Krime në emër të komunizmit


Koha e leximit: 35 minuta

Hyrje

Këtë shkrim e nisa per shkak te pakënaqësive që kam kundrejt punës që është bërë deri më sot për analizën e regjimit të diktaturës dhe krimeve që janë kryer prej mekanizmave të tij represivë. Për këtë temë kanë shkruar shumë autorë me e pa tituj shkencorë, është ngritur një institut shtetëror, janë realizuar reportazhe e dokumentarë televizivë, janë hapur portale dhe janë botuar mjaft libra e broshura. Ato kanë evidentuar raste të shumta të ushtrimit të dhunës ndaj qytetarëve shqiptarë e të huaj, shkeljen e të drejtave të njeriut, dënimet e rënda dhe masat e rrepta të kontrollit të të gjithë shoqërisë. Por fatkeqësisht, çka bie në sy menjëherë pothuajse në të gjitha shkrimet, analizat, artikujt, raportet, librat e dokumentarët është fakti që autori është pothuajse gjithmonë në konflikt të drejtpërdrejtë interesi me temën e trajtuar për shkak se identifikohet me kundërshtarët politikë historikë të regjimit e kësisoj bart në punimin e tij barrën e një konflikti politik të trashëguar, gjë që cenon rëndë besueshmërinë dhe integritetin shkencor të materialit të paraqitur. 

Kështu në punimet e këtyre autorëve ka një njëanshmëri të theksuar që paraqitet shpesh herë si shprehje e mllefit personal ose hesapeve të palara mes palës politike që mbështesin dhe udhëheqësve të diktaturës. P.sh. disa nga autorët e publikuar nën ombrellën e Institutit të Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit janë mbështetës të hapur të Zogut dhe Ballit Kombëtar, dy organizata të akuzuara botërisht si bashkëpunëtore të nazizmit dhe kundërshtare të Frontit Nacional Çlirimtar*. Si të tillë, me qëndrimet e tyre ata shprehen hapur kundër objektivitetit, arsyetimit shkencor dhe analizës së ngjarjeve historike me lenten e paanshmërisë. Konkretisht, njëra nga mënyrat tipike të shprehjes së njëanshmërisë është përpjekja për të denigruar në mënyrë krejt të panevojshme të gjithë personazhet e diktaturës deri në nivelin më banal, duke i etiketuar ata si injorantë, të pashkolluar, imoralë, frikacakë, gënjeshtarë, mashtrues, ose duke i akuzuar ata si anti-shqiptarë, të shitur tek serbi, etj. Pra autori i jep vetes të drejtën të bëjë vlerësime të karaktereve të personazheve pa i njohur ata me qëllimin e vetëm që t’u përdhosë imazhin, në mënyrë që të ndjellë emocione negative të stisura tek publiku e kësisoj t’i imponohet atij në nxjerrjen e konkluzioneve të gabuara për interesin e vet. Kjo metodë është e trashëguar kryekëput nga periudha e diktaturës dhe ishte mishërimi i propagandës së regjimit të diktaturës.

*Udhëheqja e Frontit Nacional Çlirimtar vendosi në Shqipëri regjimin e diktaturës.

Me pak fjalë, për të gjykuar regjimin këta autorë përdorin të njëjtat metoda që regjimi përdorte për të gjykuar kundërshtarët e vet, atë të përdhosjes absolute të imazhit të kundërshtarit.

Problematike paraqiten edhe dëshmitë e shumta personale të individëve që kanë vuajtur gjatë diktaturës. Ndonëse unë nuk e vë në dyshim që ato janë të vërteta dhe ilustrojnë drama e tragjedi njerëzore, mënyra e tregimit të tyre lë shumë për të dëshiruar nga një këndvështrim kritik shkencor. Ato na ofrohen më shumë në formë anekdotash se sa si dëshmi dokumentare. P.sh. pothuajse në të gjitha dëshmitë që kam parë unë ka hapësira boshe në rrjedhën e ngjarjeve ose mungojnë detaje të rëndësishme teknike, sidomos ato që kanë të bëjnë me akuzën dhe procedurat ligjore. Ndonjëherë ka dukshëm ekzagjerime ose tregimtari fut elementë nga fantazia e vet. Ose i kushtohet një vëmendje disproporcionale përjetimit të ngjarjeve nga këndvështrimi i viktimës kundrejt fakteve konkrete, me qëllim që emocionet negative të mbizotërojnë mbi arsyetimin logjik. Ndonjëherë ndodh edhe që viktima përdor rastin e intervistës për ta nxjerrë veten më heroik se ç’mund të ketë qenë në të vërtetë, duke e bërë dëshminë e saj qesharake dhe të pabesueshme.

Pra, në vend që publiku të marrë një pasqyrë me tone neutrale të mekanizmave dhe metodave të represionit të përdorura nga regjimi i diktaturës dhe prej tij të nxjerrë konkluzione e mësime të vlefshme për të ardhmen, ai përfshihet në një mjegullnajë emocionesh të forta e gjysmë të vërtetash, e cila më shumë të çorodit se sa të kthjellon. Është detyra e intervistuesit që të krijojë një strukturë të qartë pyetjesh, e cila ka për qëllim të nxjerrë të vërtetën pa filtra emocionalë, një të vërtetë që mund të përdoret si material studimor. Por fatkeqësisht, në ato dëshmi që kam parë unë intervistuesi nuk ka qenë profesionist dhe nuk e ka bërë punën e vet siç duhet. Për këtë arsye më poshtë do të parashtroj një analizë të përmbledhur e pa filtra emocionalë të mekanizmave dhe metodave represive të përdorura nga regjimi i diktaturës kundër qytetarëve të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë.

Autoritarizmi

Arsyeja pse titulli i këtij shkrimi është “Krime në emër të komunizmit” dhe jo “Krimet e komunizmit” është sepse togfjalëshi “krimet e komunizmit” është një oksimoron, dmth, përmban dy koncepte që kundërshtojnë njëra tjetrën. Ideologjia komuniste propagandon zhdukjen e pabarazisë, diskriminimit, shfrytëzimin e njeriut nga njeriu dhe çfarëdolloj forme dhune të organizuar nga një grup kundër një tjetri, qoftë kjo edhe nëpërmjet institucioneve shtetërore dhe e bazuar në legjislacion. Ideologjia komuniste propagandon zhdukjen e dhunës dhe jo përshkallëzimin e saj. Prandaj “krimet e komunizmit” në vetvete nuk ekzistojnë. Sepse ideologjia komuniste nuk propagandon kryerjen e krimeve.

Megjithatë, komunizmi është një ideologji dhe si çdo ideologji tjetër ajo mund të bëhet shkas ose mund të përdoret si justifikim për të kryer krime të tmerrshme në emër të saj. Kur palët ideologjike përplasen me njëra tjetrën në luftë për pushtet, në shoqëri krijohen konflikte të fuqishme, të cilat përfundojnë  pothuajse  gjithmonë me dhunë. Për t’i dhënë legjitimitet kësaj dhune, palët justifikohen duke thënë se dhuna është e domosdoshme për mbrojtjen e parimeve të ideologjisë që ato mbështesin pasi kjo është rruga e vetme për të arritur qëllimin përfundimtar, i cili, si për ironi, në rastin e komunizmit është pikërisht çlirimi i njerëzimit nga shtypja dhe dhuna.

Një ndër këto mënyra për të legjitimuar dhunën në emër të ideologjisë është edhe totalitarizmi - kontrolli absolut i çdo aspekti të jetës njerëzore nëpërmjet një vije politike të paracaktuar nga një individ ose një grup njerëzish. Totalitarizmi është pjellë e autoritarizmit, një sistem qeverisjeje që e ka zanafillën tek mbretëritë absolute që sunduan gjerësisht Europën e shekujve XVI-XIX, në thelb të të cilave qëndronte pushteti i centralizuar dhe kufizimi i lirive politike. Të tilla përmenden mbretëria franceze nën mbretin Luigji XIV, i ashtuquajturi Mbreti Diell, i cili formuloi parrullën famëkeqe “Shteti jam unë”; mbretëria prusiane nën mbretërit Wilhelm Frederik I dhe Frederiku i Madhërishëm; perandoria ruse nën perandorët Pjetri i Madhërishëm, Katerina e Madhërishme dhe Nikolla I; mbretëria e spanjës nën mbretin Filipi II, që kontrollonte territore në Europë, Amerikë dhe Azi; mbretëria suedeze nën mbretin Gustav Adolfus dhe pasardhësit e tij; mbretëria austriake dhe perandoria austrohungareze nën Habsburgët; mbretëria danezo-norvegjeze; mbretëria  portugeze nën oxhakun e Braganthave, veçanërisht nën mbretin Joani V (Mbreti Diell) dhe pasardhësit e tij; mbretëria bavareze, dhe të gjitha format e qeverisjes kolonialiste kudo në botë, pavarësisht nga fuqia kolonialiste, ndër të cilat përmenden kolonitë britanike, ato të vendeve të ulëta, franceze, belge, spanjolle e portugeze.

