kur Shtabi i Përgjithshëm i UNÇJ
i kërkoi Shtabit të Përgjithshëm të UNÇSH që të ndërhynte ushtarakish në
Kosovë, Mal të Zi e Sanxhak për të luftuar atje kundër ushtrisë naziste dhe
kolaboracionistëve shqiptarë dhe për të paqtuar të gjitha trevat ku banonin
shqiptarët. Në këtë mënyrë shmangej ndërhyrja e njësive serbe të UNÇJ në
Kosovë, të cilat, të mbrujtura me ndjesinë e hakmarrjes, do të bënin atje
masakra të njëpasnjëshme, ndoshta disa herë më të rënda se ajo e Tivarit dhe
të ngjashme me atë të Çamërisë, dhe i vihej kufi nacionalizmit serb.
Të tjera masa që ndërmori Tito për mbytjen e imperializmit serb ishin
themelimi i Republikës së Maqedonisë, territor që dikur Serbia e
konsideronte si territor të sajin dhe krijimi i provincave autonome të
Kosovës e Vojvodinës, ngritja e universiteti shqiptar të Prishtinës, etj.
Natyrisht, kërkesa për ndërhyrjen e UNÇSH në Kosovë lidhej edhe me planet e
Titos për përfshirjen e Shqipërisë si republikë jugosllave, por me sa duket
udhëheqja e PKJ ka menduar që me një gur të vrasë dy zogj.
Partizanët nuk kanë bërë “aq shumë” luftë sa ç'pretendojnë.
Njësitë partizane kanë bërë aq luftë sa ua lejonin rrethanat: numri i
partizanëve të armatosur, sasia e municionit, llojet e armëve, fuqia e
kundërshtarit, kapaciteti logjistik, terreni, sipërfaqja e operacionit,
moti, sasia e ushqimit dhe veshëmbathjeve e shumë faktorë të tjerë që
përcaktojnë rrjedhën e luftimeve dhe suksesin në fushëbetejë. Shtabet e
njësive partizane ishin shumë të pregatitura dhe planifikonin çdo aspekt të
aksionit me kujdesin më të madh, në mënyrë që të arrihej suksesi, të
ruheshin forcat e gjalla dhe të bëhej tërheqja në kohën e duhur.
Në asnjë dokument apo material historik nuk është pretenduar
ndonjëherë që partizanët të kenë bërë më shumë luftë nga ç’kanë pasur
mundësi të bëjnë apo që të kenë arritur rezultate të paarritshme. Nqs
objektivi ushtarak ishte një postrojë me 20 armiq, atëherë përgatitjet bëheshin për
20 armiq. Nëse objektivi ushtarak ishte garnizoni i një qyteti, si psh ai i
Përmetit, atëherë në luftime angazhoheshin aq forca sa ç’duheshin për të
mposhtur garnizonin e një qyteti, e kështu me radhë.
Në të gjitha botimet që flasin për luftën partizane tregohen vështirësitë
dhe sfidat e jashtëzakonshme me të cilat përballeshin partizanët, sidomos
furnizimi me armë e municione, strehimi, ushqimi e veshëmbathja dhe
marshimet e gjata me kilometra në acarin e dimrit apo zhegun e vapës.
Disa nga pikat kulmore të LANÇ dhe sukseset më të mëdha të UNÇSH
konsiderohen pikërisht përballimet me sukses të operacioneve fashiste e
naziste dhe aftësia e UNÇSH për të rimarrë iniciativën e për tu hedhur në
kundërmësymje. Pra krenaria më e madhe e UNÇSH ka qenë pikërisht aftësia për
t’i mbijetuar presionit të jashtëzakonshme të ushtrisë naziste gjermane. Kjo
është një krenari modeste që evidentohet nëpërmjet vlerësimit të forcave të
kundërshtarit.
Sllavo-komunistët toskë sulmuan veriun nacionalist dhe kryen atje masakra.
Grupet komuniste që morën pjesë në themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare
ishin Grupi i Shkodrës, Grupi i Të Rinjve dhe Grupi i Korçës. Figura
komuniste si Zef Mala, Qemal Stafa, Vasil Shanto, Vojo Kushi, Branko Kadija,
Jordan Misja, e madje edhe heronjtë e Vigut, ishin të gjithë nga Shkodra.
Gjithashtu çetat e para partizane janë formuar mbi lumin Shkumbin. E tillë
është çeta e Pezës nën udhëheqjen e Myslim Pezës, çeta e Dibrës nën
udhëheqjen e Haxhi Lleshit dhe çeta e Martaneshit nën udhëheqjen e Mustafa
Xhanit.
