Në kërkim të Albanopolisit
![]() |
Hartë e vitit 1589 |
Në arkivin e hartave të vjetra oldmapsonline.org gjenden një numër hartash antike të Shqipërisë dhe territoreve përreth. Ndër këto harta janë edhe disa harta italiane të prodhuara në shekuj të ndryshëm, por që duken qartë që janë riprodhimi i një harte më të vjetër. Ekzemplari më i vjetër i kësaj harte në arkiv i përket vitit 1589, ndërsa ekzemplari më i ri i përket vitit 1770. Përgjithësisht tiulli i hartës shënon “Maqedonia, atdheu i Alexandrit” dhe aty ilustrohet edhe Albania. Në të gjitha këto harta figuron një emërtim i një vendbanimi specifik të quajtur Albanopolis.
Shumë studiues janë përpjekur të përcaktojnë vendndodhjen e Albanopolisit që përmend Ptolemeu në shekullin 2 të erës së re, por deri më sot askush nuk ka dalë me koordinata të sigurta. Përgjithësisht teza më e pranuar është ajo e Hanit, që Albanopolisi i ptolemeut është kalaja pranë fshatit Zgërthesh në afërsi të Krujës. Unë nuk e di nëse Albanopolisi i hartave të marra në studim është i njëjtë me Albanopolisin e Ptolemeut, por gjasat janë që këto të jenë dy gjëra të ndryshem, për vetë distancën kohore prej më shumë se 1400 vjetësh. Por mënyrën se si lidhen këto me njëra tjetrën do ta shpjegoj më poshtë.
Studimi i hartave të vjetra paraqet një sfidë. Duke krahasuar me kujdes emërtimet e shënuara në hartat antike me hartën e emërtimeve të sotshme dalin në pah disa mospërputhje thelbësore. Duket qartë që emërtimet e shënuara atje nuk reflektojnë ndryshimet demografike të ndodhura gjatë shekujve në territorin shqiptar, veçanërisht dyndjet sllave dhe pastaj ekspansionin e shqiptarëve. Përkundrazi në to paraqitet një mishmash emërtimesh pa kriter kohor, në varësi të informacionit që kartografët mund të kenë pasur në dispozicion në atë moment dhe të rëndësisë që mund të kenë pasur ato emërtime për ata që do t’i përdornin këto harta. P.sh. në një hartë figurojnë emërtime të lashta si Taulanti, Antigonea, Clodiana, Taulantia, Scampi, Arnisa, Auli, etj, (të cilat në shekujt XVI-XVIII kishin pushuar së ekzistuari për më shumë se 1400 vjet), përkrah emërtimeve të tjera bashkëkohore si Guri Bardhë, Belgrado, Tepledegni, Valona, etj. Pra, nuk mund të themi që këto harta ilustrojnë botën e lashtë pasi në to figurojnë si emërtimet e lashta ashtu edhe ato moderne.
Emërtime të tjera të çuditshme janë për shembull ai i Spinarcës, që në hartë figuron si vendbanim por në të vërtetë ishte vetëm një skelë buzë detit ku shkarkoheshin mallrat, apo ai i lumenjve Polonia dhe Rhyndacus, emërtime të cilat nuk përputhen kurrëkund me emërtimet lokale Seman dhe Vjosë (gr. Βίος - jetë), që janë përdorur në atë periudhë nga shqiptarët dhe që janë gjithashtu të lashta. Në vitet 1500-1700, në pjesën më të madhe të territorit shqiptar emërtimet sllave kishin zënë vënd mirë. Ne i përdorim ato edhe sot pothuajse të pandryshuara. Ndërsa shumë nga emërtimet e lashta si Antigonea, Clodiana, Taulantia, Scampi, Arnisa, kishin dalë jashtë përdorimit që në kohët e lashta. E megjithatë në këto harta figurojnë shumë pak emërtime sllave dhe tmerrsisht pak emërtime shqipe. Si është e mundur? Emërtimet sllave janë vendosur në këto troje që në shekullin e VI e të VII, kur sllavët erdhën filimisht në Iliri. Deri në kohën kur është prodhuar kjo hartë i thonë të paktën 1000 vjet. Pse nuk janë reflektuar këto ndryshime në hartë? A janë në këtë rast emërtimet e lashta të periudhës së Aleksandrit më të rëndësishme se ato të rejat sllave? Dhe pse në shekullin XVII flitet ende për ilirë e maqedonë!?