Luigji XIV, i ashtuquajturi "Mbreti Diell"

Konkretisht fillimi i regjimeve totalitare konsiderohen fillim vitet 1920 të shekullit XX, me daljen në skenë të bolshevizmit dhe fashizmit, dy ideologji të ekstremit të majtë dhe ekstremit të djathtë, qëllimi i të cilave ishte ngritja e interesit kolektiv të shoqërisë mbi shtresat e borgjezisë së re industrialiste, shtresat aristokrate, mbretit/perandorit dhe kishës. Bolshevizmi filloi në Rusi në vitin 1920 me ardhjen në pushtet të partisë bolshevike të Leninit ndërsa Fashizmi filloi në Itali në vitin 1922 me ardhjen në pushtet të Duçes. Më pas këto dy rryma gjetën mbështetje edhe në vende të tjera të Europës si rritja e Nazizmit në Gjermani në vitin 1933, me ardhjen në pushtet të Hitlerit dhe fashizmit në Spanjë, me ardhjen në pushtet të Frankos, pas luftës civile të Spanjës në vitin 1939.

Kur shpërtheu lufta e dytë botërore zyrtarisht në vitin 1 shtator 1939, Shqipëria e gjeti veten nën pushtimin e Italisë fashiste. Ndërsa fqinjët e Shqipërisë gjendeshin nën regjime autoritare. Në Greqi pushtetin e kishin nacional fashistët e kryeministrit Metaksas, i cili kish ardhur në pushtet në sajë të puçit të shtetit, ndërsa në Jugosllavi pushtetin e kishte mbreti Petar II, djali i Aleksandrit I, i cili në vitin 1924 kish shpërndarë parlamentin, kish pezulluar kushtetutën dhe kish vendosur diktaturën mbretërore të quajtur diktatura e 6 janarit. Edhe vetë Shqipëria nën mbretin Zog kishte qenë një shtet autoritar para se të pushtohej nga Italia fashiste pasi edhe Zogu e kish marrë pushtetin me puç në vitin 1924 duke përmbysur qeverinë demokratike të Nolit dhe pastaj ishte vetëshpallur mbret autokrat në vitin 1928. 

Në të gjitha rastet, si në atë të Italisë, si në atë të Greqisë, ashtu dhe në atë të Jugosllavisë, madje edhe të Shqipërisë, vendosja e diktaturave autoritare kishte ardhur si pasojë e krizave dhe trazirave të brendshme politike. Në të gjitha rastet, për shkak të papjekurisë së klasës politike dhe vetë shoqërisë, sistemi parlamentar kishte hasur në sfida e vështirësi të pakapërcyeshme për kohën, duke i dhënë kështu hapësirë ngritjes së rrymave autoritare, të cilat kishin marrë pushtetin për të rivendosur rregull në lëmin kaotik të politikës, për të ruajtur unitetin e kombit dhe "për të shpëtuar" vendin nga varfëria. Pra, një kthim pas tek praktikat e njohura qeverisëse, sipas të cilave shpëtimi nuk vjen nga mekanizmat demokratikë dhe diversiteti politik por nga vullneti i një udhëheqjeje të fortë e autoritare politike. Një tip “dumbabe” si ajo e Haxhi Qamilit.

Kryeministri grek Metaksas nderohet me përshëndetjen tipike nazifashiste pak para luftës italo-greke 

Pastaj me ardhjen e ushtrive naziste në Ballkan, si Greqia, si Jugosllavia ranë ty dyja nën sundimin e Nazi-fashizmit duke bërë që i gjithë Ballkani të ishte praktikisht në duart e totalitarizmit.

Ky ishte peizazhi politik i Ballkanit dhe i gjithë Europës në vitet 30-40. Ky ishte realiteti që njihte shoqëria në atë periudhë. Një realitet i ashpër imperializmi e shtypjeje shtetërore ku koncepte si demokracia përfaqësuese, mirëqenia e individit, të drejtat qytetare, paanshmëria e ligjit, zgjedhjet e lira, pluralizmi, ndarja e pushteteve, pavarësia e sistemit gjyqësor, shoqëria civile dhe kalimi i pushtetit në mënyrë paqësore ose ishin ide në letër, ose në fazë eksperimentale. Ato ishin tema që mund t’i diskutonin vetëm të shkolluarit por jo populli i thjeshtë. Në rastin e Shqipërisë ky realitet ishte edhe më i ashpër për shkak të prapambetjes së thellë social-ekonomike që sundonte shoqërinë shqiptare si pasojë e politikave imperialiste të fuqive europiane dhe antishqiptarizmit të fqinjëve tanë.

Totalitarizmi shqiptar

Tiparet e sistemit totalitar që do të vendosej në Shqipëri u farkëtuan që gjatë luftës së dytë botërore, veçanërisht duke filluar nga dimri i vitit 1943, periudhë gjatë së cilës forcat e Ballit Kombëtar e pastaj ato të Legalitetit dhe bajraktarët hynë në bashkëpunim të hapur me ushtrinë pushtuese gjermane me qëllim asgjësimin e ushtrisë partizane dhe Frontit Nacional-Çlirimtar. Bashkëpunimi i këtyre forcave politike me pushtuesin gjerman, si dhe më vonë presioni i vazhdueshëm politik, ushtarak e ekonomik i diktaturave fqinje (Jugosllavi, Greqi), krijoi psikozën e konfliktit permanent në mendjet e udhëheqjes komuniste dhe ndihmoi në krijimin e një regjimi militarist agresiv dhe aktiv në shtypjen e çfarëdolloj opozite që mund të kishte, në sytë e tyre, potencialin të krijonte destabilitet politik e shoqëror.

Totalitarizmi shqiptar është përkufizuar shpesh herë si i tipit stalinian dhe kishte këto tipare: sistemin një partiak, ideologjinë shtetërore të frymëzuar nga Marksizëm-Leninizmi,  kontrollin shtetëror mbi mediat dhe informacionin, kufizimin e lirive qytetare, përfshi dhe të drejtën e besimit, ngritjen e sistemit të survejimit të qytetarëve, politizimin e sistemit të drejtësisë, propagandën dhe indoktrinimin sipas ideologjisë shtetërore, kultin e individit, ekonominë e centralizuar, izolimin shoqëror nga bota e jashtme, shkeljen e të drejtave të njeriut, përfshi torturat dhe praktikat e gjyqësisë jashtë sistemit të drejtësisë dhe përvetësimin e pasurisë. Le t’i zbërthejmë disa nga tiparet më kryesore.

Sistemi një partiak

Ngritja e sistemit një partiak nënkuptonte që pushteti ishte i përqendruar në mënyrë absolute vetëm në duart e Partisë Komuniste Shqiptare (zyrtarisht Fronti Demokratik - PKSH + atdhetarë antifashistë) dhe formimi i çdo partie tjetër opozitare u ndalua me ligj. E vetmja e drejtë që kishin qytetarët ishte vota pro ose kundër kandidatit të propozuar nga Partia Komuniste, më pas Partia e Punës, por jo për kandidatë të partive të tjera. Sistemi një partiak nënkupton që në parlament shkojnë vetëm kandidatët e partisë në pushtet. 

Sistemi një partiak pengon ofertën e alternativave politike e detyrimisht cenon zhvillimin e proceseve demokratike. Askush nuk mund të kritikonte, kundërshtonte e të kërkonte llogari për vendimet e marra nga partia në pushtet e për pasojë t’i jepte shtysë përmirësimit të qeverisjes së vendit, transparencës dhe llogaridhënies përpara zgjedhësve. 