Edhe pse LANÇ gjeti mbështetjen më të madhe në jug të vendit, zonat
antifashiste në veri nuk munguan. Të tilla kishte në Dibër, në Tropojë, në
Shkodër, në Krujë, në Martanesh, Çermenikë e Pezë, të gjitha këto krahina
mbi lumin Shkumbin. Edhe disa nga operacionet më të egra fashiste e naziste
janë zhvilluar në veri. Të tilla kanë qenë operacioni në Reç të mbishkodrës,
në të cilën morën pjesë edhe forcat balliste. Operacionet fashiste në Pezë, etj.
Edhe dy nga brigadat e para janë formuar mbi lumin Shkumbin. Brigada e II
Sulmuese u formua në Çermenikën e bardhë, ndërsa Brigada III Sulmuese u
formua në fshatin Arbanë pranë Tiranës. Disa nga operacionet më të egra
naziste janë zhvilluar mbi lumin Shkumbin kundër këtyre brigadave dhe
njësive vullnetare territoriale. I tillë ishte operacioni nazist “505” në
Pezë, operacioni nazist “Edelweiss” në krahinën e Dibrës, operacioni nazist
“1828” në krahinat Çermenikë-Martanesh, operacioni "PIK" në Tropojë, etj.
Pra, është e vështirë të thuhet që LANÇ dhe FNÇ ishin një fenomen
ekskluzivisht Tosk. Si ideologjia komuniste, si qëndresa antifashiste gjetën
mbështetje në veri po aq sa edhe në jug. I vetmi dallim midis dy zonave
ishte fakti që në jug e në Shqipëri të mesme u krijuan më shpejt rrethanat
dhe kushtet që popullsia të mbështeste LANÇ-in, pasi jugu përjetoi pasojat e
luftës italo-greke, ndërsa veriu jo.
Faktor tjetër që mund të ketë ndikuar në zhvillimin e ngadaltë të LANÇ në
disa krahina të veriut, në krahasim me krahina të tjera, mund të ketë qenë
mungesa e qendrave urbane. Themelet e para, lëvizja antifashiste i hodhi me
aktivitetin komunist të njësiteve guerile në qendrat urbane. Në Shqipërinë e
mesme e të jugut kishte disa të tilla, ndërsa në veri
ishin vetëm Shkodra dhe Dibra.
Por edhe kur divizionet partizane kaluan në mësymje të përgjithshme për
çlirimin e gjithë Shqipërisë, ato nuk hynë kudo me luftë. Përkundrazi, në
shumicën e rasteve shtabet e njësive partizane të UNÇSH preferuan
marrëveshjen me bajraktarët në vend të përplasjeve të armatosura. Kjo metodë
u zbatua në Mat, në Dibër, në Krujë, etj. Vetëm në disa raste ndodhi që
njësitë partizane të kryenin veprime luftarake kundër bajraktarëve të zonës,
si p.sh në Fushë-Alije, ku forcat partizane u zunë në pritë nga bajraktari i
zonës, në Mirditë, ku forcat partizane dogjën sarajet e Gjon Marka Gjonit,
në Kukës ku forcat partizane asgjësuan forcat e Gani kryeziut, etj.
Nëse divizionet partizane do të kishin hyrë me luftë e do të kishin bërë
masakra siç pretendojnë apologjetët e kolaboracionizmit, rezultatet do të
kishin qenë ku e ku më të përgjakshme e më të tmerrshme. Njësitë e UNÇSH
kishin direktiva specifike për të shmangur sa më shumë çdo konflikt që dilet
jashtë kuadrit të LANÇ dhe kishin si detyrë të vërtetonin se, ndryshe nga ç'u
ishte propaganduar fshatarëve nëpër kuvende, partizanët nuk ishin mercenarë
grekë e sllavë por shqiptarë, të cilët kishin objektiv vetëm çlirimin e
vendit. Për këtë, celulat komuniste në njësitë e brigadave zbatonin programe
të veçanta me konferenca, recitale muzikore e shfaqje teatrale ku i
shpjegonin popullsisë vendase qëllimet e luftës dhe vendimet e Kongresit të
Përmetit.
Bajraktarët e veriut i pranuan gjerësisht vendimet e Kongresit të Përmetit
dhe e mbështetën UNÇSH në misionin e saj. Ishin me mijëra vullnetarët që iu
bashkuan njësive partizane dhe me to u formuan brigada të reja. Ishin
pikërisht këta partizanë Gegë që luftuan në Kosovë, Mal të Zi e Sanxhak
përkrah partizanëve që vinin nga jugu dhe atyre që u ofruan vullnetarë në
Jugosllavi. Prandaj, përpjekja për ta paraqitur popullsinë e veriut si një
viktimë të UNÇSH është krejt e gënjeshtërt, pasi pa mbështetjen e gjerë të
veriorëve, UNÇSH nuk do të kishte arritur dot në 70, 000 partizanë dhe nuk
do të kryente dot me sukses misionin e saj në të gjithë Shqipërinë e në
Jugosllavi.