Kjo mungesë rregulli e korrektësie gjeografike në vendosjen e emërtimeve nga kartografët hedh dyshime mbi vërtetësinë e plotë të informacionit që gjendet aty dhe ky fakt krijon hapësirë për diskutim e hamendësime të mëtejshme. Prandaj, nga ky këndvështrim jemi plotësisht të justifikuar që të mendojmë se edhe emërtimi Albanopolis që tregohet në këto harta nuk i ka pse t’i përmbahet rregullave dhe konvecioneve moderne e rrjedhimisht nuk ka pse të jetë detyrimisht një vendbanim apo një kështjellë konkrete në territorin shqiptar, por një interpretim i autorëve italianë të situatës në terren sipas informacionit që dispononin në atë kohë dhe botëkuptimit me të cilin e shihnin Ballkanin dhe shqiptarët. D.m.th Albanopolis, me shumë gjasa, nuk ka qenë një pikë me koordinata ekzakte diku në Shqipërinë multietnike, por një krahinë e tërë buzë lumit Drin i Zi, të cilën kartografët e kanë përmbledhur në një emërtim të vetëm.
Kështu, duke marrë parasysh shtrembërimet dhe pasaktësitë e kushtëzuara nga pamundësia teknike për të ilustruar saktë tiparet gjeografike në atë periudhë dhe duke u mbështetur në hartën interaktive të toponimeve moderne në Shqipëri, mund të arsyetojmë që si kandidate më e përshtatshme për një krahinë të quajtur Albanopolis paraqitet Malësia e Lurës, konkretisht fshatrat në grykën mes Bjeshkëve të Oroshit dhe Mali të Dejës që lidh lumin Drin me lumin Mat, deri rrëzë Malit të Balgjajt në jug. Arsyeja pse kjo krahinë paraqitet si kandidatja më e përshtatshme është 1) fakti që gjendet buzë lumit Drini i Zi, ashtu siç ilustrohet edhe në hartë vendndodhja e Albanopolisit dhe 2) fakti që në të gjithë këtë krahinë dhe kodrat përreth, e veçanërisht në grykën mes Bjeshkëve të Oroshit dhe Malit të Dejës, emërtimet janë pothuajse të gjitha shqip: Arrën, Arrëz, Arrë-Mollë, Tej-Mollë, Barrë, Pregj-Lurë, Krej-Lurë, Fushë-Lurë, Gurë-Lurë, etj, Mërkurth, Ndërshenë, Lajthizë, Zall-Gjoçaj, Zall-Reç, Murrë, Kodrasë, etj. Ndërkohë në të dyja anët e kësaj krahine, si në anën e djathtë të lumit Drin, ashtu edhe në ultësirën e lumit Mat dominojnë gjerësisht emërtime sllave (Dibër) dhe latine (Mat).
Kjo do të thotë që në periudhën kur kjo krahinë ka marrë emrin Albanopolis, këtu, ndryshe nga vendet e tjera përreth, do ketë pasur një përqendrim absolut shqiptarësh autoktonë, të cilët nuk kishin ardhur nga diku tjetër. Kjo nuk do të thotë se në territore të tjera nuk ka pasur përqendrime autoktone shqiptarësh. Përkundrazi. Sipas hartës së emërtimeve rezulton se përqendrime të tilla ka pasur edhe në disa krahina të tjera si Dukagjini, Puka e Nikaj-Mërturi. Dhe dikur ato mund të jenë quajtur Albanopolis në të drejtën e vet. Dhe faktikisht, në njërën nga hartat figurojnë dy vendbanime me emrin Albanopolis, ku tjetri gjendet, më sipër, ndodhta në rajonin e Kukësit, në vendin ku puqen dy lumenjtë. Por në periudhën kur janë përpiluar këto harta, kartografët e kanë quajtur të arsyeshme që t’ia vënë pikërisht kësaj krahine këtë emërtim, ndoshta për rëndësinë që ajo mund të ketë pasur në raport me përdoruesin e hartës. Në këtë kontekst, Albano+polis ka më shumë kuptimin e atdheut të shqiptarëve si territori i një shoqërie të organizuar (polity) fisnore, në mungesë të një shteti të mirëfilltë, se sa një qytet konkret me kështjellë dhe banesa.
Ka dhe argumente të tjera historike që e mbështesin këtë tezë. Për shembull,
është pranuar nga shumë historianë fakti që Principata e Arbrit e ka pasur
bërthamën pikërisht diku në zonën e Matit, ngjitur me krahinën në fjalë. Por
edhe Skënderbeu, pronat e të atit i kishte në krahinën e Dibrës. Gjithashtu,
menjëherë sapo kapi Krujën, përpjekja e parë ishte kapja e Sveti Gradid, i
cili unë mendoj se është në fakt kalaja e Grazhdanit, në fushën e Dibrës dhe
jo fshati Koxhaxhik në krahun e majtë të Drinit, pasi aty ka qenë pika
kufitare mes shqiptarëve dhe sllavëve në atë kohë.
Për të kuptuar më mirë përfundimet e këtij shkrimi lexoni shkrimin me titull “Tkurrja dhe ekspansioni i shqiptarëve”.
![]() |
Hartë e vitit 1607 |
![]() |
Hartë e vitit 1647-1664 |
![]() |
Hartë e vitit 1770. Në këtë hartë figurojnë tashmë dy vendbanime me emrin Albanopolis. |
Comments
Shto një koment