Hapi i parë drejt vendosjes së sistemit një partiak ishte dënimi i 43 deputetëve të pavarur në vitin 1947, të cilët ishin në opozitë me Frontin Demokratik (Partinë Komuniste). Në histori ngjarja njihet me emrin “Gjyqi i deputetëve”. Ndaj këtyre deputetëve u ngritën akuza nga më të ndryshmet, por në thelb të të gjithave qëndronte pretendimi se kishin marrë pjesë, kishin organizuar ose kishin ndihmuar grupe ilegale, qëllimi i të cilave ishte përmbysja e regjimit me dhunë, dhe kishin mbajtur lidhje me agjenturat amerikane e britanike. Gjykimi i deputetëve u bë në tre faza, pra në tre grupe dhe masat përfundimtare që u morën ndaj tyre varionin nga kryerja e kohës së paraburgimit deri në dënim me vdekje. Deputetëve që morën masën e burgimit të përjetshëm iu konfiskua pasuria. Dy deputetë fituan pafajësinë.

Fatkeqësisht në internet informacioni mbi procedurat hetimore e gjyqësore ndaj deputetëve është i mangët dhe shumica e artikujve të publikuar fokusohen kryesisht në aspektin politik të çështjes. Megjithatë vlen të thuhet se duke pasur parasysh dokumentacionin e dalë në pah sidomos nga periudha e diktaturës dhe dëshmitë e shumta individuale, është më se e besueshme që ndaj të arrestuarve është ushtruar dhunë dhe presion psikologjik për ditë e javë të tëra gjatë procesit hetimor pasi kjo praktikë në atë periudhë ishte diçka e zakonshme. Në fakt njëri prej të arrestuarve ka vdekur si pasojë e torturave. I besueshëm është edhe fakti që proceset gjyqësore kanë qenë politike e të njënashme, edhe kur akuzat kanë qenë të vërteta dhe fajësia është vërtetuar pa dyshime. Në vitet e para pas luftës, regjimi pëdori gjerësisht praktikën e gjyqeve publike, të cilat bëheshin të hapura dhe transmetoheshin me altoparlantë për publikun e gjerë me synimin për të përdhosur figurën e të pandehurve e kësisoj nxitur ndjenjën e hakmarrjes, e cilat në atë kohë ishte ende e lartë tek popullsia civile, në mënyrë që të justifikoheshin praktikat kriminale të gjykimit të tyre.

Pas kësaj ngjarjeje të gjitha shpresat për pluralizëm multipartiak, e rjedhimisht ndërtimin e një sistemi demokratik, u shuan. Nga propaganda zyrtare, fjalimet publike të udhëheqjes komuniste e veçanërisht nga ditarët personalë të Enver Hoxhës del qartë ideja se udhëheqja komuniste ishte e vendosur dhe e kishte për qëllim zhdukjen e çfarëdolloj forme opozite politike në Shqipëri dhe për këtë ishin të gatshëm të merrnin çfarëdolloj mase.

Gjyqi i deputetëve

Ideologjia zyrtare shtetërore

Ideologjia shtetërore nënkupton zyrtarizimin e ideve, vlerave dhe parimeve të një ideologjie të caktuar si kornizë e vetme ideopolitike që do të shërbejë për zhvillimin e politikave dhe qeverisjen e vendit në përgjithësi. Në rastin e Shqipërisë ideologjia shtetërore ishte ajo e diktaturës së proletariatit sipas këndvështrimit Leninist-Stalinist të Marksizmit, një ideologji e bazuar në autoritarizëm politik ekstrem. E kombinuar me sistemin një partiak dhe masa të tjera të totalitarizmit, ideologjia shtetërore u përdor si mekanizëm kontrolli e mobilizimi të qytetarëve shqiptarë, për justifikimin e vendimeve politike e ekonomike, për të legjitimuar mbajtjen e pushtetit me çdo kusht dhe veçanërisht për të justifikuar shtypjen e opozitës dhe veprimet kriminale të regjimit ndaj të gjithë atyre që konsideroheshin armiq të pushtetit. Sipas ideologjisë shtetërore pushteti kish identifikuar veten e vet me popullin dhe kish deklaruar e pretendonte se ishte mbrojtës i vetëm dhe legjitim i popullit shqiptar dhe interesave të tij.

Një pjesë e mirë e narrativës zyrtare e regjimit të diktaturës karakterizohet nga koncepti i luftës së klasave dhe nxitjes së konfliktit mes asaj pjese të shoqërisë që përfaqësohej nga fshatarësia dhe punëtorët, të cilët pushteti deklaronte se i mbronte, dhe pjesës tjetër të shoqërisë që përfaqësohej nga feudalët, bajraktarët, kleri fetar, kulakët (fshatarët e pasur), etj, të cilët pushteti deklaronte se ishin armiq të sa parës. Ndonëse ky konflikt ishte real dhe kërkonte një zgjidhje në kontekstin politik, shoqëror e ekonomik, në kuadër të kësaj lufte partia në pushtet mori shumë vendime e masa, të cilat mund të përkufizohen si kriminale.

Shumë prej feudalëve, bajraktarëve dhe klerit u evidentuan që gjatë luftës si armiq të Frontit Nacional Çlirimtar e për rrjedhojë “të popullit”, për shkak të bashkëpunimit të tyre me forcat pushtuese fashiste italiane e naziste gjermane. Më vonë, ata që i shpëtuan luftës u vunë nën shënjestër të pushtetit të ri për t'u goditur politikisht dhe ekonomikisht. P.sh. shumë prej atyre që akuzoheshin se kishin vënë pasuri nga tregtia me forcat pushtuese iu konfiskua pasuria, u dëbuan nga shtëpitë e tyre dhe u persekutuan pa pasur mundësinë që të kalojnë nëpërmjet një procesi të rregullt gjyqësor. Shumë të tjerë u ekzekutuan pa vendime gjyqësore ose me vendime të nxituara qartësisht me sfond hakmarrës. Edhe pse kjo ishte një praktikë që u zbatua gjerësisht në Europën e pas luftës, ajo mbetet në thelb një praktikë kriminale.

Partia Komuniste ose Partia e Punës së Shqipërisë kish deklaruar se ishte përfaqësuese e vetme e legjitime e interesave të klasës punëtore e fshatare

Kufizimi i lirive qytetare

Kufizimi i lirive qytetare nënkupton kufizimin e lirisë së shprehjes, të lirisë së mbledhjes dhe protestës, lirinë e besimit, lirinë e privatësisë, lirinë e gjykimit të drejtë e të paanshëm, lirinë e barazisë dhe jo diskriminimit, lirinë e shtypit dhe lirinë e lëvizjes. Gjatë regjimit të diktaturës të gjitha këto liri ishin të kufizuara dhe ekzistonin vetëm brenda një konteksti të caktuar ideologjik. 

Liria e shprehjes dhe e kritikës

Liria e shprehjes ekzisonte vetëm në kontekstin e ideologjisë shtetëtore dhe në ato drejtime që lejonte politika e diktaturës. Për shembull qytetarët shqiptarë kishin në parim të drejtën të bënin kritika publike ndaj zyrtarëve apo ndërmarrjeve të caktuara për çështje teknike, në kuadër të përmirësimit të punës dhe shërbimeve në shtetin socialist, por nuk mund kurrësesi të kritikonin partinë në pushtet, institucionet e saj drejtuese, metodat e qeverisjes dhe udhëheqësit politikë. Madje gjatë kohës së miqësisë me Kinën u ngrit edhe sistemi i fletë rrufeve, qëllimi i të cilit ishte pikërisht nxitja e kritikës publike ndaj individëve dhe ndërmarrjeve.

Mirëpo në kuadrin e një diktature agresive që operonte gjerësisht në bazë të temperaturës politike, pa rregulla të përcaktuara qartë, në një sistem ku nuk ekzistonte as mendimi ndryshe as debati politik, dhe ku dënimet ishin ekstreme, zhvillimi i ndërgjegjes qytetare dhe aftësisë për t’i parë gjërat me sy kritik ishte praktikisht i pamundur. Rreziku që mendimi i shprehur të të kthehej mbrapsht në formë akuze politike ishte më se real dhe kjo i bënte njerëzit që të preferonin heshtjen përpara angazhimit qytetar politik. Shumica e qytetarëve shqiptarë kishin frikë nga pushteti dhe përfaqësuesit e tij në të gjitha nivelet. 