LANÇ-i dhe FNÇ sollën në pushtet regjimin diktatorial komunist.
Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare filloi në vitin 1939 me pushtimin e
Shqipërisë nga Italia fashiste dhe përfundoi në 14 shkurt 1945 me betejën
për çlirimin e Vishegradit në Bosnje. Pas shkëputjes së kontaktit mes
forcave të UNÇSH dhe ushtrisë naziste gjermane, LANÇ, pra lufta
antifashiste nacional-çlirimtare, konsiderohet e mbyllur. Ajo realizoi me
sukses misionin që kishte marrë përsipër dhe arriti qëllimin
përfundimtar, çlirimin e plotë të vendit nga pushtuesi dhe
bashkëpunëtorët vendas. Të gjitha ngjarjet politike e konfliktet që
pasojnë këtë datë i përkasin periudhës së paqes dhe rindërtimit të shtetit
të pavarur shqiptar.
FNÇ-ja dhe pushteti që dolën prej saj nuk ishte një ngjarje politike që
ndodhi brenda pak ditësh dhe e pavarur nga rrethanat historike. FNÇ u
themelua dhe u zhvillua në kushte e rrethana të tilla ku faktorë të
rëndësishëm ishin edhe pushtuesit nazifashistë, edhe qeveritë
kolaboracioniste, edhe Balli Kombëtar, edhe Legaliteti, edhe aleatët
britanikë, edhe aleatët jugosllavë. Pra historia e FNÇ nuk është vetëm
historia dhe vendimet e Partisë Komuniste të Shqipërisë dhe udhëheqësve
të saj por produkt i qasjeve, vendimeve dhe veprimeve të të gjitha palëve
pjesëmarrëse në luftë.
Fjala vjen, ishte kryeministri britanik Çembërlen ai që deklaroi
publikisht se Britania nuk kishte interesa në Shqipëri nëse pushtohej.
Ishte Italia fashiste ajo që dëboi Zogun dhe pushtoi Shqipërinë në vitin
1939. Ishin qeveritë shqiptare kolaboracioniste ato që njollosën imazhin e
Shqipërisë dhe e futën atë në listën e bashkëpunëtorëve të aksit. Ishte
Britania ajo që nuk e njohu qeverinë e Zogut në mërgim si përfaqësuese
legjitime të shtetit shqiptar edhe pse ai ishte atje, në Londër. Ishte
sërish Italia fashiste ajo që nuk arriti dot suksese ushtarake dhe
kapitulloi duke i hapur vendin ushtrisë naziste. Ishin krerët e Ballit ata
që vendosën të themelojnë një organizatë jashtë FNÇ. Po ashtu Abaz Kupi
vendosi me kokën e vet të krijonte Legalitetin. Ishin po krerët e këtyre organizatave ata që vendosën të bashkëpunojnë me pushtuesin. E kështu me
radhë.
Çdo palë pjesëmarrëse në konflikt i vuri vetes një objektiv, mori vendimet
që i përshtateshin interesit e vet dhe veproi ashtu si e gjykoi më mirë.
Sprova historike i vuri të gjitha palët përballë njëra tjetrës, i
ballafaqoi me sfida të shumta dhe në fund fare secili prej tyre u përball
me pasojat. Duket se nga kjo sprovë e vështirë plot me konflikte, FNÇ dhe
PKSH dolën fitimtarë. Mirëpo këta fitimtarë nuk dolën as nga kolegjet elitare, as nga zyrat e shtetit e as nga vilat e aristokracisë. Këta
fitimtarë hëngrën tre vjet resht dheun e maleve të Shqipërisë, përjetuan
acarin e egër të janarit dhe lagështirën e përhershme të dëborës. U bënë
mik me urinë, e panë se çdo të thotë të flesh në qiell të hapur dhe mësuan
kuptimin e vërtetë të shprehjes “të lëvizësh me kokën në torbë”.
Këta fitimtarë mësuan, fatkeqësisht nga eksperienca, se vdekja nuk të vjen
vetëm nga pushtuesi dhe shërbëtorët e tij por edhe nga kundërshtarët e
brendshëm politik, dhe krijuan bindjen që konceptet si "ndarja e
pushtetit", "alternativat politike", "kundërshtari politik", e të tjera si
këto, kishin vetëm një kuptim: t’i japësh armikut me duart e tua mundësinë
për të të asgjësuar. Kështu që, nga ky këndvështrim disi determinist, me
veprimet e tyre antagoniste e kriminale, Zogu, pushtuesi nazifashist,
qeveritë kuislinge, Balli Kombëtar, Legaliteti dhe britanikët janë po aq
përgjegjës për ardhjen e diktaturës komuniste në pushtet sa edhe FNÇ me
Partinë Komuniste.
Comments
Shto një koment