Për të mos thënë pastaj që diktatura lejonte dhe madje nxiste lulëzimin e fenomenit të shërbëtorit besnik ndaj shtetit, kryesisht përfaqësues të nivelit të ulët të pushtetit, individë me prirje sadiste, të cilët kishin për detyrë vetëm ushtrimin e terrorit psikologjik ndaj popullsisë nëpërmjet fanatizmit të tyre të thekur dhe manipulimit të situatave në dëm të njerëzve të thjeshtë.

Punonjësit e kombinatit duke lexuar shpallje, njoftime dhe fletërrufe.

Liria e mbledhjes dhe tubimeve

Liria e mbledhjes dhe tubimeve ishte gjithashtu e kufizuar. Mbledhjet dhe tubimet publike bëheshin vetëm në kontekstin e aktiviteteve të organizuara nga shteti e në mbështejtje të politikave të shtetit. Liria për të protestuar nuk ekzistonte fare, duke bërë që edhe ditët si 1 Maji, e cila është ditë ndërkombëtare protestash për të drejtat e punëtorëve, të organizohej në frymën e një feste shtetëtore, me parada e manifestime lavdi-thurëse pro pushtetit dhe parrulla kundër shtypjes së punëtorëve në vendet kapitaliste, pasi qëndrimi zyrtar ishte se problemet e punëtorëve në Shqipëri ishin zgjidhur ose po zgjidheshin. Regjimi kishte frikë nga tubimet e paplanifikuara pasi këto mund të ktheheshin në protesta politike kundër pushtetit e rrjedhimisht shkak për trazira që mund të përhapeshin në të gjithë vendin.

Manifestimet e punëtorëve me rastin e 1 Majit

Liria e besimit fetar

Në vitin 1967 Shqipëria u shpall zyrtarisht shtet ateist dhe ushtrimi i fesë si në sferën publike ashtu edhe në atë private u ndalua me ligj të sanksionuar në kushtetutën e Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë, i cili shprehej se: “...Shteti nuk njeh asnjë fe dhe përkrah e zhvillon propagandën ateiste…” Dënimi për të gjithë ata që ushtronin fenë bëhej në bazë të nenit 55 për Agjitacion e Propagandë, në të cilin thuhej: “Krijimi i çdo lloj organizate me karakter fashist, anti-demokratik, fetar dhe anti-socialist është i ndaluar. Aktivitetet fashiste, anti-demokratike, fetare, luftë-nxitëse dhe anti-socialiste si dhe nxitja e urrejtjes kombëtare dhe racore janë të ndaluara...” Masat e marra për shkeljen e këtij ligji varionin nga heqje lirie deri në dënim me vdekje.

Ky vendim erdhi si rezultat i një fushate politike të nxitur nga fjalimi me sfond ideologjik që Enver Hoxha mbajti më 6 shkurt 1967 “...kundër fesë dhe zakoneve prapanike…”, i cili kish për qëllim denoncimin e praktikave fetare, zakoneve të vjetra me sfond fetar dhe veçanërisht aktivitetin politik të institucioneve fetare në Shqipëri. Gjatë vitit 1967 u morën disa vendime që i hiqnin të drejtën qytetarëve shqiptarë të organizonin, merrnin pjesë apo kremtonin çfarëdolloj aktiviteti fetar. Institucionet fetare u shpallën të jashtëligjshme ndërsa shumë prej klerikëve, pasi u torturuan në hetuesi, morën dënime të rënda deri me vdekje. Gjithashtu ndërtesat fetare u sekuestruan nga shteti, i cili i futi në përdorim për qëllime të ndryshme praktike dhe një pjesë u shkatërruan. Prodhimi, ekspozimi dhe shkëmbimi i simboleve dhe librave apo materialeve propagandistike fetare gjithashtu u ndalua. Përfundimisht po në vitin 1967 Shqipëria u shpall si vendi i parë ateist në botë.

Megjithatë, lufta kundër institucioneve fetare kishte filluar më herët, që pas mbarimit të luftës, nëpërmjet disa vendimeve që  i vinin ato nën kontrollin e shtetit dhe kufizonin shumë lirinë e tyre të veprimit. Kjo luftë kish marrë frymëzim prej ideologjisë Marksiste-Leniniste, e cila e konsideronte fenë si pengesë për ndërtimin e shoqërisë socialiste, por vinte edhe si shkak i situatave më pragmatike që lidheshin drejtpërdrejtë me marrëdhëniet e acaruara ndër vite mes institucioneve fetare,  veçanërisht kisha katolike, të cilat ishin kthyer në vatra rezistence kundër regjimit dhe pushtetit të ri që kërkonte bindje dhe nënshtrim absolut nga të gjitha palët.

Citat i shkëputur nga fjalimi i Enver Hoxhës i vitit 1967

Kontrolli mbi mediat dhe informacionin

Regjimi i diktaturës ushtronte kontroll të plotë mbi mediat dhe informacionin. Në Shqipëri nuk ekzistonte asnjë media e pavarur apo jashtë kontrollit të drejtpërdrejtë të shtetit. Ambientet e godinat, gazetarët dhe artistët (përfshi arsimimin e tyre), mjetet e punës, përmbajtja dhe çdo gjë tjetër që lidhej me prodhimin dhe menaxhimin e informacionit ishte kryekëput e financuar dhe e drejtuar nga institucionet shtetërore.

Në fjalimet e tij Enver Hoxha e përmend vazhdimisht rëndësinë e kontrollit mbi informacionin dhe propagandën si një mjet i domosdoshëm për mbështetjen e ideologjisë shtetërore dhe politikave të regjimit për ndërtimin e shoqërisë socialiste. Vija politike dhe veçanërisht fenomeni i luftës së klasave duhej të propagandohej në të gjitha format e në të gjitha mediumet: në gazeta e revista, në radio, në ekranet e televizorëve e kinemave, në skena teatrale, në artin pamor, në shfaqjet muzikore, në festa, etj. 

Edhe informacioni që vinte nga mediumet e ndryshme të huaja kontrollohej dhe kalonte nëpër filtra. Materialet e shtypura që lejoheshin të hynin në Shqipëri, si revista e libra, ishin kryesisht materiale tekniko-shkencore, ndërsa ato politike, pornografike e artistike që dilnin jashtë kornizës së ideologjisë ishin rreptësishtë të ndaluara. Stacionet e radios dhe ato televizive ishin gjithashtu të ndaluara. Për këtë institucionet përkatëse kishin vendosur aparatura zhurmuese për të penguar shpërndarjen e sinjalit në territorin e Shqipërisë. Transmetimi i filmave, programeve dhe dokumentarëve të huaj lejoheshin vetëm nëse nuk përmbanin mesazhe në kundërshtim me ideologjinë shtetërore.

Në media lejoheshin kritikat dhe satira kundër fenomeneve të ndryshme shoqërore e institucionale në kuadër të ideologjisë zyrtare shtetërore si p.sh, dembelizmi, hajdutëria, burokratizmi, diletantizmi, nepotizmi, intelektualizmi (tendenca për të qëndruar larg problemeve të popullit), individualizmi, zakonet e vjetra, veset, etj, por jo kritikat kundër regjimit, institucioneve të tij dhe udhëheqjes politike. Rasti më i famshëm i kësaj kritike e satire është komedia “Pallati 176”, i cili është ndërtuar si kritikë ndaj disa fenomeneve që u shfaqën si rezultat i praktikës së dërgimit të specialistëve me shërbim jashtë Tiranës ose revista Hosteni, e cila satirizonte kryesisht burokracinë shtetërore, fenomen që ishte kritikuar nga vetë Enver Hoxha në fjalimin e tij për burokratizimin e aparatit shtetëror. Në media lejohej dhe inkurajohej propaganda kundër kapitalizmit dhe politikave të fuqive imperialiste, por edhe paraqitja e shtrembëruar e realitetit në botën kapitaliste.

Një rëndësi të veçantë zinte propaganda urrejtje nxitëse me sfond hakmarrës kundër personazheve historikë të shpallur armiq të popullit e të regjimit, sidomos përdhosja absolute e figurës së tyre, ndonjëherë deri në kufijtë e qesharakes. Vihet re që gjuha e urrejtjes kundër këtyre personave apo grupimeve ka ardhur duke u rritur e duke u bërë më ekstreme me kalimin e viteve, deri në pikën sa, vende-vende, më shumë hapësirë u kushtohet epiteteve negative për personazhin se sa veprimeve konkrete të personazhit, të cilat shpesh herë nuk tregohen fare. P.sh, në shumë nga librat që flasin për historinë e  LANÇ është e pamundur të kuptosh se çfarë ka bërë konkretisht “tradhtari” dhe “armiku i popullit” për të merituar atë etiketim.*

*Këtu rëndësi nuk ka nëse akuza është apo jo e vërtetë. Rëndësi ka se për çfarë akuzohet.

Nga këto veprime e masa, duket se regjimi i diktaturës e konsideronte të rrezikshëm qarkullimin e lirë të informacionit dhe lëvrimin e mendimeve në opozitë me ideologjinë shtetëtore, ose siç quhej atëhere, “vija e Partisë”. Kjo tregon se regjimi nuk kishte besim të plotë në narrativën e propaganduar prej tij, si një mekanizëm i mjaftueshëm për të legjitimuar veprimtarinë e vet në sytë e qytetarëve shqiptarë.

Kopertina e revistës politiko-satiro-humoristike Hosteni

Liria e gjykimit të drejtë e të paanshëm

Një nga çështjet më problematike që vërehet gjatë regjimit të diktaturës ishte gjykimi i padrejtë dhe i njëanshëm, sidomos për çështjet politike. Sistemi i drejtësisë ishte tërësisht i politizuar dhe në funksion të ideologjisë shtetërore dhe pushtetit. Ndonëse në kushtetutën e Shqipërisë njihej e drejta e gjykimit të drejtë e të paanshëm, në të vërtetë gjatë procesit hetimor dhe gjyqësor drejtësia dhe paanshmëria ishin koncepte relative, që vareshin tërësisht nga rrethanat politike dhe dëshira e pushtetit për ta persekutuar apo eliminuar të pandehurin. Nëse i pandehuri kishte marrë damkën politike të “armikut të popullit e të partisë”, fati i tij qe vulosur që gjatë procesit hetimor dhe gjyqi nuk shërbente veçse si formalitet. Për këtë mjafton të shikojmë regjistrime të proceseve gjyqësore të zhvilluara gjatë diktaturës, si p.sh ajo e Kadri Hazbiut, për të kuptuar se si trupi gjykues merr rolin e prokurorit dhe i drejtohet të pandehurit me tone agresive dhe etiketime fyese. Madje në sallën e gjyqit gjykatësi lejon që të ketë shkëmbim fjalësh dhe fyerje mes një dëshmitari dhe të pandehurit duke krijuar kështu një atmosferë armiqësore dhe presion psikologjik ndaj të pandehurit. Për të kompensuar këtë presion, i pandehuri e ndjen se duhet të ngrejë zërin në mbrojtje të së vërtetës se tij*, të cilën gjykatësi përpiqet ta mohojë ose ta  turbullojë nëpërmjet deklaratave klishe të akuzës.

*Edhe në këtë rast nuk diskutohet nëse i pandehuri është fajtor apo jo. Këtu diskutohet vetëm e drejta e tij për tu mbrojtur e për tu gjykuar në mënyrë të paanshme.

Për më tepër, në vitin 1967, regjimi miratoi në kuvend heqjen e institucionit të avokatit mbrojtës, duke e lënë kështu të pandehurin krejt të pambrojtur përpara makinerisë hakmarrëse të shtetit. Duke hequr institucionin e avokatit mbrojtës pushteti jepte një mesazh të qartë se nuk kishte aspak ndërmend të respektonte liritë dhe të drejtat e “armikut”. Kjo gjendje ishte krijuar si rezultat i trazirave të shumta që ishin krijuar prej tensioneve politike të marrëdhënieve me shtete aleate si Jugosllavia, Bashkimi Sovjetik dhe pastaj Kina, të cilat gjatë prishjes së marrëdhënieve kishin mbështetur grupe opozitare brenda pushtetit me qëllim përmbysjen e Enver Hoxhës dhe mbështetësve të tij. Si kundërpërgjigje regjimi u bë akoma dhe më represiv duke i konsideruar veprimet kundër vijës së Partisë dhe udhëheqjes së saj si akte që nuk meritonin gjykim të drejtë e të paanshëm.

Të gjitha këto dhe dokumente të shumta të proceseve gjyqësore gjatë diktaturës, përfshi këtu edhe dënimin e 22 intelektualëve si pasojë e hedhjes së bombës në legatën jugosllave, tregojnë qartë që në Shqipërinë komuniste drejtësia nuk ishte e verbër por anonte tërësisht nga ana e shtetit dhe se liria e gjykimit të drejtë e të paanshëm, pavarësisht nëse i pandehuri ishte fajtor apo jo, nuk ekzistonte. 

Jo vetëm kaq, por gjatë regjimit të diktaturës numërohen edhe shumë raste të gjyqësisë jashtë sistemit të drejtësisë. Shumë njerëz të shpallur armiq të regjimit janë ekzekutuar pa iu nënshtruar një procesi të rregullt gjyqësor e për pasojë ata nuk figurojnë në dokumentacionin e rregullt arkivor. Ata janë varrosur në vende të fshehta, të cilat edhe sot e kësaj dite nuk dihet ku janë. Kjo bëhej me qëllim që këto ekzekutime të mbaheshin të fshehura nga publiku i gjerë dhe sidomos familjarët, të cilët mund të interesoheshin për fatin e tyre. Familjarëve të të dënuarve politikë u ndalohej e drejta e njohjes së vendit të prehjes në mënyrë që varret e tyre të mos ktheheshin në pika frekuentimi e pelegrinazhi.

Kadri Hasbiu në seancë gjyqësore

Torturat dhe trajtimi çnjerëzor

Torturat dhe trajtimet çnjerëzore mbetën një problem serioz për gjatë gjithë ekzistencës së diktaturës. Hetuesia e përdorte rëndom dhunën dhe presionin psikologjik për të nxjerrë informacion e për t’iu thyer vullnetin personave që ndodheshin nën hetim. Por veçanërisht problematike këto fenomene u bënë në dekadën e parë pas luftës kur gjykatat vepronin ekluzivisht në bazë të frymës së hakmarrjes. Shumë njerëz që u akuzuan si armiq të regjimit u torturuan e u trajtuan në mënyra çnjerëzore, si gjatë procesit hetimor ashtu edhe pas dënimit, në burgje e kampe pune. Duke përdorur gjuhën e urrejtjes e të hakmarrjes e duke mos vendosur rregulla të rrepta për mbrojtjen e të akuzuarve nga dhuna, regjimi i dha dorë të lirë sadistëve dhe kriminelëve me apo pa uniformë që të bënin me të arrestuarit çfarë t’u donte qejfi. Qëllimi ishte që të etiketuarit si armiq të regjimit të poshtëroheshin, t’u mohohej dinjiteti njerëzor dhe t’u thyej vullneti. 

Janë me mijëra ata qytetarë shqiptarë që janë janë torturuar në forma nga më të ndryshmet. Gjatë hetimit janë përdorur forma ekstreme të dhunës për të nxjerrë informacion. Pas dënimit, kushtet e mjerueshme të jetesës në burgje ishin gjithashtu një formë torture fizike e psikologjike. Ndërsa trajtimi i të dënuarve në kampet e punës së detyruar, si p.sh, ai i Vlloçishtit në Korçë*, shkaktonte vazhdimisht viktima. Atje të dënuarit duhet të punonin me orare të zgjatura deri në 12 orë, në kushte të rënda fizike, pa kujdesin e duhur shëndetësor dhe nën poshtërimin e vazhdueshëm të drejtuesve të kampit. Për pasojë, me dhjetëra të arrestuar e të burgosur kanë vdekur si rezultat i torturave ose kanë bërë vetëvrasje.

*Në kampin e Vlloçishtit strehoheshin të dënuarit që ishin angazhuar në punë të detyruar për tharjen e Kënetës së Maliqit.

Tharja e kënetës së Maliqit. Foto dokumentare.

Liria e barazisë dhe mos diskriminimit

Ndonëse në letra pozita zyrtare e ideologjisë shtetërore dhe vetë parimet e komunizmit propagandojnë fort barazinë mes njerëzve dhe mos diskriminimin si fenomene që shfaqen vetëm në kapitalizmin borgjez, në realitet nën regjimin e diktaturës mos barazia dhe diskriminimi u zhvilluan në forma ekstreme. Veçanërisht diskriminimin regjimi e sanksionoi me ligj e me procedura, dhe praktikat diskriminuese u mbështetën me logjistikë nga administrata shtetërore. Diskriminimi vinte si rezultat i një dënimi politik ose lidhjes familjare me një të dënuar politik ose të arratisur. Sa më i afërt i dënuari, aq më i madh diskriminimi. Koncepte të tilla si njolla në biografi, shkarkimet ose ulja e përgjegjësisë në punë, ose mohimi i të drejtës së studimit, internimet dhe survejimi i vazhdueshëm për shkak të një dënimit të mëparshëm apo lidhjeve familjare me njerëz të dënuar e të arratisur morën një zhvillim të jashtëzakonshëm gjatë gjithë ekzistencës së diktaturës. Në këtë mënyrë regjimi legjitimonte dy koncepte krejt anti-demokratike: dënimin në kolektiv dhe dënimin për shkak të lidhjeve familjare e shoqërore, veprime që janë në kundërshtim të plotë me parimin e përgjegjësisë individuale e për rrjedhojë është mënyra më ekstreme e diskriminimit. 

Numërohen me dhjetëra mijëra individët dhe familjet që vuajtën të gjitha llojet e praktikave diskriminuese. Kjo kategori njerëzish u quajt kolektivisht “të deklasuar.” Të deklasuarit jetonin si qytetarë të dorës së dytë brenda shoqërisë shqiptare, me të drejta tejet të kufizuara dhe pothuajse asnjë mundësi për të ecur përpara në drejtim të rritjes profesionale dhe karrierës intelektuale. Të deklasuarit mund të punësoheshin vetëm si punëtorë të thjeshtë krahu dhe jo rallë herë stigmatizoheshin e izoloheshin nga miqtë e afërm dhe shoqëria. Të deklasuarit që u dërguan në internim përjetuan edhe pasojat më të rënda, pasi jeta e tyre ishte objekt i survejimit të rreptë e të vazhduesëm të sigurimit të shtetit dhe subjekt i diskriminimit të përditshëm nga komuniteti. Këtyre njerëzve u ishte hequr e drejta të jetonin pranë qyteteve të mëdha e sidomos kryeqytetit dhe dërgoheshin të jetonin në qyteza të vogla ose fshatra, ku ishin të detyruar të angazhoheshin në punët e fshatit. Kjo masë ishte veçanërisht tronditëse për intelektualët (me qëllim), të cilët nuk kishin bërë asnjëherë punë fizike intensive. Regjimi e quante këtë proces riedukim me qëllim që viktima të njihej me realitetin e punëtorëve dhe fshatarësisë, por në fakt për viktimat kjo ishte një torturë psikologjike që nuk mbaronte asnjëherë. Jo rallë herë ka ndodhur që të deklasuarit, veçanërisht femrat, të jenë keqtrajtuar, manipuluar e keqpërdorur nga oficerë të sigurimit e përfaqësues të pushtetit lokal për përmbushjen e fetisheve të tyre seksuale, pasi shanset që zëri i tyre të binte në vesh të shurdhër ishte shumë i lartë.

I gjithë sistemi i diskriminimit nëpërmjet deklasimit dhe internimit ishte ndër aspektet më të egra të regjimit ku kriminaliteti shtetëror u shpreh me të gjithë forcën e tij.

Liria e lëvizjes

Të gjitha masat represive regjimi i justifikonte me idenë e sigurisë së popullit, pronës së përbashkët dhe shoqërisë socialiste. Në këtë kontekst edhe lëvizja e qyetarëve ishte e kufizuar dhe e kontrolluar rreptësisht nga organet e sigurimit. Propaganda e regjimit mbante gjallë psikozën e armikut permanent dhe për këtë jo vetëm që ndalonte lëvizjen e lirë por edhe kërkonte nga të gjithë qytetarët vigjilencë absolute duke ua ngarkuar atyre barrën psikologjike të sigurisë së shtetit.

Dhe në fakt, për fat të keq regjimi kishte me se të justifikohej. Shkak i marrjes së këtyre masave u bënë inkursionet e shumta gjatë viteve 1949-1956 si dhe ato të mëvonshmet që organizuan  agjenturat e shteteve fqinje dhe ato të fuqive perëndimore, me qëllim për të krijuar destabilitet politik në Shqipëri e për të përmbysur regjimin. Ishin me qindra shqiptarët e trajnuar në baza ushtarake të vendeve të ndryshme, të cilët kishin për qëllim të vinin në Shqipëri e të sabotonin investimet në industri e infrastrukturë, të vrisnin udhëheqësit e PKSH e të shtetit dhe të krijonin grupe të rezistencës e kryengritje të armatosura. Këta hidheshin me parashutë në territorin shqiptar ose hynin nga kufijtë tokësorë e detar me grupe e në valë të ndryshme. Misioni i fundit, i ardhur nga deti, ishte ai i Xhevdet Mustafës në vitin 1982, me objektiv vrasjen e Enver Hoxhës. 

Organizimi i inkursioneve në Shqipëri ishte një ndër operacionet më të mëdhaja diversioniste të organizuara ndonjëherë nga agjenturat e anëtarëve të NATOS deri në atë kohë. Mësimet e nxjerra nga ky operacion do të shërbenin pastaj për zhvillimin e operacioneve të tjera nëpër botë.

Si kundërpërgjigje regjimi i diktaturës angazhoi me mijëra njerëz nga aparati i sigurimit, popullsia e thjeshtë dhe gjithë makineria e diktaturës duke e kthyer çështjen e kapjes apo asgjësimit të këtyre grupeve një çështje kombëtare, publike dhe prioritare. Propaganda e regjimit e shfrytëzoi me mjeshtëri gjendjen e krijuar për të justifikuar qasjen e regjimit ndaj sigurisë. Për këtë temë kishte lajme në radio, reportazhe në kinema, artikuj në gazeta, u shkruan romane e novela, u vunë në skenë shfaqje teatrale, u realizuan filma artistikë, etj. Sa më shumë grupe hidhnin agjenturat e huaja, aq më shumë përforcohej ideja e rrezikut, aq më shumë justifikoheshin masat represive në sytë e qytetarëve. Madje në fshatrat kufitare, kapja e diversantëve (inkursionistëve) u kthye në sport kombëtar. Kush e kush të tregohej më i zellshëm e më i shkathët në kapjen e armikut që vinte nga jashtë.

Kësisoj një udhëheqje që ishte mbrujtur për 5 vjet rresht me mentalitetin e luftës dhe e gjendur përpara tentativave të vazhdueshme për t’i përmbysur me dhunë vendosi që në emër të sigurisë të kufizonte qarkullimin e lirë të të gjithë qytetarëve të Shqipërisë dhe të mbante nën kontroll të rreptë të sigurimit të gjithë rrjetin e transportit, duke kufizuar kështu edhe lirinë e lëvizjes. Qytetarët shqiptarët mund të lëviznin nga qyteti në qytet në mënyrë të përkohshme, por vetëm me autorizim nga organet e sigurisë. Ndërsa trasnferimi i vendbanimit sipas dëshirës ishte i ndaluar. Askush nuk mund të ndërronte qytet pa pasur një justifikim para shtetit.

E ndaluar ishte edhe lëvizja e qytetarëve shqiptarë jashtë Shqipërisë. Njerëzit mund të dilnin jashtë shtetit vetëm me autorizim dhe për disa arsye të caktuara: për shërbime ndaj shtetit, për studime, për aktivitete artistike e sportive, për mjekim në raste të veçanta e për ndonjë rast tjetër që nuk më kujtohet për momentin. Dalja jashtë shtetit për pushime, për të takuar të afërmit* apo për çdo lloj arsyeje tjetër personale ishte kategorikisht e ndaluar. 

*Dalja jashtë shtetit për të takuar të afërmit u lejua vetëm në vitin 1985 kur pasi u lidhën marrëdhëniet diplomatike me Greqinë. Shumë minoritarë grekë që nuk kishin njolla në biografi u lejuan që të vizitojnë familjarët e tyre në Greqi për një periudhë disa ditore.

Ky izolim me botën e jashtme bëri që në Shqipëri të shfaqej fenomeni i arratisjeve. Disa mijëra njerëz janë arratisur nga Shqipëria në forma nga më të ndryshmet. Më e vështirë e më e rrezikshme ishte arratisja nga kufiri. Shumë ia kanë arritur të kalojnë kufirin por shumë të tjetërve u ka mbetur arratisja në tentativë pasi janë kapur ose janë ekzekutuar nga rojet kufitare. Regjimi e konsideronte arratisjen si vepër penale dhe tradhti ndaj atdheut e për këtë dënonte jo vetëm të arratisurin por edhe familjarët e të arratisurit nëpërmjet mekanizmit të diskriminimit që përmenda më sipër, si një formë presioni psikologjik për të shmangur përsëritjen e veprimit.

Sistemi i survejimit

Kontrolli absolut që regjimi i diktaturës ushtronte mbi popullsinë civile përforcohej shumë edhe nëpërmjet sistemit të survejimit. Regjimi ngriti një rrjet të tërë me informatorë, detyra e të cilëve ishte raportimi i çdo veprimtarie, sado e pafajshme në dukje, që mund të shkaktonte revolta e nxitje të pakënaqësive kundër regjimit. Qytetarët e kishin absolutisht të ndaluar të shprehnin pakënaqësi, jo vetëm ndaj regjimit dhe vijës së Partisë, por edhe për gjëra fare të thjeshta si kushtet e jetesës, cilësia e ushqimit e aspekte të tjera të jetës së përditshme. Nëse ankesat binin në vesh të informatorëve, të cilët, me nxitjen e regjimit mund të ishin edhe pjesëtarë të familjes e miq të afër, atëherë për qytetarin që i shprehte ato hapej një dosje survejimi ku shënoheshin të gjitha fjalët e thëna. E nëse pastaj informatori dhe agjenti i përpunimit ishin të zellshëm në detyrën e tyre dhe veçanërisht dashakeqës, atëherë i gjithë materiali i mbledhur në dosje do të përdorej si provë kundër qytetarit nga hetuesia për të kërkuar dënime të rënda, të cilat gjykata e diktaturës nuk i kursente. 

Këtë praktikë gjerësisht anti-demokratike dhe jashtëzakonisht shtypëse e legjitimonte neni 55 i kushtetutës së RPSSH për Agjitacionin dhe Propagandën, në të cilin thuhej: “janë të ndaluara aktivitetet fashiste, anti-demokratike, fetare, luftë-nxitëse dhe anti-socialiste si dhe nxitja e urrejtjes kombëtare dhe racore…” Termi “anti-socialiste” ishte një koncept shumë i gjerë dhe mund të përdorej praktikisht për gjithçka, deri për gjërat më të vogla e të parëndësishme si p.sh, rrobat e trupit, të cilat nëse nuk reflektonin një kod të pashkruar estetik të cilësuar si “socialist”, mund të përdoreshin si argument shtesë për të ilustruar “anti-socializmin” dhe sjelljen “mikroborgjeze” të të akuzuarit. 

Kjo nuk do të thoshte se të gjithë njerëzit në Shqipëri respektonin me rigorozitet kodin “socialist” të veshjes dhe se nuk kishte njerëz që tregoheshin pak më guximtarë në ndjekjen e modës. Kjo do të thoshte se nëse individi bëhej objekti i survejimit e pastaj i hetimit, aspekte mondane të jetës së tij si stili i të veshurit, mendimet e shprehura, shijet muzikore dhe sjellja me njerëzit në përgjithësi mund të bëheshin faktorë që rëndonin pozitën e tij përpara organeve të hetuesisë dhe drejtësisë, njësoj sikur bëhej fjalë për “ditën e gjykimit” përpara perëndisë.

Pamje nga Shqipëria e periudhës së diktaturës

Përvetësimi i pronës

Në vitet e para të pasluftës, regjimi ndoqi një fushatë tejet agresive për sekuestrimin e pasurisë së individëve që konsideroheshin se i kishin përfituar nga tregtia me pushtuesit nazifashistë. Kështu, shumë prej këtyre individëve kaluan nëpërmjet proceseve të rënda hetimore, ku në të cilat, me anë të dhunës u kërkohej të jepnin informacion mbi pasuri që mund t’i kishin fshehur. Në disa raste këta individë u dëbuan me forcën nga shtëpitë e tyre, pa paralajmërim dhe pa një proces të rregullt gjyqësor. Ndonëse sekuestrimi pasurisë së vënë prej tregtisë me autoritetet nazifashiste ishte pas luftës një fenomen i përhapur gjerësisht në Europë, metodat e ndjekura në Shqipëri përbëjnë qartazi akte kriminale nga këndvështrimi i të drejtave të njeriut.

Fenomeni i sekuestrimit të pronës u përhap gjerësisht edhe në fshat në lëmin e tokave bujqësore dhe bagëtive. Shumë nga pronarët e tokave të mëdha bujqësore që kundërshtonin kolektivizimin u etiketuan si kulakë, sipas shembullit të Bashkimit Sovjetik, dhe ndaj tyre filluan të merren një sërë masash shtypëse e diskriminuese, si p.sh, ndalimin e pjesëmarrjes në aktivitete shoqërore, ndalimin e anëtarësimit në Frontin Demokratik, etj, të cilat më pas do të përfundonin me dënime të rënda dhe sekuestrim të tokave bujqësore. Shtysë për këtë fushatë u bë një listë masash që mund të merreshin ndaj kulakëve, të cilën Enver Hoxha e shpalli në Kongresin e Parë të Kooperativave bujqësore në vitin 1949. Fushata pastaj u mbështet nga propaganda e fuqishme shtetërore, mbledhjet aktiveve, të bazës, të rinisë, etj. 

Ndonëse çështja e tokës bujqësore në Shqipëri ishte një problem serioz i trashëguar që kërkonte një zgjidhje nëpërmjet një shpërndarjeje më të balancuar të saj tek fshatarësia, fushata kundër kulakëve karakterizohej nga tone të rënda grabitqare me parulla që nxisnin urrejtjen dhe hakmarrjen si p.sh. “Luftë deri në vdekje kundër kulakëve” apo “Kulaku është armik i betuar i klasës punëtore”. Afro 2000 mijë fshatarë u dënuan si kulakë brenda një periudhe dy vjeçare (1950-1951), ndër ta edhe shumë fshatarë nga shtresa e mesme dhe e varfër.

Një formë e sekuestrimit të pronës ishte edhe kolektivizimi i detyrueshëm i bujqësisë dhe blegtorisë. Fshatarët u detyruan që të merrnin pjesë në kolektivizimin e plotë të tokës pavarësisht se nuk ishin aspak të përgatitur që të ndërmerrnin një hap të tillë me ndërgjegjen e tyre. Atë tokë që e kishin fituar me reformën agrare të vitit 1946 dhe të cilës i ishin gëzuar aq shumë, tani ata duhet ta lëshonin prapë e ta bënin pjesë të kooperativës. Në shumë krahina të veriut kolektivizimit të bagëtive fshatarësia iu përgjigj duke shitur bagëtitë e duke i therur masivisht ato para se të tërhiqeshin nga kooperativat. Mirëpo këto veprime nuk e ndaluan vrullin e pushtetit.  Kolektivizimi vazhdoi me intensitet dhe deri në vitin 1979 në Shqipëri nuk kishte më asnjë fermë private. Pasojat e rënda te kësaj politike u ndjenë veçanërisht shumë gjatë viteve 80, kur Shqipëria kishte hyrë në fazën e izolimit dhe mungesës së ndihmës së huaj. Keqmenaxhimi dhe rendimenti i ulët i kooperativave bujqësore shkaktoi varfëri në fshat dhe mungesë të mallrave ushqimore në qytet. Për pasojë fshatarët nuk kishin më leverdi që të investonin kohën dhe mundin e tyre për prodhime nga të cilat nuk përfitonin pothuajse asgjë. Për të luftuar këtë fenomen, regjimi mori një masë tjetër akoma edhe më të ashpër, atë të ndalimit të punimit të tokës së oborrit dhe mbajtjes së kafshëve për konsum vetiak. Kjo masë acaroi akoma edhe më shumë masat e marra gjatë kolektivizimit dhe shtoi varfërinë e fshatarësisë.

Fshatarë duke punuar tokën

Përgjithësime

Këto që u thanë më sipër janë vetëm një copëz e vogël e të gjithë panoramës së realiteti shqiptar gjatë diktaturës, por nuk ka asnjë dyshim që regjimi ishte i rreptë, i ashpër dhe shpesh herë gjakatar. Kundërshtarët politikë regjimi nuk i falte, ndërsa qytetarët  e thjeshtë i mbante në shtypje të vazhdueshme me masa e metoda anti demokratike. Gjithashtu nuk ka dyshim se qëllimi i udheheqjes komuniste ishte kontrolli absolut i jetës politike, ekonomike e sociale të vendit, me qëllim qeverisjen e tij sipas një vije të vetme ideo-politike në kundershtim të plotë me çdo parim demokratik. Dhe në të vërtetë këtë fakt regjimi nuk e ka fshehur kurrë. Përkundrazi e ka propaganduar fort si sukses të Partisë e të popullit.

Megjithatë një gjë është për mua më se e qartë dhe për këtë nuk bie absolutisht në dakord me të gjithë ata që kanë trajtuar këtë temë deri më sot. Sado kriminal që të ishte, regjimi i diktaturës nuk pati asnjëherë qëllime e plane antishqiptare e antikombëtare si qëllim në vetvete*. Përkundrazi regjimi i diktaturës ishte një formë ekstreme e nacionalizmit, e tipit shqiptar, qëllimi i të cilit ishte vetëm një - ruajtja e pavarësisë dhe integritetit territorial të Shqipërisë. Mirë apo keq, kjo ishte. Shpesh herë Enver Hoxha është akuzuar si paranojak i pushtetit të vet. Në të vërtetë e vetmja paranojë që ekzistonte në udhëheqjen e diktaturës ishte ndërhyrja e fuqive të huaja në punët e brendshme të Shqipërisë dhe rreziku i destabilitetit politik në emër të interesave të fqinjëve tanë. Sipas udhëheqjes komuniste Shqipëria duhet të ishte guaskë e mbyllur hermetikisht.

*Këto erdhën si pasojë e politikave kriminale.

Kështu edhe disa nga pretendimet e ngritura, si p.sh. që regjimi zhduku me qëllim shtresën e intelektualëve, nuk qëndron. Regjimi nuk bënte asnjë dallim kur vinte puna për çështje politike. Intelektualët kanë vuajtur njësoj si edhe njerëzit e thjeshtë. Ata intelektualë që u dënuan ishin aq të paktë, të pafuqishëm e të përçarë saqë nuk përbënin rrezik më të madh se palët e tjera në opozitë. Kryengritjet e armatosura ishin rrezik shumë më i madh se sa shtresa e intelektualëve në vetvete. Pastaj, fakti që regjimi investoi aq shumë në arsim e në shkencë dhe në ngritjen e një plejade të tërë intelektualësh të rinj e hedh poshtë katërcipërisht këtë pretendim.

Ndonëse ideologu kryesor dhe përfaqësuesi zyrtar i regjimit diktatorial ishte Enver Hoxha, asnjë nga politikat a përmendura më sipër nuk do të gjente zbatim pa mbështetjen e një komuniteti të tërë njerëzish të cilët kishin besim absolut tek ai. Dhe këta nuk ishin pak, por me qindra mijëra. Një brez i tërë i rritur në regjimin autoritar të Zogut, i gjendur përballë rrezikut të shpërbërjes së atdheut dhe i rrahur me zjarrin e luftës së dytë botërore, këta nuk mund të ishin brezi i paqes dhe mirëkuptimit. Shumë prej tyre hynë në luftë si djem fare të rinj në moshën 17-18 vjeçare dhe dolën prej saj burra në moshën 22-24 vjeçare. Pesë vjet jetë luftarake, sa për njëzet e pesë jetë civile. Për ta Enver Hoxha dhe udhëheqja e LANÇ ishin para së gjithash simboli i suksesit dhe fitores. Pa atë udhëheqje lufta antifashiste nuk do të kish marrë kurrsesi ato përmasa që mori dhe nuk do të kishte korrur ato suksese që korri. Lufta ishte e ashpër dhe armiku, qoftë ai i jashtëm, qoftë ai i brendshëm, nuk ta kursente jetën. Vetëm disiplina e rreptë, qëllimet e qarta dhe bindja absolute ndaj udhëheqjes bënë të mundur çlirimin e atdheut dhe shpartallimin e forcave kundërshtare. Këta njerëz nuk e dinin se ç'ish toleranca dhe mirëkuptimi në fushëbetejën e luftës e të jetës. Këta njerëz nuk të falnin.

Por edhe shoqëria shqiptare në përgjithësi nuk premtonte më shumë. Pjesa dërrmuese e shqiptarëve jetonin në fshat, në varfëri e me rregullat drakoniane të sistemit fisnor e të mentaliteteve të trashëguara nga e shkuara osmane. Përveç disa intelektualëve të shkolluar, konceptet e demokracisë as që i njihte njeri. Shumica e shqiptarëve nuk dinin as se c'ish mirëqenia individuale, as të drejtat e njeriut, as liria e fjalës e asgjë tjetër nga ato konceptet që sot i marrim për të mirëqena. Aq më pak premtuese ishte situata politike e ekonomike e rajonit, i cila dominohej nga idetë dhe politikat shoviniste antishqiptare dhe prapambetja e përgjithshme ekonomike.

Prandaj, edhe pse krimet e kryera gjatë diktaturës janë më se të qarta dhe të pagabueshme, realisht është e vështirë të vësh gishtin e të gjesh fajtorin e vërtetë. Kush e ka fajin? Enver Hoxha dhe qindra mijëra mbështetësit e tij në ushtri e në popull? Ata që morën malet dhe luftuan vullnetarisht për çlirimin e vendit? Ato “elitat” politike që me veprimet e tyre kolaboracioniste diskretituan veten dhe humbën Shqipërinë? Aleatët që armatosën lëvizjen antifashiste? Pushtuesi Nazifashist që futi gjithë botën në luftë? Vendet fqinje dhe fuqitë europiane që nuk ngritën as gishtin për t’i dalë Shqipërisë në mbrojtje kur kjo u pushtua në 1939? Zogu që braktisi vendin? Britanikët që nuk ia fërshëllyen mbretit të shqiptarëve? Prapambetja e shoqërisë shqiptare? Gjeopolitika imperialiste? Kush? 

Fati i vuri të gjitha palët përballë sfidës sublime dhe secili prej tyre gjeti rrugën e vet. Kur u pushtua Shqipëria, Enver Hoxha dhe PKSH as që ekzistonin. Ishin të tjerë ata që erdhën këtu me forcën e armëve dhe e kthyen Shqipërinë në shesh lufte, apo që me veprimet e tyre shkaktuan fillimin e një zinxhiri ngjarjesh që sollën regjimin diktatorial dhe krimet e shumta të bëra në emër të komunizmit.

Për të zgjeruar më shumë kontekstin e këtij shkrimi duhet të lexoni edhe shkrimet me titull "LANÇ - zbërthimi i koncepteve të gabuara", "Kush e solli diktaturën në Shqipëri?", "Si ta kuptojmë periudhën e diktaturës komuniste?" dhe "Revolucioni vazhdon".

Comments

Shkrimet më të lexuara të muajit

Pse u konvertuan shqiptarët në myslimanë?

Epoka e errët shqiptare

Lufta e pavarësisë së Greqisë - sa patriotike ishte dhe kush qëndronte pas saj?